ATV

Blog

  • Vëllai i Liridonës takon dy fëmijët e saj në Suedi: Kërkojnë të vijnë në Kosovë për të vendosë lule te varri

    Vëllai i Liridonës takon dy fëmijët e saj në Suedi: Kërkojnë të vijnë në Kosovë për të vendosë lule te varri

    Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt që u vra disa muaj më parë në Prishtinë, ka treguar se ka takuar nipërit e tij në Suedi.

    Ai tha se kërkesë e tyre ishte që të vijnë në Kosovë dhe të vendosin lule te varri i nënës së tyre.

    “Sot i takova nipat Dionin dhe Diarin, fëmijët e Liridonës tonë, pas disa muajsh dhe pas një ngjarje tragjike që do t’i përcjellë tërë jetën. U përqafuam gjatë. Ata e patën vetëm një kërkesë: a mundemi me ardhë në Kosovë me dërgu lule te varri i nanes? Falënderojmë shërbimet sociale në Suedi për kujdesin profesional”, ka shkruar ai.

    Liridona Ademaj, 30-vjeçare, është vrarë më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Për vrasjen e saj është arrestuar bashkëshorti i saj Naim Murseli nën dyshimin se ka porositur vrasjen e saj dhe dy të tjerë.

  • Osmani: USAID ka qëndruar besnikërisht përkrahë shtetit tonë duke investuar mbi 1 miliard dollarë

    Osmani: USAID ka qëndruar besnikërisht përkrahë shtetit tonë duke investuar mbi 1 miliard dollarë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kontributi i UASID-it përgjatë më shumë se dy dekadash në vend, është një shembull i fuqishëm i përkushtimit të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan për të ndihmuar Kosovën në rrugën drejt sukseseve të reja.

    Osmani ka bërë të ditur se USAID-i ka qëndruar besnikërisht përkrah popullit të Kosovës duke investuar mbi 1 miliardë dollarë në zhvillimin e vendit, sipas saj, bashkë me projektet e tjera të Qeverisë amerikane, investimet totale arritën diku në shifrën e 1 miliardë dollarëve.

    Osmani këto deklarime i bëri pas takimit që kishte zhvilluar me Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee.

    “Në Kosovë kur flitet për USAID-in flitet për zhvillim ndihma dhe mbështetja juaj për popullin e Kosovës ndër vite asociohet ngushtë me etapa të rëndësishme zhvillimore të vendit tonë. Vizita juaj dhe takimi që sapo e përfunduam janë dëshmi e angazhimit dhe punës së jashtëzakonshme të USAID-it në partneritet me qytetarët tanë institucionet tona mbi të gjitha me shtetin tonë. Kontributi i USAID me dekada është një nga shembujt më të fortë të përkushtimit të palëkundur të ShBA-ve, Amerikës dhe popullit amerikan për ta ndihmuar vendin tonë në arritjen e sukseseve tona. Bashkëpunimi me USAID-in reflekton partneritetin tonë me ShBA-të. Një partneritet i ndërtuar me besim të ndërsjellë të fuqizuar nga vlerat e përbashkëta dhe të motivuara nga qëllimi ynë i përbashkët. Një Kosovë më e fortë e zhvilluar, gjithëpërfshirëse dhe e integruar në institucionet euroatlantike. Në përpjekjet tona të përbashkëta për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë USAID-i ka qëndruar besnikërisht përkrahë shtetit tonë duke investuar mbi 1 miliardë dollarë në Republikën e Kosovës e që bashkë me projekte tjera të Qeverisë Amerikane investimet arrinë diku në 2 miliardë dollarë. Përmes projekteve të ndryshme është prekur çdo aspekt i qytetarëve e përmes të cilave është ndihmuar edhe më tutje fuqizimi i Grave, Rinisë dhe i Komuniteteve në të gjitha fushat. Për më tepër këto projekte kanë mbështetur bizneset drejt rritjes së qëndrueshme, kanë mbështetur shpirtin e sipërmarrës të të rinjve tanë, tranzicionin energjetik si dhe kanë ndihmuar në fuqizimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit. Ne sapo kemi shënuar 16 vjet si shtet i Pavarur përgjatë këtyre viteve sukseset tona të njëpasnjëshme janë arritur me mbështetjen e ShBA-së, aleatëve tanë”, ka thënë ajo.

  • Presidenti Ademi priti përfaqësuesit e KFOR-it italian

    Presidenti Ademi priti përfaqësuesit e KFOR-it italian

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka pritur sot përfaqësuesit e KFOR-it italian, Santiano Ballato (OR-4), Morena Cavalla (OR-4) dhe Federico D Addesa (OR-4), të cilët përcjellën mesazhet dhe qëllimet e kryeshefit të tyre, Domenico Cucci (OR-7).

    Kreu i FFK-së ka shprehur kënaqësinë e tij për mundësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm me KFOR-in italian në të ardhmen, teksa e ka vlerësuar këtë si mundësi të mirë për të dyja palët për t’i kontribuuar komunitetit.

    Bashkëpunimi ndërmjet FFK-së dhe KFOR-it do të sjellë mundësi të promovimit të aktiviteteve të përbashkëta në vendin tonë. Në fund të takimit presidenti Ademi i ka nderuar mysafirët me dhurata simbolike.

  • Qeveria shkarkon Bordin e Drejtorëve të “Hidroregjionit Jugor”, që e kishte emëruar vetë në 2022

    Qeveria shkarkon Bordin e Drejtorëve të “Hidroregjionit Jugor”, që e kishte emëruar vetë në 2022

    Qeveria e Kosovës ka shkarkuar sot Bordin e Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, që e kishte emëruar vetë në gusht të vitit 2022.

    Arsyetimin për shkarkim e dha Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    “Bazuar në raportin vjetor për vitin 2022 dhe raportin vjetor për 2023, Kompania Rajonale e Ujit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka devijuar nga caqet e përcaktuara nga Bordi i Drejtorëve në planin e biznesit. Përveç devijimeve nga plani i biznesit, gjithashtu është evidentuar edhe moskomunikimi i rregullt me njësinë për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike. Në përgjithësi, konsiderohet se bordi nuk ka arritur të sigurojë planifikim dhe mbikëqyrje rigoroze të planit dhe për këto arsye rekomandojmë shkarkimin”, tha Rizvanolli.

    Në po këtë mbledhje u emërua edhe Bordi i Përkohshëm me Ismet Vrapçani – kryesues, Dhurata Gutaj – anëtare, Taulant Tanushaj – anëtar dhe Sibel Halkoshatri – anëtare.

  • Miratohet Projekt-rregullorja që parasheh themelimin e shtëpive për mbrojtjen e fëmijës pranë Qendrave për Punë Sociale

    Miratohet Projekt-rregullorja që parasheh themelimin e shtëpive për mbrojtjen e fëmijës pranë Qendrave për Punë Sociale

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projekt-rregulloren për Organizimin dhe Fushëveprimin e Shtëpive për Mbrojtjen e Fëmijës.

    Këtë projekt-rregullore e prezantoi zëvendësministri Blerim Sallahu, i cili tha se përmes saj parashihet të themelohen shtëpi për mbrojtjen e fëmijës pranë Qendrave për Punë Sociale në territorin ku funksionojnë gjykatat dhe prokuroritë themelore.

    Kjo me qëllim, “ofrimin e të gjitha shërbimeve mbrojtëse ndaj fëmijës përgjatë 24 orëve, shtatë ditë në javë, shërbime gjithpërfshirëse dhe të arritshme që përmbushin nevojat themelore dhe specifike të fëmijës dhe prindit apo kujdestarit, shërbime këshilluese, shërbime të strehimit të përkohshëm të fëmijës i cili nuk ka mundësi të kthehet në shtëpinë e tij apo qëndrimi në shtëpinë e tij i nënshtrohet kanosjes ndaj jetës apo shëndetit të tij”, tha Sallahu.

  • Borrell: BE është në rrezik, na duhet një politikë e përbashkët e mbrojtjes

    Borrell: BE është në rrezik, na duhet një politikë e përbashkët e mbrojtjes

    “Europa është ende në rrezik, lufta është në kufijtë tanë dhe është një luftë që nuk duket se do të përfundojë së shpejti dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të forcojmë kapacitetet tona prodhuese, duke kaluar nga një gjendje emergjente në një periudhë vizioni të mesme dhe të gjatë për të mbështetur Ukrainën”.

    Kështu ka deklaruar përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, gjatë prezantimit të strategjisë europiane të mbrojtjes.

    “Europa nuk ka një Pentagon, prandaj ne kemi nevojë për një politikë të përbashkët të mbrojtjes”, theksoi ai.

    Gjithashtu edhe von der Leyen ka mbështetur fjalët e Borrell, duke theksuar se Europa është e gatshme të shpenzojë më shumë për mbrojtjen.

    “Sot ne po përcaktojmë vizionin tonë për gatishmërinë e mbrojtjes me Strategjinë Industriale të Mbrojtjes së Europës.

    Kjo do të mbështesë vendet anëtare jo vetëm që të shpenzojnë më shumë, por edhe më mirë, së bashku dhe në një mënyrë europiane”, theksoi ajo.

  • Policia kërkon ndihmë nga qytetarët për identifikimin e një të dyshuare

    Policia kërkon ndihmë nga qytetarët për identifikimin e një të dyshuare

    Policia po kërkon ndihmë nga qytetarët, në ofrimin e informatave që do të ndihmonin në identifikim e një të dyshuare, e cila po kërkohet nga organet e rendit.

    Ajo dyshohet për Shpërdorim të pasurisë së huaj, dhe keqpërdorim të kartelave bankare, që është në polici në janar të këtij viti.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit apo vendodhjes së saj, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, shkruan në kërkesën e policisë.

  • Qeveria ndan 50 mijë euro për financimin e projektit për ujërat e zeza në Ferizaj

    Qeveria ndan 50 mijë euro për financimin e projektit për ujërat e zeza në Ferizaj

    Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për ndarjen e 50 mijë eurove për financimin e projektit “Trajtimi i Ujrave të Zeza” në Ferizaj.

    Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se marrëveshja mes tri palëve Kompania Rajonale e ujësjellësit “Bifurgacioni, BERZH si dhe Komuna e Ferizajt,kanë nënshkruar marrëveshje për zbatimin e këtij projekti dhe kërkoi që të miratohet kërkesa e Ministrisë së Ekonomisë.

    “Është nënshkruar marrëveshja e hua marrjes si dhe është nënshkruar marrëveshje për zbatimin e projektit në kuadër të tri palëve, Kompania Rajonale e ujësjellësit “Bifurgacioni”, Banka për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe Komuna e Ferizajt. Në mënyrë që të procedojmë tutje me ratifikimin e marrëveshjes pra, si parakusht edhe të hapen kodet buxhetore, në këtë rast propozojmë që të ndahem 50 mijë euro në mënyrë që të procedojmë edhe ratifikimin e marrëveshjes në fjalë”, tha Murati.

  • Kurti uron festat e marsit dhe muajin e shenjtë të Ramazanit

    Kurti uron festat e marsit dhe muajin e shenjtë të Ramazanit

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka uruar festën e 7 dhe 8 Marsit, ndërsa duken qenë se në këtë muaj fillon edhe Ramazani, ai u ka uruar agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve mysliman.

    Kurti ka thënë mësimdhënësit kanë një rol tejet të rëndësishëm në shoqëri, duke kujtuar edhe 292 mësimdhënësit e vrarë në luftën e Kosovës, për të cilët tha se me punën tonë të sotme ua nderojmë sakrificën dhe e lartësojmë kujtimin për ta.

    “Një muaj i hatashëm, një muaj i lavdishëm. Marsi është edhe 7 Marsi i Ditës së Mësuesit. Të japësh mësim është një ndër thirrjet më fisnike në jetë sepse ke në dorë formimin dhe informimin e individit, i cili nesër formëson dhe zhvillon shoqërinë dhe vendin. Mësimdhënësit tanë sot janë të vetëdijshëm për rolin tejet të rëndësishëm që kanë dhe ne u jemi falënderues atyre. Të vetëdijshëm për këtë ishin edhe 292 mësimdhënës që u vranë gjatë luftës në Kosovë, të cilët përkundër rreziqeve, vazhduan edukimin e fëmijëve në kushte lufte. Puna jonë sot për edukimin e brezave të rinj nderon sakrificën e tyre dhe lartëson kujtimin ndaj tyre”, u shpreh ai.

    Më tej, Kurti përmendi edhe 8 Marsin, ku vlerësoi se me veprime konkrete institucionet ritheksojnë përkushtimin për ta shtyr përpara agjendën për barazi gjinore në Kosovë.

    “Marsi është edhe 8 marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas. Dita e përpjekjes dhe e luftës për barazi në shoqëri. Synimi ynë për barazi dhe drejtësi nuk ka alternativë. Barazia gjinore është në themel të barazisë shoqërore. Shteti ynë është ndërtuar mbi parimet e diversitetit dhe të gjithëpërfshirjes. Përparimi është përpjekje kolektive ndërtuar mbi bazën e bashkëpunimit, të ndjeshmërisë dhe solidariteti. Në prag të ditës ndërkombëtare të gruas, me veprime konkrete ritheksojmë përkushtimin institucional për të shtyr përpara agjendën e barazisë gjinore në Republikën e Kosovës”, shtoi ai.

    Kurti nuk la pa uruar edhe muajin e shenjt të Ramazanit, duke thënë se ky muaj sjell përkrahje e bashkim me ata që kanë më së shumti nevojë.

    “Këtë vit muaji mars është muaji i fillimit të Ramazanit, muajit të shenjt që besimtarët mysliman mezi e presin e që sjell përkrahej e bashkim me ata që janë më së shumti me nevojë. Të gjithë atyre që po numërojnë deri me 11 mars, ju qoftë agjërimi i lehtë”, theksoi ai.

  • BEDRI HALIMI – VEPRIMTAR E INTELEKTUAL SHUMËDIMENSIONAL

    BEDRI HALIMI – VEPRIMTAR E INTELEKTUAL SHUMËDIMENSIONAL

    Shkruan: Demir Reshiti

    Në kuadër të ciklit të shkrimeve Portrete opojanësh që na bëjnë krenar, sot do ta bëj prezantimin e veprimtarit, shkrimtarit e publicistit shumëdimensional Bedri Halimi nga fshati Kuk i komunës së Sharrit i cili jeton e punon në Prishtinë. Shkas për ta bërë këtë shkrim është ditëlindja e tij e 61-të të cilën Bedriu do ta kremtojë në kulmin e veprimtarisë së tij publicistike por edhe në një periudhë përballjeje me probleme shëndetsore të cilat shpresojmë do t’i tejkalojë me sukses.

    Bedri Halimi është i lindur në 05. 03. 1963 në fshatin Kuk të trevës së Opojës (komuna e Sharrit). Shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje (4 klasë) dhe katër klasë të tjera në Shkollën “28 nëntori” në Bresanë. Si nxënës i shkollës së mesme është arrestuar për shkak të qëndrimeve të tij atdhetare dhe  është dënuar me disa vite burg, të cilat i mbajti në burgjet e Pejës, Prizrenit, Zagrebit, Gospiqit, Pulës, Rijekës dhe Goli Otokut. Pas burgut për një kohë ju mohua e drejta e shkollimit në formë të heshtur. U detyrua ta kryej shërbimin ushtarak që të mos humbte më shumë kohë. Pastaj ka vazhduar dhe kryer studimet në fakultetin e Bujqësisë.

    Ndonëse i ri në moshë, përballja me një sistem që i shtypte pa mëshirë shqiptarët e veçmas ata me vetëdije të lartë kombëtare dhe qëndrimi për disa vite nëpër kazamatët serbosllave, jo vetëm që nuk e thyen por e bënë edhe më të përkushtuar në rrugën e atdhetarizmës.
    Pas daljes nga burgu, Bedriu vazhdoi të mbetej halë në sy të shërbyesve dhe puthadorëve të ish-sistemit okupator. Megjithatë, ai kurrë nuk pushoi së vepruari në kauzën kombëtare. Krahas aktivitetit ilegal, Bedriu me një grup veprimtarësh tjerë nga Opoja ishte aktiv dhe prijatar në pothuajse të gjitha nismat atdhetare e kulturore të kohës, falë të cilave Opoja nga një zonë e izoluar u shndërrua në njërën nga trevat më aktive që kontribuuan në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Vlen të përmenden këtu Aksioni për pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave, formimi i Këshillit për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut (KMLDNj), organizimi i aktiviteteve të shumta kulturore, mbajta e tribunave të ndryshme shkencore, historike e përkujtimore, etj.

    Bedriu është ndër të parët veprimtarë nga treva e Opojës që u angazhua në formimin dhe organizimin e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës, ushtri në të cilën e ka dhënë kontributin e tij deri në çlirimin e vendit.
    Për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, Bedriu në vitin 1997 serish arrestohet apo më mirë të thuhet kidnapohet nga policia serbe të cilët e torturojnë në përmasa cnjerëzore. Si pasojë e torturave mizore, përfundon në spitalin e Prishtinës pothuajse pa shenja jete por Zoti deshi që të shpëtojë. Pasojat e këtyre torturave Bedriu po i vuan edhe sot!

    Çmimi i lirisë…

    Bedriu është i njohur edhe për parimet e tij. Në periudhën e pasçlirimit, ai u angazhua në themelimin e institucioneve komunale dhe organizimin e jetës në komunën e Sharrit duke e dhënë kontributin e tij të pamohueshëm në pothuajse të gjitha sferat. Ka qenë pjesë e Këshillit Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike të Kosovës, bashkë me figurat kryesore të kësaj partie.

    Më pas punën dhe aktivitetet i vazhdon në Prishtinë ku për disa vite ishte kryeredaktor e redaktor në disa gazeta e revista ndërsa nga viti 2008 ai punon si kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

    Duke pasur parasysh krajatat nëpër të cilat ka kaluar, Bedriu ka pasur e ka nevojë për qetësi. Në vend të qetësisë, në Kosovën e pasluftës, pati edhe njerëz të tillë, që ia montuan akuzën për Prevallë e Brezovicë, e çuditërisht madje edhe ta arrestonin. Nga Gjykata Themelore – Departamenti Special, si dhe nga Gjykata e Apelit – Departamenti Special, u shpall i pafajshëm. Në Kosovën tonë, fatkeqësisht ka njerëz që sakrificën për liri, që i kushtoi tërë jetën, të vlerësohet e shpërblehet edhe në këtë mënyrë.

    Si pasojë e të gjitha këtyre, dhe pasojë e torturave në burgjet e kaluara, e sidomos më 1997, shëndetin e ka të dëmtuar. Falë forcës së madhe shpirtërore deri tani ja ka arritur me sukses të mbijetojë.

    Së voni ju nënshtrua edhe një operacioni të cilin arriti ta përballoj.

    Bedriu, këtë muaj, kur edhe e ka ditëlindjen, pret edhe një sfidë tjetër: do të operohet edhe njëherë.

    Shpresojmë se edhe këtë sfidë Bedriu do ta përballojë, për t’ju përkushtuar sërish punës në Institucionin ku punon, si dhe punës krijuese e shkencore, nga të cilat pritet të botoj edhe shumë libra të tjerë.

    Bedriu aktualisht jeton në Prishtinë me bashkëshorten e tij. Ka dy djem dhe një vajzë dhe është gjysh i lumtur!

    Veprimtaria letrare, publicistike e shkencore

    Që nga viti 1991 drejton dhe boton revistën për kulturë, art e shkencë “Sharri”, revistë e cila ka bërë jehonë në qarqet kulturore e shkencore në hapësirat shqiptare. Gjithashtu ka shkruar shkrime të shumta në të gjitha gazetat e revistat e ndryshme në hapësirën shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi.

    Ka shkruar punime të shumta kulturore, letrare e shkencore, të botuara në revista të ndryshme të hapësirave shqiptare.

    Deri tash ka botuar disa libra letrar, publicistikë e shkencorë, si:

    Ditar Dardanie (1992) – poezi për të rritur, botim i klubit letrar “Luigj Gurakuqi”;

    Plagë shpirti (1995) – poezi për të rritur, nga klubi letrar “Luigj Gurakuqi”;

    Cubat fshehin Hënën (1999) – poezi për të rritur, nga gazeta “Rilindja”;

    Kafshët e botës sime (2001) – poezi për fëmijë, nga “Rilindja” – Prishtinë;

    Qëndresa kombëtare në Opojë dhe dëshmorët e saj (2002) – libër historik, klubi letrar “Luigj Gurakuqi”;

    Përgatiti për botim librin “Haxhi Ymer Prizreni” (2006), revista “Sharri”;

    Pemët, perimet dhe drithërat në mjekësinë popullore (2009) – libër shkencor, Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor – Prishtinë;

    Kënga e lumit, (2009) – poezi, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Lule në Zinovë, poezi të zgjedhura nga autorë opojanë, 2011, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Karnavalet e djajve, 2013 – poezi, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Goranët, monografi, 2012, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Dëshmorët e Opojës, 2014, monografi, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Përgatiti për botim librin monogrfik: OPOJA – Aspekti historik, 2016, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Haxhi Ymer Prizreni – figurë e shquar e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, 2017, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Panoramë Opojane, poezi për fëmijë, SHB “Fidani”, 2017, Prizren;

    Përgatiti për botim librin monografik: OPOJA – Aspekti folklorik, 2017, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Ecje nëpër furtunë, roman, 2017, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Ura e Diellit, poezi, 2018, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Përgatiti për botim libri monografik: OPOJA – Aspekti gjuhësor, 2018, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

    Përgatiti për botim librin monografik: OPOJA – Aspekti etnologjik, 2019, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

    Sytë e mallit, poezi, 2019, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Dhuna serbe në Opojë 1912-1999, studim historik, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni, 2020;

    Ora e lirisë përballë krimeve të Serbisë, publicistikë, 2021, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Vlerësime e interpretime historike e letrare, 2021, recensione, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Ëndërr vrastare, tregime, 2021, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Zjarr yjesh, poezi, 2021, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Interpretimet antishkencore të historiografisë serbe rreth çështjes shqiptare, studim historik, 2022, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Rrëfime tmerri, drama, 2022, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Cunga pylli, poezi, 2022, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

    Syzjarre, poezi, 2023, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

    Qepallat e përflakura, poezi, 2023, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

    Njerëz e fate, tregime, 2023, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

    Qasje antishkencore e ASHAS, për Gorën, Opojën dhe Sredskën, studim historik, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni, 2023.

    Përgatiti për botim librin monografik: OPOJA – Aspekti kulturor, 2023, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

    Ka shkruar një varg skenarësh disa nga të cilët janë bërë filma dokumentar si: Dëshmorët e Opojës; Ymer Prizreni, Këngët opojane, etj., të realizuara nga Shoqata Kulturore Ymer Prizreni, dhe të transmetuara edhe në televizione të ndryshme si  në RTK etj.