ATV

Blog

  • KQZ sot shqyrton vendimet për proces zgjedhor në veri

    KQZ sot shqyrton vendimet për proces zgjedhor në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbajë mbledhje. Pjesë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi dhe miratimi i vendimit për shkurtimin e afateve të rregullta zgjedhore.

    Përkatësisht ky shqyrtim ndërlidhet me votimim për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet me datën 21 prill 2024.

    Tutje KQZ ka bërë të ditur se do të shqyrtojë edhe miratimin e platit të aktiviteteve për procesin e votimit, planin e informimit publik, kalendarin e vëzhgimit të zgjedhjeve dhe raportin e plotësuar të verifikimit të nënshkrimeve të peticionit.

  • Voziti 253 km/h në zonën 100 km/h, shoferi gjobitet me 300 euro

    Voziti 253 km/h në zonën 100 km/h, shoferi gjobitet me 300 euro

    Është gjobitur një burrë me 300 euro dhe me tre muaj ndalim drejtimi të automjetit, ku i njëjti në zonën ku kufizimi i shpejtësisë ishte 100 km/h ka vozitur me shpejtësi 253 km/h.

    Kështu bëri të ditur policia përmes një njoftimi në Facebook.

    “Njësia për Kontroll të Autostradave në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 100 km/h ka identifikuar shoferin duke drejtuar mjetin me shpejtësi 253 km/h, i njëjti është gjobitur me 300€ dhe 3 muaj i është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik”, thuhet në njoftim.

  • ​Escobar viziton Kosovën këtë javë: Në fokus dialogu dhe dinari

    ​Escobar viziton Kosovën këtë javë: Në fokus dialogu dhe dinari

    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta vizitojë Prishtinën këtë javë për të biseduar me liderët e Qeverisë së Kosovës për dialogun mes saj dhe Serbisë, si dhe për dinarin e ndalur serb në Kosovë, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit të dielën.

    Escobar do ta vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë dhe Malin e Zi nga 10 deri më 18 mars 2024, sipas njoftimit. Ai pritet të jetë në Prishtinë nga e mërkura.

    “Vizita e tij do ta ritheksojë përkushtimin e shteteve të Bashkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat e synojnë integrimin Euroatlantik dhe një bashkëpunim më të thellë rajonal”, tha Departamenti i Shtetit.

    Escobari e viziton Kosovën në një kohë kur marrëdhëniet e zyrtarëve amerikanë me Qeverinë e Kosovës duken të tensionuara për shkak të çështjes së dinarit serb, të cilin Banka Qendrore e Kosovës e ndaloi përmes një rregulloreje muajin e kaluar.

    Muajin e kaluar, Escobari tha se Qeveria e Kosovës nuk po e trajton SHBA-në si partnere, për shkak të mosdëgjimit të kërkesës amerikane për çështjen e dinarit serb.

    “Ne jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA-ja është e përkushtuar plotësisht”, kishte thënë Escobar më 23 shkurt.

    SHBA-ja ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi, duke argumentuar se ai është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te komuniteti serb në Kosovë, që përdor valutën kombëtare të Serbisë.

    Departamenti i Shtetit tha se i dërguari amerikan do të takohet edhe me shoqërinë civile dhe komunitetin serb në Kosovë, përveç zyrtarëve qeveritarë.

    “Ai do të mbajë takime edhe në lidhje me ndikimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat me para të gatshme dhe për të bërë thirrje për ndërmarrjen e hapave për plotësimin e nevojave të qytetarëve të Kosovës pa pengesa”, thuhet në njoftim.

    Rregullorja e BQK-së, që parasheh vetëm euron valutë me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme, filloi të zbatohet nga 1 shkurti.

    Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

    Rregullorja është kritikuar nga Bashkimi Evropian.

    Më 4 mars, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, i bënë thirrje Kosovës t’i përmbushë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, nëse dëshiron të anëtarësohet në BE dhe në NATO.

    “Bashkësia ndërkombëtare do që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, kemi krijuar kushtet për ta arritur këtë, dhe mënyra e vetme është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja… Shpresojmë të shohim përpjekje për të ecur para”, tha Hovenier.

    Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.

    Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    BE-ja ka thënë se marrëveshja, e cila edhe pse nuk është nënshkruar është detyrim për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet.

    Ndërkohë, në Belgjikë, Escobar do të takohet me të dërguarin e Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak dhe me zyrtarë evropianë dhe të NATO-s për të biseduar “për përpjekjet për t’i çuar përpara reformat të cilat do të sjellë prosperitet, stabilitet dhe paqe afatgjate në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.

  • Gjenden të vdekur pesë skiatorët në Alpet zvicerane, një tjetër ende i zhdukur

    Gjenden të vdekur pesë skiatorët në Alpet zvicerane, një tjetër ende i zhdukur

    Trupat e pesë skiatorëve që janë raportuar të zhdukur janë gjetur pa shenja jete në Alpet zvicerane. Autoritetet janë ende në kërkim të një personi të gjashtë.

    Ata ishin nisur nga Zermatt, shtëpia e malit të famshëm Matterhorn, në një turne skish drejt Arollës përgjatë kufirit zvicerano-italian, raporton BBC.

    Pesë nga gjashtë skiatorët u gjetën në orën 21:20 me orën lokale “pa asnjë shenjë jete”, tha një deklaratë nga policia zvicerane e kantonit Valais.

    Siç raportohet, skiatorët ishin të gjithë shtetas zviceranë dhe ishin të moshës nga 21 deri në 58 vjeç.

    Policia lokale tha se ekipet ishin alarmuar, por moti i keq po pengonte operacionin.

  • ​Xhaka: S’kemi fituar ende asgjë, janë edhe nëntë finale

    ​Xhaka: S’kemi fituar ende asgjë, janë edhe nëntë finale

    Mesfushori i Bayer Leverkusen, Granit Xhaka tha të dielën se ai ka shfrytëzuar dhimbjen e humbjes së titullit të Premierligës vitin e kaluar me Arsenalin si motivim në rrugën drejt tiullit kampion me Bayer Leverkusenin ne Bundesligë.

    Leverkusen mundi Ëolfsburgun me 10 lojtarë me rezultat 2-0 në shtëpi për të rikthyer epërsinë e tyre ndaj Bayern Munich të vendit të dytë në 10 pikë me nëntë ndeshje të mbetura deri ën fund të sezonit, duke e vendosur skuadrën e Xabi Alonsos në rrugën e duhur për titullin e parë në histori.

    Xhaka iu bashkua Leverkusenit nga Arsenali në verë. Sezonin e kaluar, Arsenali në një moment kishte një avantazh prej tetë pikësh në krye të tabelës së Premier Ligës, por përfundimisht e humbi titullin duke ia dorëzuar atë Manchester Cityt.

    “Është sinqerisht e vështirë të përshkruash ndjenjën me fjalë, kur je përballë për kaq shumë kohë, por më pas kapesh, si vitin e kaluar me Arsenalin”, tha Xhaka.

    “Shpresoj që të mos ndodhë më, kemi nëntë ndeshje, nuk kemi fituar ende asgjë. Duhet të vazhdojmë të punojmë, të qëndrojmë gati. Ne e dimë se javët e ardhshme do të jenë brutalisht të rëndësishme për ne.”, shtoi reprezentuesi zviceran, përcjellë KosovaPress.

    “Ne kemi pasur presion që nga ndeshja jonë e parë. Pavarësisht nëse të tjerët fitojnë apo jo, ne duhet të bëjmë punën tonë. Kanë mbetur nëntë ndeshje për të përfunduar, sot ne hodhëm hapin e parë. Tani, ne do ta kthejmë fokusin tonë tek e enjtja dhe Freiburg”, tha në fund Xhaka.

    Leverkusen pret Qarabag në Ligën e Evropës të enjten, duke e ditur se fitorja do t’i dërgonte në çerekfinale.

  • ​Plagosen tre persona në Gjakovë, i dyshuari në arrati

    ​Plagosen tre persona në Gjakovë, i dyshuari në arrati

    Pas një mosmarrëveshje një person në Gjakovë ka plagosur tre persona me armë zjarri. Sipas Policisë së Kosovës të plagosurit janë dërguar në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

    “I dyshuari ndodhet në arrati, rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • ​Programi “Sport në shkolla” zgjon interesim të madh të të rinjve për sport

    ​Programi “Sport në shkolla” zgjon interesim të madh të të rinjve për sport

    Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Sportit Shkollor, po vazhdojnë ta implementojnë pilot projektin për basketbollin 3×3 në shkolla në kuadër të programit qeveritar ‘Sport në Shkolla’.

    870 nxënës nga 14 shkolla të ndryshme të Kosovës është numri i deritanishëm i fëmijëve që kanë shpreh interesim për basketbollin 3×3, dhe kjo tregon më së miri për punën që po e bëjnë në terren menaxherët e projektit nga dy federatat, koordinatorët dhe arsimtarët për masivizimin e basketbollit 3×3.

    Inkuadrimi dhe praktikimi i sportit të basketbollit 3×3 si aktivitet jashtëkurrikular si dhe organizimi i garave, janë disa nga komponentët e fazës pilotuese të programit ‘Sporti në Shkolla’, i cili synon që në të ardhmen të zgjerohet në më shumë sporte (aktualisht është edhe shahu) si dhe në më shumë shkolla dhe komuna.

  • E pranojnë gjyqtarët, penalltia e Interit ndaj Genoas ishte gabim

    E pranojnë gjyqtarët, penalltia e Interit ndaj Genoas ishte gabim

    Shoqata e Arbitrave italian ka konfirmuar se penalltia e Interit kundër Genoas ishte një gabim nga gjyqtari Giovanni Ayroldi, i cili nuk mori parasysh rekomandimet e VAR-it.

    Gabimi rezultoi i rëndësishëm në fitoren 2-1, duke i dhënë “Nerazzurrëve” një epërsi 2-0 në “Giuseppe Meazza” të hënën në mbrëmje.

    Morten Frendrup ndërhyri me ahspërsi në drejtim të Barellas, por aty u pa qartë që lojtari largoi topin paraprakisht, përcjellë KosovaPress.

    Gjyqtari Ayroldi akordoi penallti dhe dëgjohej duke u thënë lojtarëve të Genoas “nuk ka rëndësi nëse ai e prek topin, ju nuk mund të ndërhyni në atë mënyrë”.

    VAR menjëherë sugjeroi se nuk ishte një penallti dhe kaloi shumicën e kohës duke u përpjekur të gjente pamjet më të mira për t’i treguar arbitrit se kontakti nuk kishte ekzistuar.

    “Po, duke parë pamjet, ishte një gabim. Mund të ndodhë në fushë kur gjyqtari nuk arrin të shkëputet nga ajo ndjesia që ka parë ndërhyrjen në kohë reale duke e konsideruar atë si të rrezikshme” tha nënkomisioneri i Dino Tommasi.

    “Zyrtarët e VAR-it u përpoqën ta çonin drejt këtij përfundimi. Ai duhet të kishte hapur mendjen dhe të ishte më i hapur për të vlerësuar pamjet që iu shfaqën. Ndoshta kishte edhe një kënd tjetër, por ato që iu treguan duhet të kishin mjaftuar për të anuluar vendimin”, shtoi ai.

  • 81-vjetori i holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë

    81-vjetori i holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë

    Komuniteti hebraik në Maqedoninë e Veriut sot do të shënojë 81-vjetorin nga deportimi dhe holokausti i 7.144 hebrenjve të Maqedonisë në kampin e përqendrimit, Treblinka.

    Natën midis 10 dhe 11 marsit 1943 u arrestuan mbi 7 mijë hebrenj në Maqedoni dhe u burgosën në Monopol, sot Kombinati i duhanit, i cili atëherë ishte kamp përqendrimi i përkohshëm.

    Më së shumti hebrenj ka pasur nga Manastiri, Shkupi dhe Shtipi dhe nga disa familje nga qytetet më të vogla. Sipas evidencës së autoriteteve të atëhershme okupuese bullgare dhe gjermane, janë arrestuar 7.144 hebrenj.

    Më 11 mars ishin mbledhur në vagonë për transportin e kafshëve dhe nga Manastiri dhe Shtipi së bashku janë sjellë në Monopolin e Shkupit, ku kanë qëndruar deri në fund të muajit mars në kushte ekstreme të rënda higjienike dhe psikologjike.

    Tërë pasuria u ishte marrë, ndërsa ari dhe paratë u janë konfiskuar. Pastaj sërish ishin ngarkuar, midis 80 dhe 120 në një vagon dhe ishin transportuar në Poloninë e atëhershme të okupuar, në kampin e vdekjes Treblinka, ku janë ekzekutuar.

    Asnjëri nga të arrestuarit nuk është kthyer.

    Në Treblinkë janë vrarë 98 për qind nga komuniteti hebrenj në Maqedoni në vitin 1943, që është përqindja më e madhe në botë.

    Në përkujtim të hebrenjve të depërtuar të Maqedonisë, një delegacion i Republikës së Maqedonisë në vitin 2008 në kampin Treblinka vendosi shenjë me mbishkrimin “Maqedonia”.

    Në mars 2011, në mëhallën hebraike në Shkup, në mënyrë solemne u hap Qendra memoriale e holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë. Muzeu është ndërtuar me mjetet e pronave të familjeve të hebraikëve të vrarë të Maqedonisë të cilët nuk kanë pasur trashëgimtarë.

    Sipas vlerësimeve në Treblinkë janë vrarë rreth 900 mijë njerëz, prej të cilëve mbi 750.000 hebrenj. Viktimat e holokaustit në këtë kamp, i cili ndodhej 100 kilometra në verilindje të Varshavës, ishin vrarë midis muajit korrik të vitit 1942 dhe tetorit të vitit 1943.

  • 25 vjet nga vrasja e piktorit Kadri Kadriu

    25 vjet nga vrasja e piktorit Kadri Kadriu

    Sot mbushen 25 vjet nga vrasja e piktorit të mirënjohur mitrovicas, Kadri Kadriu.

    Kadri Kadriu gjatë kthimit në shtëpinë e tij te kullat e famshme me “plis” në lagjen “Kroi i Vitakut”, pas qëndrimit te të afërmit, kapet tinëzisht nga forcat paramilitare e makineria serbe dhe vritet mizorisht, ndërsa trupi i tij u gjet në Stan Tërg.

    Kadri Kadriu është njëri nga piktorët më të njohur kosovarë, i cili mbetet frymëzim për gjeneratat e reja.