ATV

Blog

  • “Termokos” do të shpërndajë në mars fatura testuese sipas konsumit

    “Termokos” do të shpërndajë në mars fatura testuese sipas konsumit

    Ndërmarrja Publike “Termokos” njofton publikun se për muajin mars do të fillojë kalkulimin dhe shpërndarjen e faturave me matje sipas konsumit për 1.000 konsumatorë.

    Këta konsumatorë janë përzgjedhur rastësisht, sipas një mostre reprezentative në ato lagje, ku është i shtrirë rrjeti i ngrohjes, përkatësisht tek një pjesë e konsumatorëve, ku tanimë janë instaluar pajisjet matëse. Këta klientë do t’i marrin dy fatura në pliko, një faturë reale të faturimit sipas sipërfaqes ngrohëse dhe një draft faturë krahasuese sipas konsumit.

    Me dërgimin e këtyre faturave testuese fillon edhe fushata sensibilizuese e fokusuar në promovimin e kursimit dhe ndryshimit të shprehive për shfrytëzimin e ngrohjes, njofton “Termokos” nëpërmes një komunikate për medie.

    Faturat e dizajnuara sipas konsumit, tashmë janë aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji. “Termokos” është në proces të vazhdueshëm të testimit të softuerit dhe komponenteve tjera të projektit “Prishtina Heatsave”. Deri më tani 17.500 banesa kanë përfituar nga pajisjet falas në banesat e tyre, përfshi termokokat moderne, që kontrollojnë nivelin e ngrohjes.

    NP “Termokos” apelon tek të gjithë konsumatorët, që në dy javët e ardhshme të kursejnë maksimalisht ngrohjen, në mënyrë që të analizohen dhe krahasohen nivelet e konsumit individual, por edhe kolektiv. Këto 1.000 familje, që do të marrin faturën model do të kenë mundësi t’i analizojnë shpenzimet e veta sipas faturës me metra katrorë dhe asaj sipas konsumit.

    “Derisa, të dhënat fillestare analitike dëshmojnë se shumica e konsumatorëve kanë filluar të kursejnë, “Termokos” apelon, që nga sezoni ngrohës 2024/2025 kursimi të jetë shprehi e vazhdueshme. Ngrohja në të ardhmen do të kalkulohet sikurse edhe rryma apo uji, me matje. Sa më shumë kursehet, aq më pak paguhet”, theksohet në komunikatë.

    Draft faturat testuese të konsumit, që do të shpërndahen me faturat e zakonshme të marsit kanë një shirit të kuq dhe nuk janë paraparë të paguhen, sqaron “Termokos”.

    Projekti “Prishtina HeatSave” përgjatë 18 muaj instalimesh ka arritur të përfundojë objektivin e instalimeve të pajisjeve në 17.500 njësi banesore, të financuar nga agjencia federale amerikane MCC në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Tashmë është instaluar edhe softueri i faturimit dhe ka filluar procesi i trajnimit të stafit të “Termokos”.

  • Berisha: Sa të jep Albini tokë për kisha, nuk do të ketë luftë me Serbinë

    Berisha: Sa të jep Albini tokë për kisha, nuk do të ketë luftë me Serbinë

    Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka siguruar qytetarët e Kosovës nuk do të ketë luftë me Serbinë.

    Në adresimi e tij e tij para deputetëve, ai ka thënë se derisa kryeministri Albin Kurti iu jep toka manastireve serbe, nuk do të ketë luftë me shtetin fqinj.

    Sipas tij, Serbia i ka realizuar të gjitha qëllimet me Albin Kurti.

    “Kom pasë shumë pyetje prej qytetarëve, të cilin më thoshin se a do të ketë luftë, se ia nisen me u tutë. Unë ju them me përgjegjësi të plotë se sa të vazhdon Albin Kurti me iu jep eksterritorialitet e sovranitet e toka të Kosovës, nuk ka problem. S`ka me pasë luftë as kurrgjë. Ata i kanë mbërri të gjitha qëllimet me Albin Kurtin”, ka thënë Berisha.

  • Foda e fton Albion Rrahmanin te Kombëtarja e Kosovës

    Foda e fton Albion Rrahmanin te Kombëtarja e Kosovës

    Albion Rrahmani është thirrur në Kombëtaren e Kosovës, për herë të parë pas lëndimit që pësoi në ndeshje me Andorrën.

    Lajmin e ka konfirmuar skuadra e tij Rapidi përmes një postimi në faqen zyrtare, përcjellë KosovaPress.

    Kosova do t’i zhvillojë dy miqësore me Armeninë (22 mars) dhe Hungarinë (26 mars).

    Rrahmani ka dy ndeshje në kombëtare deri më tani.

  • Austria dëbon dy diplomatë rusë, akuzohen për spiunazh

    Austria dëbon dy diplomatë rusë, akuzohen për spiunazh

    Austria ka urdhëruar dy diplomatë të Ambasadës së Rusisë në Vjenë të largohen nga vendi.

    Ministria e Jashtme e Austrisë tha në një deklaratë më 13 mars se dy diplomatët ishin “përfshirë në veprime që nuk janë në përputhje me statusin e tyre diplomatik”, dhe si rrjedhojë janë shpallur “persona të padëshiruar”.

    Ajo nuk dha hollësi të tjera për diplomatët, apo për veprimet e tyre të dyshuara. Një zyrtar austriak tha për Associated Press, në kushte anonime, se dëbimi i tyre lidhej me veprimtari spiunimi.

    Ambasada ruse në Vjenë tha se asaj nuk iu dha asnjë dëshmi që mbështet dëbimin e tyre, duke e quajtur “të pabazë” vendimin e Austrisë.

    Vendet e Perëndimit dhe Rusia ia kanë dëbuar diplomatët njëra-tjetrës në disa raste, prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

    Austria, një anëtare e Bashkimit Evropian që mban qëndrim të neutralitetit ushtarak dhe kryeqyteti i të cilës është qendër e disa agjencive të OKB-së, kishte ngurruar fillimisht për të ndërmarrë veprime të tilla, por së fundmi ka dëbuar më shumë diplomatë rusë.

    Në prill 2022, ajo i dëboi katër diplomatë rusë, pas trysnisë publike dhe nga BE-ja, si dhe katër të tjerë në shkurt 2023. Para fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ajo e dëboi një diplomat rus në gusht 2020.

  • ​Italia prezanton fanellën zyrtare për Euro 2024

    ​Italia prezanton fanellën zyrtare për Euro 2024

    Kombëtarja e Italisë ka prezantuar zyrtarisht fanellat që do të vishen për Kampionatin Evropian Euro 2024 në Gjermani këtë verë.

    Fanellat e dizajnuara nga Adidas do të shfaqin tre vija ikonë të markës përgjatë shpatullave, të cilat do të jenë me ngjyrë jeshile, të bardhë dhe të kuqe si një shenjë e flamurit italian dhe stemës së ekipit kombëtar.

    Baza e këmishës përmban dy tone blu; një nuancë më e lehtë në pjesën e përparme dhe një blu më e thellë në panelet anësore. Pjesa e përparme e fanellave përmban gjithashtu disa detaje në të bardhë.

    Italia ka qenë partnere me Adidas që nga viti 2023, e cila erdhi pas një bashkëpunimi 19-vjeçar me prodhuesit gjermanë Puma, përcjellë KosovaPress.

    Italia ka katër miqësore të planifikuara përpara fillimit të Euro 2024. Luciano Spalletti dhe skuadra e tij do të kenë teste kundër Venezuelës dhe Ekuadorit në mars, përpara se të përballen me Turqinë dhe Bosnje-Hercegovinën në fillim të qershorit.

    “Azzurrët” do ta nisin fushatën e tyre në Euro 2024 me një ndeshje kundër Shqipërisë më 15 qershor dhe gjithashtu do të përballen me Spanjën dhe Kroacinë gjatë fazës së grupeve.

  • Papa Françesku përshkruan momentin kur ra në dashuri: E kisha të vështirë të falesha, nuk më hiqej nga mendja

    Papa Françesku përshkruan momentin kur ra në dashuri: E kisha të vështirë të falesha, nuk më hiqej nga mendja

    Papa Françesku po përgatitet të botojë autobiografinë e tij, pjesë të së cilës u botuan në shtypin italian. Gazeta Corriere della Sera siguroi sot pjesë të nga autobiografia e Papa Françeskut, e cila do të dalë më 19 mars në Evropë dhe Amerikë.

    Papa shkroi autobiografinë e tij së bashku me gazetarin italian Fabio Marchese Ragona.

    Duke iu referuar viteve të rinisë së tij, Papa në autobiografinë e tij zbulon se para se të hynte në seminar ishte dashuruar me një vajzë.

    “Para se të hyja në seminar, kisha një të fejuar, një vajzë që punonte në industrinë e filmit, shumë e ëmbël, e cila më pas u martua dhe bëri fëmijë. Pastaj një ditë shkova në dasmën e një xhaxhai dhe takova një vajzë.

    Ajo ishte aq e bukur dhe e zgjuar. Për një javë, nuk më hiqej nga mendja dhe e kisha të vështirë të falesha. Pastaj për fat kaloi dhe arrita t’i përkushtohem plotësisht thirrjes së Zotit”, shkruan ai.

    Papa Françesku thekson se nuk mendon të japë dorëheqjen dhe shton se nëse kjo ndodh ndonjëherë, ai nuk duhet të quhet “papa emeritus” por “peshkop emeritus i Romës”.

    Sa i përket Vatikanit Papa Françesku shkruan:

    “Disa ishin më të interesuar për politikën, në fushatën zgjedhore duke pritur një konklavë të re.

    Është njerëzore, mos u frikësoni. Kur Papa hyn në spital, ka shumë mendime. Ka edhe disa që shfrytëzojnë informacione të caktuara në avantazhin e tyre ose për të përfituar diçka nga publikimi i tyre.

    Për fat të mirë, pavarësisht kohëve të vështira, nuk kam menduar kurrë ta lë”.

  • Kërkohet siguri për gratë pas dyshimeve për dhunimin e një 13-vjeçareje

    Kërkohet siguri për gratë pas dyshimeve për dhunimin e një 13-vjeçareje

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar të enjten në Prishtinë duke kërkuar “siguri për gratë dhe vajzat”.

    Protesta është shoqëruar me thirrjet që siguria e vajzave dhe grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.

    Protesta ka nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.

    Kjo protestë është thirrur pas rastit të një 13-vjeçareje nga Peja që të dielën është raportuar e zhdukur në stacionin policor në Malishevë, e që dyshohet se është dhunuar nga dy persona në Drenas. Të dyshuarit janë në paraburgim.

    Fjolla Muqaj, Aktiviste e Grupit Feminist, tha se kjo protestë është organizuar lidhur me rastin e dhunimit të 13-vjeçares nga Peja. Këtë protestë, ajo e quajti akt denoncimi e rezistence ndaj patriarkatit që sipas tyre po iu vjedh lirinë.

    Këtë protestë e quajtën si britma e fundit kolektive dhe kërkuan nga vajzat dhe gratë që ta luftojnë dhunën.

    “Bashkëprotestues jemi bashkuar për t’i zaptu sheshet e parqet dhe për të treguar se në këtë shtet nuk ka paqe dhe as siguri. Nuk ka paqe, liri dhe siguri se ato janë privilegj i një pakice. Çdo ditë një grua ngacmohet, dhunohet e dikur vrahet. E nisim ditën dhe e mbyllim me duke u frikësuar për veten, shoqet dhe e gratë që i njohim ose jo”, tha Muqaj.

    “Çika e gra jemi bashkë krahë për krahë”, ishte një nga thirrjet e tyre gjatë protestës.

    Erza Dubova, tjetër aktiviste para objektit të Qeverisë, kërkoi llogari nga Qeveria për dhunën që po shtrihet ndaj grave në shoqërinë tonë.

    “Vijmë këtu për të kërkuar llogari nga ky pushtet, që ta trajtojë sigurinë e vajzave dhe grave me si urgjencë kombëtare dhe jo t’i paraqesë ato si raste të minimizuara”, tha Dubova.

  • Policia u shpërndan shoferëve aromatizues me mesazhe sensibilizuese për përdorimin e rripit të sigurisë

    Policia u shpërndan shoferëve aromatizues me mesazhe sensibilizuese për përdorimin e rripit të sigurisë

    Ne kuadër te javës se aktiviteteve operacionale sipas planit të rrjetit evropian te policive rrugore ROADPOL, sot, Policia e Trafikut se bashku me zyrtarë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) kanë realizuar një fushatë sensibilizuese për pjesëmarrësit në trafik, gjegjësisht drejtuesit e automjeteve dhe pasagjeret rreth rëndësisë së përdorimit të rripit të sigurisë, me ç’rast bëhet e ditur se pjesëmarrësve në trafik u janë shpërndarë aromatizues me mesazhe sensibilizuese për përdorimin e rripit të sigurisë.

    Organet e rendit njoftojnë se Policia e Kosovës do të vazhdojë me aktivitetet e saja në tërë territorin e vendit me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor dhe në parandalimin e aksidenteve.

    Policia apelon të gjithë pjesëmarrësit që të shtojnë kujdesin dhe të respektojnë rregullat dhe dispozitat ligjore në trafikun rrugor.

  • Fehmi Kupina zgjidhet kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës

    Fehmi Kupina zgjidhet kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës

    Me 22 vota për dhe tetë abstenime, Fehmi Kupina është zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës.

    Votimi për zgjedhjen e kryesuesit u bë në rundin e tretë, pas dy dështimeve.

  • Varroset ish-boksieri Besar Nimani

    Varroset ish-boksieri Besar Nimani

    Ish-boksieri Besar Nimani është varrosur të enjten, pasi u vra të shtunën e kaluar në Bielefeld të Gjermanisë.

    “Qindra shqiptarë të pranishëm në varrimin e boksierit Besar Nimani, i vrarë javën e kaluar në Bielefeld të Gjermanisë”, ka shkruar gazetari Arlind Sadiku.

    Ai është varrosur në varrezat e myslimanëve në “Sennefriedhof”.

    Përndryshe, policia gjermane ka nisur një operacion të madh për kapjen e të dyshuarve. Autoritetet kanë kërkuar ndihmë edhe nga qytetarët për arrestimin e autorëve. Bëhet fjalë për dy 33-vjeçarë, Ayman Dawoud Kirit dhe Hüseyin Akkurt.