ATV

Blog

  • Anulohen dy seanca në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Anulohen dy seanca në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të anulohen seancat e datës 21 mars dhe 22 gusht 2024.

    Sipas trupit gjykues ky vendim është marrë për shkak se ka kontradikta në mes datave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, me fillim të seancës së sotme gjyqësore, gjyqtari Smith III tha se do të fillojë dëshminë dëshmitari i 49-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04811.

    Vlen të theksohet se sot e pranishme në seancën e gjyqit ishte edhe bashkmbrojtësja e re e ekipit të Thacit, Nina Tavakoli për të cilën u tha se do të parashtrojë pyetje për dëshmitarin.

    Po ashtu, ajo pati një çështje për të parashtruar mirëpo për këtë gjë kërkoi sesion privat gjë e cila u miratua nga trupi gjykues.

    Në fillim të seancës, Smith njoftoi se Thaçi dhe Krasniqi janë të pranishëm në sallë përmes video-lidhjes ndërsa dy të akuzuarit e tjerë janë fizikisht aty.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Përplasje ndërmjet deputetëve të LDK-së dhe VV-së gjatë raportimit të Bordit të KPM-së

    Përplasje ndërmjet deputetëve të LDK-së dhe VV-së gjatë raportimit të Bordit të KPM-së

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, kanë pasur një përplasje të ashpër në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie dhe Zhvillim Rajonal, raporton EO.

    Shkak i përplasjes ishte vendimi i Komisionit të Pavarur për Media, e cila ka rikthyer kanalet e “Arena Sport”.

    Sipas deputetit të LDK-së, Agim Veliu, anëtarët e KPM-së po sulmohen për shkak se nuk marrin direktiva nga politika.

    “Shpjegimet e KPM-së sa i kam dëgjuar unë për një pjesë të komisionit kanë qenë të kota e sipas insistimit të bërë po del që të gjithë që nuk marrin direktiva për vendime sulmohen e etiketohen, nëse e kemi kuptuar drejtë vendimi i KPM-së ka qenë masë e përkohshme, e na si komisioni s’kemi fuqi t’i ballafaqojmë e konstatojmë”, u shpreh Veliu, duke bërë të reagojë ashpër deputeti i VV-së, Besim Muzaqi.

    “Mos fol pa lidhje, hiç lidhje s’ki ti çka flet”, tha Veliu.

    “Kryetar po e them qe objekt shqyrtimi i këtij komisioni duhet të jenë vendimet e komisionit jo qëndrimet individuale. U përmend takimi me Devollët. Ne si anëtar të këtij komisioni madje nga një anëtar i këtij komisioni i cili ka thënë se unë e di se me kë është taku, me video e me çfarë autorizimi me i dërgu në prokurori, e ta shohim se çka janë ato incizime”, ia ktheu Veliu.

    Ndërsa Muzaqi tha se “Nëse kjo është ajo që po thua se unë kam incizim, ju jeni duke shpifur”.

  • Rama për dialogun Kosovë-Serbi: Thelbësore zbatimi i Marrëveshjes dhe Aneksit të Zbatimit

    Rama për dialogun Kosovë-Serbi: Thelbësore zbatimi i Marrëveshjes dhe Aneksit të Zbatimit

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shkruar lidhur me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai ka thënë se është thelbësore zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Aneksin e saj Zbatues.

    “Ndërsa i afrohemi takimit të Këshillit Evropian të 21 marsit, është thelbësore të kujtojmë se zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Aneksin e saj Zbatues, është i një rëndësie të madhe për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor. Nuk mjafton vetëm njohja e Marrëveshjes që është ligjërisht e detyrueshme. Për të siguruar progres, Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse të proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”, ka shkruar Rama në rrjetin social X.

    Poashtu Rama tha se çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-n.

    “Dhe status quo-ja e këtij çelësi strategjik për një fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben vetë sigurisë së Evropës”, përfundoi Rama.

  • Bislimi dhe Petkoviq takohen nesër në Bruksel

    Bislimi dhe Petkoviq takohen nesër në Bruksel

    Nesër do të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    Para pak ditësh zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se në Bruksel për të martën janë ftuar shefat e delegacioneve nga të dy vendet; Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviq nga Serbia.

    Në këtë takim do të flitet me theks për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që dinari serb të mos përdoret si mjet pagesave.

    “Siç e kemi thënë nga takimi i parë, që ishte i dedikuar për vendimin e BQK-së, duhen më shumë bisedime”, ka thënë Stano.

    “Takimi ka zgjidhur disa çështje, ka prekur disa gjëra dhe disa gjëra kanë mbetur që të vazhdohen. Ky saktësisht është vazhdimi. Në këtë fazë janë kryenegociatorët”.

    Stano ka vazhduar duke thënë se në agjendën e së martës është edhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, që ai e ka quajtur çështje urgjente.

    Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, ka pranuar një ftesë nga emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për takim në nivel kryenegociatorësh për të martën e 19 marsit.

    Kjo u konfirmua para dy ditësh nga këshilltari për media i Bislimit, Klisman Kadiu, i cili tha se ftesa potencon si fokus të agjendës së diskutimeve avancimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Zbatues të Ohrit.

    “Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqëndrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”, shkroi Kadiu.

    Sot drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë Petar Petkoviq, ka njoftuar se sot do të niset për në Bruksel, ku të martën do të zhvillojë diskutime në nivel teknik për çështje të rëndësishme për deeskalimin.

  • Aktori i njohur amerikan agjëroi plot 40 ditë, ai humbi pothuajse 30 kilogramë

    Aktori i njohur amerikan agjëroi plot 40 ditë, ai humbi pothuajse 30 kilogramë

    Aktori i humorit Kevin James mbahet mend nga publiku për personazhin e tij Doug, të cilin e portretizoi në serialin “The King of Queens”, i cili u transmetua nga viti 1998 deri në 2007, dhe aktori sot duket shumë ndryshe.

    Në një paraqitje të fundit në podcast, ai zbuloi se duhej të humbiste peshë për të luajtur një prift në film dhe humbi pothuajse 30 kilogramë. Pas përfundimit të xhirimeve, pesha e tij u kthye në 130 kilogramë dhe e kuptoi se i duhej të humbiste sërish kilogramët e tepërt.

    “Unë mund t’i humbas ato shumë shpejt,” tha ai, “Seriozisht, mund ta bëj për një muaj. Më pak se një muaj.”

    James shpjegoi se si dikur filloi një periudhë të gjatë agjërimi, i motivuar pjesërisht nga dëshira për të humbur peshë, por edhe për arsye fetare, duke zbuluar se ai kishte “kaluar 41 ditë e gjysmë pa ushqim”, duke konsumuar vetëm “ujë dhe pak. kripë”.

    “Kur ta vendos mendjen, mund ta bëj”, tha ai. “Fillova të agjëroj, nuk thashë do të agjëroj 40 ditë, vetëm thashë, do të bëj. çfarëdo që të mundem… U ndjeva mjaft mirë për një kohë, dhe më pas, kur do të kisha këto ulje, do të mendoja, “Ndihem shumë i mjerë”.

    “Kam humbur, mendoj, rreth 30 kilogramë”, vazhdoi ai.

    Ndërsa prezantuesi i podkastit Rogan pohoi se agjërimi me ndërprerje ka disa përfitime shëndetësore, James sqaroi se ai nuk e rekomandon metodën e tij ekstreme të humbjes së peshës, duke vënë në dukje se ai fitoi peshë sapo ndaloi agjërimin.

  • Këtë javë parashihet të kemi mot të nxehtë, temperaturat deri në 17 gradë

    Këtë javë parashihet të kemi mot të nxehtë, temperaturat deri në 17 gradë

    Java e tretë e marsit do të fillojë me mot të butë, me temperatura që shkojnë deri në 16C e 17C ditën e hënë.

    Gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes pritet të ketë reshje lokale shiu, të cilat në zona të caktuara pritet të jenë në formë të rrebesheve. Ka mundësi të ketë ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

    Nivelet e ndotjes ajrore shënojnë rritje kryesisht orëve të mbrëmjes, me indeks që kalon edhe në vlera të dobëta. Ditën indeksi mbetet më gjatë në vlera të pranueshme.

    Era do fryjë në drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 12-31 km/h.

  • Mundësi punësimi në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë: Kërkohen këto profesione

    Mundësi punësimi në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë: Kërkohen këto profesione

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka hapur konkurs punësimi për disa pozita.

    Sipas njoftimit të Ambasadës së ShBA-së, pozitat për të cilat kërkohen punëtorë janë: mirëmbajtës i pajisjeve mekanike, kopshtar mbikëqyrës, agjent i prokurimit dhe kopshtar.

    Për t’u bërë pjesë e ekipit të Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, mund të aplikoni në faqen e Ambasadës.

    Aplikimi është i hapur deri më 29 mars.

  • Rama tregon se në Aeroportin e Vlorës po punohet shpejtë për tu hapur vitin e ardhëm

    Rama tregon se në Aeroportin e Vlorës po punohet shpejtë për tu hapur vitin e ardhëm

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka bërë me dije se në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës po punohet me ritme të shpejta për tu hapur vitin e ardhëm.

    Ai ka shpërndarë në rrjete sociale një video ku shihet pista dhe punimet janë duke u kryer aty.

    “Nga kantieri i punës në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës ku po punohet me ritme të shpejta për të qenë gati vitin e ardhshëm, ju uroj një javë të mbarë”, ka shkruar ai.

  • Leposaviq, policia konfiskon një pushkë gjuetie me leje nga Serbia

    Leposaviq, policia konfiskon një pushkë gjuetie me leje nga Serbia

    Një person është arrestuar në Leposaviq, pasi që të njëjtit iu është gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie e kalibrit 5.5 mm dhe leja e armës e lëshuar nga shteti i Serbisë.

    “Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

  • Përfshihet nga zjarri një veturë në Leposaviq

    Përfshihet nga zjarri një veturë në Leposaviq

    Një veturë është përfshirë nga zjarri në Leposaviq. Policia dhe zjarrëfikësit kanë dal në vendin e ngjarjes. Sipas policisë ekipi i zjarrfikësve ka lokalizuar dhe fikur zjarrin.

    “Nuk raportohet për të lënduar, rasti në procedure hetimore”, thuhet në raportin e policisë.