ATV

Blog

  • Dita Ndërkombëtare e Poezisë shënohet me panel bashkëbisedimi të veçantë në Kolegjin AAB

    Dita Ndërkombëtare e Poezisë shënohet me panel bashkëbisedimi të veçantë në Kolegjin AAB

    Fakulteti i Shkencave Sociale me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Poezisë ka organizuar një bashkëbisedim me poetë për artin e poezisë dhe librin, në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB.

    Dy poetët e mirënjohur njëherazi edhe profesorët Agim Vinca dhe Bujar Tafa para studentëve folën për rëndësinë që ka poezia dhe kultivimi i saj.

    “Arti e zbut shpirtin dhe zbukuron jetën, andaj poezia është vështirë të përkufizohet por unë them se poezia është sintezë e ndjenjës, mendimit dhe shprehjes së bukur, pra mendoj që ky është një nga përkufizimet e mundshme të artit poetik”, tha Vinca ndër të tjera.

    Kurse profesori dhe poeti Bujar Tafa foli për rëndësinë që ka leximi i poezisë dhe ndikimin që bart te studentët apo të rinjtë.

    “Leximi i poezive nga të rinjtë ka një ndikim të madh në zhvillimin emocional, intelektual dhe aspektin kreativ. Pastaj zhvillon edhe aftësitë e komunikimit, nxit empatinë dhe ka ndikim në pasurimin e ndjenjave dhe për këtë arsye shoqëria duhet të krijoj politika për të rritur leximin”, tha Tafa.

    Për kontributin e madh në poezi foli edhe poeti Lulzim Tafa, i cili para pak kohësh u nderua me titullin më të lartë “Oficer i Urdhërit Kombëtar të Letrave dhe Arteve” nga ambasadori francez në Kosovë.

    Ai tha se është rritur me poezinë dhe vazhdon të jetoj me të duke falënderuar profesorin Agim Vinca për ndikimin e madh që ka pasur në krijimtarinë e tij. Ndërsa titullin e pranuar nga Ambasada Franceze në Kosovë e cilësoi si nderimin më të madh për letërsinë dhe për të personalisht.

    Në fund poetët Agim Vinca, Bujar Tafa dhe Elizabetë Qarri recituan disa poezi të shoqëruara me tinguj pianoje të ekzekutuara nga Artemida Qarri.

  • Gjendet i vdekur një 54-vjeçar në Prishtinë

    Gjendet i vdekur një 54-vjeçar në Prishtinë

    Një 54-vjeçar është gjetur i vdekur të enjten në Prishtinë, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

    Sipas Policisë, rasti është iniciuar si “hetim mbi vdekjen”.

    Njoftimi i plotë i Policisë:

    Sot në stacionin policor jugu në Prishtinë, është iniciuar një rast hetim mbi vdekjen, ku viktimë është një person mashkull, 54 vjeç. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.

    Aktualisht policia në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

  • Osmani: Në Ditën Botërore të Sindromës Down, le të riafirmojmë angazhimin për gjithpërfshirje dhe mbështetje

    Osmani: Në Ditën Botërore të Sindromës Down, le të riafirmojmë angazhimin për gjithpërfshirje dhe mbështetje

    Në kuadër të Ditës Botërore të Sindromës Down, janë zhvilluar aktivitete të ndryshme.

    Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka ndarë një foto me fëmijët me Sindromën Down.

    Osmani tha se secili person meriton vlerësim, respekt dhe mundësi të barabartë.

    “Sot, në Ditën Botërore të Sindromës Down, le të riafirmojmë angazhimin tonë për gjithpërfshirje dhe mbështetje për personat me Sindromën Down. Secili person meriton të vlerësohet, respektohet dhe t’i jepet mundësi e barabartë”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.

    Ndryshe, në dhjetor 2011, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 21 Marsin si Ditën Botërore të Sindromës Down.

  • KGjK e ShKK pranojnë donacion me pajisje audio-vizuele nga ShBA-ja: Regjistrohen seancat gjyqësore e rritet transparenca

    KGjK e ShKK pranojnë donacion me pajisje audio-vizuele nga ShBA-ja: Regjistrohen seancat gjyqësore e rritet transparenca

    Ndihmës Sekretari Amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson, Kryetari i KGJK-së Albert Zogaj si dhe Drejtori i Burgjeve të Kosovës Ismail Dibrani, kanë nënshkruar marrëveshje për pranimin e donacionit nga SHBA përmes programit INL. Donacioni përmban pajisje audio-vizuele për Gjykatat në vend, të cilat do të mundësojnë regjistrimin e seancave gjyqësore, raporton Ekonomia Online.

    Aty u tha se përmes këtij donacioni viktimat do të kenë mundësinë që të paraqiten në seanca gjyqësore online, “duke u ndjerë më të sigurta”.

    Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, tha se më këtë donacion Gjykatat do të kenë më shumë transparencë, llogaridhënie e integritet.

    “Dy dekada më parë ne bashkë me partneret ndërkombëtar ndërtuam institucionet e pavarura, përfshirë sistemin e drejtësisë dhe gjyqësorin. Konsoliduam bashkë sistemin e drejtësisë dhe pranuam vlerat më demokratike për sistemin gjyqësorë. Jemi të vetëdijshëm që një shoqëri demokratike nuk mund të funksionojë pa një shtet ligjor. Ndihma e INL ndihmon transparencën e gjyqësorit. Kjo ndihmë është një investim kapital për Gjyqësorin prandaj ne do të kujdesemi që pajisjet që janë instaluar në gjykata të vendit të shfrytëzohen nga gjykata”, tha ai.

    Drejtori i Burgjeve të Kosovës, Ismail Dibrani, tha se ky donacion është ndër donacionet më të rëndësishme për Shërbimin Korrektues.

    “Sot Shërbim Korrektues nga shumë organizata vlerësohet si storie suksesi, kjo fal mbështetjes së SHBA-së. Donacioni i sotëm është ndër donacionet më të rëndësishme për SHKK dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi pasi që përmes këtij sistemi do të zvogëlojmë nevojën për transport të personave nga gjykata në burgje dhe anasjelltas, duke bërë që proceset gjyqësorë të jene më të sigurta”, ka thënë ai.

    E Ndihmës Sekretari Amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson, tha se ky donacion shërbej si mjet jetik që do të përmirësoj sigurinë e gjykatave dhe burgjeve.

    Ai tha se ky donacion do ta zvogëloj transferimin e panevojshëm të të burgosurve në gjykata dhe kjo do të shtoj më shumë sigurinë në gjykata dhe burgje.

    “Jam i nderuar që po marr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të donacionet me pajisje audio- vizuele sepse këto pajisje mendojmë që mund të shërbej si mjet jetik që do të përmirësoj sigurinë e gjykatave dhe burgjeve. E përgëzoj KGJK dhe Shërbimin Korrektues për përpjekjet e tyre që ky projekt të realizohet. Digjitalizim i gjykatave është e ardhmja”, u shpreh ai.

  • Bullgaria dërgon një kontingjent prej 100 trupash në misionin e NATO-s në Kosovë

    Bullgaria dërgon një kontingjent prej 100 trupash në misionin e NATO-s në Kosovë

    Një kontingjent prej rreth 100 ushtarësh bullgarë u dërgua me një ceremoni në Yambol të enjten për të marrë pjesë në Forcën e Stabilizimit të NATO-s në Kosovë (KFOR). Në ceremoni morën pjesë zëvendësshefi i Mbrojtjes, gjenerallejtënant Mihail Popov dhe komandanti i Forcave Tokësore, gjeneralmajor Dejan Deshkov.

    Kontingjenti është kryesisht nga Brigada e Dytë e mekanizuar Tundzha dhe misioni i tyre do të zgjasë gjashtë muaj, tha Popov para gazetarëve.

    “Rreziku është gjithmonë i pranishëm, por rreziku në rajon është i ulët. Këto janë veprime parandaluese të NATO-s për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve”, tha ai.

    Sipas tij, ushtarakët janë të përgatitur mirë pasi e dinë saktësisht se çfarë detyrash do të kryejnë në zonën e misionit.

    “Jam i sigurt se edhe një herë do të dëshmojmë se jemi një partner i besueshëm dhe i përgatitur mirë”, tha Popov.

    Si ndihmës komandant kombëtar i kontingjentit shërben majori Svetlin Simeonov nga menaxhmenti i Brigadës së Dytë të mekanizuar të Tundzha, ndërsa komandant i kompanisë së sigurimit u emërua toger Sllavi Sllavçev nga Batalioni 38 i Mekanizuar. /BTA

  • Haradinaj për Qeverinë Kurti: Më e korruptuara që ka pasë ndonjëherë Kosova

    Haradinaj për Qeverinë Kurti: Më e korruptuara që ka pasë ndonjëherë Kosova

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti është qeveria më e korruptuar që e ka pasur Kosova ndonjëherë, raporton Ekonomia Online.

    “Qeveria Kurti është qeveria më e korruptuar që e ka pasur Kosova, këtë e thotë matematika, nuk ka pasur ndonjëherë më shumë se gjatë kësaj qeverie kontrata njëburimore”, ka thënë Haradinaj në eventin e organizuar nga qeveria studentore e Institutit të Teknologjisë Rochester (A.U.K.), me rastin e 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-s.

    I pyetur në lidhje me vendimin e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci për lirimin e objektit ku gjendet partia e tij, Haradinaj tha se “do veprojmë ashtu siç thotë ligji”.

  • ​Nisin punimet në stadiumin e Shtimes, synohet të përfundohen brenda një viti

    ​Nisin punimet në stadiumin e Shtimes, synohet të përfundohen brenda një viti

    Punimet për zgjerimin e stadiumit të Shtimes kanë filluar sot, projekt ky i cili po synohet të përfundohet brenda këtij viti.

    Ky projekt, i cili përfshin ndërtimin e zhveshtoreve të reja, tribunave të reja dhe të gjithë infrastrukturës përcjellëse, do të financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

    Zëvendës-ministrja e MKRS-së, Daulina Osmani së bashku me kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu vizituan sot stadiumin e kësaj komune, me rastin e fillimit të punimeve për zgjerimin dhe renovimin e tij.

    Zëvendësministrja Osmani për KosovaPress, tha se qëllimi i kësaj vizite ishte për të parë punën e operatorit ekonomik deri tani, si dhe për sigurimin e mbështetjes nga të dyja nivelet institucionale, respektivisht MKRS-së dhe Komunës së Lipjanit.

    “Sot po fillojnë punimet e zgjerimit dhe renovimit të stadiumit të qytetit të Shtimes, projekt ky i përbashkët me Komunën e Shtimes, i financuar nga ministria në vlerë prej 2.4 milionë euro, ku parashihet, siç edhe po shihet fusha aktualisht ka përjetuar një rinovim në aspekt të barit, mirëpo parashihet zgjerimi me zhveshtoret, me pjesët përcjellëse, me tribunat për tifozët, andaj edhe kemi ardhur me e pa punën e operatorit ekonomik, me i uruar punë të mbarë, edhe për t’u siguruar për mbështetje nga të dyja nivelet, për zhvillimin e këtij projekti në afatet e parapara edhe në kuadër të kontratës që është nënshkruar para pak javësh”, tha Osmani.

    Ndërkaq, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha për KosovaPress, se fillimi i punimeve për renovimin dhe zgjerimin e stadiumit është një ngjarje shumë e rëndësishme, investim ky që kjo komunë nuk e ka përjetuar asnjëherë.

    Kryetari Aliu tha se nga e hëna do të fillohet puna e punimeve me një dinamikë të shpejtuar, pasi që po synohet që ky projekt të finalizohet brenda këtij viti.

    “Është një ngjarje shumë e rëndësishme për Komunën e Shtimes, për sportdashësit në Komunën e Shtimes, por jo vetëm. Po bëhet një investim që Komuna e Shtimes nuk e ka përjetuar asnjëherë, falë mbështetjes nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot jemi këtu bashkë me zëvendës-ministren për të parë koordinimin që do të bëhet mes klubit futbollistik Vjosa, komunës dhe operatorit për të filluar punët pa humbur kohë. Ju e dini që ky projekt tashmë është finalizuar në aspektin e përzgjedhjes së operatorit dhe me sa e kuptuam nga e hëna do të fillojë një punë me një dinamikë të shpejtuar, me synimin që brenda një viti ky projekt të jetë i realizuar dhe të jetë në shërbim të sportdashësve dhe kryesisht të futbollistëve të Komunës së Shtimes, futbollistë që po na bëjnë krenarë me rezultatet që kanë arritur. Jemi kampionë vjeshtor si klub futbollistik Vjosa në Ligën e Parë me pretendimin për të shkuar drejt Superligës. Realisht kushtet iu kanë munguar si klub, por sukseset nuk iu kanë munguar, kështu që unë personalisht bashkë me zëvendësministren dhe me krejt ekipin e komunës por edhe të ministrisë jemi të kënaqur që këtyre sukseseve të klubit po iu shkojmë mbrapa edhe me një infrastrukturë moderne e munguar, por gjithsesi e merituar plotësisht”, tha Aliu.

    Para dy javësh, stadiumi i qytetit në Shtime u bë me bar sintetik, projekt ky i cili u bashkë-financua nga Komuna e Shtimes dhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), dhe që e kap vlerën e 250 mijë eurove. Ndeshjet në këtë stadium i zhvillon skuadra e Vjosës, e cila u shpall kampione vjeshtore në Ligën e Parë të Kosovës, dhe është kandidate serioze për t’u inkuadruar në futbollin elitar, respektivisht në Superligën e Kosovës.

  • Sarrazin dhe Rohde takohen me Kurtin, flasin për Procesin e Berlinit dhe temat aktuale

    Sarrazin dhe Rohde takohen me Kurtin, flasin për Procesin e Berlinit dhe temat aktuale

    Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Këtë mëngjes ai është takuar në rezidencën e ambasadorit gjerman me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Në takim siç ka bërë të ditur ambasadori gjerman është folur për rrugën përpara sa i përket procesit të Berlinit dhe gjithashtu edhe për çështjet aktuale.

    “Diskutim i mirë këtë mëngjes me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, dhe kryeministrin Albin Kurti, për rrugën përpara në procesin e Berlinit si dhe çështje të tjera aktuale”, ka shkruar ambasadori Rohde, në platformën “X”.

  • Ministri Krasniqi prezanton projektin që do të mbështes komunat me rreth 30 milionë euro

    Ministri Krasniqi prezanton projektin që do të mbështes komunat me rreth 30 milionë euro

    Komitetit drejtues i projektit Demos III, ka zhvilluar takimin e radhës ku është diskutuar për sistemin e menaxhimit të performancës komunale, grantin e performancës, zhvillimin e politikave dhe ngritjen e kapaciteteve.

    Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka shkruar në Facebook se koordinimi me partnerët donatorë, ambasadën e Zvicrës, Norvegjisë dhe zyrën e BE-së në Kosovë, është i rëndësishëm për arsye të proceseve të cilat janë të rëndësishme në mënyrë që sistemi i grantit të performancës, të jetë i bazuar në transparencë, të dhëna të sakta dhe garë të barabartë.

    “Demos III, është projekt i cili do të mbështes komunat në vlerë rreth 30 milionë euro”, ka shkruar ai.

  • ​Zgjerimi, në rend dite në samitin e BE-së

    ​Zgjerimi, në rend dite në samitin e BE-së

    Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian zhvillojnë të enjten dhe premten në Bruksel samitin e radhës, në të cilin, mes shumë temave tjera, do të jetë edhe procesi i zgjerimit.

    Temat kryesore të këtij samiti kanë të bëjnë me vazhdimin e ndihmës Ukrainës që të përballet me agresionin e Rusisë, me situatën në Lindjen e Mesme, me forcimn e kapaciteteve të mbrojtjes së BE-së dhe me përgatitjen e bllokut për zgjerimin e ardhshëm.

    Pritet që gjatë këtij samiti, liderët e BE-së të japin dritën e gjelbër për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, sipas një rekomandimi të bërë nga Komisioni Evropian para dhjetë ditësh. Një vendim i tillë është përfshirë në draftin e konkluzave që do të duhet ta miratojnë liderët në këtë samit, draft të cilin e ka siguruar edhe Radio Evropa e Lirë.

    “Bazuar në rekomandimin e Komisionit Evropian nga 12 marsi i vitit 2024, Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Këshilli Evropian fton që të miratohet korniza negociuese kur të ndërmerren hapat relevantë të caktuar, në rekomandimet e Komisionit nga 12 tetori i vitit 2022”, thuhet në draftin e këtyre konkluzave.

    Sipas këtij formulimi, nëse liderët do të miratonin vendimin, atëherë nisja e negociatave do të varej nga miratimi i kornizës negociuese, pasi Bosnje e Hercegovina të përmbushë kriteret e caktuara. Miratimi i kornizës është i domosdoshëm për të nisur negociatat e anëtarësimit me një shtet kandidat. Këshilli Evropian është niveli më i lartë i BE-së, ai i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare. Ndërsa Këshilli i BE-së është niveli i ministrave dhe nivelet tjera. Sa i përket temave tjera të zgjerimit, në këto konkluza do të përmenden vetëm Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Aty po ashtu përmendet edhe nisja e debatit të brendshëm në BE për reformat në prag të zgjerimit.

    “Këshilli Evropian shqyrtojë përgatitjet për zgjerim dhe reformave të brendshme duke rikujtuar se në të dy binarët duhet të avancohet paralelisht, për të siguruar që edhe vendet e ardhshme anëtare edhe BE-ja të jenë gati me kohë për anëtarësim. Këshilli Evropian do të adresojë reformat e brendshme në takimin e radhës me synimin që të miratojë deri në verën e vitit 2024 konkluzat për udhërrëfyesin për punën në të ardhmen”, thuhet në këtë draft./REL/