ATV

Blog

  • Kurti bën homazhe në përkujtim të viktimave të masakrës në Kralan të Gjakovës

    Kurti bën homazhe në përkujtim të viktimave të masakrës në Kralan të Gjakovës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm ka bërë homazhe në përkujtim të viktimave të masakrës në Kralan të Gjakovë.

    Kurti nderoi 86 civilëve të vrarë nga ushtria serbe në prill të vitit 1999.

    Kryeministri së bashku më deputetët e partisë, por edhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vendosën lule tek pllaka përkujtimore.

  • Policia i bëri shenjë të ndalonin, shoferi rriti shpejtësinë – detaje se si ndodhi aksidenti me 8 viktima në Shqipëri

    Policia i bëri shenjë të ndalonin, shoferi rriti shpejtësinë – detaje se si ndodhi aksidenti me 8 viktima në Shqipëri

    Të tjera detaje kanë dalë lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, ku humbën jetën 8 persona.

    Sipas Euronews Albania, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur pas ndjekjes së Policisë, pasi ishte pikasur se makina e viktimave ishte duke transportuar emigrantë.

    Kujtojmë se nga 8 viktimat e aksidentit, 7 prej tyre ishin emigrantë nga vendet e treta dhe shoferi nga Shkodra.

    “Dyshohet se automjeti ka dalë nga rruga për shkak të shpejtësisë, pasi Policia pasi kishte pikasur që po transportoheshin emigrantë, i kishte bërë thirrje të ndalonte, por ai ka shtuar shpejtësinë, gjë që ka shkaktuar aksidentin.

    Informacionet thonë se aksidenti ndodhi në shpejtësi e sipër. Në vendndodhje ndodhen drejtuesit më të lartë të Policisë së Gjirokastrës. Qarku i Gjirokastrës është qark kufijtar dhe dihet kalimi i klandestinëve. Dyshohet se klandestinët kanë kaluar vijën e gjelbër të kufirit”, raporton Euronews.

  • Leposaviq, dy serbë ndalohen duke kaluar ilegalisht kufirin

    Leposaviq, dy serbë ndalohen duke kaluar ilegalisht kufirin

    Dy serbë janë ndaluar në Koshuticë të Leposaviqit, pasi që të njëjtit janë takuar duke kaluar kufirin ilegalisht nga Kosova për në Serbi duke shfrytëzuar rrugët dytësore.

    Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar.

    “Rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • ​“Luftë” mes Bayernit ë Liverpoolit për trajnerin italian

    ​“Luftë” mes Bayernit ë Liverpoolit për trajnerin italian

    Objektivi i Liverpoolit, Roberto De Zerbi është bërë kandidati kryesor për t’u bërë trajner i Bayern Munichut pasi të dy klubet u shpërfillën nga Xabi Alonso.

    Pas lajmeve të mëdha të javës së kaluar se Xabi Alonso synon të qëndrojë besnik ndaj klubit aktual Bayer Leverkusen, “The Times” raporton se vëmendja në Mynih tani është kthyer te De Zerbi. Italiani thuhet se admirohet nga drejtori i ri i Bayern, Max Eberl i cili ëshë vënë në lëvizje për të vlerësuar interesin dhe disponueshmërinë e tij.

    Liverpool po synonte gjithashtu Alonson si zëvendësues për Jurgen Klopp, por gjithashtu i ka kushtuar vëmendje De Zerbit. De Zerbi ka përfitimin e shtuar që tashmë flet anglisht por jo gjermanisht dhe është dëshmuar në Premier League pasi ka bërë një punë të mirë me Brightonin, përcjellë KosovaPress.

    De Zerbi e la të ardhmen e tij mjaft të hapur kur foli përpara humbjes 2-1 të Brighton ndaj Liverpoolit të dielën: “Unë dua të flas me klubin tim. Unë kam një kontratë, por problemi nuk është kontrata, problemi është të gjesh të njëjtin plan, objektiv dhe vizion për të ardhmen”, tha ai.

  • Të shtëna me armë zjarri në Pejë, policia arreston të dyshuarin

    Të shtëna me armë zjarri në Pejë, policia arreston të dyshuarin

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Pejë, pasi i njëjti kishte shtënë me armë zjarri.

    Në njoftimin e bërë për media, Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, Stacioni Policor Pejё, thotë se më datë 29 mars 2024 rreth orës 09:00, ka pranuar njё informacion se me datё 23.03.2024 rreth orёs 17:00, nё fshatin Vitomiricё njё person i dyshuar kishte shtёnё me armё zjarri.

    Njёsiti i hetimeve pranё Stacionit Policor nё Pejё, ka ndёrmarrё veprime hetimore ёshtё arritur qё tё gjinden dy (2) gёzhoja ne vendin e ngjarjes, e mё pas edhe personi i dyshuar ёshtё arrestuar dhe nё veturën e tij janё gjetur dhe sekuestruar:

    • Njё (1) armё (pistoletё) e tipit M57 kal: 7.62mm

    • Dy (2) gёzhoja kal: 7.62X 25mm.

    Tutje, Policia njoftoi se i dyshuari pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё Prokurorit tё shtetit rasti shkon nё procedurё te rregullt.

  • ​25 vite nga vrasja e 86 civilëve në Kralan të Gjakovës

    ​25 vite nga vrasja e 86 civilëve në Kralan të Gjakovës

    Ishte 2 prilli i vitit 1999 kur në Kralan të Gjakovës forcat ushtarake dhe policore serbe ndanë disa qindra djem dhe burra nga grupi prej 1500 shqiptarëve që kishin braktisur vatrat për t’u shpëtuar krimeve serbe që kishin përfshirë tërë Kosovën. Të tjerët – gra, fëmijë dhe pleq, ishin urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri.

    Dy ditë më vonë, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës, të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur.

    Që nga ajo ditë, që nga ai moment, askush nga ta më nuk është parë i gjallë.

    Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në vitin 2013 kishte bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krime lufte në Kralan. Me këtë rast, u njoftua se trupat e 18 djemve dhe burrave të ndaluar, janë gjetur në një varrezë masive pranë liqenit të Peruçës, në Bajina Bashta të Serbisë.

    FDH, në bazë të deklaratave të dhjetëra dëshmitarëve, ka identifikuar gjashtë eprorë të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët kanë qenë në pozitat më të larta të njësive që dyshohen se kanë kryer krimet.

    Lidhur me krimet serbe në Kralan, në dhjetor 2014 një letër kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës i ka dërguar kryetarja e Shoqatës “Familja dhe Shpresa” Arifete Bytyqi. Në emër të familjarëve të 86 viktimave të masakrës, Bytyqi kërkoi që të hetohet vrasja e 86 civilëve shqiptarë nga policia serbe më 4 prill 1999 në Kralan.

    Bytyqi në letrën e vet përkujton se edhe sot e kësaj dite askush nga fajtorët për masakrën nuk është dërguar para drejtësisë.

  • ​Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin

    ​Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin

    Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm. Vlerësohet se 1% e popullatës globale është autike.

    Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës 3-vjeç.

    Çfarë e shkakton autizmin? Shumë studime janë përpjekur t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Në pak raste autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, i tillë si X i Brishtë, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet. Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Ende nuk ka të dhëna që autizmi shkaktohet nga diçka që prindërit kanë apo nuk kanë bërë para apo gjatë shtatzënisë, apo ndërsa kujdesen për fëmijën e tyre.

    Si diagnostikohet autizimi? Diagnoza e autizmit bazohet në sjelljet e fëmijës. Aktualisht, nuk ka ndonjë test mjekësor (për shembull analizë gjaku, rreze x etj.) që do të ndihmonte në diagnostikimin e autizmit. Mjekët mund të këshillojnë teste gjenetike për të gjetur një shkak gjenetik, si dhe mund të rekomandojnë teste apo studime të tjera që ndihmojnë në përcaktimin e kushteve të tjera shëndetësore të cilat mund të jenë të pranishme.

    Kur profesionistët konstatojnë se fëmija ka autizëm apo diagnoza të lidhura me të, problemet vlerësohen në tri hapësira: ndërveprimi social, komunikimi dhe sjelljet/interesat jo të zakonshme.

    Ndërveprimi social: Fëmijët me autizëm shpesh kanë vështirësi në krijimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve sociale. Krahasuar me fëmijët që zhvillohen normalisht, ata të diagnostikuar me autizëm mund ta kenë më të vështirë të vendosin dhe mbajnë kontakt me sy, të përgjigjen kur u flitet në emër, të luajnë lojëra të tilla si kukafshehti, apo të përfshijnë fëmijë të tjerë në lojë. Ata mund të pëlqejnë të jenë me prindërit apo të përfshihen në lojëra aktive, por shfaqin më pak interes dhe reagim krahasuar me fëmijët e tjerë me zhvillim normal.

    Komunikimi: Fëmijët me autizëm janë përgjithësisht më të ngadaltë në përdorimin e fjalëve apo frazave të thjeshta që janë normale për atë moshë. Gjithashtu, ata kanë më pak të ngjarë të përdorin gjeste të zakonshme të tilla si të kërkuarit e diçkaje, apo të drejtojnë vëmendjen e dikujt drejt një pamje apo tingulli. Disa fëmijë mund të kenë një zhvillim gjuhësor në kohën e duhur, por mund të shfaqin kthim pas apo humbje të aftësive të komunikimit rreth moshës 18-24 muaj. Kjo humbje e aftësive mund të përfshijë ulje të interesave sociale, sikurse edhe humbje të fjalëve apo frazave të cilat i kanë përdorur më parë. Fëmijët që kanë zhvillim të gjuhës mund të shfaqin modele jo të zakonshme të të folurit, të tilla si përsëritja apo bërja jehonë e frazave që dëgjojnë nga të tjerët apo nga televizori. Ata mund të kërkojnë gjëra që dëshirojnë por e kanë shumë të vështirë të mbajnë një bisedë të thjeshtë.

    Sjelljet dhe interesat: Fëmijët me autizëm përgjithësisht shfaqin një shkallë më të kufizuar lojërash krahasuar me moshatarët e tyre, dhe shfaqin më tepër sjellje përsëritëse; për shembull, ata mund të fokusohen më tepër në rreshtimin e objekteve sesa në ushqimin e një kukulle apo arushi. Gjithashtu, ata mund të jenë të interesuar për disa objekte të caktuara apo të këmbëngulin në ndjekjen e rutinave të caktuara, apo mund të përsërisin lëvizje specifike si përplasja e duarve, hedhja apo lëvizja para-mbrapa.

    Koha: Përveç shfaqjes së diferencave zhvillimore në tri hapësirat e mësipërme, fëmijët me autizëm i shfaqin këto modele përpara moshës trevjeçare.

    Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm. Kjo ditë është vendosur në 2 Prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas.

  • ​Përvjetori i lindjes së aktorit Aleksandër Moisiu

    ​Përvjetori i lindjes së aktorit Aleksandër Moisiu

    Më 2 prill të vitit 1879, në Trieste u lind aktori me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu.

    Në skenën gjermanishtfolëse mishëroi mjeshtërisht role kryesore të një spektri të gjerë të veprave të letërsisë evropiane, duke nisur që prej tragjedive antike greke e deri në bashkëkohësi.

    Karriera e tij do të niste në moshën 19-vjeçare, kur filloi të ekzekutonte role minore si “kompars” në skenën e Burgtheatër.

    Më pas u angazhua në teatrot e Pragës dhe të Berlinit, ku u shqua për zotësi aktoriale, veçanërisht në interpretimin e rolit të Edipit mbret dhe të Hamletit. Kjo mbarëvajtje e bujshme do ta shpinte për të shpalosur talentin e tij drejt skenave të tjera të Evropës dhe të Amerikës Veriore.

    Në vitin 1935, në perëndim të jetës së tij, aktori kërkoi shtetësinë italiane, që u mirëprit nga autoritetet përkatëse.

    Po ashtu, si bir i një shqiptari nga Kavaja dhe një arberësheje, dëshiroi të merrte edhe shtetësinë e vendit të tij të origjinës, i cili refuzoi të plotësonte vullnetin e tij të fundit.

    Moisiu ndërroi jetë më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. Në dokumente paraqiten njoftime për shfaqjet e dhëna prej tij.

  • Lëkundje të forta tërmeti ‘shkundin’ Japoninë

    Lëkundje të forta tërmeti ‘shkundin’ Japoninë

    Një tërmet me magnitudë 6.1 goditi Iwate dhe Aomori në Japoninë veriore, njoftoi Agjencia Meteorologjike e Japonisë.

    Epiqendra ishte në pjesën veriore bregdetare të prefekturës Iwate, tha agjencia, duke shtuar se nuk ishte lëshuar asnjë paralajmërim për cunami. Për momentin nuk ka raportime për dëme apo të lënduar.

  • Paralajmërohen erëra të forta, mund të ketë dëme materiale

    Paralajmërohen erëra të forta, mund të ketë dëme materiale

    Sot parashihet mot me diell dhe vranësira të pakta, ndërsa vonë pasdite mund të ketë shtim të vranësira dhe reshje lokale shiu, kryesisht në Rrafshin e Kosovës: zona veriore, verilindore, lindore dhe ajo disi qëndrore, ku nuk përjashtohet mundësia për ndonjë shkarkesë elektrike.

    Era do fryjë nga kuadrati i perëndimit, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20-75 km/h, ku edhe ka mundësi të ketë dëme materiale.

    Sipas MeteoKosova, temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej 10 deri në 12°C, ndërsa ato maksimale prej 17 deri në 20°C.