ATV

Blog

  • Mërgimtarët e cilave shtete kanë dërguar më shumë para në Kosovë?

    Mërgimtarët e cilave shtete kanë dërguar më shumë para në Kosovë?

    Një nga shtyllat e ekonomisë së Kosovës pa dyshim janë remitencat e dërguara nga diaspora shqiptare

    Lidhur me dërgesat e parave në Kosovë, dhjetë vendet që kanë dërguar më shumë remitenca për një vit janë:

    Gjermania – 512.6 milionë euro

    Zvicra – 252.2 mln euro

    SHBA – 98.5 mln euro

    Austria – 62.2 mln euro

    Italia – 61.6 mln euro

    Franca – 49.9 mln euro

    Belgjika – 45 mln euro

    Suedia – 30.6 mln euro

    Britania – 30.2 mln euro

    Norvegjia – 22.9 mln euro

    Gjatë vitit 2023 janë dërguar zyrtarisht rreth 1.344.000.000 euro, sipas institutit GAP. /Albinfo.ch

  • Në Bruksel sot vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së dinarit në Kosovë

    Në Bruksel sot vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së dinarit në Kosovë

    Kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia do të takohen sot në Bruksel përsëri, në përpjekje për ta gjetur një zgjidhje për pagesat me para të gatshme në Kosovë në valutën dinar, e cila u ndalua dy muaj më parë.

    Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pret që të tejkalohen dallimet në qasje mes palëve dhe të arrihet një zgjidhje, sipas së cilës qytetarët serbë në Kosovë do të mund të vazhdojnë t’i pranojnë beneficionet nga shteti serb.

    Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

    Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

    Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Takimi i sotëm do të jetë i dyti në javët e fundit mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, ndërsa i treti në përgjithësi për këtë çështje në Bruksel.

    Në takimet e deritanishme, sipas BE-së, palët kanë paraqitur propozimet e tyre për gjetjen e një zgjidhjeje praktike dhe afatshkurtër për qytetarët serbë në Kosovë që paguhen në dinarë nga Serbia.

    Por, ka pasur dallime mes palëve, prandaj edhe është thirrur edhe ky takim që zhvillohet sot, e enjte, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.

    Qeveria e Kosovës ngul këmbë se vendimi i BQK-së nuk është politik, por i një institucioni të pavarur. Megjithatë, ajo është shprehur e gatshme për një zgjidhje praktike që do t’u ndihmonte qytetarëve, por pa vënë në dyshim vendimin e BQK-së.

    Në një intervistë dhënë REL-it në mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.

    Burimet e BE-së kanë thënë se shpresojnë në arritjen e zgjidhjes, por kanë përsëritur se kjo, mbi të gjitha, do të varet nga gatishmëria e palëve./REL/

  • KFOR: Jemi gati t’i marrim të gjitha masat pavarësisht nga vjen rreziku

    KFOR: Jemi gati t’i marrim të gjitha masat pavarësisht nga vjen rreziku

    KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka publikuar një video, përmes së cilës ka treguar se janë gati për t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për një mjedis të sigurt në vend.

    Në video rikujtohet se 4,600 trupa nga 28 aleatë dhe partnerë të NATO-s shërbejnë në Kosovë për ta ruajtur vijën kufitare prej 351 kilometrash me Serbinë

    “Nivel i lartë i gatishmërisë operacionale për ta parandaluar rrezikun e përshkallëzimit të ri, pavarësisht se nga vjen kërcënimi. Ne jemi të gatshëm t’i marrim të gjitha masat e nevojshme për ta vazhduar përmbushjen e mandatit tonë të OKB-së në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në videon e publikuar nga KFOR-i.

    KFOR-i rikujton si zakonisht se po vazhdon ta zbatojë mandatin e tij si reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, misionit të BE-së për sundimin e ligjit, me të cilët thotë se “punojmë në koordinim të ngushtë”.

  • ​Kuka: Edhe në Paris pres medalje nga xhudo

    ​Kuka: Edhe në Paris pres medalje nga xhudo

    Kur kanë mbetur edhe pak më shumë se 100 ditë deri Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Paris, Federata Botërore e Xhudos ka rikujtuar suksesin historik të Distria Krasniqi e cila ishte shpallur kampione olimpike në Tokio 2020 në kategorinë deri në 48 kilogramë.

    Përmes fotove është shpërfaqur suksesi i xhudistes kosovare dhe për këtë postim ka reaguar edhe trajneri i ekipit kosovar të xhudos, Driton Kuka i cili përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka thënë se për medalje do të luftohet edhe në Lojërat Olimp0ike Parisi 2024, transmeton KosovaPress.

    Postimi i plotë i trajnerit Driton Kuka:

    Për një ditë të mirë …

    Federata Botërore e xhudos përkujton triumfin me foto të bukura të Kampiones sonë Olimpike Disit! Tash diç më shumë se 100 ditë deri te Lojërat Olimpike në Paris!. Kosova tashmë i ka tri medalje olimpike me sportin e xhudos, shpresoj në medalje edhe në Paris.

    Ndryshe, Lojërat Olimpike do të zhvillohen nga 26 korrik deri më 11 gusht të këtij viti.

  • ​Nesër nis regjistrimi i popullsisë, për herë të parë regjistrohen dëmet nga lufta

    ​Nesër nis regjistrimi i popullsisë, për herë të parë regjistrohen dëmet nga lufta

    Kur ka mbetur edhe një ditë të fillojë procesi për regjistrimin e popullsisë, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të gjitha përpjekjet që ky proces të fillojë kësaj radhe me kohë. Kështu bënë të ditur zyrtarja e lartë për komunikim me publikun në Agjencinë për Statistika të Kosovës, Hazbije Qeriqi, e cila thotë se presin të dhëna cilësore.

    Qeriqi në një intervistë për KosovaPress, thotë se ASK tashmë i ka bërë të gjitha përgatitjet për të filluar një proces të mbarë të regjistrimit të popullsisë që do të fillojë me 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj të këtij viti.

    Derisa ka treguar më shumë detaje për këtë proces, Qeriqi thotë se diaspora është obliguar të plotësojë pyetësorët online.

    “ASK tashmë i ka bërë të gjitha përgatitjet për të filluar një proces të mbarë të regjistrimit të popullsisë që do të fillojë më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj të këtij viti…Në këtë proces të regjistrimit janë pyetësorët e veçantë…me pyetësorin ER 1, do të regjistrohen të gjitha ndërtesat, të gjitha objektet mbi tokë në gjithë territorin e Kosovës. Ndërkohë, që me pyetësorin ER2, do të regjistrohen të gjitha ekonomitë familjare, shtëpitë, banesat dhe kushtet e jetesës në të cilat jetojnë qytetarët e Kosovës. Pastaj vjen pyetësori ER3, që do të përfshijë pyetësorë individual, d.m.th secila familje do t’i plotësojë pyetësorët individual për anëtarët e familjes së saj. Ndërkaq, pyetësori ER4, është një pyetësor i veçantë që për herë të parë futet në regjistrimin e popullsisë, që është për dëmet nga lufta, në njerëz dhe demet materiale. Pastaj vjen pyetësori ES1, që është për popullatën që jetojnë jashtë Kosovës për diasporën tonë, si dhe janë dy pyetësor të tjerë, që janë banesat kolektive dhe me këto banesat, personat që jetojnë në burgje, shtëpia e pleqve e kështu”, deklaron Qeriqi.

    Për dallim nga vitet e kaluara, Qeriqi shprehet se këtë vit intervistat bëhen përmes pyetësorëve elektronik dhe jo vetëm në letër siç ka qenë më herët, derisa shton se presin të marrin të dhëna më cilësore.

    “Nga ky regjistrim ne presim që do t’i marrim të dhënat më cilësore se në regjistrimin e kaluar, për shkak se për dallim prej regjistrimit të kaluar kur pyetësorët kanë qenë vetëm në letër dhe janë bërë intervistat me shkrim, tani intervistat bëhen përmes pyetësorëve elektronik, tableteve. Ne kemi përgatitur edhe harta digjitale, tabletet janë siguruar, janë instaluar programet dhe në momentin kur regjistruesi e kryen një intervistë, atëherë kontrollohet nga mbikëqyrësi i tij dhe automatikisht ato të dhëna vinë në serverët tanë në qendër dhe nuk mund të bëhen më ndryshime kur aprovohen. Kjo na si8guron neve që kemi marrë të dhëna siç janë deklaruar qytetarët”, shton Qeriqi.

    Sa i përket komunave në veri të vendit, Qeriqi thotë se janë bërë përgatitjet e nevojshme, megjithatë shton se në atë pjesë të Kosovës mund të fillojë me disa ditë vonesë.

    Sipas saj, periudha prej gjashtë javësh është e mjaftueshme të regjistrohen të gjitha komunitetet, përfshirë shumicën dhe pakicat.

    “Edhe në atë pjesë ne kemi bërë përgatitjet për gjithë territorin e Kosovës dhe kësaj radhe kemi regjistrues që kanë aplikuar të punojnë si regjistrues, kanë ap0likuar të punojnë edhe si mbikëqyrës dhe i kanë kryer trajnimet. Deri më tani procesi është duke shkuar normalisht dhe ne po presim që edhe qytetarët do t’i përgjigjen thirrjes sonë për të marrë pjesë në regjistrim…Besoj se po (fillon me datën 5) meqenëse ata kanë kërkuar edhe një trajnim shtesë, ndoshta mund të merr kohë disa ditë derisa ë trajnohen edhe njëherë disa persona. Por, sigurisht se periudha prej gjashtë javësh, nga 5 prilli deri me 17 maj është e mjaftueshme që brenda këtij afati kohor të regjistrohen të gjitha komunitetet, duke përfshirë edhe shumicat dhe pakicat”, thotë Qeriqi.

    Sa i përket diasporës, ajo thotë se është e obliguar të bëjë regjistrimin përmes pyetësorëve online, pa qenë e obliguar të jetë prezentë këtu.

    “Diaspora jonë është e obliguar që të bëjë regjistrimin e tyre përmes pyetësorëve online. Kemi pyetësorin ES1 që me deklarimet e familjareve regjistrohen ata. Ata do të regjistrohen si banorë jo rezident të Kosovës, ndërkaq me pyetësorët tanë do të mblidhen të dhënat e banoreve rezident”, thotë Qeriqi.

    Nga fluksi i madh i punës, Qeriqi thekson se janë detyruar të punojnë përtej orarit, madje siç thotë ajo edhe vikendeve.

    “Meqenëse ne kemi filluar që në 2019, shumica e punëve siç janë legjislacioni, pastaj pyetësorët dhe punët tjera, përgatitjet teknike janë bërë, janë bërë tre teste dhe një pilot në terren. Ndërkohë, që kohët e fundit që kur kanë filluar edhe trajnimet me mbikëqyrës fillimisht me stafin e statistikës, pastaj me një ekip të veçantë si ekspert të fushës, trajnimet me mbiçkyrës, me regjistrues, ne kemi filluar që të punojmë edhe jashtë orarit të punës, sidomos edhe vikendeve, dhe festave. Pra, këta muajt e fundit, ne vazhdojmë të punojmë jashtë orarit të punës dhe vikendeve. D.m.th nuk kemi orar, punojmë edhe nga shtëpia, punojmë edhe në zyre”, thotë Qeriqi.

    Ndryshe, regjistrimi i popullsisë është shtyrë disa herë përgjatë viteve të fundit në Kosovë./kp

  • Më 11 prill mbahet ankandi i letrave me vlerë për vitin 2024

    Më 11 prill mbahet ankandi i letrave me vlerë për vitin 2024

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se më 11 prill 2024 do të mbahet ankandi i katërt i letrave me vlerë për vitin 2024.

    “Në këtë ankand, do të emetohen obligacione me maturitet 3 vjeçar në shumën prej 20 milionë euro”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

    Sipas komunikatës së lëshuar nga ministria thuhet se investimi në obligacione është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore, ku interesi i përcaktuar nga tregu ju garantohet për të gjithë kohëzgjatjen 3 vite dhe është tërësisht i liruar nga tatimi.

  • Iu gjetën tetë qese me kokainë në shtëpi, arrestohet një person në Gjakovë

    Iu gjetën tetë qese me kokainë në shtëpi, arrestohet një person në Gjakovë

    Është arrestuar një person në Gjakovë pasi iu gjeten qese me substanca të dyshuara narkotike.

    Policia njoftoi se gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë sekuestruar tetë qese me substancë te dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë rreth 3.19 gram, një peshore elektronike si dhe katër telefona mobil.

    I dyshuari, pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Aksidentohet traktori me një veturë në Zveçan, lëndohen pesë persona

    Aksidentohet traktori me një veturë në Zveçan, lëndohen pesë persona

    Një aksident trafiku ka ndodhur dje mes një veture dhe një traktori në fshatin Sopanicë të Zveçanit dhe për pasojë janë lënduar pesë persona.

    Policia njoftoi se të lënduarit pas trajtimit mjekësor në Spitalin e Mitrovicës janë liruar.

    “Fsh.Sopanicë,Zveqan 03.04.2024-19:50. Raportohet se ka ndodhur aksident trafiku në mes të një veture që drejtohej nga i dyshuari mashkull kosovar dhe një traktori që drejtohej nga viktima mashkull kosovar. Si pasojë, pesë persona, dy meshkuj dhe tre femra , të gjithë kosovarë, kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit pas pranimit të tretmanit mjekësor në Spitalin e Mitrovicës janë liruar”, thuhet në njoftimin policor.

  • Sulmi në Finlandë, një nga të plagosurit është nga Kosova

    Sulmi në Finlandë, një nga të plagosurit është nga Kosova

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Alisa Seferi, nga Kosova, është njëra nga dy të plagosurit nga të shtënat me armë zjarri në një shkollë në Finlandë.

    ATV-ja mëson se 12-vjeçarja ka marrë plagë serioze në kokë dhe si pasojë e kësaj ajo është në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Gazetari shqiptar në Finlandë, Mentor Dreshaj, i cili është autorizuar nga familja Seferi, të flasë për rastin, meqë prindërit janë në gjendje të rëndë emocionale, thotë për ATV-në, se shëndeti i 12-vjeçares nuk ka ndonjë përmirësim.

    “U takova me prindin edhe vajza e ka gjendjen kritike edhe i ka pytë mjekët a ka pas ndonjë përmirësim edhe mjekët i kanë thanë që asnjë përmirësim nuk e ka pasë”, tha Dreshaj.

    Në klasë kishte edhe nxënës të tjerë shqiptarë, por që fatmirësisht nuk ka të tjerë të plagosur.

    “Kanë qenë edhe tjerë shqiptarë, nuk është e vetmja shqiptare që ka pasë. Tjerë s’ka të lënduar po të gjithë çka kanë qenë aty e kanë parë rastin. Normal që psiqikisht jonë krejt të rënduar, ani pse janë tash në shtëpi”, tha Dreshaj.

    Sipas autoriteteve të rendit në Finlandë, sulmi është si pasojë e bullizmit ndaj të miturit, tashmë të dyshuar e të arrestuar.

    “Policia e Finlandës ka thënë se dorasi që ka gjuajtë, sipas deklaratës ai paska pasë problem sepse kinse e kanë bullizuar në shkollë dhe për atë, e ka bo këtë veprim”, tha Dreshaj.

    Për rastin ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në Stokholm, Shkëndije Geci-Sherifi.

    “E pikëlluar thellë për tragjedinë në Finlandë. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për të gjithë të prekurit nga kjo ngjarje tragjike. Bashkëndiej me familjarët e të plagosurve, në mesin e të cilëve është edhe një vajzë nga Kosova. Lutem që të shërohen dhe jemi me ta në këto momente të vështira!”, ka shkruar ambasadorja e Kosovës në Stokholm, Shkendije Geci- Sherifi.

    Gjithashtu, ngushëllime familjes së të ndjerit dhe shërim të shpejtë dy vajzave të plagosura u ka shprehur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në platformën X.

    Sulmi me armë zjarri ndodhi të martën rreth orës 9:00, në njërën nga shkollat fillore në Vanta të Finlandës, me ç’rast një 12-vjeçar u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Sipas policisë, arma e cila u përdor ka qenë me leje dhe i takon një të afërmi të të dyshuarit, po ende nuk dihet se si ajo ka arritur të përfundojë në duart e 12-vjeçarit.

  • Policia sot shqiptoi gjobat e reja ndaj shkelësve të rregullave

    Policia sot shqiptoi gjobat e reja ndaj shkelësve të rregullave

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Patrullimet e policisë ishin të zakonshme, por jo edhe dënimet.

    Qytetarët që thyen rregullat e trafikut, këtë të mërkurë morën gjoba më të larta se më herët.

    Policia nis menjëherë zbatimin e Ligjit të ri për Rregullat e Trafikut Rrugor që hyri në fuqi sot më 3 prill.

    “Kemi vazhduar menjëherë qysh mbrëmë në mesnatë edhe ndëshkimin e kundërvajtësve, por ka vazhduar edhe largimi i automjeteve, sidomos atyre që janë të paregjistruara”, tha drejtori i Divizionit të Trafikut Rrugor, Jeton Rexhepi.

    Ndryshimi i gjobave për nga vlera monetare sipas nënkolonelit Jeton Rexhepi, erdhi si shkak i numrit të madh të aksidenteve në trafik.

    “Janë analizuar shkaktarët e aksidenteve, janë analizuar kundërvajtjet më të shpeshta, janë marrë për bazë edhe numri i aksidenteve në trafik me lëndime dhe persona të vdekur, andaj bazuar në të gjitha këto analiza e statistika dhe vlerësime sa i përket zbatimit të ligjit është parë e nevojshme dhe e domosdoshme që ligji i vjetër të hyjë në plotësim-ndryshim”, tha Rexhepi.

    Me këto ndryshime pajtohen edhe qytetarët, megjithëse propozojnë edhe forma të tjera që do mund të ndikonin në parandalimin e aksidenteve.

    “E përkrahi shumë edhe ndoshta ka me ndiku shumë, por ndëshkimet janë të vogla sidomos për telefon e kisha bo 1000 euro”, tha Latif Kaqandolli, qytetar.

    “Duhet më shumë me vendosë kamera me fotografu shpejtësinë se p.sh. kur dalin në autostradë s’ka kamera edhe bëhen aksidente”, tha Xhevdet Kaqiu, qytetar.

    Me ligjin e ri, qytetarët për mosvendosje të rripit të sigurisë do të dënohen me 150 euro, ndërkaq ata që përdorin telefonin gjatë vozitjes do të dënohen deri në 500 euro dhe marrje të patentës për një vit.

    Gjoba pothuajse të njëjta do të marrin edhe ata që bëjnë gara me makina dhe ata që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar.