ATV

Blog

  • Osmani: Institucionet shëndetësore e arsimore, arsyeja që “Termokosi” zgjat furnizimin me ngrohje

    Osmani: Institucionet shëndetësore e arsimore, arsyeja që “Termokosi” zgjat furnizimin me ngrohje

    Ndonëse sezona e ngrohjes është dashur të përfundojë dje, Ndërmarrja Publike “Termokos” ka njoftuar të gjithë konsumatorët se është zgjatur furnizimin me ngrohje për shkak të paralajmërimeve për rënie të temperaturave. Kështu ka bërë të ditur për EO, kryeshefi i ngrohtores Fisnik Osmani.

    Osmani ka deklaruar se ky vendim është marrë për shkak se “Termokos” ofron shërbime edhe për institucionet më vitale të shtetit, krahas njësive të banimit.

    “Sipas Ligjit të Ngrohjes, sezona duhet të përfundojë më 15 prill të vitit vijues, që në këtë rast do duhej të përfundonte dje. Ne si zakonisht në koordinim të ngushtë me institucionet përkatëse relevante siç është Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe në rastin e djeshëm edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, kemi pasur deklarata të tyre të cilat tregonin që brenda kësaj jave do të ketë ulje të ndjeshme të temperaturave në raport me këtë që e kemi pasur në ditët e kaluara dhe ne për shkak të ndjeshmërisë së punës sonë ndaj qytetarëve dhe shërbimin që ofrojmë, kemi vendosur në koordinim me institucionet përkatëse që ta shtyjmë sezonin jo për një javë, dy javë apo një muaj por edhe për disa ditë për aq sa temperaturat do të jenë më të ultë”, u shpreh Osmani.

    Osmani ka thënë se rasti i njëjtë ka ndodhur edhe vitin e kaluar ku janë detyruar që ta zgjasin furnizimin me ngrohje. Ai ka përmendur edhe institucionet shëndetësore e arsimore që nevojitet shërbimi i ngrohjes.

    “Duhet të kemi parasysh që ‘Termokosi’ nuk jep shërbim vetëm për njësitë e banimit, nuk jep shërbim vetëm për bizneset por jep shërbim edhe për institucionet vitale të shoqërisë, siç janë: shkollat, çerdhet, Qendrat e Mjekësisë Familjare, QKUK, të cilët gjatë kësaj periudhë do ta kishin potencialisht problem pjesën e furnizimit me ngrohje dhe kjo ka qenë arsyeja që ne kemi vendosur që edhe për disa ditë të lëvizim tutje me vazhdim të sezonës. Është viti i dytë më radhë që po na ndodh një gjë e tillë, është e vërtetë që kemi pasur temperatura të larta gjatë kësaj periudhe, mirëpo edhe ne kemi qenë të kujdesshëm që kjo të reflektojë në fatura, që përveç reflektimit në fatura, ne kemi punuar me një kapacitet minimal të ofrimit të ngrohjes. Për krejt Prishtinën kemi pasur kapacitet dikund 55 MGW, që nënkupton kemi operuar me temperatura të ulëta”, ka thënë Osmani.

  • ​“Kosova nuk duhet të shndërrohet në një vend ku nuk vlen jeta e gruas”, Krasniqi reagon pas vrasjes në Pejë

    ​“Kosova nuk duhet të shndërrohet në një vend ku nuk vlen jeta e gruas”, Krasniqi reagon pas vrasjes në Pejë

    Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vrasjes së gruas në Pejë në mëngjesin e sotëm.

    Krasniqi tha se rastet e fundit të vrasjeve të grave janë alarm që duhet të zgjojë secilin person që ka sado pak përgjegjësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

    Kreu i PDK-së bëri gjithashtu thirrje për krijimin e një task-force me kompetenca të plota për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe vrasjet, teksa tha se Kosova nuk duhet të shndërrohet në një vend ku jeta e grave nuk vlen aspak.

  • Nikçi për rastin tragjik në Pejë: Vrasja është kryer në mënyrë makabre

    Nikçi për rastin tragjik në Pejë: Vrasja është kryer në mënyrë makabre

    Një rast tragjik ka ndodhur në Pejë mëngjesin e sotëm, ku një burrë dyshohet se e ka vrarë gruan e tij.

    Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, në një prononcim për ATV-në, tha se vrasja është kryer në mënyrë makabre.

    “Këto detaje në këtë fazë dhe në asnjë fazë nuk duhet të bëhen publike, për shkak se mund t’i lëndojmë shumë familjarët dhe nuk janë informata të cilat mund t’i kontribuojnë opinionit publik, mirëpo çka është esenciale është se është kryer vrasja, dhe vrasja është kryer në mënyrë makabre dhe kaq mund të themi për mediat”, tha Nikçi.

    Ai tregoi se viktima është e lindur në vitin 1981, ndërsa dorasi në vitin 1980.

    Nikçi tha se dorasi ishte i akuzuar edhe më parë për veprën penale “Dhunë ne familje”. /atvlive.tv

  • A kanë qenë në banës fëmijët e viktimës, në kohën kur është kryer vrasja? Flet Shkodran Nikçi

    A kanë qenë në banës fëmijët e viktimës, në kohën kur është kryer vrasja? Flet Shkodran Nikçi

    Një rast tragjik ka ndodhur në Pejë mëngjesin e sotëm, ku një burrë dyshohet se e ka vrarë gruan e tij.

    ATV nga burimet jozyrtare ka mësuar se çifti kishin tre fëmijë, dhe se në kohën kur është kryer vrasja, në banës kanë qenë edhe fëmijët e tyre.

    Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, në një prononcim për ATV-në, tha se duhet të jenë të rezervuar në dhënien e informatave për shkak se sipas tij, mund të lëndohen familjarët.

    “Ne duhet të jemi të rezervuar në dhënien informatave, për shkak se mund t’i lëndojmë më shumë familjarët. Nuk është relevante fare se kush ka qenë brenda. Relevante është që personi gjendet në ndalim, i është sekushtruar arma, janë duke u kryer disa bastisje për momentin nga Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes dhe Prokurori i Shtetit, bashkë me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera, do t’i marrë të gjitha veprimet e nevojshme që kjo çështje penale të ndriçohet në plotni dhe besoj që brenda afatit ligjor prokurori i shtetit do të parashtrojë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Departamentin e Krimeve të Rënda, ku do të kërkojë nga gjyqtari se t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe njëkohësisht do të zhvillohen hetimet që kjo çështje penale të marra epilog.”, tha Nikçi. /atvlive.tv

  • Nikçi jep detajet e fundit për vrasjen në Pejë

    Nikçi jep detajet e fundit për vrasjen në Pejë

    Një rast tragjik ka ndodhur në Pejë mëngjesin e sotëm, ku një burrë dyshohet se e ka vrarë gruan e tij.

    Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, në një prononcim për ATV-në, tha se në vendin e ngjarjes policia i ka kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme hetimore dhe se trupi i pajetë i viktimës është tërhequr për të bërë obdikimin e saj.

    “Sot në mëngjes jemi njoftuar për një rast të vrasjes këtu në qendër të qytetit të Pejës, me një banesë banimi, menjëherë në vendin e ngjarjes i është përgjigjur Policia e Kosovës, më pas Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës dhe prokurori i Krimeve të Rënda, ku në vendin e ngjarjes është një viktimë që dyshohet që është e privuar nga jeta nga bashkëshorti i saj, me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes policia i ka kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme hetimore dhe njëkohësisht është sekuestruar arma me të cilët është kryer vrasja. Prokurori ka urdhëruar që i dyshuar të ndalohet për 48 orë, kurse me urdhër të Prokurorit, Instituti i Miqësisë Ligjore ka tërhequr trupin e pajetë, me ç’rast duhet të bëhet obdukimi i saj”, tha Nikçi. /atvlive.tv

  • Shtatë deputetë italianë dhe një hungarez: Anëtarësimi i Kosovës në KiE të kushtëzohet me veprime për Asociacionin

    Shtatë deputetë italianë dhe një hungarez: Anëtarësimi i Kosovës në KiE të kushtëzohet me veprime për Asociacionin

    Shtatë deputetë italianë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një hungarez janë duke kërkuar që Kosova të ndërmarrë hapa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si kusht për pranimin në KiE.

    Në një draft-version të amandamenteve të shkuara nga delegatët në Këshill të Evropës, amandamenti 13 kushtëzon anëtarësimin e Kosovës në KiE me “hapa thelbësor dhe të prekshëm me qëllim themelimin e Asociacionit”.

    Drafti i plotë, të cilin e posedon Paparaci, është përgatitur nga deputetët italianë Elisabetta Gardiani, Marco Scurria, Domenica Spinelli, Ester Mieli, Fabio Pietrella, Lucrezia Mantovani, Maria Cristina Carreta dhe ai hungarez, Zsolt Nemeth.

    Sipas tyre, Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe është hap i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Asambleja konsideron se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një hap i domosdoshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, një detyrim ndërkombëtar i ndërmarrë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe mbi të gjitha një mënyrë për të përmirësuar pjesëmarrjen dhe fuqizimin e serbëve të Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Për këtë arsye, Asambleja pret që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësor dhe të prekshëm me qëllim themelimin e Asociacionit sa më shpejt të jetë e mundur. Asambleja konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të jetë i theksuar qartë në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në këtë amandament.

    Drafti me amandamente të propozuara nga delegatët e Asamblesë Parlamentare të KiE

    Ky amandament do të rrëzohej, nëse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të kalonte amandamenti 5, i përpiluar nga tre deputetë të Kuvendit të Serbisë dhe dy deputetë serb të Bosnjë e Hercegovinës, i cili kërkon që “Asociacioni të jetë parakusht për vazhdimin e procesit të shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për pranim në KiE”.

  • Vrasja e gruas në Pejë, Haxhiu fton në një takim ministrin e Brendshëm, drejtorin e Policisë dhe kryeprokurorin

    Vrasja e gruas në Pejë, Haxhiu fton në një takim ministrin e Brendshëm, drejtorin e Policisë dhe kryeprokurorin

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas vrasjes së një gruaje në Pejë, nga ana e bashkëshortit.

    Haxhiu në Facebook ka njoftuar se ka ftuar në takim ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, u.d Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës dhe po ashtu në një takim tjetër edhe mbledhjen e grupit ndërministror.

    “Nuk ka rrugë tjetër pos si institucione të Republikës së Kosovës të luftojmë pa kompromis këto fenomene”, ka shkruar ndër të tjera ministrja Haxhiu.

  • Konjufca pas vrasjes së gruas në Pejë: Është i nevojshme konsolidimi i menjëhershëm i mekanizmave të sigurisë dhe gjyqësisë

    Konjufca pas vrasjes së gruas në Pejë: Është i nevojshme konsolidimi i menjëhershëm i mekanizmave të sigurisë dhe gjyqësisë

    Në ditën e dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, është mbajtur një minutë heshtje në nderim të gruas e cila u vra sot nga bashkëshorti i saj në Pejë.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ka thënë se është i nevojshëm konsolidimi i menjëhershëm i mekanizmave të sigurisë dhe gjyqësisë që raste të tilla më të mos ndodhin.

    “Sot u zgjuam me një lajm të trishtueshëm, vrasja edhe e një gruaje tjetër në qytetin e Pejës. Ajo që duhet të ndodhë është bëhet konsolidimi i mekanizmave tanë të sigurisë dhe gjyqësisë që raste të tilla më të mos ndodhin. Me qenë se shumica e rasteve që po ndodhin në Kosovës, dhuna e ushtruar ndaj tyre është kryesisht prej personave edhe më herët kanë pasur raste penal, raste të shkeljeve të rënda dhe sistemi i drejtësisë me shumë lehtësi i liron ata dhe pastaj kjo është parapërgatitje edhe për raste me të rënda siç ishin rastet e dy vrasjeve këtë në Kosovë. Është vërtetë mirë që jemi bashkë për të biseduar për këtë temë kaq të rëndësishme. Këtë edicion e bën edhe më domethënës periudha kur po mbahet në javën kur Kosova ka ditën që i kushtohet dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Rreth 20 mijë gra u dhunuan gjatë luftës së fundit në Kosovë. Këto janë dëshmia e vuajtjes sonë të vazhdueshme. Kurajo dhe forca e viktimave të këtij krimi për ta ngritur zërin është një frymëzim i jashtëzakonshëm për të gjithë ne. Ato përveq dhimbjes që i kanë përcjellur përballen vazhdimisht edhe me stigmën shoqërisë dhe mungesën e padurueshme të drejtësisë përderisa kryerësit e krimeve nuk e kanë marrë dënimin e merituar”, ka thënë ai.

  • Trupi i gruas së vrarë në Pejë dërgohet për obduksion

    Trupi i gruas së vrarë në Pejë dërgohet për obduksion

    Gjyljeta Ukella mbeti e vrarë mëngjesin e së martës në Pejë, nga i dyshuari burri i saj Edmond Lajqi.

    Trupi i viktimës kishte qëndruar disa orë në vend ngjarje, derisa tani është tërhequr.

    Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi ka konfirmuar se trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    “Prokurori është në vend të ngjarjes, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në IML me urdhër të prokurorit, personi është arrestuar, iu ka sekuestruar arma”, tha Nikçi.

    I dyshuari për vrasjen e gruas tashmë është brenda stacionit policor në Pejë.

  • ​Osmani për vrasjen e gruas në Pejë: Ky fenomen po plagos shoqërinë tonë

    ​Osmani për vrasjen e gruas në Pejë: Ky fenomen po plagos shoqërinë tonë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes të një gruaje nga bashkëshorti i saj në Pejë.

    E para e vendit ka thënë se ky fenomen i tmerrshëm dhe femicidi duhet të ndalet njëherë e përgjthmonë e me çdo kusht.

    Ajo u bëri thirrje institucioneve të vendit, atyre të sigurisë dhe drejtësisë që të angazhohet për të ndalur dhunën mbi baza gjinore.

    “Fatkeqësisht sot të gjithë jemi zgjuar sot në mëngjesë me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid me përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet me çdo kusht. Mënyra e vetmë për të ndalë atë është nëse rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet dhe si komb. Duhet të çohemi në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash dhe gra për të humbur. Prandaj i bëj thirrje të gjithëve që të ndalim njëherë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore”, tha ajo.

    Osmani këto komente i bëri pasi mori pjesë në iniciativën “Thinking of you”, në kuadër të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Presidentja tha se ky instalacion do të ndërkombëtarizohet pasi është mënyra më artistike për të shprehur dhimbjen, solidaritetin dhe mbi të gjitha për të shprehur fuqinë e jashtëzakonshme të gruas së Kosovës.

    “Thinking of you” si instalacion që ka filluar para sa vitesh ka qenë mënyra më artistike për të shprehur dhimbjen, solidaritetin dhe mbi të gjitha për të shprehur fuqinë e jashtëzakonshme të gruas së Kosovës. Përmes këtij instalacioni që filloi në Kosovë dhe më pas u bashkua e gjithë bota ne treguam storje të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, bëm thirrje për drejtësi dhe po ashtu ngritëm zërin për gratë dhe vajzat në botë që po përjetojnë dhunë”, theksoi Osmani.

    Edhe autorja e këtij instalacioni, Alketa Xhafa-Mripa, tha se përmes të njëjtit tregohen storje të të mbijeturave të dhunës seksuale gjatë luftës.

    “Është kënaqësia ime të zhvilloj instalacionin artistik “Thinking of you”, i cili i ka rrënjët në Kosovë dhe është i frymëzuar nga të mbijetuarat e Kosovës. Dhe ne po sjellim dritë për të mbijetuarat (e luftës) globalisht nga një vend i vogël siç është Kosova. Pra, në Hagë, më 19 qershor do të jetë një instalacion i madh artistik, ku zërat e të mbijetuarave do të dëgjohen në të gjithë botën. Pra, thjeshtë mos e nënvlerësoni kurrë fuqinë e një vendi të vogël sepse ne kemi shumë për të dhënë atje, dhe Kosova po sjell zërat e tyre atje”, tha ajo.