ATV

Blog

  • ​Foden: “Bellingham ka një dhuratë nga Zoti”

    ​Foden: “Bellingham ka një dhuratë nga Zoti”

    Futbollisti anglez Phil Foden konsideron thelbësore që Bellingham të jetë në gjendje të mirë për të fituar kampionatin evropian verën e ardhshme. Foden është një nga lojtarët me të cilin skuadra angleze bazohet në përpjekje për të fituar Kampionatin Evropian të Gjermanisë këtë verë.

    Së bashku me Bellinghamin janë dy futbollistët që emocionojnë më shumë Anglinë. Foden, pas eliminimit në Champions League kundër Madridit, flet për bashkëkombasin e tij në një intervistë për “Daily Mail”, duke u siguruar se ai është më i pjekur se normalisht për dikë të moshës së tij, përcjellë KosovaPress.

    “Më duket sikur ka një dhuratë nga Zoti me fizikun e tij. Ne kemi vërtet nevojë për të në maksimumin e tij për të fituar kampionatin evropian. Nuk kam parë kurrë dikë kaq të pjekur për moshën e tij”, ka thënë Foden.

    Lojtari anglez foli edhe për golin e tij në Bernabeu, duke u siguruar që deri më sot është një nga më të mirët që ka arritur në karrierën e tij. Ai foli edhe për duelin e javës së kaluar kundër Madridit në Etihad, duke thënë se City duhej ta fitonte ndeshjen duke krijuar shumë raste, por futbolli i tillë është.

  • Lansohet projekti që avancon Barazinë Gjinore dhe Përfshirjen në Sport të Kosovë dhe Shqipërisë

    Lansohet projekti që avancon Barazinë Gjinore dhe Përfshirjen në Sport të Kosovë dhe Shqipërisë

    Sot në Prishtinë u lansua Projekti “Gruaja Udhëheqëse në Sport për Promovimin e Aktivitetit Fizik të Pavarur nga Gjinia (GEIN)” i cili ka për qëllim të avancojë barazinë gjinore në sport dhe në parasport.

    Ky projekt ndërkombëtar aspiron të thyejë barrierat gjinore dhe të përfshijë në mënyrë të barabartë sportistët nga të dy gjinitë, me një fokus të veçantë në fuqizimin e grave dhe personave me aftësi të kufizuara. Iniciativa synon të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit, duke i përgatitur ata për sukses dhe udhëheqje në arena ndërkombëtare.

    Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, në fjalën e saj në hapje të konferencës, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për përfshirjen e grave dhe përsonave me aftësi të kufizuara në sport: “Në Shqipëri, Kosovë dhe në gjithë rajonin, ne përballen me sfida të shumta në përfshirjen e grave dhe parasportistëve. Bashkëpunimi dhe angazhimi ynë janë thelbësor për të kapërcyer këto sfida dhe për të siguruar që çdo person, pavarësisht gjinisë ose aftësive të kufizuara, të ketë mundësinë të shkëlqejë dhe të udhëheqë.

    Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, mirëpriti angazhimin e vazhdueshëm dhe theksoi se projekti është një “fener shprese” për bashkëpunimin mes dy vendeve, duke shtuar se: “Aftësimi dhe arsimimi janë esenciale për të sfiduar stereotipet dhe për të ndërtuar një të ardhme ku barazia gjinore është jo vetëm një ideal, por një realitet.”

    Dr. Agron Kasa, Rektori i Universitetit të Sporteve në Tiranë, theksoi se sporti është një mjet jetik për ndryshime pozitive: “Përmes mbështetjes së komunitetit evropian, ne po punojmë për të ndryshuar qasjet dhe për të promovuar liderët e ardhshëm, duke u përqendruar veçanërisht në rritjen e numrit të grave në pozita drejtuese.”

    Projekti GEIN është një partneritet ndërkombëtar midis Universitetit të Sporteve në Tiranë, Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Finlandës Juglindore, Universitetit Katolik të Leuven në Belgjikë dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ky projekt mbështetet financiarisht nga programet Erasmus+ të Bashkimit Evropian. Qëllimi i tij është të rrisë kapacitetet në fushën e sportit në Shqipëri dhe Kosovë, për të promovuar barazinë gjinore përmes aktiviteteve edukative dhe mentorimit.

  • “Kur jemi bashkë, arrijmë shumë”: Bogujevci falënderon edhe opozitën për suksesin në KiE

    “Kur jemi bashkë, arrijmë shumë”: Bogujevci falënderon edhe opozitën për suksesin në KiE

    Nënkryetarja e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Saranda Bogujevci ka falënderuar opozitën për kontributin në votimin e suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, raporton Ekonomia Online.

    Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Bogujevci ka thënë se kjo tregon që kur janë ekip, arrijnë shumë.

    “Kjo është një arritje e madhe dhe historike për vendin tonë dhe demokracinë. Kjo është fitore e Republikës e themeluar mbi vlera demokratike ku respektohen të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit. Ky është rezultat i punës dhe angazhimit të punës së delegacionit të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë punuar pa ndalë dhe me përkushtim me qëllime të përbashkëta. Ky sukses i Kosovës tregon më së miri se kur jemi bashkë mund të arrijmë shumë. Kemi qenë ekip dhe ashtu njihemi në asamble. Ky votim është një fitore e madhe për Kosovën. Ka mbete pjesa finale unë jam shumë optimiste në vendim që do të merret unë kam besim te plote por duhet shumë punë”, ka thënë ajo.

  • Komisioni për Integrim Evropiane miraton Projektligjet për tekste shkollore dhe për performancën energjetike të ndërtesave

    Komisioni për Integrim Evropiane miraton Projektligjet për tekste shkollore dhe për performancën energjetike të ndërtesave

    Pa vota nga opozita, Komisioni për Integrime Evropiane miratoi Projektligjin për tekste shkollore  dhe Projektligjin për performancën energjetike të ndërtesave.

    Pavarësisht kërkesës së deputetit, Driton Hyseni nga radhët e pushtetit, nuk u votuan projektligjet nga opozita.

    Deputeti Hyseni, bëri një lutje drejtuar opozitës për t’i votuar këto ligje.

    “Të votojnë për këto ligje sepse e dërgojmë besimin e qytetarëve në nivele që ata presin”, tha ai.

    Deputetja nga PDK, Blerta Deliu, tha se vendi duhet t’i hap rrugët për zgjedhje dhe nuk ka diçka që duhet të votojnë. Ajo përmendi raportin e DASh-it dhe Freedom House, ku flitet për korrupsion nga Qeveria.

    “Kësaj qeverie i ka humbur kuptimi goditja e dy raporteve të DASh-it dhe Freedom House tregojnë se kjo qeveri ka probleme me gjyqësorin, cenim në institucione të drejtësisë. Ka zyrtarë që kanë qenë të zënë në fushata te shteti fqinjë. Konsideroj se vendi duhet të hap rrugë për zgjedhje të reja, nuk kemi çfarë të votojmë”, tha ajo.

    Deputeti Hyseni, duke replikuar, tha se nuk e sheh të arsyeshme referimin e raporteve ndërkombëtare e të mos votohen ligjet që janë më shërbim të qytetarëve.

    “Qeveria ka marrë hapa konkret dhe serioz në luftimin e korrupsionit. Nuk e shoh të arsyeshme të referoheni në ato raporte, ligjet që janë të rëndësishme për qytetarët duhet t’i votojmë. Kjo qeveri ka marrë hapa serioz. Nuk mund të jemi peng i raporteve ndërkombëtare që të mos votohen ligjet që janë më shërbim të qytetarëve. Ne e kemi privilegj t’i votojmë”, tha ai.

    Ndërsa, deputetja nga AAK, Time Kadrijaj tha se ky komision nuk mund të kërkojë përkrahjen e opozitës kur nuk i merr seriozisht mbajtjet e mbledhjeve të Komisioneve.

    “Nuk po e merrni me seriozitet shqyrtimin e projektligjeve, po shihet këtu. Nuk mund të kërkoni votë dhe përkrahjen e opozitës kur keni mungesë të seriozitetit,” tha Kadrijaj.

    Ndërsa, Projektligjet u votuan nga pozita me 6 vota për, në mungesë të opozitës.

  • Arrestohet një person i dyshuar për sulm seksual në Ferizaj

    Arrestohet një person i dyshuar për sulm seksual në Ferizaj

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person të dyshuar, në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Sulmi seksual” sipas KPRK-së.

    Në njoftim thuhet se ekziston dyshimi se i njëjti ishte në lidhje dashurie me viktimën e moshës se mitur tani e një vit, andaj, me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulmi seksual” nga neni 229 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit Xh.I., brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente”, thuhet në komunikatë.

  • Komuna e Deçanit e fiton të drejtën për shfrytëzimin e tokave në “Bjeshkët e Nemuna”

    Komuna e Deçanit e fiton të drejtën për shfrytëzimin e tokave në “Bjeshkët e Nemuna”

    Komuna e Deçanit e ka fituar të drejtën për shfrytëzimin e tokave në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

    Lajmin e dha kryetari i komunës së Deçanit Bsahkim Ramossaj, i cili e publikoi në Facebook edhe vendimin e shtypur të këtij rasti.

    “Në bazë të Vendimit Nr. 10663 për hartimin e Planit Rregullues të Hollësishëm për pronat e shpallura me interes publik në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, miratuar nga Kuvendi Komunal i Deçanit, datë 29.03.2024, pranuar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në pajtim me Rregulloren (QRK) Nr. 06/2021 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores (QRK) Nr.10/2019 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave dhe miratuar nga MAPL. Çdo ditë e më shumë po arrijmë atë që kemi ëndërruar gjithmonë”, ka shkruar ai.

  • Rriten çmimet e naftës, ndikuan dy faktorë

    Rriten çmimet e naftës, ndikuan dy faktorë

    Çmimet e naftës u rritën të enjten. Nafta e papërpunuar ndërkombëtare Brent u tregtua me 88,21 dollarë për fuçi në orën 09:32 të mëngjesit me orën lokale (0632 GMT), një rritje prej 0,21% nga çmimi i mbylljes prej 88,02 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare.

    Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) tregtohej me 82,95 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë, një rritje prej 0,17% nga seanca e mëparshme që u mbyll me 82,81 dollarë për fuçi.

    Rënia e stoqeve komerciale të naftës së papërpunuar në SHBA, konsumatori më i madh në botë i naftës, dhe tensionet në Lindjen e Mesme ishin faktorë kontribues në mbështetje të rritjes së çmimeve. /AA

  • Kusari-Lila: Mundësia e marrëveshjes për dinarin varet nga BE-ja sa po e bind Serbinë të mos jetë palë destruktive

    Kusari-Lila: Mundësia e marrëveshjes për dinarin varet nga BE-ja sa po e bind Serbinë të mos jetë palë destruktive

    Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka thënë për Ekonomia Online se mundësia që të arrihet një marrëveshje për dinarin në takimin e sotëm, varet nga bashkësia ndërkombëtare, nëse është në gjendje ta bind Serbinë të mos jetë “palë destruktive” në dialog.

    Kusari-Lila ka thënë se Kosova në këto takime ka treguar se është e hapur për të gjetur zgjidhje për dinarin serb, ndërsa të kundërtën e mendon për palën serbe.

    “Ju keni dëgjuar deklaratat edhe të përfaqësuesit të BE-së po ashtu edhe të palëve që janë në takim këtë rast edhe të Kosovës që pala kosovare ka treguar konstruktivitet dhe vullnet për gjetur zgjidhje në raport me lehtësimin e marrjes së pagesave për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë për ata të cilit marrin këto pagesa përmes sistemit bankare dhe valutës zyrtare. Ne kudër të këtyre parametrave apo në kudër të këtyre standardëve duhet të gjendur zgjidhja e lehtësimit të qasjes në mjete siç është kërkuar dhe kemi treguar vullnet për këtë, qoftë me shtyrje të procesit të sanksionimit për ata të cilët kanë proces mund të kenë sfida apo edhe në zbatimin e transfereve, gjegjësisht konvertimin e dinarit në euro dhe lehtësimin e qasjes apo marrjen e këtyre mjeteve. Në veçanti brenga ka qenë për personat e moshës së tretë”, ka thënë Kusari-Lila.

    Sipas saj, Serbia në të gjitha aspektet është pala destruktive, duke përfshirë marrëveshjet e mëhershme. Ajo ka përmendur edhe lobimin kundër anëtarësimit të Kosovën në Këshill të Evropës.

    “Në këtë aspekt tashmë është bërë e njohur që Serbia është pala destruktive, Serbia në të gjitha elementet edhe të marrëveshjeve të më hershme e këto të fundit të Brukselit dhe Ohrit ka treguar mosvullnet për zbatim dhe shkelje, prej cenimet të sovranitet territorial dhe sigurisë në Kosovë e deri te lobimi intensiv kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, rasti i fundit me KiE. Prandaj a do të këtë sukses ky takim sot do të varet sa do të jetë e suksesshme bashkësia ndërkombëtare ta bind Serbinë të mos funksionoj me destruktivitetin e treguar deri me tani”, ka thënë ajo.

    Edhe pas pesë takimesh ku është diskutuar çështja e dinarit, nuk është arritur marrëveshje.

  • Paraburgim ndaj të dyshuarit për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar

    Paraburgim ndaj të dyshuarit për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me iniciale B.XH., ish- zyrtar i gjendjes civile në komunën e Ferizajt, për shkak të dyshimit të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajit Mars të vitit 2019 në Ferizaj, si person zyrtar, konkretisht zyrtar i Lartë në Zyrën e Gjendjes Civile në Ferizaj, ka keqpërdorur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit për personin tjetër, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 31 të Ligjit për Gjendjen Civile numër 04/L-003, personin M.K., shtetas turk, e ka regjistruar në sistemin elektronik të Gjendjes Civile në Komunë e Ferizajt, duke i mundësuar që të pajiset me letërnjoftim të Republikës së Kosovës dhe patentë shofer, me këtë do të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    I pandehuri, me vendim të Prokurorit të Shtetit, që nga data 23 Prill 2024, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.

  • ​Sot zhvillohet klasikja e madhe e basketbollit kosovar

    ​Sot zhvillohet klasikja e madhe e basketbollit kosovar

    Pas triumfit të Yllit ndaj Pejës, basketbolli i Kosovës sot sjellë një tjetër superndeshje.

    Dueli tjetër zhvillohet sot mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës. Duelin e parë e fituan mitrovicasit 87:81 dhe synojnë fitoren e dytë radhazi në gjysmëfinale, kurse prishtinasit synojnë të barazojnë serinë në 1:1.

    Skuadrat që shënojnë tri fitore do të kualifikohen në finale, derisa për tu shpallur kampionë nevojiten po ashtu tri fitore.