ATV

Blog

  • 34 vjet nga pajtimi i gjaqeve te Verrat e Llukës

    34 vjet nga pajtimi i gjaqeve te Verrat e Llukës

    Sot bëhen 34 vjet nga ngjarja e madhe për faljen e gjaqeve në Verrat e Llukës në Komunën e Deçanit.

    Në këtë tubim madhështor më 1 maj 1990 morën pjesë rreth gjysmë milion shqiptarë, me ç‘rast u falën më shumë se 100 gjaqe dhe ngatërresa ndër-shqiptare.

    Aksioni për pajtimin e familjeve shqiptare në hasmëri kishte nisur nga disa studentë të rajonit të Dukagjinit, ish-të burgosur politikë, më 2 shkurt 1990 në Lumbardhë të Deçanit.

    Ky aksion u shndërrua në një lëvizje për pajtimin e gjaqeve dhe falë punës së madhe të veprimtarëve në krye me Anton Çetën kjo lëvizje gjithëpopullore arriti të pajtojë mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndër-shqiptare.

    Për të përkujtuar këtë ngjarje madhështore në Komuna e Deçanit ka organizuar një ceremoni e cila do të mbahet në ora 12:00 në të njëjtin vend.

  • Sot proteston SBAShK-u

    Sot proteston SBAShK-u

    Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK), do të protesojë sot.

    Kjo sindikatë ka njoftuar se tubimi i protestuesve do të bëhet nga ora 10 e 30 deri në 11 në oborrin e Biblotekës Kombëtare.

    “Në orën 11 fillon marshimi drejt MASHTI-t. Protestuesit këtu ndalën 5 minuta e pastaj vazhdojnë në koristë në anën e djathtë drejt Konvikteve. Nga aty vazhdojnë marshimin drejt Katedrales e nga aty drejt Hotel “Grand dhe Sheshit Zahir Pajaziti për të vazhduar nëpër shesh deri te ndërtesa e Qeverisë. Me të arritur (rreth orës 12) aty kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj përmes mikrofonit shpalos kërkesat e anëtarësisë drejtuar Qeverisë”.

    “Pastaj flet kryetari i BSPK-së Atdhe Hykolli. Pas tij kryetari nga sektori privat Isuf Azemi i drejtohet Qeverisë me kërkesat e veçanta në emër të anëtarësisë që përfaqëson. Në orën 12 e 30 shpallet e mbyllur protesta dhe protestuesit shpërndahen në mënyrë të qetë”, thuhet në njoftim.

  • 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

    1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

    1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve dhe ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

    Kjo ditë u referohet protestave të punëtorëve, ku kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ”8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

    Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

    Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887.

    Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve.

    Sindikata botërore e caktoi 1 Majin ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.

    Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e Parë të Gjenevës.

    Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së Dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

    Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me kushtetutë e ligje liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës.

  • Moti sot me temperatura deri në 21 gradë Celsius

    Moti sot me temperatura deri në 21 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas njoftimit të këtij instituti, temperaturat do të shkojnë deri në 21 gradë Celsius.

    “Mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat gjatë ditës vende -vende parashihen të sjellin riga shiu”.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4-8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 19-21 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga jugperendimi”, thuhet tutje në njoftimin e IHMK-së.

  • Ushqimet e përpunuara rrisin rrezikun nga sëmundjet e zemrës

    Ushqimet e përpunuara rrisin rrezikun nga sëmundjet e zemrës

    Ushqimet shumë të përpunuara siç janë ushqimi i gatshëm, drithërat dhe kripërat, ngre rrezikun e një sulmi në zemër ose në tru, ndërsa shkencëtarët kërkojnë veprim të shëndetit publik.

    Njerëzit, të cilët hanë ushqime ‘shumë të përpunuara’, përfshirë disa prej atyre të gatshme, drithëra me sheqer dhe pije të gazuara, kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare.

    Konsumimi i më shumë se katër vakteve në ditë mund të rrisë rrezikun e vdekjes së hershme me pothuajse dy të tretat.

    Ushqimet e përpunuara zakonisht shiten ‘të gatshme për t’u ngrënë’ dhe nuk mund të bëhen në një kuzhinë normale, pasi ato janë të mbushura me substanca industriale si prezervativ dhe ëmbëlsues.

    Një studim francez zbuloi se çdo rritje prej 10 për qind në përqindjen e ushqimit ultra të përpunuar brenda dietës së një personi ngrit rrezikun e problemeve kardiovaskulare, si një atak në zemër ose në tru, me 12 për qind.

    Hulumtimi i veçantë spanjoll tregon se njerëzit që hanë më shumë se katër vakte ditore me ushqime shumë të përpunuara kishin një shans 62 për qind më të lartë të vdekjes gjatë 10 vjetëve të ardhshme, në krahasim me ata që konsumojnë dy vakte në ditë.

    Ekspertët besojnë se ushqimet shumë të përpunuara mund t’i bëjnë njerëzit më të uritur, duke rritur rrezikun e trashjes, e cila është e lidhur me problemet e zemrës dhe vdekjen e parakohshme.

    Ushqimet e gatshme industriale kanë tendencë të jenë të larta në kripë dhe yndyrë të ngopur, por ka edhe prova në rritje, se disa nga kimikatet që përmbajnë mund të jenë të dëmshme për trupin dhe arteriet e ngurtësuara.

    Gjetjet kanë nxitur thirrjet që qeveritë të marrin në konsideratë më shumë taksa për ushqimet e përpunuara për të ndihmuar njerëzit të përgjysmojnë marrjen e tyre.

    Një ushqim i përpunuar ndryshon gjatë përgatitjes së tij. Kjo mund të jetë nëpërmjet ngrirjes, konservimit, pjekjes ose tharjes. Shembujt përfshijnë drithërat e mëngjesit, pasta, kripërat, ushqimet në mikrovalë, ëmbëlsirat, buka dhe perimet e konservuara.

    Ushqimet e përpunuara nuk janë domosdo të rrezikshme nëse nuk shtohet sheqer, kripë ose yndyrë për t’i bërë ato më të shijshme ose për të zgjatur jetëgjatësinë e tyre.

    Kjo mund të çojë te njerëzit që hanë më shumë se sa lejohet konsumi i sheqerit, kripës dhe yndyrës në ditë pasi nuk janë në dijeni të niveleve në ushqimet e përpunuara.

    Njerëzit mund të zvogëlojnë marrjen e këtyre ushqimeve duke lexuar etiketat e ushqyerjes në produktet e përpunuara për të kontrolluar përmbajtjen e yndyrës, kripës dhe sheqerit.

  • Punëtorët e Pastërtisë në Ferizaj në grevë prej 9 ditësh

    Punëtorët e Pastërtisë në Ferizaj në grevë prej 9 ditësh

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Kamionët që shërbejnë për mbledhjen mbeturinave në Ferizaj, ka nëntë ditë që nuk janë ndezur fare.

    Punëtorët e Kompanisë Rajonale “Pastërtia” po vijnë në punë, mirëpo po qëndrojnë brenda këtij objekti, në shenjë greve për kushtet e punës.

    “Si kemi marr kurrë pagën me rritje, qe katër muaj. Punëtorët po e dojnë dorëheqjen e kryeshefit, se këto janë rrena. Deri të realizohen kërkesat nuk dalim nga greva”, tha Bashkim Danqi, punëtor.

    Kryeshefi ekzekutiv, Basri Syla, thotë se të martën një pjesë e punëtorëve e kanë ndërprerë grevën vullnetarisht, kurse për të tjerët pritet të ndërmerren masa.

    “Kane reflektuar…. Kemi me marrë vendime në përputhje me ligjin, për personat që nuk i kryejnë punët e veta. Nuk munden me marrë paga ata që s’punojnë”, tha Syla.

    Ky thotë se ankesat e grevistëve janë të pabaza, meqë pagat janë rritur për 70 euro.

    “Pagat janë rritë dy javë para grevës të paligjshme. Kjo grevë është tendencioze, për mua nuk është greva e ligjshme, sepse nuk kemi të drejtë me bë greva. Me vendim të bordit është bërë rritja për punëtorët fizikë dhe shoferë”, tha Syla.

    Krejt kjo situatë e krijuar, më së shumti po i shqetëson ferizajasit. Disa prej të cilëve edhe erdhën në objektin e ndërmarrjes për t’u ankuar.

    Por mbeturinat nuk do të jenë më problem, pasi Komuna e Ferizajt ka kontraktuar një kompani që nga e marta do t’i kryejë këto shërbime krah ndërmarrjes.

    Një grevë prej 10 ditësh punëtorët e kompanisë për menaxhimin e mbeturinave “Pastërtia”, e kishin përfunduar në ditët e para të këtij viti.

    Ndërkaq, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje do të protestojnë, të mërkurën para komunës së Ferizajt.

  • Laboratori i toksikologjisë në IML, jashtë funksionit

    Laboratori i toksikologjisë në IML, jashtë funksionit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Para se t’u dorëzoheshin familjarëve, trupave të tre sulmuesve të vrarë në Banjskë më 27 shtator 2023, iu ishin marrë mostrat për autopsi.

    Megjithatë, 7 muaj nga ngjarja, raporti që detajon mënyrën e vdekjes së tyre nuk është ende i plotë, në mungesë të analizave toksikologjike.

    Siç kupton ATV-ja, laboratori i toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, është jashtë funksionit, tash e një kohë, andaj pezull në mungesë të kësaj analize kanë mbetur edhe raporte të tjera.

    Për të paktën një javë nga nisja e pyetjeve nga ATV-ja, Ministria e Drejtësisë e as Instituti i Mjekësisë Ligjore, nuk kanë kthyer përgjigje, andaj është e paqartë se kur mund të kthehet në funksion.

    Ndërkohë, sipas njohësve të çështjeve juridike, vonesa në përfundimin e raporteve të autopsisë, ka efekte negative në punën e organeve të drejtësisë.

    “Mungesa e raportit të plotë të autopsisë ndikon negativisht në punën e institucioneve të drejtësisë. Ndër të tjera, vonon përfundimin e hetimeve nga Prokurori…”, tha avokati Arbër Jashari.

    Derisa laboratori vazhdon të jetë jashtë funksionit, burime brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore bëjnë të ditur se mostrat e sulmuesve të vrarë në Banjskë, janë përgatitur të dërgohen në laboratorë të ndonjë shteti tjetër.

  • Hartimi i projektligjit të ri për KPK-në afër përfundimit

    Hartimi i projektligjit të ri për KPK-në afër përfundimit

    Përgatiti: Nora Luta

    Këshilli Prokurorial i Kosovës pritet që me ligjin e ri t’i ketë shtatë anëtarë. Kryesuesi Ardian Hajdaraj ka thënë për ATV-në se propozimet e KPK-së për ligjin e ri janë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias.

    KPK-ja ka kërkuar që përbërja të jetë: 5 anëtarë prokurorë dhe 2 joprokurorë.
    Ndërsa, ka kundërshtuar që prokurorët anëtarë të mos mund të avancohen dy vjet pas përfundimit të mandatit.

    Por, me ligjin e ri parashihet që përbërja e KPK-së të jetë me shtatë anëtarë: 4 prokurorë dhe 3 joprokurorë. Hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës, Vullnet Bugaqku, thekson si prioritet duhet pasur balancimi mes anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë.

    Po ashtu, parashihet që me ligjin e ri të ketë masa më të rrepta disiplinore për ata që mungojnë tre herë radhazi në mbledhjet e KPK-së pa arsyetim. E shoqëria civile kërkon të caktohet edhe afati për dekretimin e kryeprokurorit të shtetit.

    Ndërkohë, ministrja Albulena Haxhiu thotë se rekomandimet e Komisionit të Venecias janë trajtuar me prioritet.

    Në mars të 2023-tës, Gjykata Kushtetuese e vlerësoi antikushtetues përfundimin e mandatit para kohe të anëtarëve aktualë dhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPK-së, duke e rrëzuar tërësisht Ligjin për Këshillin Prokurorial.

    Kushtetuesja kishte dhënë vërejtje edhe për përfshirjen e avokatit të popullit në përzgjedhjen e anëtarëve joprokurorë, çka do të përjashtohet me ligjin e ri.

  • Shteti ua ktheu shpinën punëtorëve të sektorit privat

    Shteti ua ktheu shpinën punëtorëve të sektorit privat

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Punë të rrezikshme e pa asnjë masë mbrojtëse.

    Punëtorë si këta të ndërtimtarisë, shpeshherë rrezikojnë jetën meqë kompanitë për të cilat punojnë në masë të madhe nuk ua plotësojnë kushtet për punë.

    Hiç të rralla nuk janë as rastet e lëndimeve, megjithëse jo të gjitha deklarohen.
    Mesatarisht 1500 të tilla paraqiten brenda vitit në Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat, ndonëse nga kjo thonë se punëtorët ende i fshehin lëndimet, nga frika se mbesin pa punë.

    Sipas Azemit, shteti ia ka kthyer shpinën këtij sektori, meqë edhe inspektorati shpeshherë i mbyll sytë karshi ankesave të punëtorëve. Kësisoj të drejtat e tyre thotë se shkelen çdo ditë pa frikë e ndëshkim nga institucionet relevante.

    Mesatarisht, 20 punëtorë në vit vdesin në vend të punës, derisa konsiderohet se rreth 200 mijë qytetarë janë të punësuar në sektorin privat.

  • Rreth 17 për qind e njerëzve nuk lexojnë në Kosovë,  por në Gjilan 8 mijë euro (në vit) janë paguar vetëm për t’u pastruar librat

    Rreth 17 për qind e njerëzve nuk lexojnë në Kosovë, por në Gjilan 8 mijë euro (në vit) janë paguar vetëm për t’u pastruar librat

    Në Kosovë, bazuar në statistikat e vitit të kaluar (2023) nga një hulumtim i Shtëpisë botuese “Dukagjini” dhe organizatës ETEA doli se 16.6 për qind e qytetarëve nuk lexojnë asnjë libër në vit, derisa 38.3 për qind kanë thënë se i lexojnë vetëm 1-3 libra për vit. Por pavarësisht numrit të ulët të lexuesve në Kosovë, mirëmbajtja dhe kujdesi për librat nuk ka munguar në Gjilan. Në emisionin “LIBERO” kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni deklaroi se ishte çuditur kur ka parë se (nga qeverisja e kaluar) janë paguar 8 mijë euro (në vit) për t’u pastruar librat.

    “…Për t’u veçuar është një kontratë që e kemi pasë për mirëmbajtje… Dhe njëra prej pikave të kontratës eshte pastrimi i librave në bibliotekë e cila ështe paguar 8 mijë euro për një vit…”, tha Hyseni.

    Vlen të përmendet se sipas të dhënave të fundit (të vitit 2023) nga Instituti GAP, në komunën e Gjilanit nga 109 premtimet në total të kryetarit aktual, vetëm 29 janë të përfunduara, derisa 13 janë gjysmë të përfunduara dhe 21 të filluara, ndërkohë që 46 nuk kanë filluar fare…!

    Për t’i parë në detaje projektet e fundit të cilat janë realizuar në komunën e Gjilanit (dhe të tjerat të cilat priten të realizohen), dëgjoni intervistën e plotë të Alban Hysenit duke klikuar në linkun e mëposhtëm: