ATV

Blog

  • Rinovimi i Teatrit Kombëtar, projekti ende në fazat e hershme

    Rinovimi i Teatrit Kombëtar, projekti ende në fazat e hershme

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ushtrimet e shfaqjet, aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, tash e dy vjet, po i realizojnë në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë.

    Për shfrytëzimin e kësaj hapësire, Ministria Kulturës, Rinisë dhe Sportit, paguan rreth 180 mijë euro në vit.

    “Në hapësirat e Pallatit të rinisë kemi edhe Teatrin e Kosovës, shuma është diku rreth 14 – 15 mijë euro, me të gjitha shërbimet që ofrohen”, tha Mrikë Gashi, kryeshefe ekzekutive e Pallatit të Rinisë.

    Kalimi në Sallën e njohur si salla e kuqe, nuk i ka pëlqyer qysh nga fillimi drejtorit të Teatrit, Kushtrim Sheremeti. Ky thotë se është dashur të intervenohet disa herë në të, për shkak të kushteve të vështira.

    “E kemi nisë këtë punë që mos me ndal teatrin, aq më shumë që ka qenë veç mos të ndalet kushto. Ka qenë shumë sfiduese, por ja kemi dal që nga marsi e kemi pas edhe një renovim, dhe tash e kemi një rinovim e kemi çu tavanin ma lartë e kemi ndërruar ulëset. Kemi kriju kushte por nuk është optimalja por minimalja”, tha drejtori i Teatrit Kombëtar.

    Aktorët do të vazhdojnë t’i mbajnë këtu aktivitetet edhe për një kohë, meqë ende nuk kanë nisur punimet për restaurimin e Teatrit.

    Madje nuk dihet as kur do të fillojnë, meqë Ministria e Kulturës është në faza të hershme të projektit.

    “Në lidhje me projektin e restaurimit dhe konservimin të Teatrit Kombëtar të Kosovës ju informojmë se tashmë është hartuar projekti zbatues për restaurim dhe konservim dhe Ministria këtë javë planifikon të hap procedurë e prokurimit për zbatimin e projektit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

    Vendimin për kalimin e përkohshëm në hapësirat e pallatit të rinisë, MKRS-ja, e kishte marrë në korrik të 2022-ës. Këto hapësira shfrytëzohen për ushtrime edhe nga Trupa e Baletit dhe Operës.

  • Me masa mbrojtëse e në seancë private përfundon dëshminë dëshmitari i 61-të

    Me masa mbrojtëse e në seancë private përfundon dëshminë dëshmitari i 61-të

    Përgatiti: Nora Luta

    Më pak se ishte planifikuar ka zgjatur dëshmia e dëshmitarit të 61-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Por, edhe seanca që është zhvilluar në Hagë, të hënën paradite ka qenë kryesisht e mbyllur për publikun, pasi dëshmitari dëshmoi me masa mbrojtëse.

    Sipas përshkrimit të ZPS-së, dëshmitari pretendon se ishte ndalur gjatë periudhës së luftës nga ushtarë të UÇK-së.

    “Dëshmitari 01978 është arrestuar dhe është ndaluar nga ushtarë të UÇK-së në ambiente ndalimi të UÇK-së, disa javë. Dëshmitari 01978 do të japë dëshmi rreth kushteve ndalimit, punën që kanë bërë të ndaluarit, si dhe procesin e marrjes në pyetje dhe rrahjes që ka pësuar ai. Dëshmitari do të identifikojë disa ushtarë të UÇK-së dhe disa të ndaluar të tjerë, të mbajtur bashkë me atë”, tha Vega Lodice, prokurore e ZPS-së.

    Ndërkohë, qysh në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, teksa tregoi për vendimet rreth disa materialeve të dëshmitarëve që tashmë kanë dëshmuar, numëroi deri tash 105 dëshmitarë të ZPS-së.

    Smith u ka bërë thirrje palëve për përpjekje të vazhdueshme për punë të mirë, në mënyrë që, sipas tij, procesi të jetë i drejtë dhe efikas.

    “Ka ende shumë punë për të bërë. Le të vazhdojmë të përpiqemi që ky gjykim të vazhdojë të jetë sa më i drejtë, sa më i shpejtë, sa më efikas. Deri tani janë dëgjuar 60 dëshmitarë, duke përfshirë edhe ata sipas rregullës 154, 13 dëshmitarë sipas rregullës 153 dhe janë pranuar deklaratat e 33 dëshmitarëve, që ose kanë vdekur ose nuk janë të disponueshëm për të dhënë dëshmi, gjë që parashihet me rregullën 155”, tha Smith.

    Prokuroria e ka reduktuar numrin e dëshmitarëve nga 320 dhe brenda këtij muaji, sipas gjykatës, pritet të japin një parashtrim për numrin e dëshmitarëve që planifikojnë t’i thërrasin.

    Gjykimi për krime lufte ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë edhe të martën.

  • Djegia e kontejnerëve, kërkohet me urgjencë vendosja e kamerave të sigurisë

    Djegia e kontejnerëve, kërkohet me urgjencë vendosja e kamerave të sigurisë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Komuna e Prishtinës u desh të sjellë kontejnerë të rinj në lagjen Pejton, pasi dikush ua vuri flakën të vjetërve. Por shenjat e zjarrit kanë mbetur ende këtu.

    Ngjashëm kishte ndodhur në lagjen Dardania. Personat, ende të paidentifikuar, veprën e kishin kryer në mes të ditës.

    “Shumë jonë tu i djegë, nëse nuk merret diçka na e vuajmë, krejt na bjen fryma erën e tyre…”, tha Shefqet Zogiani, qytetar.

    Për sigurinë e banorëve, por edhe që të identifikohen kryerësit, kërkohet vendosja e kamerave të sigurisë.

    “Një cigare me gjuajtë duhet të dënohet, mbesin për gjithë, kamera është një lloj sigurimi ku çdo gjë parashihet ndërmerret dhe identifikohet me kohë çfarë kanë bërë…”, tha Gani Sefedini, qytetar.

    Aktivistët alarmojnë se këto vepra janë të rrezikshme.

    “Kishte mundur me pasë edhe dëme në njerëz, me u kallë banesat përreth…”, tha Luan Hasanaj nga organizata “Let’s do it Kosova”.

    Pamjet e tilla nuk po u pëlqejnë as vizitorëve në kryeqytet.

    “Ky ka qenë një fenomen që ka ndodhur edhe në Tiranë, pra procesi i qytetërimit nuk është me komanda, mendoj që dalë ngadalë do të hyjmë në fazën e qytetërimit… nëse personat përgjegjës do ishin vendosë para përgjegjësisë publike normal që do të ishte më mirë se sot”, tha Alfred Duka, vizitor.

    Lidhur me zjarrvënien në kontejnerë, televizioni ka provuar ta kontaktojë ndonjërin nga zyrtarët komunalë të Prishtinës, por të hënën ishin të paqasshëm.

    Në fund të muajit mars, komuna kishte sjellë 366 kontejnerë të rinj dhe i shpërndan në lagjet që ka nevojë.

  • Avokati i popullit, kritik ndaj gjuhës së përdorur për kodin civil

    Avokati i popullit, kritik ndaj gjuhës së përdorur për kodin civil

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kodi civil përveç që nuk po arrin t’i bëjë në një mendje deputetët e kësaj legjislature, po përcillet edhe me polemika të shumta.

    Andaj diskursi dhe gjuha e përdorur për këtë kod, po kritikohet ashpër nga avokati i popullit.

    “E para, diskursi i komunikimit dhe i deklaratave publike që shpeshherë përmban gjuhë të urrejtjes, të papranueshme dhe gjuhë që krijon polarizim të skajshëm deri te situata që mund të eskalojë edhe në situata të tilla, që të pësojnë qytetarët që vijnë ose i përkasin LGBTI”, tha avokat i Popullit, Naim Qelaj.

    Qelaj ka kritika edhe rreth formulimit aktual në Kodin Civil, për martesat e personave të gjinisë së njëjtë.

    “Kodi Civil dhe formulimi aktual i zgjidhjes së problemit të martesave ose zgjidhjes juridike të procedurave të martesave të personave me seks dhe gjini të njëjtë, nuk është i formuluar në përputhje me Kushtetutën. Për arsye se ky ligj, ky Kod Civil e rregullon njësoj si Kushtetuta. Kushtetuta thotë duhet të rregullohet me ligj. Kodi Civil thotë duhet të rregullohet me ligj. Pra, e len të pazgjidhur dhe jo në përputhje me qëndrimet dhe kërkesat që i ka Kushtetuta”, tha ai.

    Projekt-kodi civil ka dështuar të miratohet në Kuvend më 2022 dhe që atëherë, nuk ka pajtueshmëri mes deputetëve për rikthimin e tij për votim.

    Një pjesë e deputetëve, përfshirë edhe ata të partisë në pushtet, janë kundër këtij projektligji, specifikisht nenit 1138, i cili lejon regjistrimin e bashkësive të personave të gjinisë së njëjtë.

  • Aktivitete të shumta në ditëlindjen e 619 të të Skënderbeut

    Aktivitete të shumta në ditëlindjen e 619 të të Skënderbeut

    Përgatiti: Sara Shehu

    6 Maji njihet edhe si Dita e Skënderbeut.

    Data e cila përkon me lindjen e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mblodhi në Prishtinë artistë të shumtë, të cilët secili në mënyrën e vet portretizuan heroin.

    Këtij eventi nuk i munguan as publicistët e njohur, të cilët nëpërmes fjalëve çmuan lart figurën e Skënderbeut.

    Ndërsa, interesimi i qytetarëve për të parë nga afër punimet ishte i kënaqshëm.

    Larg nga rrugët e sheshet, në Institutin Albanologjik u mbajt edhe një simpozium shkencor, në të cilin u prezantuan gjetjet e fundit rreth Skënderbeut.
    Akademikët, madje, kërkuan nga institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës ta hartojnë një ligj të veçantë për heroin kombëtar e 28 tetori të shpallet festë kombëtare.

    Në kuadër të agjendës janë organizuar edhe performanca të ndryshme nga ansamble tradicionale, të shoqëruara me aktivitete të tjera.

  • 27 vjet pa “Luanin” e Kosovës

    27 vjet pa “Luanin” e Kosovës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Si i ri, Luan Haradinaj dëshironte të bëhej boksier.

    “Ideja e tij ka qenë që në një të ardhme, në rast se Kosova potencialisht çlirohet pa luftë, me qenë një sportist, një bokser në Kosovë”, tha Daut Haradinaj.
    Por, atdheu e donte si luftëtar.

    “Dihet fare mirë që pushka e tij është ndier në Serbi”, tha Daut Haradinaj.

    Vetëm 20 vjeç, Luan Haradinajt iu besuan detyra të mëdha në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë moshë, ai u emërua komandant i logjistikës së UÇK-së.

    “Angazhimi i Luanit ka qenë komplet për çlirimin e vendit dhe fitoren e lirisë, çlirimin nga pushtuesi serb”, tha Selim Krasniqi, bashkëluftëtar.

    Por, më gjashtë maj të vitit 1997, Kosova humbi luanin e saj.

    Atë të martë pranvere, ai priu çlirimtarët që po hynin nga Shqipëria në Kosovë, nga fshati Vlahne e Hasit në drejtim të Kuzhinit.

    “Kemi rënë në pritë, ka qenë një betejë shumë e pabarabartë dhe kemi rënë befasisht siç janë pritat dhe ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm, ka qenë një dhimbje e jashtëzakonshme për neve rënia e Luanit”, tha Krasniqi.

    Në 27-vjetorin e rënies së Luanit, kulla e Haradinajve në Gllogjan hapi dyert për homazhe në kompleksin memorial.

    Në mesin e mysafirëve ushtarakë e politikanë, qe edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ishte pjesë e grupit të ushtarëve në ditën kur Luani u vra.

    Në nderim të rënies heroike të tij, akademi përkujtimore u organizua edhe në Pejë.

    Ndërkaq, vepra e Luan Haradinajt u kujtua edhe nga udhëheqësit e shtetit.

  • 25 vjet nga rënia e dëshmorit Njazi Rexhepi

    25 vjet nga rënia e dëshmorit Njazi Rexhepi

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Liria që e gëzojnë sot, thonë se është meritë e dëshmorëve.

    Gjithë këta njerëz u mblodhën të hënën në Shtëpinë e Kulturës në Viti, për ta përkujtuar Njazi Rexhepin, që ra dëshmor në betejën e Koshares, më 6 maj 1999.
    Kontributi i tij në Brigadën 138, u vlerësua i pashoq.

    “Para dëshmorëve të gjithë jemi të vegjël, vetëm liria është e madhe. Themelet e lirisë janë të forta e ato i bën të forta gjaku i dëshmorëve. Njazi Rexhepi vjen nga një familje atdhetare që janë shquar për mikpritje, në anën e Ana Moravës. Qysh si nxënës ai kishte mësuar për vuajtjet e shqiptarëve i kishte ndje ato nën lëkurë. I edukuar në frymën ai mori pjesë në demonstrata që organizoheshin në Ferizaj, Prishtinë e mbarë Kosovën. Dëshmori e kishte kuptuar herët se liria nuk jepet vullnetarisht por duhet kërkuar nga pushtuesi”, tha Lulzim Tafa, poet.

    Një ish-epror i Rexhepit e kujton atë si ushtar të dalluar.

    “Për neve që ishim pjesë, emocionet dallojnë sepse i kemi kujtimet e freskëta, operacioni në Koshare është shumë kompleks edhe në planifikimin ekzekutimin e formacionit, drejtuesit e të cilit ishin ushtarak me përvojë”, tha Fadil Hadergjonaj, komandant i Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

    Vëllai i dëshmorit thotë se e humbi një familjar në luftë, por Nijaziu u bë i gjithë Kosovës, me rënien e tij.

    “Dëshmorët vdesin vetëm një herë e për së dyti mund të vdesin nëse i harrojmë e nuk i përkujtojmë”, tha Fahrush Rexhepi, vëllai i dëshmorit Njazi Rexhepi.
    Luftëtar e trim, Njaziu u përshkrua edhe nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu.

    “Shqiptarët kanë qëndruar falë nënave që kanë kënduar për trimat për djemtë e rinj e vajzat, që në momente të historisë kanë mbetur shembuj e fanarë orientimi. E kjo e sotmja është një kallëzim për një hero që ka qenë në mes heronjve, një njëri që nuk ka ndalë aspak nga djersa e gjaku i tij për ditën e sotme, bëhuni të fortë e krenarë për ju që e keni pasë një njeri të përkushtuar kaq shumë”, tha Sejdiu.

    Luftimet në Betejën e Koshares u zhvilluan për 77 ditë me radhë, nga 9 prilli deri më 19 qershor 1999, në zonën kufitare të Kosovës me Shqipërinë.
    Gjatë luftimeve u vranë 114 dhe u plagosën 423 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Beteja e Koshares, nisi në kuadër të operacionit “Shigjeta”, duke i hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

  • “Kur e pashë Afronën me lot në sy, me doli loti, edhe burrat qajnë”, Blero flet për herë të parë për takimin pas dy vitesh me ish-gruan

    “Kur e pashë Afronën me lot në sy, me doli loti, edhe burrat qajnë”, Blero flet për herë të parë për takimin pas dy vitesh me ish-gruan

    Mori vëmendje të madhe një promo e podcast-it të Blero Muharremit me Afrona Dikën. Një takim mes ish çiftit pas dy vitesh.

    Lidhur me këtë takim me Afronën, Blero ka folur për herë të parë.

    I ftuar në emisionin STUDIO A në ATV, ai dha detaje të shumta duke treguar se kanë folur për shumë gjëra të ndryshme, madje edhe se si erdhi deri te takimi mes dyshes.

    “E kam pa të arsyshme me shku edhe me taku Afronën edhe me folë disa gjana qe s’janë fol, na s’kena pasë kontakte dy vjet. Edhe Afrona ke dakord për atë takim, kemi fol me orë të tana për shumë sende, në ndërkohë thash qysh po të ec emisioni, tha shumë mirë, i thash a po don me ta dhezë emisionin , tha pse a ishe ardhë a, i thash gjithë, edhe vendosëm që me shku në emision. Ne i kemi borxh publikut se është folë shumë për ndarjen tonë. Afrona është e ndjeshme, edhe kemi kalu shumë sfida me Afronën, edhe burrat qajnë, edhe kur e pash atë me lot në sy, më shkoj edhe mu një lot”, tha Blero.

    Rrëfimin e tij të plotë e gjeni ën videon më poshtë:

  • Presidentja Vjosa Osmani uron Ditën e Goranëve

    Presidentja Vjosa Osmani uron Ditën e Goranëve

    Komuniteti goran është pjesë e çmueshme e diversitetit kulturor të Kosovës.

    Traditat dhe trashëgimia kulturore e komunitetit goran janë pasuri e Kosovës.

    Shumëetniciteti është gjithashtu vlerë e shoqërisë kosovare, ndaj do ta ruajmë këtë vlerë të çmueshme, sikurse do ta vazhdojmë mbështetjen institucionale për komunitetin goran.

    Urime Dita e Goranëve!

  • Gjendet trupi i pajetë i fëmijës së dytë të Alma Arrazit

    Gjendet trupi i pajetë i fëmijës së dytë të Alma Arrazit

    Me lot në sy, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka dhënë lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të pajetë të fëmijës së dytë të Alma Arrazit, nëna që i dha fund jetës duhe u hedhur në lumin Buna me tre fëmijët e saj.

    “Është gjetur trupi i fëmijës së dytë/ Dyshohet që edhe trupi i nënës dhe i fëmijs tjerë të jenë në këtë zonë. Kërkimet nga RENEA dhe peshkatarët e zonës do vijojnë edhe sot. Është një moment i rëndë, nuk gjej dot fjalët. I bëj thirrje të gjitha vajzave dhe grave në vend, të denoncojnë dhunën. Dhuna në familje, dhuna që çdo vajzë e grua përballet kur shkon në punë, në rrugë. E kam thënë shpesh, por erdhi dita ta them edhe me lot në sy, na duhet të shkëputemi nga kjo situatë. Të reagojmë të gjithë si shoqëri. Edhe kur vajzat nuk reagojnë dot, duhet të reagojnë të gjithë të tjerët. Na duhet të rrisim fuqinë tonë të marrjes së informacionit dhe të ndërhyrjes në kohë”, tha Balla.