ATV

Blog

  • Jashari pret në takim mirëseardhës Atasheun e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar

    Jashari pret në takim mirëseardhës Atasheun e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar

    Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti sot në takim mirëseardhës Atasheun e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të akredituar në Kosovë, Nënkolonel Denise McMahon.

    Fillimisht Jashari uroi McMahon për detyrën e atasheut të mbrojtjes dhe në të njëjtën kohe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Gjatë takimit, KOMFSK e njoftoi për të arriturat e deritanishme të FSK-së, si dhe diskutoi për objektivat e tij lidhur me zhvillimin e forcës, me fokus në planet bilaterale lidhur me trajnimet, stërvitjet, pajisjet dhe aktivitetet tjera të përbashkëta. Në anën tjetër, Nënkolonel McMahon përgëzoi Gjeneral Jasharin për zhvillimin e madh të FSK-së dhe për profesionalizmin e lartë të personelit të FSK-së dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe afirmimin e bashkëpunimit ndërmjet Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Në fund të dy palët u pajtuan që marrëdhëniet bilaterale të zhvillohen edhe më tutje, me fokus kryesor në fushat e zhvillimit të kapaciteteve ushtarake të FSK-së në funksion të përmbushjes së misionit të saj.

  • Dalin detaje të reja për aksidentin fatal ku humbi jetën 37-vjeçari shqiptar në Zvicër

    Dalin detaje të reja për aksidentin fatal ku humbi jetën 37-vjeçari shqiptar në Zvicër

    Blerim S., baba i tre fëmijëve dhe një figurë e njohur në komunitetin shqiptar në Zvicër, ka humbur jetën tragjikisht në një aksident trafiku në kantonin Aargau. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta dhe janë objekt i hetimeve nga autoritetet zvicerane.

    Sipas informacioneve të publikuara, ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje, pak pas orës 18:30, në Birrfeldstrasse pranë Wohlenschwilit. Për arsye që ende nuk janë sqaruar, automjeti tip Renault që drejtohej nga 37-vjeçari doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë ure.

    Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, por pavarësisht përpjekjeve të tyre, Blerimi ndërroi jetë në vend.

    I ndjeri jetonte në rajonin e Wohlenit, ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Ai punonte në një kompani të njohur të industrisë së orëve dhe njihej si një tifoz i pasionuar i futbollit, duke qenë aktiv edhe në një klub futbollistik lokal.

    Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët. Një mike e familjes ka deklaruar për mediat zvicerane se humbja e tij ka prekur thellë të gjithë ata që e njihnin.

    “Është jashtëzakonisht tragjike që ai nuk është më mes nesh. Ai lë pas bashkëshorten dhe tre fëmijët”, është shprehur ajo.

    Dhimbja është e madhe edhe në komunitetin shqiptar në Zvicër, ku Blerimi gëzonte respekt dhe vlerësim. Sipas të afërmve, babai i tij kishte qenë një figurë e njohur për angazhimin në çështjen e çlirimit të Kosovës.

    Në vendin ku ndodhi aksidenti janë vendosur lule dhe mesazhe ngushëllimi, ndërsa shumë qytetarë kanë shprehur pikëllimin e tyre edhe përmes rrjeteve sociale.

    Autoritetet e kantonit Aargau kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit. Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse në ngjarje kanë ndikuar probleme shëndetësore, shpejtësia apo faktorë të tjerë. /Albinfo

  • Sonte, Prishtina mirëpret ekspozitën “Fryma e Modiglianit në artin shqiptar”

    Sonte, Prishtina mirëpret ekspozitën “Fryma e Modiglianit në artin shqiptar”

    Galeria Qahili sonte do të hapë ekspozitën shëtitëse “Fryma e Modiglianit në artin shqiptar”, një ngjarje e veçantë kulturore që sjell për herë të parë në Kosovë vepra të certifikuara të piktorit të njohur italian Amedeo Modigliani.

    Hapja e ekspozitës do të mbahet sonte 2026, duke filluar nga ora 18:30, ndërsa publiku do të ketë mundësinë ta vizitojë deri më 26 qershor.

    Sipas organizatorëve, ekspozita do të prezantojë pesë vepra të certifikuara të Modiglianit, të vendosura përkrah punimeve të artistëve shqiptarë. Ky koncept synon të krijojë një dialog artistik mes modernizmit evropian dhe artit pamor shqiptar, duke nxjerrë në pah ngjashmëri dhe ndikime estetike që tejkalojnë kufijtë kohorë dhe gjeografikë.

    Ekspozita fton vizitorët të eksplorojnë lidhjet emocionale, konceptuale dhe artistike ndërmjet krijimtarisë së Modiglianit dhe autorëve shqiptarë, duke e shndërruar artin në një urë komunikimi mes kulturave dhe brezave.

    Ngjarja pritet të zgjojë interesim të veçantë te artdashësit dhe komuniteti artistik, pasi sjell në Prishtinë një prej emrave më të njohur të artit modern evropian, në një format ekspozues që ndërthur trashëgiminë ndërkombëtare me krijimtarinë vendore.

  • Rame Lahaj për të gjashtin vit me radhë do të ngjitet në skenën e Gala Night “Rame Lahaj & Friends”

    Rame Lahaj për të gjashtin vit me radhë do të ngjitet në skenën e Gala Night “Rame Lahaj & Friends”

    Për të gjashtin vit radhazi, Rame Lahaj, tenori ynë me famë ndërkombëtare dhe njëkohësisht themeluesi i festivalit, do të ngjitet në skenën e Gala Night “Rame Lahaj & Friends”, mbrëmjes që është bërë simbol i festivalit dhe një nga ngjarjet artistike më të rëndësishme të verës në Kosovë.

    I afirmuar në disa prej institucioneve më prestigjioze operistike në botë, nga Royal Opera House dhe Opéra National de Paris deri te Arena di Verona, Deutsche Oper Berlin dhe Bolshoi Theatre, Lahaj ka ndërtuar një karrierë që e ka shndërruar në një prej ambasadorëve më të njohur kulturorë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    Kur themeloi Rame Lahaj International Opera Festival, vizioni i tij ishte i qartë: të krijonte një platformë ku publiku në Kosovë të kishte mundësinë të dëgjonte nga afër artistët që interpretojnë në skenat më të rëndësishme të operës botërore. Edhe këtë vit, ai rikthehet në vendlindje së bashku me kolegë, bashkëpunëtorë dhe miq artistë nga e gjithë bota, duke i bërë ata pjesë të historisë, kulturës dhe mikpritjes sonë.

    Më 29 korrik, në zemër të Prishtinës, Rame Lahaj dhe miqtë e tij do të bashkohen sërish në një mbrëmje që përmbyll rrugëtimin artistik të edicionit të gjashtë duke përcjellë denjësisht mesazhin: PLAY MUSIC, NOT WAR.

    Shitja e biletave do të hapet së shpejti./

  • ZKA fillon auditimin e sistemit për menaxhimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore në Kosovë

    ZKA fillon auditimin e sistemit për menaxhimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore në Kosovë

    Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e Sistemit Barnatari të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, përmes së cilit menaxhohen proceset kryesore të regjistrimit, licencimit dhe qarkullimit të barnave dhe pajisjeve medicinale në Kosovë.

    Auditimi do të vlerësojë nëse sistemi Barnatari ofron siguri dhe kontrolle adekuate të të dhënave, disponueshmëri dhe vazhdimësi efektive të funksionimit për të mbështetur aktivitetet operacionale të institucionit.

    Platforma digjitale Barnatari përdoret që nga viti 2015 nga barnatoret, depot farmaceutike dhe subjektet tjera të sektorit farmaceutik. Janë mbi 1700 barnatore të regjistruara dhe Barnatari ka rol kyç në kontrollin e cilësisë, sigurisë dhe gjurmueshmërisë së produkteve medicinale që furnizojnë tregun e Kosovës.

  • Përleshje mes tifozëve të Argjentinës dhe Algjerisë para duelit të Kupës së Botës

    Përleshje mes tifozëve të Argjentinës dhe Algjerisë para duelit të Kupës së Botës

    Grupi J i Kupës së Botës do të nisë me përballjen mes Argjentinës dhe Algjerisë, e cila zhvillohet në orët e para të së mërkurës. Pas këtij takimi, në kuadër të raundit të parë të grupit do të luhet edhe ndeshja mes Austrisë dhe Jordanisë.

    Megjithatë, vëmendja para sfidës së shumëpritur është zhvendosur jashtë fushës së lojës. Atmosfera e zjarrtë mes tifozëve të Argjentinës dhe Algjerisë ka degjeneruar në incidente të pakëndshme në New York.

    Dy grupet e tifozëve u përballën në Times Square, ku situata doli jashtë kontrollit dhe përfundoi me përleshje fizike. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë skena kaotike, ndërsa në turmën e madhe ndodheshin edhe gra dhe fëmijë, duke rritur shqetësimin për sigurinë para ndeshjes.

    Pavarësisht incidenteve, fokusi sportiv mbetet te dueli që pritet të tërheqë vëmendjen e miliona tifozëve në mbarë botën. Për Argjentinën, kjo ndeshje ka një rëndësi të veçantë, pasi kapiteni legjendar, Lionel Messi, pritet të regjistrojë paraqitjen e tij të 200-të me fanellën e kombëtares.

    Messi, një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e sportit, ka fituar pothuajse çdo trofe të mundshëm gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme. Kulmi erdhi në vitin 2022, kur ai udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit botëror, duke realizuar ëndrrën e shumëpritur të tifozëve argjentinas.

    Tani, në prag të një tjetër aventure botërore, të gjitha sytë janë te Messi dhe Argjentina, të cilët synojnë ta nisin turneun me fitore, ndërsa Algjeria kërkon të befasojë një nga favoritët kryesorë për titullin.

  • Rifillon kalimi i anijeve në Ngushticën e Hormuzit

    Rifillon kalimi i anijeve në Ngushticën e Hormuzit

    Anijet kanë nisur gradualisht të rikthehen në lundrim përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve detare më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë.

    Sipas raportimit të “Euronews”, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se ngushtica pritet të jetë “plotësisht e hapur” deri të premten, duke theksuar se anijet tashmë kanë filluar të kalojnë dhe të transportojnë naftë nga rajoni.

    Mediat iraniane raportojnë se disa cisterna nafte dhe anije mallrash kanë lundruar sërish nëpër këtë rrugë detare, e cila deri vonë ishte ndikuar nga bllokadat dhe tensionet në rajon.

    Megjithatë, mbeten paqartësi lidhur me kontrollin dhe menaxhimin e ardhshëm të këtij korridori strategjik. Sipas agjencisë iraniane Fars, marrëveshja e arritur parashikon që Ngushtica e Hormuzit të administrohet në mënyrë të përbashkët nga Iran dhe Oman.

    Ngushtica e Hormuzit, e cila në pjesën më të ngushtë të saj ka vetëm 38 kilometra gjerësi, konsiderohet një arterie jetike për ekonominë globale, pasi përmes saj transportohet afërsisht një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.

    Ndërkohë, Institute for the Study of War (ISW) ka vlerësuar se SHBA-ja dhe Irani po japin interpretime të ndryshme të marrëveshjes, duke e bërë ende të paqartë versionin përfundimtar të saj. Sipas institutit, nëse marrëveshja zbatohet sipas interpretimit iranian, ajo mund të përfaqësojë një fitore të rëndësishme strategjike për Teheranin.

    Marrëveshja përfshin gjithashtu çështje të tjera të ndjeshme, si lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit, vazhdimin e negociatave për programin bërthamor të Iranit dhe përfshirjen e inspektorëve amerikanë dhe të International Atomic Energy Agency në procesin e monitorimit.

    Megjithëse të dyja palët e kanë paraqitur marrëveshjen si një hap drejt uljes së tensioneve dhe forcimit të stabilitetit, zyrtarët iranianë kanë shprehur rezervat e tyre, duke kujtuar se marrëveshje të mëparshme, sipas tyre, nuk janë zbatuar në tërësi.

  • BSPK: Vapa po rrezikon punëtorët e ndërtimtarisë, 53 inspektorë nuk mjaftojnë

    BSPK: Vapa po rrezikon punëtorët e ndërtimtarisë, 53 inspektorë nuk mjaftojnë

    Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka bërë thirrje për ndërmarrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e punëtorëve të ndërtimtarisë dhe punonjësve të sektorit publik gjatë valës aktuale të të nxehtit, duke paralajmëruar se temperaturat e larta po rrisin ndjeshëm rrezikun për aksidente dhe pasoja fatale në vendet e punës.

    Sipas BSPK-së, sektori i ndërtimit vazhdon të jetë sektori me numrin më të madh të aksidenteve dhe vdekjeve në punë në Kosovë. Të dhënat e Inspektoratit të Punës tregojnë se gjatë vitit 2025 janë identifikuar 602 raste lëndimesh në vendin e punës, ndërsa 33 për qind e tyre kanë ndodhur pikërisht në sektorin e ndërtimtarisë.

    Sindikata thekson se mbi 170 punëtorë kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës që nga viti 2018, ndërsa viti 2025 është shënuar si viti me numrin më të lartë të viktimave. Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti, tre punëtorë humbën jetën në kantiere ndërtimi, dy në Gjakovë dhe një në Pejë, gjatë periudhës kur temperaturat ishin jashtëzakonisht të larta.

    BSPK vlerëson se kapacitetet mbikëqyrëse të institucioneve janë të pamjaftueshme për të garantuar sigurinë në punë. Sipas saj, në të gjithë Kosovën operojnë vetëm 53 inspektorë pune, numër që konsiderohet i pamjaftueshëm për mbikëqyrjen e më shumë se 1.000 kantiereve aktive dhe mijëra vendeve të tjera të punës.

    Vetëm gjatë vitit 2024 janë lëshuar mbi 1.019 leje ndërtimi, ndërsa edhe vetë Kryeinspektori i Punës ka pranuar se numri aktual i inspektorëve nuk i përgjigjet nevojave reale të tregut të punës”, thuhet në njoftim.

    Sindikata rikujton se institucionet kanë vepruar edhe më herët në situata të ngjashme. Në korrik të vitit 2024, Ministria e Shëndetësisë kishte urdhëruar ndërprerjen e punës në sektorin e ndërtimtarisë nga ora 11:00 deri në 17:00, për shkak të temperaturave që kishin tejkaluar 36 gradë Celsius. BSPK kërkon që masa të ngjashme të zbatohen edhe këtë verë, duke përfshirë sigurimin e ujit të pijshëm, vendeve me hije, pushimeve të rregullta dhe ndërprerjen e punës gjatë orëve më të nxehta të ditës.

    Përveç sektorit privat, BSPK ngre shqetësime edhe për kushtet e punës në institucionet publike. Sipas sindikatës, janë pranuar ankesa nga punonjës të administratës publike dhe institucioneve shtetërore për mungesë ventilimi, sisteme klimatizimi jofunksionale ose të pamjaftueshme dhe ambiente të papërshtatshme pune gjatë temperaturave të larta.

    E drejta për kushte të sigurta dhe të shëndetshme pune duhet të garantohet në çdo vend pune, përfshirë institucionet publike”, thuhet në reagimin e BSPK-së.
    Në fund, sindikata u ka bërë thirrje Inspektoratit të Punës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të intensifikojnë kontrollet dhe monitorimin e zbatimit të masave mbrojtëse në të gjitha vendet e punës.

    BSPK ka ftuar gjithashtu punëtorët që ndihen të rrezikuar nga kushtet e punës të kontaktojnë sindikatën për mbështetje dhe raportim të rasteve.

    Siguria dhe shëndeti në punë nuk duhet të bëhen temë vetëm pasi të ndodhë tragjedia. Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe dinjitetit të punëtorëve duhet të jetë prioritet i përhershëm i institucioneve dhe punëdhënësve”, thuhet në reagim.

  • Irani ankohet për trajtimin në SHBA, Ghalenoei: Po përballemi me kushte të papranueshme

    Irani ankohet për trajtimin në SHBA, Ghalenoei: Po përballemi me kushte të papranueshme

    Trajneri i Kombëtares së Iranit, Amir Ghalenoei, ka shprehur pakënaqësi të madhe ndaj organizimit të ekipit të tij gjatë Kupës së Botës, duke zbuluar se skuadra u detyrua të largohej menjëherë nga Shtetet e Bashkuara dhe të kthehej në kampin stërvitor në Tijuana të Meksikës, vetëm pak orë pas barazimit 2-2 ndaj Zelandës së Re në Inglewood.

    Sipas Ghalenoeit, ekipi kishte planifikuar të qëndronte gjatë natës në Kaliforni për të kryer procesin e zakonshëm të rikuperimit pas ndeshjes së parë të turneut. Megjithatë, menjëherë pas përfundimit të takimit, lojtarët u njoftuan se duhej të niseshin pa vonesë drejt Meksikës.

    “Ata nuk na lanë as kohë për rikuperim. Pas ndeshjes na thanë se duhet të largoheshim menjëherë. Për ne është jetike që lojtarët të kenë kohë të rikuperohen, por në vend të kësaj po detyrohemi të udhëtojmë drejt kampit tonë në Tijuana. Kjo është shumë shqetësuese”, deklaroi trajneri iranian.

    Kombëtarja iraniane po kalon një periudhë të vështirë që nga tensionet e fundit mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit. Pavarësisht kërkesës së Federatës Iraniane që ndeshjet e grupit të zhvendoseshin jashtë territorit amerikan, FIFA e refuzoi këtë kërkesë dhe Irani vendosi të marrë pjesë normalisht në turne.

    Edhe kapiteni Mehdi Taremi kritikoi kushtet me të cilat është përballur skuadra. Ai zbuloi se ekipi kaloi rreth pesë orë në udhëtim dhe kontrolle sigurie për të përshkuar distancën mes Tijuanës dhe zonës së Los Angelesit, një rrugë që zakonisht kërkon shumë më pak kohë.

    Përveç kësaj, Taremi dhe Ghalenoei ngritën shqetësime edhe për mungesën e disa anëtarëve të rëndësishëm të delegacionit iranian, përfshirë presidentin e Federatës, pjesë të stafit teknik dhe zyrtarë të medias, të cilëve autoritetet amerikane nuk u kanë dhënë viza hyrëse.

    “Besoj se FIFA duhet të bëjë më shumë për ne. Situata që po përjetojmë është pothuajse katastrofike”, u shpreh Taremi.

    Në aspektin sportiv, Irani arriti të shmangte humbjen në ndeshjen hapëse ndaj Zelandës së Re. Elijah Just i dha dy herë epërsinë skuadrës oqeanike, duke shënuar në fillim të secilës pjesë, por iranianët reaguan përmes Ramin Rezaeian dhe Mohammad Mohebi, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 2-2 në minutën e 64-të.

    Pas raundit të parë, situata në grup mbetet plotësisht e hapur, me Iranin që do të përballet me Belgjikën në Inglewood dhe më pas me Egjiptin në Seattle. Të katër kombëtaret e grupit kanë nga një pikë secila pas ndeshjeve të para.

  • Pse klima në veturë lëshon aromë të keqe në disa raste? Mos e bëni këtë gabim!

    Pse klima në veturë lëshon aromë të keqe në disa raste? Mos e bëni këtë gabim!

    Temperaturat e verës i kanë detyruar përsëri shoferët të përdorin kondicionerin sapo ulen në veturë.

    Por a e keni vënë re se ndonjëherë nga ventilimi vjen një erë e pakëndshme dhe e mykur, veçanërisht pasi makina ka qëndruar në diell për një kohë?

    Sipas teknikëve të shërbimit, problemi shpesh nuk qëndron te vetë pajisja, por te zakonet e shoferit. Konkretisht, kur kondicioneri është në punë, krijohet lagështi në avullues. Kur makina është e fikur, kjo lagështi mbetet e bllokuar në sistemin e ventilimit dhe me kalimin e kohës mund të bëhet një mjedis ideal për rritjen e baktereve dhe mykut.

    Kjo është arsyeja pse ekspertët rekomandojnë një zakon të thjeshtë që nuk kushton asgjë. Një ose dy minuta para se të arrini në destinacionin tuaj, fikni butonin e ajrit të kondicionuar, por lëreni ventilatorin të ndezur. Rrjedha e ajrit do të ndihmojë në tharjen e pjesës së brendshme të sistemit dhe në uljen e grumbullimit të lagështirës.

    Edhe pse tingëllon banale, lagështia është shkaku më i zakonshëm i aromave të pakëndshme që shumë njerëz gabimisht e shoqërojnë me dështimin e kondicionerit.

    Në realitet, shpesh është një sistem i tharë në mënyrë të pamjaftueshme që mbledh papastërti dhe mikroorganizma për muaj të tërë.

    Sigurisht, edhe zakonet më të mira nuk do të ndihmojnë nëse neglizhohet mirëmbajtja e rregullt. Filtri i kabinës duhet të ndërrohet sipas rekomandimeve të prodhuesit, dhe madje edhe më herët nëse makina përdoret shpesh në trafikun e qytetit, në kushte me pluhur ose gjatë sezonit të polenit.

    Nëse kondicioneri juaj ende mban erë të keqe pasi ta keni zëvendësuar filtrin, është koha ta pastroni dhe dezinfektoni plotësisht sistemin. Kjo është një procedurë e lirë që mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e ajrit në kabinë.

    Katër këshilla për një “klimë më të shëndetshme” në makinë

    . Fikeni kondicionerin para përfundimit të udhëtimit me makinë

    Lëreni ventilatorin të punojë për një minutë tjetër për të tharë lagështinë në sistem.

    Mos e vononi zëvendësimin e filtrit të kabinës
    Mos e aktivizoni kondicionerin në maksimum sapo të hipni në një makinë të nxehtë.
    Së pari, hapni dritaret shkurtimisht për të nxjerrë ajrin më të ngrohtë.

    Përgjigjuni shenjave të para të aromave të pakëndshme.