ATV

Blog

  • Qeveria i kundërpërgjigjet BE-së: Raportin për Banjskën e kemi dorëzuar qysh në vitin e kaluar

    Qeveria i kundërpërgjigjet BE-së: Raportin për Banjskën e kemi dorëzuar qysh në vitin e kaluar

    Qeveria e Kosovës ka dërguar një raport 48-faqësh në Bashkimin Evropian dhe secilin shtet anëtar të saj qysh në vitin e kaluar në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë.

    Kështu i është kundërpërgjigjur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Pjeter Stano, për deklaratën e dhënë se Kosova ende nuk i ka dorëzuar raport BE-së për sulmin në Banjskë.

    “Si Qeveri e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave tona, kemi përpiluar një raport 48-faqësh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin ia kemi dorëzuar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtarë qysh vitin e kaluar. Këtë informacion besoj që zëdhënësi Stano duhet ta ketë”, ka deklaruar Kryeziu.

    Kryeziu ka thënë se nëse është fjala për raport që duhet të përgatitet nga prokuroria, për këtë duhet të kërkohet përgjigje nga ky institucion, pasi sipas tij është shqetësuese që 9 muaj pas sulmit në Banjskë ende nuk ka aktakuzë të ngritur nga ky institucion.

    “Nëse ai në deklaratat e tij të vazhdueshme e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkojmë përgjigje nga vetë ky institucion. Për ne, mbetet tejet shqetësuese dhe e pakuptimtë që edhe pas 9 muajve, në njërën anë nuk ka aktakuzë nga prokuroria e vendit për Millan Radoiçiq dhe në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë, përkundër fakteve që dëshmojnë përfshirjen e saj në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023. Rikujtojmë që Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë dhe rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon”, ka vijuar ai.

    Ndryshe, sot zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se Kosova ende nuk e ka dorëzuar një raport të plotë hetimi në lidhje me sulmin në Banjskë të Zveçanit.

    Teksa u pyet nga gazetarët në lidhje me sanksionimin e Serbisë në lidhje me këtë sulm, ai ka thënë se kjo nuk mund të bëhet pa pasur rezultatet e plota të hetimit.

    “Në lidhje me hetimin ( për Banjskën). Fillimisht, hetimi duhet të bëhet nga autoritetet kosovare. Nëse po i referoheni incidentit në Banjskë, të 24 shtatorit, kjo është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetimin dhe ofrimin e një raporti të plotë hetimi. Kjo nuk ka ndodhur ende, kështu që nuk mund të vazhdojmë pa pasur rezultatet e hetimit”, ka thënë Stano.

    Ai ka thënë se ky raport ndonëse është përfunduar apo jo, ende nuk u është dorëzuar atyre.

    BE-ja thotë se Kosova ende nuk dorëzoi një raport për sulmin terrorist në Banjskë

  • ​Kushtetuesja merr vendim në lidhje me shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së

    ​Kushtetuesja merr vendim në lidhje me shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së

    Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim lidhur me kërkesën e deputetëve të LDK’së për vlerësim të kushtetueshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurorimit, Kimete Gashi. Shkarkimi i Gashit ishte bërë më 13 korrik të vitit të kaluar, me propozim të Qeverisë së Kosovës, lidhur me tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.

    Kushtetuesja ka gjetur se vendimi nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

    “Në rastin KO157/23, Gjykata ka vendosur, njëzëri, që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që Vendimi [nr.08-V-583] i 13 korrikut 2023 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafin 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës. Aktgjykimi i Gjykatës fillimisht sqaron që, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së përmes Vendimit të kontestuar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 13 korrikut 2023. Siç sqarohet në Aktgjykim, shkarkimit të anëtares së Bordit të OSHP-së, i kishte paraprirë Vendimi [PSH. 397/409/22] i Bordit të OSHP-së i 11 tetorit 2022, përmes të cilit ishte anuluar njoftimi i Autoritetit Kontraktues, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë, për anulimin e aktivitetit të prokurimit me titull “Furnizimi me Insulina Analoge nga Lista Esenciale Lot 1 dhe Lot 3””, thuhet në njoftim.

    Tutje, në njoftim thuhet se “Një precedent i tillë, bazuar në të cilin anëtarët e OSHP-së do të mund të shkarkoheshin për vendimmarrjen e tyre, do të cenonte thellë pavarësinë funksionale të OSHP-së dhe vet qëllimin e ekzistencës së saj, sipas përcaktimeve të ligjeve të aplikueshme”.

    Ndryshe, në Komisionin për Buxhet nuk kishte kaluar rekomandimi që Kimete Gashi të shkarkohet nga pozita e anëtares së bordit të OSHP-së. Më 10 maj 2023, Qeveria e Kosovës i kishte propozuar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Gashit për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina. Kuvendi e kishte shkarkuar Gashin në seancën e 13 korrikut, me 58 vota pro.

  • ​Euro 2024: Ylli i Italisë humbet përballjen me Zvicrën

    ​Euro 2024: Ylli i Italisë humbet përballjen me Zvicrën

    talia e Luciano Spallettit do të duhet të bëjë pa Riccardo Calafiori për ndeshjen e tyre në raundin e 16-të të Kampionatit Evropian Euro 2024 kundër Zvicrës.

    Qendërmbrojtësi 22-vjeçar i Bolongës është shfaqur shpejt në skenën evropiane si një nga mbrojtësit e shquar në turne, duke impresionuar me cilësitë e tij mbrojtëse dhe besimin duke ecur përpara me topin. Ai dha asistimin për golin e fundit të Mattia Zaccagnit kundër Kroacisë, raporton KP.

    Calafiori shkëlqeu nën Thiago Mottan në Bologna këtë sezon dhe pritet gjerësisht të largohet nga klubi në një transferim të profilit të lartë këtë verë, me Juventusin seriozisht të interesuar për një lëvizje. Ai ka një çmim të vlerësuar prej rreth 40-50 milionë euro dhe gjithashtu ka tërhequr vëmendjen nga jashtë Italisë.

    Italia nuk do të jetë në gjendje të llogarisë te Calafiori për ndeshjen e ardhshme të raundit të 16-të kundër Zvicrës në Kampionatin Evropian, pasi ai mori karton në fitoren ndaj Shqipërisë dhe në barazimin me Kroacinë, duke i dhënë atij një pezullim me një ndeshje.

    Spalletti do të duhet të mbështetet në një nga opsionet rezervë në stol, si Alessandro Buongiorno i Torinos, Federico Gatti i Juventusit ose Gianluca Mancini i Romës.

  • Kurti uron Mickoskin për pozitën e re: Nga rruga Prizren-Tetovë deri te mbrojtja e siguria, mezi pres të punoj me ju

    Kurti uron Mickoskin për pozitën e re: Nga rruga Prizren-Tetovë deri te mbrojtja e siguria, mezi pres të punoj me ju

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka uruar homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoskin për marrjen e pozitës së re.

    Kurti tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vetëm fqinjë, por aleatë dhe partnerë të ngushtë me orientim drejt NATO-s, integrim në BE dhe bashkëpunim rajonal.

    “Nga rruga Prizren-Tetovë deri te mbrojtja dhe siguria, pres me padurim të punoj me ju për të përmirësuar edhe më tej marrëdhëniet tona tashmë të forta dypalëshe”, shkroi Kurti.

  • ​Kapiteni i Real Madridit largohet nga klubi pas 23 vitesh

    ​Kapiteni i Real Madridit largohet nga klubi pas 23 vitesh

    Mbrojtësi dhe kapiteni i Real Madridit, Nacho po largohet pas një qëndrimi 23-vjeçar në “Santiago Bernabeu”, dhe këtë gjë e konfirmoi vetë gjiganti i La Ligas.

    Nacho ka fituar gjashtë tituj të Ligës së Kampionëve me Madridin që kur iu bashkua akademisë së të rinjve në vitin 2001, si dhe katër tituj në La Liga dhe dy Kupa të Mbretit, raporton KosovaPress.

    “Real Madridi njofton se kapiteni ynë Nacho ka vendosur të përfundojë karrierën e tij si lojtar i Real Madridit”, thuhet në një deklaratë të klubit spanjoll.

    “Real Madridi dëshiron të shpreh mirënjohjen dhe dashurinë e tij për Nacho, një nga legjendat e mëdha të klubit tonë. Nacho e mbyll karrierën e tij në Real Madrid si kapiteni që ngriti të 15-ën (trofeun e Ligës së Kampionëve) në Wembley, si një nga pesë lojtarët që kanë fituar gjashtë Kupa Evropiane në historinë e futbollit dhe me numrin më të madh të titujve në histori të klubit tonë”, shkroi më tej në komunikatën e Realit.

    Nacho është lidhur me një transferim te skuadra e Ligës Pro Saudite, Al-Qadsiah.

    “Që kur erdhi në akademinë tonë të rinjve si fëmijë, Nacho ka qenë gjithmonë një shembull përmirësimi për të gjithë dhe ai ka marrë dashurinë, njohjen dhe admirimin e të gjithë madridistëve”, tha presidenti i Realit, Florentino Perez.

    “Real Madridi është dhe do të jetë gjithmonë shtëpia e tij”.

  • ​Euro 2024: Formacionet e mundshme të Anglisë e Sllovenisë

    ​Euro 2024: Formacionet e mundshme të Anglisë e Sllovenisë

    Kombëtarja e Anglisë do të synojë që të evitojë sonte befasinë dhe të sigurojë biletën drejt raundit të 16-të të Kampionatit Evropian Euro 2024.

    Me fillim nga ora 21:00 stadiumi “RheinEnergieStadion” i Kolnit do të jetë nikoqir i ndeshjes mes Anglisë dhe Sllovenisë, raporton KosovaPress.

    Përballja e sotme i takon Grupit C të Euro 2024. Anglia zë pozitën e parë me katër pikë pas fitores ndaj Anglisë dhe barazimit me Danimarkën, krahas Sllovenisë që renditet në pozitën e tretë me dy pikë pas barazimeve me Serbinë dhe Danimarkën.

    Takimi i fundit mes Anglisë dhe Sllovenisë daton në muajin tetor të vitit 2017, ku asokohe “Tre Luanët” fituan minimalisht 1:0.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, Luke Shaw nuk do të paraqitet te Anglia, kurse Sllovenia ka të gjithë lojtarët e gatshëm.

    Formacionet e mundshme i gjeni më poshtë.

    Anglia (4-2-3-1): Pickford; Walker, Stones, Guehi, Trippier; Gallagher, Rice; Saka, Bellingham, Foden; Kane

    Sllovenia (4-4-2): Oblak; Karnicnik, Brekalo, Bijol, Janza; Mlakar, Elsnik, Cerin, Stojanovic; Sporar, Sesko

  • ​Fillojnë zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës në BE

    ​Fillojnë zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës në BE

    Në Luksemburg nisën zyrtarisht negociatat për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë në Bashkimin Evropian.

    Këtë e ka bërë të ditur presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në X, transmeton Ukrinform.

    “Urime Moldavisë dhe Ukrainës për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Ky është një lajm shumë i mirë për popullin e Ukrainës, Moldavisë dhe të gjithë Bashkimit Evropian. Rruga përpara do të jetë sfiduese, por plot mundësi. Ju uroj një fillim të suksesshëm të negociatave!” tha ajo.

    Më 21 qershor, Këshilli i BE-së miratoi kornizën negociuese për Ukrainën dhe Moldavinë, e cila hapi rrugën për nisjen e negociatave në Luksemburg më 25 qershor.

  • ​Liridon Leci përshëndetet me Flamurtarin

    ​Liridon Leci përshëndetet me Flamurtarin

    Liridon Leci përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar për largimin nga pozita e trajnerit të KF Flamurtarit.

    Leci largohet nga kuqezinjtë e Prishtinës pas një periudhe dy vjeçare e gjysmë me klubin, raporton KosovaPress.

    “Dua t’ju njoftoj që nga sot nuk jam pjesë e KF Flamurtarit. Dua të falënderoj drejtuesit e klubit, presidentin, drejtorin dhe në veçanti futbollistët për periudhën dy vjet e gjysmë që kaluam bashkë.

    Flamurtari ishte aventurë e mirë për mua si trajner i ri, andaj i uroj shumë suksese këtij klubi në të ardhmen”, shkroi Leci në “Facebook”.

  • Një ditë para takimit me Kurtin, Vuçiq i flet eurokomisioneres Johansson për dialogun

    Një ditë para takimit me Kurtin, Vuçiq i flet eurokomisioneres Johansson për dialogun

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi që pati me Komisioneren Evropiane për Punë të Brendshme, Ylva Johansson ka folur për dialogun me Kosovën.

    “Një bisedë e mirë me komisioneren e BE-së Ilva Johansson për bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, çështjet e migrimit të paligjshëm, harmonizimin e regjimit të vizave, vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe çështje të tjera të rëndësishme”.

    “Serbia është plotësisht e përkushtuar për dialogun me Prishtinën, por se para së gjithash është e nevojshme të sigurohet siguria e popullatës serbe dhe të zbatohen të gjitha obligimet nga marrëveshjet e arritura deri më tani pa vonesa të mëtejshme”, shkroi ai në Instagram ku edhe dha detaje për takimin.

    Vuçiq ka theksuar se Serbia është e përkushtuar për bashkëpunim në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë me BE-në “në masën që nuk do të rrezikojmë interesat tona jetike kombëtare, politike dhe ekonomike”, shkroi ai në Instagram.

  • Suedia i bashkohet stërvitjeve të NATO-s si anëtare e plotë për herë të parë

    Suedia i bashkohet stërvitjeve të NATO-s si anëtare e plotë për herë të parë

    Përafërsisht 9,000 trupa nga 20 vende të NATO-s kanë kryer stërvitje ushtarake në qershor në rajonin e Detit Baltik, një zonë me rëndësi strategjike të shtuar pas pushtimit rus të Ukrainës.

    Stërvitjet e këtij viti Baltops janë “të veçanta” pasi Suedia, tani një anëtare e plotë e NATO-s, iu bashkua stërvitjeve për herë të parë që nga hyrja e saj e fundit në aleancë, shkruajnë mediat e huaja.

    Stërvitjet, të cilat zgjasin deri të enjten, përfshijnë operacione stërvitore gjithëpërfshirëse duke përfshirë spastrim të minave detare, zbulimin e nëndetëseve, si dhe përgjigjen mjekësore ndaj skenarëve të mundshëm të viktimave masive.

    Dhe siç thuhet më tej, synimi kryesor është rritja e ndërveprimit të forcave të NATO-s dhe demonstrimi i përkushtimit të aleancës për sigurinë e përbashkët.

    Forcat Goditëse dhe Mbështetëse Detare të NATO-s, së bashku me Flotën e 6-të të Marinës së SHBA-së, po organizojnë stërvitjet, të cilat përfshijnë rreth 50 anije të marinës dhe 45 avionë dhe helikopterë.

    Këto stërvitje po mbahen në të gjithë Detin Baltik, si dhe në ishullin strategjik Gotland në Suedi dhe në Lituani, Poloni dhe Gjermani.

    Rëndësia e rajonit Baltik është rritur për shkak të tubacioneve të mëdha të gazit që kalojnë nëpër shtratin e detit nga Rusia dhe Norvegjia në Gjermani, Poloni dhe vende të tjera evropiane, përcjell Telegrafi.

    Zona është bërë gjithnjë e më e ndjeshme që nga rritja e aktiviteteve armiqësore të Rusisë pas fillimit të agresionit mbi Ukrainë në vitin 2022.