ATV

Blog

  • Nëse pini qumësht çdo ditë, mësoni si ndikon në organizmin tuaj

    Nëse pini qumësht çdo ditë, mësoni si ndikon në organizmin tuaj

    Produktet e bulmetit duhen shmangur ose nuk duhet tepruar me konsumin e tyre sepse kanë tendencën të shkaktojnë probleme me tretjen, mbipeshën e të tjerë.

    Pikëpyetjet janë të shumta, sidomos për ndikimin që pirja çdo ditë e qumështit tradicional ka në organizëm.

    Qumështi ndihmon për rënien në peshë

    Pirja çdo ditë e qumështit ndihmon në rënien në peshë, sidomos tek femrat. Ai përmban pak kalori dhe shumë ushqyes. Megjithatë, përpos rënies në peshë, femrat nuk mund të shmangin dot fryrjen në stomak që shkakton qumështi.

    Qumështi është burim i mirë proteinash

    Në çdo 30 ml të qumështit të lopës gjendet 1 gramë proteinë e cilësisë së lartë dhe e pasur me amino acide. Kjo proteinë frenon nepsin dhe ju mban të ngopur për shumë kohë. Alternativat bimore të qumështit përmbajnë më pak proteinë, ndaj janë më pak të shëndetshme, raporton AgroWeb.

    Masa muskulore

    Qumështi ndihmon në ruajtjen e masës muskulore për shkak të amino acideve që ai përmban. Për më tepër, proteina shtazore nga qumështi i lopës përthithet më lehtë nga trupi dhe forcon muskujt.

    Burim kalciumi

    Qumështi është i pasur me vitamina dhe minerale, veçanërisht kalcium dhe vitaminë D. Kalciumi gjendet lehtë edhe tek barishtet, por ju duhet të hani dhjetë racione me spinaq për të përfituar të njëjtën sasi kalciumi që gjendet në një gotë me qumësht lope.

    Qumështi kundër plakjes

    Pirja e qumështit çdo ditë ndihmon në parandalimin e osteoporozës tek gratë. Vitamina D që gjendet tek qumështi ndihmon në ruajtjen e shëndetit të kockave dhe masës muskulore me kalimin e moshës. Humbja e masës muskulore si pasojë e plakjes është më e madhe tek femrat se tek meshkujt.

    Qumështi ju mbron nga sëmundjet

    Përmbajtja e vitaminës A, K2 dhe acidet yndyrore tek qumështi dhe nënproduktet e tij ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve si diabeti dhe sëmundjet e zemrës.

    Qumështi shkakton akne

    Nga ana tjetër, qumështi shkakton inflamacion dhe pirja çdo ditë e tij nxit shfaqjen e akneve që eliminohen me shumë vështirësi.

    Qumështi shkakton fryrje dhe probleme me tretjen

    Stomaku e ka të vështirë të përpunojë këtë produkt bulmeti. Me kalimin e moshës, sistemi tretës dobësohet dhe qumështit shkakton fryrje të mëdha që zgjasin për gjithë ditën. Nga ana tjetër, qumështi i pasterizuar dhe i përpunuar përmban baktere (të mira e të këqija) që prishin ekuilibrat në mikrobiomën e stomakut. Kjo mund të shkaktojë probleme afatgjatë në sistemin tretës dhe në tru. Prandaj ekspertët rekomandojnë që krahas qumështit të konsumoni produkte të tjera më pak të përpunuara siç është kosi.

  • ​Ballkani luan sot në Ligën e Konferencës

    ​Ballkani luan sot në Ligën e Konferencës

    Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, do të vazhdojë rrugëtimin e tyre në garat evropiane duke u paraqitur në Ligën e Konferencës.

    Skuadra e trajneri Ilir Daja pasi u eliminua nga Liga e Kampionëve, sot do të ballafaqohet nga skuadra nga Malta, Hamrun, raporton KosovaPress.

    Ky ballafaqim do të zhvillohet sot me fillim nga ora 18:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

  • Cilat janë planet e Frank Ocean dhe Michael Uzowuru për të ardhmen?

    Cilat janë planet e Frank Ocean dhe Michael Uzowuru për të ardhmen?

    Për ”New York Times’’, producenti Michael Uzowuru, foli për marrëdhënien e tij me Frank Ocean.

    Uzowuru, i cili ka qenë i lidhur me grupin Odd Future që nga viti 2009, punoi në dy albumet e fundit të Frank Ocean, “Endless” dhe “Blonde”, dhe së fundmi ata kanë qëndruar në Miami duke krijuar muzikë të re së bashku.

    “Michael është një mik me të cilin flas shpesh për atë ku jam artistikisht”, u shpreh Ocean.  Uzowuru tha se është shumë mirënjohës për Frank Ocean si person, pra jasht muzikës.

    Frank Ocean nuk ka publikuar asnjë album që nga publikimi i “Endless” dhe “Blonde” në vitin 2016.

  • Jessie J flet hapur për sfidat me shëndetin mendor

    Jessie J flet hapur për sfidat me shëndetin mendor

    Jessie J ka njoftuar se tre muaj më parë u diagnostikua me çrregullim të hiperaktivitetit me deficit të vëmendjes (ADHD) dhe çrregullim obsesiv-kompulsiv (OCD). Në një postim në Instagram, këngëtarja shpjegoi se kjo situatë e ka bërë të rivlerësojë jetën e saj.

    Në postimin e saj, ajo tregoi se kishte pasur momente kur ndjehej sikur nuk mund të fliste për gjendjen e saj, por tani beson se është koha e duhur për ta bërë këtë.

    ADHD është një gjendje që ndikon në sjelljen e njerëzve, duke i bërë ata të duken të shqetësuar, të kenë probleme me përqendrimin dhe të veprojnë impulsivisht. OCD është një gjendje e shëndetit mendor ku një person përjeton mendime obsesive dhe realizon veprime kompulsive.

    Justin Timberlake dhe Adam Levine janë vetëm disa nga yjet e njohur që kanë ndarë publikisht përvojat e tyre me ADHD dhe OCD.

  • Përpjekja e Francës për ta eliminuar rrezikun nga IS-K gjatë Olimpiadës

    Përpjekja e Francës për ta eliminuar rrezikun nga IS-K gjatë Olimpiadës

    Gazetari taxhik, Temur Varki, është habitur kur e ka pranuar një thirrje prej policisë së Parisit, në fund të marsit, disa ditë pasi militantë prej vendlindjes së tij, të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), janë dyshuar se kanë kryer një masakër në Moskë.

    Dy zyrtarë e kanë marrë në pyetje për komunitetin e vogël të imigrantëve taxhikë në Francë.

    “Kë e njihni? Sa prej tyre? Ku?”, ka rikujtuar Varki ta kenë pyetur zyrtarët, dhe njëri prej tyre ka folur rusisht, gjuhë e përdorur shpesh në Azinë Qendrore, ku gjendet Taxhikistani.

    Varki, refugjat në Francë, i cili ka punuar për media të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë BBC-në, u ka thënë zyrtarëve policorë se njeh pak taxhikë në Francë dhe ata janë kryesisht disidentë.

    “Por, nuk e njoh asnjë xhihadist”, u ka thënë ai.

    Pak ditë para se të nisin Lojërat Olimpike Verore në Paris, më 26 korrik, shërbimet franceze të sigurisë janë duke bërë përpjekje të shumta për të siguruar informacione dhe për të thelluar lidhjet me taxhikët në Francë, sipas dhjetëra njerëzve të afërt me këto zhvillime, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

    Aty përfshihen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të inteligjencës, policë, diplomatë dhe migrantë të Azisë Qendrore, të cilët janë kontaktuar prej autoriteteve.

    Këto operacione vijnë pas dy sulmeve të mëdha të këtij viti, për të cilat autoritetet deklarojnë se janë kryer prej anëtarëve taxhikë të grupit Shteti Islamik i Korasanit (IS-K), degë e IS-it, që është emëruar sipas rajonit historik të Korasanit, e që përfshin pjesë të Iranit, Afganistanit dhe Azisë Qendrore.

    Sulmet me bomba në Iran, më 3 janar, kanë vrarë rreth 100 njerëz në një ceremoni përkujtimore për komandantin e vrarë iranian, Qassem Soleimani, derisa më 22 mars, në Moskë, sulmuesit kanë shtënë me armë në sallën e koncerteve Crocus, duke vrarë më shumë se 120 njerëz.

    Autoritetet franceze kanë thënë se tashmë kanë penguar kryerjen e një sulmi islamik në Olimpiadë, duke arrestuar në maj një çeçen, 18-vjeçar, të dyshuar për planifikim të një sulmi terrorist në emër të IS-it, në stadiumin e futbollit Saint-Etienne, në të cilin do të luajnë Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina.

    Duke marrë parasysh të kaluarën koloniale dhe rritjen e disponimit kundër myslimanëve, por edhe përfshirjen historike në luftërat në Lindje të Mesme dhe ato afrikane, Franca ka qenë shpesh shënjestër e sulmeve islamiste.

    Muajin e kaluar, shefi policor i Parisit, Laurent Nunez, ka thënë se “terrorizmi islamist është shqetësimi ynë kryesor” në Olimpiadë, ndonëse autoritetet kanë thënë se nuk kanë vërejtur kërcënime direkte kundër Lojërave.

    Taxhikistani, i prekur prej luftërave civile në vitet ’90, është vendi më i varfër në ish-republikat sovjetike.

    Ai varet prej remitencave të migrantëve, që jetojnë kryesisht në Rusi, dhe përbëjnë gati gjysmën e hyrave në ekonomi.

    Burrat e varfër dhe të izoluar të diasporës taxhike kanë dalë të jenë shënjestra atraktive për rekrutim prej anëtarëve të grupit IS-K, sipas shumë ekspertëve të sigurisë.

    Megjithatë, inteligjenca franceze ka pak asete të Azisë Qendrore, ka thënë një burim për Reutersin, prandaj vështirë depërton ne komunitetin e tyre.

    Sipas Asociacionit të Taxhikëve të Francës, në këtë vend janë rreth 30 familje taxhike.

    Ky burim i inteligjencës ka thënë se IS-K përbën kërcënim relativisht të ri, pasi të rekrutuarit që jetojnë jashtë vendit mund të radikalizojnë shtetasit e Azisë Qendrore në Francë, për të kryer sulme në tokën franceze.

    Si dëshmi, ky burim e ka përmendur rastin e një burri taxhik, që është arrestuar më 2022, për organizim të një sulmi në Strasburg. Ky burim ka thënë se ai person ka qenë duke vepruar sipas udhëzimeve të anëtarëve të grupit IS-K, jashtë shtetit.

    Një burim tjetër ka thënë se Franca ka identifikuar dhjetëra anëtarë të grupit IS-K në shumë shtete rreth Afganistanit, të cilët kanë prezencë të madhe online dhe tentojnë të bindin të rinjtë në shtetet evropiane, që janë të interesuar për t’iu bashkuar grupit, për të kryer sulme.

    Ata persona, më pas, lidhin të rekrutuarit me njëri-tjetrin, për t’u pajisur me dokumente të rreme dhe armë, dhe që ky proces mund të zgjasë disa javë.

    Ministria e Jashtme e Taxhikistanit, nuk ka pranuar të komentojë lidhur me këtë temë.

    Ceremoni komplekse

    Përveç Varkit, Reuters ka folur me dy taxhikë tjerë dhe një uzbek, që jeton në Francë, të cilat janë kontaktuar prej policisë dhe janë marrë në pyetje për komunitetet e tyre.

    Nadejda Atayeva, aktiviste uzbeke për të drejta të njeriut në qytetin veriperëndimor, Le Mans, ka thënë se ua ka dhënë zyrtarëve numrin kontaktues të Varkit, pasi është takuar me zyrtarët policorë në Paris.

    “Jam pyetur për kontakte të taxhikëve që u besoj. Më është thënë se kanë dashur të flasin me taxhikët për të marrë mendimin e tyre për zhvillimet në Moskë”, ka thënë ajo.

    Sebastien Peyrouse, akademik francez që i ka informuar agjencitë franceze dhe amerikane për natyrën e militantëve të Azisë Qendrore, ka thënë se Parisi mund të ketë qenë i ngadalshëm për të shmangur kërcënimin e mundshëm taxhik.

    “Franca është fokusuar më shumë te njerëzit e radikalizuar të Lindjes së Mesme, prej Algjerisë, veriut të Afrikës, sesa në ata të Azisë Qendrore”, ka thënë ai.

    “Mendoj që Franca është befasuar me atë që ka ndodhur në Moskë, dhe mund të jetë pak vonë”.

    Inteligjenca ruse, ndonëse ka informacione të detajuara për rrjetet e militantëve të Azisë Qendrore, ka dështuar që të parandalojë sulmin në sallën Crocus, ka thënë Edward Lemon, ekspert i Taxhikistanit, që ka kontakte të shpeshta me agjencitë perëndimore të spiunimit.

    Inteligjenca e këmbyer në mes të Rusisë dhe Francës për Shtetin Islamik, dhe grupet tjera ekstremiste, është zvogëluar dukshëm pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, ka thënë ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, në prill të këtij viti.

    Dy zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, që koordinojnë sigurinë e ekipit amerikan në Olimpiadë, i kanë thënë Reutersit se, kanë besim në përgatitjet e Francës.

    Pa hyrë në hollësi, ata kanë thënë se tentimet franceze për të krijuar lidhje të ngushta me popullatën taxhike, kanë reflektuar për një praktikë e zakonshme kundër terrorizmit, për të mësuar më shumë për figurat kërcënuese brenda komunitetit.

    “Secili do të kishte më shumë” informacione për kërcënimet prej Azisë Qendrore, ka thënë njëri prej tyre.

    Luftëtarë të ikur prej Sirisë

    Kërcënimi më i madh prej militantëve taxhikë në Evropë vjen prej dhjetëra burrave të radikalizuar që kanë luftuar në Siri dhe kanë depërtuar në kontinentin evropian prej Ukrainës, sipas Lemonit dhe dy ekspertëve tjerë për Azinë Qendrore.

    Vitin e kaluar, autoritetet gjermane kanë arrestuar gjashtë persona të Azisë Qendrore, për të cilët ka pasur dyshimet se kanë tentuar të krijojnë një organizatë terroriste.

    Këta persona, me shtetësi turkmene, taxhike dhe kirgize, kanë hyrë në Gjermani prej Ukrainës, pak pasi ka nisur pushtimi rus, më 2022, kanë thënë prokurorët.

    Ata tani janë në burg, në pritje të gjyqit.

    Lemon beson se në Evropë jetojnë mijëra taxhikë, kryesisht në Poloni dhe Gjermani.

    Shumica prej tyre janë refugjatë politikë, që janë shpërngulur një dekadë më parë, pasi presidenti taxhik, Emomali Rakhmon, ka shpallur dy lëvizjet opozitare – Grupi 24 dhe Partia Islamike e Rezistencës – si parti terroriste dhe ekstremiste.

    Rakhmon, aleat i Rusisë, e ka udhëhequr Taxhikistanin për 30 vjet.

    Varki, kritik i hapur i Rakhmonit, ka thënë se ka kërkuar azil në Francë më 2016, sepse ai e pëlqen shumë kulturën dhe letërsinë franceze.

    Ai ka thënë se nuk ka biseduar kurrë me autoritetet franceze të sigurisë në Francë, derisa ata e kanë kontaktuar në mars.

    Muhammadiqboli Sadriddin, një tjetër disident taxhik, që jeton në Francë, ka thënë se edhe ai është ftuar prej policisë.

    “Më kanë pyetur se çfarë di”, ka thënë Sadriddin.

    Ai ka thënë se ka dashur të ndihmojë, por nuk e ka njohur asnjë taxhik me ide radikale.

    Tre ekspertë i kanë thënë Reutersit që tentimet e Francës për të depërtuar te komuniteti taxhik mund të kenë efekt të kundërt.

    Një ish-spiun amerikan, ka thënë në kushte anonimiteti se, inteligjenca franceze është duke bërë punë të mirë, në përgjithësi.

    Mirëpo, ai beson që rritja e presionit ndaj taxhikëve për informacion, mund t’i stigmatizojë ata dhe t’i frikësojë që të identifikojnë ndonjë individ të rrezikshëm.

    Jean-Francois Ratelle, specialist për militantët islamikë në Universitetin e Otavës, është pajtuar.

    “Ky ndërtim i marrëdhënies me komunitetin do të duhej të kishte ndodhur vite më parë. Nëse mendësia është te luftimi i terrorizmit, receta është e dështuar”, ka thënë ai. /REL

  • Arsyeja pse Bleona Qereti ishte në Gjykatën Penale të Tiranës

    Arsyeja pse Bleona Qereti ishte në Gjykatën Penale të Tiranës

    Këngëtarja e njohur shqiptare, Bleona Qereti, është parë dje në ambientet e Gjykatës së Tiranës.

    Sipas shqiptarja.com, arsyeja është për një kallëzim të bërë ndaj një studio arkitekturore, me të cilën kishte pasur kontratë për arredimin e një apartment. Thuhet se Bleona Qereti ka dhënë një pjesë të lekëve por që nga studioja arkitekturore nuk janë kryer punimet, për këtë arsye çështja ka përfunduar në gjykatë.

    Bleona ka kohë që ka lënë vendlindjen për të ndjekur ëndrrën e saj në Hollyëood. Së fundmi, ajo ka shkëlqyer në një nga rolet e saj në filmin “Chief of Station,” me regji nga Jesse V. Johnson. Filmi trajton historinë e një ish-agjenti të FBI-së, jeta e të cilit tronditet nga vdekja tragjike dhe e papritur e bashkëshortes.

    Pavarësisht se është larguar nga Shqipëria, Bleona shpesh i rikujton publikut shqiptar se nuk ka harruar rrënjët e saj. Në “Chief of Station”, ajo shfaqet duke folur shqip.

    Në vitin 2018, Daily Mail e përmendi atë si një nga artistet më seksi gjatë festës së Oscars të Vanity Fair.

  • Serwer: Harrisit mund t’i duket Kosova si Tajvani e Ukraina

    Serwer: Harrisit mund t’i duket Kosova si Tajvani e Ukraina

    Analisti politik është shprehur se administrata e presidentit Biden ka paraqitur një politikë të qetë ndaj Serbisë, por sipas tij, kjo nuk ka pse të vazhdojë nga Harris.

    Eksperti amerikan për çështje të Ballkanit, Daniel Serwer, është shprehur se ardhja e mundshme e Kamala Harrisit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), do të mund të kishte ndikim edhe në politikën në Ballkan.

    Sipas tij, ajo është e ashpër ndaj Kinës, ashtu si presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump, por që është shprehur se “Kosova asaj mund t’i duket si Tajvani dhe Ukraina”, në aspektin e konflikteve territoriale.

    “Harris është gjithashtu e ashpër ndaj Kinës, si Bideni ashtu edhe Trumpi. Kosova mund t’i duket si Tajvani dhe Ukraina. Kjo do të thotë se ajo duhet të ushqehet dhe mbrohet nga pretendimet territoriale të një shteti që është shpërbërë. Ajo s’ka gjasa të ketë simpati ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo autonomisë së Republika Sërpskas. Dikush duhet ta këshillojë herët dhe shpesh se të dyja janë të këqija”, ka shkruar Serwer në blogun e tij në internet.

    Analisti politik është shprehur se administrata e presidentit Biden ka paraqitur një politikë të qetë ndaj Serbisë, por sipas tij, kjo nuk ka pse të vazhdojë nga Harris.

    “Presidenti Vuçiq e ka orientuar Beogradin drejt Lindjes, duke u rreshtuar me Kinën, Rusinë dhe autokracitë e tjera, përfshirë Azerbajxhanin dhe Hungarinë. Furnizimet serbe me armatim për Ukrainë vlejnë, por ka mundësi që rrjedhin për çështje ekonomike…”, ka thënë ai.

    Për luftën në Ukrainë, Serwer ka thënë se Harris do që Kievi të fitojë dhe Moska të humbasë, por “ajo nuk do të pajtohet lehtë për ndarjen e territorit”.

    “Ky qëndrim mund të bartet në Ballkan. Nuk do të doja të isha ai që do t’i thoshte një presidenteje grua, me ngjyrë, se njerëzit e etnive të ndryshme nuk mund të jetojnë së bashku”, ka shtuar Serwer, derisa “risi” e ka cilësuar marrjen e detyrës së zëvendësndihmës sekretarit për Ballkanin Perëndimor nga Alexander Kasanof.

  • ​Gërmoi me ekskavator pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës, arrestohet në Leposaviq

    ​Gërmoi me ekskavator pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës, arrestohet në Leposaviq

    Një person është në Leposaviq arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se i njëjti kishte gërmuar me ekskavator një sipërfaqe afër rrugës pa pasur pëlqimin nga institucionet e Kosovës.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në 20 korrik, ku nga i dyshuari është sekuestruar një ekskavator.

    Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

  • Vdes një person në Tërstenik të Drenasit, ra në kontakt me energjinë elektrike

    Vdes një person në Tërstenik të Drenasit, ra në kontakt me energjinë elektrike

    Një person ka humbur jetën tragjikisht të hënën pasdite në fshatin Tërstenik të Drenasit.

    Sipas DrenicaOnline viktima ka humbur jetën në kontakt me energjinē elektrike derisa po punonte në ujtje.

    Viktima është nga Vërboci, ndërsa ngjarja tragjike ka ndodhur në Tërstenik.

    Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po merret me rastin.

  • 91 aksidente vetëm dje në rrugët e Kosovës, dhjetëra të lënduar

    91 aksidente vetëm dje në rrugët e Kosovës, dhjetëra të lënduar

    Polica e Kosovës ka bërë bilancin ditor të kontrollove me qëllim mbarëvajtjen e qarkullimit rrugor dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave në rrugë.

    2 mijë e 213 gjoba janë shqiptuar vetëm gjatë të hënës.

    Ndërsa, Policia ka raportuar se kanë ndodhur 91 aksidente trafiku, ku 26 prej tyre ishin me të lënduar, ndërsa 65 vetëm me dëme materiale.

    Po ashtu të hënën policia ka arrestuar 21 persona, 14 janë dërguar në mbajtje dhe një në vuajtje të dënimit.