ATV

Blog

  • Presidentja Osmani dhe bashkëshorti i saj, ishin të ftuar sot në darkën e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik në Paris

    Presidentja Osmani dhe bashkëshorti i saj, ishin të ftuar sot në darkën e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik në Paris

    Krahas liderëve të shumtë botërorë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Paris për t’iu dhënë mbështetje 9 sportistët që po e përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

    Gjatë ditës së sotme, ajo së bashku me bashkëshortin e saj Prindonin, ishin të ftuar në darkën e shtruar nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar.

    “Miqësi, partneritet e diskutime për të ardhmen, siç është edhe fryma e Lojërave Olimpike”, ka shruar Osmani në facebook.

  • UNDP: Varfëria dhe punësia, problemet kryesore në Kosovë

    UNDP: Varfëria dhe punësia, problemet kryesore në Kosovë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Varfëria dhe papunësia janë dy problemet kryesore për qytetarët në Kosovë, vlerëson raporti “Pulsi Publik” i UNDP-së.

    Sipas këtij raporti, mbi 16 për qind e qytetarëve të anketuar, kanë këtë përshtypje.

    Shqetësues për qytetarët mbeten edhe çmimet në produkte esenciale, që raporti e vlerëson si problematikën e tretë më të madhe në Kosovë.

    “Tri çështjet kryesore të cilat janë identifikuar në raport, me të cilat përballen njerëzit, kanë qenë varfëria, papunësia dhe çmimet që duhet të paguhen për produkte esenciale”, tha përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros.

    Kësisoj edhe kënaqshmëria në ekonomi nuk është edhe aq e madhe.
    Vetëm 27 për qind e qytetarëve të pyetur janë të kënaqur me gjendjen ekonomike në vend.

    Problem tjetër, sipas qytetarëve, mbetet edhe korrupsioni. Por pavarësisht problemeve, qytetarëve iu është shtuar besimi në institucionet qendrore.

    Kënaqshmëria e qytetarëve me punën e Presidentes Vjosa Osmani, sipas rezultateve është 69 %. 58 për qind e të anketuarve i besojnë punës së kryeministrit, ndërkaq 64 për qind, apo rreth 6 për qind më shumë qytetarë vlerësojnë punën e kryekuvendarit Glauk Konjufca.

    “Kënaqshmëria e punës së kryeministrit është rritur krahasuar me anketën në nëntor, derisa shohim një rritje të lartë në vlerësim edhe ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca”, tha Alisa Hasani, menaxhere e projektit në UNDP.

    Njëkohësisht, qytetarët nuk është se besojnë shumë në punën e institucioneve të drejtësisë, meqë të kënaqur me sistemin janë vetëm 30 për qind e të anketuarve.

    Sidoqoftë, qytetarët në masë të madhe besojnë në siguri.

    Në anën tjetër, tri shqetësimet kryesore për serbët në Kosovë janë: varfëria, problemet e hapësirës urbane dhe marrëdhëniet ndëretnike.

    Ndonëse ndihen më të sigurt, kanë mendime të ndryshme rreth asaj nëse marrëveshja potenciale mes Kosovës e Serbisë, do ta ndryshonte në të mirë jetën e tyre.

  • Të hënën vendimi për Krivaqën, prokuroria kërkon burgim të përjetshëm

    Të hënën vendimi për Krivaqën, prokuroria kërkon burgim të përjetshëm

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    As rigjykimi nuk e ndryshoi dosjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për akuzat ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut në vrasjen e Marigona Osmanit.

    Në fjalën përfundimtare, Prokuroria kërkoi që të mos ketë ulje të dënimit për dy të akuzuarit, derisa deklarata e Krivaqës se lëndimet Marigona i mori nga rrëzimi në shkallë, u vlerësua absurde.

    Megjithatë, i akuzuari kryesor në këtë rast Dardan Krivaqa, duke thënë se Marigona ishte personi që e donte, përsëriti se vrasja e saj nuk që e qëllimshme.

    Në emër të të akuzuarit të dytë, Arbër Sejdiut, foli avokatja e tij. Ajo kritikoi prokurorinë duke thënë se ka mungesë provash që dëshmojnë se klienti i saj ishte i përfshirë në vrasjen e Marigonës.

    Por deklarimet e të akuzuarve i kundërshtoi avokati i familjes Osmani.

    E disa minuta për t’u deklaruar i pati edhe i dëmtuari, babai i Marigonës, Muhabi Osmani.

    Derisa të hënën e 29 korrikut do të shpallet vendimi për të akuzuarit Krivaqa e Sejdiu, ulje të dënimit kërkoi avokati mbrojtës i Krivaqës.

    Në procesin e parë gjyqësor, Gjykata Themelore në Ferizaj dënoi me burgim të përjetshëm Krivaqën dhe me 15 vjet burgim Arbër Sejdiun.

  • Nuk dihet për çka do ta shfrytëzojë Policia vilën e Radojçiqit

    Nuk dihet për çka do ta shfrytëzojë Policia vilën e Radojçiqit

    Përgatiti: Nora Luta

    Ndonëse nga muaji maj, Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës ka dhënë pëlqimin që pasuria e sekuestruar e Milan Radojicicit të mund të shfrytëzohet me qira, ende nuk dihet se kur dhe sa do të ketë Policia qasje në të.

    Të mërkurën, përveç vilës milionëshe buzë liqenit të Ujmanit, Qeveria hapi rrugë që edhe restoranti “Grey” e banesa e përgjegjësit kryesor për sulmin në Banjskë t’i kalojnë në shfrytëzim Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Por ky dikaster që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, ndonëse ka muaj që ka bërë një kërkesë të tillë, nuk ka treguar se për çfarë do të shfrytëzohen ato.

    Jozyrtarisht ATV-ja mëson se mundësitë janë të vogla që brenda vilës të vendosen zyrtarët policorë, por kryesisht do të mund të shfrytëzohet për logjistikë oborri i saj.

    Në Drejtorinë e Policisë në veri, ende nuk kanë asnjë informacion se për çfarë do të shfrytëzohet vila, e as pjesa tjetër e pasurisë së sekuestruar të Radojicicit.

    Në maj të këtij viti, Gjykata dha pëlqimin për dhënien me qira të aseteve të sekuestruara, pas plotfuqishmërisë së urdhrit ndalues përfundimtar.

    Agjencia për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, dhënien me qira e kishte vlerësuar si një ndër format më të duhura për administrimin e tyre deri në përfundim të procesit gjyqësor.

    Ndërkohë, Gjykata, urdhrat ndalues ia ka dërguar edhe Odës së Noterëve dhe Agjencisë Kadastrale, në mënyrë që të mos lejohet ndryshimi i pronësisë.

  • Minitria e Shëndetësisë ia dhuron një veturë komunës së Zubin Potokut

    Minitria e Shëndetësisë ia dhuron një veturë komunës së Zubin Potokut

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ende nuk dihet sa banorë i ka Zubin Potoku. Por ata të cilët jetojnë në fshatra të thella dhe nuk arrijnë dot në qendrën e mjekësisë familjare do të vizitohen me këtë veturë nga zyrtarët komunalë.

    Këtë Suzuki Vitara, që është i destinuar edhe për rrugë të paasfaltuara, komunës ia dhuroi Ministria e Shëndetësisë, udhëheqësi i së cilës paraprakisht zhvilloi një bisedë me kryetarin Izmir Zeqiri dhe ministrat e tjerë që i kishte marrë me vete.

    Ndërkohë, fare pranë komunës ndodhet Qendra e Mjekësisë Familjare që funksionon me sistem paralel. Por, se kur mund të vendoset nën sistemin e Kosovës, nuk e di as vetë Vitia.

    Pas nënshkrimit të marrëveshjes për veturën, tre ministra dhe kryetari vizituan bodrumin në të cilin planifikohet të funksionalizohet një ordinancë diagnostike.

  • Bashkimi Evropian: Nëse Serbia e dëshiron vërtet BE-në, ta zbatojë marrëveshjen!

    Bashkimi Evropian: Nëse Serbia e dëshiron vërtet BE-në, ta zbatojë marrëveshjen!

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “Marrëveshja është e vlefshme dhe ligjërisht obliguese, në tërësinë e saj”, është përgjigjja që Bashkimi Evropian i dha kryeministrit të Serbisë, Milos Vucevic, pas deklaratës se shteti i tij nuk e ka pranuar ujdinë e Brukselit dhe shtojcën Ohrit.

    Në këtë kontekst, në një përgjigje për ATV-në, BE-ja përmendi përfshirjen e zbatimit të marrëveshjes dhe shtojcës si obligim në Kapitullin 35 të negociatave të Serbisë për anëtarësim në bllokun evropian.

    “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është e vlefshme dhe ligjërisht obliguese në tërësinë e saj për të dyja, Kosovën dhe Serbinë. Zbatimi i saj është pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse evropiane, gjë që është konfirmuar nëpërmjet përfshirje në Kapitullin 35 të negociatave të Serbisë për anëtarësim. Nëse përparimi në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është vërtet interes strategjik i Serbisë, ne ftojmë përfaqësuesit e Serbisë që të përmbahen nga deklaratat që vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e Marrëveshjes, si dhe të nisin zbatimin e obligimeve të tyre… Marrëveshja me shtojcën e saj për zbatim u bënë ligjërisht obliguese nëpërmjet deklaratës së shkruar nga Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti më 18 Mars 2023. Këtë e kanë pranuar të dy, presidenti Vucic dhe kryeministri Kurti”, thuhet në reagimin e BE-së.

    Në një reagim, zëvendëskryeministri për Dialog, Besnik Bislimi, shkroi se Vucevic po pyet se “çfarë tjetër nevojitet për ta bindur BE-në që për Serbinë nuk ka marrëveshje bazike? Që pjesëmarrja e tyre në dialog është e rreme, vetëm sa për t’i shmangur sanksionet eventuale”.

    Qëndrimi i Vucevicit është në linjë me letrën që ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, ia dërgoi BE-së në Dhjetor të vitit të kaluar, në të cilën ajo vendos vija të kuqe në raport me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.

  • BE-ja përgjigjet pak deklarimeve të kryeministrit serb: Mos bëni deklarata që vënë në pikëpyetje marrëveshjet me Kosovën

    BE-ja përgjigjet pak deklarimeve të kryeministrit serb: Mos bëni deklarata që vënë në pikëpyetje marrëveshjet me Kosovën

    Bashkimi Evropian në një përgjigje me shkrim është deklaruar pasi kryeministri serb Millosh Vuçeviq deklaroi dje në Parlamentin e vendit të tij që “Republika e Serbisë nuk e ka pranuar marrëveshjen franko-gjermane.

    “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është e vlefshme dhe ligjërisht obliguese në tërësinë e saj për të dyja, Kosovën dhe Serbinë. Zbatimi i saj është pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse evropiane, e cila u konfirmua së fundmi përmes përfshirjes së saj në kapitullin 35 të negociatave të pranimit të Serbisë për anëtarësim ”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

    Po në atë përgjigje thuhet se “Nëse përparimi në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është vërtetë interes strategjik i Serbisë, ne ftojmë përfaqësuesit e Serbisë që të përmbahen nga deklaratat që vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e Marrëveshjes, si dhe të nisin zbatimin e obligimeve të tyre”.

  • Arrestohen një burrë dhe një grua në Prishtinë, dyshohet se mashtruan disa këmbimore

    Arrestohen një burrë dhe një grua në Prishtinë, dyshohet se mashtruan disa këmbimore

    Policia Rajonale në Prishtinë ka zhvilluar një aksion gjatë ditës së sotme që rezultoi me arrestimin e dy personave, të cilët dyshohen për veprën penale “Mashtrimi”.

    Gjatë operacionit policor janë sekuestruar edhe një shumë e parave, që dyshohet se janë përfituar në rastet kur të dyshuarit kanë mashtruar.

    Personat e dyshuar që ranë në prangat e Policisë janë një 47-vjeçar dhe një grua 28-vjeçare, të dy shtetas të Kolumbisë.

    “Personat e arrestuar dyshohet të kenë marrë nga ankuesit (punëtor të këmbimoreve) shuma të ndryshme parash duke i mashtruar (gjatë ri-numërimit kanë fshehur një shumë parash derisa kanë qenë duke i konvertuar).

    Mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimet mund të kenë ndodhur në vazhdimësi edhe jashtë rajonit të Prishtinës, si dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar.” – njoftoi Policia.

  • Holandezët dhe danezët do të furnizojnë më shumë tanke për Ukrainën

    Holandezët dhe danezët do të furnizojnë më shumë tanke për Ukrainën

    Holanda dhe Danimarka do të dorëzojnë 14 tanke të rinovuar Leopard 2 në Ukrainë, sipas një deklarate nga ministria holandeze e Mbrojtjes.

    Të dy vendet në prill të vitit të kaluar thanë se do të blinin tanket nga një palë e tretë dhe do t’i bënin gati për betejë në Ukrainë, shkruan Sky News.

    Tanket janë sjellë plotësisht në standardin e fushëbetejës nga prodhuesi gjerman i armëve Rheinmetall pas muajsh testimi.

    “Ato do të dorëzohen para fundit të verës”, tha ministria.

    “Tanket Leopard 2A4 mund të ndihmojnë Ukrainën të fitojë dorën e sipërme në fushën e betejës”, thuhej ndër të tjera një deklaratë.

  • Vrasja e Marigona Osmanit, të hënën shpallet aktgjykimi ndaj Krivaçës dhe Sejdiut

    Vrasja e Marigona Osmanit, të hënën shpallet aktgjykimi ndaj Krivaçës dhe Sejdiut

    Të hënën nga ora 11:00 do të vazhdojë seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale, kundër të pandehurit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

    Seanca e shpalljes së aktgjykimit do të jetë e hapur për publikun.

    Ndryshe, sot në fjalën përfundimtare në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i akuzuari Dardan Krivaça tha se tani e ndjera Marigona Osmani është personi që e ka dashur dhe se vrasja e saj nuk ka qenë e qëllimshme.

    “Është personi që e kam dashtë, nuk ka qenë e qëllimshme, nuk kam qenë në dijeni që do të shkaktoja kaq shumë lëndime që ajo të vdiste, unë kam dashtë me kriju familje me të. Edhe një herë, ju kërkoj falje familjarëve”, tha Krivaça.

    Në këtë seancë, u dha fjala përfundimtare nga të gjitha palët në procedurë.

    Kujtojmë se Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    18-vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça, në qytetin e Ferizajt.