ATV

Blog

  • YIHR: Serbia mohoi mbi 110 herë krimet e luftës – Përfshirë masakrën e Reçakut, Srebrenicën dhe rrethimin e Sarajevës

    YIHR: Serbia mohoi mbi 110 herë krimet e luftës – Përfshirë masakrën e Reçakut, Srebrenicën dhe rrethimin e Sarajevës

    Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd (YIHR) ka njoftuar se gjatë vitit 2025 ka identifikuar të paktën 110 raste, në të cilat autoritetet dhe institucionet në Serbi kanë mohuar krimet e luftës të kryera gjatë luftërave të viteve ’90.

    Sipas raportit të ri të titulluar“Gjendja e mohimit”, janë regjistruar të paktën 60 raste të lavdërimit të 10 personave të dënuar për krime lufte, si dhe të paktën 50 raste të formave të ndryshme të mohimit të krimeve.

    Raporti përfshin mohimin e krimeve në Reçak të Kosovës, mohimin e rrethimit të Sarajevës, ekzistencës së kampeve në Prijedor, por edhe të varrezave masive në Batajnicë pranë Beogradit, ku ishin varrosur trupat e viktimave nga Kosova.

    Gjenocidi në Srebrenicë, sipas YIHR-së, vazhdon të jetë krimi që mohohet më së shumti. Vetëm gjatë vitit 2025 janë dokumentuar të paktën 30 raste të mohimit të tij.

    Në raportin e katërt vjetor të organizatës thuhet se praktikat e mohimit dhe glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, përfshirë Ratko Mlladiqin, nuk janë të pranishme vetëm te përfaqësuesit e pushtetit, por edhe në disa media, parti politike, qarqe fetare dhe në një pjesë të komunitetit akademik.

    Autorët e raportit kanë veçuar disa ngjarje të vitit 2025, përfshirë varrimin e gjeneralit të pensionuar të ish-Ushtrisë së Jugosllavisë, Nebojsha Pavkoviq, në Rrugicën e Qytetarëve të Merituar në Beograd.

    Pavkoviq u varros me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, ndërsa YIHR e ka vlerësuar këtë si një precedent të rrezikshëm.

    Në raport përmenden edhe raste të pengimit të bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare të drejtësisë, kundërshtimi i vendimeve të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe emërimi i disa zyrtarëve publikë, të cilat sipas organizatës dëshmojnë për bllokadë institucionale në përballjen e Serbisë me të kaluarën e luftës.

    Drejtoresha e YIHR-së, Sofija Todoroviq, ka deklaruar se mohimi dhe relativizimi i krimeve të luftës janë shndërruar në një nga shtyllat kryesore të politikës në Serbi.

    Sipas saj, kjo përdoret si mjet për nxitjen e urrejtjes dhe si instrument nacionalist për shpërqendrimin e opinionit publik, duke krijuar ndarje të thella në shoqëri.

    Ajo ka theksuar se viti i kaluar tregoi qartë se qëllimi i mohimit dhe keqpërdorimit të së kaluarës së luftës është dobësimi i kapaciteteve demokratike të shoqërisë serbe.

  • Kërkesat e protestuesve në Shqipëri, Rama reagon me akuza: E lexoi zëdhënësi i interesave të Iranit

    Kërkesat e protestuesve në Shqipëri, Rama reagon me akuza: E lexoi zëdhënësi i interesave të Iranit

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka postuar momentin kur Dritan Goxhaj lexoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kërkesat e protestuesve drejtuar qeverisë së tij.

    Rama i qëndron narrativës se protesta është e nxitur nga shërbimet e Iranit.

    Përmes një videoje ku shfaqen postime të Goxhajt me pikëpamje pro Iranit, Rama shkruan:

    “Si thoshin derrat e knaqun migjenianë të segmentit “intelektual” të protestës, nuk ka lidhje Irani ëëë…. Mos harroni çfarë ju kam thënë qysh në fillim: Dy fitimtarë do dalin kur kësaj proteste t’i bien të tëra puplat fallco të flamingove, Partia Socialiste që do të bëhet më e fortë dhe qeverisja jonë që do të përmirësohet shumë ndjeshëm”, shkruan Rama në Facebook.

    Të hënën, grupi koordinues i protestës që po zhvillohet në Tiranë ka bërë publike një listë të detajuar kërkesash drejtuar qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime të thella kushtetuese.

    Në deklaratën e lexuar në emër të organizatorëve, theksohet se kërkesa kryesore është “dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit dhe qeverisë”, e shoqëruar me ngritjen e një qeverie tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

    Sipas tyre, paketa e kërkesave përfshin edhe ndryshime kushtetuese për barazi të shtetasve para ligjit, si dhe miratimin e tyre përmes referendumit popullor. Ndër propozimet përfshihet edhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë jetës së një individi.

    Organizatorët kanë kërkuar gjithashtu shfuqizimin ose anulimin e një sërë nismash ligjore, përfshirë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, paketën e njohur si “Paketa e Maleve”, si dhe kuadrin ligjor për investimet strategjike.

    Në kërkesat e tyre përfshihet edhe ideja për një “kontratë të re sociale” mes qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas tyre duhet të hartohet pas konsultimeve me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë të propozuar nga vetë protesta.

    Organizatorët theksojnë se kërkesat janë “legjitime dhe të panegociueshme”, duke deklaruar se protesta do të vijojë në mënyrë paqësore deri në përmbushjen e tyre.

    Protesta, sipas pjesëmarrësve, përfaqëson një lëvizje më të gjerë qytetare që kërkon ndryshim politik dhe institucional në vend.

    Disa prej protestuesve kanë ngritur shqetësime për situatën ekonomike dhe sociale, duke përmendur rroga të ulëta dhe çmime të larta, ndërsa kanë akuzuar qeverinë për një “agjendë shpopulluese”.

    Tubimi vjen në vijim të disa javëve protestash të njëpasnjëshme, ku është artikuluar vazhdimisht kërkesa për ndryshim të qeverisjes dhe dorëheqje të kryeministrit.

  • Ja sa është çmimi i naftës dhe benzinës për sot

    Ja sa është çmimi i naftës dhe benzinës për sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditura çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për ditën e martë.
    Sipas njoftimit, çmimi maksimal i naftës është caktuar në 1.38 euro për litër.

    Ndërkaq, benzina do të tregtohet me çmim maksimal prej 1.33 euro për litër, ndërsa gazi me 0.67 euro për litër, njësoj si një ditë më parë.

    Sipas ministrisë, këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Alarmi për mjet shpërthyes te Stacioni i Autobusëve del i rrejshëm, Policia: Nuk është gjetur asgjë e dyshimtë

    Alarmi për mjet shpërthyes te Stacioni i Autobusëve del i rrejshëm, Policia: Nuk është gjetur asgjë e dyshimtë

    Alarmi për mjet shpërthyes tek Stacioni i Autobusëve që pranoi sot Policia, ka dalë të jetë i rrejshëm.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

    Ahmeti tha se pas kontrolleve të kryera, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

    Hetuesit policer ndërkohë kanë nisur punën për zbardhjen e rrethanave.

    “Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë. Hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm”, ka deklaruar Ahmeti.

  • ​Pacolli kërkon hetim nga SPAK: Aeroporti i Vlorës u gjet i shkatërruar

    ​Pacolli kërkon hetim nga SPAK: Aeroporti i Vlorës u gjet i shkatërruar

    Biznesmeni dhe presidenti i kompanisë Mabco, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se firma e tij është rikthyer në kantierin e Aeroportit të Vlorës pas pesë javësh, duke pretenduar se objekti ishte sekuestruar në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme nga grupe që synonin përvetësimin e shoqërisë VIA, ku Mabco zotëron 98 për qind të aksioneve.

    Pacolli ka bërë të ditur se rikthimi në kantier është realizuar në zbatim të vendimeve të Asamblesë së Ortakëve, Gjykatës së Lartë, si dhe pas kërkesave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Kryeministrit të Shqipërisë.

    Sipas tij, gjatë inspektimit të terminalit dhe objekteve përcjellëse janë konstatuar dëmtime të shumta në pajisje dhe infrastrukturë, përfshirë monitorë informues, dyer automatike, panele, sinjalistikë, kuadro elektrike, gjeneratorë dhe pajisje të tjera të rëndësisë kritike. Po ashtu, është raportuar mungesa e veglave, materialeve dhe pajisjeve në pronësi të Mabco-s dhe nënkontraktorëve të saj.

    Pacolli i ka cilësuar këto veprime si akte vandalizmi dhe sulm ndaj një projekti strategjik kombëtar, duke theksuar se dëmet nuk prekin vetëm kompaninë, por edhe interesin publik, zhvillimin ekonomik dhe besimin e investitorëve.

    Ai u ka bërë thirrje organeve kompetente dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që të nisin hetime të plota për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave që çuan në dëmtimin e objektit.

    “Edhe një herë u bëjmë thirrje organeve kompetente dhe SPAK.ut që të fillojnë pa vonesë hetime të thella, serioze dhe të pandikuara nga askush. Autorët e këtyre veprimeve, organizatorët dhe nxitësit e tyre duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë ligjore për dëmet e shkaktuara. Publiku meriton të dijë jo vetëm kush i kreu këto akte, por edhe cili ishte SHKAKU dhe arsyeja e vërtetë e këtij vandalizmi të ushtruar për javë të tëra para syve të institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe ligjit”, ka thënë ai.

    Pacolli ka deklaruar se puna në Aeroportin e Vlorës do të vazhdojë deri në përfundimin e projektit.

  • PZAP refuzon kandidatët e PDK-së për rinumërim, Haxhiu e Kryeziu do t’i drejtohen Supremes

    PZAP refuzon kandidatët e PDK-së për rinumërim, Haxhiu e Kryeziu do t’i drejtohen Supremes

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar ankesat e kandidatëve për deputetë të PDK-së, Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut, lidhur me procesin e rinumërimit të votave. Sipas panelit, gabimet e evidentuara nuk i kanë dëmtuar kandidatët, ndërsa të dy kanë paralajmëruar ankimim në Gjykatën Supreme.

    Ankesën e dorëzoi, e pas tri ditësh e pranoi edhe epilogun e saj.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e hodhi poshtë si të pabazuar pretendimin e kandidatit të PDK-së për deputet, Qëndrim Kryeziu, se gjatë procesit të rinumërimit nuk i janë regjistruar të gjitha votat.

    Në ankesën e tij, Kryeziu argumentonte se rinumërimi i 185 kutive të votimit kishte zbuluar një diferencë prej rreth 600 votash në dëm të tij.

    Por vendimi i 22 qershorit i PZAP-së, tregon një pasqyrë tjetër.

    Sipas Panelit, gabimet e evidentuara gjatë numërimit fillestar, përkundrazi kanë rezultuar në favor të tij.

    Qëndrim Kryeziu, kandidat për deputet i PDK-së deklaroi se “Ne kemi qenë duke i shiku votat online në faqen e KQZ-së, ku me janë shtuar votat. Kam me qindra njerëz që më kanë votu dhe më shkruajnë se votat ku më kanë votu nuk janë dhe mi tregojnë me foto. Kështu unë kërkoj rinumërim të plotë të votave”.

    Ankesë në PZAP ka paraqitur edhe Bekim Haxhiu.

    Që të dy kandidatët pritet që t’i drejtohen Gjykatë Supreme.

    Qëndrim Kryeziu, kandidat për deputet i PDK-së tha se

    “Sipas PZAP-së, thuhet që është ndryshe, kinse këta mi kanë hek dy vota, po nuk është e vërtetë. Ne do t’i drejtohem Gjykatës Supreme, do ta shfrytëzojmë afatin 48 orësh dhe do ta qojmë këtë punë deri në fund”.

    Derisa ankesat shqyrtohen, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se mbetet në pritje të vendimeve përfundimtare të institucioneve kompetente.

    Vetëm pas përmbylljes së këtij procesi do të hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës./Tv Dukagjini/

  • Pas 23 ditësh protestë, organizatorët publikojnë 5 kërkesat kryesore

    Pas 23 ditësh protestë, organizatorët publikojnë 5 kërkesat kryesore

    Në ditën e 23-të të protestës, ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, deklaroi se ishte autorizuar nga grupi koordinues i protestës për të lexuar një deklaratë në emër të organizatorëve dhe protestuesve.

    Duke iu drejtuar të pranishmëve dhe qytetarëve që, sipas tij, e mbështesin protestën edhe nga larg, Goxhaj tha se grupi koordinues, pas dëgjimit të propozimeve të qytetarëve gjatë 22 ditëve të protestës, ka dalë me një deklaratë për të sqaruar qëllimet dhe kërkesat e lëvizjes.

    Deklaratë e qytetarit Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i UÇK-së

    “Përshëndetje bashkëkombas, bashkëqytetarë dhe bashkëprotestues. Për të gjithë ju, sot jam autorizuar nga grupi koordinues i protestës të lexoj një deklaratë në emër të tyre.

    Në emër të grupit koordinues të protestës, duke dëgjuar propozimet e sovranit për 22 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë për të sqaruar protestuesit, si gjithë bashkëkombasit tanë, qofshin ata të pranishëm fizikisht apo ata që na mbështesin me zemër dhe me mendje, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:

    1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.

    2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

    3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimi i saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi.

    4. Paralelisht, ne nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin e zonave të mbrojtura, anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimi i Paktit të Maleve, si dhe shfuqizimi i statusit të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

    5. Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.

    Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe vullneti i sovranit. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre. Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve.”

    Kështu e mbylli fjalën e tij Dritan Goxhaj.

  • Këto janë rekordet që pritët të thyhen në këtë Botëror

    Këto janë rekordet që pritët të thyhen në këtë Botëror

    Kupa e Botës 2026 tashmë e ka rishkruar historinë e futbollit.
    Lionel Messi, Kylian Mbappe, Harry Kane dhe Erling Haaland dolën të gjithë nga bllokimet duke shënuar golA në ndeshjet hapëse të kombeve të tyre përkatëse.

    Dhe ndërsa lojtarët më të mëdhenj të Kupës së Botës përgatiten të bëjnë paraqitjet e tyre të dyta në garën e parë me 48 ekipe, shumë rekorde duket se janë gati të thyhen.

    Nga Messi i Argjentinës dhe Cristiano Ronaldo i Portugalisë që zgjerojnë trashëgiminë e tyre në Kupën e Botës e deri te Mbappe që bëhet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Francës, BBC Sport hedh një vështrim në një listë të rekordeve kryesore që janë thyer tashmë ose që pritet të thyhen.

    Messi shkruan histori, bëhet golashënuesi më i mirë në Kupën e Botës
    Lionel Messi ka hyrë zyrtarisht në histori të futbollit botëror duke thyer rekordin e Miroslav Kloses për golat në Kupën e Botës. Pas tregolëshit në ndeshjen hapëse të Argjentinës, Messi ka arritur në 17 gola, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në turne.

    Kane barazon Lineker dhe vendos rekorde me Anglinë
    Harry Kane ka vazhduar formën e tij të lartë duke barazuar Gary Lineker si golashënuesi më i mirë i Anglisë në finalet e Kupës së Botës me 10 gola. Ai gjithashtu është bërë lojtari i dytë anglez që shënon në tre edicione të ndryshme të Botërorit, duke hyrë në histori të “Tre Luanëve”.

    Mbappe në garë për histori të dyfishtë me Këpucën e Artë
    Kylian Mbappe dhe Harry Kane mbeten në garë për t’u bërë lojtarët e parë që fitojnë dy herë “Këpucën e Artë” në Kupën e Botës. Mbappé e kishte fituar çmimin në 2022, ndërsa Kane në 2018, dhe të dy janë sërish ndër favoritët kryesorë.

    Ronaldo vendos rekorde të moshës dhe paraqitjeve
    Cristiano Ronaldo është bërë lojtari i parë që luan në gjashtë edicione të Kupës së Botës dhe gjithashtu lojtari më i vjetër që ka startuar një ndeshje në turne, në moshën 41 vjeç e 132 ditë.

    Haaland nis fuqishëm, afër rekordit norvegjez
    Erling Haaland ka shënuar shpejt në turne dhe është bërë golashënuesi më i mirë i Norvegjisë në historinë e Kupës së Botës, duke barazuar rekordin e Kjetil Rekdal. Ai pritet ta përmirësojë këtë shifër në ndeshjet e ardhshme.

    Rekorde në portë dhe te trajnerët
    Portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha, ka hyrë në histori si një nga më të vjetrit që debuton në Kupën e Botës dhe që mban portën e paprekur në debutim. Ndërkohë, trajneri i Francës, Didier Deschamps, është pranë rekordit për më shumë fitore në historinë e turneut.

    Kartonët e kuq nisin të rriten
    Në aspektin disiplinor, janë dhënë tashmë gjashtë kartonë të kuq në turne, ndërsa rekordi historik prej 28 mbetet ende larg, por mund të vihet në rrezik në vazhdim të garës.

    Kupa e Botës 2026 po dëshmon se është një turne ku historia ndryshon nga ndeshja në ndeshje, ndërsa rekordet e reja pritet të vazhdojnë të bien me ritëm të shpejtë.

  • Arrestohet në Ferizaj një person i kërkuar nga gjykata me 4 vite burgim

    Arrestohet në Ferizaj një person i kërkuar nga gjykata me 4 vite burgim

    Me datë 21.06.2026, Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH), në koordinim me njësitë policore dhe pas informatave operative të siguruara në terren, ka realizuar arrestimin e një personi të kërkuar nga gjykata.

    E. Sh. (28 vjeç), ishte në kërkim me urdhër-arrest aktiv për vuajtjen e dënimit me katër (4) vite burgim efektiv për veprën “Kontrabandimi me migrantë”.

    Ai është lokalizuar dhe arrestuar në zonën e qendrës tregtare “Village Shopping & Fun” në Ferizaj.

    Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, ku janë përfunduar procedurat e nevojshme policore, dhe më pas është dërguar në vuajtje të dënimit.

  • Alarm për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, policia evakuon zonën

    Alarm për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, policia evakuon zonën

    Një alarm për mjet të dyshuar shpërthyes është raportuar pasditen e së hënës në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

    Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se informata është pranuar rreth orës 18:00, ndërsa menjëherë janë ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë.

    “Sapo kemi pranuar informatën, policia ka reaguar duke siguruar zonën. Në një perimetër të caktuar janë evakuuar qytetarët, ndërsa njësitet përkatëse janë angazhuar për trajtimin dhe verifikimin e informatës”, ka deklaruar Ahmeti.

    Policia po vazhdon veprimet në terren, ndërsa ende nuk ka informacione shtesë lidhur me natyrën e mjetit të dyshuar.