ATV

Blog

  • Zyrtari i OKB-së takoi Kurtin e Konjufcën: Fokusi te procesi i dialogut Kosovë-Serbi

    Zyrtari i OKB-së takoi Kurtin e Konjufcën: Fokusi te procesi i dialogut Kosovë-Serbi

    Gjatë vizitës së tij të dytë në Kosovë brenda tre viteve, Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Operacionet e Paqes, Jean-Pierre Lacroix, së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm, Peter Due, zhvilluan të hënën takime konstruktive me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe, ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

    Sipas njoftimit të UNMIK-ut, gjatë diskutimeve u vlerësuan përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës dhe progresi i arritur, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit.

    Po ashtu u konfirmua mbështetja e zyrtarit të lartë të OKB-së për dialogun Kosovë-Serbi.

    “Gjatë diskutimeve u vlerësuan përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës dhe progresi i arritur, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit. Lacroix riafirmoi mbështetjen për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe theksoi angazhimin e vazhdueshëm të UNMIK-ut për forcimin e sundimit të ligjit, promovimin e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve”, thuhet në njoftim.

    Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së gjithashtu u takua me përfaqësues të komunitetit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare.

  • WhatsApp bëhet me shef të ri, e merr në dorë një indian

    WhatsApp bëhet me shef të ri, e merr në dorë një indian

    Mark Zuckerberg sapo ka njoftuar se Will Cathcart po largohet nga posti i kreut të WhatsApp pas 7 vitesh në krye të aplikacionit.

    Vendin e tij do ta zë një indian, Kunal Shah.

    “Will ka qenë një nga udhëheqësit më të rëndësishëm dhe efektivë të Metës, duke ndihmuar në sjelljen e ëhatsApp te mbi 3 miliardë njerëz dhe duke mbrojtur privatësinë për komunitetin tonë. Jam shumë mirënjohës për partneritetin dhe kontributet e tij gjatë këtyre viteve. Will po kalon në një rol të ri brenda Metës, ku do të ndërtojë produkte të reja nga themelet — jam i emocionuar që të vazhdoj të punojmë ngushtë së bashku.

    Kunal Shah do t’i bashkohet Metës si udhëheqësi i ardhshëm i WhatsApp. Kunal e shndërroi CRED në një nga kompanitë më të rëndësishme të teknologjisë në Indi dhe ai sjell llojin e mentalitetit të ndërtuesit dhe perspektivën globale që do t’i shërbejë mirë në drejtimin e aplikacionit më të madh të mesazheve në botë. Pres me padurim të punoj me Kunal për të vazhduar ta bëjmë WhatsApp shërbimin më të mirë për miliarda njerëz dhe miliona biznese” thuhet në njoftim.

  • Vala ekstreme e të nxehtit, 40 viktima deri më tani në Francë

    Vala ekstreme e të nxehtit, 40 viktima deri më tani në Francë

    Dyzet persona janë mbytur në Francë gjatë ditëve të fundit teksa përpiqeshin të freskoheshin për t’i shpëtuar vapës rekord, tha të martën kryeministri, ndërsa një valë të nxehti ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës.

    Duke folur përpara një mbledhjeje emergjente mbi valën e të nxehtit, kryeministri francez Sebastien Lecornu tha: “Një plagë e trishtueshme sa i përket mbytjeve, pasi të dhënat e fundit që sapo na janë raportuar tregojnë 40 viktima që nga 18 qershori, shumica prej tyre të rinj”, raportojnë mediat atje.

    Në mbarë Francën, njerëzit janë hedhur në kanale dhe lumenj për t’u freskuar. Ministrja franceze e Sportit, Marina Ferrari, tha se e kupton dëshirën për t’i shpëtuar vapës, por paralajmëroi kundër notit në zona të paautorizuara ose të rrezikshme.

    Pjesa më e madhe e Francës ndodhet nën alarm të lartë për vapën dhe pritet të përjetojë temperatura rreth 40 gradë Celsius të martën, sipas Meteo France, ndërsa në disa pjesë të Francës perëndimore temperaturat mund të arrijnë deri në 43 gradë Celsius.

    Njerëzit janë këshilluar të shmangin notin pa mbikëqyrje ndërsa vala e të nxehtit përfshin Francën.

    Vendi sapo ka regjistruar pasditen dhe natën më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1947. Pesëdhjetë e katër departamente janë nën alarm të kuq, në atë që meteorologët e përshkruajnë si një situatë të paprecedentë.

    Të hënën, ekipet e emergjencës nuk arritën të rikthenin në jetë dy fëmijë, 2 dhe 4 vjeç, të cilët u gjetën pa ndjenja nga nëna e tyre në makinën e familjes pranë shtëpisë së tyre, tha një prokuror në Carpentras, në juglindje të Francës.

    Tre të moshuar humbën jetën në incidente të ndara në rajonin e Bordeaux-së si pasojë e problemeve shëndetësore të shkaktuara nga vala e të nxehtit gjatë fundjavës.

    Edhe Britania, Italia dhe Spanja po përballen me temperatura ekstreme, me rekorde të reja në disa rajone që kanë shkaktuar ndërprerje në shkolla dhe në rrjetet e transportit.

    Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, Evropa po ngrohet me një ritëm më shumë se dy herë më të shpejtë se mesatarja globale, duke i bërë episode të tilla të zgjatura të vapës gjithnjë e më të mundshme.

  • Lajm i mirë për blegtorët, Komuna e Prishtinës rrit subvencionet për vitin 2026

    Lajm i mirë për blegtorët, Komuna e Prishtinës rrit subvencionet për vitin 2026

    Drejtoresha e Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, Jeta Rafuna ka publikuar listën e përfituesve të subvencioneve me pagesë direkte në sektorin e blegtorisë për vitin 2026.

    Këtë vit është rritur mbështetja për blegtorët:
    Për gjedhë mbështetja është rritur për 16.8%.
    Për dele dhe dhi mbështetja është rritur për 28.0%.

  • Alarmi i rremë për mjet shpërthyes në Prishtinë, Policia po e heton rastin

    Alarmi i rremë për mjet shpërthyes në Prishtinë, Policia po e heton rastin

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po e heton rastin e djeshëm në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, ku një alarm për bombë rezultoi të ketë qenë i rrejshëm.

    Edhe në raportin 24-orësh, Policia ka përsëritur se pas ekzaminimit nga njësitet e specializuara, është konstatuar se nuk bëhej fjalë për ndonjë mjet shpërthyes.

    “Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa hetimet për identifikimin e personit që ka bërë kallëzimin vazhdojnë”, thuhet po aty.

  • Shtyhet afati për aplikim në Thirrjen Publike për OJQ dhe individë për projektet në fushën e artit dhe kulturës

    Shtyhet afati për aplikim në Thirrjen Publike për OJQ dhe individë për projektet në fushën e artit dhe kulturës

    Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se është shtyrë afati për aplikim në Thirrjen Publike për OJQ dhe individë për projektet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026.

    Sipas njoftimi afati i ri është deri më 26 qershor në ora 16:00.

    Njoftimi i plotë:

    SHTYHET AFATI I APLIKIMIT

    Njoftojmë të gjithë të interesuarit se është shtyrë afati për aplikim në Thirrjen Publike për OJQ dhe individë për projektet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026.

    Afati i ri për aplikim është deri më 26 qershor 2026, ora 16:00.

    Të gjitha kushtet, kriteret dhe dokumentacioni i kërkuar për aplikim mbeten të pandryshuara.

    Për më shumë informata, të interesuarit mund t’i referohen dokumentacionit të publikuar në thirrjen zyrtare: https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/1530-4.pdf

  • Raporti i Auditimit për OSHP-në: 54 raste me vonesa në vendimmarrje dhe probleme në menaxhimin e të hyrave

    Raporti i Auditimit për OSHP-në: 54 raste me vonesa në vendimmarrje dhe probleme në menaxhimin e të hyrave

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) për vitin 2025, ku janë identifikuar një sërë mangësish financiare dhe procedurale që kanë ndikuar në opinionin e auditimit dhe në përputhshmërinë me legjislacionin në fuqi.

    Sipas raportit, auditori ka konstatuar mbivlerësime dhe nënvlerësime të të hyrave, si dhe mangësi në regjistrimin e pasurive dhe stoqeve.

    ” Konkretisht, janë evidentuar mbivlerësime të të hyrave prej 16,308 eurosh, nënvlerësime prej 4,864 eurosh, si dhe nënvlerësim i pasurive dhe stoqeve në vlerë totale prej mbi 2,700 euro.”, thuhet në raportin e ZKA-së.

    Një nga gjetjet kryesore lidhet me tarifat e ankesave. ZKA ka konstatuar se në 13 raste pagesat e tarifave të ankesës ishin më të ulëta sesa niveli i përcaktuar me rregullore, duke bërë që të hyrat të nënvlerësohen për 4,864 euro. Sipas raportit, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve efektive dhe aplikimit të dispozitave të rregulloreve të shfuqizuara në disa raste.

    Raporti evidenton gjithashtu mangësi në regjistrimin e pasurive. Dy pagesa për inventar dhe pajisje në vlerë prej 3 eurosh nuk ishin regjistruar në sistemin “e-Pasuria”, ndërsa materiale shpenzuese në vlerë prej 2,704 eurosh nuk figuronin në sistemin për evidentimin e hyrje-daljeve të stoqeve. Sipas auditorëve, kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së koordinimit ndërmjet zyrtarëve përgjegjës dhe problemeve teknike në sistem.

    Në aspektin e përputhshmërisë ligjore, auditimi ka konstatuar se në 12 raste ekspertët shqyrtues kanë vonuar përgatitjen e raporteve nga 1 deri në 26 ditë përtej afateve të parapara ligjore. Auditori vlerëson se këto vonesa mund të ndikojnë në shtyrjen e realizimit të projekteve publike dhe të rrisin rrezikun e kontestimeve ligjore ndaj vendimeve të OSHP-së.

    Po ashtu, në 54 raste janë evidentuar vonesa në nxjerrjen e vendimeve nga panelet shqyrtuese të OSHP-së. Sipas ZKA-së, vonesat bien ndesh me parimet e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik, ndikojnë negativisht në realizimin e projekteve publike dhe mund të shkaktojnë kosto shtesë ligjore.

    Raporti thekson se auditimi ka rezultuar me tetë rekomandime, prej të cilave pesë janë të reja dhe tre të përsëritura nga vitet paraprake.

    ZKA ka kërkuar nga drejtuesit e OSHP-së forcimin e kontrolleve të brendshme, respektimin e afateve ligjore në trajtimin e ankesave dhe përmirësimin e menaxhimit të pasurive dhe të hyrave.

  • Mungon Erion Veliaj, shtyhet seanca gjyqësore

    Mungon Erion Veliaj, shtyhet seanca gjyqësore

    Mungesa në sallë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, por edhe të avokatit të tij mbrojtës, u bë shkak për shtyrjen e seancës të së martës ndaj tij dhe të bashkëpandehurve në Gjykatën e Posaçme.

    Avokati Ndreca e kishte justifikuar mungesën, përmes një raporti mjekësor, shkruan A2 CNN.

    Gjykata vendosi të shtyjë seancën për më 7 korrik dhe njëkohësisht të pezullojë afatin e paraburgimit ndaj Veliajt.

  • Kurti: Pas certifikimit të rezultateve do të fillojmë komunikimet menjëherë me partitë politike

    Kurti: Pas certifikimit të rezultateve do të fillojmë komunikimet menjëherë me partitë politike

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se pas certifikimit të rezultateve do të nis komunikimet me partitë politike për formimin e institucioneve të Kosovës.

    “Përbesë porsa të certifikohen rezultatet fillojmë komunikimet menjëherë”, tha shkurt Kurti para gazetarëve.

    Në anën tjetër, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thanë të hënën për Gazetën Online Reporteri.net se do të presin 48 orë pas dy vendimeve të fundit të PZAP, ku u rrëzuan dy kërkesat e dy kandidatëve për deputet të PDK-së, dhe pastaj të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i zgjedhjeve.

    Sipas KQZ-së, pas plotfuqishmërisë së vendimeve do të vlerësohet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për institucionin, para se të procedohet me shpalljen e rezultateve përfundimtare.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Mund t’iu konfirmoj se KQZ është njoftuar me vendimet e PZAP-it lidhur me 2 ankesat e paraqitura në këtë institucion. Ndaj këtyre vendimeve të PZAP-it, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën Supreme, andaj KQZ do të presë që vendimet të marrin formën e prerë.

    Pas plotëfuqishmërisë së vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në, për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, tha të hënën zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

  • Policia kanadeze u drejtohet kroatëve: Nuk lejohet përdorimi i cigareve elektronike në tribuna, marihuana lejohet në qytet

    Policia kanadeze u drejtohet kroatëve: Nuk lejohet përdorimi i cigareve elektronike në tribuna, marihuana lejohet në qytet

    Kroacia luan kundër Panamasë në raundin e dytë të grupit të Kupës së Botës sonte pas mesnate, në orën 1:00 të mëngjesit të së mërkurës sipas kohës lokale.

    Në ndeshjen e parë, Kroacia humbi ndaj Anglisë 4-2 në Dallas, ndërsa Panamaja u mposht nga Gana 1-0 në raundin e parë.

    Përpara ndeshjes kundër Panamasë, policia kanadeze lëshoi rekomandime të posaçme për tifozët kroatë se si të sillen në vendet publike gjatë qëndrimit në Toronto para dhe pas ndeshjes, njoftoi Federata Kroate e Futbollit.

    Konsumi i alkoolit

    – Konsumi i alkoolit në vende publike është i ndaluar – pijet alkoolike në shishet e tyre origjinale nuk duhet të jenë të dukshme gjatë konsumimit

    – Alkooli mund të konsumohet në një vend publik vetëm nëse pija alkoolike është në një shishe pa etiketë dhe të errët (p.sh. një shishe plastike ose alumini të errët pa etiketë)

    – Alkooli mund të konsumohet në lokalet e hotelerisë dhe në tarracat e tyre, si dhe në zonat e tifozëve dhe përreth stadiumit dhe brenda vetë stadiumit, si dhe në tribuna nëse pija alkoolike është blerë në zonën e zonës së tifozëve dhe stadiumit,

    – Alkooli lejohet të konsumohet vetëm jashtë në Trinity Bellwoods Park, ku tifozët janë planifikuar të mblidhen para se të shkojnë në stadium.

    Konsumi i cigareve, cigareve elektronike dhe marihuanës

    – Konsumi i marihuanës lejohet në hapësirat publike në qytet, ndërsa nuk lejohet në stadium,

    – Konsumi i cigareve dhe cigareve elektronike nuk lejohet në tribunat e stadiumit. Do të ketë dhoma të veçanta në stadium ku do të lejohet pirja e duhanit dhe cigareve elektronike.

    Përdorimi i piroteknikës

    – Nuk lejohet përdorimi i mjeteve piroteknike (fishekzjarrë, raketa, petardë etj.). Nëse policia vepron ndaj një personi që përdor mjete piroteknike, ata mund të jenë penalisht përgjegjës,

    – Për përdorimin e piroteknikës në stadium, autori i veprës penale do të arrestohet, ndalohet, gjobitet dhe ndoshta do të dëbohet nga vendi.