ATV

Blog

  • Katër persona lëndohen në një aksident ku u përfshinë tri vetura në Malishevë

    Katër persona lëndohen në një aksident ku u përfshinë tri vetura në Malishevë

    Katër persona kanë mbetur të lënduar nga një aksident në Malishevë ku u përfshinë tri vetura.

    Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

    “Rreth orës 13:10 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë. Në aksident janë përfshirë tri vetura dhe si pasojë, deri tani, katër persona kanë pranuar trajtim mjekësor”.

    Ajo shtoi se Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor është duke e trajtuar rastin.

  • Nga shitësi i produkteve të pastrimit te heroi i Ekuadorit-Historia frymëzuese e Sebastian Beccacece

    Nga shitësi i produkteve të pastrimit te heroi i Ekuadorit-Historia frymëzuese e Sebastian Beccacece

    Sebastian Beccacece është shndërruar në heroin e ri të Ekuadorit, pasi udhëhoqi kombëtaren drejt kualifikimit historik në fazën eliminatore të Kupës së Botës. Fitorja 2:1 ndaj Gjermanisë ndryshoi plotësisht atmosferën rreth trajnerit argjentinas, i cili vetëm pak ditë më parë ishte objekt kritikash të ashpra nga tifozët.

    Menjëherë pas golit të fitores, Beccacece u ngjit në tribunat e stadiumit për të festuar me bashkëshorten e tij, Patricia Persson. Pas përfundimit të ndeshjes, ai u rikthye sërish pranë saj, ku momentet e përqafimeve dhe emocioneve u bënë simbol i një suksesi të shumëpritur.

    Ky triumf vjen pas një periudhe të vështirë. Barazimi pa gola ndaj Kuraçaos dhe kritikat pas ndeshjeve të para kishin krijuar tension të madh rreth kombëtares. Madje, bashkëshortja e trajnerit kishte reaguar ndaj ofendimeve të tifozëve, duke u përballur me ta nga tribuna.

    “Më vjen keq që nuk kam arritur të hyj në zemrat e tifozëve ekuadorianë. Ndoshta nuk jemi lidhur, por e pranoj këtë”, kishte deklaruar Beccacece pas një prej ndeshjeve që shkaktoi pakënaqësi.

    Megjithatë, fitorja ndaj Gjermanisë ndryshoi gjithçka. Ekuadori siguroi kalimin në fazën tjetër, ndërsa trajneri fitoi besimin e tifozëve dhe respektin e opinionit sportiv.

    Historia personale e Beccacece është po aq frymëzuese sa edhe suksesi i tij në stol. Ai nuk arriti kurrë të bëhej futbollist profesionist dhe në moshën 17-vjeçare punonte duke shitur produkte pastrimi për të ndihmuar familjen. Në të njëjtën kohë nisi rrugëtimin si trajner, duke stërvitur fëmijë të vegjël.

    Licencën e trajnerit e përfundoi përmes studimeve në distancë, ndërsa shansin e parë të madh e mori falë Jorge Sampaolit. Për t’iu bashkuar stafit të tij në Peru, Beccacece udhëtoi plot tri ditë me autobus, pasi nuk kishte mundësi të paguante biletën e avionit.

    Për shumë vite ai ishte krahu i djathtë i Sampaolit, me të cilin fitoi Kupën e Amerikës me Kilin dhe mori pjesë në Kupën e Botës me Argjentinën. Gjatë asaj periudhe pati edhe një përplasje të njohur me Lionel Messin në një seancë stërvitore.

    Sot, Beccacece është një nga trajnerët më të vlerësuar të futbollit në Amerikën e Jugut. Nga një djalosh që ëndërronte futbollin, por nuk arriti ta luante në nivel profesional, ai është bërë njeriu që udhëhoqi Ekuadorin drejt një prej sukseseve më të rëndësishme në historinë e tij.

  • Ditëlindja e 73-të e Ferdonije Qerkezit, një jetë mes dhimbjes dhe pritjes së pafund

    Ditëlindja e 73-të e Ferdonije Qerkezit, një jetë mes dhimbjes dhe pritjes së pafund

    Sot, Ferdonije Qerkezi shënon ditëlindjen e saj të 73-të, një datë që nuk mbart gëzim, por kujtime të rënda që koha nuk ka mundur t’i zbehë.

    Në mendjen dhe shpirtin e saj, kjo ditë nuk lidhet me urime apo festë, por me kujtimin e djemve të saj, ditëlindjet e të cilëve kanë mbetur të vetmet data që ajo i rikthen vazhdimisht në heshtje, me mall dhe dhimbje të pashuar.

    Jeta e saj u ndërpre në mënyrë të dhimbshme gjatë Luftës së fundit në Kosovë, kur humbi bashkëshortin dhe katër djemtë e saj, një humbje që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e jetës së saj

    Më 27 mars 1999, gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe ia rrëmbyen burrin (Halimin) dhe katër djemtë (Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin) nga shtëpia në Gjakovë. Eshtrat e dy djemve të saj janë gjetur dhe varrosur më vonë, ndërsa burri dhe dy djemtë e tjerë vazhdojnë të mbeten të zhdukur.

    Shtëpia e saj në Gjakovë nuk është më vetëm një vendbanim. Ajo është shndërruar në një muze përkujtimor, ku çdo hapësirë mban peshën e mungesës dhe kujtimit, duke dëshmuar një histori që nuk është mbyllur ende, shkruan Indeks Online.

    E njohur si nëna e hekurt, Ferdonije Qerkezi është bërë simbol i një qëndrese të rrallë njerëzore, por edhe i një dhimbjeje që jeton çdo ditë me të, pa u zbehur.

    Edhe në këtë ditëlindje, ajo nuk kërkon urime. Për të, kjo është një ditë e qetë, e rëndë, e mbushur me kujtime që nuk largohen kurrë.

    Në heshtjen e shtëpisë së saj muze, koha duket sikur ndalet. Dhe brenda saj vazhdon të jetojë një pritje e pafund për përgjigje mbi të zhdukurit, një pritje që ende nuk ka marrë fund.

  • Kosova, ndër vendet me financimin më të dobët të shëndetit publik në rajon

    Kosova, ndër vendet me financimin më të dobët të shëndetit publik në rajon

    Financimi i sistemeve shëndetësore dhe menaxhimi i kostove të shërbimeve spitalore mbeten një sfidë e përbashkët për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Eurostat për vitin 2024 tregojnë sa shpenzohet realisht për banor për shërbimet e kujdesit për pacientët e shtruar (shërbimet spitalore) në të gjithë rajonin tonë.

    Sipas statistikave zyrtare, shpërndarja e këtyre shpenzimeve ndryshon ndjeshëm nga njëri vend në tjetrin. Në krye të renditjes rajonale pozicionohet Shqipëria e cila shpenzon për të shtruarit në spital 135 euro për banor. Pas saj renditet Bosnjë dhe Hercegovina me 111 euro për frymë, e ndjekur nga Serbia me 92 euro dhe Mali i Zi me 79 euro. Në fund të kësaj liste për vitin 2024 gjendet Maqedonia e Veriut, e cila raporton vlerën më të ulët me vetëm 42 euro për banor.

    Të dhëna përfaqësojnë shpenzimet totale, që do të thotë se ato përfshijnë si fondet publike si, buxhetin e shtetit dhe sigurimet, ashtu edhe paratë që qytetarët paguajnë direkt nga xhepi i tyre për shërbimet spitalore.

    Në vendet ku shteti mbulon më pak kosto, qytetarët shpenzojnë më shumë privatisht, gjë që rrit automatikisht vlerën totale të raportuar për frymë. Ky është rasti i Shqipërisë e cila ka shpenzimet publike për shëndetësinë në nivelet më të ulëta Rajonale, por nga ana tjetër shpenzimet për banor janë shumë të larta për shkak të pagesave direkte nga xhepi.

    Në shumë ekonomi të rajonit, një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve për kujdesin spitalor mbulohet nga pagesat direkte nga xhepi të pacientëve, të cilat shtohen mbi fondet e pakta publike apo ato të sigurimeve shëndetësore. Kjo bën që shifrat nominale të pasqyrojnë më shumë koston e përballueshme nga individi sesa investimin shtetëror për frymë.

    Vendet e Ballkanit Perëndimor karakterizohen nga nivel të ulëta të shpenzimeve dhe investimeve publike në sistemet e kujdesit shëndetësor në rang evropian. Historikisht, ky tregues për rajonin tonë ka qëndruar nën mesataren e Bashkimit Evropian, e cila gjatë viteve të fundit luhatet midis 7% dhe 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

    Brenda këtij rajoni, Serbia, Bosnjë dhe Hercegovina, dhe Mali i Zi mbajnë nivelet më të larta të shpenzimeve, duke qenë të vetmet që kalojnë pragun e 5% të PBB-së. Në një nivel më të ulët, Maqedonia e Veriut alokon rreth 3.8% të PBB-së për shëndetësinë publike. Përfundimisht, Shqipëria dhe Kosova renditen historikisht në fund të kësaj tabele rajonale, ku në rastin konkret të Shqipërisë, shpenzimet për sektorin e shëndetësisë publike janë luhatur në intervalin 2.8% deri në 2.9% të PBB-së. /Monitor

  • FSK institucioni më i besueshëm në vend, Gjenerallejtënant Jashari: Mirënjohje dhe falënderim për qytetarët

    FSK institucioni më i besueshëm në vend, Gjenerallejtënant Jashari: Mirënjohje dhe falënderim për qytetarët

    Bazuar në rezultatet e Anketës Rajonale WeBalkans 2026, Forca e Sigurisë së Kosovës edhe këtë vit radhitet si institucioni më i besueshëm i sigurisë në Republikën e Kosovës, duke gëzuar 87.4% të besueshmërisë së qytetarëve të anketuar.

    Lidhur me këtë, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për qytetarët e Republikës së Kosovës për besimin e vazhdueshëm të treguar ndaj FSK-së.

    Gjithashtu Gjeneral Jashari falënderoi të gjithë personelin e FSK-së për profesionalizmin, punën e palodhshme dhe angazhimin e vazhdueshëm në përmbushje të misionit.

    “Ky vlerësim i lartë paraqet dëshmi të përkushtimit, profesionalizmit dhe integritetit institucional të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe ligjore. Kjo arritur është falë angazhimit dhe shërbimit vetëmohues të personelit të FSK-së”, ai.

    Gjenerallejtënant Bashkim Jashari theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar që misionin dhe detyrat e saj t’i realizojë me profesionalizëm, disiplinë dhe përgjegjësi të lartë, duke qenë gjithmonë e gatshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

    “Besimi i qytetarëve përbën nder, përgjegjësi dhe motiv shtesë për FSK-në që të vazhdojë zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, në funksion të përmbushjes së misionit të saj dhe të kontributit për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në vend dhe më gjerë”, tha ai.

  • Avokati Gjini padit Dritan Goxhajn, kërkon verifikimin e rolit të tij në UÇK

    Avokati Gjini padit Dritan Goxhajn, kërkon verifikimin e rolit të tij në UÇK

    Avokati Gent Gjini ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore, saktësisht në departamentin civil, në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, ndaj Dritan Goxhajt, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Kjo, padi është bërë pasi ditë më parë kryeministri Edi Rama publikoi një dokument për të cilin pretendoi se vinte në pikëpyetje përfshirjen e Goxhajt në luftën e Kosovës.

    Gjini tha se askush nuk është marrë me qëndrimet dhe pretendimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, sesa të vërteta mund të jenë ato.

    “Kam parë të arsyeshme që t’i zgjidhim disa nga dilemat të shpërfaqura tani në publik ndaj figurës të Dritan Goxhajt, pasi që vetë kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në Facebook-un e tij ka bërë një shënim zyrtar dhe ka bërë një shpalosje të dokumentit se në të vërtetë a është Dritan Goxhaj veteran që i ka shërbyer Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe me atë ka publikuar edhe një dokument dhe dihet sepse fjala e kryeministrit ka peshë publike dhe askush nuk është marrë me qëndrimet e tij dhe pretendimet se sa janë të vërteta ato. Mund të lindin dyshime se në të vërtetë a është Dritan Goxhaj veteran i rremë apo origjinal, i vërtetë? Këto mbetet të zgjidhen në gjykatë, sepse me anë të ekspertizave përkatëse, kjo padi do të zgjidhë dilemat që përfundimisht të kuptohet figura e para luftës, domethënë shërbimi që ka dhënë, kontributi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

    Gjini tha se Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka dalë me një reagim, ku nuk ka të dhëna rreth përvojës luftarake të Goxhajt.

    “Po duke e marrë parasysh se ndaj Dritan Goxhës edhe Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka dalë edhe me një reagim, pasi që ai nuk ka aplikuar për status të veteranit, nuk ka kartelë dhe në prononcimet e tyre kanë thënë se nuk dihet edhe vendi, fronti i luftës ku ka luftuar. Janë këto dyshime, dilema që duhet t’i kuptojmë që nëpërmjet kanaleve ligjore të gjykatës të verifikohen informacionet se në të vërtetë Dritan Goxha a i ka shërbyer luftës çlirimtare të Kosovës, a ka qenë anëtar. Dhe më pas do të verifikohen dokumentet dhe autenticiteti i atij dokumenti ku kryeministri Rama e ka publikuar në faqen e tij zyrtare. Dhe kjo si rrjedhojë ka shtruar antagonizma në shoqëri, për të kuptuar se në të vërtetë kush fshihet mbrapa Dritan Goxhës”, u shpreh ai.

    Gjini tha se në rast se bëhet konstatimi i këtyre pretendimeve do të ketë pasoja penale për Dritan Goxhajn dhe ai duhet t’i kërkojë falje popullit të Kosovës.

    “Unë e kam parë të arsyeshme që kjo padi do t’i zgjidhë përfundimisht dilemat dhe janë mekanizmat ligjorë që do të sigurisht do të merret në pyetje edhe Dritan Goxhaj, do t’i shikohet arkiva dhe historia e tij para luftës se kë ka pasë komandant, për cilën zonë ka punuar dhe pse nuk është anëtar i Organizatës të Veteranëve të UÇK-së dhe pse nuk ka kartelë. Dhe në rast se verifikohen, konstatohen gjërat e rreme, atëherë sigurisht janë pasojat, penalltitë ligjore që Dritan Goxha duhet të ndiqet edhe penalisht për deklarime të rreme, por edhe t’i kërkojë falje popullit të Kosovës në rast se nuk i ka shërbyer Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

  • Pas largimit të Barbanos, Emily Rakhorst emërohet ushtruese e detyrës së shefes së EULEX-it

    Pas largimit të Barbanos, Emily Rakhorst emërohet ushtruese e detyrës së shefes së EULEX-it

    Pas përfundimit të mandatit të deritanishëm të shefit të misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, misioni ka njoftuar se detyrën e ushtrueses së detyrës së shefes së misionit do ta marrë zëvendësja e deritanishme, Emily Rakhorst.

    Në një njoftim zyrtar, EULEX bëri të ditur se Rakhorst do të udhëheqë misionin deri në emërimin e shefit të ri. Misioni u ka bërë gjithashtu thirrje qytetarëve që për informacionet mbi aktivitetet e EULEX-it të ndjekin llogarinë zyrtare të ushtrueses së detyrës në rrjetin social X.

    Ky ndryshim vjen pasi të enjten përfundoi mandati trevjeçar i Giovanni Pietro Barbanos, i cili u përshëndet me Kosovën përmes një mesazhi falënderues.

    “Teksa i them lamtumirë Kosovës, ndiej mirënjohje të thellë për këto tri vite. Shërbimi si shef i EULEX-it ishte një nga kapitujt më të rëndësishëm të jetës sime profesionale. Largohem me miqësi të shumta dhe kujtime të paharrueshme. Faleminderit, Kosovë! Ju uroj një të ardhme të ndritur dhe të suksesshme”, ka deklaruar Barbano.

    Kush është Emily Rakhorst?
    Sipas biografisë zyrtare të publikuar nga EULEX, Emily Rakhorst është këshilltare ndërkombëtare juridike me përvojë të gjatë në mjedise konflikti dhe pas konflikti, si dhe në misione të Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara.

    Ajo ka diplomuar për drejtësi në Universitetin e Groningenit në Holandë, me specializim në të drejtën penale. Gjatë karrierës së saj është angazhuar në drejtësinë penale ndërkombëtare, ndjekjen e krimeve të luftës, reformën në drejtësi dhe forcimin e sundimit të ligjit.

    Para se t’i bashkohej EULEX-it, Rakhorst ishte shefe e kabinetit në Misionin Vëzhgues të Bashkimit Evropian në Gjeorgji (EUMM), ku drejtoi një organizatë me rreth 350 punonjës përgjegjës për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes që i dha fund luftës së gushtit 2008.

    Më herët ajo ka drejtuar Njësinë për Menaxhimin e Gjykatës në Regjistrin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka qenë pjesë e ekipit planifikues për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Regjistrit në kuadër të EULEX-it, ka punuar si eksperte për drejtësinë në misionin EUPOL COPPS në Palestinë, si dhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY).

    Emily Rakhorst do të ushtrojë detyrën e shefes së EULEX-it deri në emërimin e drejtuesit të ri të misionit.

  • Kosova pa medalje në ditën e parë të Grand Prix-it të xhudos në Kinë

    Kosova pa medalje në ditën e parë të Grand Prix-it të xhudos në Kinë

    Ka nisur të premten në Qingdao të Kinës gara Grand Prix e xhudos, ku në ditën e parë u paraqitën tri garuese nga Kosova. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk arriti të sigurojë një vend në luftën për medalje.

    Në kategorinë deri në 48 kilogramë, Erza Muminoviq e nisi me fitore garën, pasi mposhti Su Yon Jon nga Koreja e Veriut. Megjithatë, ajo u eliminua në xhiron e dytë, pasi u mposht nga xhudistja vendase, Wenna Zhuang.

    Në kategorinë deri në 52 kilogramë, Fatjona Kasapi u ndal që në luftën e parë, duke u mposhtur nga gjermania Mascha Ballhaus, bartësja e parë e kategorisë.

    Ndërkohë, edhe Flaka Loxha u eliminua në paraqitjen e saj të parë në kategorinë deri në 57 kilogramë, pasi u mposht nga Maysa Pardayeva e Turkmenistanit.

    Garat për Kosovën vazhdojnë të shtunën, kur në tatami do të zbresin Laura Fazliu dhe Dardan Cena, me synimin për të siguruar rezultate pozitive në Grand Prix-in e Qingdaos.

  • Real Madridi vonon zyrtarizimin e transferimit të Denzel Dumfries

    Real Madridi vonon zyrtarizimin e transferimit të Denzel Dumfries

    Transferimi i Denzel Dumfries nga Interi te Real Madridi është praktikisht i përfunduar, ndërsa mbetet vetëm njoftimi zyrtar nga klubi spanjoll.

    Sipas raportimeve, marrëveshja mes dy klubeve është arritur prej javësh dhe kap vlerën e 20 milionë eurove. Megjithatë, Real Madridi ende nuk e ka bërë zyrtar transferimin e mbrojtësit holandez.

    Sipas mediumit spanjoll OK Diario, arsyeja e kësaj vonese lidhet me aspektin financiar. Real Madridi synon ta shtyjë zyrtarizimin deri më 1 korrik, në mënyrë që transferimi të regjistrohet në vitin financiar 2026/27 dhe jo në 2025/26.

    Në këtë mënyrë, drejtuesit e klubit synojnë të mbajnë të paprekur bilancin aktual financiar dhe të kenë më shumë fleksibilitet sa i përket limitit të kostos së skuadrës, sipas rregullave të La Ligës për sezonin e ardhshëm.

    Dumfries, i cili pritet t’i bashkohet “Los Blancos”, ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë në “Santiago Bernabéu” deri në verën e vitit 2030.

  • Fabrizio Romano: Elliot Anderson arrin marrëveshje me Manchester City-in

    Fabrizio Romano: Elliot Anderson arrin marrëveshje me Manchester City-in

    Gazetari i njohur i merkatos, Fabrizio Romano, ka raportuar se Manchester City ka arritur marrëveshje të plotë me Nottingham Forest për transferimin e Elliot Anderson.

    Mesfushori 23-vjeçar ndodhet aktualisht me kombëtaren e Anglisë në Kupën e Botës, ku është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga Thomas Tuchel.

     

    Anderson tërhoqi vëmendjen me paraqitjet e tij të shkëlqyera te Nottingham Forest gjatë sezonit të kaluar, çka i siguroi edhe një vend në ekipin kombëtar. Tashmë, ai duket se është gati të bëjë hapin më të madh të karrierës.

     

    Sipas Romanos, Manchester City do t’i paguajë Nottingham Forestit 135 milionë euro, ndërsa me bonuset marrëveshja mund të arrijë deri në 150 milionë euro. Testet mjekësore pritet të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

     

    Nëse transferimi finalizohet me këto shifra, City do të vendosë një rekord të ri për blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit, duke kaluar shumën prej 117.5 milionë eurosh të paguar për Jack Grealish nga Aston Villa.

     

    Gjithashtu, marrëveshja pritet të vendosë edhe një rekord të ri në Ligën Premier, duke tejkaluar transferimin e Alexander Isak.

     

    Anderson është produkt i akademisë së Newcastle United dhe iu bashkua Nottingham Forestit në vitin 2024 për 41 milionë euro. Që atëherë, ai ka zhvilluar paraqitje mbresëlënëse, ndërsa deri më tani numëron 11 ndeshje me kombëtaren e Anglisë.