ATV

Blog

  • “Ma dorëzo Beyoncen”, gjenerali ugandez i fiksuar pas këngëtares së famshme i kërkon Jay-Z duel

    “Ma dorëzo Beyoncen”, gjenerali ugandez i fiksuar pas këngëtares së famshme i kërkon Jay-Z duel

    Shefi i Forcave të Mbrojtjes të Ugandës, gjenerali Muhoozi Kainerugaba, ka shkaktuar sërish polemika pasi deklaroi publikisht dëshirën e tij për t’u martuar me superyllin botëror të muzikës, Beyoncé, dhe sfidoi bashkëshortin e saj, reperin dhe biznesmenin Jay-Z, në një duel.

    Kainerugaba, i cili është edhe djali i presidentit Yoweri Museveni, i bëri këto deklarata përmes një serie postimesh në platformën X, duke pretenduar se Jay-Z duhet t’ia “dorëzojë” atij bashkëshorten.

    “Jay-Z duhet të ma japë Beyoncé-n,” shkroi Kainerugaba, duke shtuar se nëse reperi amerikan refuzon, “duhet të vijë në Ugandë dhe të luftojë me mua. Fituesi do ta marrë Beyoncén.”

    Kainerugaba gjithashtu pretendoi se zotërimi i mijëra krerëve të bagëtive Ankole e bën atë më të pasur se Jay-Z.

    “Kam mijëra lopë Ankole. Jay-Z është i varfër sepse nuk ka bagëti Ankole,” shkroi ai, duke shtuar se ishte i gatshëm ta çonte çështjen edhe në Kombet e Bashkuara.

    Beyoncé dhe Jay-Z, të cilët janë të martuar që nga 4 prilli 2008 dhe kanë tre fëmijë, nuk kanë reaguar publikisht ndaj komenteve të Kainerugabës.

    Këto deklarata janë vetëm të fundit në një seri postimesh kontroverse të shefit të ushtrisë ugandeze.

    Në vitin 2022, ai shkaktoi një mosmarrëveshje diplomatike pasi pretendoi se ushtria e Ugandës mund ta pushtonte Nairobin brenda dy javësh, duke detyruar qeverinë ugandeze t’i kërkonte falje Kenias.

    Më vonë po atë vit, ai propozoi të paguante pajën me bagëti Ankole për kryeministren italiane Giorgia Meloni, një propozim që u hodh poshtë nga zyra e saj.

    Në vitin 2025, Kainerugaba tërhoqi sërish vëmendje pasi urdhëroi që ushtaret femra të Forcave të Mbrojtjes të Popullit të Ugandës të mbanin funde gjatë paradave në vend të pantallonave, duke paralajmëruar se komandantët që nuk do ta zbatonin urdhrin do të përballeshin me masa disiplinore.

  • 51 aksidente trafiku për 24 orë në Kosovë, ndërsa Policia shqipton mbi 2 mijë e 200 gjoba

    51 aksidente trafiku për 24 orë në Kosovë, ndërsa Policia shqipton mbi 2 mijë e 200 gjoba

    51 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë, ku 27 prej tyre kanë përfunduar me të lënduar dhe 24 me dëme materiale.

    Sipas statistikave të përgjithshme të policisë, për 24 orë janë shqiptuar 2 mijë e 286 gjoba trafiku.

    Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 14 persona, 12 janë dërguar në mbajtje dhe dy në vuajtje të dënimit.

  • Smajl Latifi reagon me një video: Pse qeveria s’po na i kompenson dëmet?

    Smajl Latifi reagon me një video: Pse qeveria s’po na i kompenson dëmet?

    Kryetar i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përmes një video ka reaguar qeverisë për mos kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësisë natyre gjatë pesë vjetëve të fundit.

    Latifi u shprehë se vlera e dëmeve të regjistruara ndër vite në Komunën e Rahovecit arrin në rreth 4 milionë euro.

    “Pse ende nuk po bëhet kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore gjatë viteve 2022, 2023, 2024, 2025 dhe 2026, nga Qeveria e Kosovës?

    Vlera e dëmeve të regjistruara ndër vite në komunën tonë arrin në rreth 4 milionë euro, ndërsa shumë familje, fermerë dhe biznese vazhdojnë të presin mbështetjen e merituar”, ka thënë Latifi.

    Ndërsa ka shtuar se qytetarët kanë të drejtë të dinë pse po vonohet ky proces dhe kur do të ketë një zgjidhje konkrete.

  • Nis faza e tretë e dezinfektimit hapësinor në Prishtinë, thirrje për mbrojtjen e bletëve

    Nis faza e tretë e dezinfektimit hapësinor në Prishtinë, thirrje për mbrojtjen e bletëve

    Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Kryeqyteti Prishtina ka njoftuar të gjithë bletarët e Komunës së Prishtinës , se ka nisur faza e tretë e e dezinfektimit hapësinor në territorin e kryeqytetit e cila do te zhvillohet nga 29 qershori deri me 3 korrik.

    Sipas njoftimit, dezinfektimi do të realizohet çdo ditë duke filluar, nga ora 20:00 dhe përfshin lagje të ndryshme të kryeqytetit, dhe disa fshatra të Prishtinës.

    Dita e parë 29 korrik: Ulpiana, Dardania, Pejtoni, Lakrishte, Arbëria, Shkabaj, Zona Industriale, Kazerma Adem Jashari.

    Dita e dytë 30 korrik: Aktash, Parku i Qytetit, Blloqet – Shtepia e Pleqeve, Vellushe, Muhaxherët, Tophane, Vneshtat, Qendra e Qytetit, Mramor, Makovc, Llukar.

    Dita e tretë 1 korrik: Prishtina e Re, Veternik, Qëndresa, Lagjja Priam, Lagjja Nic, Kalabria, Kodra e Trimave

    Dita e katërt 2 korrik: Bregu i Diellit, Lagjja e Spitalit, Mat, Kolovicë, Kolovicë e Re, Taslixhe, Velani, Taukbashqe, Sofali, Gërmi.

    Dita e pestë 3 korrik: Hajvali, Bërnicë e Epërme, Bërnicë e Poshtme, Bardhosh, Teneshdoll, Vranidoll, Rimanishtë, Barilevë, Prugovc, Besi,Trudë,Lebanë.

    Komuna kërkon mirëkuptim nga qytetarët gjatë zhvillimit të këtij procesi, me qëllim përmirësimin e kushteve të shëndetit publik dhe reduktimin e insekteve në hapësirat publik.

  • Zelensky i kërkon SHBA-së licencë për prodhimin e raketave Patriot në Ukrainë

    Zelensky i kërkon SHBA-së licencë për prodhimin e raketave Patriot në Ukrainë

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar SHBA-së të marrë një vendim mbi dhënien e një licence Ukrainës për të prodhuar sisteme mbrojtëse Patriot të prodhuara në SHBA, pas sulmeve të Rusisë gjatë natës.

    Udhëheqësi ukrainas, i cili ka kërkuar leje nga SHBA-të për muaj të tërë, por pa sukses, tha se mbrojtja ajrore e vendit të tij ishte “një çështje absolutisht me përparësi të lartë dhe kritike”.

    “Është veçanërisht e rëndësishme që marrëveshjet tona me SHBA-në mbi prodhimin e raketave antibalistike të ecin drejt zbatimit”, deklaroi Zelensky.

    “Ne gjithashtu mbështetemi shumë në vendimin e Shteteve të Bashkuara në lidhje me licencat për Patriot dhe punë të tjera të përbashkëta: kjo është ajo që mund të ndalojë luftën dhe sulme të ngjashme”, shtoi ai.

    Ukraina është pajisur me sisteme Patriot, i vetmi sistem raketash tokë-ajër në arsenalin e saj i aftë për t’iu kundërvënë kërcënimit të raketave balistike të Moskës, gjatë luftës, por dëshiron të jetë në gjendje t’i prodhojë ato vetë.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, tha muajin e kaluar se do të “shqyrtojë” mundësinë që Ukraina të prodhojë raketat e veta Patriot.

  • Tensione edhe sot para Parlamentit në Shqipëri, arrestohen pesë persona

    Tensione edhe sot para Parlamentit në Shqipëri, arrestohen pesë persona

    Sot në orën 10:00 është zhvilluar organizimi i radhës nga protestuesit kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij.

    Qytetarët janë mbledhur para Parlamentit, aty ku pritet të mbahet edhe seanca e radhës plenare njëkohësisht.

    Siç raportohet edhe ditën e sotme ndodhen incidente duke qëlluar më vezë. Ndërkohë, janë shoqëruar 5 persona.

    Masat e sigurisë rreth Parlamentit janë shtuar që para nisjes së tubimit të qytetarëve. Përveç gardhit metalik dhe rrethimit të zonës, janë pozicionuar një autoblindë e forcave të sigurisë si dhe një autobot uji, i cili përdoret zakonisht për shpërndarjen e protestuesve në raste të përshkallëzimit të situatës.

    Të martën gjithashtu, protestuesit zhvilluan një protestë para Parlamentit ku u regjistruan disa incidente. Situata u tensionua ku pati përplasje fizike dhe hedhje të mjeteve piroteknike.

    Punonjësit e policisë arrestuan disa persona për shkak të këtyre incidenteve. Gjithashtu protestuesit hodhën akuza dhe bënë thirrje kundër deputetëve. Ata hodhën edhe vezë në drejtim të mjeteve të tyre.

    Siç raporton Euronews, deputeti i PS-së, Ramion Kurti është qëlluar me vezë.

  • Besnik Osmani jep dorëheqje nga dega e LDK-së në Fushë Kosovë

    Besnik Osmani jep dorëheqje nga dega e LDK-së në Fushë Kosovë

    Besnik Osmani ka dhënë dorëheqje nga dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Fushë Kosovë.

    Këtë vendim e ka konfirmuar asamblisti i LDK-së në Kuvendin e kësaj komune, Ali Topalli.

    Osmani, i cili ishte edhe kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës në zgjedhjet lokale të mbajtura në fund të vitit të kaluar, nuk arriti që ta mbajë komunën që ishte konsideruar si bastion i kësaj partie.

    Topalli ka konfirmuar dorëheqjen e Osmanit, duke bërë të ditur se arsyeja lidhet me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit 2026 dhe nevojën për reforma të brendshme në parti.

    “Është e vërtetë që ka dhënë dorëheqje z. Osmani. Arsyet janë rezultatet jo të mira zgjedhore në LDK dhe nevoja për zgjedhje të përgjithshme në LDK”, ka deklaruar ai.

    Deri më tani, Besnik Osmani nuk ka bërë një deklarim publik lidhur me dorëheqjen e tij.

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin e vrasjes së imamit në Dragash

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin e vrasjes së imamit në Dragash

    Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit B.H. për vrasjen e imamit në Dragash, si dhe një muaj paraburgim ndaj babait të tij, I.H.

    Derisa për të parin gjykata tha se dyshohet për veprën penale “vrasja e rëndë”, duke e përshkruar si privim nga jeta personin tjetër në “mënyrë mizore apo dinake”, për të dytin tha se ai dyshohet për veprën penale “mosdhënia e ndihmës”.

    Gjykata tha se me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

    I pandehuri B.H., më 29.06.2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T. Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit dhe viktimës lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi). I pandehuri B.H., i ka shkaktuar viktimës lëndime me mjet të mprehtë (thikë), si pasojë e të cilave viktima G.T., ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

    Ndërkaq, i pandehuri I.H., (babai i të pandehurit B.H.) dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.

    “Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thotë gjykata.

    Gjyqtarja e procedurës paraprake, në bazë të provave materiale të mbledhura deri në këtë fazë, duke gjetur si të bazuar dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale nga të pandehurit, vlerëson se me masën e paraburgimit do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe se do të mund të zhvillohen normalisht dhe pa pengesa procedura penale.

    “Duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprave penale të dyshohet se janë kryer, mënyrën dhe rrethanat ashtu që i dyshuari B.H., në mënyrë mizore apo dinake dyshohet të ketë goditur me thikë në shpinë dhe qafë viktimën ndjerin G.T., po ashtu duke shtuar faktin se i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është gjetur dhe arrestuar nga Policia, për Gjykatën rezulton se me lënien në liri ekziston rreziku i ikjes dhe arratisjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, andaj masa e paraburgimit në këtë fazë është e domosdoshme”.

    Masa e paraburgimit është e arsyeshme dhe ligjore, me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës hetimore, nxjerrjen e provave materiale, marrjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe të të dyshuarve, dhe sigurimin e prezencës së të pandehurve para institucioneve të drejtësisë me qëllim të zbardhjes së ngjarjes, si dhe parandalimit të arratisjes së të dyshuarve, Gjyqtarja ka vlerësuar se masa tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së të dyshuarve dhe rrjedhën e papenguar të fazës hetimore, përfundon gjykata.

  • Rusia e godet Kievin me sulme vdekjeprurëse me raketa dhe dronë

    Rusia e godet Kievin me sulme vdekjeprurëse me raketa dhe dronë

    Të paktën 13 njerëz janë vrarë dhe 50 të tjerë janë plagosur, përfshirë fëmijë, si pasojë e sulmeve me raketa dhe dronë rusë gjatë natës ndaj kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, njoftuan autoritetet e qytetit të enjten.

    “Pati disa goditje të drejtpërdrejta shkatërruese ndaj ndërtesave të banimit”, tha të enjten kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, duke shtuar se ekipet e shpëtimit po nxjerrin nga rrënojat të mbijetuar dhe trupa të viktimave.

    “Nëntë viktima janë konfirmuar deri tani, ndërsa raportimet për disa viktima të tjera të mundshme ende po verifikohen, ndërkohë që operacionet e shpëtimit vazhdojnë,” shtoi ai.

    Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, shkroi mëngjesin e së enjtes se qyteti ishte nën sulm me raketa balistike dhe dronë, ndërsa shpërthime dëgjoheshin në gjithë qytetin.

    Ai u bëri thirrje banorëve të qëndronin në strehimore, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, në disa lagje të qytetit u raportuan zjarre dhe dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe ndërtesat e banimit.

    “Në zonat e prekura janë angazhuar 570 shpëtimtarë dhe mbi 125 mjete të specializuara të shpëtimit”, thuhet në një njoftim të shërbimit në Telegram.

    Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Maryan Kushnir, raportoi nga vendngjarja, duke treguar pasojat e sulmit të kryer gjatë natës ndaj një ndërtese banimi në lagjen Shuliavka të Kievit.

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, i ka dënuar ashpër sulmet ruse, duke i cilësuar ato si “krime të rënda lufte” dhe u ka bërë thirrje partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare për “përgjigje të fuqishme”.

    “Krimineli i luftës, Putin, është në gjendje të zhvillojë vetëm luftë të ulët dhe terroriste kundër civilëve, grave dhe fëmijëve”, shkroi Sybiha në një postim në X.

    Në mbrëmje para sulmit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi për “një tjetër sulm masiv rus”, duke iu referuar informacioneve të inteligjencës.

    Ai tha se po kthehej “menjëherë” në Ukrainë nga Irlanda, ku ndodhej për një vizitë zyrtare.

    Në rajonin e Kievit, të paktën tre njerëz u plagosën nga një tjetër sulm rus me dronë dhe raketa, njoftuan autoritetet rajonale të enjten.

    Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në një deklaratë të enjten se kreu sulm në shkallë të gjerë, duke përdorur armë precize me rreze të gjatë veprimi dhe dronë, në përgjigje të sulmeve të supozuara ukrainase ndaj infrastrukturës civile në Rusi, duke shënjestruar objektet e industrisë ushtarake, infrastrukturën energjetike në Kiev dhe rajonin e Kievit, si dhe infrastrukturën e aeroporteve ushtarake në disa rajone ukrainase.

    Ajo theksoi gjithashtu se forcat e mbrojtjes ajrore kanë kapur dhe rrëzuar 327 dronë ukrainas mbi territorin e Rusisë, përfshirë edhe mbi rajonet e Moskës dhe Leningradit.

    Ukraina mohon vazhdimisht se synon civilë apo infrastrukturë civile në Rusi, duke thënë se operacionet e saj ushtarake drejtohen vetëm kundër objektivave legjitime ushtarake, rrjeteve logjistike dhe infrastrukturës energjetike që furnizon makinerinë ushtarake ruse./REL

  • Ryshfet dhe keqpërdorim detyre, ATK suspendon dy zyrtarë

    Ryshfet dhe keqpërdorim detyre, ATK suspendon dy zyrtarë

    Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se bazuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë ndaj dy zyrtarëve tatimore, të cilët akuzohen për veprat penale që ndërlidhen me keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrjen e ryshfetit, ka ndërmarrë veprimet e parapara sipas legjislacionit në fuqi.

    ATK ka marrë vendim për suspendimin e përkohshëm nga detyra të këtyre dy zyrtarëve.

    “Në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë marrëdhënien e punës dhe statusin e zyrtarëve tatimore, ATK ka marrë vendim për suspendimin e përkohshëm nga detyra të këtyre dy zyrtarëve, me efekt të menjëhershëm, deri në përfundimin e procedurës gjyqësore dhe marrjen e një vendimi përfundimtar. ATK nuk toleron asnjë formë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo veprim që cenon integritetin institucional dhe do të vazhdojë të zbatojë me përpikëri dispozitat ligjore në çdo rast të tillë”, thuhet në njoftim.