ATV

Blog

  • Katari ndryshon rregullat e udhëtimit: Pasagjerët kalojnë në aeroport vetëm me fytyrë, pa pasur nevojë për pasaportë

    Katari ndryshon rregullat e udhëtimit: Pasagjerët kalojnë në aeroport vetëm me fytyrë, pa pasur nevojë për pasaportë

    Pasagjerët e Qatar Airways që nisen nga Aeroporti Ndërkombëtar Hamad tashmë mund të kalojnë disa pika kontrolli në aeroport vetëm me anë të fytyrës së tyre, falë një shërbimi të ri biometrik.

    Sistemi i quajtur “Fast Pass”, i zhvilluar nga aeroporti dhe SITA, përdor teknologjinë e njohjes së fytyrës për të mundësuar një proces me më pak kontrolle dokumentesh.

    Shërbimi lidh më shumë se 700 pika kontrolli në aeroport dhe synon të reduktojë kontrollet manuale të dokumenteve, duke u ofruar udhëtarëve një përvojë më të shpejtë.

    Pasagjerët mund të regjistrohen për “Fast Pass” përmes aplikacionit të Qatar Airways ose në kioskat vetëshërbyese në aeroport. Regjistrimi përmes aplikacionit bëhet vetëm një herë.

    Shërbimi është i disponueshëm për udhëtarët mbi 18 vjeç me fluturime të përshtatshme që nisen nga Doha. Megjithatë, pjesëmarrja është vullnetare dhe pasaporta duhet të mbahet me vete në rast se sistemi nuk arrin të verifikojë identitetin.

    Autoritetet e aeroportit kanë bërë të ditur se të dhënat biometrike përdoren vetëm për verifikim dhe çdo informacion i kapur rastësisht nga kamerat fshihet menjëherë, shkruan Euronews.

  • Ardian Gjini: Të hiqet testi i arritshmërisë, streson nxënësit dhe nuk ka rezultate reale

    Ardian Gjini: Të hiqet testi i arritshmërisë, streson nxënësit dhe nuk ka rezultate reale

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kërkuar heqjen e Testit të Arritshmërisë, duke vlerësuar se ai ka dështuar ta përmbushë qëllimin për të cilin është krijuar dhe se nuk jep një pasqyrë reale të cilësisë së arsimit në vend.

    Përmes profilit zyrtar në Facebook, Gjini tha se Testi i Arritshmërisë është konceptuar si një instrument për të matur performancën e sistemit arsimor, e jo për t’i testuar individualisht nxënësit.

    Sipas tij, mënyra se si zhvillohet testi prej vitesh vetëm sa rrit presionin mbi nxënësit dhe prindërit, duke krijuar një situatë të padrejtë mes atyre që i nënshtrohen rregullave dhe atyre që arrijnë rezultate përmes kopjimit.

    “Testi është duke dështuar tash e sa vite, sepse është mekanizëm që streson fëmijët dhe prindërit, i streson ata nxënës që dinë e nuk kopjojnë, ndërsa në të njëjtën kohë i faktorizon ata që nuk dinë dhe kopjojnë”, është shprehur Gjini.

    Ai ka theksuar se testi nuk prodhon rezultate reale për nivelin e dijes dhe cilësinë e arsimit, por krijon statistika të rreme.

    “Ky test është falsifikim i plotë”, ka deklaruar ai.

    Gjini ka përmendur edhe rezultatet e këtij viti, duke theksuar se shkalla e arritshmërisë ka rënë në 48.35 për qind, çka sipas tij dëshmon edhe një herë se ky mekanizëm nuk po e përmbush funksionin e vet.

    Në përfundim, kryetari i Aleancës ka kërkuar që Testi i Arritshmërisë të hiqet sa më shpejt dhe të zëvendësohet me forma të tjera vlerësimi që matin në mënyrë të besueshme cilësinë e sistemit arsimor.

    “Ky test duhet të hiqet krejt, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të mos përsëritet më, sepse nuk prodhon asnjë rezultat pozitiv”, ka përfunduar Gjini.

  • Kurti lajmërohet nga Greqia, tregon çka foli në një panel në Simpoziumin SYMI

    Kurti lajmërohet nga Greqia, tregon çka foli në një panel në Simpoziumin SYMI

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është lajmëruar nga Greqia, ku po merr pjesë në edicionin e 28-të të Simpoziumit SYMI, i cili këtë vit po zhvillohet me temën “Zemërimi i Akilit dhe paralajmërimi i Kasandrës – Fuqizimi i demokracisë dhe zbutja e pushtetit”.

    Kurti tha përmes një postimi në Facebook se në këtë ngjarje po marrin pjesë diplomatë, aktivistë progresistë, zyrtarë shtetesh, akademikë, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe studiues të instituteve kërkimore, të cilët po diskutojnë për zhvillimet aktuale gjeopolitike globale.

    “Diplomatë të shquar e aktivistë progresistë, zyrtarë shtetesh e akademikë intelektualë, drejtues të organizatave ndërkombëtare e studiues të instituteve kërkimore, diskutojnë së bashku sipas modelit Chatham House Rule për tema të ndryshme të aktualitetit (gjeo)politik global, nga paqja e siguria teksa forcohet mulipolariteti dhe dobësohet multilateralizmi te sulmet e shtuara mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut, nga krizat e shumëfishta e luftërat e reja pa përfunduar të vjetrat te pritjet dhe efektet e inteligjencës artificiale”, shkroi ai.

    Kurti tha se vetë mori pjesë në panelin “Demokracitë në vijën e parë të frontit – Ballkani, Ukraina dhe më shumë: Çfarë duhet të mësojnë demokracitë e vjetra të vetëkënaqura nga shoqëritë që ende luftojnë, çdo ditë, për hapësirë demokratike evropiane”.

    “Përveç tjerash aty theksova që: – Evropa fillon në shtëpi për secilin shtet dhe përfundon në vijat e frontit të luftës në Ukrainë, dhe se pikërisht zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Evropian dëshmon që periferia nuk është aty për t’u grabitur. – Në zhvillimet botërore realisht nuk kemi përplasje të jashtme të civilizimeve por sot jetojmë në kohërat e përplasjeve të brendshme të ndërgjegjes me reaksionin. – Autokratët duhen konsideruar si njerëz të lindur në shekullin e gabuar dhe se tendencat paramoderne për monarki merkantiliste nuk mund të triumfojnë mbi republikën demokratike”, shkroi ai.

  • Neymar i jep lamtumirën Brazilit, babai i tij i kërkon të mos heqë dorë nga futbolli

    Neymar i jep lamtumirën Brazilit, babai i tij i kërkon të mos heqë dorë nga futbolli

    Një kapitull i madh i futbollit brazilian ka marrë fund. Pas eliminimit të Brazilit nga Kupa e Botës, me humbjen 1-2 ndaj Norvegjisë, Neymar Jr. ka vendosur të mbyllë aventurën e tij me fanellën e kombëtares.

    Sulmuesi 34-vjeçar i Santosit ka njoftuar tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar, duke i dhënë fund një rrugëtimi të gjatë me “Selecaon”, ku për vite me radhë ishte figura kryesore dhe një nga shpresat më të mëdha të Brazilit për të rikthyer trofeun e Botërorit.

    Pas këtij vendimi, babai i tij, Neymar Sr., ka reaguar me një mesazh emocional në rrjetet sociale, duke shprehur krenarinë për rrugëtimin e të birit, por edhe duke i bërë një kërkesë të veçantë që të vazhdojë të luajë futboll.

    “Oh, bir… Çfarë udhëtimi. Një ëndërr që ende nuk është realizuar nuk do të thotë se ka vdekur.”

    Neymar Sr. kujtoi rrugën e jashtëzakonshme të djalit të tij, nga një talent i ri deri te një prej futbollistëve më të mëdhenj të brezit të tij.

    “E pashë djaloshin të rritej dhe të bëhej një nga lojtarët më të mëdhenj të gjeneratës së tij. Më i miri nuk përcaktohet nga mosha apo rrethanat.”

    Në fund, ai i kërkoi Neymarit të vazhdojë të shijojë atë që ka dashur gjithmonë.

    “Bir, vazhdo të luash futboll. Rizbulo gëzimin e topit në këmbët e tua. Zoti të ka dhënë një mundësi tjetër për të bërë atë që gjithmonë ke dashur. Shijoje futbollin.”

    Mesazhi i Neymar Sr. ishte një përkrahje e fuqishme nga një baba që beson se talenti dhe pasioni i djalit të tij ende nuk janë shuar.

    Edhe pse aventura me Brazilin ka përfunduar, Neymar mbetet një nga figurat më të rëndësishme të futbollit brazilian në dekadat e fundit, me gola, magji dhe momente që do të mbeten gjatë në kujtesën e tifozëve.

  • McGregor rikthehet në UFC pas pesë vitesh: Dua më shumë tituj, rekorde dhe fitore

    McGregor rikthehet në UFC pas pesë vitesh: Dua më shumë tituj, rekorde dhe fitore

    Pas një mungese të gjatë nga oktagoni, Conor McGregor është gati të rikthehet në skenën më të madhe të arteve marciale të përziera. Ish-kampioni i dyfishtë i UFC-së do të ngjitet sërish në kafaz këtë të shtunë në T-Mobile Arena në Las Vegas, ku do të përballet me Max Holloway në eventin kryesor të UFC 329, në kategorinë welter.

    Kjo do të jetë ndeshja e parë e irlandezit që nga korriku i vitit 2021, kur pësoi një frakturë të rëndë në këmbë gjatë përballjes me Dustin Poirier në UFC 264. Pas një rikuperimi të gjatë, McGregor beson se është gati të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij.

    Luftëtari me rekord 22 fitore dhe 6 humbje deklaroi se rikthimi i tij nuk ka të bëjë vetëm me një ndeshje, por me ambicien për të dominuar sërish sportin.

    “Ndjej se kam ende shumë për të arritur. Dua më shumë tituj, më shumë rripa kampioni, më shumë nokaut, më shumë rekorde dhe më shumë fitore. Kam punuar shumë për të ndërtuar këtë trashëgimi dhe tani dua të përfitoj nga gjithçka që kam krijuar.”

    McGregor shtoi se vazhdon ta konsiderojë veten një nga figurat më të mëdha të sporteve luftarake dhe është i bindur se mund ta dëshmojë këtë edhe një herë.

    “Bota e arteve marciale të përziera është bota ime. Jam këtu për ta treguar sërish se çfarë jam në gjendje të bëj dhe këtë do ta shihni të shtunën.”

    Edhe pse në korrik mbush 37 vjeç, irlandezi nuk mendon ende për tërheqjen. Ai pranoi se ndodhet në fazën e fundit të karrierës, por jo në fundin e ambicieve të tij. Pas sfidës me Holloway, McGregor do të ketë edhe një ndeshje të mbetur në kontratën aktuale me UFC-në, çka e bën këtë duel edhe më të rëndësishëm për të ardhmen e tij.

    Nga ana tjetër, Max Holloway nuk do të jetë aspak një kundërshtar i lehtë. Ish-kampioni dhe një nga emrat më të respektuar të UFC-së synon t’i japë fund rikthimit të bujshëm të McGregorit dhe të rikthehet në garën për titujt më të rëndësishëm.

    Pavarësisht sfidës që e pret, McGregor mbetet i bindur se është gati të dëshmojë edhe një herë vlerat e tij.

    “Fjalët nuk kanë më rëndësi. Tani është radha ime ta tregoj në kafaz, dhe pikërisht këtë do të bëj.”

  • Courtois thumbon SHBA-në pas fitores bindëse: Ishim më të sigurt se ndaj Senegalit

    Courtois thumbon SHBA-në pas fitores bindëse: Ishim më të sigurt se ndaj Senegalit

    Portieri i Belgjikës, Thibaut Courtois, nuk e fshehu kënaqësinë pas fitores së thellë 4-1 ndaj Shteteve të Bashkuara në Kupën e Botës 2026, por përveç analizës së ndeshjes, ai pati edhe disa deklarata të forta në adresë të kundërshtarëve.

    Gardiani belg iu rikthye polemikave që paraprinë sfidën, të lidhura me vendimin e FIFA-s për t’i lejuar sulmuesit amerikan Folarin Balogun të luante pavarësisht pezullimit, një çështje që kishte shkaktuar pakënaqësi te Federata e Futbollit e Belgjikës.

    “Në një farë mënyre, ia dolëm t’i përgjigjemi në fushë mungesës së respektit që amerikanët treguan ndaj nesh gjatë ditëve të fundit”, u shpreh Courtois pas përfundimit të takimit.

    Portieri belg minimizoi gjithashtu forcën e përfaqësueses amerikane, duke theksuar se sfida ndaj Senegalit kishte qenë shumë më e vështirë sesa ajo ndaj SHBA-së.

    “Kam lexuar shumë gjëra këto ditë dhe vetëm më kanë bërë të buzëqesh. E kuptoj se donin të krijonin sa më shumë vëmendje rreth SHBA-së, por sinqerisht isha më i bindur për fitoren në këtë ndeshje sesa në përballjen me Senegalin, i cili, sipas mendimit tim, ka një ekip më të fortë”, deklaroi ai.

    Belgjika tashmë ka siguruar një vend në çerekfinale, ku e pret një përballje shumë e vështirë ndaj Spanjës. Megjithatë, Courtois kërkoi që skuadra të mos ushtrojë presion të panevojshëm mbi veten.

    “Objektivi ynë ishte të arrinim në çerekfinale. Tani e kemi përmbushur atë dhe gjithçka që do të vijë nga ky moment e tutje do të jetë një bonus”, përfundoi portieri belg.

  • Hamza takon raportuesin e PE-së, Terras: Kosovës i duhen institucione funksionale për rrugën drejt BE-së

    Hamza takon raportuesin e PE-së, Terras: Kosovës i duhen institucione funksionale për rrugën drejt BE-së

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe nevojën për tejkalimin e ngërçit institucional.

    Gjatë takimit, Hamza shprehu mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm të Terras dhe për raportin e fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar faktin se ai riafirmon perspektivën evropiane të vendit dhe mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Sipas njoftimit, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se raporti i Parlamentit Evropian përbën një sinjal të rëndësishëm mbështetjeje për Kosovën, por njëkohësisht edhe një thirrje që institucionet të tejkalojnë krizën politike dhe të mos lejojnë vonesa të mëtejshme në funksionalizimin e tyre.

    Hamza theksoi se PDK-ja ndan shqetësimet e ngritura në raport lidhur me mungesën e institucioneve plotësisht funksionale për një periudhë të gjatë, duke nënvizuar se vendit i nevojiten institucione që marrin vendime, zbatojnë reforma dhe forcojnë besimin me partnerët ndërkombëtarë.

    Ai shtoi se stabiliteti nuk duhet të kufizohet vetëm në krijimin e institucioneve, por duhet të mbështetet edhe në qeverisje demokratike, dialog politik dhe respektim të Kushtetutës.

    Në përmbyllje, kreu i PDK-së shprehu vlerësimin për rolin e eurodeputetit Riho Terras dhe të Parlamentit Evropian si mbështetës të rëndësishëm të Kosovës dhe të aspiratës së saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

  • Zelensky shkon në samitin e NATO-s me një kërkesë urgjente për Ukrainën: Më shumë mbrojtje ajrore

    Zelensky shkon në samitin e NATO-s me një kërkesë urgjente për Ukrainën: Më shumë mbrojtje ajrore

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, edhe pse vendi i tij nuk është anëtar i NATO-s, është bërë një pjesëmarrës i rregullt në samitet e aleancës, ndërsa Ukraina vazhdon të mbrohet nga agresioni rus.

    Me të mbërritur në Ankara të martën, Zelensky deklaroi se objektivi i tij kryesor në samit është sigurimi i më shumë sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën.

    “Do të vazhdojmë të punojmë për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Sisteme të reja, raketa për to dhe çështja e licencave të prodhimit – të gjitha këto janë prioriteti ynë”, shkroi ai në X.

    Gjatë muajve të fundit, Ukraina ka arritur kryesisht t’i zmbrapsë sulmet masive ajrore ruse ndaj qyteteve të saj dhe të shpëtojë jetë njerëzish, duke rrëzuar dronët dhe raketat ruse përmes një kombinimi të teknologjisë së avancuar, taktikave ushtarake dhe armëve të furnizuara nga Perëndimi.

    Megjithatë, kjo situatë ka ndryshuar këtë muaj. Një sulm rus ndaj Kievit javën e kaluar vrau 30 persona, ndërsa vetëm katër ditë më vonë një tjetër sulm ndaj kryeqytetit ukrainas la të vdekur edhe 19 persona.

    Numri i lartë i viktimave besohet të jetë pasojë e mungesës së theksuar të raketave Patriot, të vetmet sisteme të mbrojtjes ajrore të afta për të rrëzuar këtë lloj raketash.

    Zelensky dhe zyrtarë të tjerë ukrainas kanë bërë të ditur se vendi po përballet me një “mungesë kritike” të raketave Patriot. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës njoftoi javën e kaluar se u ka dërguar letra pothuajse 40 vendeve, duke u kërkuar që t’i furnizojnë sa më shpejt me raketa Patriot nga rezervat e tyre ekzistuese, në këmbim të dërgesave të ardhshme që janë kontraktuar tashmë për Ukrainën, shkruan CNN.

  • Bytyqi e AAK-së: Nëse vazhdon kjo lojë e LVV-së, vendi do të shkojë në zgjedhje sërish

    Bytyqi e AAK-së: Nëse vazhdon kjo lojë e LVV-së, vendi do të shkojë në zgjedhje sërish

    Deputetja e zgjedhur e AAK-së, Albana Bytyqi ka komentuar deklaratat e djeshme që erdhën nga LVV-ja se i kanë se i votat për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por kërkojnë konsensus për Presidentin.

    Sipas Bytyqit, një qasje e tillë e LVV-së e ka dërguar vendin në zgjedhje edhe në dhjetor si pasojë e mungesës së një marrëveshjeje që do ta përfshinte edhe zgjedhjen e presidentit.

    “Kjo qasje është shumë e gabuar, sepse po shkon pikërisht si në muajin dhjetor, kur shkuam në zgjedhje me këtë qasje se ne i formojmë institucionet, njëherë zgjedhet Qeveria e më pas Presidenti. Kështu ka shkuar si procedurë jo e rregullt. Edhe tani, nëse vazhdon kjo lojë e LVV-së, vendi do të shkojë në zgjedhje. Prandaj, paraprakisht duhet të bëhet një marrëveshje politike. Mirëpo, ne e dimë të gjithë se partia e parë fituese është dashur qysh moti t’i fillojë negociatat për zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që të mos vijë deri te dita e fundit, kur nuk mund të gjendet asnjë zgjidhje dhe vendi të shkojë sërish në zgjedhje. Nuk kemi ndonjë rezultat pozitiv.”, tha ajo për RTV21.

  • Sali Berisha ia huq me protestën e fermerëve të Kosovës, e paraqet si protestë në Shqipëri

    Sali Berisha ia huq me protestën e fermerëve të Kosovës, e paraqet si protestë në Shqipëri

    Lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka publikuar një video nga protesta e fermerëve të Kosovës, duke pretenduar se kjo ngjarje ka ndodhur në Shqipëri.

    Berisha pas publikimit të videos ka shkruar në mbishkrimin, “Fermerët derdhin qumështin para Ministrisë së Bujqësisë si protestë për politikat qeveritare të falimentimit të tyre.”

    Berisha megjithatë në postim nuk e ka sqaruar se ky aksion simbolik është zhvilluar në Prishtinë e jo Tiranë.

    Postimi më pas është hequr.

    Berisha edhe në të kaluarën ka bërë huqje të tilla.