ATV

Blog

  • Djali vret babain e tij në Shkup

    Djali vret babain e tij në Shkup

    Një banor i Shkupit (31) është arrestuar pasi e ka vrarë me thikë babanë e tij pas një grindjeje që ndodhi mbrëmë në Shkup.

    Sipas njoftimit nga Ministria e Brendshme, incidenti ka ndodhur rreth orës 22:30 në shtëpinë e tyre familjare në rrethinën e “Bit Pazarit”.

    Sipas raportimit, 52-vjeçari E.L., i cili ishte nën ndikimin e alkoolit, e sulmoi fizikisht gruan e tij 54-vjeçare (nënën e B.Xh.), ndërsa djali i tyre 31-vjeçar B.Xh. e goditi me thikë babanë e tij, duke i shkaktuar vdekjen.

    Oficerët e policisë e morën të dyshuarin në paraburgim rreth orës 23:00, ndërsa gruaja e plagosur u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naum i ohrit” për ndihmë mjekësore.

    Me urdhër të prokurorit publik, trupi i të ndjerit u dorëzua për autopsi.

  • Pjesëtarë të FSK-së përfundojnë me sukses trajnimin e zhytjes në Republikën e Shqipërisë

    Pjesëtarë të FSK-së përfundojnë me sukses trajnimin e zhytjes në Republikën e Shqipërisë

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se në kuadër të bashkëpunimit të tyre me Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Qendra Ndërkombëtare e Trajnimeve për Kërkim-Shpëtim e Gardës Kombëtare të FSK-së ka realizuar trajnimin “Zhytje Rifreskuese” në Qendrën Kombëtare të Polumbarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Pashaliman, Vlorë.

    Trajnimi kishte për qëllim rifreskimin dhe avancimin e njohurive profesionale në zhytje, me fokus në teknikat moderne të zhytjes, sigurinë nënujore, planifikimin dhe realizimin e operacioneve të zhytjes, kontrollin e lundrueshmërisë, sistemin buddy, si dhe zhvillimin e aftësive për mësimdhënie dhe demonstrim praktik.

    “Përmes këtij programi, pjesëtarët e FSK-së kanë forcuar kapacitetet profesionale për realizimin e misioneve të kërkim-shpëtimit dhe operacioneve të specializuara nënujore”, thuhet në njoftim të FSK-së.

  • Mbi 10 mijë viktima nga vala e të nxehtit në Evropë

    Mbi 10 mijë viktima nga vala e të nxehtit në Evropë

    Mbi 10 mijë vdekje janë regjistruar në Evropë gjatë valëve ekstreme të të nxehtit që përfshinë pjesën perëndimore të kontinentit në fund të muajit qershor, sipas të dhënave të publikuara nga EuroMOMO.

    Sipas monitoruesit evropian të vdekshmërisë, i mbështetur nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), mbi 9 mijë nga viktimat ishin persona të moshës mbi 65-vjeçare, raporton Reuters.

    Temperaturat rekord të regjistruara në disa vende evropiane kanë shkaktuar pasoja të rënda, ndërsa vlerësimet paraprake në Belgjikë, Britani, Francë dhe Spanjë tregojnë se valët e të nxehtit kanë qenë shkaktar i mijëra vdekjeve shtesë.

    Ndërkohë, grupi i shkencëtarëve World Weather Attribution vlerëson se valët ekstreme të të nxehtit të muajit qershor do të kishin qenë “pothuajse të pamundura” pa ndikimin e ndryshimeve klimatike.

  • Operacion i kërkim-shpëtimit në lumin Mat, angazhohen pjesëtarë nga Kosova (VIDEO)

    Operacion i kërkim-shpëtimit në lumin Mat, angazhohen pjesëtarë nga Kosova (VIDEO)

    Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës, kanë nisur një operacion në lumin Mat në Shqipëri.

    Dyshohet se të njëjtit janë në kërkim të trupit të Erkin Likës, i cili dyshohet se ka humbur jetën teksa ishte në shkëmbinjtë pranë Urës së Vashës, në zonën e Klosit.

    Sipas informacioneve paraprake, Lika ndodhej në zonë së bashku me grupin, ndërsa dyshohet se ka rrëshqitur nga shkëmbinjtë teksa po fotografonte pjesëtarët e ekipit, duke rënë në humnerë dhe duke humbur jetën.

  • Rekord i pazakontë dashurie: Çifti realizon 195 puthje në vetëm 30 sekonda

    Rekord i pazakontë dashurie: Çifti realizon 195 puthje në vetëm 30 sekonda

    Një çift nga Brazili ka hyrë në histori me një rekord të pazakontë, pasi realizoi plot 195 puthje brenda vetëm 30 sekondash.

    Renato Bayma Gaia, 32 vjeç, e puthi në fytyrë partneren e tij, Naiara Roberta Ribeiro de Marins, 33 vjeçe, me një shpejtësi mbresëlënëse, duke vendosur rekordin për numrin më të madh të puthjeve të realizuara në gjysmë minute.

    Momenti u kthye menjëherë në një ngjarje virale, ndërsa çifti tërhoqi vëmendjen për kombinimin e shpejtësisë, koordinimit dhe humorit.

    Ndryshe nga rekordi i tyre, një puthje e zakonshme nuk ka një kohëzgjatje të përcaktuar. Ajo mund të zgjasë vetëm disa sekonda ose disa minuta, në varësi të situatës, ndjenjave dhe afërsisë mes dy personave.

    Studime të ndryshme sugjerojnë se një puthje mesatare zgjat rreth 12 sekonda. Megjithatë, puthjet romantike dhe më emocionale shpesh zgjasin më shumë, pasi shërbejnë si mënyrë për të shprehur intimitet, dashuri dhe lidhje emocionale.

    Për disa çifte, një puthje e gjatë dhe e ngadaltë mund ta forcojë ndjenjën e afërsisë, ndërsa për të tjerë edhe një puthje e shkurtër mund të ketë po aq kuptim.

    Më shumë sesa kohëzgjatja, rëndësi ka që puthja të jetë e natyrshme, e ndërsjellë dhe në përputhje me ndjenjat e momentit.

    Ajo duhet gjithmonë t’i respektojë kufijtë emocionalë dhe fizikë të të dy personave, ndërsa në një marrëdhënie intime mund të shërbejë si një nga mënyrat më të thjeshta për ta forcuar lidhjen.

    Në rastin e çiftit brazilian, megjithatë, fokusi nuk ishte te romantika e një puthjeje të gjatë, por te një sfidë e shpejtësisë që përfundoi me një rekord të ri.

  • Behrami thotë se është paditur nga Gërvalla

    Behrami thotë se është paditur nga Gërvalla

    Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Artan Behrami ka njoftuar se është paditur për shpije nga ministrja në detyrë e Drejtësisë Donika Gëravlla.

    Behrami ka thënë se sipas njoftimit ai është paditur për shpije në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    “Donika Gërvalla më paska paditur në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ka mujtë me dërgu lëndën edhe në Gjykatën Speciale. Paramendo!Ajo që prej vitesh është akuzuar si shpifëse, demonizuese, përçarëse, polarizuese, denigruese, stigmatizuese, etiketuese dhe përbaltëse, tani më padit mua për shpifje! Ani nashtë! Mezi pres të ballafaqohemi në gjykatë”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Skandaloze: Tifozët e Zenitit shfaqin banerin “Kosova është Serbi”

    Skandaloze: Tifozët e Zenitit shfaqin banerin “Kosova është Serbi”

    Tifozët e skuadrës ruse Zenit sërish kanë dalë me një baner skandaloz, duke e vendosur Kosovën si pjesë të Serbisë.

    Në përballjen ndaj ekipit nacionalist Red Star, tifozët e klubit rus vazhduan me luftën kundër Kosovës.

    “Kosova është Serbi”, thuhet në një nga banerët e Zenitit, ndërsa në tjetrin shkruhej “Jetë të gjatë Rusisë dhe Serbisë”.

    Kjo nuk është hera e parë që klubet ruse kur luajnë ndaj atyre serbe shfaqin banerë kundër Kosovës, ngase raportet mes dy shteteve mbesin të ngushta.

  • Arrestohet në Beograd një i kërkuar nga Interpol-i, me dokumente të falsifikuara të Kosovës

    Arrestohet në Beograd një i kërkuar nga Interpol-i, me dokumente të falsifikuara të Kosovës

    Vuk Vulleviq, shtetas i Malit të Zi, për të cilin ishte lëshuar fletarrestim i kuq nga Interpol-i, u arrestua më 12 korrik në një lokal në Beograd, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPB).

    “Gjatë arrestimit, atij iu gjetën dokumente personale të falsifikuara, të lëshuara në Kosovë. Me urdhër të prokurorisë kompetente, ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal nën dyshimet se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve”, thuhet në njoftimin që transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

    MPB-ja serbe tha se ndaj Vulleviqit ishte lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar nga agjencia ndërkombëtare e policisë, Interpol, në Podgoricë, për veprat penale të organizimit të grupit kriminal dhe prodhimit, posedimit dhe trafikimit të paautorizuar të narkotikëve.

    Sipas njoftimit, ndaj tij ishte lëshuar edhe një fletarrestim nga Gjykata e Lartë në Beograd, Departamenti i Posaçëm për Krim të Organizuar, lidhur me veprat penale për të cilat ai kërkohet nga drejtësia malazeze.

    Policia bëri të ditur se gjatë arrestimit i konfiskoi dy telefona celularë dhe e njoftoi Prokurorinë e Tretë Themelore në Beograd.

    Po ashtu, u tha se Vulleviq do të dërgohet në Departamentin e Posaçëm për Krim të Organizuar të Gjykatës së Lartë në Beograd.

    Policia malazeze e kërkon Vulleviqin nën dyshimet se është pjesë e grupit të organizuar kriminal të Vaso Ulliqit dhe Radoje Zvicerit.

    Prokuroria Speciale Shtetërore e Malit të Zi ngriti aktakuzë në korrik të vitit 2024 ndaj 19 personave, të dyshuar për organizimin e një grupi kriminal ndërkombëtar që kishte marrë pjesë në kontrabandën e rreth 2.5 tonëve kokainë.

    Ndërsa nëntë anëtarë të dyshuar të këtij grupi u arrestuan në korrik të vitit 2024, të tjerë të dyshuar vazhdojnë të jenë në arrati.

    Autoritetet malazeze të drejtësisë në këtë operacion, të koduar “General”, u mbështetën nga agjencia evropiane e policisë, Europol, Byroja Federale e Hetimeve FBI, Administrata për Luftimin e Narkotikëve DEA dhe Policia Federale e Australisë.

    Prokuroria Speciale e Malit të Zi i identifikoi si drejtues të këtij grupi kriminal Radoje Zvicerin, i cili konsiderohet udhëheqës i klanit kriminal “Kavaç”, dhe Vaso Ulliqin.

    Mes personave në arrati që kërkoheshin nga policia ishte edhe Vuk Vulleviq, krahas Radoje Zvicerit.

    Më herët, Vulleviq është akuzuar për kontrabandë kokaine nga Venezuela dhe për vrasjen, në vitin 2005, të inspektorit të policisë Sllavolub Shqekiq, por ai është liruar nga këto akuza.

    Policia malazeze e ka përmendur më parë edhe si një nga personat e dyshuar për vrasjen e kryeredaktorit të gazetës Dan, Dushko Jovanoviq, por ndaj tij nuk është zhvilluar ndonjë procedurë gjyqësore për këtë rast.

  • Fenomen i pabesueshëm: Mbi 500 foshnja marrin emrin e Haalandit pas paraqitjeve në Botëror

    Fenomen i pabesueshëm: Mbi 500 foshnja marrin emrin e Haalandit pas paraqitjeve në Botëror

    Ethet e Kupës së Botës 2026 dhe forma fantastike e Erling Haalandit kanë shkaktuar një fenomen të pazakontë në Peru, ku qindra prindër kanë vendosur t’u japin fëmijëve të tyre emrin e sulmuesit norvegjez.

    Sipas Regjistrit Kombëtar të Identifikimit dhe Gjendjes Civile të Perusë (Reniec), 468 foshnja të porsalindura janë regjistruar me mbiemrin “Haaland”, ndërsa 91 të tjera kanë marrë emrin e plotë “Erling Haaland”.

    Zëdhënësi i Reniec, Ivan Torres, tha se yjet e futbollit vazhdojnë të jenë burim frymëzimi për shumë familje peruane.

    “Haalandi është gjithashtu peruan. Yjet e mëdhenj të futbollit shërbejnë si frymëzim që peruanët t’u vendosin fëmijëve emra të njohur dhe të veçantë”, deklaroi Torres.

    Ai shtoi se shumica e këtyre regjistrimeve janë bërë pas fillimit të Kupës së Botës, veçanërisht pasi Norvegjia siguroi kualifikimin historik në çerekfinale.

    Sulmuesi 25-vjeçar i Manchester Cityt, i njohur me nofkën “Androidi”, ka qenë një nga protagonistët e turneut. Ai realizoi dy gola në fitoren ndaj Brazilit, sukses që i siguroi Norvegjisë çerekfinalen e parë në histori të Kupës së Botës.

    Ky fenomen nuk është i ri në Peru. Sipas të dhënave zyrtare, 3.402 persona mbajnë emrin “Messi”, prej të cilëve 292 janë regjistruar si “Lionel Messi”. Po ashtu, 1 mijë e 185 persona quhen “Cristiano Ronaldo”, 1 mijë e 241 “Yamal”, 238 “Mbappe”, ndërsa plot 33 mijë e 809 mbajnë emrin “Neymar”.

    “Nuk mund t’i ndalojmë njerëzit t’i përdorin këta emra”, shtoi Torres.

    Nëse Norvegjia vazhdon rrugëtimin në Kupën e Botës, pritet që “Haalandmania” të marrë përmasa edhe më të mëdha. Aktualisht, Haalandi ka shënuar shtatë gola në turne, vetëm një më pak se Lionel Messi dhe Kylian Mbappe, të cilët kryesojnë listën e golashënuesve me nga tetë realizime.

  • Zejnullah Gashi nominohet për Kryeprokuror të Shtetit

    Zejnullah Gashi nominohet për Kryeprokuror të Shtetit

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e 298-të të hënën, ka nominuar kandidatin Zejnullah Gashi për Kryeprokuror të Shtetit. Ky kandidat i propozohet ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për dekretim.

    Gashi mori shumicën e thjeshtë të votave, pra pesë vota gjithsej. Kurse, Rafet Halimi mori një votë dhe kandidatët tjerë asnjë.

    Pas procesit të votimit, KPK-ja propozoi për dekretim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashin.

    Në garë janë pesë kandidatë dhe atë: Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Fillimisht, kryesuesi Arian Gashi tha se Paneli Vlerësues në përkrahje të Sekretariatit ka dorëzuar listën e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit. Më pas, Paneli ka hapur aplikacionet përfshirë dokumentet e mbledhura nga Sekretariati.

    Gashi shtoi se Paneli ka konstatuar se pesë kandidatë kanë plotësuar kriteret për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Lista është konfirmuar nga KPK-ja.

    Më pas, kryesuesi shtoi se janë publikuar koncept-dokumentet e secilit kandidat.

    Ai shtoi se intervistat janë monitoruar nga partnerët ndërkombëtarë dhe shoqëria civile, ku edhe është bërë publike ftesa.

    Procesi i intervistimit, Gashi tha se është zhvilluar nga Paneli në mënyrë të pavarur, dhe rezultoi se kandidatët u poentuan në këtë mënyrë: Zejnullah Gashi 91.6 pikë, Atdhe Dema 89.3 pikë, Naim Abazi 89 pikë, Rafet Halimi 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu 86.3 pikë.

    Pas kësaj, ai tha se kandidatët janë njoftuar me të drejtën e ankesës dhe pas kësaj procedure, është përgatitur raporti final, me të cilin është rekomanduar lista me kandidatët: Zejnullah Gashi, Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi dhe Shqipdon Fazliu.

    Pas këtyre sqarimeve, Këshilli kaloi në votim të fshehtë. Nga ky votim, abstenoi anëtari Milot Krasniqi, i cili tha se po abstenon për shkak të qëndrimeve që ka pasur lidhur me këtë proces.

    Pas zhvillimit të procesit të intervistimit më 1 korrik 2026, Paneli Vlerësues publikoi rezultatet, sipas të cilave kandidatët u poentuan në këtë mënyrë: Zejnullah Gashi 91.6 pikë, Atdhe Dema 89.3 pikë, Naim Abazi 89 pikë, Rafet Halimi 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu 86.3 pikë.

    KPK-ja po ashtu ka publikuar edhe intervistat e pesë kandidatëve.

    Ankesën ndaj vlerësimit të marrë gjatë procesit të përzgjedhjes, kishte parashtruar kandidati për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema. Por, Këshilli refuzoi ankesën e tij në mbledhjen e 10 korrikut 2026.

    Ndryshe, më 19 qershor 2026, me 6 vota për dhe 1 kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar kandidaturat e pesë kandidatëve që kanë hyrë në garë për Kryeprokuror të Shtetit.

    Përkatësisht, prokurorët që kanë aplikuar për këtë pozitë dhe i plotësojnë kushtet sipas kritereve janë:

    Atdhe Dema– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Naim Abazi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Rafet Halimi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Shqipdon Fazliu– Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit,

    Zejnullah Gashi– Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” një ditë pas mbylljes së konkursit më 11 qershor 2026 kishte raportuar për pesë emrat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.

    Kujtojmë se vendimi për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj 2026.

    Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj kishte paraqitur padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar që konkursi i shpallur nga KPK-ja të pezullohet, por Gjykata Administrative e kishte refuzuar kërkesën. Vendimin e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit. /BetimipërDrejtësi