ATV

Blog

  • Ismet Munishi jep dorëheqje nga posti i trajnerit të Dukagjinit

    Ismet Munishi jep dorëheqje nga posti i trajnerit të Dukagjinit

    Trajneri i njohur kosovar, Ismet Munishi, ka njoftuar sot largimin e tij nga KF Dukagjini i Klinës, duke dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit për arsye personale.

    Në një postim në rrjetet sociale, Munishi falënderoi qytetarët e Klinës, drejtuesit e klubit dhe stafin bashkëpunëtor për periudhën e kaluar së bashku në skuadër.

    “Faleminderit Klinë! Rrugëtimi im te KF Dukagjini (Klinë) mbaron këtu, për arsye personale jap dorëheqje nga posti i trajnerit. Falënderoj qytetarët e Klinës, presidentin Fabian Veseli, drejtorin Korab Desku, si dhe stafin e trajnerëve Ardian Basha, Ndue Pergjokaj, Valmir Bytyqi dhe Sejdi Morina. Falënderoj lojtarët për sakrificën dhe përkushtimin e tyre. Klubit i dëshiroj shumë suksese në vazhdim”, ka shkruar Munishi.

    Munishi mori drejtimin e Dukagjinit këtë sezon, me synimin për ta mbajtur skuadrën konkurruese në Superligën e Kosovës. Dorëheqja e tij vjen në një moment kur klubi nga Klina po kalon një periudhë të ndërlikuar në kampionat, dhe ende nuk dihet se kush do ta pasojë në pankinë.

    Klubi pritet të reagojë së shpejti me një njoftim zyrtar për hapat e ardhshëm.

  • Osmani e çon ne vend kërkesën e Kurtit,  ia jep mandatin Konjufcës për ta formuar Qeverinë

    Osmani e çon ne vend kërkesën e Kurtit, ia jep mandatin Konjufcës për ta formuar Qeverinë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër, pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Osmani gjatë një konference për media, ka thënë se ky mandatim është në përputhje me Kushtetutën dhe tri aktgjykimet.

    Po ashtu, ajo tha se me aktgjykim ka përgjegjësi ta ruajë stabilitetin e vendit për shmangien e zgjedhjeve.

    “Sot në përputhje me kushtetutën, në përputhje me tri aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, kam mandatuar z. Glauk Konjfuca kandidat për kryeministër. Mandatimi i z. Konjufca është me përgjegjësinë tjetër që gjykata ia ka dhënë presidencës në po të njëjtat aktgjykime, respektivisht që presidentja të ruajë stabilitetin vendit, duke shamngur zgjedhjet”, ka thënë Osmani.

    Ajo tha se nuk ka diskrecion në këtë çështje, pos nëse do të kishte edhe të propozuar tjerë, duke shtuar se nuk ka pos propozimit të Vetëvendosjes.

  • Zyla Kadriu bën histori – e para volejbolliste kosovare që transferohet në Azi

    Zyla Kadriu bën histori – e para volejbolliste kosovare që transferohet në Azi

    Volejbollistja e Kombëtares së Kosovës, Zyla Kadriu, ka shënuar një moment historik për sportin kosovar duke u bërë volejbollistja e parë nga Kosova që transferohet në një klub aziatik. Pas një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm në vend dhe jashtë tij, Kadriu ka nisur aventurën e re me skuadrën Darkhan Moguls në Mongoli.

    Ky transferim përfaqëson jo vetëm një hap të madh në karrierën e saj personale, por edhe një arritje të veçantë për volejbollin e Kosovës, i cili për herë të parë sheh një lojtare të vetën që depërton në tregun sportiv aziatik.

    Kadriu, e cila vjen nga KV Skenderaj, do të jetë e vetmja lojtare evropiane në përbërjen e ekipit mongol, duke e bërë këtë eksperiencë edhe më të veçantë. Ajo më parë ka luajtur në nivel universitar në SHBA me ekipin Northwood Timberwolves, përpara se të rikthehej në Skenderaj, klubin ku nisi rrugëtimin e saj.

    Ky hap i ri i volejbollistes kosovare pritet të shërbejë si frymëzim për shumë sportiste të reja në vend, të cilat synojnë të ndërtojnë karrierë ndërkombëtare.

    Federata e Volejbollit e Kosovës ka uruar Kadriun për këtë sukses, duke theksuar se ajo po e përfaqëson denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare.

    “Zyla Kadriu po hap një kapitull të ri për volejbollin tonë. Ky transferim në Azi tregon se sportistet tona kanë potencial për të shkëlqyer kudo në botë”, thuhet në reagimin e FVK-së.

    Me këtë lëvizje historike, Zyla Kadriu bëhet jo vetëm një emër i rëndësishëm në sportin kosovar, por edhe një pioniere e parë e volejbollit tonë në kontinentin aziatik.

  • Babai i Lamine Yamal njofton fejesën me një vajzë 16 vjet më të re

    Babai i Lamine Yamal njofton fejesën me një vajzë 16 vjet më të re

    Babai i yllit të Barcelonës, Lamine Yamal, Mounir Nasraoui, ka befasuar ndjekësit e tij në Instagram me një njoftim të papritur — ai ka konfirmuar se është fejuar me të dashurën e tij të re, Khristina, e cila është 16 vjet më e re se ai.

    Nasraoui postoi një fotografi ku shihet pranë partneres, duke shtuar në përshkrim dy emotikone domethënëse: një zemër të zezë dhe një unazë fejese. Kjo mjaftoi që ndjekësit të kuptonin se babai i talentit 18-vjeçar të Spanjës ka marrë vendimin për t’u martuar.

    Sipas mediave spanjolle, përfshirë AS.com, partnerja e tij Khristina është 23 vjeçare, dhe çifti e kishte bërë publike lidhjen e tyre vetëm disa muaj më parë. Postimi i Nasraouit ka marrë mijëra reagime, duke ndarë opinionet e ndjekësve — nga urimet e shumta për çiftin, deri te komentet ironike.

    “Urime, çift i mrekullueshëm!”, shkroi një ndjekës, ndërsa një tjetër shtoi me humor: “I varfëri Lamine, edhe një gojë tjetër për të mbajtur!”.

    Mounir Nasraoui është mjaft aktiv në rrjete sociale dhe shpeshherë komenton jetën e tij dhe suksesin e të birit, Lamine Yamal, i cili tashmë është një nga lojtarët më të ndjekur dhe më premtues në futbollin evropian.

    Ndërsa fejesa e tij me Khristinën ka ndezur diskutime të shumta në rrjet, shumica e reagimeve kanë qenë pozitive, me fansat që i urojnë fat dhe dashuri çiftit të ri.

    Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar për datën e martesës, dhe detajet e sakta mbi lidhjen e tyre mbeten private.

  • Nëntori, muaji i artë i kinemasë botërore, filmat më të mirë që nuk duhen humbur këtë muaj

    Nëntori, muaji i artë i kinemasë botërore, filmat më të mirë që nuk duhen humbur këtë muaj

    BBC ka përzgjedhur filmat më të rëndësishëm që debutohen këtë muaj, duke e quajtur nëntorin një periudhë të artë për kinemanë botërore. Ky muaj sjell një kombinim perfekt emocionesh, nga dramat historike e trillerët psikologjikë, te muzikalet madhështore dhe komeditë e ndjeshme që pritet të lënë gjurmë në fundin e këtij viti kinematografik.

    Një nga më të përfolurit është “The Running Man”, adaptimi i ri i romanit distopik të Stephen King, ku Glen Powell luan një burrë që hyn në një lojë televizive vdekjeprurëse për pasuri. Regjisor është Edgar Wright, i njohur për stilin e tij energjik dhe të pazakontë. Filmi del mes datave 6–14 nëntor ndërkombëtarisht.

    Për ata që preferojnë dramën historike, “Nuremberg” sjell në ekran gjyqet pas Luftës së Dytë Botërore, me një kast të jashtëzakonshëm: Rami Malek, Russell Crowe dhe Michael Shannon. Ky film konsiderohet si një ndër më të fuqishmit e vitit për nga mesazhi dhe intensiteti emocional.

    Nga ana tjetër, për adhuruesit e kinemasë europiane, “Sentimental Value” vjen nga ekipi i “The Worst Person in the World” dhe sjell një histori komike e ndjeshme për familjen, famën dhe marrëdhëniet njerëzore, me aktorët Renate Reinsve dhe Stellan Skarsgård.

    Një tjetër prurje e shumëpritur është “Die, My Love”, me Jennifer Lawrence dhe Robert Pattinson, nën regjinë e Lynne Ramsay një histori dashurie që përzihet me errësirën e psikologjisë njerëzore.

    Në mesin e emrave të mëdhenj përmendet edhe “Jay Kelly”, ku bashkohen George Clooney dhe Adam Sandler në një dramë komike që eksploron miqësinë dhe krizën personale. Filmi do të publikohet në Netflix më 5 dhjetor.

    Ndërkohë, për adhuruesit e animacionit, “Zootopia 2” rikthen Judy dhe Nick pas plot nëntë vitesh me një mister të ri dhe shumë humor, ndërsa “Wicked: For Good” me Ariana Grande dhe Cynthia Erivo pritet të jetë një nga muzikalet më të mëdhenj të vitit.

    Në fund të muajit, Daniel Craig rikthehet si detektivi Benoit Blanc në “Wake Up Dead Man: A Knives Out Mystery”, një thriller i mbushur me humor të zi, ndërsa Chloe Zhao sjell “Hamnet”, një dramë prekëse mbi humbjen dhe artin, frymëzuar nga jeta e Shakespeare.

    Nëntori i këtij viti vërtet duket si një muaj i artë për dashamirët e filmit me histori që prekin, frymëzojnë dhe sfidojnë, duke dëshmuar se kinemaja vazhdon të jetë një prej formave më magjike të artit.

  • Cristiano Ronaldo zbulon planet për martesë: “Pas Botërorit, shpresojmë me trofeun në duar”

    Cristiano Ronaldo zbulon planet për martesë: “Pas Botërorit, shpresojmë me trofeun në duar”

    Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, ka folur së fundmi për planet e tij për martesë me partneren Georgina Rodríguez, duke zbuluar se ceremonia mund të ndodhë pas përfundimit të Kampionatit Botëror.

    “Ne planifikojmë ta bëjmë pas Botërorit, shpresojmë me trofeun,” – është shprehur Ronaldo me buzëqeshje.

    Ky deklarim ka ndezur menjëherë reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat shprehen të emocionuar për mundësinë e një dasme mbretërore, nëse Portugalia arrin suksesin e madh.

    Cristiano dhe Georgina janë bashkë prej më shumë se shtatë vitesh dhe kanë ndarë shpesh momente të ngrohta familjare me ndjekësit e tyre në rrjete sociale. Dasma e tyre pritet të jetë një nga ngjarjet më të përfolura në botën e sportit dhe showbiz-it.

  • Dybala shpëton nga më e keqja — rikuperimi pritet të jetë i shkurtër

    Dybala shpëton nga më e keqja — rikuperimi pritet të jetë i shkurtër

    Argjentinasi, Paolo Dybala, u dëmtua gjatë gjuajtjes së penalltisë së pritur nga Maignan në “San Siro”, në ndeshjen kundër Milanit në Ligën e Kampionëve.

    Roma mund të marrë frymë e qetë pasi, Dybala iu nënshtrua testeve mjekësore këtë mëngjes. Rezultatet konfirmuan një këputje muskuli të gradës së mesme në kofshën e majtë, por mungesa e tij nuk pritet të zgjasë shumë.

    Stafi mjekësor i klubit do të vlerësojë gjatë pushimit ndërkombëtar nëse Dybala do të mund të rikthehet për ndeshjen e 23 nëntorit ndaj Cremoneses, apo nëse do të ndjekë një program më konservator rikuperimi, për t’u rikthyer plotësisht në formë për sfidën e madhe ndaj Napolit më 30 nëntor.

    Cilado qoftë data e rikthimit, objektivi i Romës mbetet që numri 21 të jetë në formacionin titullar kundër Napolit në fund të muajit.

    Lajmi për dëmtimin e argjentinasit sigurisht nuk i pëlqen Gasperinit, por koha e shkurtër e parashikuar për rikthim lë vend për optimizëm.

    Fillimisht ishte frikësuar se dëmtimi mund të ishte i rëndë, i ngjashëm me atë të Kevin De Bruyne, që e mbajti belgun jashtë fushës për rreth dy muaj. Për fat, analizat treguan se situata e Dybalas është më e lehtë. Roma njoftoi gjithashtu se lojtari e ka nisur tashmë terapinë e rikuperimit në qendrën stërvitore të Trigorias. /ATVLIVE.TV

  • Kurshumlija dhe Uglari në skenën evropiane!

    Kurshumlija dhe Uglari në skenën evropiane!

    Federata e Basketbollit të Kosovës vazhdon të përfaqësohet me sukses në arenën ndërkombëtare.

    Komisioni i Garave të FBK-së, Faton Kurshumlija, sot do të jetë pjesë e një dueli tejet të rëndësishëm në EuroLeague Women, ku Galatasaray pret Flammes – sfidë vendimtare për fazën e grupeve.

    Ndërkohë, gjyqtari Elldin Uglari nesër do të gjykojë ndeshjen Tresnjevka – Zabiny Brno në EuroCup Women, në Zagreb. /ATVLIVE.TV

  • Komisioni i Garave refuzon ankesën e Prishtinës së Re për ndeshjen ndaj Drenicës

    Komisioni i Garave refuzon ankesën e Prishtinës së Re për ndeshjen ndaj Drenicës

    Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë të Kosovës ka vendosur të refuzojë si të pabazuar ankesën e klubit Prishtina e Re lidhur me ndeshjen e javës së 12-të të Superligës, kundër Drenicës, e zhvilluar më 2 nëntor 2025 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.

    Në vendimin e publikuar më 4 nëntor 2025, Komisioni ka sqaruar se, pas shqyrtimit të materialeve zyrtare dhe të dhënave nga sistemi “MyFFK”, është konstatuar se lojtari Altin Vojvoda – për të cilin klubi ankues pretendonte se ishte aktivizuar në mënyrë të parregullt – ka qenë i regjistruar ligjërisht për Drenicën dhe figuron në protokollin zyrtar të ndeshjes me numrin 11.

    “Pretendimi i klubit ankues nuk gjen mbështetje faktike,” thuhet në arsyetimin e vendimit, ku shtohet se ndeshja mbetet e regjistruar me rezultatin e arritur në fushë, pasi nuk është konstatuar asnjë shkelje e rregullave të garës.

    Komisioni është mbështetur në nenet 46 dhe 47 të Rregullores së Garave të Superligës dhe Kupës së Kosovës për edicionin 2025/2026, të cilat përcaktojnë kriteret për regjistrimin e ndeshjeve dhe vlefshmërinë e protokolleve zyrtare.

    Ndeshja Prishtina e Re – Drenica përfundoi me rezultatin 0-0.

    Kujtojmë se kryetar i Komisionit të Garave është Abdyl Bellopoja. /ATVLIVE.TV

  • Osmani takon krerët e PDK-së e LDK-së, këta të fundit refuzojnë propozimin e Konjufcës për kryeministër

    Osmani takon krerët e PDK-së e LDK-së, këta të fundit refuzojnë propozimin e Konjufcës për kryeministër

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur konsultimet politike me partitë e ish-opozitës, pas propozimit zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje që Glauk Konjufca të jetë mandatar për formimin e qeverisë.

    Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se gjatë ditës, Osmani ka zhvilluar takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, për të diskutuar qëndrimin e partive rreth situatës së krijuar politike dhe mundësisë për formimin e një qeverie të re.

    Pas këtij takimi, presidentja ka vazhduar konsultimet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.

    Megjithatë, deri më tani, të gjitha partitë parlamentare të ish-opozitës janë shprehur qartë kundër propozimit të Vetëvendosjes për Glauk Konjufcën si kryeministër, duke e konsideruar këtë nismë si përpjekje për zvarritje politike dhe jo si zgjidhje reale për situatën aktuale në vend.

    Në ditët në vijim pritet që presidentja Osmani të përfundojë ciklin e takimeve konsultative për të marrë një vendim përfundimtar lidhur me hapat e ardhshëm kushtetues./Indeksonline