ATV

Blog

  • Danimarka ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Danimarka ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Qeveria daneze ka arritur një marrëveshje për vendosjen e një kufiri minimal moshe prej 15 vjeç për përdorimin e platformave të caktuara të mediave sociale. Vendimi u njoftua të premten, pas thirrjes së kryeministres Mette Frederiksen për kufizime në përdorimin e mediave sociale nga fëmijët, për shkak të shqetësimeve mbi shëndetin mendor të të rinjve. Shumica e partive parlamentare kanë shprehur mbështetje për planin.

    “Si një nga vendet e para në BE, Danimarka po ndërmerr një hap të rëndësishëm drejt futjes së kufizimeve të moshës në mediat sociale,” tha Ministria e Dixhitalizimit në një deklaratë, duke theksuar se masa synon mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në botën dixhitale.

    Sipas saj, fëmijët nën 15 vjeç nuk duhet të kenë qasje në platforma që mund t’i ekspozojnë ndaj përmbajtjes së dëmshme, shkruan DW.

    Megjithatë, prindërit do të kenë mundësinë të japin pëlqimin për aksesin e fëmijëve të tyre që janë mbi 13 vjeç, duke krijuar një përjashtim të kufizuar. Ministria nuk ka specifikuar ende cilat platforma do të përfshihen dhe si do të zbatohet ndalimi.

    Marrëveshja përfshin gjithashtu ndarjen e 160 milionë koronave daneze (21.4 milionë euro) për 14 nisma që synojnë forcimin e mbrojtjes së fëmijëve në internet, mbikëqyrjen e Aktit të Shërbimeve Dixhitale të BE-së, zhvillimin e platformave alternative dhe luftën kundër marketingut të paligjshëm nga ndikuesit.

    “Fëmijët nuk duhet të lihen vetëm në një botë dixhitale ku përmbajtja e dëmshme dhe interesat komerciale ndikojnë në jetën e tyre të përditshme,” thuhet në deklaratë. Ministrja e Dixhitalizimit Caroline Stage e cilësoi masën si një hap të domosdoshëm: “Danimarka po udhëheq në Evropë me një kufi kombëtar moshe për mediat sociale dhe një përpjekje të përbashkët për të forcuar mirëqenien dixhitale të fëmijëve.”

  • Balotazhi i 9 nëntorit, kandidatët e VV-së premtojnë zhvillim ekonomik dhe projekte infrastrukturore

    Balotazhi i 9 nëntorit, kandidatët e VV-së premtojnë zhvillim ekonomik dhe projekte infrastrukturore

    Në ditën e pestë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar në Vushtrri, Sylejman Meholli, i shoqëruar nga lideri i LVV-së, Albin Kurti dhe partneri i koalicionit për balotazh, Xhafer Tahiri nga LDK premton funksionalizimin e Zonës Ekonomike në Lumadh, duke shfrytëzuar investimet e kryera nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për punësim dhe zhvillim ekonomik.

    Në Mitrovicë, Faton Peci, gjithashtu i shoqëruar nga Albin Kurti, vizitoi tri biznese familjare nga aty ai u premtoi mbështetje financiare dhe infrastrukturore.

    Peci po ashtu premon ndërtimin e urave të reja për përmirësimin e qarkullimit në qytet.

    Në Prishtinë, Hajrulla Çeku konfirmoi mbështetjen e Alternativës dhe apeloi për mobilizim maksimal për balotazhin e 9 nëntorit, duke theksuar rëndësinë e ndryshimit dhe zhvillimit të kryeqytetit.

    Në Gjilan, kryetari aktual dhe kandidat Alban Hyseni diskutoi me gratë e Zhegrës mbi rëndësinë e përfshirjes së tyre në vendimmarrje dhe rol aktiv në zhvillimin shoqëror.

    Në Viti, kandidati Arsim Ademi njoftoi për koalicionin me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, si një hap drejt një qeverisjeje më të përgjegjshme dhe transparente.

    Ardian Gola kandidat për kryetar në Gjakovë, premton modernizimin e bujqësisë me sera, sisteme ujitjeje dhe mbrojtëse kundër breshërit, duke përdorur energji të pastër.

    Në Prizren, Artan Abrashi, së bashku me partnerët e koalicioniT, vizitoi zonat Has, Anadrini, Kurillë, Rali dhe Dardani. Ai theksoi se mesazhi i qytetarëve është i qartë: Prizreni është gati për ndryshim dhe për një qeverisje që punon me përgjegjësi dhe sjell rezultate konkrete.

    Taulant Kelmendi, kandidati i VV-se per kryetar në Pejë, fton mbështetësit e partive të tjera për të bashkëpunuar në ndërrimin e qeverisjes lokale.

    Ndërsa në Obiliq, kandidati Halil Thaçi premton investime në nënkalime, rrethrrotullime dhe infrastrukturë që lidhet me fshatin Plemetin dhe qytetin, për lehtësimin e qarkullimit.

  • Raundi i dytë zgjedhor, kandidatët e LDK-së kërkojnë mbështetjen e qytetarëve më 9 nëntor

    Raundi i dytë zgjedhor, kandidatët e LDK-së kërkojnë mbështetjen e qytetarëve më 9 nëntor

    Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama mbajti tubimin përmbyllës të fushatës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, ku ishte i pranishëm edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Rama prezantoi vizionin e tij për projekte të mëdha infrastrukturore, kulturore dhe zhvillimore që synojnë ta bëjnë Prishtinën një qytet modern dhe të njohur ndërkombëtarisht

    Në Fushë Kosovë, kandidati i LDK-së, Besnik Osmani, ka prezantuar projektet kryesore që synojnë përmirësimin e infrastrukturës në komunë, përfshirë ndërtimin e një rrethrrotullimi.

    Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi që kërkon një mandat të ri, rikujtoi se çdo premtim i tij është kthyer në vepra konkrete gjatë mandatit të parë. “Fituam për tre mandate dhe do të fitojmë edhe më 9 nëntor, sepse asnjëherë nuk e tradhtuam besimin tuaj”, tha Gashi.

    Gazmend Muhaxheri kryetar aktual i Pejës ka rikujtuar punët e realizuara gjatë mandatit të tij në këtë komunë si dhe punët që po bëhen në infrastrukturë.

    Në Viti, kryetari aktual dhe kandidat për një mandat të ri, Sokol Haliti, po intensifikon fushatën me tubime në të gjitha pjesët e komunës. Shtabet zgjedhore në Germovë, Goshicë dhe Ramjan janë të mobilizuara dhe të përgatitura për të siguruar fitoren më 9 nëntor tha Haliti.

    Në Junik, kryetari aktual dhe kandidat për një mandat të ri, Ruzhdi Shehu, ka ngritur një padi ndaj Agron Kuçit dhe AAK-së për deklarata shpifëse. Ai ka siguruar angazhim të shtuar të policisë dhe monitorim 24/7 për zgjedhjet e 9 nëntorit, duke ftuar qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të dalin për të votuar në mënyrë të sigurt.

  • Kandidatët e PDK-së para balotazhit mobilizojnë qytetarët dhe premtojnë investime

    Kandidatët e PDK-së para balotazhit mobilizojnë qytetarët dhe premtojnë investime

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar në Klinë, Sokol Bashota, gjatë tubimit përmbyllës së bashku me liderin e partisë, Memli Krasniqi, u fokusua tek investimet kapitale në qytet dhe fshatra, me qëllim rikthimin e besimit dhe dinjitetit të institucioneve komunale. Ai gjithashtu bëri thirrje për mobilizim të fuqishëm të qytetarëve për të votuar më 9 nëntor.

    Në ditën e pestë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së për një mandat të dytë në Prizren, Shaqir Totaj, mbajti tubimin përmbyllës, ku falenderoi qytetarët për mbështetjen dhe energjinë e tyre, duke theksuar se fitorja është pranë.

    Ai gjithashtu u shpreh mirënjohje ndaj bashkatdhetarëve dhe hasjanëve që po vijnë për të mbështetur qytetin, duke nënvizuar se të bashkuar do të arrijnë fitore.

    Në Dragash, kandidati i PDK-së për kryetar, Shaban Shabani, mbajti tubimin përmbyllës së bashku me liderin e partisë, Memli Krasniqi. Ata theksuan rëndësinë e bashkimit të qytetarëve dhe angazhimit për zhvillim dhe punë në komunë. Shabani bëri thirrje që më 9 nëntor qytetarët të shprehin vullnetin e tyre dhe të kthejnë ndryshimin në fitore.

    Në Kaçanik, kryetari aktual Sabedin Vishi u angazhua për “ritëm të ri zhvillimi, horizonte të reja të punës dhe perspektivës për të gjithë, pa dallime, me qeverisje që mbështetet në transparencë dhe bashkëqeverisje:.

    Në Mitrovicë, kandidati Arian Tahiri vizitoi bizneset dhe qytetarët, duke theksuar bashkëpunimin dhe përkushtimin si motor për zhvillimin e qytetit. Ai vuri në dukje rëndësinë e mbështetjes së bizneseve familjare dhe ruajtjes së traditës dhe cilësisë në prodhim.

    Në Vushtrri, kryetari aktual Ferit Idrizi, gjatë tubimit përmbyllës, falenderoi qytetarët për besimin dhe përkrahjen: “Energjia dhe përkrahja e qytetarëve tregojnë se puna jonë ka lënë gjurmë. Të jem kryetari i çdo qytetari të Vushtrrisë është nderi më i madh i jetës sime.”

  • Zgjedhjet e 9 nëntorit, AAK mbyll fushatën me zotime për investime e punësim

    Zgjedhjet e 9 nëntorit, AAK mbyll fushatën me zotime për investime e punësim

    Në ditën e pestë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën më 9 nëntor, kryetari aktual i Gjakovës, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini mbajti tubimin përmbyllës në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, në prani të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Gjini falënderoi qytetarët dhe partnerët e koalicionit për mbështetjen e deritanishme, duke rikujtuar projektet që, siç tha ai, kanë transformuar komunën.

    Në mandatin e ri, ai premtoi investime të reja në infrastrukturë, ndërtim dhe zgjerim rrugësh, shkolla të pajisura me sistem ngrohjeje, shërbime më të mira shëndetësore dhe përmirësim të furnizimit me ujë të pijes në zonat rurale.

    Në Suharekë, kandidati për një mandat të dytë, Bali Muharremaj, u shpreh se forca e tij qëndron tek mbështetja e popullit, duke theksuar se “obligimi i vetëm është puna”. Në tubimet në Leshan dhe Greikoc, ai kërkoi besimin e qytetarëve për ta vazhduar, siç tha, rrugën e projekteve të nisura në infrastrukturë dhe shërbime lokale.

    Në Junik, kandidati i AAK-së Agron Kuçi reagoi ndaj kundërkandidatëve, duke i cilësuar përpjekjet për dezinformim si shenjë paniku. Kuçi u zotua për një Junik më të zhvilluar, me transparencë dhe menaxhim të drejtë të fondeve publike. “Me 9 nëntor vendos Juniku — me qetësi, me dinjitet dhe për të ardhmen që e meriton”, tha ai.

    Ndërsa në Rahovec, kryetari aktual Smajl Latifi mbajti tubimin përmbyllës në shkollën fillore “Sabedin Hajda”, ku falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe premtoi vazhdim të projekteve zhvillimore në çdo fshat e lagje të komunës. “Besimin që ma dhatë, do ta kthej me punë, rezultate dhe projekte që do ta çojnë Rahovecin përpara, pa lënë askënd prapa”, u shpreh Latifi, duke ftuar qytetarët që të votojnë numrin 174 më 9 nëntor.

  • Zgjedhjet për kryetar të Mamushës, Krasnic dhe Morina me mesazhe të kundërta për të ardhmen e komunës

    Zgjedhjet për kryetar të Mamushës, Krasnic dhe Morina me mesazhe të kundërta për të ardhmen e komunës

    Në ditën e pestë të fushatës gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Mamushës, kryetari aktual i kësaj komune, kandidat edhe për një mandat 4 vjecar, Abdulhadi Krasniq nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka ndarë pamje të punimeve infrastrukturore në lagjet Pasha e Demirci.

    “Si Komunë e Mamushës, kemi filluar punën për asfaltimin e rrugëve kryesore. Synimi ynë është të realizojmë projekte me cilësi të lartë që të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Ne vazhdojmë të punojmë në çdo lagje dhe çdo rrugë, me qëllim që Mamusha të bëhet një qytet më i jetueshëm,” u shpreh Krasniq.

    Ai shtoi se prioritet i tij mbetet zhvillimi i qëndrueshëm i komunës përmes investimeve në infrastrukturë, shërbime publike dhe mirëqenie sociale.

    Nga ana tjetër, kandidati i Mamusha Halk Hareketi, Fikret Morina, u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për ndryshim dhe për një fillim të ri për Mamushën.

    “Këto zgjedhje nuk janë zgjedhje partie, por të një populli që ngrihet përsëri. Qëllimi ynë nuk është pushteti, por e ardhmja e Mamushës. Çdo votë më 9 nëntor do të jetë themeli i një të ardhmeje që do ta ndërtojmë bashkë”, deklaroi Morina.

    Ai po ashtu tha se në qendër të programit të tij qëndron zhvillimi ekonomik, mbështetja për bujqësinë dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje.

  • Sulmohet shtëpia e Alessandro Bastonit nga hajdutët

    Sulmohet shtëpia e Alessandro Bastonit nga hajdutët

    Ylli i Inter-it Alessandro Bastoni është përballur me probleme pas ndeshjes kundër Kairat Almaty-it.

    La Gazzetta dello Sport bën të ditur se një grup prej 4 individëve kanë sulmuar shëtpinë e Bastonit,duke vjedhur sende të ndryshme përfshirë këtu orë luksoze dhe çanta dizajni.

    Përndryshe edhe përkundër aktivizmit të alarmit sigurimi dhe karabinierët nuk arritën të parandalonin me kohë sulmin,dhe autorët e vjedhjes kanë ikur në drejtim të panjohur.

    Ndërkohë vjedhja kishte ndodhur gjatë kohës kur Inter luante kundër ekipit kazak në Champions të cilën neuroazzurët fituan 2:1,ndërkohë që Bastoni ishte në bankën rezervë gjatë takimit.

  • Kobbie Mainoo në radarin e kampionit të Italisë Napoli

    Kobbie Mainoo në radarin e kampionit të Italisë Napoli

    Klubi italian Napoli synon që të bëjë përforcime në repartin e mesfushës.

    Talenti i Manchester United Kobbie Mainoo është vënë në radarin e napolitanëve,dhe sipas raportimeve të mediave drejtuesit e kampionëve të Serie A janë takuar me agjentin e anglezit për një transferim në Itali.

    Përndryshe Mainoo nuk po kalon momente të mira tek Man United,ku në shumicën e ndeshjeve nuk ka qenë i aktivizuar ,dhe poashtu po përmendet një huazim i 20 vjeçarit në janar.

    Natyrisht se Mainoo dëshiron të luaj sa më shumë minuta,në mënyrë që të përfshihet në kombëtaren e Anglisë për botërorin e vitit 2026.

    Kujtojmë që Kobbie Mainoo ka zhvilluar vetëm 8 ndeshje në të gjitha garat për Man United.

  • Wesley Clark, ish-komandanti i NATO-s, dëshmitari i fundit në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë

    Wesley Clark, ish-komandanti i NATO-s, dëshmitari i fundit në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë

    Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Hashim Thaçit në procesin gjyqësor në Hagë. Kjo është bërë e ditur në konferencën e përjavshme për media nga zyrtarët e Gjykatës Speciale, të cilët thanë se mbrojtja e Thaçit ka thirrur gjithsej katër dëshmitarë deri më tani dhe synon të thërrasë edhe tre të tjerë, përfshirë gjeneralin Clark.

    “Mbrojtja e Thaçit ka thirrur katër dëshmitarë deri më sot, dhe sipas parashtrimeve publike aktuale, synon të thërrasë edhe tre dëshmitarë të tjerë në kuadër të paraqitjes së provave të saj”, thanë zëdhënësit e Speciales.

    Më 4 nëntor, Trupi Gjykues miratoi kërkesat e mbrojtjes për të organizuar dëshminë e Clarkut, e cila mund të fillojë pasditen e 18 nëntorit dhe pritet të vazhdojë më 19 nëntor, me një ditë shtesë të rezervuar më 21 nëntor për të përfunduar dëshminë.

    Dokumentet e publikuara tregojnë se Clark ka marrë miratimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të dëshmuar në Hagë.

    Sipas mbrojtjes, dëshmia e gjeneralit amerikan do të përfshijë temat e mëposhtme: drejtimi i përpjekjeve të NATO-s për zbatuar Marrëveshjen Holbrooke-Millosheviq nga tetori 1998, zbatimin e Rezolutës 1199 të KS të OKB-së, kryerjen e fushatës ajrore kundër forcave jugosllave pas refuzimit të Millosheviqit për të nënshkruar marrëveshjet e Rambujesë, vendosjen e forcave në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen Ushtarake Teknike dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, si dhe mbikëqyrjen e demilitarizimit dhe transformimit të UÇK-së.

    Mbrojtja shpreson që dëshmia e Clarkut të përfundojë brenda dy ditësh, por ka kërkuar një ditë shtesë në rast nevoje, për t’i dhënë të gjitha palëve një mundësi të drejtë për të finalizuar dëshminë.

  • Si të ndërtojmë një markë të fuqishme, 5 mësime nga Victoria Beckham!

    Si të ndërtojmë një markë të fuqishme, 5 mësime nga Victoria Beckham!

    Netflix ka zbuluar detaje të reja për dokumentarin e shumëpërfolur mbi jetën dhe karrierën e Victoria Beckham. Filmi do të publikohet më 9 tetor, pothuajse dy vite pas suksesit të madh të dokumentarit për bashkëshortin e saj, David Beckham. Pas triumfit të serisë për Davidin në vitin 2023, Netflix njoftoi se do të sillte edhe historinë e Victoria-s. Në një intervistë për Bloomberg, stilistja tregoi se ishte pikërisht bashkëshorti i saj ai që e nxiti të pranonte këtë projekt.

    Dokumentari tre‑serësh i Victoria Beckham ndjek rrugëtimin e saj nga anëtare e grupit pop Spice Girls deri te krijuese mode dhe biznesmene në industrinë e modës dhe bukurisë, duke ofruar mësime të vlefshme për këdo që synon të ndërtojë një markë të qëndrueshme. Victoria tregon se kalimi i saj nga muzika te modë u shoqërua me skepticizëm – “bota qeshi” kur ajo u përpoq të hynte në industrinë e modës. Por ajo nuk u limitua nga paragjykimet; përkundrazi, vazhdoi të zhvillohej me qëllim dhe vizion të qartë.
    Mësimi: Rikrijimi funksionon kur është planifikuar, jo thjesht reaktiv. Evolucioni yt duhet të forcojë markën, jo ta komplikojë atë.

    Marka Victoria Beckham ka ndërtuar një identitet minimalist, elegant dhe të rafinuar, duke mos ndjekur çdo trend thjesht për të qenë “in”. Ajo qëndroi besnike konceptit të saj derisa audienca e kuptoi dhe e ndoqi.

    Mësimi: Markat që nuk janë të qëndrueshme në imazhin dhe mesazhin e tyre kanë vështirësi të rriten. Çdo produkt, çdo postim, çdo fushatë duhet të jetë në linjë me identitetin tënd.

    Victoria nuk shet vetëm rroba; ajo shet një vizion, një përvojë. Marka e saj e modës, marka e bukurisë dhe kanalet e saj sociale jetojnë brenda të njëjtit univers koheziv: të sofistikuar, të qëndrueshëm dhe frymëzues. Një markë nuk është vetëm logoja apo artikulli që shitet – është çdo kontakt që audienca ka me ty: nga produkti te përballja në rrjete sociale, te ambienti i shitjes, te identiteti vizual.

    Në dokumentar, Victoria rrëfen se është ndjerë shpesh e keqkuptuar dhe e pranon këtë. Kjo ndjeshmëri e bëri që të evoluojë nga një “personazh me stil” në një “vizionare me fuqi” në vetvete.
    Mësimi: Kur ndan evolucionin tënd me ndershmëri dhe vetëdije, e bën markën më prekshme dhe audienca fillon ta mbështesë rritjen tënde. Fokusohu në ndërtimin e një marke që njerëzit e besojnë, jo vetëm që e shohin për pak kohë. Trendet mund të prodhojnë shitje, por marka është ajo që bën që njerëzit të kthehen.