ATV

Blog

  • Intervenime në 7 zona të Prishtinës, pritet të ketë ndërprerje të ujit

    Intervenime në 7 zona të Prishtinës, pritet të ketë ndërprerje të ujit

    Kompania Rajonale e Ujesjellësit “Prishtina” ka njoftuar për intervenime në disa zona të kryeqytetit.

    Ekipet e mirëmbajtjes, janë duke punuar në teren për të realizuar intervenime në këto zona të cilat do të nisin intervenimet: ‘Rr. UÇK’, ‘Rr. Lidhja e Lezhës’, ‘Rr. Zagrebit’, ‘Rr. Hakif Sheholli’, ‘Rr. Bija e Vokshit’, ‘Rr. Ismet Krasniqi’, ‘Rr. Shaqir Igrishta’.

    Sipas njoftimit, qëllimi i këtyre intervenimeve është përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

    “Falënderojmë banorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë zhvillimit të punimeve”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/

  • Në Mitrovicën e Jugut realizohet murali i Statujës së Lirisë për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

    Në Mitrovicën e Jugut realizohet murali i Statujës së Lirisë për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

    Përfaqësues të Seksionit për Diplomaci Publike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kanë marrë pjesë në përfundimin e muralit artistik kushtuar Statujës së Lirisë në Mitrovicën e Jugut.

    Sipas njoftimit, murali është relizuar në kuadër të shënimit #Freedom250, që përkujton 250-vjetori i pavarësisë së SHBA-së.

    Murali është realizuar në bashkëpunim me organizatën “Futja Ngjyrë”, e njohur për projektet e artit urban në hapësirat publike.

    Sipas Ambasadës Amerikane, ky projekt synon që të promovojë vlerat e lirisë, bashkëpunimin më komunitetin lokal duke shënuar njëkohësisht jubileun historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Murali tashmë i është shtuar hapësirës publike në Mitrovicën e Jugut si simbol i miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

  • Themelohet Kolegjiumi për Siguri dhe Emergjencë i AKK-së, Fushtica zgjidhet kryetar

    Themelohet Kolegjiumi për Siguri dhe Emergjencë i AKK-së, Fushtica zgjidhet kryetar

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, ka themeluar Kolegjiumin për Siguri dhe Emergjencë, një mekanizëm i ri që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkomunal dhe avancimin e kapaciteteve lokale në fushën e menaxhimit të emergjencave.

    Sipas njoftimit të AKK-së, kolegjiumi është krijuar për të shërbyer si platformë profesionale për koordinim institucional, shkëmbim të përvojave dhe promovim të praktikave më të mira në mbrojtjen civile dhe menaxhimin e situatave emergjente.

    Në takimin themelues u vlerësua se krijimi i këtij mekanizmi përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe adresimit të sfidave të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe emergjencave.

    Iniciativa për themelimin e Kolegjiumit u prezantua nga drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, i cili theksoi rëndësinë e krijimit të një strukture profesionale që do të mundësojë koordinim dhe shkëmbim të praktikave ndërmjet komunave.

    Gjatë prezantimit u theksua se komunat po përballen me sfida gjithnjë e më komplekse që lidhen me fatkeqësitë natyrore, ndryshimet klimatike dhe sigurinë publike, ndërsa forcimi i sistemeve lokale të menaxhimit të emergjencave konsiderohet një element kyç i qeverisjes moderne lokale.

    Në takim u diskutuan edhe prioritetet e komunave, duke përfshirë përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional, hartimin e planeve të emergjencave, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe krijimin e mekanizmave më efektivë për reagim ndaj situatave emergjente.

    Po ashtu, u zgjodh edhe udhëheqja e Kolegjiumit. Lulzim Fushtica, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, u zgjodh kryesues i Kolegjiumit, ndërsa Fitore Behrami, drejtoreshë e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Mitrovicës së Jugut, u zgjodh zëvendëskryesuese.

    Sipas AKK-së, Kolegjiumi për Siguri dhe Emergjencë do të funksionojë si platformë për koordinim ndërmjet komunave, shkëmbim të njohurive dhe përvojave profesionale, si dhe hartimin e rekomandimeve që synojnë përmirësimin e menaxhimit të emergjencave dhe forcimin e rolit të pushtetit lokal në mbrojtjen e qytetarëve.

  • Afër 2400 gjoba trafiku për 24 orë, policia njofton për disa të arrestuar e dhjetëra aksidente

    Afër 2400 gjoba trafiku për 24 orë, policia njofton për disa të arrestuar e dhjetëra aksidente

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2395 gjoba trafiku.

    Në raport shtohet edhe se gjatë kësaj kohe janë raportuar 39 aksidente me dëme materiale, dhe, 22 me të lënduar.

    Po ashtu shtohet se janë arrestuar 17 persona, ku, 9 janë dërguar në mbajtje.

  • Raportohet se Halil Thaçi i VV-së po intervistohet në Prokurorinë Speciale

    Raportohet se Halil Thaçi i VV-së po intervistohet në Prokurorinë Speciale

    Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi është parë të mërkurën duke hyrë në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, raportohet se është duke u intervistuar nga ana e prokurorit special.

    Në një video të publikuar nga VOX Kosova, Thaçi është parë duke hyrë në objektin e organit që heton dyshimet për veprat penale që ndërlidhen me krimin dhe korrupsionin.

    Deri më tash nuk janë bërë të ditura arsyet e këtij intervistimi, derisa Klankosova.tv ka tentuar të marrë një përgjigje nga Prokuroria Speciale, por nga zyra për media ende nuk janë deklaruar lidhur me rastin.

  • BQE nis testimin e euros digjitale, synon ta prezantojë në vitin 2029

    BQE nis testimin e euros digjitale, synon ta prezantojë në vitin 2029

    Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka përzgjedhur 36 ofrues të shërbimeve të pagesave për të testuar euron digjitale në një program pilot që do të nisë në gjysmën e dytë të vitit 2027.

    Në testim do të marrin pjesë banka dhe kompani të njohura të pagesave, si Deutsche Bank, UniCredit, Revolut, Adyen dhe Stripe.

    Anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone, tha se interesimi i madh i sektorit privat tregon gatishmërinë për të avancuar projektin dhe për të forcuar sistemin evropian të pagesave, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

    Megjithatë, euroja digjitale nuk mund të hidhet në përdorim pa miratimin e legjislacionit nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së. Sipas planit aktual, miratimi pritet në vitin 2027, ndërsa përdorimi publik mund të nisë në vitin 2029.

    BQE thekson se euroja digjitale nuk do ta zëvendësojë paranë fizike, por do të jetë një alternativë shtesë për pagesa. Ajo do të jetë pa pagesë për qytetarët, nuk do të gjenerojë interes dhe do të ketë kufizime në shumën që mund të mbahet.

    Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, tha se projekti synon gjithashtu të zvogëlojë varësinë e Evropës nga rrjetet ndërkombëtare të pagesave dhe të forcojë sovranitetin ekonomik të BE-së.

  • U amnistuan nga krimet, sot lënë burgun 72 të dënuar në Shqipëri

    U amnistuan nga krimet, sot lënë burgun 72 të dënuar në Shqipëri

    Këtë të mërkurë nga institucioni i vuajtjes së dënimit të Drenovës lënë qelitë e këtij burgu 60 persona të dënuar për vepra penale të ndryshme ndërkohë që nga burgu i grave në Posjkë do të lënë qelitë 12 të dënuara.

    Në pritje të daljes së tyre, janë familjare të shumtë të cilët ndihen të lumtur që ribashkohen me të afërmit e tyre të cilët kanë qenë në këto dy institucione të vuajtjes së dënimit deri ditën e sotme dhe kanë përfituar nga amnistia, raporton euronews.

    “Kam djalin. Thonë që djalit tim i gjetën drogë, ndërkohë që në shtëpi nuk i gjetën asgjë. Nuk e kam fare mirë nga ana shëndetësore. Djali im ka tre vjet që me arrestin në shtëpi. Jam shumë e lumtur që do të dalë, por është i sëmurë”, u shpreh nëna e një prej të burgosurve, i cili pritet të dalë sot nga burgu.

  • Rama: Nuk ka më diçka që quhet Kosovë dhe Metohi, ekziston Republika e Kosovës

    Rama: Nuk ka më diçka që quhet Kosovë dhe Metohi, ekziston Republika e Kosovës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Serbia mban përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale në dialogun me Kosovën, pasi, sipas tij, nuk është e gatshme ta pranojë realitetin e krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

    Në një intervistë për Euronews, Rama tha se nuk ekziston më koncepti “Kosovë dhe Metohi”, por vetëm Republika e Kosovës.

    “Serbia është më përgjegjësja për situatën që kemi në dialog, sepse nuk është e gatshme të pranojë realitetin, dhe realiteti ka ndryshuar. Nuk ka më diçka që quhet Kosovë dhe Metohi, ekziston Republika e Kosovës”, tha Rama.

    I pyetur për faktin se pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, kryeministri shqiptar tha se pesë nga 27 shtete anëtare përbëjnë një numër të vogël dhe, sipas tij, tregojnë se shumica dërrmuese e ka njohur realitetin.

    “Kjo nuk ka të bëjë me dobësinë. Ka të bëjë me pranimin e faktit se realiteti ka ndryshuar. Ashtu si të gjithë popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë gjetën rrugën e tyre dhe u bënë të pavarur, edhe shqiptarët patën të drejtën e vetëvendosjes. Sigurisht, me bashkëpunim të mirë dhe një marrëdhënie harmonike me pakicën. Sot, shqiptarët nuk janë më pakicë në Serbi, por serbët janë pakicë në Kosovë”, tha Rama.

    Rama theksoi se Serbia, si vendi më i madh në rajon, ka rolin dhe historinë e saj me të cilat duhet të përballet.

    “Sipas mendimit tim, dhe e thashë këtë në Beograd, sa më shpejt Serbia të përballet me realitetin se ekziston një realitet i ri, aq më mirë do të jetë”, tha Rama.

  • Zejnullah Gashi merr sot detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

    Zejnullah Gashi merr sot detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

    Kryeprokurori i ri i Shtetit, Zejnulla Gashi, sot do ta pranojnë detyrën e re nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka njoftuar zyra e këtij institucioni.

    “Pranim-dorëzimi i detyrës do të bëhen në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Rr. Luan Haradinaj, Prishtinë”, thuhet në njoftim.

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dje ka dekretuar Gashin, duke ia përshkruar edhe rolin që ai duhet ta ketë.

    “Beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës”, ka shkruar dje Haxhiu./Express/

  • Raporti i OKB-së: Qershori muaji më vdekjeprurës për civilët në Ukrainë që nga fillimi i luftës

    Raporti i OKB-së: Qershori muaji më vdekjeprurës për civilët në Ukrainë që nga fillimi i luftës

    Numri i civilëve të vrarë në Ukrainë gjatë muajit qershor të vitit 2026 ka arritur nivelin më të lartë mujor që nga muajt e parë të pushtimit rus në vitin 2022, sipas një raporti të ri të Misionit të OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë.

    Sipas raportit, gjatë muajit qershor janë dokumentuar të paktën 293 civilë të vrarë dhe afro 2 mijë të tjerë të plagosur, si pasojë e sulmeve me raketa dhe dronë rusë në qytete të ndryshme të Ukrainës.

    OKB-ja ka theksuar se përdorimi në rritje i armëve me rreze të gjatë veprimi, si dhe sulmet ndaj zonave të banuara, kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të numrit të viktimave civile.

    Sipas të dhënave të verifikuara nga organizata, që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, në Ukrainë janë regjistruar mbi 16 mijë e 400 civilë të vrarë dhe më shumë se 48 mijë e 400 të plagosur.

    Megjithatë, OKB-ja vlerëson se bilanci real i viktimave mund të jetë më i lartë, për shkak të vështirësive në verifikimin e rasteve në zonat e pushtuara.

    Raporti paralajmëron se, pas një muaji maj me numër të lartë viktimash, situata humanitare është përkeqësuar edhe më tej në qershor, duke e bërë këtë muajin më vdekjeprurës për civilët në më shumë se katër vjet luftë.