ATV

Blog

  • Robert Lewandovski lë të hapur vendimin për të ardhmen

    Robert Lewandovski lë të hapur vendimin për të ardhmen

    Sulmuesi polak Robert Lewandovski,tashmë ka hyrë në vitin e fundit të kontratës me gjigantin katalunas Barcelona.

    Lewa ka folur për televizionin publik polak se do të marrë një vendim për të ardhmen,dhe se nuk do të nxitojë fare për këtë gjë.

    Përndryshe Barcelona është duke synuar një sulmues i cili mund ta zëvëndësojë  37 vjeçarin,dhe njëri nga ata është sulmuesi i Bayern Munichut Harry Kane,por mbetet të shihet se nëse anglezi do të kalojë tek Barca apo do të zgjasë kontratën me gjigantin gjerman.

    Kujtojmë që kontrata e Lewandovskit me Barcelonën skadon në qershor të vitit 2026.

  • A po paralajmëron një projekt të ri? Postimi i Drake me flamurin shqiptar nxit reagime të shumta në rrjetet sociale

    A po paralajmëron një projekt të ri? Postimi i Drake me flamurin shqiptar nxit reagime të shumta në rrjetet sociale

    Reperi kanadez Drake ka ndezur rrjetet sociale me një seri fotosh të reja, por veçanërisht një imazh ka tërhequr vëmendje të madhe.

    Në këtë foto, një grup burrash janë ulur rreth një tavoline pokeri, të veshur me xhaketa të kuqe që mbajnë shqiponjën dykrenare – simbol identifikues i Shqipërisë.

    Ambienti i errët, drita e ulët dhe estetika e një skene të ngjashme me “film gangsterësh” i kanë shtuar edhe më shumë intrigë postimit. Ndryshe nga fotot e tjera të publikuara, ky imazh ka shkaktuar diskutime mes fansave për kuptimin e përdorimit të simbolikës shqiptare.

    Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një referencë kulturore, artistike apo thjesht një zgjedhje stilistike, por fakti se Drake e ka përfshirë këtë simbol ka tërhequr menjëherë vëmendjen.

    Reperi e ka shoqëruar serinë e fotove me mbishkrimin “Mbetet akoma personale…”, një frazë enigmatike që ndjek linjën e tij të zakonshme. Kjo ka nxitur spekulime se Drake mund të jetë duke paralajmëruar një projekt të ri muzikor, duke përdorur imazhe të forta vizuale për të krijuar atmosferë dhe pritshmëri tek fansat.

    Përdorimi i elementeve të tilla identitare dhe skenave dramatike është bërë tashmë pjesë e estetikës promovuese të reperit, ndërsa ai nuk ka dhënë asnjë shpjegim shtesë për kuptimin e fotove.

    Kjo strategji enigmatike shpesh ka sjellë vëmendje edhe më të madhe dhe ka nxitur interpretime të shumta mes ndjekësve në rrjetet sociale. /Telegrafi/

  • Mbahet trajnim i përbashkët mes pilotëve të Forcës Ajrore të Shqipërisë dhe FSK-së, ministri Vengu publikon pamje

    Mbahet trajnim i përbashkët mes pilotëve të Forcës Ajrore të Shqipërisë dhe FSK-së, ministri Vengu publikon pamje

    Pilotët e Forcës Ajrore Shqiptare dhe ata të Forcës së Sigurisë së Kosovës po zhvillojnë një trajnim të përbashkët, i cili synon rritjen e gatishmërisë operacionale dhe shkëmbimin e përvojave mes tyre.

    Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka bërë të ditur se ky angazhim vjen si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes në raste emergjente.

    Kapiteni i forcës ajrore shqiptare, Atdhe Hasani, u shpreh se ky trajnim u mundëson pilotëve të thellojnë përvojat dhe të përmirësojnë reagimin në situata të vështira.

    “Prezenca këtu na bën që të bëjmë shkëmbimin e përvojave dhe na mëson se si duhet të reagojmë në rast të emergjencave apo operacioneve”, deklaroi ai.

  • OpenAI po teston bisedat në grup për ChatGPT

    OpenAI po teston bisedat në grup për ChatGPT

    OpenAI ka nisur testimin pilot të “chat” në grup brenda ChatGPT në Japoni, Korenë e Jugut, Tajvan dhe Zelandën e Re.

    Si në aplikacionet e mesazheve, mund të krijosh biseda me miqtë ose familjen – por në këtë rast, ChatGPT është pjesë e bisedës.

    Chatbot-i mund të të ofrojë ide: për shembull, ndihmon për planifikimin e pushimeve, projekteve të rinovimit, ose zgjedhjen e një restoranti për mbrëmje.

    Funksioni mund të përdoret edhe për bashkëpunime me kolegë: ChatGPT mund të përgatisë raporte bazuar në shënime që ju dhe bashkërenduesit i ndani.

    Për të nisur një grup‑chat, klikoni ikonën me figura njerëzish në cepin e djathtë lart në një bisedë ekzistuese. Më pas mund të ftoni deri në 20 persona, që duhet të krijojnë profil me emër, përdorues dhe foto.

    Në biseda ku dikush është nën 18 vjeç, chatbot automatikisht kufizon përmbajtjen e ndjeshme.

    Përgjigjet në chat-et grupore gjenerohen nga modeli GPT‑5.1 Auto, që zgjedh vet se cilin model t’ju përdorë sipas pyetjes.

    OpenAI thotë se ka „mësuar“ chatbotin të kuptojë kur duhet heshtur ose kur duhet përgjigjur, por përdoruesit mund të thërrasin ChatGPT duke përmendur emrin e tij në bisedë.

    Kompania planifikon të përmirësojë funksionin bazuar në reagimet e përdoruesve para se ta bëjë gjerësisht të disponueshëm. /Telegrafi/

  • Paralajmërohet shtrenjtim i produkteve kosovare në dimër

    Paralajmërohet shtrenjtim i produkteve kosovare në dimër

    Çmimet e rrymës për kompanitë prodhuese, pas liberalizimit të tregut të energjisë, janë rritur deri në 300 për qind, duke e bërë prodhimin më të kushtueshëm.

    Prodhimet vendëse po bëhen më të shtrenjta sesa produktet e importuara nga rajoni dhe Evropa, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

    Ai pohon se pas qershorit, disa kompani kanë zhvendosur fokusin nga zgjerimi i prodhimit në mbijetesë, duke kërkuar shpëtim te panelet diellore. Madje, disa janë mbyllur, e disa kanë zvogëluar kapacitetet prodhuese.

    Në muajt e dimrit pritet kulmi i vështirësive, ndërsa paralajmërohet edhe ngritje e çmimeve të produkteve.

    “Efektet e kësaj do t’i vërejmë gjatë muajve nëntor, dhjetor dhe janar kur është edhe piku i konsumit të energjisë elektrike”, u shpreh Rafuna.

    Për të lehtësuar gjendjen e bizneseve prodhuese, Rafuna shprehet se qeveria duhet të ndërhyjë me subvencione apo masa fiskale.

  • Angelo Stiller në radarin e Manchester United

    Angelo Stiller në radarin e Manchester United

    Gjiganti amglez Manchester United,po synon që të përforcojë mesfushën e cila nuk po gjen stabilitet në shumë ndeshje.

    Sipas raportimeve të mediave ylli gjerman Angelo Stiller është identifikuar si një prej emrave që mund ta përforcojë kët repart,dhe tek United shihet si një lojtar që mund të jetë thelbësor për strukturën e mesfushës.

    Përndryshe klubi gjerman Stuttgart e konsideron si të vështrirë mbajtjen e Stiller përtej këtij sezoni,dhe kjo varet edhe nga një ofertë marrandëse që mund të ofrojnë reprezentuesin e Gjermanisë.

    Mbetet të shihet se nëse Stiller do të kalojë në Premierligë,apo ndoshta do të transferohet në ndonjë top skuadër tjetër në Evropë.

    Kujtojmë që Angelo Stiller në 19 ndeshje të zhvilluara ka shënuar 1 gol e dhuroi 1 asistim në të gjitha garat për Stuttgartin.

  • Rusia godet Kievin me sulm gjatë natës ndërsa luftimet intensifikohen në Pokrovsk

    Rusia godet Kievin me sulm gjatë natës ndërsa luftimet intensifikohen në Pokrovsk

    Luftimet janë intensifikuar në lindje të Ukrainës, rreth qytetit në vijën e frontit, Pokrovsk. Rusia kreu një tjetër sulm, gjatë natës, mbi Kievin që goditi infrastrukturën civile.

    Ekipet e ndihmës së parë po vijonin kërkimet në rrënoja në mëngjesin e 15 nëntorit, por sulmet me dronë dhe raketa mbi kryeqytetin ukrainas vranë të paktën shtatë persona, tha kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko.

    Autoritetet ukrainase thanë se tre raketa dhe 135 dronë u lëshuan gjatë natës, ndërsa mbrojtja ajrore e vendit asgjësoi të gjitha përveç një rakete dhe 41 dronësh. Sulmet erdhën pas një breshërie edhe më intensive të një natë më parë, prej 430 dronësh dhe 18 raketash, që vrau gjashtë persona dhe plagosi të paktën 35 të tjerë.

    Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se 265 përplasje kishin ndodhur gjatë 24 orëve të fundit midis forcave ruse dhe atyre ukrainase përgjatë vijës së frontit.

    Gati gjysma e tyre ndodhën në fshatrat dhe zonat përreth Pokrovskut, i cili ka nyje të rëndësishme rrugore dhe hekurudhore dhe ka qenë nën kërcënimin e rrethimit nga forcat ruse për pjesën më të madhe të vitit.

    Por, trupat ukrainase janë vënë nën më shumë presion në Pokrovsk javët e fundit, me gjeneralin Oleksandr Syrskyi, komandantin më të lartë ushtarak të Ukrainës, i cili vizitoi njësitë që po luftojnë për ta mbrojtur qytetin në rajonin lindor të Donjeckut.

    Syrskyi tha se objektivat kryesorë të Ukrainës ishin rimarrja e kontrollit mbi disa zona, mbrojtja e vijave të furnizimit dhe evakuimit dhe krijimi i të rejave.

    “Nuk ka asnjë çështje të kontrollit rus mbi qytetin e Pokrovskut apo të rrethimit operacional të forcave mbrojtëse të Ukrainës në këtë zonë”, tha Syrskyi gjatë vizitës së tij më 13 nëntor.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ai nuk është kundër tërheqjes nga Pokrovsku në këto kushte “shumë të vështira”, por se ky është një vendim që u takon komandantëve në terren.

    “Askujt nuk po i kërkohet të vdesë për hir të rrënojave. Unë do të mbështes ushtarët tanë, veçanërisht komandantët që janë atje, në mënyrën se si ata mund ta kontrollojnë situatën, ose nëse ajo bëhet shumë e kushtueshme për ne. Më e rëndësishmja për ne janë ushtarët tanë”, tha Zelensky për Bloomberg në një intervistë të fundit.

    Më herët këtë javë, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se forcat e saj kishin shtyrë trupat ukrainase jashtë qyteteve dhe fshatrave përreth në jug të Pokrovskut, që ende është shtëpi për rreth 7.000 banorë nga mbi 60.000 që kishte para pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në vitin 2022, shkruan REL.

    Pokrovski konsiderohet strategjik për Moskën, pasi marrja e zonës mund të ofrojë një pikënisje për sulme të mëtejshme drejt veriut, drejt Kramatorskut dhe Slovyanskut, dy qytetet më të mëdha të mbetura nën kontrollin ukrainas në rajonin e Donjeckut.

    Në një analizë të manovrave të fundit në fushëbetejë rreth Pokrovskut, Instituti për Studimin e Luftës, një grup studimor me qendër në Uashington, tha se forcat ruse po vazhdojnë të avancojnë në zonë, por mënyra se si Ukraina vendos të kundërsulmojë dhe të ripozicionojë forcat e saj do të përcaktojë se sa strategjike do të jetë fitimi i Pokrovskut për fazën e ardhshme të luftimeve në lindje të Ukrainës.

    “Ka të ngjarë që forcat ruse të shembin xhepin rreth Pokrovskut dhe Myrnohradit, por rëndësia e marrjes së këtyre qyteteve do të varet nga rrethanat dhe mënyra e realizimit të tërheqjes ukrainase,” thuhet në raport.

  • Dëmtohen vagonët e sapo-riparuar të trenit, “Trainkos” kërkon hetim nga organet e rendit

    Dëmtohen vagonët e sapo-riparuar të trenit, “Trainkos” kërkon hetim nga organet e rendit

    Dëmtimet dhe sulmet ndaj vagonëve të trenit në vendin tonë janë goxha të shpeshta.

    Një rast i njëjtë ka ndodhur po ashtu së fundi në Stacionin Hekurudhor të Hanit të Elezit ku vagonët e sapo-riparuar janë dëmtuar ditën e sotme.

    “Trainkos” ka reaguar pas rastit, ku ka kërkuar nga organet kompetente hetim të plotë dhe ndëshkim të përgjegjësve.

    “Trainkos” thotë se që nga fillimi i projektit dëmet janë shumë të mëdha.

    “Që nga fillimi i këtij projekti në vitin 2019, dëmet ndaj ndërmarrjes janë të mëdha:humbje financiare që tejkalojnë 10 milionë euro, humbje të klientelës dhe të imazhit, zhvendosje të konsiderueshme të klientëve nga transporti hekurudhor në atë rrugor”.

    Në njoftim shtojnë se rikuperimi i plotë do të kërkojë vite.

    “Këto pasoja do të vazhdojnë të ndihen për një periudhë të gjatë dhe rikuperimi i plotë do të kërkojë vite. Ky akt vandal është dëm i drejtpërdrejtë ndaj pronës publike dhe ndaj përpjekjeve tona për modernizimin dhe përmirësim të shërbimeve të transportit hekurudhor”, thuhet në reagimin e “Trainkos”.

    Sipas tyre, vagonët janë riparuar me një investim prej 423,000 euro, nga buxheti i Republikës së Kosovës, dhe ende pa u vënë në operim janë dëmtuar sërish.

    Aktualisht, “Trainkos” thotë se transportimi i pesë vagonëve është i pamundur, pasi linja Fushë Kosovë – Hani i Elezit mbetet e mbyllur.

  • Golden State Warriors dhe LA Clippers Shënojnë fitore të rëndësishme

    Golden State Warriors dhe LA Clippers Shënojnë fitore të rëndësishme

    Janë zhvilluar ndeshje tjera interesante në ligën më të fortë të basktebollit në botë NBA.

    Golden State Warriors ka shënuar fitore kundër San Antonio Spurs,dhe atë me rezultat të ngushtë 109-108.

    Stephen Curry me 49 pikë ishte më i miri tek Warriors,teksa kontribut dha dhe Jimmy Butler me 21 pikë e 8 kërcime.

    Tek Spurs më i miri ishte Victor Ëembanyama me 26 pikë e 12 kërcime,si dhe De’Aaron Fox me 24 pikë e 10 asistime.

    Në anën tjetër Los Angeles Clippers mposhti Dallas Mavericks me rezultat bindës 133:127.

    James Harden me 41 pikë,11 asistime e 14 asistime ishte basketbollisti më efikas tek Clippers,teksa Ivica Zubica me 27 pikë e 11 kërcime kontribuoi në këtë fitore.

    Tek Macericks ishin D’Angelo Russell dhe Naji Marshall që shënuan 28 pikë secili,teksa Copper Flagg shënoi 16 pikë të tjera.

  • Miliarderi Jeff Bezos bëri histori – nisi një mision në Mars

    Miliarderi Jeff Bezos bëri histori – nisi një mision në Mars

    Blue Origin, kompania hapësinore e themeluar nga Jeff Bezos, ka lëshuar me sukses raketën e saj gjigante New Glenn, duke shënuar një moment kyç për kompaninë.

    Raketa u nis nga Florida, duke mbartur dy satelitë të NASA-s në një udhëtim të gjatë drejt Marsit, dhe kompania arriti për herë të parë të ulë në mënyrë të sigurt shkallën e parë të raketës mbi një platformë detare.

    Ky sukses i dyfishtë përfaqëson një hap të madh përpara në përpjekjet e Blue Origin për t’u bërë një konkurrues serioz i SpaceX-it, shkruan CNN.

    Raketa New Glenn u nis nga baza hapësinore Cape Canaveral të enjten pak para orës 16:00 sipas kohës lokale. Nisja e misionit, të quajtur Escapade, fillimisht ishte planifikuar për të dielën, por u shty për shkak të motit të keq.

    Pas ngritjes së suksesshme, Blue Origin arriti edhe një objektiv tjetër të rëndësishëm: shkalla e parë e raketës, e njohur si përforcuesi, u ul me sukses në platformën detare të quajtur “Jacklyn”, emëruar për nder të nënës së Bezos-it.

    Ky është një sukses i madh për kompaninë, veçanërisht pas përpjekjes së pasuksesshme gjatë fluturimit inaugurues në janar. Në atë rast, motorët nuk arritën të ndiznin sërish për uljen, por duket se inxhinierët gjatë dhjetë muajve të fundit e kanë zgjidhur problemin.

    Aftësia për të ripërdorur shkallën e parë të raketës është thelbësore për modelin e biznesit të kompanisë, pasi ul ndjeshëm kostot e nisjes — një strategji që SpaceX e ka përsosur prej kohësh.

    New Glenn dorëzoi në hapësirë dy satelitët e misionit Escapade, i cili ka një nga misionet më emocionuese: kërkimin e Marsit. Por rruga e tyre drejt Planetit të Kuq nuk do të jetë e drejtpërdrejtë. Satelitët u dërguan fillimisht drejt pikës Lagrange 2 (L2), një pikë gravitacione e qëndrueshme rreth 1.5 milionë kilometra larg Tokës, ku ata do të “presin” momentin e duhur për të vazhduar udhëtimin.

    Në fund të vitit 2026, kur Marsi dhe Toka të jenë në pozicion optimal, satelitët do të largohen nga L2 dhe do të nisen drejt destinacionit të tyre përfundimtar.

    Pritet që ata të hyjnë në orbitën e Marsit në muajin shtator të vitit 2027. Vetëm atëherë do të fillojë misioni i tyre shkencor: studimi i atmosferës së Marsit për të zbuluar pse planeti humbi shtresën e tij të dendur atmosferike miliarda vite më parë, si dhe matja e niveleve të rrezatimit – një element kyç për misionet e ardhshme njerëzore.

    Misioni Escapade është pjesë e programit SIMPLEx të NASA-s (Small, Innovative Missions for Planetary Exploration), i cili synon të nxisë zhvillimin e anijeve hapësinore më të vogla dhe më të lira për kërkime shkencore.

    Kostoja e këtij misioni vlerësohet të jetë më pak se 100 milionë dollarë, shumë më pak se misionet tipike drejt Marsit, të cilat kushtojnë nga 300 deri në 600 milionë dollarë. Suksesi i këtij misioni mund të hapë rrugën për një brez të ri kërkimesh planetare më të përballueshme. /Telegrafi/