ATV

Blog

  • Turqia uron Shqipërinë për Ditën e Flamurit: Gëzuar aleatit tonë

    Turqia uron Shqipërinë për Ditën e Flamurit: Gëzuar aleatit tonë

    Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë i ka shprehur urimet e saj Shqipërisë me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.

    Mesazhi i urimit i Turqisë për Shqipërinë thekson miqësinë e qëndrueshme dhe lidhjet e forta midis dy vendeve.

    “Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë, aleatit dhe partnerit tonë strategjik, Shqipërisë”, shkroi ministria turke në X.

  • “Me kënaqësi bashkëpunoj me çdo drejtor” – Musmurati dërgon mesazh uniteti për arsimin

    “Me kënaqësi bashkëpunoj me çdo drejtor” – Musmurati dërgon mesazh uniteti për arsimin

    Përgatiti Leonita Avdiu

    Ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës dhe asambleistja aktuale, Besianë Musmurati, ishte e ftuar në emisionin “LIBERO” dhe ka paraqitur një qasje të qartë mbi zhvillimet politike të fundit, angazhimet e saj inctitucionale dhe raportin me rezultatin zgjedhor të kandidatit të PDK-së për kryetar komune, Uran Ismailit.

    Gjatë diskutimit, Musmurati theksoi se periudha e saj në udhëheqjen e sektorit të arsimit ka lënë iniciativa të hapura, por rikthimin në këtë pozitë, për momentin, nuk e sheh si mundësi. Megjithatë, ajo shprehu gatishmëri të vazhdueshme për të kontribuar në zhvillimin e arsimit, pavarësisht se kush e udhëheq institucionin.

    “…Gjithmonë mbetet diçka pezull…Nuk e besoj që do të kthehem, por me kënaqësinë më të madhe do të bashkëpunoja me secilin drejtor që do të vinte, sepse çështja e arsimit i tejkalon partitë politike, i tejkalon inatet politike që mund të ekzistojnë…”, deklaroi ajo.

    Sa i përket angazhimeve të saj aktuale, Musmurati bëri të ditur se mbetet plotësisht e fokusuar në punën brenda kryeqytetit: “…Tash jam e fokusuar në Prishtinë. Përsëri jam zgjedhur asambleiste  në Kuvendin Komunal të Prishtinës…”

    Në lidhje me mosfitoren e Uran Ismailit, ajo theksoi se procesi zgjedhor duhet vlerësuar në tërësi dhe jo vetëm përmes rezultatit final për kryetarë. Sipas saj, rëndësi ka edhe struktura politike e krijuar në Asamble: “…Mundohem që të mësohem prej humbjeve, por realisht nuk mundem me e konstatu veç humbje. PDK ka dalë partia e dytë me më së shumti ulëse në asamblenë komunale, kështu që ka qenë një arritje në vete…”, tha ajo.

    Vlen ta potencojmë se Besianë Musmurati ka shërbyer si Shefe e Kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë (Uran Ismailit, gjatë kohës kur ishte ministër). Po ashtu, ajo ka përfaqësuar Kosovën si diplomate në Washington D.C. dhe në Bruksel.

    Për ta shikuar intervistën e plotë të Besianë Musmuratit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Ardita Sinani: Serbia mohon flamurin kuq e zi, por nuk i thyen shqiptarët

    Ardita Sinani: Serbia mohon flamurin kuq e zi, por nuk i thyen shqiptarët

    Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka uruar shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, duke dërguar një mesazh të fortë për identitetin kombëtar dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.

    Në urimin e saj, Sinani thekson se kjo ditë është më shumë se festë; është nderim për flamurin, pavarësinë dhe substancën kombëtare që formëson identitetin e shqiptarëve. Ajo nënvizon se, pavarësisht diskriminimit nga ana e Serbisë dhe mohimit të përdorimit zyrtar të flamurit kombëtar për shqiptarët e Luginës, komuniteti mbetet i vendosur dhe i pathyeshëm.

    Sipas Sinanit, kërkesat e shqiptarëve të Luginës nuk janë politike, por të drejta universale: barazia, demokracia dhe liria. Ajo thekson se këto të drejta u takojnë të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë.

    “Edhe përballë diskriminimit të Serbisë dhe mohimit të përdorimit zyrtar të flamurit për shqiptarët e Luginës, ne mbetemi të palëkundur: me rezistencë, me dinjitet dhe me besim të plotë në barazi, demokraci dhe liri”, ka thënë Sinani, duke rikujtuar vendosmërinë e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

    Në fund të urimit, ajo ka dërguar një mesazh bashkimi për të gjithë shqiptarët në trojet etnike dhe diasporë:

    “Nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, deri te çdo zemër që mban kuq e zinë — Gëzuar Festën e Flamurit dhe të Pavarësisë!”

  • OVL-UÇK homazhe në Prekaz: Këto festa janë të mangëta pa krerët e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë

    OVL-UÇK homazhe në Prekaz: Këto festa janë të mangëta pa krerët e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë

    Tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz kanë bërë homazhe Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Kryetari i OVL-UÇK-së Hysni Gucati ka thënë se këto festa janë të mangët pa ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, por shprehu besimin që ata do të kthehen dhe festën tjetër të nëntorit do ta festojnë bashkë me ta në Kosovë.

    “Ju urojmë katër festat e nëntorit. Festa e vitit 1944 ngritja e flamurit në Krujë nga Skënderbeu, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë me 1912, datëlindja e komandanti legjendar më 1955 dhe dalja në skenë e UÇK-së/. Këto festa janë të mangëta sepse në i kemi krerët e UÇK-së në Hagë ku padrejtësisht po mbahen padrejtësisht në Hagë nga një gjykatë. Por ja që na ndodhi kjo dhe shpresojmë e besojmë që vitin e ardhshëm do t’i presim këto festa bashkërisht me ta”, ka deklaruar Gucati nga Prekazi.

  • Misioni i SHBA-së në NATO i uron Ditën e Pavarësisë Shqipërisë: Jemi krenarë që qëndrojmë krah jush

    Misioni i SHBA-së në NATO i uron Ditën e Pavarësisë Shqipërisë: Jemi krenarë që qëndrojmë krah jush

    Misioni i SHBA-së në NATO ka uruar Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë, duke thënë se janë krenarë që qëndrojnë krah saj si partnerë e miq në NATO.

    Misioni amerikan shkroi një pjesë të mesazhit edhe në gjuhën shqipe.

    “Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Ne festojmë pavarësinë, qëndrueshmërinë dhe kontributet e vazhdueshme të vendit tuaj ndaj Aleancës sonë. Jemi krenarë të qëndrojmë përkrah jush si partnerë të besueshëm dhe miq në NATO. Urime!”.

  • Në Vlorë mbahet ceremonia e ngritjes së flamurit, e pranishme edhe Osmani

    Në Vlorë mbahet ceremonia e ngritjes së flamurit, e pranishme edhe Osmani

    Në qytetin e Vlorës po mbahet ceremonia e ngritjes së flamurit me rastin e 113 vjetorit të Pavarësisë.

    Në ceremoni po marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Qendra e festimeve mbetet qyteti i Vlorës, aty ku më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

    Ceremonitë shtetërore, homazhet, parakalimet festive dhe aktivitetet kulturore kanë mbledhur qindra qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe figura të njohura të jetës publike.

  • FSK realizon homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz

    FSK realizon homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz

    Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Festave të Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, përvjetorit të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjes së Komandantit legjendar Adem Jashari – gjeneralë dhe oficerë të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes kanë zhvilluar homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.

    Me këtë rast, ata nderuan sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    “Me këtë rast, u nderua sakrifica e familjes Jashari dhe e të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sakrifica e gjithë brezave që luftuan e u flijuan për atdhe”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

  • Abdixhiku uron 28 nëntorin: Sot kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë e të pavarur

    Abdixhiku uron 28 nëntorin: Sot kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë e të pavarur

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për nder të ditës së Flamurit dhe 113 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka uruar 28 Nëntorin.

    Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se sot kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë e të pavarur, siç u shpreh, të mbështetur mbi vlera e ideale që na bashkojnë.

    Abdixhiku, ka shtuar se mesazhi i Ditës së Flamurit mbetet i qartë, “ta kujtojmë me krenari të shkuarën, t’i nderojmë të rënët dhe të punojmë me përkushtim për të ardhmen e shqiptarëve kudo që janë”.

    “Gjithë shqiptarëve kudo që janë urime 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, ditën historike, që u fitua me shumë sakrificë nga patriotët, burrat e gratë, që kishin ideal të përbashkët, aspiratën e kahershme për liri e pavarësi.

    Sot kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë e të pavarur, të mbështetur mbi vlera e ideale që na bashkojnë. Shqipëria u bë realitet falë vendosmërisë dhe guximit të një brezi vizionar, që sfidoi çdo pengesë për të shpallur pavarësinë dhe për të ndërtuar një shoqëri mbi liri, dinjitet e demokraci. Kjo datë lidhet me figurat më të ndritura të historisë sonë kombëtare: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali dhe patriotët që shpallën pavarësinë; Presidenti historik Ibrahim Rugova, ideatori i shtetit të Kosovës; komandanti legjendar Adem Jashari, shembulli i sakrificës dhe mbrojtjes së atdheut. Sot nderojmë me respekt të thellë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa veprën e tyre, sot nuk do të gëzonim lirinë që kemi. Shqipëria, pas më shumë se një shekulli pavarësi, është bërë faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Mesazhi i Ditës së Flamurit mbetet i qartë: ta kujtojmë me krenari të shkuarën, t’i nderojmë të rënët dhe të punojmë me përkushtim për të ardhmen e shqiptarëve kudo që janë”, ka thënë Abdixhiku.

  • Jashari uron 28 Nëntorin: Do të ndërmarr nismën që të shpallet festë zyrtare në Kosovë

    Jashari uron 28 Nëntorin: Do të ndërmarr nismën që të shpallet festë zyrtare në Kosovë

    Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Sala Jashari ka uruar festën e 28 Nëntorit, duke thënë se është është datë që mban peshën e historisë së rezistencës dhe çlirimit të Kosovës.

    Mirëpo, ajo është shprehur se kjo festë nuk e ka zënë vendin e merituar si festë zyrtare në Kosovë. “Sot 28 Nëntori është një festë kombëtare për të gjithë shqiptarët. Gjithashtu, është datë që mban peshën e historisë së rezistencës dhe çlirimit të Kosovës.

    Më 28 Nëntor lindi heroi ynë kombëtar Adem Jashari, dhe po në të njëjtën datë shënohet dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997”.

    “Kjo datë nuk është vetëm një shenjë kalendarike.

    Ajo është kujtesë e përbashkët, është rrënjë, është trashëgimi që na bashkon dhe na orienton si komb. Megjithatë, në Republikën e Kosovës kjo datë ende nuk e ka zënë vendin e saj të merituar si ditë zyrtare shtetërore, një mungesë që duhet adresuar”, ka shkruar ajo.

    Përmes një postimi në Facebook, Jashari u zotua se do të ndërmarrë nismën që 28 Nëntori të shpallet festë zyrtare në Kosovë.

    “Andaj, zotohem që, nëse edhe në legjislaturën tjetër do të arrij të jem pjesë e Parlamentit të Kosovës, në pozitën e deputetes, do të ndërmarr nismën që 28 Nëntori të shpallet festë shtetërore në Republikën e Kosovës.

    Pavarësisht vështirësive, është e rëndësishme që këto data të bashkohen në një të vetme, si ngjarjet që kanë formësuar identitetin dhe vetëdijen tonë kombëtare”. “Ky propozim nuk synon thjesht ceremonialin.

    Ai është njohje e rrugëtimit tonë, është nder për familjet e dëshmorëve, për veteranët dhe për çdo njeri që ka kontribuar për lirinë e Kosovës. Është kujtesë se sakrifica nuk ka qenë e lehtë dhe se identiteti ynë është i gdhendur në përballjet, qëndresën dhe vendosmërinë e popullit tonë.

    Kjo është një prej mënyrave se si e lartësojmë kontributin për atdheun, duke e trashëguar këtë ndjenjë përgjegjësie e krenarie te gjeneratat që vijnë”, ka shkruar Jashari.

  • Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio uron Shqipërinë për 113-vjetorin e Pavarësisë

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio uron Shqipërinë për 113-vjetorin e Pavarësisë

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët shqiptarë me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke vlerësuar partneritetin e fortë mes Tiranës dhe Uashingtonit.

    Në reagimin e tij zyrtar, Rubio shprehet:

    “Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë.”

    Ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mbështeten në angazhimin e përbashkët për siguri dhe prosperitet, duke nënvizuar rolin e rëndësishëm të Shqipërisë si aleate në NATO dhe kontributet e saj në mbrojtjen kolektive.

    Rubio gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve kibernetike. Në mesazhin e tij të plotë, ai shtoi:

    “Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi një angazhim të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Përveç kësaj, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit në Shqipëri i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to.

    Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe e përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj të rëndësishëm në sigurinë kibernetike. Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë.”

    Ky urim vjen në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve shënojnë një partneritet të fortë strategjik, duke pasur Shqipërinë si një nga aleatet kryesore të SHBA-së në rajon dhe kontribues kyç në misionet e NATO-s.