ATV

Blog

  • Fitore në transfertë për Baselin, Shaqiri shkëlqen

    Fitore në transfertë për Baselin, Shaqiri shkëlqen

    Skuadra e Baselit arriti një fitore 1:2 në transfertë ndaj Winterthurit, në kuadër të javës së 16-të të Superligës.

    Xherdan Shaqiri shënoi golin e parë të Baselit në minutën e 29-të, duke regjistruar golin e tij të gjashtë në këtë sezon dhe gjithashtu tetë asiste deri tani.

    Një moment që po komentohet shumë ishte penalltia në minutën e 65-të. Shaqiri ia la mundësinë bashkëlojtarit Otele, i cili e humbi ekzekutimin, por gjesti i Shaqirit është vlerësuar si shenjë e sportivitetit. /ATVLIVE.TV

  • Llapi humb ndaj Gjilanit – reagon për gjykim të njëanshëm

    Llapi humb ndaj Gjilanit – reagon për gjykim të njëanshëm

    Skuadra e Llapit ka pësuar humbje 2:0 në konak të Gjilanit, në kuadër të javës së 16-të të Superligës së Kosovës. Me këtë rezultat, Llapi bie në vendin e shtatë me 20 pikë dhe rrezikon të afrohet me zonën e rrezikut.

    Pas ndeshjes, KF Llapi ka reaguar ashpër për gjykimin, të cilin e konsideron tendencioz dhe me ndikim direkt në rezultatin përfundimtar.

    Sipas klubit, vendimi për t’i dhënë karton të kuq kapitenit Axel Gnapi ishte i padrejtë. Dueli në fjalë ishte i paqëllimshëm dhe në luftë të rregullt për topin, dhe ekspertë ndërkombëtarë të
    FIFA-s e kanë vlerësuar si një situatë që nuk meritonte përjashtim nga loja.

    Klubi thekson gjithashtu se gjyqtari Egzon Dakaj ka vonuar vendimin për pesë minuta, duke krijuar përshtypjen e një vendimi të “porositur”, dhe ka ndikuar edhe në golin e dytë të vendasve, duke akorduar një faull të paqenë që çoi më pas në gol.

    KF Llapi kujton se gjyqtari Dakaj ka dhënë vendime kontraverse edhe në ndeshje të rëndësishme më parë, përfshirë takimin vendimtar për titullin ndaj Gjilanit dy vite më parë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultat. Klubi e konsideron këtë ndeshje një përsëritje të një skenari të ngjashëm.

    “KF Llapi reagon fuqishëm ndaj gjykimeve tendencioze dhe të përsëritura të gjyqtarit Egzon Dakaj, të cilat cenojnë integritetin e garës dhe ndikojnë drejtpërdrejt në rezultat”, thuhet në reagimin zyrtar. /ATVLIVE.TV

  • Tensionet te Liverpool – Van Dijk mbështet Salahin pas uljes në stol

    Tensionet te Liverpool – Van Dijk mbështet Salahin pas uljes në stol

    Liverpooli po kalon një periudhë të vështirë, jo vetëm për rezultatet e dobëta, por edhe për tensionet brenda skuadrës. Ylli i ekipit, Mohamed Salah, u la në stol për të gjithë 90 minutat e barazimit 3-3 ndaj Leeds United, vendim që shkaktoi debat të madh.

    Kapiteni Virgil van Dijk ndërhyri dhe mbrojti kolegun e tij egjiptian, duke theksuar se Salah është një lojtar fantastik dhe meriton respekt për gjithçka që ka bërë për Liverpoolin.

    “Ai është ende një lojtar fantastik dhe ka arsye pse ka qenë kaq i suksesshëm në klub. Duhet të respektohet kjo dhe kam nevojë që ai të mbetet një nga liderët e ekipit. Nuk jam i shqetësuar”, deklaroi Van Dijk.

    Ai shtoi: “Është normale që ai të jetë i zhgënjyer kur nuk luan dy ndeshje radhazi. Askush nuk është i pazëvendësueshëm, dhe të gjithë duhet të performojnë”.

    Ndërkohë, media britanike The Athletic kritikoi ashpër reagimin e Salahut pas ndeshjes me Leeds, duke e konsideruar atë si një veprim egoist dhe mungesë respekti. Gazeta gjithashtu vuri në dukje se dhimbja e Salahut është e kuptueshme, pasi ai kishte qenë titullar në 53 ndeshje radhazi në Premier League para se të ulej në stol për tre ndeshjet e fundit. /ATVLIVE.TV

  • Spektakël në Gjakovë: Hellems, hero i kuqezinjve ndaj kampionëve

    Spektakël në Gjakovë: Hellems, hero i kuqezinjve ndaj kampionëve

    Në njërën nga ndeshjet më interesantë në këtë edicion, Vëllaznimi vazhdoi me fitore, duke fituar ndaj kampiones, Trepçës, në sfidën e zhvilluar në Gjakovë me rezultat 83:85 (19:31, 33:15, 19:13, 12:26).

    Përballja ishte shumë interesante nga fillimi deri në fund dhe me shumë kthesa, por në momentet e fundit, Marques Warrick shënoi tetë pikë radhazi, derisa në aksionin e fundit, Jericole Hellems shënoi një sekondë para fundit për 83:85.

    Sa i përket ndeshjes, kuqezinjtë e nisën shumë më mirë, duke fituar çerekun parë 19:31, por kampionët u kundërpërgjigjën shpejt, duke fituar bindshëm periudhën e dytë 33:15, derisa me lojë të mirë vazhduan në periodën e tretë 19:13. Lojë shumë interesante u zhvillua në dhjetë minutat e fundit, ku ‘Xehetarët’ ishin në epërsi, por në momentet e fundit, Warrick shënoi dy treshe dhe dy pikë, derisa hero ishte Hellems, duke shënuar pikët vendimtare.

    Drilon Hajrizi kishte 24 pikë e tri kërcime, derisa Marques Warrick e përfundoi ndeshjen me 27 pikë e dy kërcime dhe Jericole Hellems me 24 pikë e tetë kërcime.

    Trepça ka pesë fitore e tri humbje, ndërsa Vëllaznimi tri fitore e gjashtë humbje. /ATVLIVE.TV

  • Rrahmani vs Zhegrova – Përballja kosovare në Serie A

    Rrahmani vs Zhegrova – Përballja kosovare në Serie A

    Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, do ta zhvillojë sonte (e diel) përballjen me sulmuesin Edon Zhegrova në kuadër të Serie A. Napoli do të jetë nikoqir i Juventusit në takimin e vlefshëm për xhiron e 14-të të kampionatit italian.

    Rrahmani, i padiskutueshëm në formacionin bazë të Napolit, pritet të startojë sërish nga minuta e parë, me ekipin që synon vetëm fitore për të vazhduar garën për titull.

    Ndërkohë, te Juventusi, Zhegrova pritet të nisë përsëri nga stoli, megjithëse dha sinjale pozitive në ndeshjen e fundit kur hyri nga banka. Shumë tifozë italianë shpresojnë se ai do të ketë mundësi të startojë nga minuta e parë, pasi thuhet se është rikuperuar 100% nga lëndimi. Do të jetë vendim i trajnerit Luciano Spalletti nëse do t’i japë mundësinë të tregojë kualitetin e tij që nga fillimi.

    Përballja që premton të jetë e zjarrtë fillon në orën 20:45 në stadiumin “Diego Maradona”.

    Aktualisht, Napoli ndodhet në vendin e tretë me 28 pikë, ndërsa Juventusi mban vendin e shtatë me 23 pikë. /ATVLIVE.TV

  • Gjilani konfirmon se Vokli Laroshi është mirë pas goditjes në kokë

    Gjilani konfirmon se Vokli Laroshi është mirë pas goditjes në kokë

    Sport Club Gjilani ka njoftuar se futbollisti Vokli Laroshi është mirë dhe lëndimi i tij nuk është i rëndë, pavarësisht se ai pati një kontakt të fortë në kokë me lojtarin e Llapit, Alex Gnabi, gjatë ndeshjes së sotme.

    Laroshi shkaktoi shqetësim te tifozët dhe ekipi kur u largua nga fusha pas goditjes, por për fat të mirë, lëndimi rezultoi të mos jetë serioz. Sipas komunikatës zyrtare të klubit, Laroshi vazhdon të ndjejë dhimbje të lehta në kokë, por gjendja e tij është stabile.

    “Sport Club Gjilani njofton se futbollisti Vokli Laroshi ka pësuar një goditje të fortë në fytyrë gjatë ndeshjes së sotme ndaj Llapit, si pasojë e një kontakti të pakontrolluar të lojtarit kundërshtar Alex Gnapi.

    Menjëherë pas incidentit, ekipi mjekësor i klubit reagoi me shpejtësi, duke i ofruar ndihmën e parë në fushë, ndërsa për arsye sigurie dhe sipas protokolleve mjekësore, u vendos që portieri të zëvendësohej.

    Pas kontrollit mjekësor të kryer menjëherë pas ndeshjes, gjendja e Voklit vlerësohet stabile dhe pa pasoja serioze, megjithëse vazhdon të ndjejë dhimbje të lehta në kokë, të cilat po monitorohen nga ekipi mjekësor.

    Klubi konfirmon se lojtari do të vazhdojë trajtimin dhe pushimin e nevojshëm, ndërsa çdo zhvillim i mëtejmë mbi gjendjen e tij do të komunikohet në kohë. Rikthimi në aktivitet do të bëhet pas konsulatave të radhës me stafin mjekësor të ekipit.

  • Cilat ushqime duhet t’i shmangin personat me gurë në tëmth?

    Cilat ushqime duhet t’i shmangin personat me gurë në tëmth?

    Ushqimet e yndyrshme, produktet e përpunuara, erëzat dhe alkooli rrisin rrezikun e sulmeve dhe përkeqësojnë simptomat

    Guri në tëmth, përfaqëson depozita të forta që formohen në fshikëzën e tëmthit, një organ i vogël nën mëlçi që ruan tëmthin. Tëmthi ndihmon në tretjen e yndyrave dhe, kur përbërja e tij prishet për shkak të përqendrimit të rritur të kolesterolit, bilirubinës ose lëvizshmërisë së ulët të fshikëzës së tëmthit, ndodh formimi i gurëve.

    Edhe pse simptomat mund të ndryshojnë, duke përfshirë dhimbje në pjesën e sipërme të djathtë të barkut, të përziera, fryrje dhe çrregullime tretjeje, ushqimi luan rol kyç në parandalimin e përkeqësimit të gjendjes dhe shfaqjes së sulmeve të fshikëzës së tëmthit.

    Dieta e duhur te gurët në tëmth kryesisht nënkupton uljen e marrjes së ushqimeve që stimulojnë sekretim të shtuar të tëmthit, rrisin nivelin e kolesterolit në gjak ose e mbingarkojnë mëlçinë dhe pankreasin.

    1. Ushqimet e yndyrshme dhe të skuqurat
    Ushqimet me shumë yndyrë janë armiku më i madh për personat me gurë në tëmth. Këtu përfshihen:

    Mishrat e yndyrshëm: proshuta, salsiçet, mishrat e pjekur, viçi ose derri me shumë yndyrë.
    Ushqimet e skuqura: patate të skuqura, kore të skuqura.
    Ushqimi i shpejtë: hamburgerë, pica, krofne e të ngjashme.
    Pse duhet shmangur: Ushqimet e yndyrshme stimulojnë fshikëzën e tëmthit që të tkurret fuqishëm për të tretur yndyrën. Te personat me gurë në tëmth, këto kontraksione mund të shkaktojnë sulm tëmthi, i cili shfaqet me dhimbje të forta barku, të përziera, të vjella dhe madje temperaturë.

    2. Ushqimet e pasura me kolesterol
    Gurët në tëmth më së shpeshti formohen nga kolesteroli, prandaj ushqimet e pasura me të mund ta përkeqësojnë gjendjen:

    E verdha e vezës
    Djathërat dhe ajkat e yndyrshme
    Gjalpi dhe margarina me përmbajtje të lartë të yndyrave trans
    Pse duhet shmangur: Marrja e tepërt e kolesterolit rrit rrezikun e formimit të kristaleve në tëmth, duke çuar në rritjen e gurëve ekzistues dhe komplikime të mundshme.

    3. Ushqimet pikante dhe të djegës
    Ushqimet e djegës si specat djegës, salcat pikante, kerri dhe erëza të ngjashme mund ta përkeqësojnë gjendjen.

    Pse duhet shmangur: Ushqimi pikant mund të irritojë fshikëzën e tëmthit dhe të shkaktojë ngërçe, duke rritur rrezikun e sulmit tëmthor. Mund të shkaktojë gjithashtu urth dhe refluks te personat me çrregullime ekzistuese të tretjes.

    4. Pijet e gazuara dhe ato të ëmbëlsuara
    Lëngjet me sheqer të shtuar, pijet e gazuara, pijet energjike dhe pijet e ëmbla:

    Pse duhet shmangur: Sasia e madhe e sheqerit dhe ëmbëltuesve artificialë rrit nivelin e triglicerideve në gjak, çka kontribuon në prodhimin e kolesterolit në tëmth dhe rrit rrezikun e formimit të gurëve të rinj.

    5. Produktet e përpunuara dhe të rafinuara
    Buka e rafinuar, makaronat nga mielli i bardhë, brumërat me margarinë, ëmbëlsirat dhe biskotat industriale:

    Pse duhet shmangur: Këto produkte kanë pak fibra dhe janë të pasura me sheqer dhe yndyra trans. Mungesa e fibrave ngadalëson tretjen dhe vështirëson qarkullimin e tëmthit, ndërsa yndyrat trans e mbingarkojnë mëlçinë.

    6. Alkooli dhe pijet e gazuara me kafeinë
    Alkooli, sasi të mëdha kafeje dhe pijet energjike:

    Pse duhet shmangur: Alkooli irriton mëlçinë dhe rrit prodhimin e tëmthit, ndërsa teprica e kafeinës mund të stimulojë fshikëzën e tëmthit të tkurret duke shkaktuar dhimbje te personat me gurë.

    7. Teprica e produkteve të qumështit me shumë yndyrë

    Qumësht i plotë
    Ajka
    Djathëra të yndyrshëm
    Pse duhet shmangur: Yndyrat në këto produkte kërkojnë më shumë tëmth për t’u tretur; rritja e marrjes së tyre mund të nxisë sulme tëmthi.

    Personat me gurë në tëmth është më mirë t’i përmbahen një diete me pak yndyrë, me shumë fibra dhe me bollëk perimesh, frutash, drithërash integrale dhe mishi ose peshku të ligët. Pirja e bollshme e lëngjeve, kryesisht ujit, gjithashtu ndihmon në shëndetin e sistemit biliar.

    Shmangia e ushqimeve të pasura me yndyrë, kolesterol, erëza, produkte të përpunuara dhe alkool redukton rrezikun e sulmeve tëmthore dhe kontribuon në mbrojtjen e shëndetit të mëlçisë dhe fshikëzës së tëmthit.

    Për ata që tashmë kanë gurë në tëmth, konsultimi me një gastroenterolog ose nutricionist mund të ndihmojë në krijimin e një plani ushqimor të personalizuar që redukton simptomat dhe rrezikun e komplikimeve.

  • Veç gjashtë parti kanë dorëzuar listat me kandidatë për deputetë deri tash

    Veç gjashtë parti kanë dorëzuar listat me kandidatë për deputetë deri tash

    Vetëm gjashtë parti deri sot kanë dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë, njofton KQZ-ja.

    “Sonte në mesnatë (e diel, 7 dhjetor 2025, ora 23:59) përfundon afati për subjektet politike për dorëzimin online të listave të tyre me emrat e kandidatëve për deputetë, për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

    Janë 141 kandidatë që i përfaqësojnë subjektet politike në fjalë:

    Za Slobodu Pravdu i Opstanak – 12 kandidatë;
    SOCIJALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU – 35 kandidatë;
    JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA – 23 kandidatë;
    PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS – 40 kandidatë;
    Kosovaki Nevi Romani Partia – 11 kandidatë; dhe
    FJALA – 20 kandidatë.
    “Në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar, KQZ, nëpërmjet Zyrës, do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listën e kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të verifikimit të tyre nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”.

  • Detaje prekëse nga Klina, gruaja që u gjend pa shenja jete ishte shtatëzënë

    Detaje prekëse nga Klina, gruaja që u gjend pa shenja jete ishte shtatëzënë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 13:15 në fshatin Grabanicë të Klinës, ku është gjetur trupi i pajetë i një gruaje.

    Sipas burime të mediave lokale gruaja ka qenë shtatzënë.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka bërë të ditur për IndeksOnline se gruaja ishte raportuat e zhdukur mbrëmë nga familjarët e saj.

    “Është gjetur rreth orës 13:15 minuta nga Policia. Mbrëmë diku rreth orës 19:30 është raportuar nga familjarët që është larguar nga shtëpia dhe nuk po gjendet”, tha Gashi.

    Gashi tha se rasti ishte inicuar si “person i zhdukur” dhe nga kërkimet, trupi i pajetë u has “diku një kilometër larg urës së fshatit”.

    “Mjeku e ka konstatuar vdekjen”, tha zëdhënësi, ndërsa shtoi se hetuesit rajonalë dhe prokurori i shtetit ishin po ashtu në vendin e ngjarjes.

    Prokurori ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

  • Bill Gates bëhet pjesë e dokumentarit të regjisorit shqiptar Valmir Tertini – “Pinocchio’s Harvard”

    Bill Gates bëhet pjesë e dokumentarit të regjisorit shqiptar Valmir Tertini – “Pinocchio’s Harvard”

    Bill Gates konfirmon pjesëmarrjen në dokumentarin e ri amerikan të realizuar nga regjisori shqiptar Valmir Tertini, “Pinocchio’s Harvard”, projekt që po ngjall vëmendje të madhe në industrinë e filmit në SHBA.

    Filmi prodhohet nga vivFilms dhe shënon iniciativën e parë zyrtare të studios në Shtetet e Bashkuara.

    Dokumentari sjell historinë e Pinocchio’s, picerisë ikonike pranë Harvardit, e cila prej më shumë se 60 vitesh është kthyer në një pikë-referim kulturor ku ushqimi dhe historia ndërthuren.

    Hapësirë e thjeshtë por e ngrohtë, Pinocchio’s është frekuentuar ndër vite nga emra që më pas do të bëheshin figura globale si Bill Gates dhe Mark Zuckerberg, klientë të rregullt në periudhën e studimeve të tyre.

    Përmes viteve, lokali është vizituar gjithashtu nga personalitete të Hollywood-it dhe politikës, ndër ta Ben Affleck, Matt Damon, Natalie Portman, Malia Obama dhe Michelle Wu.Në qendër të dokumentarit qëndron Adams, njeriu që për dekada ka qenë zemra dhe fryma e Pinocchio’s.

    Përmes bisedave spontane dhe vëzhgimeve të përditshme, filmi zbulon sesi kjo piceri është shndërruar në një institucion të vetë Harvardit. Vizita në këtë universitet, pa hyrë te Pinocchio’s, konsiderohet pothuajse e paplotë — një vend ku personi i ulur pranë teje mund të jetë nesër një nga njerëzit më me ndikim në botë.

    Valmir Tertini, anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit, njihet për qasjen e tij të guximshme dhe hulumtuese në dokumentar.

    Ai ka trajtuar tema të ndjeshme në veprat e tij të mëparshme, si martesa për dokumente në “Tradhti me Letra”, abuzimet brenda institucioneve në “Vulë”, si dhe ka sjellë jetën e aktorit legjendar Bekim Fehmiu në një dokumentar të veçantë.

    Me mbi 30 çmime ndërkombëtare, Tertini konsiderohet një nga regjisorët shqiptarë më të suksesshëm të gjeneratës së tij.

    Së fundmi, ai ka qenë pjesë e ekipit të xhirimeve të serialit “Boston Blue” të Paramount dhe aktualisht drejton klasën e tij të filmit në Boston Public Library, ndërsa punon paralelisht në kërkimet shkencore për doktoraturën mbi Efektin e Filmit.

    “Pinocchio’s Harvard” synon të marrë pjesë në festivalet më të rëndësishme të filmit në Shtetet e Bashkuara dhe pritet të ketë premierën e parë në vitin 2026.