ATV

Blog

  • Hoxhaj: Kosova po izolohet ndërsa Serbia po thellon bashkëpunimin strategjik me ShBA-në

    Hoxhaj: Kosova po izolohet ndërsa Serbia po thellon bashkëpunimin strategjik me ShBA-në

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Kosova po përballet me izolim ndërkombëtar, duke kritikuar politikat e Qeverisë Kurti dhe duke kërkuar rikthimin e besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Hoxhaj ka thënë se dështimet e Qeverisë, sipas tij, janë shndërruar në një model qeverisjeje, ndërsa aleatët strategjikë po thellojnë bashkëpunimin me Serbinë.

    “Dështimet që po sjellin pasoja serioze për Kosovën nuk janë më lajme të reja. Ato janë bërë një model qeverisjeje. Ndërsa vendi mbahet peng nga politika konfrontuese e Qeverisë Kurti, aleatët tanë strategjikë po thellojnë bashkëpunimin me Serbinë”, ka shkruar Hoxhaj.

    Ai ka përmendur Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se Kosova e ka humbur atë, ndërsa Serbia është duke e nisur një të tillë.

    “Kosova ka humbur Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Serbia po e nis të vetin. Ky është një hap prapa me pasoja serioze për interesin tonë shtetëror”, ka deklaruar Hoxhaj.

    Sipas tij, pasojat e këtyre zhvillimeve nuk do të kufizohen vetëm në diplomaci, por do të ndikojnë edhe në siguri, ekonomi, investime të huaja, energji dhe procesin e integrimit euroatlantik.

    “Pasojat e këtyre dështimeve nuk do të mbeten vetëm në diplomaci. Ato do të reflektohen në sigurinë tonë, në zhvillimin ekonomik, në investimet e huaja, në sektorin e energjisë dhe në aftësinë e Kosovës për të avancuar drejt integrimit euroatlantik”, ka shkruar ai.

    Hoxhaj ka theksuar se Kosova duhet të rikthejë marrëdhëniet me aleatët perëndimorë dhe ta ketë prioritet rivendosjen e Dialogut Strategjik me SHBA-në.

    “Kosova nuk mund ta lejojë luksin e izolimit. Ne jemi shtet që kemi ndërtuar lirinë dhe pavarësinë në partneritet me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët tanë perëndimorë. Prandaj, rikthimi i besimit me SHBA-në dhe rivendosja e Dialogut Strategjik duhet të jetë prioritet kombëtar”, ka përfunduar Hoxhaj.

  • IKShPK-ja del me rekomandime për mbrojtje nga vapa: Pini ujë shpesh

    IKShPK-ja del me rekomandime për mbrojtje nga vapa: Pini ujë shpesh

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka dalë me rekomandime për mbrojtje nga vapa për kategoritë e ndjeshme, si fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

    Pirja e ujit, qëndrimi nën hije e veshja e rrobave të lehta janë disa prej këshillave.

    Gjithashtu kërkohet që të mos lihen fëmijët brenda makinave.

    “Temperaturat e ngritura mund të paraqesin rrezik për shëndetin, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ju fton të ndiqni rekomandimet për mbrojtje nga efektet e vapës dhe të kujdeseni për veten dhe të afërmit tuaj”, shkruan IKSHPK.

  • Ministria iraniane e Shëndetësisë: 50 persona janë vrarë nga sulmet ajrore amerikane që nga fundi i qershorit

    Ministria iraniane e Shëndetësisë: 50 persona janë vrarë nga sulmet ajrore amerikane që nga fundi i qershorit

    Të paktën 50 persona janë vrarë nga sulmet amerikane në Iran që nga 27 qershori, ka bërë të ditur një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi.

    Hossein Kermanpour tha se më shumë se 500 persona janë plagosur gjatë së njëjtës periudhë, ndërsa në mesin e të vrarëve ishin pesë gra dhe dy fëmijë.

    Gjatë natës, televizioni shtetëror iranian raportoi se tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën gjatë një sulmi që dëmtoi infrastrukturën në provincën Hormozgan.

    Ndërkohë, ushtria amerikane ka pranuar se disa pjesëtarë të tjerë të saj janë plagosur.

  • Marc Cucurella bën premtimin e madh: Tërhiqem nga Spanja nëse fitojmë Botërorin dhe bëj tatuazh De la Fuenten

    Marc Cucurella bën premtimin e madh: Tërhiqem nga Spanja nëse fitojmë Botërorin dhe bëj tatuazh De la Fuenten

    Marc Cucurella ka bërë një premtim të pazakontë për të ardhmen e tij me kombëtaren spanjolle. Mbrojtësi i “La Roja” ka deklaruar se do të tërhiqet nga futbolli ndërkombëtar nëse Spanja triumfon ndaj Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2026.

    Cucurella beson se fitimi i Kampionatit Evropian dhe Kupës së Botës do të ishte arritja perfekte me fanellën e kombëtares dhe se pas këtyre dy trofeve nuk do të kishte më shumë për të kërkuar.

    Mbrojtësi i Chelsea-t ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Spanjës gjatë këtij Botërori, duke luajtur çdo minutë në rrugëtimin drejt finales. Pas triumfit në Euro 2024, 27-vjeçari e sheh një tjetër trofe madhor si mbylljen ideale të aventurës së tij me “La Roja”.

    I kthyer në një titullar të padiskutueshëm nën drejtimin e Luis de la Fuente, Cucurella ka edhe një premtim tjetër për trajnerin që e riktheu Spanjën në majat e futbollit.

    Në një intervistë për gazetën franceze “L’Equipe”, ai zbuloi se do t’i kërkonte trajnerit të mos e grumbullonte më nëse Spanja shpallet kampione e botës.

    “Nëse fitojmë Kupën e Botës, do ta telefonoj Luisin të nesërmen dhe do t’i them të mos mbështetet më tek unë, sepse po tërhiqem nga kombëtarja. Me titujt e Evropianit dhe Botërorit, nuk mund të bëhet më mirë se kaq”, tha Cucurella.

    Por ky nuk ishte premtimi i vetëm i mbrojtësit spanjoll. I njohur për stilin e tij të veçantë dhe flokët karakteristikë, Cucurella ka zbuluar se do të bëjë edhe një tatuazh të veçantë nëse Spanja mposht Argjentinën.

    “Nëse fitojmë Kupën e Botës, do të bëj tatuazh fytyrën e trajnerit Luis de la Fuente në bicepsin tim”, deklaroi ai për “Fox Sports”.

    Spanja dhe Argjentina do të përballen të dielën nga ora 21:00 në “MetLife Stadium”, në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026.

  • Amarildo Bakaj sfidon publikisht Ben Whittakerin: Kanë frikë të përballen me mua

    Amarildo Bakaj sfidon publikisht Ben Whittakerin: Kanë frikë të përballen me mua

    Boksieri shqiptar Amarildo Bakaj ka shkaktuar reagime në rrjetet sociale, pasi u ka bërë një sfidë publike britanikut Ben Whittaker dhe boksierit Ringlife Edmon.

    Përmes një postimi, Bakaj pretendon se të dy po shmangin një përballje me të, duke i akuzuar se kanë frikë të rrezikojnë emrin dhe reputacionin e tyre.

    Sipas tij, motivi i kësaj sfide nuk është as financiar dhe as dëshira për më shumë famë, pasi thekson se të dyja i ka ndërtuar me punën e tij. Ai shton se dëshiron të përballet me emra të mëdhenj të boksit për të dëshmuar nivelin e tij në arenën ndërkombëtare.

    Në të njëjtin reagim, Bakaj kritikoi edhe boksierët më pak të njohur që e sfidojnë, duke thënë se synimi i tyre është vetëm të përfitojnë nga emri i tij dhe të fitojnë ekspozim.

    “I kam sfiduar këta dy djem, Ben Whittaker dhe Ringlife Edmon, por nuk po guxojnë ta pranojnë sfidën. Kanë frikë se do ta humbin emrin dhe reputacionin e tyre”, shkroi Bakaj.

    Ai theksoi se nuk do t’i sfidonte kurrë nëse nuk do të besonte te cilësitë e tij.

    “Po të isha vërtet askushi, pa famë dhe pa para, nuk do t’ju sfidoja kurrë. Por unë dua të përballem me emra të njohur dhe boksierë të fortë, sepse vetëm kështu rritem edhe më shumë.”

    Bakaj shtoi se synimi i tij është të garojë në skenën ndërkombëtare.

    “Nuk kam nevojë as për paratë, as për famën tuaj. Të dyja i kam ndërtuar vetë. Ajo që dua është të garoj në arenën ndërkombëtare, që e gjithë bota ta shohë se çfarë mund të bëj ndaj jush në ring.”

    Në fund, boksieri shqiptar pati edhe një mesazh për kundërshtarët më pak të njohur.

    • “Herë pas here shoh disa ‘qenushë’ të vegjël, më saktë disa chihuahua, që më sfidojnë. Në boks nuk kanë arritur asgjë. Emri i tyre nuk sjell asnjë vlerë dhe mezi njihen edhe në lagjen e tyre. E dinë se do t’i mposht, por nuk u intereson. Synimi i tyre është vetëm të fitojnë para dhe të bëhen të njohur, sepse një përballje me mua do t’u sillte vëmendje”, përfundoi Bakaj.
  • Lionel Messi për foton me Yamalin: Atëherë ishte foshnjë, tani do të përballemi në finalen e Botërorit

    Lionel Messi për foton me Yamalin: Atëherë ishte foshnjë, tani do të përballemi në finalen e Botërorit

    Lionel Messi ka folur për herë të parë për fotografinë ikonike të vitit 2007, ku ai shihet duke larë foshnjën Lamine Yamal, vetëm një ditë para finales së madhe të Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës.

    Të dielën mbrëma, dy kombëtaret do të luftojnë për trofeun më të rëndësishëm në futboll, ndërsa Messi dhe Yamal pritet të jenë protagonistët kryesorë të finales.

    Historia e tyre është e pazakontë. Plot 19 vjet më parë, gjatë një fushate bamirësie të UNICEF-it, Messi, atëherë futbollist i Barcelonës, u fotografua duke larë foshnjën Lamine Yamal. Sot, ajo fotografi ka bërë xhiron e botës, ndërsa të dy përgatiten të përballen në finalen e Botërorit.

    Duke folur për atë moment, kapiteni i Argjentinës e quajti gjithçka të pabesueshme.

    “Sinqerisht, ajo foto është çmenduri, sepse kjo është jeta. Bëra një foto me të kur ishte foshnjë, ndërsa tani do të përballemi në finalen e Kupës së Botës”, tha Messi.

    Argjentinasi nuk i kurseu elozhet për talentin spanjoll, duke e cilësuar Yamalin si një nga futbollistët më të mirë në botë.

    “Lamine është një talent i jashtëzakonshëm. E kam ndjekur nga afër, sepse luan për klubin që e dua, Barcelonën. Në vetëm 19 vjeç është tashmë një nga figurat kryesore të futbollit botëror dhe ka një të ardhme të jashtëzakonshme përpara.”

    Megjithatë, Messi e bëri të qartë se në finale miqësia dhe respekti mbeten jashtë fushës.

    “Ai ka mundësinë të arrijë diçka historike, por ne do të bëjmë gjithçka që ta ndalojmë. I uroj vetëm më të mirat.”

    Në fund, legjenda argjentinase e mbylli me një tjetër kompliment për yllin e ri të Spanjës.

    “Për momentin, ai është padyshim një nga lojtarët më të mirë në botë. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. I uroj fat, sepse çdo gjë e mirë për të është e mirë edhe për Barcelonën”, përfundoi Messi.

  • Michael Olise ëndërron Real Madridin, Bayerni përgatit katër skenarë për të ardhmen e tij

    Michael Olise ëndërron Real Madridin, Bayerni përgatit katër skenarë për të ardhmen e tij

    Michael Olise dëshiron një transferim te Real Madridi. Sipas raportimeve, anësori francez ua ka bërë të ditur këtë dëshirë edhe shokëve të tij të kombëtares gjatë Kupës së Botës.

    Megjithatë, Bayern Munich nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm. Sipas gazetës gjermane BILD, klubi bavarez ka përgatitur katër skenarë të mundshëm për të ardhmen e Olises.

    Skenari i parë parashikon që Bayerni t’i ofrojë lojtarit një kontratë të re me vlerë mbi 25 milionë euro në sezon, duke e vendosur në të njëjtin nivel pagash me Harry Kane dhe Jamal Musiala.

    Opsioni i dytë është që Olise të refuzojë rinovimin, por të respektojë vendimin e klubit dhe të vazhdojë të luajë në “Allianz Arena”, duke ruajtur nivelin e tij të lartë.

    Një tjetër skenar është që francezi të shtyjë fort për një transferim te Real Madridi, duke krijuar tensione të mëdha me drejtuesit e klubit bavarez.

    Ndërkohë, skenari i fundit parashikon që Bayern Munich të dorëzohet përballë presionit dhe të pranojë shitjen e Olises te Real Madridi, por vetëm në këmbim të një shume rekord dhe astronomike.

  • Milani mendon për Phil Fodenin, anglezi mund të zëvendësojë Leaon

    Milani mendon për Phil Fodenin, anglezi mund të zëvendësojë Leaon

    Emri i Phil Fodenit ka përfunduar në radarët e Milanit. Mesfushori ofensiv i Manchester Cityt i është propozuar klubit italian si një përforcim i mundshëm për repartin ofensiv.

    Sipas Claudio Raimondit të SportMediaset, raportuar nga MilanNews.it, një ndërmjetës ua ka ofruar Fodenin disa klubeve evropiane, mes tyre edhe Milanit, me drejtuesit kuqezi që po e shqyrtojnë seriozisht profilin e reprezentuesit anglez.

    Foden vjen pas një sezoni të vështirë te Manchester City, ku raportet me klubin janë ftohur ndjeshëm. Situata ndikoi edhe te kombëtarja angleze, pasi Thomas Tuchel vendosi ta lërë jashtë listës për Kupën e Botës.

    Kontrata e tij skadon në vitin 2027, por lojtari nuk ka ndërmend ta rinovojë marrëveshjen me kampionët e Anglisë, duke e bërë largimin një mundësi reale.

    Manchester City kërkon rreth 50 deri në 60 milionë euro për kartonin e Fodenit, një shumë që Milani beson se mund ta mbulojë pothuajse tërësisht me shitjen e Rafael Leaos. Kuqezinjtë shpresojnë të arkëtojnë afërsisht të njëjtën shumë nga largimi i portugezit.

    Edhe nga ana financiare operacioni konsiderohet i realizueshëm. Foden dhe Leao përfitojnë paga të ngjashme, rreth 7 deri në 7.5 milionë euro në sezon, çka e bën këtë transferim të mundshëm edhe nga aspekti ekonomik.

  • Franca dhe Anglia luajnë ndeshjen për vendin e tretë në Kupën e Botës

    Franca dhe Anglia luajnë ndeshjen për vendin e tretë në Kupën e Botës

    Sonte zhvillohet ndeshja e parafundit në Kupën e Botës 2026 ndërmjet Francës dhe Anglisë,ku njëra kombëtare synon që të sigurojnë medaljen e bronztë në fund.

    Të dyja kombëtaret të cilat në fillim të këtij botërori u konsideruan favorite për trofeun e Kupës së Botës,por zhgënjyen në gjysmëfinale ku francezët u eliminuan nga Spanja teksa në anën tjetër anglezët u mposhtën në minutat e fundit nga kampioni aktual i botës Argjentina,dhe medalja e bronztë për njërën skuadër do të ishte një lloj ngushëllimi.

    Në anën tjetër për yllin e Real Madrid-it Kylian Mbappe do të jetë një rast i mirë,ku nëse shënon daj anglezëve ose regjistron një asistim do të kalonte  Lionel Messin i cili ka 8 gola po aq sa francezi,vetëm nëse ylli argjentinas nuk shënon në finale ndaj Spanjës.

    E njëjta gjë vlen edhe për sulmuesin e Bayern Munich-ut Harry Kane,i cili nëse shënon hattrick dhe Mbappe nuk shënon gol dhe anglezi do të shkonte në 9 gola në botëror.

    Kujtojmë që ndeshja Francë-Angli pritet të zhvillohet në Miami Garden Stadium në Miami me fillim nga ora 23:00.

  • Mohamed Salah drejt Besiktas-Klubi turk nis bisedimet për transferimin e yllit egjiptian

    Mohamed Salah drejt Besiktas-Klubi turk nis bisedimet për transferimin e yllit egjiptian

    Gjiganti turk Beşiktaş ka hyrë në garë për transferimin e ish-sulmuesit të Liverpoolit, Mohamed Salah, duke zhvilluar bisedime për një marrëveshje të mundshme me yllin egjiptian.

    Pas largimit nga Liverpooli në fund të sezonit të kaluar, Salah është bërë një nga futbollistët më të kërkuar në tregun e lojtarëve të lirë. Sipas raportimeve, drejtuesit e Beşiktaşit kanë intensifikuar përpjekjet për ta bindur 34-vjeçarin që ta vazhdojë karrierën në Superligën turke.

    Raportohet se në fazën e parë të negociatave, përfaqësuesit e Salahut kanë kërkuar një pagë neto prej 15 milionë eurosh në sezon. Edhe pse kjo shumë konsiderohej e lartë për mundësitë financiare të klubit, bisedimet kanë vazhduar dhe palët thuhet se kanë bërë përparim.

    Sipas të njëjtave burime, Salah ka shprehur gatishmëri për të rishikuar kërkesat e tij financiare, me qëllim që të arrihet një marrëveshje me klubin nga Stambolli.

    Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i futbollistit thuhet se ka mbërritur në Stamboll për të zhvilluar takime me drejtuesit e Beşiktaşit, ku në qendër të diskutimeve është një kontratë shumëvjeçare.

    Beşiktaşi synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për sezonin e ri, me objektivin për të rivalizuar Galatasarayn dhe Fenerbahçen në garën për titull. Afrimi i një lojtari të kalibrit të Mohamed Salahut do të ishte një nga goditjet më të mëdha të merkatos verore, nëse transferimi realizohet.

    Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Beşiktaşi apo nga Mohamed Salah për arritjen e një marrëveshjeje.