ATV

Blog

  • Lituania shpall gjendjen e jashtëzakonshme, shkak balonat kontrabandiste

    Lituania shpall gjendjen e jashtëzakonshme, shkak balonat kontrabandiste

    Lituania shpalli të martën gjendje të jashtëzakonshme për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë publike nga balonat e kontrabanduara me origjinë nga Bjellorusia, tha qeveria.

    Lituania akuzon Bjellorusinë se i lejon kontrabandistët të përdorin balona meteorologjike për të transportuar cigare kontrabandë përtej kufirit, duke e detyruar vazhdimisht aeroportin e Vilniusit të ndërpresë fluturimet, duke ndërprerë trafikun ajror.

    Kohëzgjatja e masave të emergjencës nuk ishte menjëherë e qartë.

    Bjellorusia, e cila lejoi që territori i saj të përdoret për pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022, ka mohuar përgjegjësinë për balonat dhe ka akuzuar Lituaninë për provokime, duke përfshirë edhe dërgimin e dyshuar të një droni për të hedhur “materiale ekstremiste”.

    Lituania, një anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, e cila dikur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, i ka hedhur poshtë këto akuza si të rreme.

  • A po rikthehet Livakoviç në Kroaci?

    A po rikthehet Livakoviç në Kroaci?

    Mediat italiane raportojnë se portieri kroat Dominik Livakoviç është shumë pranë një largimi nga Girona.

    Me afatin kalimtar të transferimeve dimërore që po afron, është e qartë se 30 vjeçari nuk do të luajë më për ekipin spanjoll. Girona ka edhe dy ndeshje para pushimit dyjavor dhe pritet të jetë në gjendje ta lërë portierin jashtë për këto takime.

    Mësohet se Girona do ta lejojë Livakoviç të rikthehet në Kroaci, ku ai do të bashkohet me Dinamo Zagreb, skuadër ku luan edhe Arbër Hoxha. Zvonimir Boban ka përfunduar marrëveshjen për transferimin dhe pritet që portieri kroat të jetë startues menjëherë.

    Selektori i Kroacisë ka sugjeruar që Livakoviç të luajë titullar te Dinamo Zagreb për të ruajtur pozitën e tij si portier i parë edhe në përfaqësuesen kroate gjatë Kampionatit Botëror. /ATVLIVE.TV

  • Fehmi Kupina rizgjidhet Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës

    Fehmi Kupina rizgjidhet Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës

    Fehmi Kupina është rizgjedhur sot Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës. Ai mbante të njëjtin post edhe gjatë mandatit të kaluar.

    Kupina, i cili më parë ishte pjesë e LDK-së, kishte dhënë dorëheqje për të themeluar partinë e re “Lidhja për Prishtinën”.

    Kjo parti arriti të sigurojë katër vende në Kuvendin Komunal, ndërsa Kupina u nominua për të vazhduar drejtimin e Kuvendit.

    Në votimin e sotëm, Kupina mori 31 vota pro, katër kundër dhe dy abstenime, duke konfirmuar kështu rizgjedhjen e tij në këtë post.

    Ai falënderoi anëtarët për besimin e dhënë dhe premtoi angazhim të plotë për funksionim të drejtë dhe efikas të Kuvendit.

    “Është nder i madh të marr këtë detyrë, të cilën e marr me përgjegjësi. Garantoj për funksionim të drejtë, efikas dhe të hapur për të gjithë”, tha Kupina pas rizgjedhjes.

  • Vrasja e Martin Canit, gjykata shpall sot vendimin

    Vrasja e Martin Canit, gjykata shpall sot vendimin

    Gjykata e Tiranës do të shpallë sot vendimi sa i takon vrasjes së Martin Canit, ku autori i dyshuar është i mituri M.P. Prokuroria ka kërkuar 25 vite burg për të, por sipas Kodit Penal për të mitur, ai nuk mund të dënohet më shumë se 12 vite.

    Mbrojtja e autorit 14-vjeçar kërkoi më 4 dhjetor në gjykatë rikualifikim të akuzës.

    Avokatët i thanë treshes së gjyqtarëve se ngjarja ka ndodhur për shkak të një tronditjeje dhe kërkuan që, nga vrasja në rrethana cilësuese, të gjykohet për vrasje në kushte të tronditjes së fortë psikologjike.

    Martin Cani u vra me thikë më 18 nëntor 2024.

  • Babai i Meghan Markle pas amputimit: “Nuk dua të vdes pa u pajtuar me vajzën – Dua të takoj nipërit e mbesat”

    Babai i Meghan Markle pas amputimit: “Nuk dua të vdes pa u pajtuar me vajzën – Dua të takoj nipërit e mbesat”

    Thomas Markle, babai 81-vjeçar i Meghan Markle, po përballet me probleme serioze shëndetësore dhe ka bërë një thirrje publike për t’u pajtuar me vajzën e tij. Ai ndodhet në Filipine, ku po shërohet në spital pasi iu amputua këmba e majtë.

    Gjendja e tij u përkeqësua javën e kaluar, kur këmba papritmas u bë blu, e zezë dhe u ënjt rëndë, duke i shkaktuar dhimbje të padurueshme dhe duke e bërë të pamundur ecjen. Mjekët u detyruan të ndërhynin menjëherë për amputim, në mënyrë që t’i shpëtonin jetën.

    Nga shtrati i spitalit, Thomas Markle i bëri një apel emocional Meghan-it, duke thënë se dëshiron të rindërtojë marrëdhënien dhe të takojë nipërit e tij, Archie dhe Lilibet.

    “Sigurisht që do të flisja me të, por nuk jam i sigurt nëse këto janë rrethanat e duhura. Jam gjithmonë i hapur për pajtim. Nuk kam pushuar kurrë së dashuri për të. Nuk dua të vdes larg Meghan. Do të doja të takoja nipërit e mbesat e mia. Do të ishte mirë të takoja edhe burrin e saj,” tha ai.

    Thomas Markle ka deklaruar se prej vitesh nuk ka komunikuar me Meghan. Distancimi mes tyre nisi para dasmës së saj me Princin Harry në vitin 2018, një ceremoni ku ai nuk mundi të merrte pjesë për shkak të dy atakëve në zemër. Në vitin 2022, ai pësoi edhe një goditje të rëndë në tru.

    Djali i tij, Tom Jr., i cili jeton me të në Filipine, tregoi se sa keq ishte gjendja e të atit para ndërhyrjes.

    “Dukej tmerrësisht keq. Deri të martën, këmba ishte blu-e zezë, sikur indi po vdiste,” tha ai, duke theksuar se ndërhyrja ishte e domosdoshme.

    Ndërkohë, publiku dhe mediat po presin nëse Meghan do të reagojë ndaj thirrjes së të atit, në një moment të vështirë që mund të hapë rrugën e pajtimit familjar.

  • Tre të lënduar pas aksidentit të rëndë në Gllarevë të Klinës

    Tre të lënduar pas aksidentit të rëndë në Gllarevë të Klinës

    Tre persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur sot në fshatin Gllarevë të Klinës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    Gashi deklaroi se në aksident ishin të përfshirë katër vetura.

    “Aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 09:06 në fshatin Gllarevë të Klinës, ku tre persona kanë pësuar lëndime. Katër vetura ishin të përfshira. Fillimisht janë dërguar në Qendren e Mjekësisë Familjare, e më pas me udhëzim të mjekut janë dërguar për trajtim në emergjencën spitalit rajonal të Pejës. Sipas informacioneve të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë”, deklaroi ai.

  • BDI kërkon tërheqjen e librit të Gjeografisë: Kosova nuk është “Metohi”, Qeveria po deformon historinë e Kosovës në librat shkollorë

    BDI kërkon tërheqjen e librit të Gjeografisë: Kosova nuk është “Metohi”, Qeveria po deformon historinë e Kosovës në librat shkollorë

    Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar në lidhje me tekstet që gjenden në librin e Gjeografisë për klasën e tetë, në të cilin kishte informacione të pasakta. Nga BDI thonë se ky libër është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025 dhe përmban formulime që shtrembërojnë realitetin historik dhe politik të Kosovës.

    “BDI shpreh shqetësim të thellë për qasjen tendencioze dhe pasaktësitë e rënda që gjenden në librin e Gjeografisë për klasën e VII-të, botuar nga shtëpia botuese “Trimaks”, Shkup, dhe miratuar nga Komisioni Kombëtar për tekste shkollore më 5 gusht 2025. Ky libër është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025 dhe përmban formulime që shtrembërojnë realitetin historik dhe politik të Kosovës. Paraqitja e Kosovës si “gjendet në jugperëndim të Serbisë” i jep Serbisë rolin e pikë-referencës dhe anashkalon njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Maqedonia e Veriut. Përdorimi i termit “Metohi” për Rrafshin e Dukagjinit përbën një devijim të rëndë identitar dhe shkencor, duke u bërë mjet i narrativave historike serbe. Po ashtu, formulimi “Mitrovica e Kosovës” reflekton terminologjinë tendencioze serbe si “Kosovska Mitrovica” dhe nuk mund të jetë pjesë e një teksti shkollor të miratuar institucionalisht”.

    “BDI kërkon urgjentisht të tërhiqet libri nga përdorimi, të rishikohet dhe të korrigjohet përmbajtja sipas standardeve shkencore dhe të politikës shtetërore, të përcaktohet përgjegjësia institucionale dhe politike për këtë libër të botuar në 2025 dhe të garantohet neutraliteti akademik në të gjitha tekstet e ardhshme shkollore”, thonë nga BDI.

    Në fund thonë se do të ndjekin këtë çështje deri në korrigjimin e plotë dhe sqarimin institucional, në mënyrë që gjeneratat e reja të mos ekspozohen ndaj interpretimeve të gabuara për historinë dhe realitetin politik të Kosovës.

  • Filma me buxhet të ulët që shndërrohen në suksese milionëshe: Fenomeni që vazhdon të habisë Hollywood-in

    Filma me buxhet të ulët që shndërrohen në suksese milionëshe: Fenomeni që vazhdon të habisë Hollywood-in

    Industria e filmit ka provuar se nuk janë gjithmonë buxhetet marramendëse ato që garantojnë sukses. Disa nga filmat më fitimprurës në histori janë realizuar me fonde minimale, por kanë gjeneruar të ardhura kolosale në mbarë botën. Fenomeni i filmave “low-budget” që shpërthejnë në kinema po i shtyn gjithnjë e më shumë producentët të rrezikojnë me projekte kreative dhe origjinale.

    Më poshtë janë disa prej shembujve më të spikatur të filmave me buxhet të vogël që u kthyen në hit-e botërore.

    1. “Paranormal Activity” (2007) – Nga 15 mijë dollarë në mbi 190 milionë

    Ky film horror u xhirua në një shtëpi të zakonshme, me një ekip minimal dhe pa aktorë të njohur. Buxheti ishte vetëm 15,000 dollarë, por filmi shndërroi kinematë botërore në panik dhe fitoi mbi 190 milionë dollarë.
    Sekreti i suksesit: realizmi, thjeshtësia dhe marketingu i zgjuar.

    2. “The Blair Witch Project” (1999) – 60 mijë dollarë që prodhuan 248 milionë

    Një tjetër film horror që shfrytëzoi stilin “found footage”. U prodhua me vetëm 60,000 dollarë dhe u bë një nga filmat më fitimprurës krahasuar me buxhetin në historinë e kinemasë.
    Ai ndryshoi tërësisht mënyrën e prodhimit të filmave horror të pavarur.

    3. “Rocky” (1976) – 1 milion dollarë që u kthyen në 225 milionë

    Sylvester Stallone e shkroi skenarin, këmbënguli të ishte aktori kryesor dhe filmi u realizua me një buxhet të ulët për kohën: 1 milion dollarë.
    “Rocky” fitoi më shumë se 225 milionë dollarë, tre çmime Oscar dhe i hapi rrugën një prej sagave më të famshme të sportit.

    4. “Mad Max” (1979) – Buxhet i vogël, krijoi një univers të madh

    Filmi australian me Mel Gibson u prodhua me rreth 350,000 dollarë, një shifër modeste edhe për vitet ’70.
    Ai gjeneroi mbi 100 milionë dollarë globalisht dhe u bë një prej filmave kult që frymëzoi vazhdime dhe rindezje spektakolare dekada më pas.

    5. “Saw” (2004) – 1.2 milion dollarë që u shpërthyen në 103 milionë

    “Ideja e thjeshtë, realizimi i fortë” ishte receta e suksesit për “Saw”. Filmi kryesor u xhirua pothuajse tërësisht në një dhomë, duke ulur kostot në minimum.
    Në fund, ai fitoi mbi 100 milionë dollarë dhe u kthye në një nga seritë horror më të suksesshme ndonjëherë.

  • Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takimin me Terras: Të padrejta dhe të pashpjegueshme

    Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takimin me Terras: Të padrejta dhe të pashpjegueshme

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.

    Në njoftim bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, m ç`rast Osmani theksoi se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore.

    Ndër të tjera bëhet e ditur se Osmani theksoi se, pavarësisht bashkëpunimit konstruktiv, vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm.

    Në këtë kontekst, e para e shtetit kërkoi mbështetjen e Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë.

    Sipas presidentes, heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave.

    Më tej, presidentja Osmani shtroi nevojën që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave.

    Krejt në fund, presidentja prezantoi një sërë të dhënash të institucioneve ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën në majat e performancës në shumë fusha kyçe.

  • Mo Salah publikon fotografi duke u stërvitur i vetëm pas lënies jashtë nga Arne Slot

    Mo Salah publikon fotografi duke u stërvitur i vetëm pas lënies jashtë nga Arne Slot

    Mohamed Salah po vazhdon të stërvitet i vetëm në palestër në qendrën stërvitore të Liverpoolit, pas vendimit të trajnerit Arne Slot për ta lënë jashtë skuadrës në ndeshjet e fundit.

    Egjiptiani, i cili ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Liverpoolit në sezonet e fundit, nuk u aktivizua për tri ndeshje radhazi, duke shkaktuar spekulime dhe diskutime mbi marrëdhënien e tij me trajnerin holandez. Përveç mungesës në takimet e Premier League, Salah nuk u përfshi në skuadrën që udhëtoi për ndeshjen e UEFA Champions League, duke shtuar tensionin rreth të ardhmes së tij në klub.

    Megjithatë, ylli egjiptian po vazhdon të punojë individualisht për të mbajtur formën dhe për t’u përgatitur fizikisht, duke treguar profesionalizëm dhe përkushtim, pavarësisht situatës. Stërvitja e tij e veçantë mund të shihet si një mënyrë për të qëndruar në nivel të lartë, ndërkohë që ‘The Reds’ dhe trajneri Slot vendosin për rolin e tij në ndeshjet e ardhshme.

    Kjo situatë ka ndezur spekulime për të ardhmen e egjiptianit në skuadër, me tifozët dhe mediat sportive që ndjekin me kujdes çdo zhvillim. Pavarësisht tensionit, Salah vazhdon të tregojë përkushtim dhe profesionalizëm në stërvitje, duke ruajtur shpresat për një rikthim të mundshëm në ekip. /ATVLIVE.TV