ATV

Blog

  • Nga Korça në Francë, 45 thesare të artit shqiptar ekspozohen në zemër të Europës

    Nga Korça në Francë, 45 thesare të artit shqiptar ekspozohen në zemër të Europës

    Shqipëria dhe trashëgimia e saj kulturore do të jenë në qendër të jetës artistike të qytetit Chambéry në Francë gjatë vitit 2026. Falë partneritetit të krijuar që prej vitit 2022 mes qyteteve të Chambéry-së dhe Korçës, një program i gjerë kulturor do t’i kushtohet arteve, muzikës dhe letërsisë shqiptare.

    Lajmi është bërë publik nga faqja zyrtare e bashkisë së Chambéry-së, e cila njofton se një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij programi do të jetë ekspozita “Ikona të Shqipërisë”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga muaji maj deri në nëntor në Muzeun e Arteve të Bukura të Chambéry-së.

    Në kuadër të saj do të ekspozohen 45 vepra të rëndësishme të artit shqiptar, që përfaqësojnë trashëgiminë kombëtare nga shekulli XIV deri në shekullin XX. Veprat vijnë nga fondi i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës dhe përbëjnë një përzgjedhje të rrallë ikonografike dhe artistike.

    Përveç ekspozitës, programi kulturor përfshin një sërë aktivitetesh të tjera, si konferenca në kuadër të Muajit të Evropës, pjesëmarrjen e partnerëve shqiptarë në Tregun e Kontinenteve, si dhe praninë e artistëve dhe grupeve folklorike nga Korça në Festivalin e Kulturave Botërore. Gjithashtu janë parashikuar projekte të përbashkëta krijimi artistik dhe teatral, që do të bashkojnë të rinj dhe profesionistë nga të dy vendet.

    Lidhja mes Korçës dhe Francës është e hershme dhe e thellë. E njohur si “Parisi i Vogël” për traditën e saj frankofone, Korça ka qenë historikisht një qendër e rëndësishme kulturore, arsimore dhe arkitekturore, si dhe një vatër e rëndësishme e zgjimit kombëtar shqiptar.

    Në periudhën mes dy luftërave botërore, Liceu Francez i Korçës ishte djepi i elitave intelektuale dhe kulturore shqiptare. Kjo trashëgimi pritet të ringjallet me hapjen e afërt të liceut të ri franko-shqiptar në Korçë, një projekt i përbashkët mes Shqipërisë dhe Francës, i orientuar drejt arsimit, shkencës dhe së ardhmes.

    Ky bashkëpunim kulturor shënon një hap të rëndësishëm në promovimin e artit dhe identitetit shqiptar në arenën evropiane.

  • Mëlçia e dhjamosur, sëmundja e heshtur që po prek miliona njerëz në botë

    Mëlçia e dhjamosur, sëmundja e heshtur që po prek miliona njerëz në botë

    Mëlçia është një nga organet më jetike dhe më punëtore të trupit të njeriut. Ajo filtron gjakun, përpunon lëndët ushqyese, neutralizon toksinat dhe luan një rol kyç në metabolizmin e yndyrave dhe sheqernave. Megjithatë, kur dëmtohet, rrallëherë jep shenja paralajmëruese, sidomos në fazat e hershme, çka e bën sëmundjen të kalojë shpesh pa u vënë re.

    Një nga problemet më të përhapura sot është mëlçia e dhjamosur, e cila konsiderohet sëmundja më e zakonshme e mëlçisë në nivel global. Për një kohë të gjatë është parë si një gjendje e lehtë, por studimet e fundit tregojnë se tek një pjesë e konsiderueshme e pacientëve ajo mund të përparojë drejt formave shumë më serioze.

    Sot kjo patologji njihet me termin e ri mjekësor sëmundja e mëlçisë steatozike e shoqëruar me disfunksion metabolik (MASLD), një emërtim që reflekton më qartë lidhjen e saj me problemet metabolike.

    Çfarë është MASLD?

    MASLD karakterizohet nga grumbullimi i tepërt i yndyrës në qelizat e mëlçisë, i shoqëruar me çrregullime metabolike. Më parë ajo njihej si steatozë hepatike joalkoolike (NAFLD), për të theksuar se alkooli nuk është shkaku kryesor i sëmundjes.

    Diagnoza e MASLD vendoset kur, përveç yndyrës në mëlçi, është i pranishëm të paktën një faktor rreziku kardiometabolik, si mbipesha ose obeziteti abdominal, diabeti ose prediabeti, tensioni i lartë i gjakut apo nivele të rritura të kolesterolit dhe triglicerideve.

    Sindroma metabolike, problem gjithnjë e më i shpeshtë

    Sindroma metabolike përfshin një kombinim çrregullimesh si obeziteti abdominal, rezistenca ndaj insulinës, diabeti i tipit 2, dislipidemia dhe hipertensioni. Prania e të paktën tre prej këtyre faktorëve mjafton për vendosjen e diagnozës.

    Personat me sindromë metabolike kanë rrezik dukshëm më të lartë për sëmundje kardiovaskulare dhe vdekje të parakohshme, si dhe deri në pesë herë më shumë gjasa për të zhvilluar diabet të tipit 2.

    Shifra alarmante në nivel global

    Në mbarë botën, 30–40 për qind e popullsisë adulte vuan nga mëlçia e dhjamosur. Rreth 80 për qind e pacientëve me MASLD janë mbipeshë ose obezë, 60–70 për qind kanë dislipidemi, 50 për qind hipertension dhe rreth 60 për qind prediabet ose diabet të tipit 2.

    Kur sheqeri shndërrohet në yndyrë

    MASLD zhvillohet kur mëlçia përballet me një sasi yndyrash më të madhe sesa është në gjendje të përpunojë. Kjo ndodh si pasojë e marrjes së tepërt të acideve yndyrore nga ushqimi dhe indi dhjamor, si dhe konsumimit të lartë të sheqernave, veçanërisht glukozës dhe fruktozës që gjenden në pijet e ëmbla dhe ushqimet ultra të përpunuara.

    Mëlçia i shndërron këta sheqerna në yndyrë përmes një procesi të quajtur lipogjenezë de novo, duke rritur akumulimin e yndyrës në qelizat hepatike.

    Simptoma të pakta, rrezik i madh

    Në shumicën e rasteve, MASLD nuk shoqërohet me simptoma të qarta. Disa pacientë përjetojnë lodhje, plogështi ose shqetësim në anën e djathtë të barkut, ndërsa rreth gjysma kanë zmadhim të mëlçisë.

    Rreziku kryesor qëndron në përparimin e heshtur të sëmundjes. Nga 15 deri në 40 për qind e pacientëve mund të zhvillojnë MASH, një formë më e rëndë që çon në inflamacion, fibrozë, cirrozë dhe rrit ndjeshëm rrezikun për kancer të mëlçisë.

    Pse ndërhyrja e hershme është vendimtare

    Specialistët theksojnë se humbja e 7–10 për qind të peshës trupore përmirëson ndjeshëm steatozën në më shumë se gjysmën e rasteve. Një rënie mbi 10 për qind mund të çojë në përmirësim të dukshëm të MASH dhe fibrozës, duke ulur ndjeshëm rrezikun e komplikacioneve afatgjata.

    Për këtë arsye, mëlçia e dhjamosur konsiderohet sot jo vetëm një problem i mëlçisë, por një sinjal alarmi për shëndetin e përgjithshëm metabolik.

  • Sulm me sëpatë në Pejë, tre të arrestuar

    Sulm me sëpatë në Pejë, tre të arrestuar

    Tre persona janë arrestuar në Pejë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje kanë kanosur dhe sulmuar një tjetër.

    Sipas raportit policor, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse me ç’rast kanë konfiskuar një sëpatë që dyshohet të jetë përdorur në rast.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Kryeprokurorja: Të akuzuarit kanë kryer krime për të pasur kontroll në të gjithë Kosovën

    Kryeprokurorja: Të akuzuarit kanë kryer krime për të pasur kontroll në të gjithë Kosovën

    Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West gjatë deklaratës së saj përmbyllëse tha se të akuzuarit kanë kryer krime për të pasur kontroll në të gjithë Kosovën.

    “Në mënyrë që të arrinin qëllimin e tyre, të akuzuarit kanë kryer krime kundër kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të pasur kontroll në të gjithë Kosovën.

    West tha se janë dëgjuar dëshmi të dëshmitarëve të Prokurorisë duke përfshirë edhe anëtarë të UÇK-së dhe persona nga të gjitha fushat.

    “Dëshmitë e të gjithë dëshmitarëve dhe të gjitha provat shkresore video ose Forenzike, tregojnë se këto krime janë kryer dhe se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi ligjore për ato.

    Kryeprokurorja përmendi edhe dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes së Thaçit të cilët ishin shtatë dhe ndërkombëtar.

    Ajo tha se këta persona në atë kohë kur pretendohet se kanë ndodhur krimet janë gjendur në një situatë që kanë pasur pak informacion lidhur me akteret kryesor, nuk e kanë ditur gjuhen dhe kanë ndërvepruar pak herë me ata.

    Andaj, ajo tha se kjo njohuri është e pamjaftueshme për të nxjerrë fakte dhe të ndihmojë këtë gjykatë lidhur me këtë rast.

    “Fatkeqësisht ky gjykim nuk i ka shpëtuar klimës së frikësimit të dëshmitarëve që ka qenë insistuese dhe e shtrirë në kohë siç ishte parashikuar prej nesh që prej fillimi dhe deri në masën që gjykata duhet ta konsiderojë atë që a bëjë një vlerësim të drejtë të besueshmërisë dhe mbeshtetshmerisë së dëshmitarëve e vërteta është prej disa dëshmisë së disa përpjekjeve që kanë ndodhur këtu. Pavarësisht kësaj, Gjykata ka prova të shumta. Për shembull; të akuzuarit kanë qenë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së përpara nëntori të 98-ës dhe ka prova që komandantët e zonave kanë marrë urdhra nga të akuzuarit dhe jo e kundërta”, tha West.

    Tutje, West tha se janë bërë përpjekje për të ndikuar, zbutur ose për të ndryshuar dëshmi të caktuara në veçanti për përfitime të të akuzuarit Thaçi.

  • Sa para fitoi Bad Bunny për performancën e “Super Bowl”? – Nuk është ajo që mendonit!

    Sa para fitoi Bad Bunny për performancën e “Super Bowl”? – Nuk është ajo që mendonit!

    Fansat mendojnë se Bad Bunny po fiton miliona për kryesimin e shfqejes së pauzës në “Super Bowl” por e vërteta është shumë më ndryshe. Sipas disa raportimeve të TMZ, ylli nga Porto Rico nuk po merr ndonjë pagë të madhe nga NFL për performancën e tij.

    E vërteta është se nuk ka çek milionash, artistët që performuan në pauz të “Super Bowl” nuk marrin një pagë të madhe nga NFL, ndryshe nga koncertet ku mund të fitojnë miliona për një shfaqje.

    Sipas kontratës së “Screen Actors Guild‑American Federation of Television and Radio Artists” (SAG‑AFTRA), artistët marrin vetëm minimumin e paracaktuar nga sindikata, rreth 1,000 dollarë për ditë për provat dhe performancën.

    Por liga zakonisht paguan të gjitha kostot e produksionit, që mund të shkojnë nga 10 deri në 15 milion dollarë për skenografinë, ekipin teknik, valltarët, udhëtimet dhe pajisjet, por kjo është mbulim i produksionit, jo pagë.

    Ekspozimi është paga reale, pra ajo që Bad Bunny fiton me të vërtetë nga Super Bowl është platforma më e madhe televizive live në botë. Me më shumë se 100 milion shikues, performanca në halftime zakonisht shkakton rritje të madhe në shikimet e muzikës, shkarkimet dhe shitjet e koncerteve dhe këtu artistët bëjnë para reale e afatgjata.

    Pra, nëse prisnit një titull si “Bad Bunny fiton 10 milion dollarë për Super Bowl!”, kjo nuk do të ndodhë, të paktën jo direkt nga NFL. Në vend të kësaj, Super Bowl ofron ekspozim dhe mbulim të produksionit, dhe artistët mbështeten te promovimi për të rritur të ardhurat nga “streaming”, turnetë dhe marrëveshjet me marka pas shfaqjes.

  • Prokurori Special kërkon shpalljen fajtor të mësuesit për përdhosje të simboleve kombëtare në shkollë

    Prokurori Special kërkon shpalljen fajtor të mësuesit për përdhosje të simboleve kombëtare në shkollë

    Prokurori Special Bekim Kodraliu ka kërkuar ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, të akuzuarin Muhamet Hajredinajpër veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale i akuzuari Hajredinaj duke e ditur qe më 27 nëntor 2024 kremtohej në shkollë Dita e flamurit kombëtar, për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve, ka marrë flamurin kuqezi dhe plisin dhe, me gjithë kundërshimet e nxënësve, i ka hedhur në shportën e mbeturinave.

    “Ka ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale të ‘Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, pa mëdyshje është vërtetuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale e lartcekur. Është vërtetuar gjendja faktike, çka nënkupton që i pandehuri e ka kryer veprën penale. U vërtetua se i pandehuri me 27.11.2024 në shkollën ‘Xhemajl Mustafa’, duke vepruar në cilësinë e personit zyrtar si mësimdhënës, në mënyrë qe ka hyrë në klasën 6/4 i përballur më veshjet kombëtare, ka marrë flamurin dhe plisin nga disa nxënës i ka hedhur në shportën e mbeturinave si dhe ka larguar nga klasa një nxënëse që ka pasur veshje kombëtare. Nga administrimi i provave, nga deklarimet e dëshmitarëve dhe të pandehurit rezulton e vërtetuar se i pandehuri ka ndërmarrë veprime konkrete publike me dashje të drejtpërdrejtë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Para nxënësve të mitur, ka përdhosur simbolet kombëtare shqiptare, duke hedhur flamurin dhe plisin, ka larguar nga klasa një nxënëse 11 vjeçare. Janë vërtetuar edhe nga deklarimet e dëshmitarëve me këto veprime nxitur urrejtje. Hedhja e simboleve e shoqëruar me përjashtim e një nxënëse të mitur përbën një akt poshtërues”, thuhet në aktakuzë.

    Më tej është thënë se dëshmohet qartë se veprimi nuk ka qenë i paqëllimshëm, por i qëllimshëm.

    “Ne konsiderojmë se vepra penale është kryer në një ambient arsimor. Bazuar në provat e administruara i pandehuri ka kryer këtë veprën penale, i propozoj Gjykatës ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit dhe ti shqiptohet dënimi plotësues, dënimi nga ushtrimi i detyrës në administratën publike”, ka thënë prokurori special, Bekim Kodraliu.

    E mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Hajredinaj, avokati Muhamet Mujaj, tha se pretendimet e Prokurorisë Speciale janë të pabazuara dhe i pandehuri Muhamet Mujaj nuk e ka kryer veprën mbi të cilën ngarkohet. Ka kërkuar lirimin e tij.

    “Nuk është e vërtetë çka deklarohet prej një prokurori për gjendjen faktike. As provat materiale e as personale se i akuzuari ka ndërmarrë veprim për shkak te motiveve fetare. Kërkesa e tij ka qenë që nxënësit të jenë të veshur me uniformë. Profesori ka kërkuar që plisat, flamuri që të largohen dhe të vazhdojë procesi mësimor. Nuk ka dëshmi që Muhameti ka bërë nxitje të përçarjes… i akuzuari ka deklaruar edhe në gjykatë që ato simbole janë simbole të tij kombëtare. Deklaratat e dëshmitarëve janë shumë kontradiktore me shumë paragjykime. Profesoresha nuk ka arritur të tregojë se ka qenë ose jo prezent kur ka ndodhur rasti.. nuk ka pasur për qëllim ta hedhë flamurin, por ka qenë në efekt. Kërkojmë që ta lironi të akuzuarin”, ka thënë avokati Muhamet Mujaj.

    Fjalën përfundimtare të avokatit e përkrahu edhe vetë i akuzuari Muhamet Hajredinaj. Pas rastit Hajredinaj ishte pezulluar nga puna në shkollën “Xhemail Mustafa”.

    KOHA pati raportuar në ditën e ngjarjes, se si simbolet u bënë shkak që mësimdhënësi i gjuhës anglezë në shkollën “Xhemail Mustafa”, ka përjashtuar një nxënëse nga ora e mësimit qe refuzoi ta heqë plisin nga koka dhe e hodhi në bërllok edhe flamurin kuq e zi.

  • Familja Kola u shua në Itali, mblidhen 75 mijë euro për kthimin e 4 trupave në Shqipëri dhe shpenzimet e funeralit

    Familja Kola u shua në Itali, mblidhen 75 mijë euro për kthimin e 4 trupave në Shqipëri dhe shpenzimet e funeralit

    Fushata e solidaritetit është iniciuar nga Durim Kola, vëllai i 48-vjeçarit Arti Kola, një nga viktimat e tragjedisë.

    Fondet e mbledhura do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të funeralit dhe për transportin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore, ndërsa shuma që do të mbetet do t’u shërbejë familjarëve të viktimave.

    Ngjarja e rëndë i mori jetën Arti Kolës, bashkëshortes së tij Jonida, 43-vjeçe, si dhe dy fëmijëve të tyre Hadjarit, 22-vjeç, dhe Xhesikës, 15-vjeçe.

    Të katërt humbën jetën nga monoksidi i karbonit, i çliruar nga kaldaja e gazit e instaluar së fundmi në banesën ku jetonin.

    Dhjetëra donatorë kanë kontribuar me shuma që variojnë nga 50 deri në 500 euro.

    Hetimet

    Prokuroria e Luccas ka hapur një hetim për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar përgjegjësitë e mundshme.

    Kaldaja rezulton të ketë qenë e re dhe dyshohet se ishte instaluar nga vetë pronari i banesës.

    Pritet rezultati i analizave toksikologjike për katër viktimat, i cili pritet të jetë vendimtar për vijimin e hetimeve.

    Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupat do të kthehen në Shqipëri, për t’u përcjellë në banesën e fundit, duke i dhënë fund në mënyrën më të dhimbshme historisë së një familjeje që kishte ndërtuar jetën e saj në Itali me punë dhe sakrifica.

  • Gjashtë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

    Gjashtë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

    Gjashtë raste të dhunës në familje janë shënuar në 24 orët e fundit.

    Sipas raportit të Policisë të Kosovës rastet janë regjistruar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Dragash, Vushtrri, Mitrovicë e Leposaviq.

    Gjashtë burra janë arrestuar në cilësinë e të dyshuarve.

    Rastet në komunat e ndodhura:

    Fushë Kosovë: Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se ka sulmuar viktimën femër kosovare. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Prishtinë: Raportohet se pas një mosmarrëveshje dy të dyshuar meshkuj kosovarë kanë sulmuar njëri tjetrin. Të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje. Rasti në procedure hetimore.

    Dragash: Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se ka sulmuar viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Vushtrri: Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, dyshohet se kishte kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti vazhdon te trajtohet ne procedure te rregullt.

    Mitrovicë Jugu: Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka kanosur dy viktimat kosovarë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore.

    Leposaviq: Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim te prokurorit dërgohet në mbajtje.

    Ndërkohë, në raportin 24-orësh të policisë u raportua edhe një rast tjetër i dhunës në familje, i cili kishte ndodhur të premten e 6 shkurtit.

    Një burrë është arrestuar në Skenderaj pasi kishte ushtruar dhunë ndaj një gruaje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”.

  • Drama e NFL! DeMarcus Lawrence i Seahawks tregon PLANIN E ÇMENDUR në rast se gruaja shtatzënë Sasha, lindte gjatë Super Bowl 2026!

    Drama e NFL! DeMarcus Lawrence i Seahawks tregon PLANIN E ÇMENDUR në rast se gruaja shtatzënë Sasha, lindte gjatë Super Bowl 2026!

    Dita e Super Bowl-it nuk ishte vetëm për lavdinë e futbollit, ajo gati u kthye në një krizë lindjeje!

    Ylli mbrojtës i Seattle Seahawks, DeMarcus Lawrence, hyri në “Super Bowl LX” me më shumë mendime sesa vetëm të fitonte një unazë … gruaja e tij shtatzënë Sasha ishte 37 javëshe dhe mund të lindte në çdo moment!

    Me Sasha-n kaq pranë datës së lindjes dhe në stadiumin Levi’s, çifti nuk i la asgjë rastësisë. Ata madje shkarkuan doktorin e Sashës në Kaliforni, gati për të menaxhuar një lindje nëse do të ndodhte, madje edhe gjatë lojës më të madhe të karrierës së Lawrence!

    Dhe keni parasysh këtë, DeMarcus dhe shokët e tij të skuadrës bënin shaka se çfarë do të ndodhte nëse Sasha lindte gjatë lojës, me shokët që e tallnin duke thënë: “Mund të kesh një tjetër fëmijë… por ky Super Bowl nuk vjen përsëri!”

    Në fakt, plani ishte aq serioz sa DeMarcus ra dakord që nuk do të njoftohej fare nëse Sasha do të lindte, ishte zgjedhja e saj, që ai të mund të qëndronte i fokusuar në fushë pa shpërqendrime.

    Gjatë transmetimit, gazetari Kaylee Hartung ndau këtë detaj të çmendur pas skenave: “Nëse Sasha do të lindte… DeMarcus nuk do të njoftohej deri pas lojës!”

    Ky është përkushtim ndaj lojës por si do ndiheshit ju në vend të Sasha-s?!

    Lawrence, që po luante në Super Bowl-in e tij të parë pas vitesh në NFL, ka folur hapur se sa shumë e mbështet gruaja e tij dhe ky plan ekstrem tregon se sa shumë i besojnë njëri-tjetrit në momentin më të madh të jetës së tij.

    Por fansat patën fjalën e fundit në rrjetet sociale pas performancës së madhe të Seahawks, duke bërë shaka se Lawrence ende kontrollonte nëse Sasha ishte gati të lindte një fëmijë para se të festonte fitoren!

    Qoftë panik prindëror apo fokus në futboll, kjo histori e Super Bowl kishte gjithçka, unaza, familje, dasëm, dramë dhe pothuajse një fëmijë në mes!

  • “Super Bowl” shpërthen! Protestë kundër ICE në rrugët pranë stadiumit, kaos, thirrje dhe tension!

    “Super Bowl” shpërthen! Protestë kundër ICE në rrugët pranë stadiumit, kaos, thirrje dhe tension!

    Ajo që duhej të ishte dita më e madhe e futbollit amerikan u kthye në një vatër tensioni politik jashtë stadiumit, teksa qindra protestues dolën në rrugë kundër ICE, pikërisht gjatë festimeve të Super Bowl-it!

    Vetëm disa orë para nisjes së ndeshjes, aktivistët kishin filluar të shpërndanin mijëra peshqirë me mesazhin “ICE OUT” pranë stadiumit, si pjesë e një fushate për të kundërshtuar politikat e emigracionit dhe veprimet e Agjencisë Amerikane të Emigracionit (ICE).

    Por situata nuk mbeti vetëm te mesazhet simbolike. Qindra persona marshuan në rrugët kryesore, vetëm pak kilometra larg stadiumit, duke valëvitur pankarta dhe duke brohoritur slogane si: “Jo ICE, jo KKK, jo SHBA raciste!”

    Policia ishte e pranishme, përfshirë njësi mbi kuaj, ndërsa protestuesit deklaruan se ishin aty për të treguar se ICE “nuk është i mirëpritur” gjatë një eventi që shihet si simbol i bashkimit kombëtar.

    Zyrtarët federalë dhe përfaqësues të NFL kishin theksuar se nuk kishte operacione të planifikuara të ICE gjatë Super Bowl-it, por kjo nuk i ndaloi protestuesit të ngrinin zërin.

    Ndërsa brenda stadiumit fansat shijonin spektaklin dhe performancat e gjysmës së lojës, jashtë po zhvillohej një betejë tjetër, ajo mes sportit dhe politikës.

    Pra këtë vit, në “Super Bowl”, nuk u luajt vetëm futboll…