ATV

Blog

  • Rasti i dhunës në shkollën “Pavarësia”, mësimdhënësi lirohet nga arresti

    Rasti i dhunës në shkollën “Pavarësia”, mësimdhënësi lirohet nga arresti

    Mësimdhënësi që është përfshirë në një rast të dhunës në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë është liruar.

    Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.

    Ai tha se kanë propozuar masë alternative ndaj mësimdhënësit. Bëhet fjalë për lajmërim në stacion policor.

    Gashi shtoi se nuk kanë hapur procedura për nxënësin që shihet në video sa u përket veprimeve të tij para ngjarjes.

    Ai tha se janë duke i analizuar të gjitha pamjet.

  • Rama reagon pas protestës së opozitës: “E vetmja parti demokratike që ushtron dhunë”

    Rama reagon pas protestës së opozitës: “E vetmja parti demokratike që ushtron dhunë”

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në platformën “X” pas protestës së djeshme të opozitës, duke kritikuar Partinë Demokratike për dhunën e ushtruar.

    Sipas Ramës, PD-ja është “e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabhe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur”.

    Ai theksoi se “këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe djegur e plagosur punonjësit e policisë” dhe shprehu shpresën që drejtësia të ndëshkojë përgjegjësit pa ngurrim.

    Rama shtoi se fatin politik të këtij cikli protestash do ta vendosin zgjedhjet e ardhshme, duke paralajmëruar një disfatë më të madhe për opozitën, ndërsa qeveria do të vazhdojë “rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”.

  • Osmani shpreh ngushëllime për viktimat e atentatit në Kanada

    Osmani shpreh ngushëllime për viktimat e atentatit në Kanada

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për familjet që humbën më të dashurit e tyre, pas të shtënave në Kanada.

    Mëngjesin e sotëm u raportua se, si pasojë e të shtënave me armë në një shkollë dhe një shtëpi, nëntë persona humbën jetën dhe dhjetëra u plagosën, shkruan IndeksOnline.

    Osmani u shpreh se asnjë prind, asnjë fëmijë, asnjë komunitet nuk duhet të përjetojë kurrë një tragjedi të tillë.

    “Sot, zemrat tona kthehen nga Tumbler Ridge, Kanada.

    Asnjë prind, asnjë fëmijë, asnjë komunitet nuk duhet të përjetojë kurrë një tragjedi të tillë. Ne vajtojmë me popullin e Kanadasë dhe shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve që përballen me këtë humbje të paimagjinueshme. Gjithashtu, mendojmë për ata që u plagosën.

    Kosova qëndron fort me Kanadanë në këtë kohë pikëllimi”, shkroi presidentja, në X.

  • Sulm rus në perëndim të Kharkivit: Vriten tre fëmijë të vegjël dhe një 34-vjeçar

    Sulm rus në perëndim të Kharkivit: Vriten tre fëmijë të vegjël dhe një 34-vjeçar

    Një sulm rus ka vrarë të paktën katër persona, përfshirë tre fëmijë të vegjël, në një qytet në perëndim të Kharkivit, tha një zyrtar ukrainas.

    Oleg Synegubov, kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Kharkivit, tha se dy djem, të dy 1 vjeç, një vajzë dyvjeçare dhe një burrë 34-vjeçar vdiqën pasi një dron goditi një shtëpi ku po qëndronin.

    Një grua shtatzënë 35-vjeçare dhe një grua tjetër, 76 vjeç, u plagosën në sulmin ndaj Bohodukhiv, tha Synegubov. Sulmi i së martës në mbrëmje në Bohodukhiv vjen ndërsa Moska rinovon sulmet pas një pauze njëjavore.

    Forcat ruse hodhën gjithashtu shtatë bomba në qytetin e Slovyanskut rreth orës 12:00 të së martës, tha guvernatori rajonal i Donetskut Vadym Filashkin në Telegram. Dy persona, përfshirë një vajzë 11-vjeçare, u vranë.

    Të hënën, sulmet me dronë gjatë natës në të gjithë vendin ndërprenë energjinë elektrike dhjetëra mijëra njerëzve dhe vranë të paktën katër persona, përfshirë një nënë dhe djalin e saj 10-vjeçar në Bohodukhiv, thanë zyrtarët ukrainas, sipas Reuters.

    Autoritetet lokale kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të situatës energjetike në rajonin e Kharkiv.

    Kjo vjen pasi një i ashtuquajtur “armëpushim energjetik”, i cili kishte për qëllim t’i lejonte sektorit të energjisë së Ukrainës një pushim gjatë temperaturave -20 gradë Celsius, skadoi javën e kaluar.

    Zelensky ka thënë se SHBA-të duan që lufta me Rusinë të përfundojë deri në qershor dhe se të dyja palët janë ftuar në SHBA për bisedime javën e ardhshme.

    Ndërkohë, një sulm masiv nga dronë ukrainasë në Volzhsky, në rajonin e Volgogradit në Rusi, u raportua të mërkurën në mbrëmje.

  • Kanella një aleate e fuqishme për djegien e dhjamit dhe shëndetin metabolik

    Kanella një aleate e fuqishme për djegien e dhjamit dhe shëndetin metabolik

    Thuajse të gjithë dëshirojnë të shkrijnë yndyrën e padëshiruar, dhe ushqimi që konsumojmë luan rol kyç në këtë proces. Një nga aleatët më të thjeshtë dhe të efektshëm është kanella, erëza që mund ta gjeni gjithmonë në kuzhinën tuaj dhe të përdoret në shumë mënyra: të përzier me kos, mjaltë, bollgur apo edhe në kafe.

    Studime të publikuara në revistën Clinical Nutrition tregojnë se konsumimi i kanellës ndikon ndjeshëm në reduktimin e peshës dhe masës dhjamore. Në një studim me 786 persona, administrimi i kanellës për 12 javë ulte ndjeshëm peshën trupore, indeksin e masës trupore, perimetrin e belit dhe masën dhjamore.

    Shkencëtarët në Universitetin e Michiganit zbuluan se kanamaldehidi, një komponent aromatik i kanellës, përmirëson metabolizmin duke aktivizuar qelizat dhjamore për të djegur energjinë përmes termogjenezës. Ky proces ndihmon trupin të djegë dhjamin më shpejt dhe të rrisë metabolizmin.

    Përveç efektit mbi yndyrën, kanella vepron si prebiotik duke mbështetur rritjen e baktereve të mira në zorrë. Ajo ndihmon gjithashtu në kontrollin e sheqerit në gjak dhe ngadalëson përparimin e prediabetit drejt diabetit të tipit 2.

    Për këtë arsye, kanella mund të shihet si një “armë e fshehtë” për shëndetin: ndihmon djegien e dhjamit, përmirëson metabolizmin dhe mbështet shëndetin afatgjatë. Përdoreni rregullisht në ushqime dhe pije për përfitime maksimale.

  • Nga medaljet e arta në “të lara” në ar! – Pse medaljet olimpike tani kanë vetëm 1% ar?!

    Nga medaljet e arta në “të lara” në ar! – Pse medaljet olimpike tani kanë vetëm 1% ar?!

    Simboli më i madh i lavdisë sportive mund të mos jetë aq “i artë” sa duket. Në vitin 1908, kur kampionët ngjiteshin në podium dhe bota i shikonte me admirim, medaljet e arta olimpike ishin pothuajse prej ari të pastër. Po, ari i vërtetë. I rëndë. Si thesari i piratëve. Ai lloj ari që vetëm ta mbash në dorë të jep ndjesinë e pasurisë.

    Sot, në vitin 2024, realiteti është krejt ndryshe. Medaljet “e arta” përmbajnë vetëm rreth 1% ar të vërtetë. Pjesa tjetër? Kryesisht argjend, i veshur me një shtresë të hollë ari. Pra, çmimi më i lakmuar në sport është praktikisht i larë me ar.

    Çfarë ndodhi? A u zhduk thesari olimpik? Jo krejtsishtë. Çmimi i arit është rritur ndjeshëm gjatë dekadave, medaljet janë bërë më të mëdha dhe Lojërat Olimpike janë kthyer në një mega-event global që kushton miliarda. Nëse medaljet e sotme do të ishin 100% ar, me madhësinë aktuale dhe çmimet e sotme të tregut, organizatorët do të shpërndanin pothuajse makina luksoze në vend të medaljeve.

    Por para se ta quajmë “skandal”, lind pyetja thelbësore se a garojnë atletët për metalin… apo për pavdekësinë? Sepse nëse në vitin 1908 kampionët merrnin më shumë ar në medalje, sot kampionët marrin diçka edhe më të madhe si famë globale, kontrata sponsorizimi, miliona ndjekës në rrjetet sociale dhe një vend të përjetshëm në histori. Atëherë kishe më shumë ar, por më pak jehonë. Sot ke më pak ar, por një dritë projektori që nuk fiket.

    Pra po, përbërja ka ndryshuar. Nga pothuajse ar i pastër në fillim të shekullit, sot kemi kryesisht argjend me një shtresë ari. Por vlera? Ajo mund të jetë më e madhe se kurrë. Sepse në vitin 2024, medalja mund të ketë vetëm 1% ar… por lavdia, ekspozimi dhe trashëgimia mbeten 100% të çmuara.

    Por e vërteta mbetet që nga 100% ar i çmuar, tani është vetem 1% ar e pjesa tjetër bakër e argjent, pra në filmat e vjedhjeve të mëdha, të mirmenduara e fitomprurëse, më nuk mund të jenë medaljet e sportistëve…

  • Zbulohet kimia e jetës në univers: Molekula organike në një galaktikë të largët

    Zbulohet kimia e jetës në univers: Molekula organike në një galaktikë të largët

    Shkencëtarët kanë gjetur molekula organike në një galaktikë të afërt, në një prej mjediseve më ekstreme të universit. Zbulimi, i publikuar në revistën Nature Astronomy, është realizuar falë vrojtimeve të teleskopit James Webb, i cili arriti të penetrojë deri në bërthamë falë instrumenteve me rreze infra të kuqe.

    Molekulat organike të gjetura, me bazë karboni, konsiderohen si hapi i parë drejt formimit të përbërjeve që janë baza e jetës ashtu siç e njohim ne.

    Sipas kërkuesve, kompleksiteti kimik i zbuluar është shumë më i lartë se sa parashikonin modelet teorike aktuale. Rrezet kozmike luajnë një rol kyç, pasi fragmentojnë grimcat e pluhurit të pasura me karbon, duke prodhuar molekula të vogla organike që mund të jenë ndërlidhja e parë drejt kimisë së jetës.

  • Getinjo ndan foto krah një vajzë misterioze

    Getinjo ndan foto krah një vajzë misterioze

    Getinjo sapo ‘theu’ qetësinë e tij sa i përket jetës private!

    Reperi ka publikuar një foto mjaft të afërt me një vajzë misterioze, duke na lënë të kuptojmë se nuk është më vetëm.

    Pas një kohe të gjatë ku fokusi i tij ishte vetëm muzika, ky postim me “zemra” në pasqyrë duket si një konfirmim i pastër se dikush e ka bërë për vete artistin.

    Edhe pse identiteti i vajzës mbetet ende një enigmë (pasi Getinjo po e mban mirë sekretin), fansat kanë nisur menjëherë aludimet. Kush mund të jetë bukuroshja që i ka rrëmbyer zemrën?

  • Merr leje nga burgu, 35-vjeçari vret nënën, vajzën e tij dhe ish-gruan, më pas i jep fund jetës

    Merr leje nga burgu, 35-vjeçari vret nënën, vajzën e tij dhe ish-gruan, më pas i jep fund jetës

    Turqia është tronditur nga krimi i rëndë. Mediat raportojnë që një 35-vjeçar i dënuar i quajtur Recep Cengiz mori leje nga burgu dhe vrau nënën e tij, vajzën e tij 8-vjeçare, ish gruan dhe më pas kreu vetëvrasje.

    Cengiz kishte marrë një leje 11-ditore nga burgu ku po vuante një dënim katërvjeçar për mashtrim dhe kërcënime me armë.

    Krimi ndodhi në lagjen Kuşkagız në Ankara ku 35-vjeçari fillimisht debatoi me nënën e tij 57-vjeçare, Aziz, përpara se ta vriste atë dhe vajzën e tij 8-vjeçare, Azra.

    Më pas ai i futi trupat e tyre në bagazhin e makinës së tij dhe shkoi në shtëpinë e ish-gruas së tij, Ukan. Atje, sipas mediave turke, ai u maskua si shpërndarës dhe e vrau atë në hyrje të ndërtesës përpara se të qëllonte veten dhe t’i jepte fund jetës së tij.

  • Konkurs i pazakontë në Kroaci: Lëre duhanin dhe fito 400 euro

    Konkurs i pazakontë në Kroaci: Lëre duhanin dhe fito 400 euro

    Për t’i inkurajuar ata që të përqafojnë një stil jetese të shëndetshëm dhe të lënë duhanin, Instituti i Shëndetit Publik i Qarkut Pozhega-Slavonia në Kroaci, i ftoi duhanpirësit të aplikonin për konkursin “Lëreni Duhanin, Fitoni Para!”, në të cilin fituesi do të fitojë një kupon dhurate me vlerë 400 euro.

    Aplikimet janë të hapura nga e hëna, 9 shkurt deri më 18 shkurt, dhe përveç çmimit kryesor, do të jepen edhe nëntë çmime të tjera në formën e kuponave dhuratë me vlerë nga njëqind euro secili.

    Të gjithë duhanpirësit e rritur që banojnë në qark, të cilët janë të gatshëm të përpiqen të lënë duhanin dhe të abstenojnë për 30 ditë, duke filluar me ditën e parë më 18 shkurt dhe duke përfunduar me 19 mars të këtij viti, mund të aplikojnë.

    Kushti për pjesëmarrje në konkurs është që kandidati të jetë duhanpirës i përditshëm dhe/ose konsumator i produkteve të duhanit dhe/ose nikotinës, me “përvojë” prej të paktën një viti.

    Fituesit e konkursit do të përcaktohen duke hedhur short midis të gjithë kandidatëve të regjistruar që plotësojnë kërkesat dhe do të heqin dorë nga duhani dhe nikotina për një periudhë prej një muaji.

    Shorti publik dhe ndarja e të gjitha çmimeve është planifikuar për 19 mars.

    Pothuajse 38 përqind e të rriturve në Kroaci pinë duhan dhe 44 përqind e studentëve kanë konsumuar cigare elektronike, duke e bërë Kroacinë ndër vendet me konsumin më të lartë të duhanit në BE.

    Përqindja e duhanpirësve në grupmoshën 25 deri në 34 vjeç tejkalon 40 përqind, njoftojnë mediat në Kroaci.