ATV

Blog

  • Prattipati uron 18-vjetorin e Pavarësisë: Partneriteti SHBA-Kosovë i fortë dhe i qëndrueshëm

    Prattipati uron 18-vjetorin e Pavarësisë: Partneriteti SHBA-Kosovë i fortë dhe i qëndrueshëm

    E ngarkuara me punë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati ka uruar Kosovën me rastin e Ditës së Pavarësisë.

    “Këtë vit, ndërsa Kosova shënon 18-vjetorin e pavarësisë dhe Shtetet e Bashkuara festojnë 250-vjetorin e tyre, ne qëndrojmë së bashku teksa Kosova vazhdon të ndërtojë një të ardhme të sigurt dhe të begatë”, tha ajo përmes një mesazhi të publikuar në Instagram.

    Sipas saj, partneriteti i SHBA-së me Kosovën filloi edhe para pavarësisë, në vitin 1996, kur Shtetet e Bashkuara hapën zyrën e tyre të parë në Prishtinë.

    “Që atëherë, ne kemi qëndruar pranë Kosovës, duke mbështetur rrugëtimin e saj demokratik, i cili hedh themelet për të ardhmen. Ne presim me padurim zgjerimin e bashkëpunimit tonë në tregti, investime dhe forcimin e lidhjeve të sigurisë, në dobi të të dy vendeve tona. Ne mirëpresim përkushtimin e Kosovës ndaj paqes ndërkombëtare dhe vazhdojmë të inkurajojmë një të ardhme shumetnike dhe demokratike për të gjithë qytetarët e saj”, tha ajo.

  • North West gati për biznes: Vajza e Kim Kardashian synon të bëhet CEO e kompanisë së saj të parë

    North West gati për biznes: Vajza e Kim Kardashian synon të bëhet CEO e kompanisë së saj të parë

    Në moshë shumë të re, North West, vajza e Kim Kardashian dhe Kanye West, duket se po hedh hapat e parë drejt botës së biznesit. Sipas dokumenteve të markës tregtare të regjistruara nga familja, North pritet të jetë në krye të një projekti të ri që mban emrin e saj, duke synuar të ndërtojë një brand personal në fushën e bukurisë, modës dhe produkteve të stilit të jetesës.

    Aplikimet për markë tregtare përfshijnë një gamë të gjerë produktesh, nga kujdesi për lëkurën dhe kozmetika, te veshje, lodra dhe aksesorë – një strategji që pasqyron modelin e suksesshëm të biznesit të ndërtuar nga nëna e saj me markën Skims. Edhe pse North është ende minorene, kompania do të menaxhohet ligjërisht nga prindërit e saj derisa ajo të arrijë moshën madhore, kur pritet të marrë zyrtarisht rolin drejtues.

    Kjo nuk është hera e parë që North shfaq ambicie kreative. Ajo ka qenë aktive në projekte artistike, përfshirë performanca publike dhe paraqitje në evente të mëdha mode, duke treguar se ka trashëguar jo vetëm famën, por edhe frymën sipërmarrëse të familjes së saj.

    Edhe pse ende nuk ka një datë zyrtare lançimi për kompaninë, mediat ndërkombëtare raportojnë se përgatitjet janë në fazë të avancuar. Nëse projekti realizohet, North West mund të bëhet një nga CEO-t më të rinj në industrinë e argëtimit dhe modës – një hap i madh për një emër që tashmë është pjesë e një prej familjeve më të njohura në botë.

  • Prokurori kërkon që Nika të shpallet fajtor për vrasjen e shtetases argjentinase

    Prokurori kërkon që Nika të shpallet fajtor për vrasjen e shtetases argjentinase

    Gjyqi ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase, partneres së tij, Maria Clara Urdangaray, po shkon drejt përfundimit.

    Në seancën e sotme, prokurori i çështjes, Armend Hamiti, paraqiti fjalën përfundimtare, duke kërkuar shpalljen fajtor të të pandehurit sipas aktakuzës.

    “Ngjarja e saj nuk është thjesht një dosje, por një histori dhune, kontrolli dhe tragjedie personale. Ne e dimë fatkeqësisht se drejtësia nuk mund ta rikthejë jetën e saj, por mund të tregojë se jeta e saj kishte vlerë dhe se dhuna nuk mund të tolerohet. Përgjegjësia, i nderuar trup gjykues, ka emër, Endrit Nika. Në bazë të të gjitha provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, në bazë të deklarimit të vetë të akuzuarit, në bazë të ekspertizave dhe duke vlerësuar me kujdes rrethanat rënduese dhe ato lehtësuese, nëse gjykata vlerëson se ekzistojnë të tilla, Prokuroria kërkon që i akuzuari Endrit Nika të shpallet fajtor sipas aktakuzës për shkaktimin e vdekjes së Maria Clara Urdangaray dhe ndaj tij të shqiptohet dënimi i paraparë me ligj”, tha ai.

  • Wuthering Heights shpallet “filmi i vitit” nga fansat pas premierës emocionale

    Wuthering Heights shpallet “filmi i vitit” nga fansat pas premierës emocionale

    Adaptimi i ri i romanit klasik të Wuthering Heights ka mbërritur në kinema dhe reagimet e para tregojnë se publiku është prekur thellë nga kjo rishpikje moderne. Filmi me regji të Emerald Fennell po cilësohet nga shumë adhurues si një nga prodhimet më të fuqishme të vitit, me disa që e quajnë pa hezitim “filmi i vitit”.

    Në rolet kryesore, Margot Robbie dhe Jacob Elordi sjellin Catherine Earnshaw dhe Heathcliff në një version më të errët, më sensual dhe emocionalisht intensiv. Kimia mes tyre është përmendur gjerësisht në rrjete sociale, ku shumë shikues kanë rrëfyer se janë përlotur gjatë skenave më dramatike të filmit.

    I vendosur në peizazhet e ashpra të Yorkshire-it, filmi ruan thelbin e dashurisë së pamundur dhe pasionit shkatërrues, por i shton një estetikë moderne dhe një qasje më të drejtpërdrejtë emocionale. Sipas reagimeve të para, pikërisht kjo përzierje mes klasikes dhe modernes e ka bërë adaptimin të dallohet.

    Regjisorja ka theksuar se nuk synonte një rikrijim strikt historik, por një interpretim të lirë që të rezonojë me publikun e sotëm. Dhe duket se kjo qasje ka funksionuar: përveç komenteve entuziaste, shumë shikues kanë pranuar se filmi i ka shtyrë ta rilexojnë romanin origjinal.

    Pavarësisht debateve që e shoqëruan para premierës, adaptimi i ri po fiton terren si një nga dramat romantike më të komentuara të momentit, duke dëshmuar se historia e Cathy-t dhe Heathcliff-it vazhdon të prekë zemrat edhe pas më shumë se një shekulli.

  • Prokuroria: Veseli ishte më aktiv në muajt e parë, jepte udhëzime nga larg

    Prokuroria: Veseli ishte më aktiv në muajt e parë, jepte udhëzime nga larg

    Prokuroria iu përgjigj menjëherë mbrojtjes së Veselit, duke argumentuar se dëshmitarët kanë provuar se ai jepte udhëzime nga largësia.

    “Ajo çfarë nuk kupton mbrojtja është se në muajt e parë Veseli ishte më aktiv, sepse nga dëshmitë që kemi marrë e kemi parë të gjithë se ai ka udhëzime gjatë kohës sa nuk ishte në Kosovë”, tha prokurori Metthew Holing.

  • Enzo Maresca pasardhës i mundshëm i Pep Guardiolës tek Man.City

    Enzo Maresca pasardhës i mundshëm i Pep Guardiolës tek Man.City

    Klubi anglez Manchester City ka gjetur pothuajse pasardhësin e Pep Guardiolës,në rast se ky i fundit largohet nga Etihad në fund të sezonit.

    Mediumi spanjoll Mundo Deportivo drejtuesit e “Citizens”kanë vënë në listën e tyre teknikun italian Enzo Maresca,i cili aktualisht është i papunë pas shkarkimit nga stoli i gjigantit londinez Chelsea.

    Përndryshe Maresca në anën tjetër ka qenë edhe kandidat për stolin e Tottenhamit,por që më pas kjo mundësi u hodh pshtë në ditën e fundit teksa në anën tjetër emërimi i italianit do të ishte pozitive për Cityn pasi Maresca e njeh filozofinë e klubit.

    Kujtojmë që Enzo Maresca më herët ka qenë asistent i Pep Guardiolës tek Man.City,si dhe ka qenë edhe trajner i të rinjve të klubit anglez.

  • Maqedonci nderon me mirënjohje pesë pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti ashkali

    Maqedonci nderon me mirënjohje pesë pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti ashkali

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në nderim të Ditës së Ashkalinjve ka ndarë mirënjohje për pesë pjesëtarë të këtij komuniteti që shërbejnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    “Me rastin e Ditës së Ashkalinjve, pata kënaqësinë dhe nderin të ndaj mirënjohje për pjesëtarët e dalluar të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga komuniteti ashkali, të cilët shërbejnë me përkushtim, profesionalizëm dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj atdheut. Kontributi i tyre është dëshmi e vlerave të barazisë, përfshirjes dhe bashkëjetesës, duke forcuar edhe më tej misionin dhe unitetin e FSK-së”, ka shkruar ai.

    Sipas tyre, kjo mirënjohje tregon respektin institucional që gëzojnë ushtarakët në FSK, dhe kontributin e ashkalinjve në ushtrinë e Kosovës.

  • Rama në Prishtinë: Nëse dënohen krerët e UÇK-së, atëherë të arrestohen edhe Clinton e Blair

    Rama në Prishtinë: Nëse dënohen krerët e UÇK-së, atëherë të arrestohen edhe Clinton e Blair

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po qëndron për vizitë në Prishtinë me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosova, e cilësoi si “lajm të zymtë” kërkesën e prokurorisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për dënimin me nga 45 vjet burg të katër ish-udhëheqësve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

    Komentet Rama i bëri gjatë promovimit të librit “Kur heshtja flet” nga Prof. Dr. Ahmet Shala, akademik dhe ish-ambasador i Kosovës.

    “Lajmi i zymtë nga tribunali në Hagë mbi kërkesën absurde të prokurorëve për të dënuar me nga 45 vjet katër udhëheqësit e UÇK-së. E pata të vështirë të shkruaja një fjalë, sepse përballë një situate të tillë fjalët nuk janë aspak të lehta për t’u gjetur”, tha Rama.

    Ai bëri krahasime me të dënuarit për krime lufte nga drejtësia ndërkombëtare, duke përmendur figura si Radovan Karagjiq dhe Ratko Mladiq, Stanislav Galiq, Milan Lukiq të dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.

    “Sot të dënuar nga ajo gjykatë janë Radovan Karagjiq që u dënua me burg të përjetshëm për një epokë të tërë terrori dhe spastrimi, Ratko Mlladiq po ashtu me burg të përjetshëm si fytyra e makinerisë së shfarosjes… Tani sipas kërkesës së prokurorisë së tribunalit në Hagë, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe katër të tjerë, në anën tjetër të barrikadës”, u shpreh ai.

    Rama theksoi se, sipas tij, aktiviteti i krerëve të UÇK-së nuk ka asnjë lidhje me terror ndaj popullsisë civile apo me spastrime etnike.

    “Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre e as i UÇK-së me terrorin mbi popullsinë civile, spastrimin etnik, varret masive të njerëzve të pafajshëm apo me përdhunime e vrasje. Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por kundër një politike shfarosjeje”, deklaroi Rama.

    Ai shtoi se, nëse kërkesa e prokurorisë do të konsiderohej e drejtë, atëherë përgjegjësia do të duhej të shtrihej edhe më gjerë, duke përmendur udhëheqësit perëndimorë që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

    “Në qoftë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi duhet të varrosen për së gjalli për luftën dhe për çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, atëherë duhet të vazhdojnë arrestimet, të arrestohet Bill Clinton, Javier Solana, Tony Blair dhe kryeministrat e tjerë të vendeve që i dhanë dritën jeshile bombardimeve të NATO-s”, deklaroi Rama.

    Ai shtoi se vetë udhëheqësit e akuzuar kishin votuar në Kuvendin e Kosovës krijimin e kësaj gjykate.

    “Faktikisht ata vetë me dorën e tyre e votuan në parlamentin e Kosovës një gjykatë e cila në letër është një gjykatë e Kosovës, nuk është një gjykatë për të vendosur në bankën e të akuzuarve Kosovën”, tha ai.

    Rama përmendi edhe raportin e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, duke e quajtur atë “raporti famkeq” dhe duke pretenduar se procesi aktual është vazhdimësi e një plani të hershëm politik.

    “Sot jemi në kushtet kur ka marrë formë thuajse përfundimtare një plan shumë afatgjatë, jetësimi i të cilit ka nisur me raportin famkeq të Dick Martyt, që mos gjetë kurr prehje aty ku është, u shpreh ai.

    Kryeministri shqiptar ngriti pikëpyetje edhe për rolin e drejtësisë ndërkombëtare dhe mbështetjen e saj nga shtetet demokratike.

    “Drejtësia ndërkombëtare e financuar nga shtetet demokratike, që për turpin e tyre vazhdojnë të ndjekin këtë katastrofë për Evropën dhe botën demokratike, bën që ne sot të ngremë një pikëpyetje për veten tonë se çfarë mund dhe duhet të bëjmë. Nuk e kam përgjigjen, por jam i sigurt që duhet të bëjmë diçka më shumë për këtë, sepse është një katastrofë për vetë drejtësinë ndërkombëtare, Evropën dhe Perëndimin demokratik”, deklaroi Rama.

  • Armand Duka rizgjidhet edhe për një mandat në krye të FSHF-së

    Armand Duka rizgjidhet edhe për një mandat në krye të FSHF-së

    Armand Duka është rizgjedhur për herë të 7-të me rradhë si president i Federatës Shqiptare të Futbollit.

    Duka ishte kandidat i vetëm për postin e presidentit,ku në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së mori 48 vota pa asnjë votë kundër apo abstenim.

    Përndryshe Duka pas rizgjedhjes së tij si president i FSHF-së u zotua se do të bëjë çmos që futbolli shqiprar të zhvillohet edhe më tshumë,dhe se investimet do të intensikohen në vitet e ardhshme.

    Kujtojmë që Armand Duka është president i Federatës Shqiptare të Futbollit që nga viti 2002.

  • Kaplohet nga zjarri bodrumi i objektit të ish-Rilindjes

    Kaplohet nga zjarri bodrumi i objektit të ish-Rilindjes

    Një zjarr ka kapluar podrumin e ish-objektit të Rilindjes, derisa në vendin e ngjarjes janë edhe zjarrfikësit.

    Në një prononcim për Telegrafin, drejtori i Zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra, ka thënë se ekipet janë duke tentuar ta shuajnë zjarrin.

    “Jemi me ekipe të mobilizuara për ta fikur zjarrin. Bëhet fjalë për podrumin e ish-objektit të Rilindjes”, tha ai.

    “ Njëri nga podrumet ka marrë zjarr, kushtet e intervenimet janë shumë të vështira, pasi janë hapësira që nuk na lejojnë të afrohen”.

    “Ekipi i zjarrfikësve është duke intervenuar që ta shuaj zjarrin, pasi është shumë i hovshëm – por që fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, vetëm dëme materiale”

    “Shkaktarët e zjarrit ende nuk dihen, por që organet kompetente do të nisin hetimet se çfarë mund ta ketë shkaktuar”, përfundoi Shkodra.