ATV

Blog

  • Macet mund të ofrojnë çelësin për trajtimin e kancerit te njerëzit

    Macet mund të ofrojnë çelësin për trajtimin e kancerit te njerëzit

    Studimi i parë i detajuar gjenetik mbi kancerin te macet shtëpiake ka zbuluar ngjashmëri të forta me format e kancerit te njerëzit, duke hapur mundësi të reja për trajtime më efektive për të dyja speciet.

    Shkencëtarët analizuan ADN-në e tumoreve nga rreth 500 mace shtëpiake dhe identifikuan mutacione kyçe gjenetike të lidhura me zhvillimin e kancerit. Edhe pse kanceri është një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve dhe vdekjeve te macet, deri më tani dihej shumë pak rreth mënyrës se si zhvillohet kjo sëmundje tek ato.

    “Gjenetika e kancerit te macet ka qenë një territor pothuajse i panjohur deri tani. Sa më shumë të kuptojmë kancerin në çdo specie, aq më shumë përfitojmë të gjithë”, tha studiuesja kryesore, Dr Louise Van der Wayden.

    Ekipi ndërkombëtar, i udhëhequr nga Wellcome Sanger Institute, analizoi rreth 1 mijë gjene të lidhura me 13 lloje të kancerit te macet. Rezultatet treguan se shumë nga gjenet që nxisin kancerin te macet janë të njëjta me ato te njerëzit, duke sugjeruar se të dyja speciet ndajnë mekanizma biologjikë të ngjashëm që lejojnë rritjen dhe përhapjen e tumoreve.

    Sipas shkencëtarëve, macja shtëpiake mund të ndihmojë veçanërisht në kuptimin e disa formave të kancerit të gjirit, përfshirë kancerin e gjirit “triple negative”, një formë agresive që përbën rreth 15% të rasteve te njerëzit. Macet e zhvillojnë këtë nënlloj më shpesh, duke u ofruar studiuesve më shumë mostra dhe mundësi për të testuar trajtime të reja.

    Gati një e katërta e familjeve në Mbretërinë e Bashkuar kanë të paktën një mace, duke e bërë këtë kafshë po aq të përhapur sa qeni si shoqërues shtëpiak. Megjithatë, ndërsa studimet mbi kancerin te qentë janë të shumta, macet kanë mbetur kryesisht jashtë vëmendjes shkencore.

    Studiuesit theksojnë se si macet ashtu edhe qentë mund të ndihmojnë në identifikimin e faktorëve mjedisorë që ndikojnë në zhvillimin e kancerit, pasi ato jetojnë në të njëjtat ambiente si njerëzit dhe ekspozohen ndaj të njëjtave rreziqe.

    “Kjo na ndihmon të kuptojmë më mirë pse zhvillohet kanceri te macet dhe te njerëzit, si ndikon mjedisi përreth nesh në rrezikun e sëmundjes dhe, potencialisht, të gjejmë mënyra të reja për parandalim dhe trajtim”, tha Prof. Geoffrey Wood nga Ontario Veterinary College.

    Studimi është publikuar në revistën shkencore Science, duke u cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt një qasjeje më të gjerë ndër-specie në luftën kundër kancerit.

  • Murati: Asnjë prokurim s’mund të inicohet pa miratimin e buxhetit

    Murati: Asnjë prokurim s’mund të inicohet pa miratimin e buxhetit

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se projektbuxheti 2026, i cili po shqyrtohet sot në lexim të dytë, është buxhet i përkohshëm dhe emergjent.

    Murati theksoi se nevoja për buxhet është emergjente, meqë asnjë aktivitet i prokurimit nuk mund të iniciohet pa miratim të buxhetit.

    Ai tha se prioritetet e Qeverisë dhe komunave, mund të shtohen e reflektohen gjatë rishikimit.

    “Me zgjatjet që bëhen sipas ligjit në mungesë të buxhetit, ajo është zgjidhje emergjente e përkohshme sa i përket shpenzimeve rrjedhëse. Për sa ipërket projekteve dhe inicimit të projekteve tjera asnjë projekt nuk mund të inicohet prokurimi për të. Asnjë projekt nuk mund të inicohet prokurimi për shkak se nuk ka buxhet dhe nuk mund të bëhet zotimi i mjeteve për shkak se nuk është buxheti në fuqi”, tha Murati.

    Shtoi se kjo është arsyeja pse kanë dashur si Qeveri që procedojnë sa më shpejt buxhetin.

    “Po e miratojmë këtë buxhet, që të ketë një bazë mbiu të cilën edhe komunat e edhe organizatat tjera buxhetore të mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa problem, e më pas prioritetet e Qeverisë dhe të komunave, të kenë mundësi t’i shtojnë apo reflektojnë gjatë rishikimit.Kërkesa jonë ka qenë të mos ketë amandamente meqë është buxhet i përkohshëm”, shtoi Murati.

  • Tahiri kritikues ndaj qeverisë për mospranim të amendamenteve

    Tahiri kritikues ndaj qeverisë për mospranim të amendamenteve

    Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se nëse 14 amendamentet e këtij subjekti politik nuk pranohen, atëherë, sipas tij, prezantimi dhe shtytja për miratimin e buxhetit për vitin 2026 do ishte mashtrim optik.

    Ai pati edhe disa kritika ndaj Qeverisë Kurti 3.

    “Për buxhetin kemi folur në sesionin e kaluar, mirëpo qytetarëve të Kosovës dua të iu them dy porosi që i ka AAK-ja. E para: ashtu siç u ka thënë në leximin e parë për këtë buxhet, ky është buxhet që është përgatitur në tetor, dhe ky buxhet është provizor. Kështu është thënë nga kryeministri e ministri i Financave, dhe zotimi i Qeverisë është se pas dy muajve do të ndodh një rishikim i madh për këtë buxhet. Nga 86 amendamente gjithsej, AAK i ka 14. Ne do të presim cili do të jetë reagimi i qeverisë për këto amendamente, nëse edhe kësaj here nuk do të kalon në seancë asnjë amendament i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, atëherë leximet e buxhetit kanë qenë mashtrim optik”, tha Tahiri.

  • Kampi i Julian Alvarez mohon kontaktet me FC Barcelona

    Kampi i Julian Alvarez mohon kontaktet me FC Barcelona

    Sipas raportimit të Mundo Deportivo, rrethi i sulmuesit të Atletico Madrid, Julian Alvarez, ka hedhur poshtë zërat që e lidhin atë me një transferim te Barcelona, duke theksuar se nuk ekziston asnjë kontakt konkret apo negociatë mes palëve.

    Spekulimet për të ardhmen e argjentinasit janë intensifikuar javët e fundit, pasi Barcelona raportohet se e ka identifikuar atë si objektivin ideal për të udhëhequr repartin ofensiv në epokën pas Robert Lewandowski.

    Klubi katalanas po planifikon me kujdes tranzicionin në sulm, duke kërkuar një profil më të ri, dinamik dhe të dëshmuar në nivelin më të lartë evropian.

    Madje, disa media në Argjentinë pretenduan se 26-vjeçari kishte vendosur të largohej nga Atletico në fund të sezonit për t’iu bashkuar Barcelonës.

    Megjithatë, këto raportime janë mohuar nga kampi i lojtarit, i cili insiston se aktualisht prioriteti i tij është i fokusuar te projekti sportiv i Atleticos.

    Alvarez është nën kontratë deri në vitin 2030, çka e vendos klubin madrilen në një pozitë të fortë negociuese.

    Drejtuesit e Atleticos jo vetëm që nuk kanë ndërmend ta shesin sulmuesin këtë verë, por kanë planifikuar edhe bisedime për rinovim, me synimin për të blinduar një nga lojtarët kyç të skuadrës për vitet në vijim.

    Performancat e tij këtë sezon, 13 gola dhe gjashtë asistime, kanë konfirmuar rolin e rëndësishëm që ai ka në skemat e ekipit.

  • LDK ultimatum Qeverisë, nuk e votojnë buxhetin nëse nuk shtohen amendamentet e tyre

    LDK ultimatum Qeverisë, nuk e votojnë buxhetin nëse nuk shtohen amendamentet e tyre

    Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku – Sadriu, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se nuk e votojnë buxhetin, nëse nuk shtohen 21 amandamentet.

    Ajo kërkoi që amandamentet e propozuara të hidhen në votim, sepse përndryshe nuk e votojnë shqyrtimin e dytë.

    “Ne si grup parlamentar i kemi paraqitur 21 amandamente dhe nuk kanë kaluar përmes komisionit ëpr buxhet, andaj iu bëjmë thirrje t’i vëni amandamentet tona në votim, sepse besojmë që adresojnë probleme reale të qytetarëve. Përndryshe, buxhetin nuk e votojmë.” – tha Lushaku – Sadriu.

  • Donald Trump vendos portretin në selinë e Departamenti i Drejtësisë i SHBA

    Donald Trump vendos portretin në selinë e Departamenti i Drejtësisë i SHBA

    Një banderolë me një foto të Donald Trumpit dhe fjalët “Bëjeni Amerikën të Sigurt Përsëri” u var në selinë e Departamentit të Drejtësisë në Uashington.

    “Jemi krenarë në këtë Departament të Drejtësisë që festojmë 250 vjet të vendit tonë të madh dhe punën tonë historike për ta bërë Amerikën përsëri të sigurt sipas udhëzimeve të presidentit Trump”, tha një zëdhënës i Departamentit kur u pyet për banderolën.

    Departamenti i Drejtësisë, i cili tani është i zbukuruar me një portret të Trumpit, dikur hetoi presidentin, shkruan NBC News.

    Në vitin 2022, Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm, Merrick Garland, emëroi Jack Smith si këshilltar të posaçëm për të hetuar keqpërdorimin e dyshuar të dokumenteve të klasifikuara nga Trump dhe përpjekjet e tij për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020.

    Çështjet u pushuan në vitin 2024 pasi Trump fitoi zgjedhjet, me Smith që përmendi një politikë të gjatë të Departamentit të Drejtësisë për të mos ndjekur penalisht një president në detyrë. Trump ka mohuar çdo shkelje në këto raste.

    Që nga rikthimi i tij në detyrë, Departamenti i Drejtësisë ka ndjekur çështje kundër disa prej kundërshtarëve të dyshuar të Trumpit, përfshirë ish-drejtorin e FBI, James Comey, dhe Prokuroren e Përgjithshme të New Yorkut, Letitia James, pasi presidenti i kërkoi publikisht Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi të ngrinte akuza.

  • Asgjësohen afro 8 mijë produkte për fëmijë të llojeve “Aptamil” dhe “Nutricia Bebelac”

    Asgjësohen afro 8 mijë produkte për fëmijë të llojeve “Aptamil” dhe “Nutricia Bebelac”

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se, në bashkëpunim me kompaninë UNION shpk, janë asgjësuar 7 mijë e 998 produkte ushqimore për fëmijë, të markave “Aptamil” dhe “Nutricia Bebelac”, me një peshë totale prej 4.130kg e 80gr.

    Sasia e produkteve të asgjësuara është përcaktuar në bazë të datave të skadencës, në përputhje me njoftimet e marra nga Njësia e Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë.

    “AUV aktualisht është në proces të verifikimit dhe gjurmueshmërisë për të konstatuar nëse ndonjë sasi e këtyre produkteve ka mbetur ende në treg.Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Nagavci: VV mbështet buxhetin 2026 dhe amendamentet për Prishtinën e Shtimen

    Nagavci: VV mbështet buxhetin 2026 dhe amendamentet për Prishtinën e Shtimen

    Shefja e Grupit Parlamentar të LVV, Arbërie Nagavci, deklaroi në seancën plenare ku po shqyrtohet Projektligji për Buxhetin 2026 se subjekti që ajo përfaqëson e mbështet këtë projektligj në lexim të dytë, sipas propozimit të Qeverisë.

    Ajo tha se grupi parlamentar mbështet edhe amendamentet e dakorduara me Ministria e Financave, të cilat, sipas saj, adresojnë çështje që lidhen me buxhetin e Prishtinës dhe Shtimes.

    “Grupi parlamentar i LVV mbështet projektligjin për buxhetin 2026 për lexim të dytë sipas propozimit të Qeverisë. Mbështesim edhe amendamentet në dakordim me Ministrinë e Financave, të cilat adresojnë buxhetin e Komunës së Prishtinës dhe Shtimes”, tha Nagavci.

  • Trump mbi tensionet me Iranin: Bota ka 10 ditë kohë për të parë

    Trump mbi tensionet me Iranin: Bota ka 10 ditë kohë për të parë

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se bota do të zbulojë “gjatë 10 ditëve të ardhshme, ndoshta” nëse SHBA-të do të arrijnë një marrëveshje me Iranin apo do të ndërmarrin veprime ushtarake.

    Në takimin e parë të Bordit të tij të Paqes në Uashington, Trump tha: “Ne duhet të bëjmë një marrëveshje kuptimplotë, përndryshe ndodhin gjëra të këqija”.

    Ditët e fundit, SHBA-të kanë shtuar forcat ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërsa u raportua përparim në bisedimet midis negociatorëve amerikanë dhe iranianë në Zvicër.

    Qeveria iraniane i ka thënë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së se do t’i konsiderojë bazat amerikane në rajon si objektiva legjitime nëse përdoren në ndonjë agresion ushtarak kundër Iranit.

    Misioni i Teheranit në OKB tha në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, se retorika e Trumpit sinjalizonte një rrezik real të një sulmi, por tha se Irani nuk donte luftë.

    Bëhet e ditur se ligjvënësit demokratë dhe disa republikanë kanë shprehur kundërshtim ndaj çdo veprimi të mundshëm ushtarak në Iran pa miratimin e Kongresit.

    Në fjalën e tij, Trump vuri në dukje se të dërguarit specialë Steve Witkoff dhe Jared Kushner patën “disa takime shumë të mira” me Iranin.

    “Me kalimin e viteve, është vërtetuar se nuk është e lehtë të bësh një marrëveshje kuptimplotë me Iranin”, tha ai.

    “Përndryshe ndodhin gjëra të këqija”, shtoi presidenti amerikan.

  • PDK-ja nuk e mbështet buxhetin për vitin 2026, Tahiri: I tërheqim të gjitha amendamentet

    PDK-ja nuk e mbështet buxhetin për vitin 2026, Tahiri: I tërheqim të gjitha amendamentet

    Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta mbështesë buxhetin për vitin 2026.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka theksuar se buxheti, në formën aktuale, ka shumë mangësi. Ai ka shtuar se PDK-ja kishte dhënë vërejtjet e saj gjatë diskutimeve paraprake dhe kishte pritur ndryshime gjatë dy leximeve, por këto ndryshime nuk u reflektuan.

    “Ne i tërheqim të gjitha amendamentet dhe nuk e mbështesim këtë buxhet që nuk e reflekton as përbërjen e qeverisë, nuk është dokument profesional, ka shumë defekte për vitin 2026, por do të jetë i dëmshëm edhe për vitet e ardhshme”, tha Tahiri gjatë seancës.

    PDK-ja ka theksuar se qëndrimi i saj synon të mbrojë interesin e qytetarëve dhe të sigurojë që dokumentet financiare të Kuvendit të jenë të qarta, gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme.