ATV

Blog

  • Osmani: Prania e SHBA-së në kuadër të KFOR-it jetike për Kosovën

    Osmani: Prania e SHBA-së në kuadër të KFOR-it jetike për Kosovën

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur të hënën në takim lamtumirës komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR, kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisianës, si dhe pasuesin e tij, kolonelin Sam Sargeant.

    Gjatë takimit, siç bëhet e ditur në një njoftim, Osmani e falënderoi kolonelin Lloyd për shërbimin dhe përkushtimin e tij gjatë mandatit në Kosovë, duke vlerësuar lart kontributin në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon. Në shenjë mirënjohjeje, ajo i ndau atij një mirënjohje për angazhimin e çmuar.

    Më tej, e para e shtetit i uroi mirëseardhje kolonelit Sargeant, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.

    Osmani shprehu mirënjohjen e thellë, në emër të popullit të Kosovës, për vazhdimin e pranisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në vend si pjesë e misionit të KFOR-it, e cila është jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

    Në këtë kontekst, ajo theksoi se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e palëkundur në të gjitha etapat.

  • NATO përkujton përvjetorin e katërt të pushtimit rus të Ukrainës

    NATO përkujton përvjetorin e katërt të pushtimit rus të Ukrainës

    Në përvjetorin e katërt të luftës së plotë të Rusisë kundër Ukrainës, do të mbahet një ceremoni në selinë e NATO-s, me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të aleancës, Mark Rutte.

    “Të martën, më 24 shkurt 2026, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Mark Rutte, do të marrë pjesë në një ceremoni në selinë e NATO-s në Bruksel për të përkujtuar përvjetorin e katërt të pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës,” njoftoi NATO.

    Sekretari i Përgjithshëm do të mbajë gjithashtu një fjalim, i cili pritet të transmetohet drejtpërdrejt.

    Ndërkohë, siç është raportuar më herët, presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të vizitojnë Ukrainën për të shënuar të njëjtin përvjetor të pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, transmeton RTSH.

    Kjo vizitë vjen në një moment kur mbështetja evropiane për Ukrainën po konfirmohet, pavarësisht disa pengesave të brendshme në BE, si bllokimi i paketave të reja të sanksioneve kundër Rusisë nga Hungaria.

  • Oda Ekonomike Britanike kërkon funksionalizimin e sektorit minerar në Kosovë

    Oda Ekonomike Britanike kërkon funksionalizimin e sektorit minerar në Kosovë

    Oda Ekonomike Britanike në Kosovë ka ngritur shqetësime serioze lidhur me funksionimin e sektorit minerar dhe ka kërkuar masa urgjente për rikthimin e operacioneve normale të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

    Sipas odës, që nga viti 2020 KPMM ka përjetuar probleme të vazhdueshme operacionale, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në ngadalësimin e trajtimit të licencave minerare dhe kanë dëmtuar industrinë minerare si dhe besueshmërinë e investitorëve të huaj.

    Nga 316 aplikime të dorëzuara në periudhën e fundit, vetëm 60 licenca janë lëshuar nga bordi i fundit i KPMM-së, ndërkohë që koha e pritjes për vendime ka arritur deri në 50 muaj, ndonëse afati ligjor është maksimumi pesë muaj. Ky vonesë ka krijuar pengesa serioze për kompanitë minerare, duke ulur konkurrencën dhe interesin e investitorëve ndërkombëtarë për Kosovën.

    Për krahasim, në vitin 2020, KPMM menaxhonte 854 licenca dhe vetëm në periudhën janar–gusht 2020 u lëshuan 167 licenca. Të dhënat tregojnë se gjatë dy viteve të fundit janë lëshuar vetëm 60 licenca, dhe shumica e tyre kanë qenë për resurse jo-metalore, duke përjashtuar Trepçën.

    Probleme strukturore dhe institucionale

    Oda thekson se KPMM nuk ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi që nga viti 2020, duke treguar mungesë transparence dhe llogaridhënie. Gjithashtu, trajtimi jo i barabartë i kompanive private kundrejt atyre shtetërore, si Trepça dhe KEK, ka rritur shqetësimet për kredibilitetin e institucionit.

    Një tjetër problem është mungesa e licencimit për gurthyesit, e kombinuar me komplikimet që rrjedhin nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pronë Publike. Kjo ka detyruar Kosovën të importojë sasi të mëdha rëre dhe zhavorri nga shtetet fqinje, duke çuar edhe në rritjen e çmimeve për materiale ndërtimi si rërë, zhavorr dhe beton.

    Kosova dikur njihej për legjislacionin minerar më të avancuar në Evropë, i bazuar në praktikat më të mira të Australisë, duke përfshirë parimin “i pari që aplikon, i pari që shërbehet”. Megjithatë, moszbatimi i ligjit dhe vonesat e KPMM-së kanë dëmtuar kredibilitetin e institucionit dhe kanë ulur interesin e investitorëve të huaj.

    Kërkesat e Odës Ekonomike Britanike

    BCCK kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe masa për rikthimin e funksionalitetit të sektorit minerar:

    Trajtim i përshpejtuar i të gjitha aplikacioneve të mbetura;

    Zbatim i plotë i ligjit, duke siguruar që KPMM të përgjigjet brenda afateve ligjore prej tre muajsh, jo më shumë se pesë muaj;

    Hartim dhe miratim i një Strategjie të re Minerare, pasi strategjia e mëparshme ka skaduar në vitin 2025;

    Plotësim urgjent i Bordit të KPMM-së, për të rikthyer funksionalitetin dhe kapacitetin operacional të institucionit.

    Oda nënvizon se vetëm një KPMM funksional dhe i besueshëm mund të rikthejë investitorët ndërkombëtarë dhe të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm të sektorit minerar në Kosovë.

    Humbja e kredibilitetit dhe ndikimi mbi investitorët

    Kosova dikur njihej për legjislacionin minerar më të avancuar në Evropë, të bazuar në praktikat më të mira të Australisë, përfshirë parimin “i pari që aplikon, i pari që shërbehet”. Megjithatë, moszbatimi i ligjit dhe vonesat e KPMM-së kanë dëmtuar kredibilitetin e institucionit dhe kanë ulur interesin e investitorëve të huaj.

    Sipas odës, ky situatë rrezikon që vendi të mbetet pa investitorë ndërkombëtarë dhe pa zhvillim serioz në sektorin e hulumtimeve minerale, pavarësisht se Kosova mbetet një territor shumë atraktiv për eksplorime minerare.

    Vetëm një minoritet i projekteve të hulumtimeve përfundojnë si miniera operative, zakonisht pas 15 deri 30 vitesh, dhe investitorët serioz kërkojnë stabilitet juridik dhe institucional afatgjatë.

  • ​Sonte mësohen katër skuadrat që vazhdojnë rrugëtimin në Ligën e Kampionëve nga playoff-i

    ​Sonte mësohen katër skuadrat që vazhdojnë rrugëtimin në Ligën e Kampionëve nga playoff-i

    Gara më prestigjose evropiane në nivel klubesh në futboll, Liga e Kampionëve, do të sjellë sonte katër ndeshje spektakolare nga faza e playoff-it, ku edhe do ta dalin katër skuadrat që do të vazhdojnë tutje në fazën e eliminimit direkt të këtij kompeticioni.

    Neurazzurët e presin në shtëpi sonte ekipin që po bën “kërdi” në Ligën e Kampionëve. Bodo Glimt e deklasoi Interin në ndeshjën e parë me rezultat 3-1 të vlefshme për play off të këtij kompeticioni.

    Skuadra e Chivu-s synon të bëj remuntadën e famshme pasi që rezultati është diferencë prej dy golash.

    E sfidë tjetër interesante do të jetë ajo që në javën e kaluar mbeti 3-3, Club Brugge e Atletico Madrid e cila nis nga ora 18:45, ku edhe sonte pritet të jetë dramë e vërtetë mes skuadrës së Simeones dhe asaj të Lekos.

    Dy përballje të tjera janë Bayer Leverkusen dhe Olympiacos Pireaus e cila përfundoi 2-0 në favor të gjermanve dhe ajo mes Neëcastle e Qarabag e cila tashmë është pothuajse e përfunduar ngase “sorrat” e mposhtën me rezultat të thellë skuadrën nga Azerbaxhani, 6-1.

  • Arrestohet një person në Malishevë, dyshohet për manipulim të rezultateve të votave

    Arrestohet një person në Malishevë, dyshohet për manipulim të rezultateve të votave

    Një person është arrestuar në Malishevë nën dyshimin se ka falsifikuar rezultatet e votimit gjatë procesit zgjedhor.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari, mashkull kosovar, kishte ushtruar detyrën e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë.

    Ai dyshohet se gjatë këtij procesi ka manipuluar rezultatet.

    Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 08:30, ndërsa arrestimi i të dyshuarit është realizuar më 22 shkurt 2026. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të rastit, ai është dërguar në mbajtje.

    “Malishevë 23.01.2026-08:30. Në lidhje me rastin, më 22.02.2026, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili në procesin zgjedhor kishte qenë kryesues i komisionit për numërim të votave të kandidateve për deputet. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Arrestohet një person në Pejë, dyshohet se e dhunoi seksualisht bashkëshorten e tij

    Arrestohet një person në Pejë, dyshohet se e dhunoi seksualisht bashkëshorten e tij

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është arrestuar në Pejë për dhunë në familje. I njëjti dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.

    Siç bëhet e ditur në raportin 24 orësh, i dyshuari ka ushtruar dhunë dhe ka dhunuar seksualisht bashkëshorten e tij.

    Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar tri armë zjarri dhe 27 fishekë. I njëjti është dërguar në mbajtje.

    Raporti i policisë:

    DHUNË NË FAMILJE , ARMËMBAJTJE PA LEJE

    Pejë 22.02.2026 – 22:00. Me 23.02.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka ushtruar dhunë dhe ka dhunuar seksualisht viktimën femër- bashkëshorten e tij. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar tri armë zjarri dhe 27 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • “Një gabim i madh” – Kështu e cilëson Serwer krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës

    “Një gabim i madh” – Kështu e cilëson Serwer krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës

    Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, e ka cilësuar krijimin e Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë si një “gabim të madh”.

    Në një intervistë për A2 CNN, Serwer tha se mënyra se si po trajtohen ish-luftëtarët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës përbën padrejtësi dhe se gjykata ka tejkaluar mandatin e saj.

    “Unë e shikoj si kthimin e viktimës në dhunues dhe jam shumë i zhgënjyer me gjykatën. Mori një interpretim të gjerë të mandatit të vet. Kjo nuk më pëlqen aspak dhe po del si një gabim i madh që unë i kam nxitur politikanët në Kosovë që ta zbatojnë, por tashmë po del gabim i madh. E ka tejkaluar masën, e ka vënë gjykatën në një kanalizim që do të përfundojë në diskreditimin e gjyqit dhe jo të UÇK-së”, u shpreh ai.

    Serwer foli edhe për Bordin e Paqes, duke e cilësuar atë si një ide të gabuar.

    Sipas tij, autorizimi nga Këshilli i Sigurimit ka ndodhur pa një mandat të qartë dhe pjesëmarrja në këtë mekanizëm shihet me dyshim nga evropianët.

    “Bordi i Paqes nuk është diçka për të cilën jam entuziast. Mendoj se ishte gabim që u autorizua pa një mandat të qartë dhe kjo pjesëmarrje është e dyshimtë në sytë e evropianëve. Në thelb është një ide jo e mirë, por kjo nuk do të thotë se Kosova të mos marrë avantazh dhe të mos e rrisë profilin ndërkombëtar. Mendoj se Kosova dhe Shqipëria po e bëjnë këtë”, deklaroi Serwer.

  • “Kurti s’na do në tavolinë”, Gucati revoltohet për Këshillin Shtetëror: Injorancë…

    “Kurti s’na do në tavolinë”, Gucati revoltohet për Këshillin Shtetëror: Injorancë…

    Në emisionin “Ora Shtatë”, Gucati tha se si OVL UÇK janë të gatshëm për bisedime, por shtoi se Ministria e Mbrojtjes, njëkohësisht, siç tha edhe ai, Qeveria, nuk duan të ulen bashkë me veteranët në një tryezë.

    “Nuk po gjejmë gjuhë të përbashkët. Kjo është arsyeja pse nuk i shkojmë në këshill organizativ. Kush më shumë se ne nuk e do lirinë. Epopeja e UÇK-së është e të gjithë qytetarëve të Kosovës, andaj dhe kemi themeluar një këshill organizativ”, tha Gucati

    Ai shtoi se kryeministri Albin Kurti nuk i ka kthyer përgjigje atij.

    “Kur zoti i shtëpisë nuk do, çfarë të bëjmë ne?”, tha Gucati.

    Sa i përket ftesës së Ministrisë së Mbrojtjes karshi OVL UÇK-së, Gucati tha se ministri Ejup Maqedonci i ka injoruar në total.

  • Dhuna në Meksikë, çfarë do të thotë për Kupën e Botës 2026?

    Dhuna në Meksikë, çfarë do të thotë për Kupën e Botës 2026?

    Shpërthimi i dhunës nga karteli Jalisco New Generation Cartel (CJNG), pas vrasjes së liderit të tij Nemesio Oseguera Cervantes, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e ndeshjeve të Kupës së Botës 2026 në Meksikë.

    Përplasjet me ushtrinë, djegia e automjeteve dhe bllokimi i rrugëve në shtetin Jalisco ku ndodhet Guadalajara, një nga qytetet pritëse kanë alarmuar autoritetet dhe tifozët.

    Guadalajara do të presë katër ndeshje, ndërsa takime të tjera janë planifikuar në Mexico City dhe Monterrey. Ekspertët paralajmërojnë se një vakuum pushteti brenda kartelit mund të sjellë paqëndrueshmëri të re, megjithëse theksojnë se vetë grupet kriminale kanë interes ekonomik që turneu të zhvillohet pa incidente.

    Autoritetet amerikane kanë këshilluar qytetarët e tyre në Jalisco të qëndrojnë brenda, ndërsa Kanadaja ka anuluar disa fluturime drejt Puerto Vallarta.

    Megjithatë, analistët vlerësojnë se rreziku për turistët gjatë verës mbetet “i moderuar”, nëse operacionet ushtarake nuk përshkallëzohen. Vëmendja tashmë është zhvendosur tek FIFA dhe aftësia e bashkëorganizatorëve – Meksikës, SHBA-së dhe Kanadasë për të garantuar sigurinë e tifozëve.

    Me turneun që afrohet, imazhet e dhunës që qarkullojnë globalisht mund të ndikojnë perceptimin e udhëtimit drejt Meksikës, ndërsa organizatorët përballen me sfidën për të ruajtur stabilitetin dhe besimin ndërkombëtar.

  • Filharmonia e Kosovës për herë të parë me koncert në Vjenë

    Filharmonia e Kosovës për herë të parë me koncert në Vjenë

    Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës, do të paraqitet sonte me një koncert në Vjenë, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani.

    Ky koncert organizohet në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri dhe do të mbahet në ora 19:00, në Haus der Industrie – King’s Hall, në Vjenë.

    Në program do të interpretohen vepra nga Felix Mendelssohn, Drinor Zymberi dhe Valton Beqiri, me pjesëmarrjen e sopranove Arta Jashari dhe Zana Abazi – Ramadani.

    Ky është prezantimi i parë i Filharmonisë së Kosovës në kryeqytetin austriak dhe vjen në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.