ATV

Blog

  • Ja si do të duken kartëmonedhat e reja në Zvicër

    Ja si do të duken kartëmonedhat e reja në Zvicër

    Banka Kombëtare Zvicerane ka prezantuar sot serinë e saj më të fundit të kartëmonedhave zcerane të frangave.

    Në përzgjedhjen e kartëmonedhave është marrë parasysh edhe mendimi i publikut.

    Prandaj, u krye një sondazh i opinionit publik, i cili përbënte 50 për qind të vlerësimit. Sipas SNB-së, mbi 100,000 njerëz morën pjesë në këtë sondazh.

    Çdo kartëmonedhë përshkruan një lartësi të ndryshme mbidetare në Zvicër.
    Gjashtë kartëmonedhat u disenjuara nga Fabienne Kilchör dhe Sebastién Fasel në ngjyra pastel.

    Kartëmonedhat e reja zvicerane do të dalin në qarkullim nga viti 2031.

  • Orët vendimtare për zgjedhjen e presidentit, LVV-ja do të mblidhet në ora 13:00

    Orët vendimtare për zgjedhjen e presidentit, LVV-ja do të mblidhet në ora 13:00

    Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të mblidhet edhe njëherë tjetër sot për të diskutuar për çështjen e zgjedhjes së një kandidati për postin e presidentit.

    Ilir Kërçeli, deputet i LVV-së ka bërë të ditur se grupi parlamentar i kësaj partie do të mblidhet nga ora 13:00 për të diskutuar çështjen e presidentit.

    “Në ora 13:00 kemi mbledhje, kemi me diskutu për çështjen e presidentit”, ka thënë Kërçeli.

    Ndërkaq, në lidhje me emrat e propozuar deputeti i VV-së, Enver Haliti, ka bërë të ditur se nuk ka akoma asgjë konkrete.

    Ai nuk ka pranuar të përgjigjet as për përzgjedhjen e Glauk Konjufcës, emri i të cilit është lakuar në media ditëve të fundit.

  • Çfarë po ndodhë me gjurin e Mbappes? Ekspertët mjekësorë tregojnë a duhet të operohet

    Çfarë po ndodhë me gjurin e Mbappes? Ekspertët mjekësorë tregojnë a duhet të operohet

    Sipas The Athletic, dy ekspertë të respektuar mjekësorë kanë dhënë opinionet e tyre mbi lëndimin e gjurit të majtë të Kylian Mbappe dhe mundësinë e një ndërhyrjeje kirurgjikale.

    Juan Ayala, ish-president i Shoqatës Spanjolle të Traumatologjisë Sportive dhe kreu i njësisë së gjurit në Spitalin San Rafael në Madrid, tha se kirurgjia nuk është e nevojshme në shumicën e rasteve.

    “Në shumicën e rasteve, kirurgjia nuk është e nevojshme. Nëse është një dëmtim i gradës së parë (më pak i rëndë), që është një tërheqje ligamentore, ose një dëmtim i gradës së dytë, që është një këputje e pjesshme, kirurgjia zakonisht nuk kryhet. Përdoret trajtimi konservativ”.

    “Një pushim minimal prej tre javësh kërkohet për një tërheqje të gradës së parë dhe gjashtë javë për gradën e dytë. Megjithatë, nëse lojtari ka vazhduar të luajë, këto dëmtime kanë tendencë të bëhen kronike dhe të përkeqësojnë parashikimin”.

    “Nëse nuk shërohet si duhet, mund të mbetet e paqëndrueshme dhe të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale”.

    Diego Garcia-German, kirurg ortoped dhe mjek i ekipit të Spanjës për Lojërat Olimpike Dimërore, ndau një pikëpamje të ngjashme.

    “Nëse Mbappe ka vazhduar të luajë, ka shumë gjasa që të ketë një dëmtim të gradës së ulët. Mund të ndodhë që dëmtimi të mos ketë shëruar si duhet ose të mos po përgjigjet ndaj trajtimit konservativ”.

    “Nëse nuk shërohet vetvetiu, kirurgjia gjithmonë mund të jetë një opsion. Por kirurgjia nuk është e zakonshme për dëmtime të gradës së ulët”.

    “Ky dëmtim ka të ngjarë të jetë një dëmtim i gradës së ulët që po i shkakton më shumë probleme se zakonisht. Nga jashtë, përshtypja ime është se shkalla e dëmtimit nuk e ka penguar të vazhdojë të luajë, dhe tani ndoshta ka pak dhimbje”.

    “Nëse mendojmë se duhet të shërohet vetvetiu, sepse po trajtohet konservativisht, duhet t’i japim kohë që të zgjidhet”, përfundoi ai.

  • Rrahmani: Kurti po synon eleminimin politik të Vjosa Osmanit – ose zgjedhje, ose rrëshqasim në diktaturë

    Rrahmani: Kurti po synon eleminimin politik të Vjosa Osmanit – ose zgjedhje, ose rrëshqasim në diktaturë

    Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka reaguar lidhur me situatën aktuale për presidentin.

    Rrahmani ka thënë se VV-ja dhe Kurti po synojnë eleminimin politik të Vjosa Osmanit.

    Ai deklaroi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, ose Kosova të rrëshqasë në diktaturë.

    Postimi:

    Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje synojnë eliminimin politik të Presidentes Vjosa Osmani dhe mbajnë qasje përjashtuese ndaj çdo partie opozitare, vendi, shoqëria dhe demokracia janë në rrezik serioz.

    Sot kemi vetëm dy rrugë:

    Ose shkojmë në zgjedhje të reja dhe ia kthejmë vendimin qytetarit,

    Ose heshtim dhe lejojmë që vendi të rrëshqasë drejt një autoritarizmi të plotë, me prirje drejt një diktature.

  • Dje u kërkua ndihmë nga qytetarët për gjetjen e tij, i dyshuari në Gjakovë vetëdorëzohet në Polici

    Dje u kërkua ndihmë nga qytetarët për gjetjen e tij, i dyshuari në Gjakovë vetëdorëzohet në Polici

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se në një person është vetëdorëzuar në polici në Gjakovë, pasi që i njëjti ishte në kërkim.

    Për të dyshuarin, policia dje kërkoi bashkëpunim me qytetarët për gjetjen e tij, përcjell Express.

    Postimi:

    Vetëdorëzohet personi i dyshuar në kërkim

    Gjakovë, 4 mars 2026

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, me datën 3 mars 2026, ka publikuar një kërkesë për bashkëpunim me qytetarët, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar, ku i njëjti sot, me datën 4 mars 2026, është vetëdorëzuar në Polici.

    Pas intervistimit dhe procedurave të nevojshme policore, me vendim të prokurorit të Shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Policia e Kosovës falënderon qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme dhe mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

  • Vdes supermodelja dhe aktorja Annabel Schofield në moshën 63 vjeç

    Vdes supermodelja dhe aktorja Annabel Schofield në moshën 63 vjeç

    Supermodelja dhe aktorja Annabel Schofield, e njohur globalisht në vitet ’80, ka ndërruar jetë në moshën 63 vjeç pas një beteje me kancerin, raporton The Hollywood Reporter.

    E lindur në Uells, Schofield u bë një figurë ikonike e skenës së modës moderne dhe glamuroze të Londrës të viteve 1980, duke pozicionuar veten në kopertinat e qindra revistave dhe në fushata për marka të njohura si Yves Saint Laurent, Rimmel, Revlon dhe Boots No.7.

    Si aktore, ajo u bë e njohur për rolin e saj përkrah Hagman në telenovelën e njohur “Dallas”. Pas diagnostikimit me tumor në tru, Schofield mbajti publikun të informuar për gjendjen e saj përmes një faqeje GoFundMe, e cila u krijua për të ndihmuar me shpenzimet mjekësore. Lajmin e fundit për gjendjen e saj ajo e ndau më 18 janar, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente.

    Në kulmin e famës së saj, Schofield u përfaqësua nga agjencia londineze Take Two, duke lënë gjurmë të paharrueshme në botën e modës dhe ekranit të madh.

  • Komisioni për Buxhet miraton ndarjen e 4 milionë eurove për RTK-në

    Komisioni për Buxhet miraton ndarjen e 4 milionë eurove për RTK-në

    Me 7 vota për, asnjë kundër e dy abstenime, Komisioni për Buxhet në Kuvendin e Kosovës e ka miratuar ndarjen e mjeteve financiare për RTK-në për periudhën janar-qershor 2026, në vlerë prej 4 milionë e 480 mijë euro.

    Po ashtu, Komisioni ka udhëzuar Drejtorin e Përgjithshëm të Thesarit që ta bëjë transferimin e këtyre mjeteve në buxhetin e RTK-së.

    Paraprakisht, kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, ka theksuar se meqenëse raporti për vitin e kaluar nuk është miratuar nga Bordi i RTK-së për këtë arsye nuk duhet të hidhet në votim.

    “Siç e patë edhe deklarimin e menaxhmentit dhe bordit raporti për vitin e kaluar nuk është miratuar në Bordin e RTK-së, kështu që unë propozoj që atë mos ta hedhim fare në votim. Për shkak se nuk është miratuar nga ana e bordit, mbetet që bordi i ri të vendosë se çfarë do të bëjë me raportin e vitit të kaluar. Ndërsa sa i përket vendimit që ka të bëjë me ndarjen e mjeteve buxhetore për sesionin pranveror, këtë vendim duhet ta marrim, në mënyrë që RTK të mos mbetet pa buxhet dhe të mos përsëritet situata e njëjtë që kishim vitin e kaluar”, ka thënë Haliti.

    Gjatë raportimit para Komisionit për Buxhet në Kuvendin e Kosovës, ud. drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Hysen Hundozi, bëri të ditur se përveç raportit gjashtëmujor për vitin e kaluar dhe projeksionit buxhetor për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, RTK-ja ka dorëzuar edhe një kërkesë të veçantë drejtuar Komisionit.

    Sipas tij, përmes kësaj kërkese i është propozuar Komisionit që t’i rekomandojë qeverisë faljen e kredisë prej 2.5 milionë eurosh, e cila ishte marrë si zgjidhje emergjente për tejkalimin e krizës financiare.

    “Arsyet janë të shumta dhe rasti i ‘Milionerit’ është arsyeja kryesore, për shkak se nëse me datën 20 mars ekzekutohet ky urdhër përmbarimor, atëherë RTK-ja do të rrezikohet më shumë se çdo herë tjetër”, ka thënë Hundozi para komisionit.

    Lidhur me këtë kërkesë, kryesuesi i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, deklaroi se çështja do të shqyrtohet nga anëtarët e Komisionit dhe RTK do të njoftohet me kohë. /rtk/

  • Në Beograd është ulur një aeroplan me 67 persona të evakuar nga Izraeli, në mesin e tyre edhe shtetas të Maqedonisë

    Në Beograd është ulur një aeroplan me 67 persona të evakuar nga Izraeli, në mesin e tyre edhe shtetas të Maqedonisë

    Shtetas të Serbisë, si dhe disa nga Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kroacia, të cilët u evakuuan nga Izraeli, mbërritën rreth orës dy pas mesnate në Beograd me një fluturim special të Air Serbia nga Sharm el-Sheikh, i organizuar nga Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme.

    Fluturimi special, i cili u nis nga Beogradi dje rreth orës 17:00, mbërriti në Sharm el-Sheikh rreth orës 21:00 sipas kohës lokale dhe u kthye me 67 shtetas të Serbisë të evakuuar nga Izraeli, mes tyre edhe fëmijë të vegjël, raportoi “RTS”.

    Fillimisht ishte organizuar kalimi tokësor përmes kufirit egjiptian, përkatësisht transporti deri në aeroportin egjiptian.

    Përveç qytetarëve serbë, në aeroplan ndodheshin edhe shtetas të Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Sllovenisë, Malit të Zi dhe Kroacisë.

    Sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Damjan Joviq, i cili u dërgua në Egjipt për të koordinuar aksionin, tha se përveç faktit që bëhet fjalë për një çështje humanitare, kjo është edhe një mesazh që Republika e Serbisë dëshiron të dërgojë: “duam marrëdhëniet më të mira dhe më të afërta, të mbushura me solidaritet me vendet tona fqinje – Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën e Hercegovinën”.

    Avioni i parë nga Dubai me shtetas serbë zbarkoi në Beograd dje.

    Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut, që nga fillimi i konfliktit deri më sot, gjithsej 473 shtetas maqedonas kanë kontaktuar përfaqësitë tona diplomatiko-konsullore në Tel Aviv, Doha dhe Abu Dhabi.

    “Prej tyre, 19 persona janë paraqitur nga Izraeli, 106 nga Katari, ndërsa 348 shtetas i janë drejtuar DKP-së në Abu Dhabi. Në këtë numër përfshihen edhe 18 persona nga Kuvajti, si dhe 12 persona nga Bahreini”, njoftoi Ministria.

  • Lushtaku: Me keqardhje po shohim se po shkojmë drejt zgjedhjeve, Kurti i angazhuar për t’ia lënë fajin opozitës

    Lushtaku: Me keqardhje po shohim se po shkojmë drejt zgjedhjeve, Kurti i angazhuar për t’ia lënë fajin opozitës

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, është deklaruar lidhur me çështjen e presidentit duke thënë se nga kjo parti kanë qenë të vullnetshëm që të arrihet një zgjidhje e kësaj situate.

    Lushtaku ka thënë se po vëren një ‘’lloj arrogance’’ nga LVV’ja, dhe se, përgjegjësia kryesore bie mbi këtë parti, përcjell Express.

    ‘’Kemi qenë të vullnetshëm që të bëjmë një zgjidhje të situatës aktuale politike që rrjedh me zgjedhjen e presidentit, kemi qenë pro një kandidati konsensual, por ja që nuk është arrit ajo figurë që të realizohet dhe propozohet, dhe kemi dhanë edhe propozimet tona si PDK. Fatkeqësisht shohim një lloj arrogance tek shumica parlamentare që është fituese e zgjedhjeve. Përgjegjësia kryesore i mbetet LVV’së’’, ka thënë ai për media.

    Tutje, deputeti i PDK’së deklaroi ‘’me keqardhje’’ se vendi po ‘’sheh’’ zgjedhje të reja, dhe se, lideri i VV’së, Albin Kurti, sipas tij, më shumë ka qenë i angazhuar të fajësoj opozitën se sa të zgjidh probleme reale.

    ‘’Me keqardhje po shohim që jemi drejt zgjedhjeve të reja, dhe po shohim që Kurti ka qenë me shumë i angazhuar se si t’ia lë fajin opozitës, se sa t’i zgjedh problemet reale të qytetarëve. Ne çdo iniciativë e shohim të mirëseardhur, por duhet t’i kuptojmë edhe numrat që janë në Kuvendin e Kosovës. PDK nuk ardh deri të propozimi i asnjë kandidature, ne kemi kandidat të mjaftueshëm, por derisa nuk ka një pajtueshmëri me partinë në pushteti, sigurisht që nuk ka as hapësira as me kandidu, sepse e shohim se është vetëm lojë’’, ka thënë ai.

  • Reperi ‘Mossi’ arrestohet për sulm ndaj gazetarit Burim Pacolli

    Reperi ‘Mossi’ arrestohet për sulm ndaj gazetarit Burim Pacolli

    Reperi i njohur shqiptar, ‘Mossi’, bashkë me dy persona të tjerë, janë arrestuar nga Policia e Kosovës për sulmin fizik ndaj gazetarit Burim Pacolli.

    Sipas raportimeve, Mossi kishte bërë edhe kërcënime të rënda ndaj gazetarit gjatë kohës që ishte në arrati.

    Prokuroria dhe Policia ishin mobilizuar menjëherë për rastin, i cili shkaktoi reagime të ashpra në opinion publik.