ATV

Blog

  • Gjendet trupi i pajetë i Alush Kastratit, Latifi: Ishte babai i dëshmorit Mazllum Kastrati

    Gjendet trupi i pajetë i Alush Kastratit, Latifi: Ishte babai i dëshmorit Mazllum Kastrati

    Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka shprehur ngushëllime familjes Kastrati për vdekjen e familjarit të tyre Alushit, i cili u gjet sot pa shenja jete nga ekipet e kërkim-shpëtimit në malet e Zatriqit.

    Kreu i kësaj komune u shpreh se Alush Kastrati, ishte babai i dëshmorit Mazllum Kastrati, një prind që i dha atdheut më të shtrenjtën e tij dhe që jetoi me krenari dhe sakrificë për lirinë e Kosovës.

    “Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjitha ekipet që u angazhuan pa ndërprerë në kërkim: Policinë e Kosovës, ekipet profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkëpunëtorët, së bashku me drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe me ekipet komunale për emergjenca të shëndetësisë dhe të zjarrfikësve. Po ashtu, falënderojmë organet e tjera kompetente profesionale, ekipet vullnetare të kërkim-shpëtimit (shoqata e Kosovës për kërkim-shpëtim) dhe të gjithë qytetarët që ndihmuan dhe u angazhuan gjatë këtyre ditëve të vështira të operacionit të udhëhequr nga nënkolonel Arsim Berisha”, ka shkruar Latifi në Facebook.

    “Familjes Kastrati i shpreh ngushëllimet më të sinqerta! U prehsh në qetësi, baca Alush!”, u shpreh numri një i Rahovecit.

    80 vjeçari Alush Kastrati, ishte shpallur i zhdukur më 7 mars, teksa sot u gjet i vdekur pas disa ditë kërkimesh të pandërprera.

  • Demonstratat e 81-tës, Kurti: Tërë Kosova iu përgjigj thirrjeve të studentëve për të protestuar

    Demonstratat e 81-tës, Kurti: Tërë Kosova iu përgjigj thirrjeve të studentëve për të protestuar

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka kujtuar demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët 45 vjet më parë hapën periudhë të re për shqiptarët nën Jugosllavi.

    “Ajo erdhi si një organizim i gjerë i nisur nga studentët, që një javë më parë, më 4 mars, kishin kundërshtuar kushtet e këqija në mensën e universitetit, por që protesta e tyre ishte ngritur në nivel artikulimesh politike”, shkroi Kurti në profilin e tij në Facebook.

    Kurti deklaroi se mijëra njerëz nga tërë Kosova u përgjigjen në thirrjen studentëve të Universitetit të Prishtinës për të protestuar.

    “Kërkesat e tyre përmbledheshin pas parullës ‘Kosova Republikë’, e shkruar shkurtimisht edhe si “KR”, që ishte kërkesa e shqiptarëve brenda Jugosllavisë për Kosovën si republika e shtatë në kuadër të Federatës. Demostrata e 11 marsit, u pasua nga demostrata gjithëpopullore më 26 mars, si dhe me 1 dhe 2 prill 1981, që asaj stine ia dhanë epitetin e Pranverës ‘81, si stinë e kryengritjes politike dhe rizgjimit kombëtar të shqiptarëve nën Jugosllavi”.

    I pari i ekzekutivit, theksoi se demostratat e shqiptarëve në vitin 1981, janë ndër ngjarjet kyçe në historinë politike të Kosovës.

    “Ato ishin organizim i indinjatës qytetare dhe i revoltës së shqiptarëve si një populli që nën Jugosllavi ishte i shtypur dhe i nënpërfaqësuar politikisht, i diskriminuar etnikisht dhe i shfrytëzuar ekonomikisht”, shkroi tutje ai.

    Duke kujtuar atë ditë, Albin Kurti thotë se demonstratat e vitit 1981 u shtypën dhunshëm nga policia jugosllave, pasuar nga mijëra arrestime, ndalime arbitrare, gjyqe politike dhe verdikte që rezultuan me mijëra të burgosur e vite të shumta dënimesh me burg.

    “Por demostratat e pranverës së vitit 1981, e futën organizimin politik të shqiptarëve në Jugosllavi në një kahje të re, që kulmoi me rezistencën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u bashkëorganizuan shumë nga ata që kishin qenë të organizuar edhe më 1981. Sot në 45 vjetorin e demostratave të vitit 1981, duke i kujtuar ato ngjarje dhe zhvillime historike, i kujtojmë me mirënjohje të gjithë individët dhe grupet që i dhanë jetë atij zhvillimi politik me ngjarje historike dhe të gjithë brezat që u përbashkuan te demostratat e vitit 1981”.

  • Gjykimi në Hagë drejt fundit, Specialja thotë se e respekton Kushtetutën e Kosovës për të drejtat e të akuzuarve

    Gjykimi në Hagë drejt fundit, Specialja thotë se e respekton Kushtetutën e Kosovës për të drejtat e të akuzuarve

    Gjykata Speciale ka publikuar në njoftim në faqen zyrtare të saj në “X” duke shkruar se gjyqtarët e Hagës sigurojnë se të drejtat e të akuzuarve respektohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Specialja shkruan se nëse një i akuzuar s’është i kënaqur me ndonjë vendim, ai mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara.

    “Nëse një i akuzuar beson se një vendim nuk është në përputhje me ligjin ose shkel të drejtat e tij, ai mund ta apelojë vendimin te një panel i veçantë gjyqtarësh dhe, si mjet i fundit, te Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

    “Në vendimmarrjen e tyre, gjyqtarët ndjekin Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e marra më parë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.Vetëm Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka zbatuar të paktën 160 raste të vendosura më parë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të siguruar që vendimet e saj të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, thekson Specialja.

  • Dënohet me një vjet burgim me kusht A.I. që kërcënoi gazetarët në gjykatë, AGK mirëpret vendimin

    Dënohet me një vjet burgim me kusht A.I. që kërcënoi gazetarët në gjykatë, AGK mirëpret vendimin

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mirëpritur vendimin e marrë këtë të mërkurë për dënimin me një vjet burgim të A.I pas kërcënimit ndaj ekipeve të gazetarëve e monitoruesve të Betimi për Drejtësi dhe Nacionale.

    Sipas një njoftimi të Gjykatës Themelore të Gjilanit, A.I “i është shqiptuar dënim me një (1) vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri brenda 2 (dy) viteve nuk kryen vepër tjetër penale.”

    “A.I me një gjest si “ekzekutim” iu ishte drejtuar në një seancë pronash në Viti gazetares së Nacionales, Eriola Cacaj, kameramanit Drilon Namani si dhe monitoruesit të Betimi për Drejtësi, Flamur Kabashi. Rasti kishte ndodhur më 30 janar”, njofton AGK.

    AGK-ja ka përshëndetur “efikasitetin me të cilin gjykata e ka trajtuar këtë rast dhe prioritetin që i është dhënë, me besimin se kjo praktikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”.

    “AGK-ja ka mirëpritur Strategjinë e KGJK-së të miratuar në janar të këtij viti, e që prioritizon rastet gjyqësore që ndërlidhen me shpifjen dhe sigurinë e gazetarëve dhe të anëtarëve të shoqërisë civile”.

  • Policia njofton se i zhdukuri nga Rahoveci u gjet i vdekur

    Policia njofton se i zhdukuri nga Rahoveci u gjet i vdekur

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se i zhdukuri nga Rahoveci është gjetur i vdekur.

    Në njoftimin e PK’së, bëhet e ditur se trupi i Alush Kastratit u gjet në një zonë malore, disa kilometra larg fshatit Zatriq.

    Njoftimi:

    Gjendet një trup i pajetë në një zonë malore, dyshohet se është personi i zhdukur në Rahovec

    Rahovec, 11 mars 2026

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, njofton opinionin publik se në kuadër të operacionit të kërkimit lidhur me zhdukjen e personit Alush Kastrati, sot ekipet e angazhuara në terren kanë hasur në një trup të pajetë në një zonë malore, disa kilometra larg fshatit Zatriq.

    Trupi i gjetur, bazuar në përshkrimet dhe të dhënat e njohura, dyshohet të jetë i personit të raportuar si i zhdukur në këtë rast. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.

  • Hykmete Bajrami thirrje rinisë: Ata që janë të pakënaqur me situatën aktuale politike le t’i bashkohen LDK-së

    Hykmete Bajrami thirrje rinisë: Ata që janë të pakënaqur me situatën aktuale politike le t’i bashkohen LDK-së

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka uruar Forumin Rinor të LDK-së në 36 vjetorin e themelimit.

    Bajrami ka pasur një thirrje për të rinjtë që s’janë të kënaqur me situatën aktuale politike që t’i bashkohen LDK-së meqë aty janë dyert e hapura për ta.

    “Urimet më të sinqerta me rastin e 36-vjetorit të gjithë themeluesve dhe atyre që sot janë pjesë e Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa të rinjve që ende s’janë pjesë e kësaj organizate u them se nëse s’jeni të kënaqur me situatën politike aktuale dhe dëshironi të kontribuoni që ajo të ndryshojë, shtëpia e demokracisë i ka dyert e hapura për ju!”, ka shkruar Bajrami.

  • Gjendet i moshuari i zhdukur nga Rahoveci

    Gjendet i moshuari i zhdukur nga Rahoveci

    Është gjetur i moshuari Alush Kastrati, i cili ishte shpallur i zhdukur që nga 7 marsi në fshatin Zatriq të Rahovecit.

    Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim njoftoi se 80-vjeçari u lokalizua pas angazhimit dhe kërkimeve intensive të ekipeve të saj, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policinë e Kosovës.

    “Pas angazhimit dhe kërkimeve intensive nga ekipet e Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës, është gjetur personi i zhdukur, z. Alush Kastrati”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

    Shoqata falënderoi gjithashtu vullnetarët, institucionet dhe qytetarët që kontribuan në operacionin e kërkimit, duke theksuar se bashkëpunimi dhe solidariteti i tyre ishte i rëndësishëm për përfundimin e suksesshëm të misionit.

    Për gjendjen shëndetësore të 80-vjeçarit pritet të jepen informacione shtesë në vijim.

  • Kurti priti në takim Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ulutaş

    Kurti priti në takim Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ulutaş

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

    Në komunikatë bëhet e ditur se Komandanti Ulutaş e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës dhe diskutuan për bashkëpunim të ngushtë mes misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

    “Në takim u diskutua për situatën e sigurisë, në një kohë të zhvillimeve dhe ndryshimeve të mëdha në botë që mund të paraqesin sfida për sigurinë, me ç’rast Kryeministri vlerësoi komunikimin e mirë dhe të vazhdueshëm. Kryeministri Kurti e falënderoi komandantin Ulutaş për kontributin dhe rolin e tij të rëndësishëm në udhëheqjen e KFOR-it dhe për bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Michael Jordan thyen heshtjen: Nuk ekziston një ‘më i miri i të gjitha kohërave’ në basketboll

    Michael Jordan thyen heshtjen: Nuk ekziston një ‘më i miri i të gjitha kohërave’ në basketboll

    Legjenda e Chicago Bulls dhe fituesi i gjashtë kampionateve të NBA, Michael Jordan, ka folur hapur për temën më të diskutuara në basketboll – nëse ai është GOAT (më i miri i të gjitha kohërave).

    Në episodin e fundit të serialit dokumentar MJ: Insights to Excellence, të titulluar “Michael Jordan Ends the GOAT Conversation”, Jordan theksoi se kjo pyetje nuk ka një përgjigje të saktë.

    “Nuk do ta gjesh kurrë përgjigjen e saktë për këtë pyetje. Kurrë. Njerëzve u pëlqen të flasin për këtë, të sillen rrotull, por nuk ka përgjigje të saktë”, tha ai, duke shtuar se nuk e konsideron veten si më të mirin e të gjitha kohërave.

    Jordan argumentoi se ndikimi i yjeve të tjerë si LeBron James apo Kobe Bryant është i jashtëzakonshëm, dhe se çdo lojtar i madh ka kontribuar në përmirësimin e basketbollit. Ai shtoi se do të kishte dashur të luante kundër tyre në kulmin e karrierës së tij, duke theksuar se debatet mes gjeneratave shpesh e humbasin këtë perspektivë.

    “Një nga arsyet pse debati GOAT nuk ka kuptim është se njerëzit harrojnë legjendat e mëparshme si Kareem Abdul-Jabbar, Wilt Chamberlain apo Bill Russell me 11 tituj… Ata dhanë shumë për basketbollin dhe nuk duhet të injorohen”, përfundoi Jordan.

    Me këtë deklaratë, Michael Jordan jo vetëm sfidon titullin e GOAT-it, por gjithashtu nxit reflektim mbi ndikimin dhe trashëgiminë e çdo lojtari në historinë e basketbollit.

  • Disa studentë e profesorë protestojnë në veri kundër integrimit në sistemin kosovar të arsimit

    Disa studentë e profesorë protestojnë në veri kundër integrimit në sistemin kosovar të arsimit

    Disa studentë dhe profesorë të Universitetit në Mitrovicën e Veriut kanë protestuar të mërkurën kundër shkrirjes së sistemit të tyre të arsimit në atë kosovar.

    Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “Pse po hesht Beogradi” dhe “Sipas cilit sistem të marrim frymë”, ata u mblodhën në qendër të qytetit për ta kundërshtuar synimin e autoriteteve kosovare për një sistem të vetëm arsimor.

    Universiteti në Mitrovicën e Veriut punon në sistemin e Serbisë.

    Studenti i Fakultetit Filologjik në këtë universitet, Lluka Peçenkoviq, tha se “jemi lënë në mëshirë të fatit”, dhe se autoritetet po heshtin sepse “kështu janë urdhëruar”.

    Ai tha gjithashtu se protesta e së mërkurës u mbajt pa mbështetjen e rektoratit dhe se themeluesi i universitetit, pra Qeveria e Serbisë, “na e ka kthyer shpinën”.

    “Profesorë, të tjerë që kanë frikë, që janë të shantazhuar, gjithsesi do të humbim. Ata që ju kërcënojnë me humbjen e vendit të punës, nuk do të mund ta zbatojnë atë kërcënim. Luftoni për interesin tuaj dhe tonin, interesin e përbashkët”, tha Peçenkoviq.

    Profesoresha Mitra Reliq u bëri thirrje autoriteteve kosovare që t’u lëshojnë “vërtetim për jetë”, për arsimim dhe për ruajtjen e identitetit, ndërsa Beogradin zyrtar e ftoi të qëndrojë përkrah Universitetit që e ka themeluar.

    Çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb në Kosovë u ngrit në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Albin Kurti theksoi se sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm dhe se është e nevojshme shkrirja e tyre në një.

    Ai tha asokohe se për integrimin do të punohej së bashku me përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare, gjë që ua përcolli përsëri ambasadorëve të vendeve të QUINT-it (SHBA, Francë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Itali) në dy raste që nga fillimi i vitit.

    Megjithatë, deri më tani nuk është saktësuar qartë se cilat modele të integrimit po shqyrtohen.

    Bashkimi Evropian, në një përgjigje për REL, kishte deklaruar se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që në Kosovë mbështeten nga Serbia do të zgjidhet në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe me ligjet e Kosovës.

    Për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ngul këmbë edhe Beogradi zyrtar, si dhe Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e pushtetit të tanishëm në Serbi.

    Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës më 10 shkurt i dha afat prej 30 ditësh Fakultetit të Shkencave Teknike të Universitetit në Mitrovicën e Veriut që të largohet nga hapësirat që përdor ose të fillojë të paguajë qira.

    Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha më herët për Radio Evropa e Lirë se kërkesa për lirimin e pronës së “uzurpuar” është dërguar në bazë të ligjeve në fuqi dhe procedurave të Kosovës.

    Ai tha gjithashtu se Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar për vënien në përdorim të “të gjitha objekteve dhe hapësirave të tij, për të cilat ekziston nevojë e madhe, pa vonesa të mëtejshme”.

    Nga ana tjetër, rektori i Universitetit në Mitrovicën e Veriut, Nebojsha Arsiq, kishte thënë për portalin Kossev se Fakulteti i Shkencave Teknike nuk funksionon në sistemin juridik të Kosovës dhe se nuk kishte mundësi t’i përgjigjej kërkesës në mënyrë institucionale, por se në lidhje me hapat e mëtejshëm “pret udhëzime”.