ATV

Blog

  • Ish-Kryediplomati i Shqipërisë-BE’së: Tani nxirreni nga sirtari aplikimin e Kosovës për anëtarësim

    Ish-Kryediplomati i Shqipërisë-BE’së: Tani nxirreni nga sirtari aplikimin e Kosovës për anëtarësim

    Ish-kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati, ka thënë se tani BE duhet ta nxjerrë nga sirtari aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat.

    Ky reagim i Bushatit ka ardhur pasi sot është konfirmuar heqja e masave ndaj Kosovës nga Komisioni Evropian.

    “Konfirmimi i sotëm nga Komisioni Evropian në Komitetin e Parlamentit Evropian për heqjen e masave dhe lirimin e të gjithë ndihmës financiare për Kosovën duhet të hapë një fazë të re të angazhimit produktiv: Koha për të nxjerrë nga sirtari aplikimin e Kosovë anëtarësim “, ka shkruar Bushati.

  • Dyshohet se përvetësuan cigaret që i sekuestruan në vlerë rreth 30 mijë euro, arrestohet një polic e suspendohen katër të tjerë

    Dyshohet se përvetësuan cigaret që i sekuestruan në vlerë rreth 30 mijë euro, arrestohet një polic e suspendohen katër të tjerë

    Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor dhe ka rekomanduar suspendimin e katër të tjerëve, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.

    Sipas dyshimeve fillestare zyrtarët policorë në këtë rast, pasi paraprakisht kishin sekuestruar mbi 100 paketa me cigare nga persona të dyshuar për kontrabandë brenda territorit të Republikës së Kosovës, dyshohet se i kanë përvetësuar 24 paketa me cigare, rreth 12,500 pako cigare në vlerë rreth 30.000 euro, kurse në Doganën e Kosovës i kanë dorëzuar vetëm 84 paketa me cigare të cilat janë dyshuar si të kontrabanduara.

    “Pas veprimeve hetimore një zyrtar policor është arrestuar dhe me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë kurse katër zyrtarët tjerë janë duke u hetuar në procedurë të rregullt. IPK në interes të hetimit dhe pasi që natyra e veprës penale që lidhet drejtpërdrejt me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe integritetin e zyrtarit policor i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për të pesë zyrtarët policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast”, theksohet në njoftim.

    Zyrtarët në fjalë janë të angazhuar në Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë në kuadër të Departamenti Kufitar të Policisë së Kosovës.

  • Tragjike: Katër kosovarë humbin jetën në vendin e punës në Austri

    Tragjike: Katër kosovarë humbin jetën në vendin e punës në Austri

    Një rast i rëndë është regjistruar këtë të martë në Vjenë të Austrisë.

    Sipas raportimeve të mediave austriake, katër persona kanë humbur jetën tragjikisht, si pasojë e një incidenti në vendin e punës.

    Të njëjtit, sipas familjarëve ishin kosovarë.

    “Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës së djalit të axhës, i cili tragjikisht humbi jetën në vendin e punës, në Vjenë të Austrisë, bashkë me 3 shokët e tij nga Kosova”, thuhet në njoftimin e familjarëve.

    Rasti i rëndë dyshohet se ndodhi gjatë punimeve të betonit, ku thuhet se janë thyer skelet dhe disa punëtorë kanë rënë në oborrin e një ndërtese të vjetër.

  • Hoxhaj: Kosova e paralizuar dhe e përçarë, e pa vlerë sot heqja e masave të BE-së

    Hoxhaj: Kosova e paralizuar dhe e përçarë, e pa vlerë sot heqja e masave të BE-së

    Deputeti dhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me situatën politike në vend.

    Ai shprehet se Kosova po përballet me një krizë të thellë politike, e cila “duket se nuk ka fund”, duke e përshkruar vendin si të paralizuar dhe të përçarë, pa një ndjenjë të përbashkët qëllimi dhe pa një ide që e bashkon.

    Hoxhaj thekson se kjo situatë rrezikon humbjen e shpresës së vetme për të vepruar në mënyrë dinamike në mbrojtjen e interesit shtetëror, veçanërisht në një botë gjithnjë e më të pasigurt dhe me rreziqe të mëdha.

    “Për shkak të krizës politike, e cila duket se nuk ka fund, Kosova është po aq e paralizuar sa edhe e përçarë, pa një ndjenjë të përbashkët qëllimi dhe pa një ide që e bashkon. Kjo rrezikon humbjen e shpresës së vetme për të vepruar në mënyrë dinamike në mbrojtjen e interesit shtetëror në një botë që bëhet çdo ditë më e pasigurt dhe me rreziqe të mëdha. Prandaj, edhe heqja e masave të BE-së sot është pa vlerë dhe pa kuptim, sikurse ishin të dëmshme dhe të pakuptimta kur u vendosën ato.”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

  • AAK thërret konferencë për media të mërkurën

    AAK thërret konferencë për media të mërkurën

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njofton se nesër në ora 10:30, Shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri do të mbajë konferencë për media.

    Në njoftim thuhet se konferenca do të mbahet në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    “Ju ftojmë ta ndiqni këtë ngjarje”, i thuhet mediave në njoftim.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e këtij personi, dyshohet për mashtrim në bashkëkryerje

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e këtij personi, dyshohet për mashtrim në bashkëkryerje

    Policia e Kosovës, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi që kërkohet për ‘’mashtrim në bashkëkryerje’’.

    Postimi:

    Kërkesë për bashkëpunim

    Prishtinë, më 17 mars 2026

    Hetuesit policorë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prishtinë, me autorizim nga Prokuroria Themelore Prishtinë, publikojnë foton e të dyshuarit, duke kërkuar ndihmën (bashkëpunimin) me qytetarët në identifikimin e personit në foto.

    Personi në foto dyshohet për përfshirje në veprën penale ‘Mashtrim në bashkëkryerje’.

  • Djathtistët serbë protestojnë në Beograd kundër Ligjit për të huajt në Kosovë

    Djathtistët serbë protestojnë në Beograd kundër Ligjit për të huajt në Kosovë

    Me sloganin “Për Kosovën dhe Metohinë serbe” në Beograd më 17 mars u mbajt një protestë e organizuar nga 13 parti dhe lëvizje të së djathtës, përfshirë edhe grupin ultradjathtist, Obraz.

    Shkak për tubimin ishte Ligji për të huajt dhe Ligji për automjetet, të cilët hyrën në fuqi në Kosovë më 15 mars. Protestuesit thanë se këto ligje do të ndikojnë negativisht tek anëtarët e minoritetit serb në Kosovë, por edhe te sektori i shëndetësisë dhe arsimit, që në zonat e banuara me serb në Kosovë funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

    Sipas gazetarëve në terren të Radios Evropa e Lirë, qindra persona u mblodhën pranë Presidencës së Serbisë në qendër të kryeqytetit serb, Beograd, nga ku, pas fjalimeve, nisën një marsh drejt Ambasadës së Federatës Ruse, për ta falënderuar Kremlinin, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

    Rreth 200 të pranishëm valëvitën flamuj të Serbisë, por edhe flamuj me portretin e presidentit rus, Vladimir Putin. Nga altoparlantët u dëgjuan këngë nacionaliste, ndërsa të tubuarit brohoritën “Kosovën nuk e dorëzojmë” dhe “Tradhti”.

    Midis të pranishmëve ishte edhe deputeti i Parlamentit të Serbisë, Branimir Nestoroviq, nga partia opozitare parlamentare “Ne, zëri i popullit”.

    Cilat ishin mesazhet e protestës?

    Gjatë protestës, foli edhe Slobodan Samarxhiq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, i cili tha se autoritetet në Serbi “kanë lënë pas dore” shëndetësinë dhe arsimin, që siç tha ai, janë nën kontroll në veri të Kosovë.

    “Atje [në Kosovë] dhuna është e përditshme, njerëzit vuajnë, nuk kanë paratë e tyre. Atje është larguar çdo gjë serbe që mund të hiqej. Dhe tani po përfundojmë me institucionet e arsimit dhe shëndetësisë”, pretendoi Samarxhiq.

    Zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe atij për automjete nisi më 15 mars në Kosovë.

    Qeveria e Kosovës ka vendosur të krijojë lehtësira, duke lëshuar leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’ua njohë letërnjoftimet që atyre u lëshohen nga organet serbe, duke lehtësuar kështu ndikimin e zbatimit të Ligjit për të huaj.

    Këto lehtësira u mirëpritën nga Serbia, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

    Ligji për të huajt do të prekë anëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente kosovare, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë. Për shembull, në Universitetin e Mitrovicës së Veriut – i cili funksionon sipas sistemit të Serbinë – punojnë ose studiojnë qytetarë të Serbisë, do të duhet të kenë leje pune ose leje qëndrimi.

    Në praktikë, marrja e lejes për punë ose studime mund të jetë problematike, sepse Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, duke i konsideruar ato si paralele dhe të paligjshme.

    Në tubimin në Beograd foli edhe Lluka Arsenijeviq, student i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, i cili tha se të rinjtë e mbajnë Kosovën “në zemër, mendje dhe lutje”.

    “Vazhdojmë të shohim se si do të zgjidhet problemi që kanë krijuar ata që ishin para nesh. Kur ne të marrim pushtetin, një këngë tjetër do të këndohet këtu dhe në Kosovë”, tha ai.

    Në profilin zyrtar në Instagram të “Studentëve protestues” nuk është bërë thirrje për protestën e organizuar nga partitë dhe organizatat e të djathtës ekstreme.

    Në tubim foli edhe udhëheqësi i grupit ultradjathtist serb, Obraz, Mlladen Obradoviq.

    Obradoviq, i cili ka drejtuar organizatën e ndaluar Obraz, tha se njerëzit u mblodhën për të “shpërfaqur gënjeshtrat” e presidentit të Serbisë “se ai ka fituar [ndaj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti] duke detyruar serbët të marrin dokumente separatiste nga Kosova dhe Metohia”.

    “Çfarë fitore është kjo, të detyrosh popullin të marrë dokumente të një shteti tjetër? Ne nuk pranojmë këtë”, tha Obradoviq.

    Pas fjalimeve, protestuesit marshuan drejt Ambasadës së Federatës Ruse në Beograd, për të falënderuar, sipas Obradoviq, “vëllezërit rusë”.

    Obradoviq ka udhëhequr lëvizjen Obraz, e cila nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë në vitin 2005 u klasifikua si organizatë fashiste.

    Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ndaloi funksionimin e kësaj organizate në vitin 2012. Në Serbi, kjo organizatë veproi fillimisht joformalisht me emër paska të ndryshuar, ndërsa nga viti 2019 është regjistruar zyrtarisht.

    Obradoviq ka qenë një nga organizatorët e disa demonstratave kundër komunitetit LGBT, protestave kundër ekspozitave të artistëve nga Kosova, si dhe tubimeve në mbështetje të të dënuarve nga Gjykata e Hagës, Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq.

  • Presidentja Osmani reagon për konfirmimin e heqjes së masave: Ishin të padrejta, dëmtuan qytetarët

    Presidentja Osmani reagon për konfirmimin e heqjes së masave: Ishin të padrejta, dëmtuan qytetarët

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi sot në Parlamentin Evropian është konfirmuar heqja e masave ndaj Kosovës nga Komisioni Evropian.

    Osmani ka thënë se Kosova mirëpret një vendim të tillë dhe ka falendëruar vendet aleate për përkrahjen në heqjen e sanksioneve.

    Presidentja Osmani ka thënë se këto masa kanë qenë të padrejta dhe kanë pasur ndikim negativ në jetën e kosovaarëve

    “Bazuar në vendimin e shpallur në dhjetor nga Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula Von Der Leyen, për të hequr të gjitha masat e BE-së kundër Kosovës, pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ne mirëpresim konfirmimin e sotëm nga Komisioni se ky vendim tani është zbatuar plotësisht.Falënderoj Komisionin dhe të gjithë partnerët tanë nga shtetet anëtare për mbështetjen e tyre në mbylljen e kësaj çështjeje, e cila rezultoi në heqjen e masave të padrejta që ndikuan negativisht në jetën e popullit të Kosovës”, ka shkruar Osmani.

    “Kosova mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me BE-në dhe për të ecur përpara në rrugën tonë drejt statusit të kandidatit të BE-së.”, ka përfunduar ajo.

  • LAJMI I FUNDIT:Afrim Tovërlani jep dorëheqje nga posti i trajnerit të FC Prishtinës

    LAJMI I FUNDIT:Afrim Tovërlani jep dorëheqje nga posti i trajnerit të FC Prishtinës

    Afrim Tovërlani më nuk është trajner i skuadrës së FC Prishtinës.

    Tovërlani ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të bardhëekaltërve,dhe atë pas rezultateve të dobëta ku së fundmi Prishtina pësoi humbje të thellë 3:0 nga Ferizaj në xhiron e 25-të Albi Mall Superligës.

    Përndryshe dorëheqjen e Tovërlanit e ka konfirmuar edhe klubi kryeqytetas në rrjetin social Facebook,dhe pritet që në ditët në vijim FC Prishtina të njoftoj trajnerin e ri.

    Kujtojmë që Afrim Tovërlani u emërua më 25 nëntor të vitit të kaluar në krye të skuadrës së Prishtinës pas largimit të Arsim Thaqit,dhe në 15 ndeshje në të gjitha garat ka një bilanc jo të mirë prej 4 fitoreve,3 barazimeve dhe 8 humbjesh,kurse bardhëekaltërit gjenden në pozitën e 3-të në Albi Mall Superligë me 38 pikë.

  • Probleme të reja për Cristiano Ronaldon-Përplasje mes Al Nassr dhe Federatës Portugeze

    Probleme të reja për Cristiano Ronaldon-Përplasje mes Al Nassr dhe Federatës Portugeze

    Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, është vënë në qendër të vëmendjes pas një dëmtimi që mund ta lërë jashtë grumbullimit të radhës me Kombëtarja e Portugalisë në fund të muajit mars.

    Sulmuesi 41-vjeçar nuk ka zbritur në fushë që nga 28 shkurti, kur pësoi një dëmtim në kofshën e pasme në përballjen ndaj Al-Fayha, dhe deri më tani nuk është rikthyer ende në stërvitje.

    Trajneri i Al-Nassr, Jorge Jesus, konfirmoi pas fitores bindëse 5-0 ndaj Al-Khaleej se rikthimi i Ronaldos dhe i Sadio Mané pritet vetëm pas pushimit ndërkombëtar.

    “Cristiano Ronaldo dhe Mané duhet të kthehen pas pushimit ndërkombëtar. Ata janë lojtarë të jashtëzakonshëm dhe për fat të keq mungesa e tyre do të jetë e zgjatur”, deklaroi tekniku portugez.

    Megjithatë, në kampin e Kombëtarja e Portugalisë shpresojnë që kapiteni të rikuperohet më shpejt, pasi konsiderohet element kyç për ndeshjet miqësore ndaj Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të planifikuara për më 29 mars dhe 1 prill.

    Sipas mediave portugeze, mungesa e tij mund të ketë ndikim të madh edhe financiar. Federata Portugeze e Futbollit rrezikon të humbasë deri në 20% të të ardhurave nga këto ndeshje, për shkak të mungesës së yllit kryesor.

    Edhe pse në aspektin sportiv Portugalia ka alternativa në repartin ofensiv, ndikimi i Cristiano Ronaldo në aspektin mediatik dhe financiar mbetet i pazëvendësueshëm.

    Në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026, Portugalia është shortuar në Grupin K së bashku me Kolumbia, Uzbekistani dhe një skuadër që do të vijë nga play-off-i ndërkontinental.