ATV

Blog

  • “U shemb betoni” – çka dihet për rastin tragjik në Vjenë ku mbetën të vdekur tre shtetas kosovarë

    “U shemb betoni” – çka dihet për rastin tragjik në Vjenë ku mbetën të vdekur tre shtetas kosovarë

    Tre shtetas kosovarë kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së betonit në një kantier ndërtimi në Vjenë pasditen e së martës.

    Pajtim Bajrami, Asllan Musliu e Istref Zekaj, janë tre nga katër viktimat e rastit tragjik që tronditi kryeqytetin austriak.

    Aksidenti thuhet se ka ndodhur rreth orës 14:30 gjatë punimeve në një objekt banimi.

    “Gjatë punimeve të ndërtimit, skelet dhe pjesët e kallëpeve, si dhe sasi të mëdha betoni janë shembur”, ka thënë zëdhënësi për media i brigades së zjarrfikësve në Vjen.

    Siç kanë rrëfyer dëshmitarët në vendin e ngjarjes, shembja e betonit i ka zënë në tokë pesë punëtorë.

    Përkundër reagimit të shpejtë të urgjencës dhe qytetarëve të pranishëm, vetëm njëri nga pesë punëtorët ka arritur të shpëtohet.

    Ai është një 45-vjeçar dhe thuhet se ka pësuar lëndime të rënda në kokë.

    Vdekjen e shtetasve kosovarë e kishte konfirmuar mbrëmë Ambasada e Kosovës në Austri. Fillimisht ishte konfirmuar vdekja vetëm e dy shtetasve, ndërsa më vonë kishin njoftuar edhe për viktimën e tretë.

  • Haxhiu pas tragjedisë në Vjenë: Dhimbje e madhe, qëndrojmë pranë familjeve

    Haxhiu pas tragjedisë në Vjenë: Dhimbje e madhe, qëndrojmë pranë familjeve

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu është shprehur e tronditur pas lajmit për vdekjen tragjike të Pajtim Bajramit, Asllan Musliut dhe Istref Zekajt në një kantier ndërtimi në Vjenë.

    Ajo u shprehi ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërsa shtoi se humbja e jetëve të bashkëkombasve në vendin e punës është dhimbje që prek të gjithë.

    “Lajmi për vdekjen tragjike të Pajtim Bajramit, Asllan Musliut dhe Istref Zekajt në një kantier ndërtimi në Vjenë më tronditi thellë. Humbja e jetëve të bashkëkombasve tanë në vendin e punës është një dhimbje që na prek të gjithëve. Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e tyre. Ndajmë dhimbjen me ta dhe qëndrojmë pranë tyre në këtë humbje të madhe”, ka shkruar kryeparlamentarja në Facebook.

  • Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi paralajmëron qytetarët: Mos fotografoni pamje nga incidentet me raketa apo dronë, dënoheni rëndë

    Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi paralajmëron qytetarët: Mos fotografoni pamje nga incidentet me raketa apo dronë, dënoheni rëndë

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka dal me një njoftim të ri për qytetarët e Kosovës që ndodhen atje.

    Përmes një postimi në Facebook, nga kjo Ambasadë ka thënë se në përputhje me legjislacionin dhe rregullat e brendshme në fuqi në vendi pritës, ndalohet rreptësisht fotografimi, incizimi apo shpërndarja e pamjeve dhe informacioneve nga vendet ku ndodhin incidente të lidhura me raketa apo dronë, si dhe publikimi i vendndodhjeve të këtyre incidenteve në rrjete sociale apo platforma të tjera.

    “Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe zbatojnë masa të rrepta ligjore ndaj çdo shkeljeje, përfshirë:

    *gjoba të larta financiare,

    *dënime me burg,

    *konfiskim të pajisjeve elektronike,

    *si dhe deportim të shoqëruar me ndalim të rikthimit në vend”, thuhet në njoftim.

    Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë me përpikëri ligjet dhe rregullat në fuqi dhe të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik në vendin ku jetojnë dhe veprojnë.

  • Bjellorusia stërvit emigrantë për të luftuar rojet kufitare të Evropës

    Bjellorusia stërvit emigrantë për të luftuar rojet kufitare të Evropës

    Shefi i inteligjencës së Letonisë ka zbuluar se Bjellorusia po stërvit migrantët në luftime përpara se t’i detyrojë ata të kalojnë kufijtë e Bashkimit Evropian.

    Normunds Mežviets, kreu i shërbimit të sigurisë shtetërore VDD të Letonisë, i bëri këto pretendime në një intervistë me The Telegraph.

    Ai tha se migrantët po përgatiten për përballje të dhunshme me rojet kufitare përpara se të shtyhen në Poloni dhe shtetet baltike, transmeton Telegrafi.

    Dhjetëra mijëra kanë kaluar në BE vitet e fundit, në atë që zyrtarët perëndimorë e përshkruajnë si pjesë të fushatës së përshkallëzuar të luftës hibride të Moskës.

    Duke folur nga një bunker në selinë e agjencisë së tij, Mežviets tha se taktikat bjelloruse dhe ruse janë bërë gjithnjë e më agresive.

    “Mbaj mend vitet e para, ishin mjaft, mjaft të qeta, por vitin e fundit po bëhet më agresive”, tha ai.

    Zyrtarët bjellorusë kanë zhvilluar gjithashtu mënyra të reja për të manipuluar migrantët përpara se t’i dërgojnë në kufi.

    Një taktikë, e përshkruar nga Mežviets si një “operacion informacioni”, përfshin shfaqjen e pamjeve të fabrikuara për migrantët, të dizajnuara për të ndezur tensionet.

    Videot portretizojnë viktima të supozuara të “rojeve të këqija dhe të dhunshme kufitare që i rrahin, i torturojnë dhe i nxjerrin jashtë”, tha ai.

    Megjithatë, analistët e identifikuan shpejt materialin si të rremë.

    “Ato po tregojnë plagët e tyre dhe, pa qenë një ekspert i madh në këtë fushë, mund të them se nuk janë plagë të vërteta”, shtoi Mežviets.

    Kur u pyet nëse inteligjenca artificiale është përdorur për të krijuar lëndimet, ai tha se ishte “thjesht një sajesë e dobët dhe mjaft e thjeshtë”.

    Por zyrtarët thonë se tani po shfaqet një kërcënim më serioz.

    “Kemi pasur disa informacione se po i trajnojnë ata [të jenë më të dhunshëm]”, tha Mežviets.

    Ai nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme, por konfirmoi se Bjellorusia ka ndërtuar infrastrukturë përgjatë kufirit, duke përfshirë vende magazinimi, akomodim dhe së fundmi kampe ku emigrantëve u jepet trajnim luftarak.

    Autoritetet polake i kanë thënë gjithashtu gazetës se janë ndërtuar tunele nëntokësore përgjatë pjesëve të kufirit lindor të BE-së, për të ndihmuar kalimet.

    “Ende nuk kemi parë tunele siç kanë parë miqtë tanë polakë, por që nga fillimi kemi parë një grumbullim masiv të autoriteteve bjelloruse dhe KGB-së bjelloruse dhe rojeve kufitare që promovojnë hapur këtë migrim të paligjshëm”, tha z. Mežviets.

    Përballja i paraprin pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, i cili shpesh shihet si fillimi i fushatës së saj hibride kundër NATO-s.

    Duke reflektuar mbi taktikat që përdoren, Mežviets tha: “E kuptoj se si mund të kryhen operacione të tilla. Nëse më duhet ta bëj ndonjëherë, do të jem më i përgatitur për të”.

  • Bashkimi Evropian kundër Google

    Bashkimi Evropian kundër Google

    Më shumë se 20 organizata evropiane kanë bërë thirrje që Bashkimi Evropian të ndërmarrë masa të shpejta kundër Google, duke kërkuar vendosjen e gjobave për shkelje të Aktit për Tregjet Digjitale (DMA).

    Ata paralajmërojnë se zvarritja e hetimit mund të ketë pasoja serioze për mediat dhe kompanitë evropiane, madje duke i çuar disa prej tyre drejt falimentimit.

    Në një letër drejtuar zyrtarëve të BE-së, organizatat theksojnë se është thelbësore të merret një vendim sa më shpejt dhe të ndalet dominimi i kompanive të mëdha teknologjike.

    Sipas tyre, praktikat e Google po dëmtojnë konkurrencën dhe po ulin mundësitë e zhvillimit për bizneset evropiane. Ata kërkojnë që të merret një vendim formal për mosrespektim të rregullave dhe të vendosen masa ndëshkuese, përfshirë gjoba të konsiderueshme.

    Nga ana tjetër, Google pretendon se ka bërë ndryshime për t’u përputhur me kërkesat e DMA-së, por kritikët thonë se këto ndryshime nuk janë të mjaftueshme.

    Ligji DMA synon të kufizojë fuqinë e kompanive të mëdha teknologjike dhe të sigurojë konkurrencë më të drejtë në tregun digjital të BE-së.

  • Horoskopi ditor për sot, befasi dhe surpriza nga yjet

    Horoskopi ditor për sot, befasi dhe surpriza nga yjet

    Dashi
    Të lindurit e kësaj shenje do të kthejnë faqe lidhur me marrëdhëniet e rëndësishme. Edhe nëse ndryshimet do të ngjallin reagime, ndjesia e parë do të jetë vendimtare. Tregohuni të kujdesshëm edhe për nevojat e të tjerëve dhe jo vetëm për ato tuajat.

    Demi
    Të lindurit e kësaj shenje nuk do të jenë në gjendje që të ndryshojnë drastikisht rrjedhën e jetës së tyre, por do të ndryshojnë disa nuanca të saj. Ky është një moment i mirë për të provuar me produkte kozmetike dhe trajtime të reja.

    Binjakët
    Binjakët nuk duhet të druhen për të treguar oreksin e tyre lidhur me dashurinë apo aventurat krijuese. Ndoshta nuk do të merrni gjithçka që keni kërkuar, por rezultati me siguri që do të jetë shumë më shumë nga sa keni pritur. Dita është e mirë për të organizuar një festë me muzikë dhe me njerëz të dashur që do të bëhen pjesë e saj.

    Gaforrja
    Një sërë ndryshimesh në jetën e të lindurve të kësaj shenje do të fillojnë, shoqëruar edhe me punën me veten dhe ndryshimet në mjedisin e zakonshëm. Vështirë të merrni vlerësim, nëse do të përsërisni veten tuaj me bindjen se jeni një person i respektuar.

    Luani
    Të lindurit e kësaj shenje nuk duhet të qëndrojnë të izoluar, pasi në të kundërt nuk do të jetë askush që të vlerësojë aftësitë apo potencialin e tyre krijues. Është koha kur luanët duhet të gëzojnë një jetë publike dhe kur duhet të bashkëpunojnë me njerëz me ndikim.

    Virgjëresha
    Të lindurit e kësaj shenje do të ndihen të lirë. Mund të ndodhë që të bëjnë blerje të paplanifikuara dhe ekstravagante nën ndikimin e modës, me dëshirën e mirë për të qëndruar me trendet aktuale.

    Peshorja
    Të lindurit e kësaj shenje kanë plotësisht të drejtë për të filluar jetën e tyre. Vetëm mbani parasysh, çdo ndryshim duhet të nisë nga vetja. Ndoshta është koha për të ndryshuar qëndrimin tuaj në lidhje me marrëdhëniet e vjetra të partneritetit, për të përmirësuar raportet tuaja dhe për të gjetur një mënyrë efikase për tu vetëshprehur.

    Akrepi
    Kjo është një ditë e mirë për të punuar me veten. Ndoshta mund të keni nevojë të tërhiqeni nga daljet publike dhe të kaloni një periudhë qetësie për të arritur rezultatin që dëshironi më pas. Është e dobishme që të dilni para pasqyrës dhe të bëni ato ushtrime që do të përmirësonin veten tuaj.

    Shigjetari
    Rrethanat e ditës janë të favorshme për takime të rëndësishme dhe ngjarje në ekip. Mos u stepni nga afrime të pazakonta apo takime me miq dhe shokë. Ndikimi i një personi të rëndësishëm do të shtojë vetëbesimin tuaj.

    Bricjapi
    Suksesi i bricjapëve do të varet nga zgjidhja e duhur. Ju mund të jeni mjaftueshëm të guximshëm për të arritur një qëllim të madh. Mundohuni të zgjidhni prioritetet tuaja dhe krijoni kontakte me persona të dobishëm. Nëse do të vini bast mbi një alternativë të gabuar, të jeni të sigurt se do të thelloheni në atë drejtim.

    Ujori
    Kjo është një ditë e mrekullueshme e cila hap rrugë të reja për të ardhmen e ujorëve. Megjithatë një pasuri e ndërlikuar vështirë që të arrihet. Ju duhet të punoni shumë më tepër, për të arritur mundësitë e dëshiruara.

    Peshqit
    5 tetori do të jetë i mbushur me emocione të forta, por edhe me stres, duke i përjetuar të gjitha ngjyrimet e mundshme. Ngjarje të papritura, si risitë apo ndikimi i njerëzve, do të ndryshojnë në mënyrë drastike rrjedhën e gjërave në favorin tuaj.

  • Tufa dronësh ukrainas kanë goditur objektivat strategjike në Rusi

    Tufa dronësh ukrainas kanë goditur objektivat strategjike në Rusi

    Ukraina kreu një sulm tjetër të madh ndaj Rusisë duke përdorur tufë dronësh vetëvrasës.

    Ky sulm vjen në një kohë kur tensionet mes dy vendeve vazhdojnë të jenë të larta, dhe tregon një përdorim gjithnjë e më të sofistikuar të teknologjisë dronëve në konfliktin aktual.

    Disa objektiva të rëndësishëm u goditën, me fokus të veçantë në rajonin e Krasnodar Krai në jug të Rusisë.

    Një dron ukrainas u pengua nga pajisjet ruse të ndërhyrjes elektronike mbi këtë rajon dhe, pasi devijoi nga kursi i tij, përfundoi duke goditur një ndërtesë banimi. Fatkeqësisht, incidenti shkaktoi frikë dhe panik midis banorëve vendas.

    Një grup rusësh u filmua duke u përpjekur të largohen nga flakët dhe kaos i krijuar nga goditja e dronit.

    Ngjarja nënvizon rrezikun e vazhdueshëm për civilët në zonat e prekura dhe intensitetin e përdorimit të dronëve në luftëra moderne.

    Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi

  • Bakllava, kjo është receta që bashkon traditën me modernen

    Bakllava, kjo është receta që bashkon traditën me modernen

    Kombinimi ideal i krokantes, aromës së arrave dhe finesës së çokollatës për një ëmbëlsirë festive të paharrueshme

    Bakllavaja është sinonim i festave, por kur asaj i shtohet çokollata dhe një kombinim i zgjuar i lajthisë dhe arrës, ajo shndërrohet në një ëmbëlsirë më të pasur, më të balancuar dhe më moderne.

    Kjo recetë ruan shpirtin tradicional, duke sjellë njëkohësisht një dimension të ri shijeje që i përshtatet çdo tryeze festive.

    Bakllavaja me çokollatë, lajthi dhe arra është një version i përkryer i ëmbëlsirës tradicionale, ku shijet klasike dhe moderne bashkohen në harmoni të plotë. Ajo është zgjedhja ideale për festat e Bajramit dhe për çdo rast kur dëshironi të ofroni diçka ndryshe, por njëkohësisht familjare, transmeton Telegrafi.

    Përbërësit

    Për petët:

    • 500 g kore për bakllava
    • 200–250 g gjalpë i shkrirë

    Për mbushjen

    • 200 g lajthi të bluara
    • 150 g arra të bluara
    • 100 g çokollatë (qumështi ose për gatim; sipas dëshirës edhe çokollatë e zezë)
    • 2 lugë kakao pluhur
    • 2 lugë sheqer
    • 1 lugë çaji vanilje

    Kombinimi lajthi + arra krijon ekuilibrin perfekt mes aromës dhe strukturës.

    Për sherbetin:

    • 250 g sheqer
    • 250 ml ujë
    • 1 lugë gjelle mjaltë
    • 1 lugë çaji kakao (opsionale)
    • 1 lugë gjelle lëng limoni

    Përgatitja hap pas hapi

    1. Përgatitja e mbushjes

    Në një enë përzieni lajthitë dhe arrat me kakaon, sheqerin dhe vaniljen.
    Shtoni në fund copëzat e çokollatës dhe përziejini lehtë.

    Mbushja duhet të jetë aromatike dhe jo shumë e imët.

    2. Shtresimi

    • Lyeni tepsinë me gjalpë
    • Vendosni 3–4 petë dhe lyeni secilën me gjalpë
    • Shtoni një shtresë të hollë të mbushjes
    • Vazhdoni njësoj deri në fund
    • Përfundoni me 3–4 petë sipër

    Priteni në rombe ose katrorë para pjekjes.

    3. Pjekja

    Piqeni në 170°C për 45–60 minuta, derisa të marrë ngjyrë të artë dhe të bëhet krokante.

    4. Përgatitja e sherbetit

    Zieni ujin dhe sheqerin për rreth 10 minuta.
    Shtoni mjaltin dhe kakaon (nëse e përdorni), përziejini dhe në fund shtoni lëngun e limonit.

    Sherbeti duhet të jetë pak më i trashë se ai klasik.

    5. Kombinimi final

    Menjëherë pasi bakllava të dalë nga furra, hidhni mbi të sherbetin e nxehtë.

    Lëreni të pushojë 6–8 orë (ideal gjatë natës) që të përthithë shijet.

    Këshilla për rezultat perfekt

    • Përdorni kombinimin lajthi + arra për shije më të pasur
    • Nëse përdorni çokollatë qumështi, ulni pak sheqerin
    • Për shije më intensive përdorni çokollatë të zezë
    • Mos e teproni me sherbet që të ruhet krokantja

    Sugjerim servirjeje

    Kjo bakllavë shoqërohet në mënyrë perfekte me:

    • kafe të zezë
    • çaj

    Për dekor:

    • lajthi ose arra të grimcuara
    • pak çokollatë të shkrirë sipër

     

  • Shtrëngimi i duarve u shndërrua në një konflikt verbal: Rudiger ‘sulmoi’ Guardiolën

    Shtrëngimi i duarve u shndërrua në një konflikt verbal: Rudiger ‘sulmoi’ Guardiolën

    Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka pasur një situatë të pakëndshme pas ndeshjes me mbrojtësin e Real Madridit, Antonio Rudiger, pavarësisht se ai i përgëzoi të gjithë lojtarët e klubit spanjoll për fitoren.

    Lojtarët e Manchester Cityt janë eliminuar nga beteja për një nga katër trofetë për të cilët luftonin këtë sezon, pasi u eliminuan nga Liga e Kampionëve.

    ‘Qytetarët’ u eliminuan nga gara elitare nga Real Madridi, i cili fitoi me rezultat të përgjithshëm 5-1, dhe pas ndeshjes në Etihad mbrëmë, u pa një skenë interesante.

    Konkretisht, trajneri i Cityt, Pep Guardiola, i përshëndeti lojtarët në fushë, buzëqeshi pavarësisht humbjes, dhe kur arriti te Antonio Rudiger, gjermani e tronditi.

    Rudiger padyshim kishte diçka që e shqetësonte Guardiola gjatë ndeshjes, dhe për shkak të kësaj, ai kishte diçka për t’i thënë atij gjatë këtij takimi.

    Buzëqeshja u zhduk shpejt nga fytyra e Guardiolës, kur ai e kuptoi se Rudiger ishte serioz, dhe më pas lojtarët e tjerë i ndanë së bashku me trajnerin e Real Madridit, Alvaro Arbeloa.

    Guardiola u largua me qetësi nga vendi i konfliktit, ndërsa Rudiger vazhdoi t’i ankohej nga larg, dhe më pas spanjolli i dërgoi një puthje.

  • Menopauza mund të shkaktojë depresion

    Menopauza mund të shkaktojë depresion

    Ndryshimet e mëdha në jetë mund të sjellin depresion, si p.sh. largimi i fëmijëve nga shtëpia, divorci, etj. rreth kohës së menopauzës.  Studimet kanë sugjeruar se një qëndrim negativ ndaj menopauzës ka më shumë gjasa të përkeqësojë simptomat. Prandaj, është e rëndësishme të ruani një qëndrim pozitiv ndaj jetës gjatë kësaj faze të jetës, përcjell Klankosova.tv

    Si të kuptoni nëse është depresion

    Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis ndjenjës së stresit ose ndryshimit të humorit dhe depresionit klinik.

    Depresioni i madh është një gjendje që ndodh për shkak të çekuilibrit kimik në tru, karakterizohet nga një humor depresiv shumicën e kohës dhe një humbje e interesit për aktivitetet dhe marrëdhëniet normale. Luhatja e hormoneve gjatë menopauzës mund të shoqërohet me këtë çekuilibër.

    Shenjat e Depresionit të madh

    Nëse keni përjetuar disa nga këto shenja dhe simptoma çdo ditë për të paktën dy javë, mund të jeni duke përjetuar depresion klinik:

    * Pak interes për të bërë ndonjë aktivitet

    * Ndjenja e mungesës së shpresës ose ndjenja e dobësisë gjatë gjithë kohës

    * Pagjumësi

    * Përqendrimi i dëmtuar, pavendosmëria

    * Shqetësimi

    * Mendime të përsëritura për vdekje ose vetëvrasje

    * Ndryshime në oreks

    * Ndjenja e të qenit një dështim

    Nëse keni ndonjë nga këto simptoma dhe dyshoni se mund të jeni në depresion, duhet të konsultoheni menjëherë me një mjek.