ATV

Blog

  • Vihet gurthemeli i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, Kurti e quan çast historik

    Vihet gurthemeli i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, Kurti e quan çast historik

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, së bashku me drejtues të Federatës së Xhudos së Kosovës dhe ministrin e Rinisë e Sportit,Blerim Gashani, morën pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.

    Kjo ngjarje shënon një moment të rëndësishëm për zhvillimin e sportit të xhudos në vend, duke reflektuar përkushtimin institucional për avancimin e infrastrukturës sportive dhe mbështetjen e talenteve të reja. Ndërtimi i kësaj qendre përfaqëson një hap konkret drejt krijimit të kushteve bashkëkohore për sportistët, duke mundësuar përgatitje më cilësore, zhvillim profesional dhe rritje të kapaciteteve konkurruese në nivel ndërkombëtar.

    Qendra Nacionale e Xhudos do të shërbejë si një hapësirë moderne dhe funksionale për përgatitjen e sportistëve elitarë dhe të rinj, duke kontribuar drejtpërdrejt në kultivimin e talenteve të reja dhe në vazhdimin e traditës së sukseseve që Kosova ka arritur në këtë sport. Ky investim dëshmon përkushtimin e institucioneve për të mbështetur sportin si një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit shoqëror dhe përfaqësimit dinjitoz të vendit në arenën ndërkombëtare.

    Në këtë ceremoni morën pjesë edhe Ministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Zëvendësministrja e Sportit dhe Rinisë, Daulina Osmani, Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, trajneri i mirënjohur Driton Kuka, si dhe kampionët Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova.

  • Samsung ndërpret prodhimin e Galaxy Z TriFold në Korenë e Jugut

    Samsung ndërpret prodhimin e Galaxy Z TriFold në Korenë e Jugut

    Sipas një raporti të ri nga Koreja e Jugut, vendi i origjinës së Samsung, telefoni i parë inteligjent i kompanisë me palosje të dyfishtë, Galaxy Z TriFold, do të ndërpritet rreth tre muaj pas lansimit.

    Samsung thuhet se do të ndërpresë shitjet vendase të pajisjes më 17 mars.

    Kompania ka qenë e njohur për shitjen e telefonit disa herë, pasi e ka prodhuar vetëm në sasi tepër të vogla. Vetëm disa njësi kanë qenë në dispozicion, të cilat u shitën menjëherë.

    Raporti shton se shitjet do të vazhdojnë në SHBA, ku Galaxy Z TriFold u bë i disponueshëm më vonë se në Kore, por vetëm “derisa të shitet vëllimi aktual i prodhimit”.

    Meqenëse supozohet se vëllimi i prodhimit nuk është i lartë, ata që janë në SHBA dhe duan një TriFold duhet ta blejnë tani, para se Samsung ta ndërpresë zyrtarisht edhe aty.

    “Të thuash se ky ka qenë një lansim mjaft i çuditshëm do të ishte një nënvlerësim. Është pothuajse sikur Samsung ka shitur një seri prototipi prodhimi, dhe asgjë më shumë – sasitë e vogla të stokut tregojnë këtë, ashtu si edhe ndërprerja pas vetëm tre muajsh,” shkruhet në raport.

    Autorët e raportit shpresojnë se do të vijë një version i ardhshëm, Galaxy Z TriFold 2, që do të ndihet më shumë si një produkt i mirëfilltë dhe më pak si një prototip.

  • Osmani ngushëllon familjet e tre kosovarëve që vdiqën në Austri: Tragjedi e rëndë, dhimbje e thellë

    Osmani ngushëllon familjet e tre kosovarëve që vdiqën në Austri: Tragjedi e rëndë, dhimbje e thellë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u ka shprehur ngushëllime familjeve të tre bashkatdhetarëve që humbën jetën tragjikisht, në vendin e punës në Austri.

    Osmani tha se kjo tragjedi ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë.

    “Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të jetëve të bashkatdhetarëve tanë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj, si pasojë e aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë.

    Kjo tragjedi e rëndë, që ua ndërpreu jetën teksa punonin për ta siguruar jetesën, ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë ne.

    Në këto momente të vështira, ju shprehim ngushëllime familjeve, miqve dhe të afërmve të viktimave.

    Ndajmë dhimbjen me familjet dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë.

    I përhershëm qoftë kujtimi për Pajtim Bajramin, Asllan Musliun dhe Istref Zekajn!”.

  • Pjesë e UÇK-së, pastaj e TMK-së – kolegu i viktimës në Austri: Më kujtohet kur e la uniformën, u nis në mërgi

    Pjesë e UÇK-së, pastaj e TMK-së – kolegu i viktimës në Austri: Më kujtohet kur e la uniformën, u nis në mërgi

    Asllan Musliu nga fshati Zaplluxhë i Komunës së Dragashit është në mesin e tre shtetasve të Kosovës që vdiqën në një aksident tragjik të martën në Austri.

    Musliu dhe tre të tjerë vdiqën si pasojë e shembjes së një pjese të konstruksionit në një kantierë ndërtimi në distriktin Alsergrund të Vjenës. Ata mbetën të bllokuar nën rrënoja.

    Vdekjen e Musliut dhe dy shtetasve të tjerë kosovarë, Pajtim Bajrami dhe Istref Zekajt, e konfirmoi të mërkurën Ambasada e Kosovës në Austri.

    Musliu kishte emigruar në Austri pasluftës, sipas fjalëve të Rrahim Bektashit, drejtorit të një shkolle fillore në Prizren, ish koleg i luftës me viktimën.

    Bektashi tha se ndihej i trishtuar nga lajmi për vdekjen e Musliut, ish kolegut të tij në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

    “I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit, rreshterit të Batalionit Gardist pran Z2M të Trupave Mbrojtëse të Kosovës: Asllan Musliu të cilin e njoha nga afër”, shkroi Bektashi të mërkurën.

    “Ai gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte pjesë e Drejtimit taktik nr 2 të operacionit ‘Shigjeta’”, tha Bektashi. “Më kujtohet dita kur e la uniformën dhe mori rrugën e mërgimit… ishte një ndarje emocionale…”

    “Lamtumirë bashkëluftëtari im”, përmbylli Bektashi mesazhin e tij.

  • E pazakontë, kinezi kapet duke kontrabanduar milingona nga Kenia

    E pazakontë, kinezi kapet duke kontrabanduar milingona nga Kenia

    Një kinez dhe bashkëpunëtori i tij kenian janë akuzuar për tregti ilegale me speciet e botës së egër pasi janë arrestuar duke kontrabanduar më shumë se 2 mijë milingona mbretëreshë nga Kenia.

    Zhang Kequn është arrestuar në aeroportin ndërkombëtar në Najrobi pasi autoritetet zbuluan sasinë e madhe të milingonave në valixhen e tij. Secila prej këtyre milingonave ishte vendosur në tuba të vegjël ose të mbështjell me letër.

    Zhang ka dëshmuar se i ka blerë milingonat për 10 mijë shilinga kenian ose 77 dollarë për 100 milingona.

    Autoritetet në Kenia kanë bërë të ditur se ka kërkesë në rritje për milingonat e kopshtit që të mbahen si kafshë shtëpiake në Evropë dhe Azi.

    Nuk dihet nëse Zhang po bënte përpjekje që t’i shiste ato te myshterinjtë evropianë apo aziatikë.

    Në majin e vitit të kaluar, gjykata në Keni e dënoi një person me një vit burgim ose gjobë prej 7 mijë e 700 dollarëve për përpjekjet e tij që të kontrabandonte milingonat mbretëresha.

  • Mojtaba Khamenei refuzoi propozimet për uljen e tensioneve

    Mojtaba Khamenei refuzoi propozimet për uljen e tensioneve

    Udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Mojtaba Khamenei, ka refuzuar propozimet për uljen e tensioneve ose për ndërprerjen e konfliktit të armatosur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat Teherani i mori përmes dy vendeve ndërmjetëse, tha sot një zyrtar i lartë iranian.

    Qëndrimi i Khameneit ndaj hakmarrjes ndaj SHBA-ve dhe Izraelit ishte “shumë i ashpër dhe serioz” në takimin e tij të parë të përkushtuar për politikën e jashtme, tha një zyrtar i paidentifikuar, i cili nuk sqaroi nëse Khamenei ishte i pranishëm personalisht në takim.

    I njëjti burim raportoi se udhëheqësi suprem tha se “nuk është koha e duhur për paqe deri sa SHBA-të dhe Izraeli të jenë ‘në gjunjë’, të pranojnë humbjen dhe të paguajnë kompensim”.

    Tre burime thanë më 14 mars për Reuters se administrata amerikane ka refuzuar përpjekjet e aleatëve të Lindjes së Mesme për të nisur bisedime diplomatike me qëllim të përfundimit të luftës në Iran.

    Që nga fillimi i luftës amerikano-izraelite kundër Iranit më 28 shkurt, të paktën 2000 persona janë vrarë, dhe fundi i konfliktit nuk duket i afërt.

    Sundimi i Ngushticës së Hormuzit, përmes të cilit kalon një e pesta e naftës botërore, është mbyllur, dhe aleatët amerikanë refuzuan kërkesën e presidentit amerikan, Donald Trump për ndihmë për ta hapur, çka ka ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë dhe ka përforcuar frikën nga inflacioni.

  • Fitër Bajrami të premten, BIK del me njoftim rreth manifestimit qendror

    Fitër Bajrami të premten, BIK del me njoftim rreth manifestimit qendror

    Bashkësia Islame e Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me festën e Fitër Bajramit, më 20 mars.

    Në njoftimin e BIK thuhet se manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit në Republikën e Kosovës do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, shkruan Reporteri.net.

    Programi fillon në orën 05:03 me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të mbahet ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga kryeimami i KBI-së në Ferizaj, Ibrahim Beqiri.

    Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:18, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti.

    Hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.

    Kryesia e BIK-ut, sipas traditës, organizon pritje urimi në selinë e saj nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

    “Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ua uron festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona.
    Me fat festa e Fitër Bajramit!”, thuhet në njoftim.

  • 44 aktakuza u ngritën kundër 61 personave në 24 orët e fundit

    44 aktakuza u ngritën kundër 61 personave në 24 orët e fundit

    Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 44 aktakuza kundër 61 personave për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar 12 persona, si dhe janë parashtruar tri kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj tre personave të dyshuar për kryerje të veprave penale.

    Prokuroria Speciale, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar një person të dyshuar për veprën penale “Shpëlarja e parave”.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar dy persona, ka ushtruar një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për një person për vepër penale, si dhe ka ngritur pesë aktakuza kundër trembëdhjetë (personave për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një person të dyshuar, si ka parashtruar një kërkesë për caktim të paraburgimit kundër një personi. Ndërsa, nga kjo prokurori ka ngritur njëmbëdhjetë aktakuza kundër trembëdhjetë personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur pesë (5) aktakuza kundër pesë (5) personave.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit të shtetit, ka ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orëve, si dhe ka ngritur pesë (5) aktakuza kundër pesë (5) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, kundër një (1) personi, ka ngritur katër (4) aktakuza, kundër katër (4) personave, si dhe ka ndaluar një (1) person në kohëzgjatje prej 48 orësh, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar pesë (5) persona, si dhe ka ngritur gjashtë (6) aktakuza kundër gjashtë (6) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24-orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar dhe ka ngritur tetë (8) aktakuza kundër pesëmbëdhjetë (15) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Në vijim gjeni raportin e veçuar për secilën prokurori:

    1. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës

    Ndalimet e personave me urdhër të prokurorit:

    Prokuroria Speciale, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar një (1) person të dyshuar për veprën penale “Shpëlarja e parave”.

    2. Prokuroria Themelore Prishtinë

    Ndalimet e personave me urdhër të prokurorit:

    Departamenti i Përgjithshëm- Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ka ndaluar një (1) person për vepër penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, si dhe ka ndaluar një (1) person për vepër penale ‘’Rrezikim i trafikut publik’’.

    Kërkesat për caktimin e paraburgimit apo masa të tjera:

    Departamenti i Përgjithshëm- Me Urdhër të Prokurorit të Shtetit ka ushtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për një (1) person për vepër penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ si dhe veprën penale ‘’Kanosja’’.

    Aktakuzat:

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur pesë (5) aktakuza kundër trembëdhjetë (13) personave, për vepër penale:

    Një (1) aktakuzë kundër tetë (8) personave, për vepër penale ‘’Pranimi i ryshfetit në sektorin privat’’

    Një (1) aktakuzë kundër dy (2) personave, për vepër penale ‘’Dhunë në familje’’

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi, për vepër penale ‘’Kanosja’’

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi, për vepër penale ‘’Vjedhja’’

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për vepër penale ‘’Ngacmimi’’

    3. Prokuroria Themelore Prizren

    Ndalimet e personave me urdhër të prokurorit:

    Departamenti i Përgjithshëm, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë, një (1) person të dyshuar për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Kanosja” sipas KPRK-së.

    Kërkesat për caktim të paraburgimit (apo masa tjera):

    Departamenti i Krimeve të Rënda, ka parashtruar një (1) kërkesë për caktim të paraburgimit ndaj një (1) personi të dyshuar për veprën penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi” sipas KPRK-së.

    Aktakuzat:

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur njëmbëdhjetë (11) aktakuza kundër trembëdhjetë (13) personave, për veprat penale si në vijim:

    Dy (2) aktakuza kundër dy (2) personave për veprën penale “Vjedhja”;

    Një (1) aktakuzë kundër dy (2) personave për veprat penale “Kanosja”, “Sulmi” dhe “Dhuna në familje”;

    Një (1) aktakuzë kundër dy (2) personave për veprat penale “Sulmi” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”;

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprën penale “Sulmi”;

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprën penale “Kanosja”;

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”;

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprën penale “Mashtrimi”;

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”;

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprat penale “Sulmi” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”;

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprën penale “Vjedhja e shërbimeve”.

    4. Prokuroria Themelore Pejë

    Aktakuzat:

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprën penale “Ndërtimi pa leje”

    Dy aktakuza kundër dy (2) personave për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprën penale “Sulmi”

    5. Prokuroria Themelore Gjilan

    Ndalimet e personave me urdhër të prokurorit:

    Prokuroria Themelore në Gjilan, në një rast, me urdhër të prokurorit kujdestar, të martën me datë 17 mars 2026 ka ndaluar një (1) person, i dyshuar për veprën penale Bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet nga neni 240 i Kodit Penal të Kosovës.

    Aktakuzat:

    Prokuroria Themelore në Gjilan, me datë 17 mars 2026 ka ngritur pesë (5) aktakuza kundër pesë (5) personave, për veprat penale, si në vijem:

    Dy (2) aktakuza kundër dy (2) personave pë veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit ’’;

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprën penale “Vjedhja”

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”;

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprën penale “Ndertimi pa leje, dhe Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.

    6. Prokuroria Themelore Gjakovë

    Ndalimet e personave me urdhër të prokurorit:

    Gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Kanosja”.

    Kërkesat për caktimin e masës së paraburgimit (apo masa tjera):

    Prokuroria Themelore Gjakovë, ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, kundër një (1) personi, për shkak të veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Aktakuzat:

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur katër (4) aktakuza, kundër katër (4) personave, për veprat penale, si në vijim:

    Një (1) aktakuzë, kundër një (1) personi, për veprën penale “Dhuna në familje”,

    Një (1) aktakuzë, kundër një (1) personi, për veprën penale “Lëndimi i lehtë truporë”,

    Një (1) aktakuzë, kundër një (1) personi, për veprën penale “Kanosja”,

    Një (1) aktakuzë, kundër një (1) personi, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    7. Prokuroria Themelore Mitrovicë

    Ndalimet e personave me urdhër të prokurorit:

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar një (1) person për veprën penale “Vrasja në tentativë”, dy (2) persona për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm“, një (1) person për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik“, si dhe një (1) person është ndaluar për veprën penale “Përvetësimi në detyrë“.

    Aktakuzat:

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ngritur gjashtë (6) aktakuza kundër gjashtë (6) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Dy (2) aktakuza kundër dy (2) personave, për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”,

    Dy (2) aktakuza kundër dy (2) personave, për veprën penale “Dhuna në familje“,

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”,

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi, për veprën penale “Kanosja”.

    8. Prokuroria Themelore Ferizaj

    Ndalimet e personave me urdhër të prokurorit:

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar një (1) person në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale ““Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Aktakuzat:

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka ngritur tetë (8) aktakuza kundër pesëmbëdhjetë (15) personave, për veprat penale si në vijim:

    Dy (2) aktakuza kundër dy (2) personave për veprën penale “Kanosja”,

    Një (1) aktakuzë kundër tre (3) personave për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”,

    Një (1) aktakuzë kundër tre (3) personave për veprën penale “Vjedhja e pyllit”,

    Një (1) aktakuzë kundër dy (2) personave për veprën penale “Ndërtimi pa leje”,

    Një (1) aktakuzë kundër dy (2) personave për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”,

    Një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

  • Izraeli vendos në shënjestër edhe ministrin iranian të Inteligjencës, Esmail Khatib

    Izraeli vendos në shënjestër edhe ministrin iranian të Inteligjencës, Esmail Khatib

    Izraeli shënjestroi Ministrin iranian të Inteligjencës, Esmail Khatib, në një sulm gjatë natës në Teheran. Kështu është bërë me dije sipas një zyrtari izraelit. Ky sulm vjen një ditë pas vrasjes së zyrtarit më të lartë të sigurisë së vendit, Ali Larijani.

    Zyrtari tha se Izraeli ende nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha të martën se Izraeli do të vazhdojë të shënjestrojë dhe vrasë anëtarë të udhëheqjes së Iranit.

    “Kryeministri dhe unë i kemi udhëzuar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit të vazhdojnë ndjekjen e udhëheqjes së regjimit të terrorit dhe represionit në Iran”, tha Katz në një deklaratë.

  • 30 ditë paraburgim ndaj prindërve të 5-vjeçarit në Lipjan

    30 ditë paraburgim ndaj prindërve të 5-vjeçarit në Lipjan

    Janë caktuar 30 ditë paraburgim ndaj prindërve të pesëvjeçarit në Janjevë të Lipjanit, të dyshuar për neglizhencë dhe keqtrajtim ndaj fëmijës.

    Kështu ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shal.

    “E konfirmoj se është mbajtur seanca dëgjimore dhe është aprovuar kërkesa e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurve nga Gjykata kompetente”, tha Shala.

    Pesëvjeçari u dërgua në QKUK në gjendje të rëndë shëndetësore, me plagë të rënda në shputa, dhe i njëjti pritet që sonte të hyjë në operim.