ATV

Blog

  • Ligji për të Huajt, Kurti: Veç po e zbatojmë ligjin e para 13 vjetëve

    Ligji për të Huajt, Kurti: Veç po e zbatojmë ligjin e para 13 vjetëve

    Kryeministri Albin Kurti, është pyetur lidhur me marrëveshjen mes Kosovës dhe BE-së për Ligjin për të Huajt.

    Kurti tha se qeveria thjesht po e zbaton ligjin në bashkëpunim me Bashkëpunimin Evropian.

    “Veç po e zbatojmë ligjin e qysh para 13 vjetëve”, tha ai.

    Kështu deklaroi Kurti gjatë përurimit të segmentit të rrugës Vushtrri-Prishtinë.

  • Në prag të festës së Bajramit, përmallohet Selvija: Më plasi zemra nga mungesa jote, Shpat!

    Në prag të festës së Bajramit, përmallohet Selvija: Më plasi zemra nga mungesa jote, Shpat!

    Pak ditë para festës së Fitër Bajramit, Selvija, bashkëshortja e të ndjerit Shpat Kasapi, ka prekur zemrat e gjithsecilit me një postim tejet të dhimbshëm.

    Janë bërë disa muaj që kur Shpati ka ikur nga kjo botë, dhe Selvija ka deklaruar se nuk e di se si do ta presë këtë festë pa praninë e burrit të saj, transmeton Klankosova.

    “M’plasi kjo zemër nga mungesa jote o jetë, sa të vetëm na ke lënë bashkë me Roelin e nuk e di se si do të vijë festa e Bajramit pa praninë tënde”, ka shkruar ajo.

    Kujtojmë se artisti vdiq në Itali pas një arresti kardiak. Atje, ai kishte shkuar bashkë me Selvijen dhe djalin, për shërimin e vogëlushit.

  • Apeli rrëzon vendimin e Themelores, paraburgim për tre personat që u kapën me 1 milion euro në Merdar

    Apeli rrëzon vendimin e Themelores, paraburgim për tre personat që u kapën me 1 milion euro në Merdar

    Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj vendimit të shkallës së parë, duke caktimin e masës së paraburgimit ndaj policit Aurel Kaziu, si dhe Edmir Ahmagjokajt dhe Ardit Laskas, të dyshuar për shpërlarje të parave rreth 1 milion euro, shumë me të cilën më 24 shkurt 2026 u kapën në pikën kufitare në Merdar.

    “II. CAKTOHET masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh, e cila masë do t’iu llogaritet nga momenti i arrestimit të të pandehurve dhe do t’iu zgjat deri në përfundimin e afarit prej 30 ditësh, në përputhje me nenin 184 paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2, 1.2.3 të KPP-së, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të përshkruara në hyrje të këtij aktvendimi”, thuhet në aktvendimin e 18 marsit 2026.

    Themelorja më 9 mars 2026 edhe në rivendosje kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kundër këtij aktvendimi, në afat ligjor ka ushtruar ankesë Prokuroria Speciale për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale dhe vlerësimit të gabuar ose jo të plotë të fakteve.

    Prokuroria kishte propozuae që Gjykata e Apelit të ndryshojë aktvendimin e ankimuar ashtu që ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit, ose aktvendimi i ankimuar të prishet dhe çështja të kthehet në rivendosje.

    Kurse, Prokuroria e Apelit e Kosovës, me shkresë ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale dhe ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit.

    Në ankesë, Prokuroria Speciale pretendon se aktvendimi i ankimuar është nxjerrë si rezultat i interpretimit dhe zbatimit të gabuar të standardit juridik të dyshimit të bazuar të paraparë me nenin 184 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe mbi një vlerësim jo të drejtë dhe jo tërësor të materialit faktik të paraqitur nga Prokuroria.

    Prokuroria pretendoi se gjykata shkallës së parë ka arritur në përfundim të gabuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

    “Me këtë rast, gjykata ka vlerësuar provat në mënyrë të fragmentuar dhe jashtë kontekstit të tyre kumulativ, duke aplikuar një standard provueshmërie më të lartë se ai i kërkuar në këtë fazë procedurale, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në ligjshmërinë e vendimit të nxjerrë”, citohen pretendimet e Prokurorisë.

    Në rastin konkret, PSRK pretendon se dyshimi i bazuar mbështetet në prova konkrete të cilat i ka ofruar në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

    “Gjykata në arsyetimin e saj ka konkluduar se prokuroria nuk ka paraqitur prova që mbështesin dyshimin e bazuar, duke konsideruar se kallëzimi penal, raporti i Doganës, deklaratat e të dyshuarve dhe fotografitë e mjeteve monetare nuk kanë vlerë provuese”, thuhet të ketë pretenduar Prokuroria.

    Një qasje e tillë, sipas Prokurorisë, paraqet interpretim të gabuar të fazës procedurale në të cilën ndodhet çështja penale, pasi që në këtë stad të hershëm të procedurës nuk kërkohet provim i plotë i veprës penale, por ekzistimi i rrethanave objektive që krijojnë probabilitet të arsyesshëm se vepra penale është kryer dhe se personat konkret janë të përfshirë në të.

    “Vetë fakti se gjatë kontrollit kufitar është zbuluar një shumë jashtëzakonisht e madhe monetare, e fshehur në bunker të modifikuar brenda automjetit dhe e pa deklaruar para autoriteteve doganore, përbën rrethanë objektive të mjaftueshme që bindë një vëzhgues objektiv për ekzistimin e mundësisë reale të kryerjes së veprës penale dhe për përfshirjen e personave që ushtronin kontroll faktik mbi automjetin dhe transportin”, thuhet në vendim./BetimipërDrejtësi/

  • Festa e Bajramit – Inspektorati në terren, kontrollohen çmimet në gjithë Kosovën

    Festa e Bajramit – Inspektorati në terren, kontrollohen çmimet në gjithë Kosovën

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pohoi se gjatë gjithë javës, përfshirë edhe ditën e sotme, ka organizuar një aksion të gjerë inspektimesh në tërë territorin e Republikës së Kosovës, e që është duke vazhduar në prag të festës së Bajramit.

    Sipas IQMK-së, ky aksion ka për qëllim verifikimin e çmimeve, kontrollin e flamujve të origjinës së produkteve, si dhe saktësinë e deklaracioneve të vendosura për konsumatorët.

    “Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorëve nga praktikat e padrejta tregtare dhe nga çdo veprim që bie ndesh me legjislacionin në fuqi.

    Përmes këtyre kontrolleve synohet garantimi i transparencës në treg dhe sigurimi i një mjedisi të drejtë dhe të besueshëm për qytetarët” thuhet në njoftim.

    Ndaj të gjithë operatorëve ekonomikë, që janë konstatuar se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, janë ndërmarrë masa ndëshkuese në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

    Me këtë rast, Inspektorati deklaron se do të vazhdojë me aktivitete të tilla edhe në ditët në vijim, duke u siguruar që të drejtat e konsumatorëve respektohen plotësisht dhe se tregu funksionon në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara.

  • Gjermania nuk pritet të financojë më këshillimet për azilin

    Gjermania nuk pritet të financojë më këshillimet për azilin

    Shumë qendra gjermane që ofrojnë ndihmë për azilkërkuesit do të përballen me vështirësi financiare vitin e ardhshëm. Sipas mediave, Ministria Brendshme nuk do të mbështesë më shërbimet e pavarura të këshillimit për azil.

    Qeveria gjermane me sa duket po planifikon të ndërpresë financimin për këshillimin e pavarur të azilkërkuesve vitin e ardhshëm. Ofruesit e këtij këshillimi, përfshirë organizatat e mëdha të ndihmës, janë informuar në përputhje me rrethanat, sipas raporteve nga rrjeti hetimor Correctiv dhe RedaktionsNetzwerk Deutschland (RND).

    Ministria e Brendshme, e kryesuar nga Alexander Dobrindt (CSU), deri më tani ka deklaruar vetëm: “Vendimet në lidhje me ndarjen e fondeve merren brenda kuadrit të negociatave të buxhetit”, tha një zëdhënës për RND. Negociatat e buxhetit për vitin 2027 janë ende në pritje.

    Politikani i Partisë së Gjelbër konfirmoi raportimet

    Eksperti i buxhetit i Të Gjelbërve Leon Eckert i konfirmoi raportimet, se Ministria e Brendshme po përmend kufizimet buxhetore në vendimin e saj, sipas politikanit të Partisë së Gjelbër.

    Eckert kritikoi Dobrindt, duke thënë se me këtë veprim ai “po vazhdon qasjen e tij të pamatur ndaj politikës së migracionit dhe çështjeve humanitare”.

    Sipas Correctiv, 25 milionë euro janë ende të destinuara për financimin e organizatave përkatëse këtë vit. Marrëveshja e koalicionit të CDU/CSU dhe SPD thekson, se do ta “vlerësojmë shërbimin e këshillimit të pavarur për procedurën e azilit pa paragjykime”. Ai u prezantua nga koalicioni i mëparshëm qeverisës më 1 janar 2023./DW/

  • Joseph: Avancimi i Kosovës drejt NATO-s, do ta detyronte Serbinë të ndryshojë qasje

    Joseph: Avancimi i Kosovës drejt NATO-s, do ta detyronte Serbinë të ndryshojë qasje

    Ish-zyrtari i lartë i misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward P. Joseph, ka shpjeguar mënyrat se si Serbia mund të vihet përballë realitetit në Ballkanin Perëndimor.

    Eksperti amerikan theksoi se Serbia nuk ka alternativë tjetër strategjike përveç integrimit në Bashkimin Evropian, duke shtuar se “Serbia nuk mund të shndërrohet në një Bjellorusi të Evropës”.

    Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe veçanërisht NATO duhet të përdorin ndikimin e tyre për ta shtyrë Beogradin drejt një vendimi të qartë politik.

    “Kam argumentuar se këta aktorë duhet të ushtrojnë presion të koordinuar. Gjithashtu kam theksuar se avancimi i Kosovës drejt NATO-s do ta detyronte Serbinë të përballet me realitetin”, deklaroi Joseph.

    Duke komentuar propozimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama për anëtarësimin e Serbisë dhe Shqipërisë në BE pa të drejtë vetoje, Joseph e cilësoi këtë ide si një “kal të Trojës”.

    Sipas tij, një qasje e tillë mund të shkaktojë përçarje brenda vetë Bashkimit Evropian, veçanërisht në kontekstin e zgjerimit të ardhshëm.

    Ai shtoi se në rastin e Serbisë, qëllimi duket të jetë frenimi i përparimit të shpejtë të Malit të Zi drejt BE-së, duke bërë një krahasim me qëndrimin e presidentit rus Vladimir Putin ndaj anëtarësimit të Ukrainës në BE.

    “Për Vuçiçin, një zhvillim i tillë do të përbënte një humbje strategjike dhe një poshtërim politik”, përfundoi Joseph./berliner-zeitung

  • Kosova gati për sfidën ndaj Bosnjë-Hercegovinës në Tuzëll në hendboll

    Kosova gati për sfidën ndaj Bosnjë-Hercegovinës në Tuzëll në hendboll

    Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka mbërritur në Tuzëll të Bosnjë-Hercegovinës. Ekipi në arenën “Mejdan”, sonte nga ora 20:00 do të përballet me Bosnjë-Hercegovinën.

    Përzgjedhësi Jesper Östlund është shprehur i kënaqur me gjendjen e ekipit dhe përkushtimin e treguar gjatë përgatitjeve, duke vlerësuar se skuadra është e gatshme për sfidën e radhës.

    Edhe lojtarët janë shfaqur të motivuar për të dhënë maksimumin në këtë përballje të rëndësishme, me synimin për të siguruar një rezultat pozitiv që do të rriste gjasat për kualifikim.

    Ndeshja e kthimit do të zhvillohet të dielën në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, me fillim nga ora 17:00.

    Dy takimet ndaj Bosnjë-Hercegovinës janë vendimtare për fazën e dytë kualifikuese. Skuadra që del më e suksesshme nga këto përballje do të avancojë në fazën e tretë dhe të fundit kualifikuese, ku e presin Ishujt Faroe.

    Kosova e ka kaluar me sukses fazën e parë kualifikuese, duke regjistruar dy fitore ndaj Britanisë së Madhe, dhe tashmë synon të vazhdojë rrugëtimin drejt një kualifikimi historik.

    Kombëtarja pret mbështetje të madhe nga tifozët, veçanërisht në ndeshjen e kthimit në Prishtinë, në përpjekje për të arritur një sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. /RTK/

  • Hapet ekspozita personale e fotografit Blerim Gjinovci

    Hapet ekspozita personale e fotografit Blerim Gjinovci

    Mbrëmë u hap ekspozita personale e fotografisë “Përtej Pamjes – Njeriu, Natyra dhe Dinjiteti” nga Blerim Gjinovci, shkruan KultPlus.

    Kjo ekspozitë sjellë një reflektim të ndjeshëm mbi raportin mes njeriut dhe mjedisit.

    Gjithashtu, ajo trajton dinjitetin në përditshmëri përmes detajeve vizuale që shpesh kalojnë pa u vënë re, por mbartin histori të thella.

    Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 27 mars 2026.

  • Fatura e gazit po ju rritet pa arsye? Ky detaj i fshehur në shporet po ju kushton para çdo ditë

    Fatura e gazit po ju rritet pa arsye? Ky detaj i fshehur në shporet po ju kushton para çdo ditë

    Gatuani njësoj, por paguani më shumë? Shkaku mund të jetë një problem i vogël që shumica e njerëzve e injorojnë – dhe që zgjidhet për pak minuta

    Diçka nuk po funksionon si duhet, por nuk mund ta kuptoni saktësisht se çfarë. Gatuani njësoj si më parë, nuk ndryshoni zakonet, nuk qëndroni më gjatë pranë shporet se zakonisht, ndërsa fatura e gazit rritet ngadalë, por me siguri. Në një moment, madje ndaloni edhe së vëni në dyshim, pranoni se gjithçka është shtrenjtuar dhe se nuk ka shumë hapësirë për kontroll.

    Por e vërteta shpesh është shumë më e thjeshtë.

    Ekziston një detaj i vogël që shumica e njerëzve e injorojnë plotësisht, e që ndikon drejtpërdrejt në sasinë e gazit që konsumoni çdo ditë. Dhe jo, nuk bëhet fjalë për ndonjë defekt që kërkon mjeshtër, as për diçka që do t’ju kushtojë.

    Flaka e dobët nuk është vetëm bezdisëse, por edhe më e kushtueshme nga sa mendoni
    Kur djegësi nuk punon si duhet, flaka nuk është më e qëndrueshme. Ajo bëhet e dobët, e shpërndarë ose e pabarabartë, dhe në këtë rast gazi nuk digjet siç duhet.

    Në praktikë kjo do të thotë një gjë: shpenzoni më shumë, ndërsa përfitoni më pak.

    Ushqimi gatuhet më ngadalë, pllaka e shporet qëndron e ndezur më gjatë se sa duhet dhe çdo vakt, pa e vënë re, ju kushton më shumë se më parë. Ajo që duket si një detaj i vogël në përditshmëri, në fund të muajit bën diferencë.

    Shumë do të mendojnë se problemi qëndron te vetë shporeti ose te vjetërsia e tij, por në shumicën e rasteve shkaku është shumë më i thjeshtë: vrima e gazit e bllokuar ose vrimat e djegësit të ndotura.

    Truku me gjilpërë që e zgjidh problemin për disa minuta
    Zgjidhja nuk kërkon produkte të veçanta dhe as shumë kohë.

    Mjafton një gjilpërë e zakonshme ose një kunj i hollë.

    Duhet të hiqni me kujdes djegësin, të gjeni vrimën e vogël nga del gazi dhe ta pastroni butësisht. Nëse vëreni se edhe vetë djegësit janë të bllokuar, mund t’i pastroni edhe vrimat e tyre.

    I vetmi rregull që nuk duhet anashkaluar është që të gjitha pjesët të jenë plotësisht të thata para se t’i vendosni sërish në vend. Kjo është e gjitha.

    Pa shpenzime shtesë, pa kimikate dhe pa thirrur mjeshtër, ndërsa ndryshimi në funksionimin e shporet shpesh vërehet që në ndezjen e parë.

  • Kosova dhe Shqipëria cilësohen si vende “pjesërisht të lira” nga Freedom House

    Kosova dhe Shqipëria cilësohen si vende “pjesërisht të lira” nga Freedom House

    Kosova dhe Shqipëria janë cilësuar si vende “pjesërisht të lira” në raportin më të fundit vjetor të organizatës Freedom House me seli në Uashington.

    Megjithatë, Kosova ka shënuar një përmirësim të vogël në Raportin e vitit 2026 për Lirinë në Botë, duke u vlerësuar me 61 pikë nga 100, një më shumë se një vit më parë.

    Në raportin e publikuar më 19 mars thuhet se në Kosovë “gjykatat kanë nxjerrë vendime që dëshmojnë pavarësinë e tyre, megjithëse janë përballur me trysni të madhe politike”.

    Sipas raportit, kriza politike dhe institucionale që goditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, kur vendi u qeveris pothuajse tërë kohën nga një qeveri në detyrë, ka ndikuar në përparimin e vendit në gjyqësor, shkruan Evropa e Lirë.

    “Në Kosovë, për shembull, ligjvënësit e sapozgjedhur nuk arritën të formonin një qeveri për pjesën më të madhe të vitit, ndërsa qeveria në detyrë thuhet se e tejkaloi mandatin e saj teknik, duke rezultuar në zgjedhje të parakohshme; kjo bllokadë i zbehu përparimet e vendit në pavarësinë gjyqësore dhe sigurinë fizike”, thuhet në raport.

    Në raportin paraprak, kur Kosova kishte 60 pikë, vendi vlerësohej se kishte shumë institucione publike të minuara nga korrupsioni, se gazetarët përballeshin me frikësim dhe se sundimi i ligjit pengohej nga ndërhyrjet dhe mosfunksionimi në sistemin gjyqësor.

    Si renditen vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

    Nga vendet e rajonit, Serbia qëndron më së keqi, pasi vlerësohet me 53 pikë, ndërsa Bosnja e Hercegovina me 54 pikë.

    Shqipëria, ndërkohë, vlerësohet më së larti, me 69 pikë, e ndjekur nga Mali i Zi me 68 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 67 pikë.

    Edhe Shqipëria shënoi përparim për një pikë, krahasuar me raportin e vitit të kaluar.

    Raporti Liria në Botë përfshin vlerësime dhe raporte për vendet mbi të drejtat politike dhe liritë qytetare në 195 vende dhe 13 territore në mbarë botën.

    Raporti i këtij viti mbulon zhvillimet nga 1 janari 2025 deri më 31 dhjetor 2025.

    Puçet ushtarake, dhuna kundër protestuesve paqësorë dhe përpjekjet për të dobësuar garancitë kushtetuese gjatë vitit 2025, bënë që ky të ishte viti i 20-të radhazi të rënies së lirisë globale, sipas raportit nga Freedom House.

    Raporti zbuloi se 54 vende përjetuan përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 35 shënuan përmirësime.

    Sot, vetëm 21 për qind e popullsisë së botës jeton në vende të vlerësuara si të lira, një rënie nga 46 për qind që ishte para dy dekadash, thuhet në raport.

    Guinea-Bissau, Tanzania, Burkina Faso, Madagaskari dhe El Salvadori shënuan rëniet më të mëdha të pikëve brenda një viti, ndërsa Siria, Sri Lanka, Bolivia dhe Gaboni gëzuan përmirësimet më të mëdha.

    Tri vende – Bolivia, Fixhi dhe Malaui – u përmirësuan nga statusi “pjesërisht të lira” në “të Lira”, falë zgjedhjeve konkurruese, rritjes së pavarësisë së gjyqësorit dhe forcimit të sundimit të ligjit.