ATV

Blog

  • Atletico Madrid siguron Cristian Romeron, marrëveshje prej 40 milionë eurosh me Tottenhamin

    Atletico Madrid siguron Cristian Romeron, marrëveshje prej 40 milionë eurosh me Tottenhamin

    Atletico Madridi ka arritur marrëveshje me Tottenhamin për transferimin e kapitenit Cristian Romero, në një lëvizje që pritet të jetë një nga përforcimet më të rëndësishme të klubit madrilen këtë verë.

    Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Atletico ka rënë dakord të paguajë një paketë prej 40 milionë eurosh, përfshirë bonuset, për mbrojtësin argjentinas.

    Romero, 28-vjeçar, pritej prej kohësh të largohej nga Tottenhami dhe tashmë duket se e ka gjetur destinacionin e ri. Argjentinasi pritet ta vazhdojë karrierën në La Liga, ku do t’i bashkohet projektit ambicioz të Atletico Madridit.

    Për mbrojtësin kishte interesim edhe nga Interi, por klubi italian nuk ishte në gjendje të përmbushte kërkesat e tij financiare për pagën.

    Në garë për Romeron ishte përfolur edhe Arsenali. Madje, raportimet sugjeronin se lojtari ishte i hapur për një kalim te rivalët londinezë. Një transferim i tillë do të kishte qenë veçanërisht i bujshëm, pasi Romero do të bëhej lojtari i parë që kalon drejtpërdrejt nga Tottenham te Arsenali që nga Sol Campbell në vitin 2001.

    Megjithatë, Tottenham nuk dëshironte ta lejonte një lëvizje të tillë dhe tani Romero është shumë pranë një kapitulli të ri në Spanjë.

    Me afrimin e kapitenit të Tottenhamit, Atletico Madrid pritet të kompletojë transferimin e katërt të kësaj vere, duke forcuar edhe më shumë repartin defensiv.

    Nëse procedurat e fundit përfundojnë pa probleme, Romero së shpejti do të nisë aventurën e tij të re me fanellën e Atletico Madridit.

  • Galatasaray refuzon 130 milionë euro për Osimhenin, Al-Hilal këmbëngul për yllin nigerian

    Galatasaray refuzon 130 milionë euro për Osimhenin, Al-Hilal këmbëngul për yllin nigerian

    Galatasaray ka refuzuar një ofertë prej 130 milionë eurosh nga Al-Hilal për Victor Osimhenin, duke mos pranuar të nisë negociata për largimin e sulmuesit nigerian.

    Sipas gazetarit Florian Plettenberg të Sky Sport, oferta është përcjellë përmes një ndërmjetësi dhe ka qenë fillimisht verbale. Al-Hilal e sheh Osimhenin si objektivin kryesor për përforcimin e sulmit, por përgjigjja e parë nga Stambolli ka qenë negative.

    Galatasaray, të paktën për momentin, nuk dëshiron të ulet në tavolinën e bisedimeve. Sulmuesi 27-vjeçar konsiderohet një prej figurave më të rëndësishme të skuadrës dhe klubi turk nuk është i gatshëm ta humbasë lehtë yllin e tij.

    Osimhen ka vazhduar të jetë një prej protagonistëve kryesorë të Galatasarayt, ndërsa paraqitjet e tij kanë rritur edhe më shumë interesimin nga klubet e mëdha. Al-Hilal, nga ana tjetër, po kërkon të ndërtojë një repart ofensiv të nivelit të lartë dhe e ka vendosur nigerianin në krye të listës së dëshirave.

    Megjithatë, situata mund të ndryshojë në ditët në vijim. Edhe pse Galatasaray ka refuzuar ofertën e parë, mbetet për t’u parë nëse klubi saudit do të rikthehet me një propozim të ri dhe nëse kjo do të mjaftojë për të ndryshuar qëndrimin e drejtuesve turq.

    Për momentin, mesazhi nga Stambolli është i qartë: Galatasaray nuk dëshiron negociata për Osimhenin, ndërsa Al-Hilal duhet të bëjë një tjetër përpjekje nëse dëshiron ta transferojë sulmuesin nigerian.

  • Bastiset shtëpia e të dyshuarit për spiunazh, sekuestrohen rreth 40 mijë euro

    Bastiset shtëpia e të dyshuarit për spiunazh, sekuestrohen rreth 40 mijë euro

    I arrestuari sot në pikën kufitare në Merdare, nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”, F. S., me aktvendim të Prokurorisë Speciale, është ndaluar për 48 orë.

    Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.

    Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale:

    para të gatshme në vlerë prej 39 mijë e 500 eurosh;

    para të gatshme në vlerë prej 500 dinarësh;

    katër (4) telefona celularë;

    dokumente të ndryshme relevante për rastin.

    Prokuroria, brenda afatit të përcaktuar ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë mbeten të angazhuara për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore në lidhje me rastin.

  • PDK dhe Aleanca i bëjnë thirrje Deharit: Seanca të mbahet nesër në 11:00

    PDK dhe Aleanca i bëjnë thirrje Deharit: Seanca të mbahet nesër në 11:00

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbahet nesër në orën 11:00, duke i bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që ta thërrasë atë në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se partia e tij ka bërë kërkesë zyrtare që Dehari ta ushtrojë detyrën dhe ta thërrasë seancën.

    Ai tha se ftesë për të qenë nesër prezent në Kuvend në Kuvend u kanë bërë edhe partive të tjera.

    “Me bë ftesë publike, edhe kryesuesit e seancës: zotëri Dehari, mirëpo edhe partisë Vetvendosje, e cila është duke pengu konstituimin e parlamentit. Ne si Parti Demokratike e Kosovës i kemi bërë kërkesë zyrtare sot që ai ta ushtrojë detyrën e vet në bazë të rregullores së punës së parlamentit, ta respektojë ligjin, ta respektojë kushtetutën dhe ta thërret seancën në mënyrë që të konstituohet parlamenti, dhe të kemi normalitet dhe ekonomi Republikës së Kosovës të jetë funksional, gjithashtu edhe subjekteve të tjera politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, i kemi dërgu ftesën që nesër në ora 11:00 të jenë prezent. Partia Demokratike e Kosovës do të jetë prezent, aleanca është përgjigj pozitivisht dhe presim që do të përgjigjen edhe subjektet e tjera për shkak që është obligim kushtetues moral i secilit prej neve që të jemi në seancë dhe ta funksionalizojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ai.

    Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se situata aktuale paraqet, sipas tij, “emergjencë kombëtare” dhe tendencë për shkatërrimin e rendit kushtetues.

    “Rrethana të cilat jemi si Kosovë dhe rrethana në të cilat është sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, realisht tregojnë për një jo vetëm emergjencë kombëtare, mirëpo për një tendencë të shkatërrimit të rendit kushtetues, dhe njëkohësisht të pamundësimit të ushtrimit të funksionit të deputetit në Kuvendin e Kosovës aty ku na ka dhënë besimin sovrani, aty ku ne kemi vendin bazë të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sot ne kemi dërguar një kërkesë zyrtare si aleancë, por në koordinim me partitë politike që kanë qenë në opozitë, kemi kërkuar takim me kryesuesin e seancës konstituive, zotin Dehari, në mënyrë që nesër, në orën 11:00, kur kalojnë 48-orëshi, në bazë të përcaktimit rregullores së Kuvendit, të ndodhë seanca. Nuk kemi pasur asnjë përgjigje, nuk kemi marrë asnjë koment, dhe asnjë konsiderim për me ndodhë Kuvendi”, tha ai.

    Tahiri tha se partitë opozitare fillimisht do të ndjekin rrugët institucionale, ndërsa paralajmëroi edhe veprime politike në rast se, siç tha ai, vazhdon pamundësimi i ushtrimit të mandatit të deputetëve.

    “Çka do të thotë kjo? Është shumë e thjeshtë. Kur neve na pamundësohet ushtrimi i funksionit tonë si deputet, dhe kur ne e shohim që ka nisur shpërbërja e institucioneve demokratike që fillojnë nga Kuvendi, dhe rrjedhimisht shkatërrimi i të arriturave të vendit tonë, nuk na mbetet tjetër veç t’i provojmë rrugë fillimisht institucionale, e pastaj t’i bëjmë veprimet tona politike në funksion të krijimit të rendit kushtetues në Kosovë. Ajo që na brengos shumë është se shkelja e Kushtetutës për vetë po ndodh vetëm në Kuvend, por po ndodh edhe në Qeveri. I kemi 17 ministra që shkojnë jashtëligjshëm në Qeveri, Prokuroria duhet të veproj”, tha ai.

  • Osmani: Jemi në mbrojtje të Kushtetutës, qëndrimet tona i bëjmë publike pas mbledhjes

    Osmani: Jemi në mbrojtje të Kushtetutës, qëndrimet tona i bëjmë publike pas mbledhjes

    Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka deklaruar se mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar të LDK-së është takim i rregullt, në të cilin do të diskutohen zhvillimet e fundit politike.

    Osmani tha se pas përfundimit të mbledhjes, deputetët e LDK-së do të dalin me një qëndrim të përbashkët.

    “Është takimi i grupit parlamentar, natyrisht për zhvillimet e fundit. Sapo të përfundojë takimi do të kemi deklaratë të përbashkët”, ka thënë Osmani.

    E pyetur lidhur me mungesën e deputetëve të LDK-së në seancën e djeshme, përkrah PDK-së dhe Aleancës, ajo tha se LDK-ja ka qenë në Kuvend dhe se qëndrimi i saj lidhet me mbrojtjen e Kushtetutës.

    “Çdo ditë jam në Kuvend. Çdo ditë jam në Kuvend. Edhe sot isha në Kuvend. Ne jemi në përkrahje të mbrojtjes së Kushtetutës”, është shprehur Osmani.

    Ajo shtoi se qëndrimet më të detajuara të LDK-së do të bëhen publike menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar.

  • I nxehti po merr jetë në Gjermani, 12 mijë e 500 vdekje këtë vit

    I nxehti po merr jetë në Gjermani, 12 mijë e 500 vdekje këtë vit

    Valët e të nxehtit në Gjermani gjatë këtij viti dyshohet se kanë shkaktuar rreth 12 mijë e 500 vdekje, shifër dukshëm më e lartë krahasuar me vitet e kaluara, ka njoftuar Instituti Robert Koch (RKI), autoriteti gjerman i shëndetit publik.

    Në raportin e fundit javor, janë bërë të ditur se numri i vdekjeve të lidhura me temperaturat e larta këtë vit është dukshëm më i madh krahasuar me mesataren e viteve të fundit.

    Sipas të dhënave të institutit, në vitin 2018 në Gjermani u regjistruan rreth 9 mijë e 400 vdekje të lidhura me të nxehtin, ndërsa në vitin 2019 rreth 7 mijë e 700 shkruan yaho.

    Vlerësimi i fundit përfshin periudhën nga 6 prilli deri më 2 gusht 2026.

    Instituti thekson se këto janë vlerësime konservatore dhe se numri real i vdekjeve të lidhura me temperaturat e larta mund të jetë edhe më i madh.

    Të dhënat e fundit vijnë në një kohë kur Gjermania, sikurse pjesë të tjera të Evropës, është përballur me periudha të gjata të temperaturave të larta gjatë verës,transmeton Sinjali.

  • Lakers drejt shitjes rekord, klubi pritet të kushtojë 12.5 miliardë dollarë

    Lakers drejt shitjes rekord, klubi pritet të kushtojë 12.5 miliardë dollarë

    Los Angeles Lakers janë pranë një ndryshimi të madh në pronësi, me klubin ikonë të NBA-së që pritet të shitet për një shifër rekord prej 12.5 miliardë dollarësh. Marrëveshja, e cila ende duhet të miratohet nga Bordi i Guvernatorëve të NBA-së, do t’ua kalonte kontrollin e skuadrës Josh Kushnerit dhe ish-drejtorit ekzekutiv të Disneyt, Bob Iger.

    Ky zhvillim vjen vetëm pak më shumë se një vit pasi Mark Walter bleu shumicën e aksioneve të Lakers për një vlerësim prej rreth 10 miliardë dollarësh. Nëse marrëveshja e re finalizohet, ajo do të vendoste një rekord të ri për vlerën e një skuadre sportive amerikane.

    Kushner dhe Iger kanë deklaruar se janë të nderuar nga mundësia për të marrë drejtimin e një prej ekskluziviteteve më të famshme sportive në botë, duke theksuar se synojnë të ruajnë trashëgiminë e familjes Buss dhe të rikthejnë Lakers në majat e basketbollit.

    Historia e klubit e bën këtë marrëveshje edhe më të jashtëzakonshme. Jerry Buss bleu Lakers në vitin 1979 për vetëm 67.5 milionë dollarë, ndërsa sot ekskluziviteti vlerësohet në 12.5 miliardë. Lakers kanë fituar 17 tituj të NBA-së dhe mbeten një prej markave më të fuqishme në sportin amerikan.

    Ndryshimi i pronësisë vjen në një periudhë të rëndësishme edhe për skuadrën në parket. Pas largimit të LeBron James drejt Philadelphia 76ers, Luka Donçiç është kthyer në figurën kryesore të projektit të Lakers. Slloveni e ka mirëpritur pronësinë e re dhe ka shprehur dëshirën për të rikthyer titullin kampion në Los Angeles.

    Për Lakers, kështu nis një kapitull i ri: një pronësi e re, një epokë e re dhe pritshmëri të mëdha për rikthimin në majën e NBA-së.

  • Haxhiu e mbron stafin e Kuvendit për deklaratën problematike, thotë se ajo është adresa ku opozita duhet të ankohet

    Haxhiu e mbron stafin e Kuvendit për deklaratën problematike, thotë se ajo është adresa ku opozita duhet të ankohet

    U.d presidentja Albulena Haxhiu, ka reaguar pas tensioneve të djeshme në parlament, duke kritikuar partitë e tjera, ku ka thënë se këto të fundit ‘’ nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje’’.

    Haxhiu, ka shtuar edhe se, nëse partitë e tjera kanë vërejtje ndaj punës së saj, atëherë, ato duhet t’i adresojnë ato drejtpërdrejt tek ajo ose përmes mekanizmave institucionale.

    ‘’ Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre. Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë.’’, ka shkruar ajo.

    Postimi:

    Mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes atyre që mbajnë përgjegjësi politike.

    Opozita nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale.

    Nëse opozita ka vërejtje ndaj punës sime, le t’i adresojë ato drejtpërdrejt tek unë ose përmes mekanizmave institucionalë. Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre.

    Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë.

    Këtë sjellje e dënoj publikisht dhe kërkoj që çdo pretendim konkret të paraqitet me fakte dhe në rrugë institucionale, e jo përmes sulmeve dhe insinuatave ndaj zyrtarëve të Kuvendit.

  • Tahiri i çon letër Deharit, kërkon takim për ‘‘koordinimin’’ e seancës së radhës: Duhet të mbahet nesër

    Tahiri i çon letër Deharit, kërkon takim për ‘‘koordinimin’’ e seancës së radhës: Duhet të mbahet nesër

    Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka njoftuar se, kryesuesit të seancës, Avni Deharit, i ka kërkuar takim ‘’ lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës’’, e cila, ka shtuar Tahiri, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, duhet të mbahet nesër.

    Tahiri, ka deklaruar edhe se, ai ka propozuar që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit.

    Sot i kam drejtuar një kërkesë Kryesuesit të Seancës Konstituive, z. Avni Dehari, për zhvillimin e një takimi lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës, e cila, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, duhet të mbahet nesër.

    Në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe të respektimit të procedurave parlamentare, kam propozuar që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit. Pres konfirmimin e kohës dhe vendit të takimit.

    Pas takimit do t’ju drejtohemi mediave në hollin e kuvendit.

  • Vudi Xhymshiti publikon fotomontazh me AI, Time Kadriaj thotë se do ta denoncojë në Gjykatë: S’e kam takuar Llugiqin

    Vudi Xhymshiti publikon fotomontazh me AI, Time Kadriaj thotë se do ta denoncojë në Gjykatë: S’e kam takuar Llugiqin

    Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ke hedhur poshtë raportimet se ajo në të kaluarën e kishte takuar personin, Skender Llugiqin, që dje bëri thirrje për pushkatimin e Ramush Haradinajt.

    Kadrijaj, ka thënë se fotoja e shpërndarë ku shihet ajo dhe Llugiqi, është bërë me inteligjencë artificiale dhe s’është e vërtetë.

    Deputetja e Aleancës, po ashtu ka paralajmëruar që do e denoncojë Vudi Xhymshitin i cili edhe e ka publikuar foton, duke thënë se le të merret drejtësia me këtë të fundit.

    Postimi:

    Të nderuar qytetar, se ku ka arrit poshtërsia e këtij pushteti po e dëshmoj tani.

    Me intilegjens artificiale e postuar nga Vudi Xhymshiti në rrjete sociale, se gjoja une kam takuar Skender Llugiqin, përsonin që ka kërcnuar Komandantin Ramush Haradinaj. Kjo nuk qëndron dhe është e pa vërtet.

    Personin në fjalë do ta denoncoj, dhe le të merren organet e drejtësis me të.

    Jeni në ramje të lirë, kësaj radhe ju ka dal fëtyra e vërtet.