ATV

Blog

  • Kosova në kërkim të finales së play-off-it për Kupën e Botës 2026

    Kosova në kërkim të finales së play-off-it për Kupën e Botës 2026

    Sonte Kombëtarja e Kosovës do të zbresë në fushë në ndeshjen kundër Sllovakisë,e cila është e vlefshme për fazën gjysmëfinale të kampionatit botëror të vitit 2026 në SHBA,Kanada dhe Meksikë.

    Dardanët synojnë që të fitojnë këtë ndeshje ndaj sllovakëve,e cila do të siguronte finalen e play-off-it që do të zhvillohej në Prishtinë,ku do të pres fituesin e ndeshjes Turqi-Rumani.

    Përndryshe Kombëtarja e Kosovës do të hyj me besim të plotë në këtë ndeshje ,ku vërehet një atmosferë pozitive mbrenda kampit dardan teksa ndeshja pritet të jetë e luftuar nga të dyja kombëtaret ku sllovakët do të synojnë të mbështetet tek publiku vendas,kurse dardanët synojnë të shfrytëzojë cilësitë individuale për të bërë dallimin në fushë.

    Sa i përket mungesave Kosova do të jetë pa kapitenin Amir Rrahmanin i cili është i lënduar teksa shiritin do ta mbajë sulmuesi Vedat Muriqi,kurse në anën tjetër tek Sllovakia mungesa më e rendësishme do të jetë qendërmbrojtësi i Fenerbahces Milan Skriniar.

    Fitorja ndaj Sllovakisë sonte do të ishte një hap i madh drejtë ëndrrës për botëror që do të mbahet në qershor dhe korrik,dhe do të ishte një motivim i madh për ndeshjen finale më 31 mars.

    Kujtojmë që ndeshja Sllovaki-Kosovë pritet të zhvillohet në stadiumin Tehelné pole në Bratisllavë me fillim nga ora 20:45.

  • U gjet i djegur, ky është personi që vdiq tragjikisht në Stroc të Vushtrrisë

    U gjet i djegur, ky është personi që vdiq tragjikisht në Stroc të Vushtrrisë

    Një ngjarje tronditëse ka ngjarë të mërkurën e 25 marsit në Stroc të Vushtrrisë, ku një burrë u gjet i djegur.

    Rastin e rëndë e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

    I njëjti deklaroi për redaksinë se rasti është iniciuar si “hetim mbi vdekjen”.

    Mësohet se viktima është Bejtullah Isufi, për vdekjen e së cilit kanë shkruar edhe familjarët e tij.

  • Ministri Muja nënshkruan vendimin për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike

    Ministri Muja nënshkruan vendimin për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka nënshkruar vendimin për racionalizimin e hapësirave administrative në Ministrinë e Bujqësisë.

    Kjo, është bërë e ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook në faqen zyrtare të ministrisë.

    Ky vendim hap rrugën për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike, duke shfrytëzuar pronën e shtetit dhe duke i dhënë fund kostove të panevojshme të qirasë.

    Postimi i plotë:

    Nga qiratë tek zhvillimi – një hap konkret për një shtet më efikas

    Sot kam nënshkruar një vendim për racionalizimin e hapësirave administrative në Ministrinë e Bujqësisë. Ky vendim hap rrugën për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike, duke shfrytëzuar pronën e shtetit dhe duke i dhënë fund kostove të panevojshme të qirasë.

    Po ashtu, po krijojmë Qendra të Integruara për Shërbime Bujqësore, që do të ofrojnë shërbime më të organizuara, më të shpejta dhe më afër fermerit.
    Rezultati: rreth 1 milion € kursime në vit. Këto kursime do të kthehen menjëherë në investime konkrete:

    🌱 Mbështetje për prodhimin vendor dhe fermerët
    🚜 Investime në mekanizim dhe teknologji bujqësore
    💧 Zgjerim i ujitjes dhe rritje e produktivitetit
    👩‍🌾 Mbështetje për të rinjtë dhe gratë në bujqësi
    Po ndërtojmë një administratë që kursen aty ku duhet dhe investon aty ku ka më shumë ndikim për qytetarët.

  • Katër muaj që Shpati ka ndërruar jetë, rrëqeth me fjalët bashkëshortja e tij

    Katër muaj që Shpati ka ndërruar jetë, rrëqeth me fjalët bashkëshortja e tij

    Katër muaj pas ndarjes nga jeta të këngëtarit të njohur shqiptar, Shpat Kasapi, dhimbja për humbjen e tij vazhdon të jetë e fortë, sidomos për familjen. Kujtimi i tij mbetet i gjallë përmes momenteve të ndara dhe fjalëve prekëse që njerëzit më të afërt zgjedhin të shprehin publikisht.

    Së fundmi, bashkëshortja e tij, Selvija, ka emocionuar ndjekësit në rrjetet sociale me një dedikim të ndjerë. Ajo publikoi në Instagram një fotografi të rrallë të Shpatit së bashku me djalin e tyre të vogël, Roelin, një imazh që reflekton lidhjen e fortë mes babait dhe të birit.

    Krahas fotos, Selvija ka zgjedhur fjalë që prekin drejtpërdrejt në zemër. Ajo e përshkroi Shpatin jo vetëm si një artist të dashur për publikun, por mbi të gjitha si një baba të pazëvendësueshëm për djalin e tyre. Në mesazhin e saj, ajo theksoi se përtej suksesit në skenë, roli më i rëndësishëm i tij ishte ai në familje.

    “Për botën ishe ylli i skenës, por për Roelin bota ishe vetëm ti! 4 muaj pa ty por gjithmonë në zemrat tona. Na mungon çdo sekondë, Shpat”

    Në vijim, ajo kujtoi edhe kohën që ka kaluar që nga largimi i tij, duke nënvizuar boshllëkun që ka lënë pas. Fjalët e saj shprehin një mall të thellë dhe një mungesë që ndihet çdo ditë, duke treguar se plagët e humbjes janë ende të freskëta.

    Ky dedikim prekës është një dëshmi e dashurisë së fortë dhe lidhjes së pazgjidhshme familjare, që vazhdon të jetojë edhe përtej mungesës fizike.

  • Çfarë po ndodh? Gruaja e përfshirë në të shtënat pranë shtëpisë së Rihanna-s flet për herë të parë

    Çfarë po ndodh? Gruaja e përfshirë në të shtënat pranë shtëpisë së Rihanna-s flet për herë të parë

    Gruaja nga Florida, e cila dyshohet se qëlloi me armë në rezidencën e yllit të muzikës pop, Rihanna, është deklaruar e pafajshme për tentativë vrasjeje dhe më shumë se një duzinë akuzash të lidhura me të.

    Ivanna Lisette Ortiz, 35 vjeç, akuzohet se është përpjekur të vrasë Rihannën pasi dyshohet se qëlloi me një pushkë gjysmëautomatike në rezidencën e muzikantit në Beverly Crest. Dokumentet e gjykatës pretendojnë se Ortiz po përpiqej të qëllonte Rihannën, reperin A$AP Rocky, tre fëmijët e tyre të vegjël dhe të tjerë që ishin në shtëpi dhe në një pronë tjetër ngjitur. Askush nuk u lëndua.

    Ortiz, e cila mund të përballet me burgim të përjetshëm, mbetet në paraburgim dhe e paraqiti deklaratën e saj të mërkurën në Gjykatën e Lartë të Qarkut të Los Angeles përmes avokatit të saj.

    Avokati i saj mbrojtës kërkoi të ulte lirimin me kusht, por prokurori i Prokurorit të Qarkut të Los Anxhelosit, Alexander Bott, vuri në dukje se Ortiz akuzohet për rreth 20 plumba nga një armë e tipit AR që vuri në rrezik jetët. Bott argumentoi në gjykatë se Ortiz dyshohet se kishte me vete një paruke për të shërbyer si maskim, gjë që ai pretendon se tregon se ajo e kishte planifikuar krimin e supozuar.

    Gjykatësi gjithashtu ia ndaloi Ortizit të punonte si patolog i të folurit në Kaliforni, tha një zëdhënës i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

    Ortiz përballet me disa akuza të tjera, duke përfshirë 10 akuza për krime sulmi me armë zjarri gjysmëautomatike dhe tre akuza për krime të rënda për të shtëna me armë në një banesë ose kamping të banuar. Çdo akuzë për sulm shoqërohet me një person ndaj të cilit dyshohet se Ortiz ka qëlluar, sipas dokumenteve të gjykatës.

    Padia penale, e siguruar nga BBC, liston viktimat si Robyn Fenty dhe Rakim Mayers – emrat e vërtetë të Rihannës dhe A$AP Rocky – tre fëmijët e tyre, nëna e Rihannës, Monica Fenty, dhe disa të tjerë.

    Nëse dënohet, ajo përballet me një dënim maksimal me burgim të përjetshëm. Ortiz është akuzuar se ka shkuar me makinë deri në pjesën e përparme të shtëpisë dhe ka qëlluar disa herë me armë drejt saj, duke ikur më pas.

  • Murseli: Armën e kam blerë sepse Plava më tha se e shet dyfish të nesërmen

    Murseli: Armën e kam blerë sepse Plava më tha se e shet dyfish të nesërmen

    I akuzuari Naim Murseli në vazhdim të dhënies së mbrojtjes para trupit gjykues, deklaroi se armën me të cilën sipas Prokurorisë, është vrarë tani e ndjera Liridona Ademaj, ia bleu Granit Plavës pasi i kishte thënë se do ta shiste të nesërmen dyfish.

    I akuzuari po ashtu pranoi se të akuzuarin Granit Plava e kishte dërguar pranë shtëpisë së tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Anëtari i trupit gjykues Gent Beka e pyeti sërish për armën që ia kishte blerë Murseli- Plavës. Për këtë, i akuzuari tha se kur ua kishte treguar shitësi armën, Graniti i kishte thënë se po i pëlqen dhe se të nesërmen do ta shiste dyfish. Tha se aty u morën vesh t’ia paguante.

    “U morëm vesh me m’i kthy paratë”, deklaroi Murseli.

    Ndërkaq, lidhur me situatën në vendin e ngjarjes ku ndodhi vrasja, i akuzuari tha se nuk kishte qenë kërkesë e grabitësit të dilte nga vetura, por ka dalë vetë.

    Më tej, i akuzuari u pyet se përse nuk e kishte nisur veturën me vrull për t’iu shmangur grabitësit dhe për të ikur, ndonëse ai ishte nga ana e Liridonës.

    “Nuk m’u ka kujtu në atë moment, Liridona tha ‘o kuku hajni- hajant’, kështu diçka, dhe kjo ishte arsyeja pse nuk u ndala”, u përgjigj Murseli.

    Takimet me Plavën, Murseli tha se kanë zgjatë në total 4 orë.

    “Domethënë, ju keni vendosë të shoqëroni një person që keni kalu rreth 4 orë për në Prishtinë dhe keni vendos spontanisht t’i besoni dhe t’i tregoni se ku jetoni”, e pyeti gjyqtari Beka.

    “Po”, u përgjigj Murseli.

    Paraprakisht, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Leondard Ademaj, avokati Leutrim Syla kërkoi që pamjet e tani të ndjerës Liridona Ademajt që u shfaqën në Gjykatë, ku shihet e vrarë vendin e ngjarjes, të mos publikohen në media dhe mos të kenë qasje fëmijët e saj në to. Tha se kjo është kërkesë e familjes.

    “Qëllimi ka qenë me i tregu Naimit se stolitë i ka pas”, u shpreh kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.

  • Hoxhaj nga Suhareka: Masakra e familjes Berisha mbetet plagë e hapur

    Hoxhaj nga Suhareka: Masakra e familjes Berisha mbetet plagë e hapur

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka përkujtuar martirët e Suharekës përmes homazheve në disa prej pikave kryesore memoriale, duke theksuar se dhimbja për viktimat mbetet ende e gjallë dhe se drejtësia nuk është vënë plotësisht në vend.

    Gjatë vizitave te Obelisku i Martirëve, në Qendrën Memoriale të Masakrës së Berishëve dhe te Memoriali i Varrezave të Berishëve, Hoxhaj ka bërë homazhe dhe ka nderuar kujtimin e viktimave të masakrës.

    “Dhimbja për martirët e Suharekës mbetet e gjallë dhe plagët e asaj dite nuk janë mbyllur ende,” është shprehur ai.

    Duke u ndalur te masakra ndaj familjes Berisha, Hoxhaj ka theksuar se ajo vazhdon të jetë një plagë e hapur për shoqërinë kosovare.

    “Masakra ndaj familjes Berisha është plagë e hapur dhe kujtesë se drejtësia ende nuk ka folur sa duhet,” ka deklaruar ai.

    Ai ka shtuar se këto homazhe janë një riafirmim i përkushtimit për drejtësi dhe për të mos harruar krimet e kryera gjatë luftës.

    “Përulemi me respekt dhe riafirmojmë zotimin për drejtësi dhe mosharresë,” ka thënë ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj.

  • 27 vjetori i Masakrës së Krushës së Madhe, Osmani: Kujtesa për viktimat nuk duhet të shuhet

    27 vjetori i Masakrës së Krushës së Madhe, Osmani: Kujtesa për viktimat nuk duhet të shuhet

    Sot është mbajtur një tubim përkujtimor në 27-vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe, ku u nderuan viktimat e një prej krimeve më të rënda të regjimit serb në Kosovë.

    Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, theksoi rëndësinë e kujtesës dhe drejtësisë për familjen Berisha nga Suhareka, e cila u përball me mizorinë e regjimit gjenocidal të Serbisë.

    “Në pragun e shtëpisë së tyre, aty ku duhej të mbretëronte jeta dhe siguria, anëtarë të familjes Berisha u përballën me barbarinë e regjimit gjenocidal të Serbisë. 49 anëtarë të kësaj familje, prej të cilëve 19 viktima kanë qenë të moshës nën 18-vjeçare, u masakruan mizorisht, ndërsa trupat e tyre u zhdukën e u bartën gjetiu, në përpjekje për të fshehur krimin dhe për t’i shuar gjurmët e së vërtetës,” shkruan Osmani.

    Ajo shtoi se fati ka shpëtuar tre nga familjarët: Vjollcën me të birin Gramozin dhe Shyhretjen, të cilët mbetën jo vetëm dëshmitarë të krimit, por edhe zë i kujtesës që nuk shuhet.

    “Kjo histori nuk është vetëm dhimbje, por thirrje për drejtësi. Kujtesa për krime si kjo është themel i së vërtetës dhe i kërkesës për drejtësi. Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët!” përfundon Osmani.

  • Pritet përkeqësimi i motit në Shqipëri, anulohet lundrimi i anijes Brindisi-Vlorë

    Pritet përkeqësimi i motit në Shqipëri, anulohet lundrimi i anijes Brindisi-Vlorë

    Përkeqësimi i kushteve meteorologjike ka sjellë pezullimin e lundrimit për anijen e linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë, e cila ka anuluar mbërritjen dhe nisjen nga Porti i Vlorës për ditën e sotme. Sipas njoftimit nga Kapiteneria, masat shtrënguese përfsijne edhe mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit, të cilave u është ndaluar dalja në det për sot dhe nesër.

    Ndërkohë që anijet e transportit ndërkombëtar tregtar do të vijojnë operimet normalisht. Situata detare pritet të jetë e rënduar me erëra që arrijnë shpejtësinë 15-20 m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri në 2.50 metra, parametra këta që përbëjnë rrezik për mjetet e vogla.

    Përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike parashikohet të nisë gjatë ditës së nesërme, duke lejuar rikthimin gradual në normalitet të aktiviteteve detare dhe peshkimit në gjirin e Vlorës.

  • Ligji për të huajt – Fillon mbledhja e të dhënave për serbët që kanë nevojë për regjistrim të vendbanimit në Kosovë

    Ligji për të huajt – Fillon mbledhja e të dhënave për serbët që kanë nevojë për regjistrim të vendbanimit në Kosovë

    Nebojsha Arsiq, udhëheqës i universitetit paralel në Mitrovicën veriore, deklaroi se kanë nisur procedurën për mbledhjen e informacioneve për personat të cilëve u nevojitet regjistrimi i vendbanimit, pas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me BE’në lidhur me ligjin për të huajt.

    Leje nuk kanë 2.780 studentë dhe 550 profesorë dhe staf mësimor, ndërsa Arsiq ka deklaruar se deri më sot kërkesë kanë paraqitur 414 të punësuar dhe pak më shumë se 2.400 studentë.

    Ai gjithashtu thekson se mbledhja e të dhënave është plotësisht mbi bazë vullnetare.

    “Të gjithë të punësuarit dhe të gjithë studentët janë njoftuar se mbledhja e këtyre informacioneve është ekskluzivisht në bazë vullnetare dhe këto të dhëna janë në një vëllim shumë më të vogël sesa të dhënat që jepen gjatë kalimit të vijës administrative. Pra, këto të dhëna që ne po i mbledhim me qëllim sigurimin e dokumenteve të nevojshme për qëndrimin dhe punën e të punësuarve në këtë hapësirë, si dhe të studentëve tanë, po zhvillohet normalisht dhe ne do të jemi në gjendje që të gjitha këto të dhëna të mbledhura t’i përcjellim, siç është dakorduar, te kryetarët e komunave në përputhje me marrëveshjen e arritur”, shpjegon Arsiq.

    Ai ka thënë edhe se ata janë në kontakt me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, në mënyrë që gjithçka të ‘zhvillohet pa pengesa’’.

    “Të gjitha shërbimet janë njoftuar se duhet të pranojnë edhe të dhënat që mbërrijnë më vonë, e pastaj do të shohim, në marrëveshje me përfaqësuesit tanë politikë — duhet të them se jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta — ndërsa ata me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, gjithçka me qëllim të zhvillimit pa pengesa të këtij procesi shumë të rëndësishëm për ne. Sepse pa zgjidhjen e këtij statusi, Universiteti do të ishte në probleme të mëdha. Mund të them se priten edhe masa administrative dhe burokratike nga pala tjetër, të cilat me gjasë do të përpiqen ta vështirësojnë këtë proces të regjistrimit, përkatësisht marrjen e këtyre lejeve të qëndrimit. Por shpresoj se në bisedimet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare do të arrijmë t’i largojmë të gjitha këto probleme”, thekson Arsiq.