ATV

Blog

  • Siguri e shtuar në Bratislava para ndeshjes Sllovaki–Kosovë

    Siguri e shtuar në Bratislava para ndeshjes Sllovaki–Kosovë

    Në Bratislava janë ndërmarrë masa të rrepta sigurie në prag të përballjes mes Kombëtares së Sllovakisë dhe asaj të Kosovës në futboll, e vlefshme për gjysmëfinalen e “play-off”-it kualifikues për Kupën e Botës 2026.

    Autoritetet vendase kanë konfirmuar se gjithçka është organizuar për të garantuar mbarëvajtjen e qetë të këtij eventi të rëndësishëm sportiv.

    Ndeshja do të zhvillohet sonte në stadiumin kombëtar të Bratislavës, me fillim nga ora 20:45. Institucionet e sigurisë kanë paralajmëruar prani të shtuar të forcave policore para, gjatë dhe pas takimit.

    “Qëllimi i masave të sigurisë është mbrojtja e jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve, sigurimi i rendit publik, si dhe garantimi i një rrjedhe të qetë të trafikut rrugor në Bratislavë. U bëjmë thirrje tifozëve që të ndjekin udhëzimet e organizatorëve dhe policisë dhe të shmangin çdo veprim të paligjshëm para, gjatë dhe pas ndeshjes, në stadium apo në afërsi të tij”, njofton policia sllovake në rrjetet sociale.

    Autoritetet e kanë kategorizuar këtë ndeshje si një event me rrezikshmëri të lartë, duke marrë parasysh interesimin e madh dhe numrin e konsiderueshëm të tifozëve që pritet të jenë të pranishëm.

    Për këtë arsye, njësi të ndryshme policore, përfshirë ato të trafikut, ndërhyrjes së shpejtë dhe hetimeve kriminale, do të jenë në terren për të monitoruar situatën dhe për të reaguar në çdo rast të nevojshëm.

    Nga ana tjetër, përkrahja për Kosovën pritet të jetë e fuqishme edhe në tribunat e stadiumit. Edhe pse zyrtarisht tifozëve kosovarë u takon një numër i kufizuar biletash, interesimi i madh lë të kuptohet se prania e tyre mund të jetë edhe më e lartë.

  • 20 cm borë në Kroaci, bllokohet trafiku

    20 cm borë në Kroaci, bllokohet trafiku

    Reshjet e shumta të borës që përfshinë Kroacinë të enjten kanë vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e kamionëve në autostradat kryesore mes kryeqytetit Zagreb dhe Rijekës.

    Rreth 20 centimetra dëborë pranverore ranë në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar kaos në rrugët shumë të ngarkuara në vend.

    Ndërkohë, kushtet e këqija të motit pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në rajonin e Ballkanit, pasi reshjet e borës parashikohet të shtohen gjatë së premtes dhe të shtunës në Bosnjë dhe Serbi.

  • 1 prilli afër, kur do të vendosë ZRrE për shtrenjtimin ose jo të rrymës?

    1 prilli afër, kur do të vendosë ZRrE për shtrenjtimin ose jo të rrymës?

    1 prilli po afron, e Zyra e Rregullatorit të Energjisë ende nuk ka përfunduar me shqyrtimin e aplikimeve të KOSTT’it, KEDS’it dhe KESCO’s, të cilat kanë kërkuar rritje rreth 20% të çmimit të rrymës në vend. Pas finalizimit të këtij procesi, do të përgatitet Raporti Konsultativ, e më pas do të hapet konsultimi publik. Pas shqyrtimit të komenteve, Bordi do të mblidhet e do të vendos përfundimisht për tarifat. Data ende nuk dihet, ndonëse tarifat parashihet të hyjnë në fuqi nga muaji tjetër.

    Kosova është afër të përballet me një tjetër shtrenjtim të rrymës, i katërti në katër vitet e fundit. Kërkesa është që të ketë rritje për mbi 20%, shtrenjtim që është kundërshtuar edhe me protestë para rreth dy muajve.

    Kompania për furnizim me energji elektrike, KESCO, në aplikimin e dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji, ka kërkuar rritje prej 21.3 përqind të çmimit të energjisë për vitin 2026. Kërkesë për rritje ka pasur edhe nga KEDS dhe KOSTT’i. Aplikimet po vazhdojnë të shqyrtohen.

    Nga ZRRE kanë deklaruar për Reporteri.net se janë në procesin e finalizimit të shqyrtimit të aplikimeve dhe se më pas do të publikohet Raporti Konsultativ, që i paraprin hapjes së konsultimit publik.

    “Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është aktualisht në procesin e finalizimit të shqyrtimit të aplikimeve të dorëzuara nga operatorët e licencuar (përfshirë KESCO, KEDS dhe KOSTT). Pas finalizimit të këtij shqyrtimi, ZRRE do të përgatisë dhe do të publikojë Raportin Konsultativ, me qëllim që të hapë procesin e konsultimit publik dhe të marrë komentet nga të gjitha palët e interesit”, kanë deklaruar nga ky institucion.

    Pas shqyrtimit të komenteve të pranuara, do të mbahet mbledhja e Bordit të ZRRE’së ku do të vendoset përfundimisht mbi tarifat, teksa data ende nuk dihet.

    “Pasi të përfundojë periudha e konsultimit publik dhe të shqyrtohen të gjitha komentet e pranuara, pritet që të mbahet mbledhja e Bordit të ZRRE-së për shqyrtimin përfundimtar dhe marrjen e vendimit lidhur me tarifat e reja të energjisë elektrike. Data e saktë e mbledhjes së Bordit do të njoftohet publikisht në kohën e duhur, në përputhje me procedurat e ZRRE-së. Duke qenë se ZRRE është ende në fazën e shqyrtimit të aplikimeve dhe përgatitjes së Raportit Konsultativ, procesi i konsultimit publik nuk ka filluar ende”, kanë deklaruar nga ZRRE për Reporteri.net.

    KESCO ka kërkuar që të hyrat maksimale për këtë vit të jenë 528.78 milionë euro.

    “FSHU vlerëson se reflektimi real i këtyre kostove në procesin tarifor është i domosdoshëm për të garantuar që shërbimi universal të mbetet funksional, i qëndrueshëm dhe i aftë për të përmbushur obligimet ligjore ndaj konsumatorëve. Nëse këto kosto nuk pasqyrohen në mënyrë adekuate, rrezikohet ndjeshëm furnizimi i qëndrueshëm. Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se nënvlerësimi i kostove krijon vështirësi operacionale dhe përsëritja e një qasjeje të tillë do të rrezikonte të prodhonte sfida të ngjashme edhe në të ardhmen”, thuhet në kërkesën e KESCO.

    Vjet kishte kërkuar të hyra të lejuara maksimale 448 milionë euro, ndërsa ZRRE-ja ia pati aprovuar 436 milionë euro.

    KEDS’i ndërkohë ka kërkuar që të hyrat maksimale për të të jenë 235 milionë euro apo 55 milionë më shumë sesa që ia pati aprovuar vjet ZRRE-ja.

    “Çfarëdo tendence për të zvogëluar kërkesën e OSSH-së do të rrezikoj likuiditetin financiar të OSSH-së dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike. Për me tepër, kjo do të ndikonte
    negativisht në kapacitetin e OSSH-së për të përmbushur detyrimet e tij dhe do të minonte besimin e konsumatorëve dhe investitorëve në sektorin energjetik. Në këtë kontekst, kërkojmë një reflektim të drejtë dhe të plotë të kostove të nevojshme për operimin e OSSH-së, për të siguruar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike në të ardhmen. Rregullimi i drejtë dhe i saktë i të hyrave të lejuara është kyç për garantimin e një sektori energjetik të qëndrueshëm dhe të besueshëm për konsumatorët dhe ekonominë e Kosovës”, thuhet në kërkesën e KEDS.

    Ndërsa kërkesa e KOSTT’it është 99 milionë euro apo rreth 11 milionë më shumë sesa ZRRE-ja ia pati aprovuar më 2025.

    “Kërkesa e KOSTT për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026, në vlerën prej 99,383,831.20 euro, synon të sigurojë operim të qëndrueshëm të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, të ofrojë shërbime më cilësore për konsumatorët dhe të ruajë stabilitetin financiar të KOSTT-it…Duke marrë parasysh dinamikën e zhvillimeve në sistemin e transmetimit, në përputhje me kërkesat e ENTSO-E, është me rëndësi jetike mbështetja e projekteve të reja, ndryshimet në projektet ekzistuese, si dhe kërkesat për shpenzime operative”, thuhet në kërkesën e KOSTT’it.

    Shqyrtimi dhe caktimi i tarifave të energjisë elektrike bëhet çdo vit nga ZRRE, të cilat shpallen më 1 prill dhe janë në fuqi deri më 31 mars të vitit pasues.

    Vitin e kaluar kishin hyrë në fuqi nga 1 maji, kur rryma ishte shtrenjtuar për 16 përqind.

    Shtrenjtim të rrymës ka pasur edhe në vitin 2022, kur rryma ishte shtrenjtuar për 14 përqind, teksa rritja paraprake kishte qenë në vitin 2022.

    Më 6 shkurt është mbajtur edhe një protestë kundër shtrenjtimit të rrymës.

    Protesta kishte filluar nga ndërtesa e KEDS-it, ku ishin mbledhur fillimisht qytetarët dhe më pas marshuan drejt ndërtesës së Qeverisë.

    Ata mbanin pankarta me mbishkrimet: “Nuk e durojmë ma hajninë”, “Nuk sakrifikojmë na për KEDS-in”, “Nji popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, “Stop hajnisë me fatura t’rrymës”.

    Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se të kundërshtojë tarifat e reja të energjisë elektrike, në rast se ka rritje.

    “Në rast se do të ketë ndryshime apo rritje të tarifave, qëndrimi ynë do të mbetet i njëjtë, ashtu siç ka qenë në çdo rast kur çështja e rritjes së çmimeve ka qenë në diskutim. Në momentin që hapet thirrja për komente, do t’i dorëzojmë komentet tona si edhe vitet e kaluara, duke u udhëhequr nga interesi publik”, kishte deklaruar për Reporteri.net, këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina.

    Njëjtë kishte vepruar edhe vitin e kaluar, kur ishte shtrenjtuar rryma./Reporteri.net

  • “Ka njerëz të infiltruar në Bratislavë”, udhëheqësi i Dardanëve thërret për kujdes

    “Ka njerëz të infiltruar në Bratislavë”, udhëheqësi i Dardanëve thërret për kujdes

    Udhëheqësi i tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha, u ka bërë thirrje tifozëve të Kosovës që të kenë kujdes në Bratislavë, disa orë para ndeshjes me Sllovakinë.

    Megjithëse ka thënë se deri tash gjithçka ka shkuar mirë, ai u ka bërë thirrje tifozëve të Kosovës që gjenden në Bratislavë sot të mblidhen bashkë në rast se “mos na ndodhë diçka”.

    “Besoj se gjithçka do të shkojë mirë, besoj në sigurinë e tifozëve tanë dhe ftoj të gjithë të vinë që të jemi bashkë që të mos na ndodhë diçka sepse siç e dimë Sllovakia nuk e njeh Kosovën dhe besojmë se ka shumë njerëz të infiltruar këtu që ndoshta tentojnë ta destabilizojnë atmosferën”, ka thënë ai në emisionin “tre8tre”.

    Kosova e luan sonte ndeshjen më të rëndësishme deri më tani.

    Në Stadiumin Nacional në Bratislavë, Kosova luan me Sllovakinë nga ora 20:45, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botërorin 2026.

    Kosovës i mungojnë kapiteni Amir Rrahmani dhe lideri i mesfushës, Leon Avdullahu.

  • Ari shënon ulje të çmimit sërish

    Ari shënon ulje të çmimit sërish

    Çmimi i arit ka shënuar rënie, duke zbritur nën 4,500 dollarë për ons gjatë ditës së sotme. Metali i çmuar u tregtua rreth 4,426 dollarë për ons, me një ulje prej 1.6 për qind.

    Rënia vjen në vazhdën e humbjeve të fundit, ndërsa tensionet në Lindja e Mesme dhe paqëndrueshmëria në tregjet globale kanë ndikuar negativisht.

    Që nga fundi i shkurtit, ari ka humbur rreth 15 për qind të vlerës, ndërsa ekspertët e lidhin këtë trend me rritjen e inflacionit dhe pritjet për norma më të larta interesi.

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një 70-vjeçari të gjetur i vdekur në Prizren

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një 70-vjeçari të gjetur i vdekur në Prizren

    Policia e Kosovë njofton se një mashkull rreth 70 vjeç është gjetur pa shenja jete në rrugën “Edit Durham” në Prizren.

    Viktima ende nuk është identifikuar, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme.

    Autoritetet kërkojnë nga qytetarët me informacion të kontaktojnë stacionin policor ose numrin 192.

  • Komisioni Evropian heton Snapchat për shkelje të ligjeve të sigurisë ndaj fëmijëve

    Komisioni Evropian heton Snapchat për shkelje të ligjeve të sigurisë ndaj fëmijëve

    Komisioni Evropian ka nisur një hetim ndaj Snapchat për dyshime se platforma mund të ketë shkelur rregullat e sigurisë dixhitale, duke ekspozuar të miturit ndaj rreziqeve si abuzimi dhe rekrutimi kriminal.

    Hetimi zhvillohet në kuadër të Akti i Shërbimeve Dixhitale dhe do të shqyrtojë masat e platformës për mbrojtjen e përdoruesve të rinj.

    Autoritetet paralajmërojnë se procedurat mund të çojnë në masa të mëtejme nëse konstatohen shkelje.

  • “Kam kërkuar ndihmë profesionale” – Paris Guri rrëfen periudhën e ankthit

    “Kam kërkuar ndihmë profesionale” – Paris Guri rrëfen periudhën e ankthit

    Ish-deputeti dhe kryetari i Forumit të Rinisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Paris Guri, në emisionin “LIBERO” ka folur  për përvojat e tij personale me ankthin dhe fazat depresive, duke theksuar rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor dhe kërkimin e ndihmës profesionale.

    I pyetur nëse ka kërkuar ndihmë nga psikologu, Guri u shpreh se përvoja e tij nuk është e pazakontë, sidomos te të rinjtë.
    “…Unë mendoj se secili i ri përballet me ankth dhe stres nga studimet, si dhe me faza të lehta depresive, të cilat mund të shndërrohen në gjendje më të rënda nëse nuk trajtohen. Absolutisht po, kam diskutuar me psikologë të ndryshëm. Para se të angazhohesha në këtë aspekt, kam punuar shumë me shëndetin mendor…” – tha ai.

    Në cilësinë e kryetarit të Forumit të Rinisë, në bashkëpunim me kryesinë e LDK-së, ai ka kontribuar në realizimin e Linjës Telefonike për Ndihmë Psikologjike “Me ty”, një projekt që synon të ofrojë mbështetje profesionale (psikologjike) për qytetarët.

    “…Kemi realizuar një projekt për krijimin e një linje telefonike institucionale përmes Qeverisë. Shumica e vendeve të botës e kanë një të tillë, ku çdo person mund të telefonojë dhe të ndajë shqetësimet e tij, dhe të përgjigjet një ekspert i fushës…” – u shpreh Guri.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Paris Gurit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • A është burri gjithçka në jetë?

    A është burri gjithçka në jetë?

    Poetja dhe opinionistja, Helena Halilaj, në emisionin “LIBERO” ka ndarë një reflektim mbi rolin e gruas në shoqërinë shqiptare dhe pritshmëritë që vendosen ndaj saj. Në studio u diskutua nëse një burrë është domosdoshmëri për realizimin e jetës së një gruaje, duke sfiduar kështu një mendësi të përhapur.

    Sipas saj, shpesh një gruaje i thuhet se për të arritur suksesin dhe përmbushjen personale, duhet patjetër të ketë në krah një burrë – qoftë vëlla, partner apo baba. Por Halilaj sjell një këndvështrim ndryshe, duke theksuar se një grua mund të bëhet vetë mbështetja dhe forca e saj.

    “Një gruaje i thonë: ‘Që të realizohesh në jetën tënde, të duhet me patjetër një vëlla, një partner ose babai’. Dhe kur e pyesin si ia doli, ajo përgjigjet: ‘Unë u bëra burrë i vetes sime’,” shprehet Halilaj.

    Ajo shton se në mungesë të këtyre figurave, që shpesh shihen si udhërrëfyes apo mbështetje, gruaja mund të zgjedhë të ndërtojë vetë rrugën e saj drejt suksesit. Në një shoqëri ku ende mbizotëron ideja se një burrë është i domosdoshëm, Halilaj nënvizon se një grua mund të arrijë çdo gjë edhe duke u mbështetur vetëm te vetja.

    Në fund, ajo prek edhe pasigurinë që karakterizon marrëdhëniet moderne, duke theksuar se dashuria dhe martesa nuk janë më garanci për lumturi.

    “…Nuk kemi më të sigurta as dashuri, as martesa. Nuk mund të shpresojmë gjithmonë se njerëzit më të mirë do të vijnë në jetën tonë; mund të vijnë edhe njerëz që nuk na e bëjnë jetën të bukur dhe të mirë…” – përfundoi ajo.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Helena Halilaj, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Fenerbahçe dënohet nga UEFA për sjelljen e tifozëve në ndeshjen kundër Nottingham Forest

    Fenerbahçe dënohet nga UEFA për sjelljen e tifozëve në ndeshjen kundër Nottingham Forest

    UEFA ka ndëshkuar klubin turk Fenerbahçe me një ndeshje pa praninë e tifozëve në transfertën e ardhshme evropiane, si dhe me një gjobë totale prej 50,500 eurosh.

     

    Vendimi erdhi pas incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes kundër Nottingham Forest në fazën e play-off-it në UEFA Europa League.

     

    Sipas raportit zyrtar, tifozët e klubit turk shkaktuan trazira në tribuna, hodhën mjete piroteknike dhe dëmtuan një numër të konsiderueshëm karrigesh në stadiumin City Ground.

     

    UEFA bëri të ditur se nga shuma totale e gjobës, 30,000 euro janë vendosur për sjelljen e tifozëve, ndërsa 20,500 euro për dëmet e shkaktuara në stadium.

     

    Kujtojmë që Fenerbahce kishte fituar në udhëtim 2:1 ndaj Nottingham Forest,por u eliminua nga Europa League me rezultat të përgjithshëm 4:2 pasi ndeshjen e parë e humbi 0:3 në Stamboll.