ATV

Blog

  • Kapet autori i vrasjes së francezit në Ksamil, ishte fshehur në bagazhin e një makine

    Kapet autori i vrasjes së francezit në Ksamil, ishte fshehur në bagazhin e një makine

    Është arrestuar në Fier Sokrat Vata, autori i vrasjes së 20-vjeçarit francez Miguel Mendes mëngjesin e sotëm në Ksamil.

    Sipas Top Channel, ai u arrestua në Fier, aty ku ishte fshehur në bagazhin e një makine e cila drejtohej nga një vajzë dhe pasagjer ishte edhe një person tjetër.

    Autori i dënuar në Angli në vitin 2024 për trafik droge e kishte goditur 20-vjeçari disa herë me thikë në shpinë dhe në kraharor dhe vdekja e tij ka qenë e menjëhershme.

    20-vjeçari francez ndodhej në Ksamil së bashku me një grup francezësh të ardhur për turizëm në Ksamil. Ndërsa autori, 29-vjeçari Sokrat Vata, ishte i punësuar si roje plazhi te hoteli përkatës.

    Sokrat Vata u arrestua në Angli pasi u përfshi në dy raste të ndjekjes nga policia, të lidhura me trafikimin e kokainës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.

    Në 30 prill, policia në Kembrixh e pikasën duke drejtuar një makinë tip Toyota të vjedhur. Vata tentoi të largohej, por pasagjeri zbriti nga makina dhe ai vijoi arratinë në këmbë. Gjatë ndjekjes, hodhi një pako kokainë në shkurre, por u kap nga policia. Me vete iu gjetën edhe 560 paund, ndërsa rezultoi pozitiv në testin për drejtim automjeti nën efektin e drogës.

    Ndërkohë, në një rast tjetër në Kent, më 13 prill, Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe përplasi një automjet me targa të klonuara. Në makinë u gjetën qese me kokainë dhe targa.

    Vata u arrestua më pas dhe përfundoi përpara Gjykatës së Kurorës së Kembrixhit, ku pranoi akuzat për posedim të drogës së klasit A me qëllim furnizimin, drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim nën efektin e drogës. Ai u dënua me pesë vite burg.

  • Kapet në Podujevë i kërkuari për posedim të narkotikëve

    Kapet në Podujevë i kërkuari për posedim të narkotikëve

    Policia e Rajonit të Prishtinës ka njoftuar se ka arrestuar një person të kërkuar me urdhëresë të gjykatës.

    Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është realizuar nga zyrtarët policorë të Stacionit të Podujevës, në kuadër të veprimeve për kapjen e personave të dyshuar dhe atyre të dënuar për vepra penale.

    Personi me inicialet V. Rr., mashkull, ishte i kërkuar për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

    Pas arrestimit, në përputhje me urdhëresën e gjykatës, ai është dërguar për vuajtje të dënimit.

    Policia ka bërë të ditur se po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve policore për identifikimin dhe arrestimin e personave të kërkuar.

  • Caktohen çmimet maksimale të derivateve për sot në Kosovë

    Caktohen çmimet maksimale të derivateve për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës që vlejnë për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit, çmimi maksimal i naftës është kufizuar në 1.76 euro për litër, ndërsa për benzinën është caktuar çmimi 1.49 euro për litër.

    MINTI po ashtu ka kufizuar edhe çmimet e gazit për 0.60 euro për litër.

  • Haxhiu kërkon konsensus për Presidentin, PDK, LDK e Aleanca nuk shkojnë në takim

    Haxhiu kërkon konsensus për Presidentin, PDK, LDK e Aleanca nuk shkojnë në takim

    Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, kryetarja e Guxo, Donika Gërvalla dhe përfaqësues të partive të komuniteteve jo shumicë kanë arritur në takimin me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, raporton Ekonomia Online.

    Takimi tashmë ka filluar.

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar sot liderët e partive politike në një takim konsultativ në Zyrën e Presidentes, me fokus te çështja e zgjedhjes së Presidentit të ri.

    Takimi është caktuar për orën 09:00, ndërsa në të pritet të diskutohet për zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.

    PDK-ja ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takim.

    Deputeti Uran Ismaili ka thënë se Haxhiu do të duhej t’i drejtohej kryesuesit të Kuvendit, Avni Deharit, për thirrjen e seancës, duke e cilësuar ftesën si “manipulim të radhës”.

    Edhe Aleanca ka refuzuar pjesëmarrjen, ndërsa kryetari Ardian Gjini ka akuzuar Haxhiun dhe Albin Kurtin se përmes takimit po synojnë të gjejnë fajtorë për një vendim që, sipas tij, tashmë e kanë marrë për ta çuar vendin në zgjedhje.

    Ndërkohë as Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do t’i shkojë në takim Albulena Haxhiut.

  • Gjendet i vrarë një shtetas francez në Ksamil, autori në arrati

    Gjendet i vrarë një shtetas francez në Ksamil, autori në arrati

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Ksamil të Shqipërisë, ku një i ri francez është gjetur i pajetë pranë një plazhi.

    Viktima, Migel Mendes, rreth 20 vjeç, dyshohet se është vrarë me mjet prerës, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

    Autori dyshohet të jet1ë Sokrat Vata, i arrestuar dhe i dënuar në 2024 në Angli për trafik droge, raporton Tch.

    Ksamil/Informacion paraprak

    Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete shtetasi francez M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë).

    Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes.

    Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

    Ndërkohë, Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

  • Një i vdekur dhe tre të lënduar nga aksidenti në Kliqinë të Pejës

    Një i vdekur dhe tre të lënduar nga aksidenti në Kliqinë të Pejës

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit në fshatin Kliqinë, në magjistralen Pejë–Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se rasti është raportuar rreth orës 05:00.

    “Rreth orës 5 të mëngjesit Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Kliqinë, në magjistralën Pejë-Prishtinë. Në aksident janë të përfshira tri vetura. Katër persona kanë marrë lëndime, ku të njëjtit janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë. Por, njërit nga të lënduarit mjeku kujdestar në Emergjencë ia ka konfirmuar vdekjen. Në vendin e ngjarjes janë të gjitha njësitë kompetente policore”, ka thënë Gashi.

    Njësitë kompetente policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa po vazhdon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

  • Sot s’ka kufizime në qarkullim për automjetet mbi 20 tonë

    Sot s’ka kufizime në qarkullim për automjetet mbi 20 tonë

    Automjetet për transportin e mallrave me masë të përgjithshme mbi 20 tonë do të qarkullojnë pa kufizime gjatë ditës së sotme, ka njoftuar Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

    Sipas Ministrisë, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, nuk pritet të plotësohen kushtet e përcaktuara për zbatimin e kufizimeve të përkohshme në qarkullim.

    “Ministria do të vazhdojë të monitorojë çdo ditë parashikimet meteorologjike dhe do të njoftojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo rast kur plotësohen kushtet për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim.

  • Diant Ramaj rikthehet te Copenhagen, portieri huazohet nga Borussia Dortmund

    Diant Ramaj rikthehet te Copenhagen, portieri huazohet nga Borussia Dortmund

    Diant Ramaj ka kompletuar rikthimin te Copenhagen, duke u transferuar në formë huazimi nga Borussia Dortmund. Marrëveshja mes klubeve përfshin edhe një opsion blerjeje, që mund t’i mundësojë klubit danez ta transferojë përfundimisht portierin 24-vjeçar.

    Portieri me prejardhje nga Kosova nuk kishte hapësirën e dëshiruar te Borussia Dortmund dhe tashmë do të vazhdojë karrierën në Danimarkë, te një klub që e njeh mirë nga aventura e tij e mëparshme.

    Drejtori i Copenhagenit, Kristjaan Speakman, ka shprehur kënaqësinë për rikthimin e Ramajt, duke vlerësuar karakterin dhe përvojën e tij.

    “Ne e njohim shumë mirë Diantin dhe jemi të lumtur ta mirëpresim përsëri në Copenhagen. Ai është një lojtar ambicioz, i orientuar drejt ekipit dhe me një kulturë të fortë pune, gjë që është e rëndësishme për grupin tonë”, u shpreh Speakman.

    Ai theksoi gjithashtu cilësitë e portierit në fushë dhe ndikimin që Ramaj mund të ketë në skuadër gjatë këtij sezoni.

    “Ai ka aftësi të shkëlqyera udhëheqëse për pozicionin e tij dhe rikthehet me më shumë përvojë. Kjo do të thotë se mund të ketë një ndikim edhe më të madh për ne këtë sezon”, shtoi drejtori i klubit danez.

    Edhe vetë Ramaj është shprehur i kënaqur për rikthimin te Copenhagen, klubin që e kishte lënë pak më shumë se një vit më parë për t’u kthyer në futbollin gjerman.

    “Jam shumë i lumtur që marrëveshja është finalizuar dhe mezi pres t’u bashkohem përsëri djemve. Kam kaluar një kohë fantastike këtu dhe mezi pres ta vazhdoj atë”, deklaroi Ramaj.

    Portieri shqiptar me prejardhje nga Kosova tha se ndihet mirë në ambientin e Copenhagenit dhe veçanërisht në atmosferën që krijohet në stadiumin Parken.

    “Klubi dhe mentaliteti janë një përshtatje shumë e mirë për mua, sepse edhe unë dal në fushë për të fituar çdo herë dhe kjo është ajo që më motivon”, u shpreh ai.

    Ramaj theksoi se tani dëshiron të fokusohet te puna dhe rezultatet me skuadrën e re.

    “Qëndrimi im i mëparshëm në Copenhagen ishte shumë pozitiv, por tashmë ai i përket së kaluarës. Tani bëhet fjalë për të dhënë maksimumin çdo ditë në stërvitje dhe për ta ndihmuar ekipin drejt fitoreve të reja”, përfundoi portieri.

    Me rikthimin në Copenhagen, Ramaj synon të fitojë minuta dhe të rikthehet në formën që e kishte bërë një nga portierët më të përfolur në futbollin danez, ndërsa klubi ka lënë të hapur mundësinë për ta transferuar përfundimisht në fund të huazimit.

  • Albin Krasniqi shpallet “Ylli i Javës”

    Albin Krasniqi shpallet “Ylli i Javës”

    Albin Krasniqi është përzgjedhur “Ylli i Javës” për xhiron e parë të edicionit 2026/27 në Albi Mall Superligën e Kosovës. Futbollisti i FC Prishtina u vlerësua për paraqitjen e tij në fitoren 4:2 ndaj FC Ballkanit.

    Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka nisur edhe këtë edicion me ndarjen e çmimit tradicional për futbollistin më të dalluar të çdo xhiroje.

    Pas përfundimit të ndeshjeve të javës së parë, vlerësimi i është dhënë Albin Krasniqit, i cili pati një rol të rëndësishëm në suksesin e Prishtinës ndaj Ballkanit.

    Krasniqi realizoi dy gola në këtë përballje, duke kontribuar drejtpërdrejt në fitoren 4:2 të skuadrës kryeqytetase.

    Përveç golave, futbollisti i Prishtinës u dallua edhe me angazhimin dhe paraqitjen e tij gjatë gjithë ndeshjes, duke u bërë një nga protagonistët kryesorë të suksesit të skuadrës.

    Çmimi “Ylli i Javës” është ndarë pas vlerësimit të bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili përzgjodhi Krasniqin si futbollistin më të dalluar të xhiros së parë.

    Kështu, Albin Krasniqi bëhet lojtari i parë që merr çmimin “Ylli i Javës” për edicionin 2026/27 të Albi Mall Superligës.

  • Sergio Busquets rikthehet te Barcelona, nis punën si trajner te Barça Atlètic

    Sergio Busquets rikthehet te Barcelona, nis punën si trajner te Barça Atlètic

    Sergio Busquets ka rikthyer te Barcelona, por këtë herë në një rol të ri. Ish-mesfushori i katalanasve është bërë pjesë e stafit teknik të Barça Atlètic, ku do të punojë si ndihmës i trajnerit Juliano Belletti.

    Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Busquets ka nisur një kapitull të ri në futboll, duke u afruar me pankinën e klubit ku kaloi 15 sezone me ekipin e parë.

    Sipas mediave spanjolle, Busquets ka nisur punën këtë të hënë me Barça Atlètic dhe do të jetë pjesë e stafit të Bellettit, ndërsa njëkohësisht po ndjek kursin për t’u pajisur me licencën e trajnerit.

    Roli i tij do të lidhet edhe me zhvillimin e futbollistëve të rinj të Barcelonës. Përvojën e fituar gjatë karrierës së gjatë si mesfushor, Busquets tashmë do ta përcjellë te lojtarët e rinj, në hapin e parë të tij drejt një karriere në pankinë.

    Busquets u largua nga Barcelona në vitin 2023, pas 15 vitesh me ekipin e parë, ndërsa karrierën si futbollist e përfundoi te Inter Miami, ku qëndroi për dy sezone e gjysmë. Tashmë, tre vite pas largimit nga Barça, ai është rikthyer në klub në një tjetër pozicion.

    Me fanellën e Barcelonës, Busquets zhvilloi 722 ndeshje dhe fitoi 32 trofe, përfshirë nëntë tituj të La Ligës dhe tri Liga të Kampionëve. Me Spanjën, ai fitoi Kupën e Botës në vitin 2010 dhe Kampionatin Evropian në vitin 2012.

    Tani, ish-kapiteni i Barcelonës do të nisë rrugëtimin e tij si trajner pikërisht te klubi ku u formua dhe zhvilloi pjesën më të madhe të karrierës së tij. Busquets do të punojë krah Bellettit, ndërsa vazhdon përgatitjet për licencën e trajnerit.