ATV

Blog

  • Haxhiu pret në takim Shefin e EULEX-it, diskutojnë për zhvillimet në vend

    Haxhiu pret në takim Shefin e EULEX-it, diskutojnë për zhvillimet në vend

    Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mirëpriti Shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

    Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.

    Në këtë takim u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për avancimin e proceseve që kontribuojnë në stabilitetin institucional dhe në rritjen e besimit të qytetarëve.

  • Ndeshja Kosovë-Turqi: Policia paralajmëron masa të shtuara të sigurisë, njofton edhe për bllokim të rrugëve

    Ndeshja Kosovë-Turqi: Policia paralajmëron masa të shtuara të sigurisë, njofton edhe për bllokim të rrugëve

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ndërmjet Kosovës dhe Turqisë janë ndërmarrë masa të shtuara sigurie në bashkëpunim me institucionet dhe organizatorët për garantimin e rendit para, gjatë dhe pas ndeshjes.

    Policia ka bërë të ditur se do të ketë prani të shtuar në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”.

    Po ashtu, janë paralajmëruar bllokime të përkohshme të disa rrugëve kryesore dhe nacionale, në varësi të lëvizjeve zyrtare dhe nevojave në trafik.

    Policia u bën thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet, të përdorin rrugë alternative dhe të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

    Komunikata e plotë:

    Policia e Kosovës njofton qytetarët se me datë 31 mars 2026, duke filluar nga ora 20:45, në Stadiumi Fadil Vokrri do të zhvillohet ndeshja finale e play-off-it për FIFA World Cup 2026 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

    Duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të kësaj ndeshjeje, janë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe organizatorët.

    Policia e Kosovës, së bashku me strukturat mbështetëse angazhohen për të garantuar rendin dhe sigurinë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes.

    Do të ketë prani të shtuar policore në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”:

    Me qëllim të lëvizjes së delegacioneve, lehtësimit në qarkullim dhe zhvillimit të ndeshjes, do të ketë bllokime të përkohshme të rrugëve: lokale dhe Nacionale si në vijim rrugët: Tring Ismajli, Agim Ramadani, Eqrem Çabej, Semaforat kryesore, Bulevardi Bill Clinton, Rrethi te Stacioni i Autobusëve, Rruga Hekurudhat, Rruga Tirana (drejt stadiumit), ndërsa gjatë Largimit nga stadiumi drejt aeroportit: Rruga Tirana, Arbëria, rr. Ahmet Krasniqi dhe Autostrada (drejt aeroportit).

    Rrugë të tjera kanë kufizime të përkohshme në Perimetrin rreth stadiumit, rr. Luan Haradinaj (deri te Ministria e Drejtësisë) dhe rr. Fehmi Agani

    Këto bllokime do të jenë të përkohshme dhe do të realizohen në intervale kohore, varësisht nga lëvizjet zyrtare dhe nevojat e lehtësimit ne trafikun rrugor. Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që:

    – Të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren
    – Të përdorin rrugë alternative kur është e mundur
    – Të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike

    Siguria dhe mbarëvajtja e kësaj ngjarje sportive është përgjegjësi e përbashkët.

    Ftojmë qytetarët për mbështetje dhe respektim të rendit publik.

  • MINT themelon komision të posaçëm për verifikimin e njëhsorëve elektrikë: Asnjë ankesë s’erdhi nga konsumatorët

    MINT themelon komision të posaçëm për verifikimin e njëhsorëve elektrikë: Asnjë ankesë s’erdhi nga konsumatorët

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit thotë të ketë përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë dhe pretendimet për keq llogaritje, prandaj kanë themeluar edhe një komision të posaçëm për verifikimin e njehsorëve elektrikë, të cilët pritet të dalin në terren nga 1 prilli.

    “Me qëllim të garantimit të transparencës, korrektësisë dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve, dhe duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, në kuadër të përgjegjësive të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, me datë 31.03.2026, është themeluar një komision i posaçëm për verifikimin e njehsorëve elektrikë”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.

    Kjo ministri thotë se deri më tani nuk është pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët lidhur me dyshime për keq llogaritje të njehsorëve.

    “Megjithatë, duke filluar nga data 01.04.2026 (e mërkurë), komisioni do të dalë në terren për të verifikuar njehsorët elektrikë të çdo konsumatori që paraqet ankesë”, thuhet tutje në njoftim.

    Me këtë rast, MINTI u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët janë shfrytëzues të energjisë elektrike, që për çdo dyshim lidhur me funksionimin e parregullt të njehsorëve në objektet e tyre të banimit, të njoftojnë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, në numrin pa pagesë 0800 11000, ose përmes adresës elektronike: [email protected].

  • Supremja anulon vendimin e Apelit për paraburgimin e tre të dyshuarve për rastin e “1 milionëshit”

    Supremja anulon vendimin e Apelit për paraburgimin e tre të dyshuarve për rastin e “1 milionëshit”

    Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim në çështjen penale ndaj të pandehurve Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, të dyshuar për veprën penale “shpëlarja e parave”, duke shqyrtuar ankesat e paraqitura nga mbrojtësit e tyre.

    Sipas vendimit të marrë në seancën e kolegjit më 30 mars 2026, Supremja ka aprovuar ankesat e mbrojtjes kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës (PN.1.S.nr.68/2026, i datës 18 mars 2026), duke e anuluar këtë aktvendim dhe duke e kthyer çështjen në rivendosje në të njëjtën gjykatë.

    Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, me aktvendimin e 9 marsit 2026, kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve.

    Ndërsa, Gjykata e Apelit e Kosovës, më 18 mars 2026, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë, duke ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe duke u caktuar të pandehurve masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Pas këtij vendimi, mbrojtësit e të pandehurve paraqitën ankesa, duke kundërshtuar ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e paraburgimit.

    Gjykata Supreme vlerësoi se këto ankesa janë të bazuara, duke konstatuar se aktvendimi i Gjykatës së Apelit përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

    Sipas vlerësimit të Supremes, gjykata e shkallës së dytë nuk ka bërë ndërlidhjen e qartë ndërmjet provave dhe veprimeve të të pandehurve.

    Po ashtu, Gjykata Supreme thekson se ekzistimi i dyshimit të bazuar është kusht themelor për caktimin e paraburgimit, në përputhje edhe me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

  • Armand Duka: Ndoshta jemi dy, por zemra jonë është një

    Armand Duka: Ndoshta jemi dy, por zemra jonë është një

    Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka dërguar një mesazh emocionues në rrjetet sociale, duke shprehur mbështetjen e tij për Kombëtaren e Kosovës para ndeshjes vendimtare ndaj Turqisë.

    Në postimin e tij në Facebook, Duka ka theksuar lidhjen e veçantë mes dy kombëtareve shqiptare, duke treguar se ndonëse përfaqësimet janë të ndara, bashkimi shpirtëror mbetet i paprekur.

    “Ndoshta sot mund të ishim dy… por edhe kështu, jemi një. Me krenarinë që na dha Shqipëria dhe shpresën që na jep Kosova. Forca djemtë tanë!”, ka shkruar ai, duke dërguar një mesazh të qartë uniteti dhe motivimi për “Dardanët”.

    Ky reagim vjen në një moment historik për Kosovën, e cila synon të arrijë rezultate të jashtëzakonshme dhe kualifikimin për herë të parë në Kupën e Botës 2026. Mesazhi i Dukës shihet si një mbështetje simbolike që tejkalon sportin, duke forcuar ndjenjën e përbashkët kombëtare mes shqiptarëve.

    Postimi i tij ka gjetur pritje të ngrohtë tek tifozët, të cilët e kanë shpërndarë gjerësisht dhe e kanë cilësuar si një thirrje për unitet dhe përkrahje ndaj Kombëtares së Kosovës.

    Ndeshja finale ndaj Turqisë zhvillohet sonte në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45, dhe pritet të jetë një përballje vendimtare për historinë e futbollit kosovar.

  • Kosova përballë Turqisë, Presidentja Osmani dërgon mesazhin e mbështetjes

    Kosova përballë Turqisë, Presidentja Osmani dërgon mesazhin e mbështetjes

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar një mesazh motivues para ndeshjes vendimtare kundër Turqisë, që zhvillohet sonte nga ora 20:45 dhe vendos fatin e kualifikimit për Kupën e Botës 2026.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka lidhur rrugëtimin e vështirë të Kosovës si shtet dhe si komb me paraqitjen e futbollistëve të Kombëtares në fushë.

    “Kosova ka lindur mes sfidave dhe sakrificave, është rritur me krenari dhe sot qëndron në fushë me dinjitet, duke përfaqësuar ëndrrat e një populli të tërë,” ka shkruar ajo, duke e përshkruar ekipin si simbol të qëndresës dhe guximit.

    Mesazhi i Presidentes ishte i qartë dhe i ngrohtë: “Ju jeni simbol i qëndresës, i guximit dhe i shpresës. Jemi me ju djema. Me Kosovën përgjithmonë. Me Dardanët.”

    Ndeshja e sotme pritet të jetë një moment historik, me tifozët që do të krijojnë një atmosferë elektrizuese për ta mbështetur Kombëtaren në këtë përballje të rëndësishme për vendin.

  • Osmani i jep zemër “Dardanëve”: Jemi me ju, djema

    Osmani i jep zemër “Dardanëve”: Jemi me ju, djema

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetje të fuqishme për Kombëtaren e Kosovës në prag të ndeshjes së rëndësishme kundër Turqisë.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka theksuar rëndësinë që ka kjo përballje për vendin, duke e lidhur atë me rrugëtimin dhe sakrificat e popullit të Kosovës.

    Ajo është shprehur se Kosova “ka lindur mes vështirësive dhe sakrificave, është rritur me krenari dhe sot qëndron në fushë me dinjitet, duke përfaqësuar ëndrrat e një populli të tërë”.

    Më tej, presidentja ka vlerësuar futbollistët si “simbol i qëndresës, i guximit dhe i shpresës”, ndërsa ka shtuar: “Jemi me ju, djem! Me Kosovën, përgjithmonë. Me Dardanët!”

  • Shtyrja e tarifave të reja, Azemi: E pamjaftueshme, s’mund të ketë rritje pa u sqaruar çështja me njehsorët

    Shtyrja e tarifave të reja, Azemi: E pamjaftueshme, s’mund të ketë rritje pa u sqaruar çështja me njehsorët

    Sot, kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, ka bërë të ditur se, tarifat e reja të energjisë elektrike të parapara të hyjnë në fuqi më 1 prill, pritet të shtyhen deri më 1 maj.

    Lidhur me këtë ka reaguar, Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ky i fundit këtë vendim e ka cilësuar si të ‘’duhur’’, porse, ‘’të pamjaftueshëm’’.

    Azemi më tej, ka thënë se veprimi në fjalë është rezultat i presionit publik ‘’pas skandalit me njehsorët’’.

    ‘’Nuk mund të ketë rritje, ndryshim apo barrë të re mbi qytetarët, derisa të sqarohet e vërteta e plotë për matjen, faturimin dhe dëmin e shkaktuar. Kjo është kërkesë minimale e drejtësisë dhe mbrojtjes së konsumatorit’’, ka shkruar ai mes tjerash.

    Postimi i plotë:

    Shtyrja e vendimit të ZRRE-së për tarifat e reja të energjisë deri më 1 maj është hap i duhur, por i pamjaftueshëm.

    Ky veprim duket qartë se është rezultat i drejtpërdrejtë i presionit publik pas skandalit me njehsorët.

    Por kjo nuk mjafton.

    Çdo ndryshim tarifor duhet të pezullohet plotësisht deri në përfundimin e hetimeve.

    Nuk mund të ketë rritje, ndryshim apo barrë të re mbi qytetarët, derisa të sqarohet e vërteta e plotë për matjen, faturimin dhe dëmin e shkaktuar. Kjo është kërkesë minimale e drejtësisë dhe mbrojtjes së konsumatorit.

    Qytetarët e Kosovës nuk mund të paguajnë më shumë, kur ende nuk dihet saktë sa janë dëmtuar. Prandaj, kërkoj që të gjitha ndryshimet të mbeten të pezulluara deri në përmbylljen e plotë të hetimeve dhe nxjerrjen e përgjegjësisë institucionale.

  • BBC: Kosova vetëm 90 minuta larg historisë së Botërorit

    BBC: Kosova vetëm 90 minuta larg historisë së Botërorit

    Mediumi britanik BBC ka shkruar për ndeshjen historike të Kosovës kundër Turqisë, një përballje që vendos fatin e kualifikimit për Kupën e Botës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    BBC thekson se dhjetë vite më parë Kosova nuk kishte luajtur kurrë një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës, ndërsa tani është vetëm 90 minuta larg arritjes së një objektivi historik. “Dhjetë vite më parë, Kosova nuk kishte luajtur kurrë një ndeshje kualifikuese për Botëror. Tani ata janë vetëm 90 minuta larg,” shkruan BBC, duke transmetuar transmetimin e lajmit nga Express.

    Mediumi britanik rikujton historikun e shtetit të Kosovës: shpallja e pavarësisë në vitin 2008 dhe anëtarësimi në FIFA dhe UEFA në vitin 2016. BBC vëren se një fitore do ta çonte Kosovën në Botëror, ku do të marrin pjesë 48 ekipe nga SHBA, Kanada dhe Meksikë.

    BBC gjithashtu përmend se stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë pritet të jetë i mbushur plot, megjithëse shumica e tifozëve do ta ndjekin ndeshjen përmes televizionit. Mediumi britanik kujton se Kosova luajti ndeshjen e saj të parë zyrtare ndërkombëtare në mars 2014 ndaj Haitit, ndërsa ndeshja e dytë ishte kundër Turqisë, për të cilën humbi 6-1.

    BBC rikthen edhe sfidat e para kualifikuese të Kosovës, duke përmendur barazimin 1-1 me Finlandën në 5 shtator 2016 dhe nëntë humbjet radhazi që pasuan, ku Kosova përfundoi e fundit në grup.

    Megjithatë, mediumi britanik thekson se Kosova ka përparuar shpejt, duke përfshirë lojtarë nga Gjermania, Zvicra dhe Suedia. BBC përmend suksesin ndaj Anglisë në kualifikueset e Euro 2020 dhe rolin kyç të Vedat Muriqit, golashënuesit rekordmen të ekipit me 32 gola ndërkombëtarë dhe 18 gola këtë sezon për Mallorca-n spanjolle.

    Sipas BBC-së, Turqia është veçanërisht e interesuar për Muriqin, i cili ka shënuar gola të shumtë edhe me klubet turke Rizespor dhe Fenerbahçe.

  • Zemaj: Rruga drejt NATO-s mbetet prioritet strategjik për Kosovën

    Zemaj: Rruga drejt NATO-s mbetet prioritet strategjik për Kosovën

    Drejtori i Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Astrit Zemaj, ka pritur në takim lamtumire Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT), Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në vend.

    Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë takimit është vlerësuar bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO, përmes NALT-it, duke u theksuar se ky bashkëpunim ka ndikuar drejtpërdrejt në avancimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me strukturat e Aleancës.

    “Bashkëpunimi i ngushtë dhe i vazhdueshëm me NALT ka kontribuar në avancimin e kapaciteteve të Kosovës dhe në rritjen e ndërveprueshmërisë me strukturat e NATO-s”, thuhet në njoftim.

    Me këtë rast, Zemaj ka shprehur mirënjohje për angazhimin dhe lidershipin e gjeneralit gjatë mandatit të tij në Kosovë.

    “Vlerësojmë lidershipin dhe kontributin e Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange në përmbushjen e standardeve që e afrojnë Republikën e Kosovës me synimin strategjik të anëtarësimit në NATO”, thuhet më tej.

    Nga ana tjetër, u theksua se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe vendet aleate, duke e konsideruar këtë partneritet thelbësor për sigurinë dhe integrimin euroatlantik.