ATV

Category: ZGJEDHJET 2025

  • LDK në balotazh, premtimet e kandidatëve për zhvillim, arsim dhe infrastrukturë

    LDK në balotazh, premtimet e kandidatëve për zhvillim, arsim dhe infrastrukturë

    Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama ka vizituar lagjen Tasligje, ku ka prezantuar një nga projektet kryesore për katër vitet e ardhshme.

    Kryetari në detyrë i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka hapur fushatën e balotazhit me Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, duke thënë se qytetarët e Pejës vazhdojnë të zgjedhin për zhvillim, punë dhe të ardhmen e qytetit.

    Arbër Ismajli, kandidat për kryetar të Gjilanit ka premtuar investime në arsim, përfshirë ndërtimin e tre shkollave të reja, modernizimin e laboratorëve dhe kabineteve, si dhe digjitalizimin e institucioneve arsimore.

    Kurse Besnik Osmani, kandidat për kryetar të Fushë-Kosovës, ka bërë të ditur se programit të tij qeverisës i është bashkuar edhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB).

    Osmani njoftoi gjithashtu fillimin e ndërtimit të një çerdheje moderne me kapacitet për 60 fëmijë, duke siguruar hapësira edukative dhe të sigurta për brezin e ri.

    Kryetari aktual i Obiliqit, Xhafer Gashi, ka fokusuar fushatën e tij tek rinia, sporti dhe kultura, duke premtuar vazhdimin e projekteve në këto fusha në bashkëpunim me sportistët, artistët dhe organizatat joqeveritare.

    Kandidati për një mandat të ri në Viti, Sokol Haliti, ka ndarë pamje nga tubimi i mbajtur në Lubishtë, ku qytetarët u mblodhën në një atmosferë entuziaste dhe mbështetje të madhe.

    Kandidat i LDK-së për kryetar të Suharekës, Ardian Shala ka zhvilluar takime në Duhël dhe Studençan. Ai premtoi se zëri i secilit banor do të dëgjohet dhe respektohet në vizionin e tij për një Suharekë më të zhvilluar dhe gjithëpërfshirëse.

    E ditën e dytë të fushatës, kryetari aktual i Junikut dhe kandidat për një mandat të ri, Ruzhdi Shehu, ka shpërndarë 145 bursa për studentët.

  • Fushata e AAK-së për zgjedhjet e 9 nëntorit intensifikohet me mbështetjen e Haradinajt

    Fushata e AAK-së për zgjedhjet e 9 nëntorit intensifikohet me mbështetjen e Haradinajt

    Për zgjedhjet e 9 nëntorit, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi një vizitë në Gjakovë për të mbështetur kandidatin e partisë në balotazh, Ardian Gjini. Haradinaj theksoi se Gjakova ka nevojë të zgjedhë më të mirin teksa riafirmoi mbështetjen për Gjinin, duke e vlerësuar punën e tij të deritanishme dhe projektet zhvillimore që kanë përmirësuar imazhin dhe ekonominë e qytetit.

    Gjini, kryetar aktual i komunës dhe kandidat për një mandat të ri, gjatë ditës së martë ndau pamje nga punimet infrastrukturore, të cilat po vazhdojnë me intensitet të shtuar, konkretisht në Pikën e Zezë dhe Bardhaniq.

    Në Suharekë, Bali Muharremaj që kërkon vote për mandat të ri prezantoi projektet që planifikon të realizojë në katër vitet e ardhshme.

    Muharremaj po ashtu ndau pamje nga mbështetje e qytetarëve te Studençanit.

    Kurse kandidati i AAK-së për Rahovec, Smajl Latifi, konfirmoi përkrahjen e palëkundur në Dejnë e Dobidol për konceptin e tij. Ai u shpreh I bindur se më 9 nëntor do të nisë puna për projektet e reja që shtrihen anekënd Rahovecit dhe falenderoi qytetarët për mbështetjen e tyre.

    Në Junik, kandidati i AAK-së Agron Kuçi në ditën e dytë të fushatës denoncoi manipulime të mundshme me listën e votuesve teksa premtoi rikthimin e dinjitetit dhe punën e ndershme në krye të komunës.

    Në Kline, Zenun Elezaj, kryetar aktual dhe kandidat për një mandat të ri, njoftoi një tubim qendror me qytetarët ku do të prezantohet programi i tij politik dhe vizioni për katër vitet e ardhshme, në prani të Ramush Haradinajt.

  • LVV vazhdon fushatën për balotazh premton infrastrukturë dhe mbështetje për të rinjtë

    LVV vazhdon fushatën për balotazh premton infrastrukturë dhe mbështetje për të rinjtë

    Në ditën e dytë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Hajrulla Çeku, në një tubim në Kodrën e Trimave ku bashkë me të ishte edhe Albin Kurti tha se gjatë këtyre viteve nuk është bërë asgjë për këtë lagje nga qeveria aktuale e kryeqytetit.

    Në Gjakovë, kandidati i LVV-së, Ardian Gola, premtoi përmirësimin e arsimit përmes klasave të specializuara për secilën lëndë dhe hapjen e një objekti të ri për edukim parafillor për fëmijët 5–6 vjeç.

    Në Gjilan, kryetari aktual dhe kandidati i LVV-së, Alban Hyseni, gjatë një tubimi me qytetarë, premtoi vazhdimin e praktikave profesionale me pagesë, fonde për ndërmarrësit e rinj dhe mbështetje për ide inovative të biznesit.

    Në Mitrovicë, kandidati Faton Peci u ndal në fshatin Melenicë, ku theksoi mungesën e ujit të pijshëm si problem jetik për banorët. Ai tha se qeverisja e tij do të vendosë prioritet të parë zgjidhjen e çështjeve bazike si uji dhe kanalizimi, jo vetëm në Shalë të Bajgorës, por në gjithë komunën.

    Në Pejë, kandidati Taulant Kelmendi kritikoi pushtetin aktual për “fushatë pazari” dhe u zotua për krijimin e një administrate që ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, duke e bazuar punësimin në meritë dhe jo në favore politike.

    Në Prizren, kandidati i LVV-së, Artan Abrashi, takoi kryetarin e Degës së AAK-së, Besnik Krasniqi, dhe bashkëpunëtorët e tij, aty ai tha se bashkimi i forcave do të sjellë një fitore të thellë më 9 nëntor.

    Në Vushtrri, kandidati i LVV-së, Sylejman Meholli, vizitoi një prodhues lokal të ëmbëlsirave dhe premtoi premtoi politika që do të nxisin zhvillimin ekonomik e punësimin në sektorin prodhues.

    Ndërsa në Obiliq, kandidati Halil Thaçi nga fshati Kozaricë u zotua për përmirësimin e infrastrukturës lokale përmes asfaltimit të rrugëve, ndërtimit të trotuareve e shtigjeve të biçikletave, si dhe ngritjen e anekseve shkollore, terreneve sportive dhe parqeve për fëmijë.

  • Fushata e balotazhit, kandidatët e PDK-së zotohen për arsim cilësor dhe nxitje të inovacionit

    Fushata e balotazhit, kandidatët e PDK-së zotohen për arsim cilësor dhe nxitje të inovacionit

    Në ditën e dytë të fushatës gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryetari aktual i Prizrenit dhe kandidati i PDK-së për një mandat të dytë, Shaqir Totaj, është zotuar se në mandatin e ardhshëm do të vazhdojë mbështetjen për të rinjtë dhe do të përqendrohet në nxitjen e inovacionit në qytet. Përkrahja e start-up bizneseve, zhvillimi i qendrave të inovacionit dhe promovimi i përdorimit të inteligjencës artificiale do të jenë ndër prioritetet kryesore të tij për Prizrenin.

    Gjithashtu, Totaj zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane të Kosovës, Veton Berisha, me të cilin tha se i presin “plane dhe angazhime të përbashkëta në të ardhmen”.

    Në Kaçanik, kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së për një mandat tjetër, Sabedin Vishi, vuri në fokus përmirësimin e kushteve në arsim.

    Vishi mori pjesë në përurimin e sallës moderne të edukatës fizike në SHFMU “Idriz Seferi” në fshatin Bob, ku tha se investimet në infrastrukturën shkollore janë faktor i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe krijimin e kushteve më të favorshme për procesin mësimor.

    Në Mitrovicë, kandidati i PDK-së në koalicion me LDK-në, Arian Tahiri, zhvilloi një vizitë te profesori dhe veterani i arsimit shqip, Sabit Bilalli, duke e cilësuar atë si “figurë të respektuar të qytetit dhe shembull për brezat e rinj”.

    Ndërkaq, në Vushtrri, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të ri, Ferit Idrizi,u fokusua te vlerësimi i kontributit në arsim dhe mbështetja e bizneseve. Ai i ka ndarë mirënjohje Nasuf Bejtës për kontributin e tij shumëvjeçar në edukimin e brezave të rinj, ndërsa gjatë vizitave tek bizneset lokale tha se përkrahja e bizneseve të tilla mbetet pjesë e angazhimit tonë për të ndërtuar një ekonomi më të fortë dhe më të qëndrueshme në Vushtrri.

  • Fushata për raundin e dytë, KDTP dhe Halk Hareketi garojnë për drejtimin e Mamushës

    Fushata për raundin e dytë, KDTP dhe Halk Hareketi garojnë për drejtimin e Mamushës

    Fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Mamushës ka hyrë në ditën e saj të dytë, me dy kandidatët që garojnë në balotazh, Abdulhadi Krasniq nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) dhe Fikret Morina nga Mamusha Halk Hareketi, të cilët kanë shpalosur zotimet e tyre kryesore për qytetarët e Mamushës.

    Kandidati i KDTP-së, Abdulhadi Krasniq, theksoi besimin që qytetarët kanë treguar ndaj partisë së tij në zgjedhjet e 12 tetorit, ku KDTP siguroi shumicën në Këshillin Komunal me 8 nga 15 ulëset. Ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe njoftoi se prioritet kryesor në mandatin e ardhshëm do të jetë përmirësimi i arsimit.

    Sipas Krasniqit, projekti i aneksit të ri të Shkollës Anadolliane do të nisë vitin e ardhshëm, me një buxhet tashmë të ndarë nga komuna. Aneksi do të përfshijë klasa moderne, një mensë, zona rekreative dhe hapësira për aktivitete sociale dhe kulturore.

    “Me këtë projekt, nxënësit tanë do të kenë arsimim me orar të plotë nga mëngjesi deri në orën 16:00. Arsimi është themeli i së ardhmes sonë, dhe me mbështetjen tuaj më 9 nëntor, do ta bëjmë realitet ëndrrën e një arsimi bashkëkohor në Mamushë,” deklaroi Krasniq, duke i bërë thirrje qytetarëve që ta përkrahin në raundin e dytë.

    Krasniqi shtoi se me një këshill të fortë të KDTP-së, bashkëpunimi mes pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv do të mundësojë një qeverisje shembullore, të përkushtuar për zhvillimin e Mamushës.

    Nga ana tjetër, kandidati i Mamusha Halk Hareketi, Fikret Morina, i cili në zgjedhjet e 12 tetorit fitoi pesë ulëse në Këshillin Komunal, u shpreh se partia e tij është gati të sjellë një vizion të ri dhe një administratë të re për komunën.

    Në qendër të platformës së tij, Morina vendosi përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe forcimin e lidhjeve me institucionet e Republikës së Turqisë. Ai premtoi se, nëse zgjidhet kryetar, do të punojë për të mundësuar që qytetarët me prejardhje turke që jetojnë në Kosovë të përfitojnë nga shërbimet shëndetësore në Turqi, përmes njohjes së të drejtës për Karta Blu.

    “Kjo nuk është vetëm një kërkesë për lehtësi, por një çështje e drejtësisë dhe e vëllazërisë që na lidh me atdheun tonë. Do të punojmë me vendosmëri që kjo e drejtë të realizohet,” deklaroi Morina.

  • LDK nis fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

    LDK nis fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

    Sot ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në Kosovë, e cila do të zgjasë gjashtë ditë.

    Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama, ka ndarë një video-incizim nga lagjja Dardania, ku premtoi vazhdimin e punës për ndriçimin publik e ndërtimin e parkingut nëntokësor.

    Rama po ashtu rikujtoi punët e realizuara pranë Termokosit, ku sheshi i ri dhe hapësirat përreth ndërtesave me fasada të rinovuara kanë transformuar zonën.

    Në Gjilan, kandidati i LDK-së, Arbër Ismajli, i cili garon në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) takoi banorët e Malishevës së heroit Abdullah Tahiri, nga aty u tha se qytetarët po bashkohen për “ndryshimin përfundimtar të një qeverisjeje që ka dështuar në zhvillimin e Gjilanit”.

    Kurse në Fushë Kosovë, kandidati Besnik Osmani ka premtuar rinovimin e banesave në Bresje, duke e cilësuar këtë si një zotim të palëkundur ndaj banorëve të asaj zone.

    Kryetari aktual i Obiliqit, Xhafer Gashi që kërkon edhe një mandat të ri kërkoi besimin e qytetarëve për të vazhduar projektet zhvillimore me mesazhin: “Premtimet e dhëna i kemi dëshmuar me punë e vepra.

    Gazmend Muhaxheri, kryetari në detyrë i Pejës, ditën e parë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve ka ndarë pamje nga transformimi i qytetit me moton “#PejaDje & #PejaSot.

    Sokol Haliti, kryetari aktual i komunës së Vitisë dhe kandidat për një mandat të ri, ka zhvilluar takim me Forumin e Gruas të LDK-së teksa ka lavdëruar angazhimin e grave në politikë.

    Në Junik, kryetari aktual dhe kandidat për mandat të ri, Ruzhdi Shehu u zotua për qeverisje të ndershme dhe kritikuar “kontratat e keqmenaxhuara” të ish-qeverisjes, duke thënë se “ka kaluar koha e jackpotëve”.

  • Balotazhi i 9 nëntorit, kandidatët e VV-së dalim në terren

    Balotazhi i 9 nëntorit, kandidatët e VV-së dalim në terren

    Lëvizja Vetëvendosje ka hapur sot zyrtarisht fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të kulmojë më 9 nëntor.

    Në Prishtinë, kandidati Hajrulla Çeku u takua me banorët e Mramorit për të diskutuar problemet bazike dhe potencialin turistik të zonës, duke promovuar projektin “10 fshatrat” për zhvillim rural dhe agroturizëm.

    Në Gjakovë, kandidati Ardian Gola tha se kjo javë është vendimtare për qytetarët që kërkojnë ndryshim teksa prezantoi vizionin e tij për Gjakovën e së nesërmës.

    Në Gjilan, kryetari aktual dhe kandidati për mandat të dytë, Alban Hyseni premtoi ndërtimin e një strehimoreje të re për të mbijetuarat e dhunës në familje, subvencionim të pagave për gratë që kërkojnë punë, si dhe bursa studimore për vajzat dhe gratë studente.

    Në Kaçanik, kandidati Jeton Raka falënderoi qytetarët për mbështetjen në raundin e parë dhe ftoi për mobilizim të plotë në balotazh.

    Në Mitrovicë, kandidati Faton Peci ndau një video-mesazh nga ku premtoi takim e komunikim të drejtpërdrejtë me banorët në çdo lagje dhe fshat për të rikonfirmuar fitoren më 9 nëntor.

    Kandidati, Halil Thaçi mbajti një tubim në Obiliq ku mori pjesë lideri i partisë Albin Kurti. Thaçi u zotua për punë të ndershme dhe prioritet në arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën dhe bujqësinë.

    Në Prizren, kandidati Artan Abrashi nisi fushatën me një takim në Shatërvan së bashku me partnerët e tij politikë: Zafir Berisha (BD), Besnik Krasniqi (AAK), Emilija Redžepi (NDS) dhe Haxhi Avdyli (Guxo). “Bashkë me partnerët për ndryshimin dhe fitoren e madhe të Prizrenit më 9 nëntor! Fitorja është e pashmangshme”, shkroi Abrashi.

    Në Vushtrri, kandidati Sylejman Meholli krahë me Albin Kurtin premtuan zhvillim ekonomik, mbështetje për bizneset e vogla dhe investime në Zonën Ekonomike të Lumadhit. Meholli gjithashtu ftoi qytetarët për mobilizim të plotë në balotazh më 9 nëntor.

  • Kandidatët e PDK-së nisin fushatën gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

    Kandidatët e PDK-së nisin fushatën gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

    Në ditën e parë të fushatës gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash, kryetari aktual i Prizrenit dhe kandidati për një mandat të dytë, Shaqir Totaj, ka nisur fushatën me publikimin e një video-mesazhi, duke theksuar vazhdimësinë e projekteve zhvillimore dhe përkushtimin për ndërtimin e një Prizreni modern.

    Kryetari aktual i Kaçanikut, kandidati për një mandat të dytë, Sabedin Vishi, premtoi vazhdimin e punëve të filluara, përmirësimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e mëtejshëm të komunës. Ai ka ftuar qytetarët që më 9 nëntor të mbështesin një qeverisje me përkushtim dhe transparencë.

    Në Mitrovicë, kandidati i PDK-së Arian Tahiri ka hyrë në raundin e dytë me mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ai ka mbajtur një tubim me qytetarët ku është konfirmuar bashkëpunimi ndërmjet dy subjekteve politike për të siguruar një qeverisje të përbashkët në interes të qytetit.

    Kryetari aktual i Vushtrrisë dhe kandidati për një mandat të dytë, Ferit Idrizi, ka vizituar disa biznese lokale gjatë ditës së parë të fushatës, duke vlerësuar kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të komunës dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

    Në Klinë, kandidati i PDK-së Sokol Bashota ka filluar fushatën për balotazhin me falënderime për qytetarët dhe me thirrje për pjesëmarrje të gjerë në zgjedhjet e 9 nëntorit, duke theksuar rëndësinë e një qeverisjeje të ndershme dhe të përkushtuar ndaj qytetarëve.

  • Spasiç tërhiqet nga gara në Kllokot, KQZ: Gara për mryetar vazhdon sipas planit

    Spasiç tërhiqet nga gara në Kllokot, KQZ: Gara për mryetar vazhdon sipas planit

    Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreçko Spasiç nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb”, ka njoftuar më 3 nëntor se i është bashkuar Listës Serbe dhe nuk do të marrë pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës, i planifikuar të mbahet më 9 nëntor.

    Në një deklaratë, Spasiç tha se të gjithë energjitë dhe burimet e nismës qytetare do t’i përkushtojë fitores së Listës Serbe, të cilën e cilësoi “familja politike që bashkon popullin serb në Kosovë”.

    “Njëkohësisht, unë, Sreqko Spasiq, dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe të gjithë qytetarët e komunës së Kllokotit se tërhiqem nga gara zgjedhore dhe nuk do të marr pjesë në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit që do të mbahet më 9 nëntor. Me gjithë forcën dhe energjinë time, së bashku me anëtarët e deritanishëm të ‘Unitetit Kombëtar Serb’, e tashmë anëtarë të Listës Serbe, do të përkushtohemi për fitoren e Listës Serbe”, u tha në njoftim.

    Lista Serbe ka mirëpritur vendimin e tij, duke e quajtur atë “dëshmi të pjekurisë dhe përgjegjësisë politike”.

    Ndërkohë, Valmir Elezi nga Komisionin Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se tërheqja e Spasiçit nuk ndikon në zhvillimin e raundit të dytë.

    “Sipas procedurave dhe afateve të vendosura nga KQZ, afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara zgjedhore ishte data 2 shtator 2025. Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit vazhdon me emrat e dy kadidatëve që kanë fituar më së shumti vota në rundin e parë”, tha Elezi.

    Sipas rezultateve preliminare nga raundi i parë në Kllokot, Bozhidar Dejanoviq i Listës Serbe fitoi 893 vota ose 41.38 për qind, ndërsa Sreçko Spasiç mori 674 vota ose 31.23 për qind.

    Kllokoti është e vetmja komunë me shumicë serbe ku zhvillohet balotazhi, pasi në nëntë komunat e tjera Lista Serbe fitoi qysh në raundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor.

  • AAK nis fushatën e balotazhit për kryetarët e komunave

    AAK nis fushatën e balotazhit për kryetarët e komunave

    Në ditën e pare të fushatës gjashtëditore për raundin e dytë të zgjdhjeve lokale për kryetarë komunash, kryetari aktual i Gjakovës dhe kandidati i AAK-së për një mandat të ri, Ardian Gjini, ka hapur zyrtarisht fushatën e balotazhit duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e deritanishme teksa ka premtuar vazhdimin e projekteve zhvillimore duke bërë thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje aktive gjatë ditëve të fushatës.

    Në Suharekë, kryetari aktual Bali Muharremaj ka nisur fushatën duke theksuar përkushtimin për përmirësimin e infrastrukturës lokale teksa ka njoftuar për asfaltimin e rrugëve në Vraniq dhe segmentin Shirokë–Topliqan.

    Kryetari i Rahovecit dhe kandidati I AAK-së për mandat të ri, Smajl Latifi, falenderoi qytetarët për mbështetjen e tyre dhe bëri thirrje për pjesëmarrje active gjatë fushatës gjashtëditore për balotazh.

    Në Junik, kandidati i AAK-së Agron Kuci, që garon në këtë balotazh me mbështetje nga Lëvizja Vetëvendosje premton punë të ndershme teksa kërkoi vote me 9 nëntor.