ATV

Category: ZGJEDHJET 2025

  • PDK mbyll fushatën gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

    PDK mbyll fushatën gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

    Kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetarë komune përmbyllën sot fushatën gjashtëditore, duke i bërë thirrje qytetarëve që të votojnë masivisht këtë të dielë, më 9 nëntor.

    Në Mitrovicë, kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, zhvilloi aktivitetin përmbyllës në prezencë të kryetarit të partisë, Memli Krasniqi. Tahiri premtoi se, nëse zgjidhet kryetar do të punojë për zhvillim të qëndrueshëm të qytetit dhe për mirëqenie për të gjithë qytetarët.

    Ai falënderoi qytetarët dhe aktivistët për mbështetjen dhe bashkimin e tyre në këtë fazë të fundit të fushatës, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit dhe angazhimit qytetar për të ndërtuar një Mitrovicë më të fortë dhe të zhvilluar.

    Në Prizren, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të dytë, Shaqir Totaj, iu drejtua qytetarëve me një video-mesazh falënderimi për mbështetjen në raundin e parë dhe bëri thirrje për mobilizim të plotë këtë të dielë. Ai premtoi se do të vazhdojë të punojë për një Prizren që funksionon 24 orë, me projekte zhvillimi dhe infrastrukturë për të gjithë qytetarët.

    Në Kaçanik, kandidati i PDK-së Sabedin Vishi, në ditën e fundit të fushatës u shpreh se roli i grave dhe komunitetit është kyç për zhvillimin e komunës dhe premtoi të punojë për një të ardhme të barabartë dhe me mundësi për të gjithë qytetarët.

    Në Vushtrri, kandidati për një mandat të dytë, Ferit Idrizi, deklaroi se planet e zhvillimit të qytetit do të vazhdojnë pa ndërprerje dhe kërkoi përkrahje masive për të siguruar vazhdimësinë e projekteve që kanë nisur.

  • Kurti mbështet kandidatët e VV-së në tubimet përmbyllëse në gjithë Kosovën

    Kurti mbështet kandidatët e VV-së në tubimet përmbyllëse në gjithë Kosovën

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrualla Ceku, mbajti tubimin përmbyllës në “Pallatin e Rinisë”, në prani të liderit të VV-së, Albin Kurti. Gjatë fjalës së tij, Ceku kritikoi keqmenaxhimin dhe mungesën e rezultateve të kundërkandidatit të tij gjatë mandatit të parë, duke theksuar nevojën për një qeverisje më të përgjegjshme dhe transparente. Ai gjithashtu premtoi përkushtim për zhvillim të qëndrueshëm të kryeqytetit.

    Në Mitrovicë, kandidati Faton Peci përmbylli fushatën me zotimin se do t’i shërbejë qytetit “me përkushtim dhe transparencë të plotë”. Ai kritikoi qeverisjen aktuale për projektet e parealizuara dhe tha se qytetarët do të dinë “çdo cent se ku do të shpenzohet”. Në tubimin e tij mori pjesë edhe Albin Kurti, i cili u bëri thirrje qytetarëve të dalin masovikisht në votime të dielën.

    Në Fushë Kosovë, Valon Prebreza publikoi videon e fushatës përmbyllëse me mesazhin “Bashkë drejt fitores së madhe”, me theks të vecantë se çdo votë mund të sjellë ndryshimin e shumëkërkuar.

    Në Vushtrri, kandidati I VV-së Sylejman Meholli premtoi ndërtimin e një rrethi të ri në magjistralen Prishtinë–Mitrovicë, zotim që, siç tha, e ka marrë mbështetjen edhe nga kryeministri Kurti. “Na e jepni besimin dhe na mbani për fjalë”, u shpreh ai para banorëve të Dumnicave.

    Në Gjilan, kandidati i VV-së dhe kryetari aktual Alban Hyseni përmbylli fushatën së bashku me Kryeministrin Albin Kurti. Ata morën pjesë në përurimin e dronit “Skifter”, të prodhuar nga një kompani vendore, si shembull të kreativitetit dhe vizionit të të rinjve gjilanas. Më pas, Hyseni dhe Kurti diskutuan me afaristë dhe inxhinierë lokalë për projektet që synojnë të transformojnë qytetin edhe në mandatin e ardhshëm.

    Në Viti, kandidati Arsim Ademi premtoi ndërtimin e pesë çerdheve të reja në disa fshatra të komunës dhe 3 ura ekzistues njëkahëshe në ura dykahëshe.

    Në Gjakovë, kandidati Ardian Gola premtoi reformën në shëndetësi, me projektin “Mjeku i familjes” dhe shërbime geriatrike për të moshuarit.

    Në Prizren, kandidati i VV-së Artan Abrashi, bashkë me Albin Kurti dhe kryetarin e Komunës së Tetovës Bilall Kasami, përmbylli fushatën me theks në promovimin e kulturës dhe bashkëjetesës.

    Në Pejë, kandidati Taulant Kelmendi bëri thirrje për “fund të frikës dhe presioneve politike”, duke garantuar se punonjësit e komunës nuk do të përballen me hakmarrje politike. “Secili do ta ketë vendin e punës të sigurt sipas ligjit”, tha Kelmendi.

    Ndërsa në Obiliq, kandidati Halil Thaçi u bëri thirrje qytetarëve të dalin në votime të dielën dhe premtoi se do t’i shërbejë komunës me nder, respekt dhe krenari.

  • LDK mbyll fushatën gjashtëditore me thirrje për mobilizim drejt fitores së 9 nëntorit

    LDK mbyll fushatën gjashtëditore me thirrje për mobilizim drejt fitores së 9 nëntorit

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllur sonte fushatën gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, që do të mbahen të dielën më 9 nëntor.

    Në tubimin përmbyllëse të mbajtur Në Fushë Kosovë, kandidati i Besnik Osmani, në praninë e liderit të LDK-së Lumir Abdixhiku, u shpreh se së bashku me qytetarët do të punojnë për të ndërtuar një komunë më të mirë dhe më të bashkuar.

    Në Viti, kandidati dhe kryetari aktual Sokol Haliti tha se mbështetja e qytetarëve është garanci për fitore të padiskutueshme dhe për vazhdim të zhvillimit. Ndërsa Abdixhiku në fjalën e tij e cilësoi Halitin si garanci të qeverisjes së mirë, stabilitetit dhe zhvillimit.

    Në Junik, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të ri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ruzhdi Shehu, ka përmbyllur fushatën me një tubim entuziast, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Shehu u shpreh se gjatë mandatit të tij, Juniku është shndërruar në një komunë të punës, të besës dhe të zhvillimit, duke premtuar se ky ritëm do të vazhdojë edhe në katër vitet e ardhshme. Kurse kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku tha se “në qytetin e besës e të lavdisë, festa e fitores ka nisur më herët”, duke e cilësuar Shehun si njeriun e punës dhe të fjalës së mbajtur.

    Në Prishtinë, kryetari aktual dhe kandidati i LDK-së për kryetar edhe për një mandat të dytë, Përparim Rama rikujtoi projektet e realizuara gjatë mandatit të parë. Ai po ashtu sot gjatë ditës përuroi stadiumit të ri në lagjen Prishtina e Re. “Ky është një hapësirë për sport, për të rinjtë dhe për frymën e bashkimit,” theksoi Rama, duke premtuar vazhdimësi të punës dhe projekteve për kryeqytetin.

    Në Gjilan, kandidati Arbër Ismajli bëri thirrje për dalje masive në ditën e zgjedhjeve. Ai tha se koha e fjalëve ka mbaruar dhe se tani është momenti për veprim për ta ndalur degradimin dhe për një Gjilan të zhvilluar që do t’i bëjë krenar të gjithë qytetarët.

    Në Obiliq, kryetari aktual Xhafer Gashi tha se 12 vitet e qeverisjes së tij kanë sjellë zhvillim dhe partneritet me qytetarët. Ai premtoi vazhdimësi të punëve të nisura.

    Ndërsa në Pejë, kryetari në detyrë Gazmend Muhaxheri, kandidat edhe për një mandat, në ditën e fundit të fushatës rikujtoi transformimin e komunës gjatë qeverisjes së tij.

  • Në prag të zgjedhjeve, kandidatët e AAK-së bëjnë thirrje për votim nesër

    Në prag të zgjedhjeve, kandidatët e AAK-së bëjnë thirrje për votim nesër

    Në ditën e fundit të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të komunës së Junikut Agron Kuçi, mbajti tubimin përmbyllës të fushatës, ku mori pjesë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe partneri i koalicionit, Vetëvendosje. Kuçi prezantoi planprogramin për vitet 2025-2029, duke premtuar zhvillim të qëndrueshëm dhe projekte që rrisin cilësinë e jetës në komunë. Haradinaj tha se Kuçi do t’a shndërroj Junikun në një model të qeverisjes lokale, dhe se më 9 nëntor qytetarët do të kenë mundësinë të rikthejnë qeverisjen që e meritojnë.

    Kryetari aktual I Gjakovës dhe kandidat për një mandat të ri, Ardian Gjini, ka bërë një bilanc të punës së tij . Ai tha se gjatë mandatit të tij janë realizuar projekte infrastrukturore, përmirësuar shërbimet dhe janë krijuar hapësira të reja publike. Gjini ka përmbyllur videon duke thënë se kjo nuk është politikë por mision dhe përkushtim ndaj qytetit dhe komunës së tij, duke bërë thirrje për mobilizim më 9 nëntor.

    Kryetari aktual i Klinës, Zenun Elezaj, i cili kërkon edhe një mandat 4-vjeçar, ka njoftuar rregullimin e rrugës që lidh fshatin Përqevë me rrugën rajonale Prishtinë–Pejë. Elezaj gjithashtu njoftoi për një marrëveshje bashkëpunimi me degën e PSHDK-së në Klinë, me synim për një qeverisje transparente dhe në shërbim të çdo qytetari.

    Në Suharekë, kryetari aktual dhe kandidat për një mandat të ri, Bali Muharremaj, tha se çdo kërcënim, shpifje apo lajm i rremë ndaj tij dhe familjes do të trajtohet në organet e drejtësisë pas zgjedhjeve.

    Muharremaj në Bukosh bëri thirrje që më 9 nëntor të votohet numri 174.

    Ndërsa në Rahovec, kryetari aktual dhe kandidat për mandat të ri nga AAK, Smajl Latifi, zhvilloi një mobilizim final me bashkëpunëtorët e tij, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen gjatë fushatës dhe duke theksuar se fitorja e tij do të jetë fitorja e qytetarëve.

  • Përmbyllet fushata në Mamushë, Krasniq e Morina kërkojnë besimin e qytetarëve për të ardhmen e komunës

    Përmbyllet fushata në Mamushë, Krasniq e Morina kërkojnë besimin e qytetarëve për të ardhmen e komunës

    Në Mamushë, sot është përmbyllur fushata gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune, që do të mbahen të dielën, më 9 nëntor.
    Në ditën e fundit të fushatës, kryetari aktual, Abdulhadi Krasniq nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, i cili garon për një mandat të tretë, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe ta vendosin së bashku të ardhmen e komunës.

    “Ejani nesër, le të shkojmë në votime me familjet dhe të dashurit tanë dhe të përcaktojmë së bashku të ardhmen tonë. Votoni 104 për një të nesërme më të mirë,” tha Krasniq, duke premtuar se programi i tij për mandatin e ardhshëm do të fokusohet në mbështetjen e bujqve, tregtarëve dhe artizanëve lokal.

    Krasniq kujtoi se tashmë është nisur një program mbështetës ekonomik, në kuadër të të cilit kanë aplikuar 248 bujq dhe mbi 200 tregtarë e artizanë.

    “Banorët e Mamushës na njohin mirë. Nëse premtojmë një projekt apo mbështetje, e realizojmë. Çdo projekt kërkon kohë e përgjegjësi, jo premtime të shpejta. Ne do ta përfundojmë këtë proces dhe do t’u dorëzojmë mbështetjen qytetarëve tanë,” deklaroi Krasniq.

    Ndërsa kandidati i Mamusha Halk Hareketi, Fikret Morina, në mbyllje të fushatës ka vënë theksin tek rinia. Ai tha se zgjedhjet e së dielës janë “një moment historik që do të përcaktojë të ardhmen e Mamushës”.

    “Është koha të kërkojmë kujdes për të ardhmen. Të rinjtë e Mamushës nuk duhet të jenë më spektatorë, por vendimmarrës. Një votë mund të ndryshojë fatin e një qyteti,” tha Morina, duke shtuar se vizioni i tij është që të rinjtë të marrin pjesë në qeverisje me idetë dhe projektet e tyre.

    Ai falënderoi gjithashtu bashkëqytetarët nga Turqia dhe Evropa, të cilët po kthehen në vendlindje për të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Deklaratën e tij, Morina e shoqëroi me pamje të një autobusi me bashkatdhetarë që kishin ardhur nga jashtë vendit për raundin e dytë të zgjedhjeve.

  • Balotazhi i 9 nëntorit, kandidatët e VV-së premtojnë zhvillim ekonomik dhe projekte infrastrukturore

    Balotazhi i 9 nëntorit, kandidatët e VV-së premtojnë zhvillim ekonomik dhe projekte infrastrukturore

    Në ditën e pestë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar në Vushtrri, Sylejman Meholli, i shoqëruar nga lideri i LVV-së, Albin Kurti dhe partneri i koalicionit për balotazh, Xhafer Tahiri nga LDK premton funksionalizimin e Zonës Ekonomike në Lumadh, duke shfrytëzuar investimet e kryera nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për punësim dhe zhvillim ekonomik.

    Në Mitrovicë, Faton Peci, gjithashtu i shoqëruar nga Albin Kurti, vizitoi tri biznese familjare nga aty ai u premtoi mbështetje financiare dhe infrastrukturore.

    Peci po ashtu premon ndërtimin e urave të reja për përmirësimin e qarkullimit në qytet.

    Në Prishtinë, Hajrulla Çeku konfirmoi mbështetjen e Alternativës dhe apeloi për mobilizim maksimal për balotazhin e 9 nëntorit, duke theksuar rëndësinë e ndryshimit dhe zhvillimit të kryeqytetit.

    Në Gjilan, kryetari aktual dhe kandidat Alban Hyseni diskutoi me gratë e Zhegrës mbi rëndësinë e përfshirjes së tyre në vendimmarrje dhe rol aktiv në zhvillimin shoqëror.

    Në Viti, kandidati Arsim Ademi njoftoi për koalicionin me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, si një hap drejt një qeverisjeje më të përgjegjshme dhe transparente.

    Ardian Gola kandidat për kryetar në Gjakovë, premton modernizimin e bujqësisë me sera, sisteme ujitjeje dhe mbrojtëse kundër breshërit, duke përdorur energji të pastër.

    Në Prizren, Artan Abrashi, së bashku me partnerët e koalicioniT, vizitoi zonat Has, Anadrini, Kurillë, Rali dhe Dardani. Ai theksoi se mesazhi i qytetarëve është i qartë: Prizreni është gati për ndryshim dhe për një qeverisje që punon me përgjegjësi dhe sjell rezultate konkrete.

    Taulant Kelmendi, kandidati i VV-se per kryetar në Pejë, fton mbështetësit e partive të tjera për të bashkëpunuar në ndërrimin e qeverisjes lokale.

    Ndërsa në Obiliq, kandidati Halil Thaçi premton investime në nënkalime, rrethrrotullime dhe infrastrukturë që lidhet me fshatin Plemetin dhe qytetin, për lehtësimin e qarkullimit.

  • Raundi i dytë zgjedhor, kandidatët e LDK-së kërkojnë mbështetjen e qytetarëve më 9 nëntor

    Raundi i dytë zgjedhor, kandidatët e LDK-së kërkojnë mbështetjen e qytetarëve më 9 nëntor

    Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama mbajti tubimin përmbyllës të fushatës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, ku ishte i pranishëm edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Rama prezantoi vizionin e tij për projekte të mëdha infrastrukturore, kulturore dhe zhvillimore që synojnë ta bëjnë Prishtinën një qytet modern dhe të njohur ndërkombëtarisht

    Në Fushë Kosovë, kandidati i LDK-së, Besnik Osmani, ka prezantuar projektet kryesore që synojnë përmirësimin e infrastrukturës në komunë, përfshirë ndërtimin e një rrethrrotullimi.

    Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi që kërkon një mandat të ri, rikujtoi se çdo premtim i tij është kthyer në vepra konkrete gjatë mandatit të parë. “Fituam për tre mandate dhe do të fitojmë edhe më 9 nëntor, sepse asnjëherë nuk e tradhtuam besimin tuaj”, tha Gashi.

    Gazmend Muhaxheri kryetar aktual i Pejës ka rikujtuar punët e realizuara gjatë mandatit të tij në këtë komunë si dhe punët që po bëhen në infrastrukturë.

    Në Viti, kryetari aktual dhe kandidat për një mandat të ri, Sokol Haliti, po intensifikon fushatën me tubime në të gjitha pjesët e komunës. Shtabet zgjedhore në Germovë, Goshicë dhe Ramjan janë të mobilizuara dhe të përgatitura për të siguruar fitoren më 9 nëntor tha Haliti.

    Në Junik, kryetari aktual dhe kandidat për një mandat të ri, Ruzhdi Shehu, ka ngritur një padi ndaj Agron Kuçit dhe AAK-së për deklarata shpifëse. Ai ka siguruar angazhim të shtuar të policisë dhe monitorim 24/7 për zgjedhjet e 9 nëntorit, duke ftuar qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të dalin për të votuar në mënyrë të sigurt.

  • Kandidatët e PDK-së para balotazhit mobilizojnë qytetarët dhe premtojnë investime

    Kandidatët e PDK-së para balotazhit mobilizojnë qytetarët dhe premtojnë investime

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar në Klinë, Sokol Bashota, gjatë tubimit përmbyllës së bashku me liderin e partisë, Memli Krasniqi, u fokusua tek investimet kapitale në qytet dhe fshatra, me qëllim rikthimin e besimit dhe dinjitetit të institucioneve komunale. Ai gjithashtu bëri thirrje për mobilizim të fuqishëm të qytetarëve për të votuar më 9 nëntor.

    Në ditën e pestë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së për një mandat të dytë në Prizren, Shaqir Totaj, mbajti tubimin përmbyllës, ku falenderoi qytetarët për mbështetjen dhe energjinë e tyre, duke theksuar se fitorja është pranë.

    Ai gjithashtu u shpreh mirënjohje ndaj bashkatdhetarëve dhe hasjanëve që po vijnë për të mbështetur qytetin, duke nënvizuar se të bashkuar do të arrijnë fitore.

    Në Dragash, kandidati i PDK-së për kryetar, Shaban Shabani, mbajti tubimin përmbyllës së bashku me liderin e partisë, Memli Krasniqi. Ata theksuan rëndësinë e bashkimit të qytetarëve dhe angazhimit për zhvillim dhe punë në komunë. Shabani bëri thirrje që më 9 nëntor qytetarët të shprehin vullnetin e tyre dhe të kthejnë ndryshimin në fitore.

    Në Kaçanik, kryetari aktual Sabedin Vishi u angazhua për “ritëm të ri zhvillimi, horizonte të reja të punës dhe perspektivës për të gjithë, pa dallime, me qeverisje që mbështetet në transparencë dhe bashkëqeverisje:.

    Në Mitrovicë, kandidati Arian Tahiri vizitoi bizneset dhe qytetarët, duke theksuar bashkëpunimin dhe përkushtimin si motor për zhvillimin e qytetit. Ai vuri në dukje rëndësinë e mbështetjes së bizneseve familjare dhe ruajtjes së traditës dhe cilësisë në prodhim.

    Në Vushtrri, kryetari aktual Ferit Idrizi, gjatë tubimit përmbyllës, falenderoi qytetarët për besimin dhe përkrahjen: “Energjia dhe përkrahja e qytetarëve tregojnë se puna jonë ka lënë gjurmë. Të jem kryetari i çdo qytetari të Vushtrrisë është nderi më i madh i jetës sime.”

  • Zgjedhjet e 9 nëntorit, AAK mbyll fushatën me zotime për investime e punësim

    Zgjedhjet e 9 nëntorit, AAK mbyll fushatën me zotime për investime e punësim

    Në ditën e pestë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën më 9 nëntor, kryetari aktual i Gjakovës, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini mbajti tubimin përmbyllës në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, në prani të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Gjini falënderoi qytetarët dhe partnerët e koalicionit për mbështetjen e deritanishme, duke rikujtuar projektet që, siç tha ai, kanë transformuar komunën.

    Në mandatin e ri, ai premtoi investime të reja në infrastrukturë, ndërtim dhe zgjerim rrugësh, shkolla të pajisura me sistem ngrohjeje, shërbime më të mira shëndetësore dhe përmirësim të furnizimit me ujë të pijes në zonat rurale.

    Në Suharekë, kandidati për një mandat të dytë, Bali Muharremaj, u shpreh se forca e tij qëndron tek mbështetja e popullit, duke theksuar se “obligimi i vetëm është puna”. Në tubimet në Leshan dhe Greikoc, ai kërkoi besimin e qytetarëve për ta vazhduar, siç tha, rrugën e projekteve të nisura në infrastrukturë dhe shërbime lokale.

    Në Junik, kandidati i AAK-së Agron Kuçi reagoi ndaj kundërkandidatëve, duke i cilësuar përpjekjet për dezinformim si shenjë paniku. Kuçi u zotua për një Junik më të zhvilluar, me transparencë dhe menaxhim të drejtë të fondeve publike. “Me 9 nëntor vendos Juniku — me qetësi, me dinjitet dhe për të ardhmen që e meriton”, tha ai.

    Ndërsa në Rahovec, kryetari aktual Smajl Latifi mbajti tubimin përmbyllës në shkollën fillore “Sabedin Hajda”, ku falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe premtoi vazhdim të projekteve zhvillimore në çdo fshat e lagje të komunës. “Besimin që ma dhatë, do ta kthej me punë, rezultate dhe projekte që do ta çojnë Rahovecin përpara, pa lënë askënd prapa”, u shpreh Latifi, duke ftuar qytetarët që të votojnë numrin 174 më 9 nëntor.

  • Zgjedhjet për kryetar të Mamushës, Krasnic dhe Morina me mesazhe të kundërta për të ardhmen e komunës

    Zgjedhjet për kryetar të Mamushës, Krasnic dhe Morina me mesazhe të kundërta për të ardhmen e komunës

    Në ditën e pestë të fushatës gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Mamushës, kryetari aktual i kësaj komune, kandidat edhe për një mandat 4 vjecar, Abdulhadi Krasniq nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka ndarë pamje të punimeve infrastrukturore në lagjet Pasha e Demirci.

    “Si Komunë e Mamushës, kemi filluar punën për asfaltimin e rrugëve kryesore. Synimi ynë është të realizojmë projekte me cilësi të lartë që të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Ne vazhdojmë të punojmë në çdo lagje dhe çdo rrugë, me qëllim që Mamusha të bëhet një qytet më i jetueshëm,” u shpreh Krasniq.

    Ai shtoi se prioritet i tij mbetet zhvillimi i qëndrueshëm i komunës përmes investimeve në infrastrukturë, shërbime publike dhe mirëqenie sociale.

    Nga ana tjetër, kandidati i Mamusha Halk Hareketi, Fikret Morina, u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për ndryshim dhe për një fillim të ri për Mamushën.

    “Këto zgjedhje nuk janë zgjedhje partie, por të një populli që ngrihet përsëri. Qëllimi ynë nuk është pushteti, por e ardhmja e Mamushës. Çdo votë më 9 nëntor do të jetë themeli i një të ardhmeje që do ta ndërtojmë bashkë”, deklaroi Morina.

    Ai po ashtu tha se në qendër të programit të tij qëndron zhvillimi ekonomik, mbështetja për bujqësinë dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje.