ATV

Category: Sport

  • Interi synon Ruben Diasin në rast të largimit të Yann Bisseck

    Interi synon Ruben Diasin në rast të largimit të Yann Bisseck

    Interi po planifikon lëvizjet e tij për afatin kalimtar veror dhe emri i mbrojtësit portugez Ruben Dias ka dalë në skenë si një nga objektivat e mundshëm për repartin defensiv.

    Sipas raportimeve të mediave italiane, drejtuesit zikaltër po monitorojnë situatën e qendërmbrojtësit të Manchester City, veçanërisht nëse gjatë verës largohet Yann Bisseck.

    Mbrojtësi gjerman po ndiqet nga Bayern Munich, ndërsa Interi thuhet se e vlerëson kartonin e tij rreth 40 milionë euro. Një shitje e mundshme e Bisseck do t’i hapte rrugë klubit italian të kërkojë një zëvendësues të nivelit të lartë.

    Në këtë skenar, Ruben Dias shihet si një alternativë ideale falë përvojës dhe cilësive të tij. Raportet sugjerojnë se statusi i portugezit te Manchester City mund të mos jetë më aq i paprekshëm sa në vitet e kaluara, duke rritur mundësinë e një transferimi.

    Interi beson se marrëdhëniet e mira me klubin anglez mund të ndihmojnë në negociata, duke marrë parasysh bashkëpunimet e mëparshme mes dy klubeve në tregun e transferimeve.

    Megjithatë, një operacion i tillë mbetet i komplikuar nga ana financiare. Manchester City pritet të kërkojë rreth 50 milionë euro për shërbimet e Diasit, çka do të thotë se Interi duhet fillimisht të realizojë një shitje të rëndësishme për të siguruar fondet e nevojshme.

    Për momentin, gjithçka varet nga e ardhmja e Yann Bisseck, ndërsa Ruben Dias mbetet një nga emrat më tërheqës në listën e dëshirave të zikaltërve për sezonin e ardhshëm.

  • Jurgen Uldedaj paralajmëron spektakël në Wembley: Vetëm fitorja më intereson

    Jurgen Uldedaj paralajmëron spektakël në Wembley: Vetëm fitorja më intereson

    Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka dërguar një mesazh të qartë dhe plot vetëbesim para përballjes me Austine Nnamdi, ku do të mbrojë titullin botëror IBO në kategorinë cruiserweight.

    Pak orë para ngjitjes në ring në OVO Arena Wembley, Uldedaj ka shprehur entuziazmin për sfidën, duke theksuar se synimi i tij afatgjatë është të bëhet kampion i padiskutueshëm i kategorisë.

    “Karriera perfekte për mua është të bëhem kampion i padiskutueshëm në kategorinë time. Tani dua vetëm ta mbroj titullin. Më pas, pse jo një meç unifikues? Kjo është mbrojtja ime e parë e titullit dhe jam jashtëzakonisht i emocionuar”, deklaroi shqiptari.

    Boksieri nga Lezha foli gjithashtu me krenari për mbështetjen e madhe që vazhdon të marrë nga tifozët shqiptarë, duke zbuluar se pret një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh në Londër për ta përkrahur.

    “Shqiptarët kanë qenë gjithmonë pranë meje. I dua njerëzit e mi dhe mbështetësit e mi. Ata janë zjarr. Kur jam në ring dhe i dëgjoj duke brohoritur, është një ndjenjë e jashtëzakonshme”, u shpreh ai.

    Megjithatë, deklarata më e fortë erdhi kur Uldedaj u pyet për rezultatin e meçit. Boksieri nuk la vend për dilema, duke e bërë të qartë objektivin e tij.

    “Fitore, fitore, fitore. Me çdo kusht fitore. Nuk ka rëndësi si, por ne do të fitojmë. Jemi gati. Kemi punuar fort dhe jemi përgatitur maksimalisht”, tha ai.

    Përballja ndaj Nnamdit konsiderohet një nga sfidat më të rëndësishme në karrierën e Uldedajt. Një triumf në Wembley do t’i siguronte mbrojtjen e parë të suksesshme të titullit botëror IBO dhe do ta afronte edhe më shumë drejt objektivit të madh për t’u shpallur kampion i padiskutueshëm në kategorinë cruiserweight.

  • Nico Paz gati për rikthimin te Real Madridi, klubi aktivizon klauzolën e riblerjes

    Nico Paz gati për rikthimin te Real Madridi, klubi aktivizon klauzolën e riblerjes

    Nico Paz është gjithnjë e më pranë rikthimit te Real Madridi, me mesfushorin argjentinas që tashmë është i informuar prej javësh për planet e klubit dhe e ka pranuar me entuziazëm sfidën për t’u rikthyer në “Santiago Bernabeu” sezonin e ardhshëm.

    Sipas raportimeve, lojtari është i gatshëm të nisë një kapitull të ri me skuadrën madrilene, pavarësisht lidhjes emocionale që ka krijuar me Comon gjatë qëndrimit të tij në Itali. Paz largohet nga klubi italian me vlerësime të larta, pasi zhvilloi një sezon pozitiv dhe u rrit ndjeshëm si futbollist nën drejtimin e trajnerit Cesc Fabregas.

    Te Real Madridi besohet se 20-vjeçari rikthehet si një lojtar më i pjekur dhe me cilësi të dëshmuara, i gatshëm për të konkurruar në nivelin më të lartë.

    Klubi madrilen pritet të aktivizojë klauzolën e riblerjes para afatit të 30 qershorit, duke siguruar shërbimet e talentit argjentinas për një shumë më të vogël se vlera aktuale e tij në treg. Raportohet se Reali do ta rikthejë Paz për më pak se 10 milionë euro, një lëvizje që konsiderohet shumë e favorshme ekonomikisht.

    Në këtë mënyrë, “Los Blancos” kanë arritur të mbrojnë interesat e tyre ndaj konkurrencës së fortë nga klubet e tjera evropiane, të cilat ishin të gatshme të investonin shuma shumë më të larta për transferimin e mesfushorit premtues.

    Rikthimi i Nico Paz pritet të jetë një nga lëvizjet e para të Real Madridit gjatë afatit kalimtar veror, ndërsa drejtuesit e klubit vazhdojnë ndërtimin e skuadrës për epokën e re nën drejtimin e Xabi Alonsos.

  • Dardanët nisen drejt Pragës për miqësoren ndaj Çekisë

    Dardanët nisen drejt Pragës për miqësoren ndaj Çekisë

    Kombëtarja e Kosovës ka përmbyllur përgatitjet e fundit në vend dhe është nisur drejt Pragës, ku të dielën do të zhvillojë ndeshjen miqësore kundër Çekisë.

    Atmosfera në kampin e “Dardanëve” është pozitive, me futbollistët dhe stafin teknik të fokusuar maksimalisht në këtë përballje, e cila konsiderohet një test i rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për sfidat e ardhshme.

    Federata e Futbollit e Kosovës ka publikuar pamje nga udhëtimi i ekipit drejt kryeqytetit çek, duke pasqyruar mobilizimin dhe përkushtimin e grupit para ndeshjes.

    “Drejt Çekisë për miqësoren e parë. Fokus, përkushtim dhe gati për sfidën që na pret”, ka shkruar FFK-ja në një nga publikimet e saj në rrjetet sociale.

    Në një tjetër postim, të shoqëruar me fotografi nga aeroporti dhe udhëtimi i ekipit, Federata ka ndarë momentet e nisjes së futbollistëve drejt Pragës, me mbishkrimin: “Dardanët nisen për në Pragë”.

    Përzgjedhësi Franco Foda pritet ta shfrytëzojë këtë takim për të testuar alternativa të ndryshme në formacion, si dhe për t’u dhënë mundësi disa lojtarëve që synojnë të fitojnë më shumë hapësirë në skuadër.

    Përballja me Çekinë do të shërbejë gjithashtu si një tregues i nivelit aktual të ekipit dhe do të ndihmojë stafin teknik në identifikimin e elementeve që kërkojnë përmirësim para sfidave të ardhshme.

    Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “epet ARENA” në Pragë, me fillim nga ora 16:00. Pas këtij takimi, Kosova do të vazhdojë përgatitjet për ndeshjen e radhës miqësore ndaj Andorrës, e cila do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

  • Roberto Martinez habit me deklaratën për Ronaldon: Mund të luajë edhe në Botërorin 2030

    Roberto Martinez habit me deklaratën për Ronaldon: Mund të luajë edhe në Botërorin 2030

    Trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, ka bërë një deklaratë befasuese lidhur me të ardhmen e Cristiano Ronaldos në kombëtare, duke mos e përjashtuar mundësinë që ylli portugez të luajë edhe në Kupën e Botës 2030.

    I pyetur nëse Ronaldo mund të jetë pjesë e Botërorit pas katër vitesh, Martinez u përgjigj: “Askush nuk duhet ta dyshojë këtë. Ai e ka merituar”.

    Tekniku portugez e vlerësoi maksimalisht mentalitetin dhe profesionalizmin e sulmuesit legjendar, duke e cilësuar si model ideal për futbollistët e rinj.

    “Do të dëshironim që modelin e Cristiano Ronaldos t’ua transmetonim të gjithë lojtarëve të rinj në Portugali, sepse ai është një shembull për t’u ndjekur”, deklaroi Martinez.

    Ai shtoi se Ronaldo nuk motivohen vetëm nga trofetë individualë apo kolektivë, por nga dëshira e vazhdueshme për t’u përmirësuar.

    “Cristiano nuk përcaktohet nga ajo që ka fituar, por nga uria që ka. Çfarëdo që fiton, të nesërmen ai ka të njëjtin motivim për t’u bërë edhe më i mirë”, tha trajneri i Portugalisë.

    Martinez gjithashtu theksoi se ka punuar me shumë futbollistë që pasi kanë fituar trofe të mëdhenj kanë humbur motivimin, ndërsa Ronaldo vazhdon të ketë mentalitet unik.

    “Kam punuar me lojtarë që pasi fituan Ligën e Kampionëve ose Topin e Artë humbën oreksin për sukses. Te Ronaldo shohim një mentalitet krejt ndryshe”, u shpreh ai.

    Sipas Martinezit, jetëgjatësia sportive e Ronaldos lidhet me përkushtimin maksimal ndaj trupit, disiplinën dhe mentalitetin fitues.

    Nëse do të luante në Kupën e Botës 2030, Cristiano Ronaldo do të ishte 45 vjeç.

  • Topi i Artë 2026 feston 70-vjetorin me ceremoninë historike në Londër

    Ceremonia e Topit të Artë 2026 do të jetë historike, pasi për herë të parë në 70-vjetorin e çmimit ajo do të zhvillohet në Londër, më 26 tetor.

    I krijuar nga revista franceze France Football në vitin 1956, Topi i Artë është bashkëorganizuar me UEFA-n që nga viti 2024. Vendimi për të pritur këtë ngjarje në kryeqytetin britanik është një nderim për Sir Stanley Matthews, fituesin e parë të çmimit, 70 vjet më parë. Ky veprim pasqyron ndikimin global dhe prestigjin e madh që ka fituar ky çmim në futbollin botëror.

    Vëmendja tani do të përqendrohet te pasuesit e fituesve të vitit 2025, Aitana Bonmati dhe Ousmane Dembélé, ndërsa Kupa e Botës 2026 po afrohet gjithashtu. Emrat më të përfolur dhe favoritët kryesorë për Topin e Artë 2026 janë Lamine Yamal, Micheal Olise, Erling Haaland, Kylian Mbappé dhe Harry Kane.

    Detajet për nominimet dhe akreditimet për mediat do të njoftohen në kohën e duhur.

  • Vedat Muriqi mund të rikthehet te Fenerbahçe këtë verë

    Vedat Muriqi mund të rikthehet te Fenerbahçe këtë verë

    Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, mund të rikthehet sërish në futbollin turk gjatë afatit kalimtar veror.

    Sipas raportimeve të gazetarit të njohur italian, Nicolo Schira, Fenerbahçe ka nisur negociatat për transferimin e “bomberit” kosovar nga Mallorca. Klubet po vazhdojnë bisedimet për të finalizuar shumën e transferimit, ndërsa Muriqi thuhet se ka arritur marrëveshje personale me Fenerbahçen për një kontratë deri në verën e vitit 2029.

    Ky rikthim do të shënonte një kapitull të njohur për “Piratin”, i cili kishte veshur fanellën e gjigantit turk gjatë sezonit 2019/20 dhe kishte lënë gjurmë me golat dhe paraqitjet e tij. Pikërisht forma e tij me Fenerbahçen i hapi rrugën transferimit të madh në Serie A te Lazio.

    Edhe pse Mallorca ra nga La Liga sezonin e kaluar, Muriqi zhvilloi një sezon shumë të suksesshëm individualisht, duke shënuar 23 gola në 37 ndeshje dhe duke qenë lideri i skuadrës spanjolle në repartin ofensiv.

    Një rikthim te Fenerbahçe do të ishte padyshim një lajm i mirë për tifozët e klubit dhe një hap i rëndësishëm në karrierën e sulmuesit kosovar.

  • Andi Hoti largohet nga grumbullimi i Kosovës shkaku i lëndimit

    Andi Hoti largohet nga grumbullimi i Kosovës shkaku i lëndimit

    Kosova po vazhdon përgatitjet për ndeshjet miqësore të muajit qershor, ku “Dardanët” fillimisht do të përballen me Çekinë, ndërsa një javë më vonë do të luajnë ndaj Andorrës.

    Megjithatë, lajmi i keq për përfaqësuesen është lëndimi i mesfushorit Andi Hoti në stërvitjen e djeshme. Pas kontrolleve mjekësore është konfirmuar se ai nuk do të jetë pjesë e grumbullimit të Kosovës për këto dy ndeshje.

    Hoti pritet të qëndrojë jashtë fushave për disa javë dhe do të udhëtojë drejt Gjermanisë për ekzaminime shtesë dhe trajtim të mëtejshëm.

  • PSG dhe Arsenali përballen nesër në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve

    PSG dhe Arsenali përballen nesër në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve

    Finalja e shumëpritur e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet nesër, më 30 maj, ku Paris Saint-Germaini do të përballet me Arsenalin në stadiumin “Puskas Arena” në Budapest. Takimi pritet të nisë nga ora 18:00.

    Të dy skuadrat kanë kaluar një rrugëtim të jashtëzakonshëm drejt finales, duke eliminuar kundërshtarë të fortë dhe duke treguar formë të lartë gjatë gjithë sezonit.

    PSG-ja synon ta fitojë titullin e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve, pas triumfit historik të sezonit të kaluar, ndërsa Arsenali është në kërkim të trofeut të parë në histori në garën më prestigjioze evropiane për klube.

    “Topçinjtë” deri më tani kanë luajtur vetëm një herë në finale të Ligës së Kampionëve, në vitin 2006, ku u mposhtën nga Barcelona.

    Pritet një atmosferë elektrizuese në Budapest, me mijëra tifozë nga Franca dhe Anglia që do të mbështesin skuadrat e tyre në betejën për trofeun më të madh evropian për klube.

  • Mallorca vendos çmimin për Vedat Muriqin, interesim i madh nga klube europiane dhe turke

    Mallorca vendos çmimin për Vedat Muriqin, interesim i madh nga klube europiane dhe turke

    Krerët e Mallorcas raportohet se kanë përcaktuar çmimin për kartonin e sulmuesit të Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, i cili pritet të largohet gjatë afatit kalimtar të verës.

    32-vjeçari ka kontratë me klubin spanjoll deri në vitin 2029, por rënia e Mallorcas nga La Liga ka ndryshuar planet e të gjitha palëve.

    Sipas mediave spanjolle, Mallorca kërkon të paktën 18 milionë euro për transferimin e Muriqit, një shumë dukshëm më e ulët krahasuar me vlerësimin prej rreth 30 milionë eurosh që klubi kishte para rënies në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.

    Interesimi për sulmuesin kosovar mbetet i madh. Ditë më parë u raportua se Muriqi ka arritur marrëveshje personale me Aziz Yildirimin, kandidatin për president të Fenerbahçes, për një rikthim të mundshëm në futbollin turk.

    Përveç Fenerbahçes, interesim për shërbimet e tij kanë shfaqur edhe Galatasaray, Charlotte FC dhe gjiganti spanjoll Barcelona.

    Muriqi zhvilloi një sezon fantastik në La Liga, duke realizuar 23 gola dhe duke qenë lojtari kryesor i Mallorcas në repartin ofensiv.