ATV

Category: Sport

  • Pas Çekisë, Kosova kthen vëmendjen te miqësorja me Andorrën

    Pas Çekisë, Kosova kthen vëmendjen te miqësorja me Andorrën

    Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar përgatitjet për ndeshjen miqësore ndaj Andorrës, pas përballjes së zhvilluar të dielën në Pragë kundër Çekisë.

    Seanca e radhës stërvitore është mbajtur në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku nën drejtimin e stafit teknik janë stërvitur 11 futbollistë. Pjesa tjetër e ekipit ka ndjekur një program rigjenerues në hotel, me qëllim rikuperimin pas angazhimit në ndeshjen e fundit.

    Përzgjedhësi dhe bashkëpunëtorët e tij po vazhdojnë punën me intensitet të lartë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë përgatitjes taktike dhe fizike të skuadrës për testin e ardhshëm miqësor.

    Dardanët synojnë një paraqitje bindëse ndaj Andorrës, në një ndeshje që do të shërbejë si mundësi e mirë për të vlerësuar formën e futbollistëve dhe për të forcuar kohezionin e grupit para sfidave zyrtare që e presin Kosovën në muajt në vijim.

    Përgatitjet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, me fokus të plotë te miqësorja e dytë dhe objektivat e Kombëtares për periudhën në vazhdim.

  • Alarm te Franca, Saliba rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në Botërorin 2026

    Alarm te Franca, Saliba rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në Botërorin 2026

    Kombëtarja e Francës po përballet me një situatë shqetësuese lidhur me gjendjen fizike të mbrojtësit William Saliba, i cili mund të mungojë në Botërorin 2026 për shkak të një dëmtimi të rënduar.

    Qendërmbrojtësi i Arsenalit kishte vuajtur nga një problem në kyçin e këmbës edhe më herët, por gjendja e tij është përkeqësuar pas paraqitjes në ndeshjen ndaj PSG-së, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi rikthimin e tij në kohë për turneun më prestigjioz të futbollit.

    Sipas burimeve pranë ekipit kombëtar francez, ekzaminimet e fundit mjekësore kanë zbuluar se lëndimi është më kompleks sesa ishte vlerësuar fillimisht. Për këtë arsye, stafi mjekësor po ndjek me kujdes evolucionin e situatës, ndërsa ende nuk ka një afat të qartë për rikuperimin e plotë të lojtarit.

    Saliba është një nga figurat kyçe të repartit defensiv të Francës dhe një nga mbrojtësit më të vlerësuar në futbollin evropian. Një mungesë e mundshme e tij në Botëror do të përbënte një goditje të madhe për planet e trajnerit dhe ambiciet e “Gjelave” në garën për trofeun.

    Në ditët në vijim, lojtari do t’i nënshtrohet kontrolleve të tjera specialistike, të cilat do të përcaktojnë më qartë shkallën e dëmtimit dhe shanset e tij për të qenë gati në kohë për Botërorin 2026.

  • Barcelona tërhiqet nga gara për Joao Pedron, Chelsea vendos një çmim marramendës për sulmuesin brazilian

    Barcelona tërhiqet nga gara për Joao Pedron, Chelsea vendos një çmim marramendës për sulmuesin brazilian

    E ardhmja e Joao Pedros duket se do të vazhdojë të jetë e lidhur me Chelsean, pasi mundësia e një transferimi te Barcelona po bëhet gjithnjë e më e largët.

    Sulmuesi brazilian ishte përmendur si një nga objektivat e merkatos së klubit katalanas, por pengesa kryesore mbetet çmimi i lartë i vendosur nga drejtuesit e Chelseat për kartonin e tij.

    Sipas raportimeve të ESPN, klubi londinez kërkon rreth 120 milionë euro për 24-vjeçarin, një shumë që aktualisht tejkalon mundësitë financiare të Barcelonës. Edhe pse në fazat e hershme ishte raportuar se palët mund të diskutonin një marrëveshje afër 100 milionë eurove, vlera e sulmuesit është rritur ndjeshëm pas paraqitjeve të tij të fundit.

    Për këtë arsye, transferimi në “Camp Nou” duket pothuajse i pamundur në këtë fazë, ndërsa Chelsea nuk ka ndërmend të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të projektit të saj afatgjatë.

    Joao Pedro zhvilloi një sezon të suksesshëm në aspektin individual, duke regjistruar 20 gola dhe gjashtë asistime në 53 ndeshje në të gjitha kompeticionet, statistika që kanë rritur ndjeshëm vlerësimin e tij në treg.

    Megjithatë, performanca e brazilianit nuk ishte e mjaftueshme për të shpëtuar sezonin e Chelseat, me londinezët që përfunduan vetëm në vendin e dhjetë në Premier League dhe mbetën jashtë garave evropiane.

    Me situatën aktuale financiare dhe kërkesat e larta të Chelseat, gjithçka tregon se Joao Pedro do të vazhdojë të jetë pjesë e “Bluve” edhe sezonin e ardhshëm, ndërsa interesimi i Barcelonës po humbet gradualisht forcën.

  • Brazili shpërthen me gjashtë gola, Ancelotti feston triumfin bindës ndaj Panamasë

    Brazili shpërthen me gjashtë gola, Ancelotti feston triumfin bindës ndaj Panamasë

    Brazili ka dhënë një sinjal të fortë force në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Rio de Janeiro, duke triumfuar me rezultatin e thellë 6:2 ndaj Panamasë.

    Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti e nisi takimin në mënyrë ideale, pasi Vinicius Junior zhbllokoi rezultatin që në minutën e parë pas një aksioni të bukur të ndërtuar nga Casemiro.

    Panamaja reagoi shpejt dhe arriti të barazonte në minutën e 14-të, por më pas kontrolli i lojës kaloi plotësisht në duart e brazilianëve.

    Casemiro riktheu avantazhin në minutën e 39-të, duke i dërguar vendasit në pushim me epërsi. Në pjesën e dytë, Brazili ngriti ritmin edhe më shumë dhe gjeti rrugën e rrjetës me Rayanin (53’), Lucas Paquetan (60’), Igor Thiagon (63’) dhe Danilo Oliveiran (81’), duke vulosur një fitore spektakolare. Goli i dytë i Panamasë në minutat e fundit shërbeu vetëm për të zbutur disi shifrat e takimit.

    Pas ndeshjes, Carlo Ancelotti nuk e fshehu kënaqësinë për paraqitjen e ekipit të tij.

    “Atmosfera ishte fantastike dhe tifozët na dhanë energji të jashtëzakonshme. Një fitore e tillë na rrit vetëbesimin dhe tregon se skuadra po ecën në drejtimin e duhur. Qasja jonë që nga minuta e parë ishte e shkëlqyer”, deklaroi tekniku italian.

    Me këtë sukses bindës, Brazili konfirmoi potencialin e madh ofensiv dhe dominimin në lojë, duke lënë përshtypje shumë pozitive për sfidat e ardhshme.

  • Kvicha Kvaratskhelia pas triumfit të PSG-së: Do të tentojmë ta fitojmë sërish Ligën e Kampionëve

    Kvicha Kvaratskhelia pas triumfit të PSG-së: Do të tentojmë ta fitojmë sërish Ligën e Kampionëve

    Paris Saint-Germain e ka fituar me shumë dramë finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit, duke triumfuar 4-3 pas ekzekutimit të penalltive, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultat 1-1.

     

    Njëri nga protagonistët e mbrëmjes, Khvicha Kvaratskhelia, nuk e fshehu emocionin pas suksesit historik të skuadrës franceze, duke vlerësuar sakrificën dhe përkushtimin e të gjithë ekipit në rrugën drejt trofeut.

     

    “Është një ndjenjë e pabesueshme. Isha shumë i lodhur, por kur gjithçka përfundoi, sërish kisha energji për të vrapuar dhe për të festuar. Ia dolëm. Falënderoj tifozët tanë, klubin, trajnerin dhe bashkëlojtarët. Jemi jashtëzakonisht krenarë për këtë natë”, deklaroi ylli gjeorgjian.

     

    Kvaratskhelia foli edhe për objektivat e PSG-së në të ardhmen, duke theksuar se skuadra synon të vazhdojë me të njëjtin ritëm fitues edhe në sezonin e ardhshëm.

     

    “Tani duhet të vazhdojmë në këtë drejtim. Sezonin e ardhshëm do të përpiqemi ta fitojmë sërish këtë trofe”, shtoi ai.

     

    Kjo fitore shënon herën e dytë në histori që Paris Saint-Germain ngre trofeun e Ligës së Kampionëve, duke konfirmuar statusin e tij si një nga skuadrat më të forta në futbollin evropian.

     

    Njëkohësisht, PSG siguroi titullin e dytë radhazi në garën më prestigjioze për klube në Evropë. Sezonin e kaluar, parisienët triumfuan bindshëm ndaj Interit me rezultat 5-0 në finale, ndërsa tani synojnë të afrohen me rekordin e Real Madridit, skuadrës së vetme që ka arritur ta fitojë Ligën e Kampionëve tre herë radhazi.

  • Real Madridi e sheh Alexis Mac Allisterin si alternativë për mesfushën

    Real Madridi e sheh Alexis Mac Allisterin si alternativë për mesfushën

    Real Madridi raportohet se po e shqyrton Alexis Mac Allisterin si një alternativë të mundshme për repartin e mesfushës, në rast se nuk arrin t’i realizojë objektivat kryesorë gjatë afatit kalimtar të verës.

     

    Sipas mediumit spanjoll “El Debate”, mesfushori i Liverpoolit po ndiqet me vëmendje nga drejtuesit e klubit madrilen, të cilët e konsiderojnë atë një zgjidhje të përshtatshme për forcimin e skuadrës.

     

    Kampioni i botës me Argjentinën vlerësohet si një opsion më i përballueshëm financiarisht krahasuar me disa emra të tjerë të njohur. Në Madrid besojnë se ai mund të sjellë stabilitet, ekuilibër dhe kontroll në mesfushë.

     

    Mac Allister ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2028 dhe prej kohësh ndodhet në listën e dëshirave të klubit spanjoll. Ai vlerësohet për inteligjencën taktike, qetësinë me topin dhe aftësinë për t’u përshtatur në role të ndryshme në mesfushë.

     

    Ndërkohë, Real Madridi vazhdon të hasë vështirësi në ndjekjen e objektivave të tij kryesorë. Enzo Fernandez i Chelseat mbetet zgjedhja e parë, por transferimi i tij shihet si i ndërlikuar për shkak të çmimit të lartë dhe kontratës afatgjatë me klubin anglez.

     

    Edhe Rodri i Manchester Cityt është përmendur si një mundësi për mesfushën madrilene, por raportimet tregojnë se mosha dhe problemet e mëparshme me lëndimet kanë ndikuar në vlerësimin e tij nga drejtuesit e klubit.

     

    Strategjia e Real Madridit është e qartë: të gjejë një mesfushor që mund të organizojë lojën dhe të kontrollojë ritmin e saj. Me Jude Bellinghamin, Arda Gulerin dhe Brahim Diazin që ofrojnë kreativitet gjatë ndeshjeve kundër ekipeve të mëdha.

  • San Antonio Spurs në finalen e NBA-së pas triumfit ndaj Oklahoma Cuty Thunder në ndeshjen vendimtare

    San Antonio Spurs në finalen e NBA-së pas triumfit ndaj Oklahoma Cuty Thunder në ndeshjen vendimtare

    San Antonio Spurs janë kualifikuar në finalen e madhe të NBA-së pasi mposhtën Oklahoma City Thunder me rezultatin 111:103 në ndeshjen e shtatë dhe vendimtare të finales së Konferencës Perëndimore.

     

    Fitorja në Oklahoma City u siguroi Spurs titullin kampion të Perëndimit dhe një vend në finalen e NBA-së për herë të parë që nga viti 2014. Seria mes dy skuadrave u vendos vetëm pas ndeshjes së shtatë, duke dëshmuar rivalitetin dhe nivelin e lartë të garës.

     

    Heronjtë e triumfit ishin Victor Wembanyama dhe Julian Champagnie. Francezi udhëhoqi Spurs me 22 pikë, ndërsa Champagnie shtoi 20 pikë, prej të cilave 18 erdhën nga gjuajtjet për tre pikë. Në total, shtatë lojtarë të Spurs shënuan pikë dyshifrore, duke treguar forcën kolektive të ekipit.

     

    Një nga momentet kyçe të takimit erdhi në mesin e çerekut të fundit, kur Luke Kornet bllokoi një tentativë të Isaiah Hartenstein pranë koshit dhe ndali një aksion që mund ta kishte afruar Thunder në vetëm katër pikë diferencë. Edhe pse Kornet realizoi vetëm dy pikë gjatë gjashtë minutave në parket, bllokimi i tij rezultoi vendimtar për rrjedhën e ndeshjes.

     

    Te Thunder, Shai Gilgeous-Alexander ishte edhe një herë lojtari më i mirë me 35 pikë dhe nëntë asistime, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin. Cason Wallace kontribuoi me 17 pikë, ndërsa Jared McCain dhe Alex Caruso shtuan nga 12 pikë secili. Mungesa e Jalen Williams për shkak të dëmtimit e vështirësoi edhe më shumë detyrën e skuadrës vendase.

     

    Me eliminimin e Thunder, është konfirmuar se NBA do të ketë një kampion të ri për të tetin sezon radhazi.

     

    Ndeshja e parë e finales së madhe të NBA-së mes San Antonio Spurs dhe New York Knicks do të zhvillohet më 4 qershor.

  • Vedat Muriqi pranë rikthimit te Fenerbahçe

    Vedat Muriqi pranë rikthimit te Fenerbahçe

    Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, mund të rikthehet në futbollin turk dhe te një klub që e njeh shumë mirë. Mediat turke raportojnë se “Pirati” është një nga objektivat kryesorë të drejtuesve të ardhshëm të Fenerbahçe.

     

    Sipas gazetarit turk Yagiz Sabuncuoglu, ekziston një marrëveshje e plotë mes sulmuesit të RCD Mallorca dhe Aziz Yıldırım, i cili pritet të kandidojë për postin e presidentit të Fenerbahçes në zgjedhjet e muajit qershor.

     

    Ndërkohë, Mallorca po e ndjek me qetësi situatën, pasi klubi spanjoll pret të përfitojë një shumë të konsiderueshme nga transferimi i mundshëm i sulmuesit kosovar.

     

    Fillimisht u raportua se Mallorca ishte e gatshme të ndahej me Muriqin vetëm për një shumë rreth 18 milionë euro. Megjithatë, duke pasur parasysh dëshirën e fortë të lojtarit për t’u larguar nga Spanja, palët pritet të ulen në bisedime për të rishikuar kushtet e transferimit.

     

    Muriqi nuk është një emër i panjohur për tifozët e Fenerbahçes. Ai ishte pjesë e skuadrës turke gjatë sezonit 2019/20, ku me paraqitjet e tij të mira tërhoqi vëmendjen e klubeve evropiane dhe më pas vazhdoi karrierën jashtë Turqisë.

     

    Nëse transferimi realizohet, ky do të ishte një rikthim i bujshëm për sulmuesin kosovar, i cili vazhdon të mbetet një nga futbollistët më të rëndësishëm të Kosova.

  • Liverpool zyrtarizon largimin e Arne Slot

    Liverpool zyrtarizon largimin e Arne Slot

    Liverpool ka vendosur që t’i jap fund bashkëpunimit me teknikun holandez Arne Slot,kjo pas një sezoni zhgënjyes për “The Reds”.

    Sipas ekspertit të transferimeve Fabrizio Romano, lajmi u bë i ditur fillimisht në platformën X dhe më pas u konfirmua zyrtarisht. Klubi anglez ka vendosur ta ndërpresë menjëherë bashkëpunimin me trajnerin holandez, i cili kishte kontratë deri në verën e ardhshme.

    Slot, 47 vjeç, kishte drejtuar Liverpoolin për dy sezone. Në sezonin e tij të parë ai arriti të fitojë titullin në Premier League, ndërsa në sezonin e dytë skuadra përfundoi në vendin e pestë, një rezultat zhgënjyes për klubin.

    Si kandidat për pasues të tij po përmendet Andoni Iraola, aktualisht trajner i AFC Bournemouth. Trajneri spanjoll po ashtu është në radar edhe të Bayer 04 Leverkusen, gjë që e bën garën për shërbimet e tij edhe më të fortë.

    E ardhmja e pankinës së Liverpool FC mbetet tani e hapur, me klubin që pritet të marrë vendim të shpejtë për trajnerin e ri.

  • Barcelona prezanton Anthony Gordonin-Anglezi firmos deri në vitin 2031

    Barcelona prezanton Anthony Gordonin-Anglezi firmos deri në vitin 2031

    Barcelona ka nisur me vrull merkaton e verës, duke zyrtarizuar transferimin e sulmuesit anglez Anthony Gordon.

    Klubi katalanas konfirmoi se Gordon ka nënshkruar një kontratë afatgjatë, e vlefshme deri në vitin 2031, duke u bërë kështu përforcimi i parë i madh i skuadrës për sezonin e ri.

    Presidenti Joan Laporta arriti të mposhtë konkurrencën e fortë për shërbimet e futbollistit, pasi interesim për të kishin shfaqur edhe Bayern Munich dhe Liverpool.

    Sipas raportimeve, Barcelona pagoi 70 milionë euro menjëherë, ndërsa marrëveshja përfshin edhe 10 milionë euro të tjera në formë bonusesh. Investimi konsiderohet një nga lëvizjet më të rëndësishme të verës për klubin katalanas, i cili synon të forcojë edhe më shumë repartin ofensiv të drejtuar nga Hansi Flick.

    Gjatë prezantimit zyrtar, Gordon nuk i fshehu emocionet për transferimin në “Camp Nou”, duke e cilësuar këtë moment si realizimin e një ëndrre.

    “Të jem pjesë e klubit më të madh në botë është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu dhe mezi pres të nis këtë aventurë të re”, deklaroi sulmuesi anglez.

    Gordon shtoi se objektivi i tij kryesor me fanellën blaugrana është të fitojë trofe të mëdhenj, veçanërisht UEFA Champions League, trofe që mbetet ëndrra e tij më e madhe në karrierë.

    Me këtë transferim, Barcelona dërgon një sinjal të qartë për ambiciet e saj, duke synuar të ndërtojë një skuadër konkurruese në të gjitha frontet për sezonin e ardhshëm.