ATV

Category: Sport

  • Jannik Sinner i nënshtrohet operacionit në gju, pritet të mungojë disa muaj

    Jannik Sinner i nënshtrohet operacionit në gju, pritet të mungojë disa muaj

    Tenisti italian Jannik Sinner ka përfunduar me sukses operacionin në gju, pas problemeve fizike që e kanë detyruar të largohet përkohësisht nga fushat e tenisit.

    Sipas raportimeve të mediave italiane, ndërhyrja ka shkuar sipas planit, ndërsa tashmë vëmendja e tij është përqendruar te rikuperimi.

    Sinner nuk do të nxitojë për t’u rikthyer në gara, pasi synimi është që të jetë plotësisht i gatshëm fizikisht përpara se të rikthehet në fushë.

    Koha e rikuperimit pritet të jetë e gjatë. Sipas parashikimeve fillestare, tenisti italian mund të qëndrojë jashtë fushave për katër deri në pesë muaj.

    Kështu, Sinner përballet me një periudhë të rëndësishme rikuperimi, ndërsa rikthimi i tij do të varet nga ecuria e rehabilitimit.

  • Spurs marrin kreun e Perëndimit, Lakers vazhdojnë me fitore, ndërsa 76ers pësojnë humbje

    Spurs marrin kreun e Perëndimit, Lakers vazhdojnë me fitore, ndërsa 76ers pësojnë humbje

    Elita e basketbollit në botë, NBA, ka vazhduar edhe sot me ndeshje tejet interesante.

    San Antonio Spurs ka regjistruar fitoren e tretë radhazi dhe njëkohësisht ka marrë kreun e tabelës në Konferencën e Perëndimit.

    Spurs fituan me rezultat 123-107 ndaj Sacramento Kings.

    Më meritorët për këtë fitore ishin Stephon Castle me 28 pikë, 11 asistime dhe tetë kërcime, Julian Champagnie me 22 pikë e shtatë kërcime, si dhe Luke Kornet me 18 pikë e 11 asistime.

    Te skuadra humbëse u dalluan Domantas Sabonis me 20 pikë, 12 kërcime e tetë asistime dhe Zach LaVine me 18 pikë e gjashtë kërcime.

    Kujtojmë se Kings renditen në pozitën e fundit në tabelën e Konferencës së Perëndimit.

    Ndërkohë, lideri i Konferencës së Lindjes, Philadelphia 76ers, ka pësuar humbje nga Portland Trail Blazers me rezultat 128-111.

    Deni Avdija udhëhoqi skuadrën drejt fitores me 31 pikë e shtatë asistime, ndërsa kontribut dhanë edhe Damian Lillard dhe Jrue Holiday, me nga 18 pikë secili.

    Nga ana tjetër, LeBron James shkëlqeu me 23 pikë, së bashku me Tyrese Maxey, i cili shënoi 22 pikë, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.

    Kujtojmë se Blazers renditen në vendin e shtatë në Konferencën e Perëndimit.

    Ndërkohë, Los Angeles Lakers, ndonëse kanë rënë në pozitën e dytë në tabelën e Perëndimit, kanë vazhduar me fitore, kësaj radhe duke mposhtur Utah Jazz me rezultat 109-94.

    Si gjithmonë, ylli i Lakers, Luka Dončić, ishte më meritori për këtë sukses, duke regjistruar 28 pikë dhe tetë asistime.

    Te skuadra humbëse u dallua Kyle Filipowski me 21 pikë e 12 kërcime.

    Jazz renditen në vendin e 14-të në Konferencën e Perëndimit, ndërsa kjo ishte humbja e tyre e tretë radhazi.

  • FIFA zyrtarizon nikoqirët e Botërorit 2031 dhe 2035 në konkurrencën e femrave

    FIFA zyrtarizon nikoqirët e Botërorit 2031 dhe 2035 në konkurrencën e femrave

    FIFA ka zyrtarizuar nikoqirët e dy edicioneve të ardhshme të Kampionatit Botëror në futbollin e femrave. Botërori i vitit 2031 do të organizohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika, Kosta Rika dhe Xhamajka, ndërsa edicioni i vitit 2035 do t’i besohet Mbretërisë së Bashkuar.

    Të dyja kandidaturat morën miratimin në kongresin e jashtëzakonshëm të FIFA-s, pa pasur nevojë për votim.

    Edicioni i vitit 2031 do të shënojë një histori të re për futbollin e femrave, pasi për herë të parë në garë do të marrin pjesë 48 kombëtare dhe organizimi do të bëhet nga katër shtete.

    Ndërkohë, Botërori i vitit 2035 do të zhvillohet në Angli, Skoci, Uells dhe Irlandë të Veriut, duke ndjekur të njëjtin format me 48 përfaqësuese.

    Sa i përket edicionit të ardhshëm, Botërori i vitit 2027 do të mbahet në Brazil, nga 24 qershori deri më 25 korrik, me pjesëmarrjen e 32 kombëtareve.

    Shorti për këtë kompeticion do të hidhet më 11 dhjetor në Rio de Zhanejro.

    Me këto vendime, FIFA po vazhdon zgjerimin e futbollit të femrave, duke i dhënë garës përmasa edhe më të mëdha në arenën ndërkombëtare

  • Liga e Kampionëve rikthehet me nëntë superndeshje, vëmendja te Arsenal – Dortmund dhe City – Napoli

    Liga e Kampionëve rikthehet me nëntë superndeshje, vëmendja te Arsenal – Dortmund dhe City – Napoli

    Spektakli i Ligës së Kampionëve rikthehet këtë të martë, me nëntë përballje në kuadër të fazës së ligës. Programi i sontëm sjell disa duele tejet interesante, ku skuadrat do të kërkojnë pikë të rëndësishme në garën për një vend në fazën e ardhshme të kompeticionit më prestigjioz evropian.

    Një nga ndeshjet që pritet të marrë vëmendjen kryesore është përballja mes Arsenalit dhe Borussia Dortmundit. Dy skuadrat vijnë me ambicie të mëdha dhe synojnë të konfirmojnë potencialin e tyre në këtë edicion të garës.

    Interes të veçantë zgjon edhe dueli Manchester City – Napoli. Kjo ndeshje do të jetë një moment i veçantë për Kevin De Bruyne, i cili rikthehet në stadiumin “Etihad”, por kësaj radhe në rolin e kundërshtarit, pas dhjetë sezonesh të kaluara me fanellën e klubit anglez.

    Në kryeqytetin spanjoll, Real Madridi do të përballet me PSV Eindhovenin, me synimin për të vazhduar ecurinë pozitive dhe për të ruajtur bilancin e përsosur pas katër ndeshjeve të para. Ndërkohë, Como kërkon të vazhdojë të befasojë në këtë edicion, pas fitores së jashtëzakonshme 9-1 ndaj Lensit, teksa kësaj radhe përballet me AEK Athinën.

    Një tjetër duel që premton atmosferë të zjarrtë është ai mes Galatasarayt dhe Aston Villas në Stamboll. Turqit do të mbështeten te tifozët e tyre për të kërkuar një rezultat pozitiv, ndërsa anglezët synojnë të dëshmojnë forcën edhe në një transfertë të vështirë.

    Në Holandë, Feyenoord dhe Porto do të matin forcat në një përballje ku të dyja skuadrat kanë nevojë për pikë për të përmirësuar pozitat e tyre në renditje.

    Programi i mbrëmjes plotësohet me takimin mes Leipzigut dhe Lensit, si dhe atë mes Slovan Bratislavës dhe Real Betisit. Skuadra sllovake do të kërkojë të regjistrojë pikët e para në këtë fazë të kompeticionit.

    Ndeshja mes Bodo/Glimt dhe LASK-ut do të hapë mbrëmjen evropiane në orën 18:45, ndërsa shtatë takimet e tjera do të zhvillohen nga ora 21:00.

    Me emra të mëdhenj, përballje të forta dhe shumëçka në lojë, kjo e martë pritet të sjellë një tjetër mbrëmje të mbushur me emocione në Ligën e Kampionëve.

  • Assane Diatta shpallet “Ylli i Javës” për herë të tretë

    Assane Diatta shpallet “Ylli i Javës” për herë të tretë

    Futbollisti i FC Prishtinës, Assane Diatta, është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 14-të në Superligën e Kosovës.

    Sulmuesi i skuadrës kryeqytetase u shpërblye me këtë çmim pas paraqitjes fantastike në përballjen ndaj FC Drenicës, ku arriti të realizojë hat-trick, duke qenë vendimtar në suksesin e ekipit të tij.

    Ky është çmimi i tretë “Ylli i Javës” për Diattan gjatë këtij edicioni, duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon në kampionatin kosovar.

    Çmimi tradicional ndahet nga Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ndërsa përzgjedhja bëhet nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

    Me këtë rast, FFK-ja e ka uruar Diattan për këtë arritje, duke vlerësuar kontributin e tij në sukseset e FC Prishtinës.

  • Barcelona konfirmon mungesën e Lamine Yamalit ndaj Sabahut

    Barcelona konfirmon mungesën e Lamine Yamalit ndaj Sabahut

    Barcelona do të duhet të përballet me Sabahun në Ligën e Kampionëve pa një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës, Lamine Yamal.

    Talenti spanjoll nuk do të udhëtojë drejt Azerbajxhanit për sfidën e së mërkurës, pasi drejtuesit e klubit kanë vendosur t’i japin kohë për rikuperim të plotë nga shqetësimet në kyçin e djathtë të këmbës.

    Yamal pësoi këtë shqetësim gjatë fitores 3-2 ndaj Villarrealit të dielën, ndërsa Barcelona ka konfirmuar se mungesa e tij ndaj Sabahut është masë parandaluese.

    “Lojtari i ekipit të parë, Lamine Yamal, ka shqetësime të lehta në kyçin e djathtë të këmbës. Si masë parandaluese, ai do ta humbasë ndeshjen ndaj Sabahut dhe do të jetë në dispozicion për takimin e së dielës së ardhshme kundër Deportivos”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Pavarësisht problemeve fizike, sulmuesi i ri ishte aktiv për të gjitha 90 minutat ndaj Villarrealit. Gjatë asaj ndeshjeje, ai fillimisht dështoi të realizonte nga pika e bardhë, por më pas asistoi për Fermin Lopezin në golin e barazimit 2-2.

    Yamal nuk do të jetë mungesa e vetme e Barcelonës për këtë përballje, pasi jashtë ekipit do të mbeten edhe Xavi Espart dhe Roony Bardghji, të cilët po ashtu po vuajnë nga lëndimet.

    Ndërkohë, gjendja e Pau Cubarsit, Andreas Christensenit dhe Rodrit mbetet ende e paqartë, me të tre futbollistët që janë në dyshim për ndeshjen ndaj skuadrës azere.

    Barcelona shpreson që Yamal të rikuperohet në kohë për t’u rikthyer në dispozicion të ekipit për sfidën e fundjavës.

  • Knicks dhe Heat vazhdojnë seritë pozitive, Celtics pësojnë humbjen e katërt radhazi

    Knicks dhe Heat vazhdojnë seritë pozitive, Celtics pësojnë humbjen e katërt radhazi

    Elita e basketbollit amerikan, NBA, ka vazhduar edhe mëngjesin e sotëm me disa ndeshje interesante.

    Kampioni në fuqi, New York Knicks, ka regjistruar fitoren e pestë radhazi pas triumfit ndaj Indiana Pacers me shifrat 113-106.

    Karl-Anthony Towns udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores me 30 pikë e 13 kërcime, derisa Jalen Brunson shtoi 22 pikë dhe shtatë asistime.

    Nga ana tjetër, Pascal Siakam u dallua me 25 pikë e gjashtë kërcime, por që nuk mjaftuan për fitore.

    Knicks renditen në pozitën e katërt në Konferencën e Lindjes, derisa Pacers në vendin e 11-të.

    Boston Celtics ka rënë nga pozita e dytë në tabelën e Lindjes, pasi ka pësuar humbjen e katërt radhazi, kësaj radhe me vetëm një pikë dallim nga Golden State Warriors, 88-87.

    Edhe pse Stephen Curry nuk ishte i pranishëm në këtë ndeshje, Warriors arritën të fitonin, ku u dalluan Brandin Podziemski me 17 pikë e shtatë kërcime, si dhe Charles Bassey dhe Gui Santos me nga 13 pikë secili.

    Te skuadra humbëse, Jayson Tatum ishte më efikasi me 27 pikë, 10 kërcime e gjashtë asistime.

    Kujtojmë që Warriors janë në vendin e 11-të në Konferencën e Perëndimit, derisa Celtics në vendin e tretë në Lindje.

    Miami Heat ka vazhduar të jetë i pandalshëm, pasi ka marrë fitoren e shtatë radhazi, duke mundur kësaj radhe Oklahoma City Thunder me rezultat 123-113.

    Më meritorët për këtë fitore ishin Bam Adebayo, me një triple-double prej 24 pikësh, 15 kërcimesh e 12 asistimesh, dhe Pelle Larsson me 21 pikë.

    Nga ana tjetër, Bennett Stirtz dhe Jared McCain së bashku realizuan 41 pikë, por që nuk mjaftuan për fitore.

    Heat renditen në vendin e gjashtë në Konferencën e Lindjes, derisa Thunder në pozitën e nëntë në tabelën e Perëndimit.

  • Lutfi Dalipi shkëlqen në Zvicër, përfshihet në formacionin e javës

    Lutfi Dalipi shkëlqen në Zvicër, përfshihet në formacionin e javës

    Paraqitjet e shkëlqyera të Lutfi Dalipit në futbollin zviceran po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje. Talenti nga Presheva ka siguruar një vend në formacionin më të mirë të javës në Zvicër, pas një performance mbresëlënëse ndaj Lausanne-Sport.

    Dalipi ishte protagonisti kryesor në barazimin 2-2, ku përveç lojës së mirë arriti të realizonte edhe një gol, duke dëshmuar edhe një herë formën e tij të shkëlqyer.

    Performanca e tij nuk kaloi pa u vënë re as nga platforma e njohur e statistikave “Sofascore”, e cila e vlerësoi me notën e lartë 8.9. Ky vlerësim i siguroi atij përfshirjen në formacionin ideal të javës në kampionatin zviceran.

    Shifrat e Dalipit këtë edicion janë po ashtu mbresëlënëse. Në elitën e futbollit zviceran, ai ka realizuar gjashtë gola dhe ka regjistruar nëntë asistime, duke u shndërruar në një prej emrave që po tërheqin vëmendjen e klubeve evropiane.

    E ardhmja e tij mund të jetë larg Zvicrës, pasi interesimi për shërbimet e talentit shqiptar është rritur ndjeshëm. Sipas raportimeve, në garë për transferimin e tij gjatë afatit kalimtar të verës janë edhe tri klube gjermane: RB Leipzig, Hoffenheim dhe Eintracht Frankfurt.

    Ndërkohë, Dalipi së fundmi ka marrë vendimin për të përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ai pritet të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda nga muaji mars, në prag të angazhimeve të ardhshme të Përfaqësueses së Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2028”.

  • Drita triumfon në spektaklin me shtatë gola

    Drita triumfon në spektaklin me shtatë gola

    Drita ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Feronikelit ’74, në kuadër të javës së 14-të në Superligën e Kosovës, duke triumfuar me rezultat 4-3 në një ndeshje spektakolare me shtatë gola.

    “Intelektualët” siguruan pikët e plota pas një përballjeje me shumë emocione, ku të dyja skuadrat arritën të shënonin nga tri herë para se vendasit ta vulosnin fitoren.

    Feronikeli ’74 e nisi në mënyrën më të mirë takimin, duke kaluar në epërsi që në minutën e dytë me anë të Albin Prapashticës.

    Megjithatë, Drita reagoi në minutën e 16-të, kur Besnik Krasniqi realizoi pas një aksioni të shpejtë, duke barazuar rezultatin në 1-1.

    Vetëm shtatë minuta më vonë, Eduard Rroca përmbysi shifrat në favor të vendasve, pas bashkëpunimit me Krasniqin.

    Skuadra nga Drenasi nuk u dorëzua dhe në minutën e 37-të arriti të barazojë rezultatin përmes Ibrahim Cërvadikut, i cili shënoi pas asistimit të Prapashticës.

    Në fillim të pjesës së dytë, konkretisht në minutën e 48-të, Blerim Krasniqi riktheu epërsinë e Dritës, pas asistimit të Oniks Grezdës.

    Por Feronikeli ’74 reagoi sërish dhe në minutën e 54-t barazoi shifrat në 3-3, me Lorik Dobratiqin që dërgoi topin në rrjetë.

    Golin e fitores për Dritën e realizoi Oniks Grezda në minutën e 61-të, duke vulosur një triumf të rëndësishëm për skuadrën gjilanase.

    Me këtë fitore, Drita ngjitet në kuotën e 27 pikëve dhe renditet në vendin e tretë në tabelën e Superligës së Kosovës. Në anën tjetër, Feronikeli ’74 mbetet në pozitën e shtatë me 15 pikë.

  • Goditje e rëndë për PSG-në, Desire Doue rrezikon të mbetet jashtë fushave për tërë  sezonin

    Goditje e rëndë për PSG-në, Desire Doue rrezikon të mbetet jashtë fushave për tërë sezonin

    Frika më e madhe është konfirmuar për Paris Saint-Germainin. Sulmuesi francez, Désiré Doué, ka pësuar një lëndim të rëndë, i cili pritet ta mbajë jashtë fushave deri në fund të sezonit.

    Klubi parisien ka konfirmuar të dielën se 21-vjeçari ka këputur ligamentin e kryqëzuar anterior (ACL) të gjurit të djathtë gjatë ndeshjes kundër OGC Nice.

    Doué do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale para përfundimit të këtij muaji, ndërsa rikthimi i tij në fushë pritet të kërkojë një periudhë të gjatë rehabilitimi.

    Lëndimi ndodhi në minutën e 38-të, kur futbollisti po ndryshonte drejtimin e lëvizjes, pa pasur kontakt me ndonjë kundërshtar. Ai u rrëzua në fushë duke bërtitur nga dhimbjet dhe me lot në sy.

    Anësori francez u largua me barelë, ndërsa u duartrokit nga futbollistët e të dyja skuadrave, tifozët dhe gjyqtari i ndeshjes.

    “Jemi pranë teje, Désiré”, ishte mesazhi që PSG-ja publikoi në rrjetet sociale pas konfirmimit të lëndimit.

    Mungesa e tij përbën një goditje të madhe për kampionët francezë, të cilët synojnë të luftojnë për trofe në të gjitha garat.

    Doué kishte qenë një prej futbollistëve të rëndësishëm të Paris Saint-Germainit, duke luajtur rol vendimtar në sukseset e klubit në Ligën e Kampionëve gjatë viteve 2025 dhe 2026.

    Ky është një tjetër lajm i keq për PSG-në sa u përket lëndimeve serioze. Rreth një muaj më parë, edhe Khvicha Kvaratskhelia kishte pësuar këputje të ligamentit të kryqëzuar, duke u detyruar të qëndronte jashtë fushave për një periudhë të gjatë.

    Kështu, trajneri i PSG-së përballet me një tjetër mungesë të rëndësishme në një moment kur skuadra ka nevojë për të gjithë futbollistët kryesorë.